Pjesa e parë
Cili ishte Llazar Papapostoli?
Memorie.al / . Lindur në Katundin Ziçisht – Bilisht, në maj 1915, i biri i Fotinisë dhe i Dhimitrit. Shkollën fillore e kryen në Ziçisht. Në vitin 1927–1930, punon në Tipografinë “CEKREZI” – Tiranë. Në vitin 1930, merr një bursë në shkollën Teknike Amerikane në Tiranë. Në vitin 1937, shkon në SHBA-ës dhe regjistrohet në Universitetin “ILLINOIS”, në degën e Shkencave Politiko–Shoqërore. Diplomohet në qershor të vitit 1941. Deri në janar të vitit 1942, i papunë. Më 5.1.1942, deri në qershor të vitit 1943, punon si sekretar i Shoqatës “Shqipëria e Lirë” dhe drejtor i gazetës “LIRIA” në Nju-Jork. Në qershor të vitit 1943, me ftesë të z. Fransis Calleny, shkon në Uashington, në O.S.S.
Nga shtatori 1943, deri më 21.10.1943, shkon me shërbim në Kajro, pranë O.S.S dhe në fund të tetorit në Bari të Italisë, në shërbim të O.S.S., si zëvendës i major Coon, deri sa erdhi Harry Fultzi. I vendosur në vilën “Azzon” si përgjegjës, jo vetëm i materialeve dhe pajisjeve, por edhe i anëtarësimit të shqiptarëve dhe instruktor leksionesh. Në fund të tetorit 1944, niset në Shqipëri, me Misionin Shqiptar pranë të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare.
Bashkënxënës me Mehmet Shehun në shkollën Teknike të Fultz-it në Shqipëri, emigron në Amerikë në 1937-ën. Në vitin 1943, merr pjesë në O.S.S. ku dhe fiton pseudonimin “Larry Post”. “Larry Post”, ushtarak i shërbimit sekret amerikan, me pagë majori, ishte Llazar Papapostoli nga Ziçishti i Korçës, jeta e të cilit do të merrte një rrjedhë tjetër, sapo ai vendosë të kthehet në Shqipëri në vitin 1944.
Vetëm dy vjet më pas, në momentin kur bota përfshihet nga Lufta e Ftohtë, ai arrestohet nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe izolohet e, dënohet me dhjetë vjet burg, jeton i vetëm në qeli, kërcënohet e dhunohet, internohet! Thuhet se vetëm Mehmet Shehu, mban kontakte të drejtpërdrejta me të, deri në fund të vitit 1974, ku dhe vdes në rrethana misterioze, ndërsa, zyrtarisht u publikua vdekje nga infarkti.
Kush ishte ushtaraku legal i Shërbimit Sekret amerikan, si nisi rruga e tij momentin që emigron në SHBA-së, pse u kthye në Shqipëri, pse u izolua dhe çfarë thuhej në letrën e tij të gjetur në kasafortën e Mehmet Shehut, ditën kur ky vdes? Të vetmit që sot mund të tregojnë për jetën e Larry Post (Llazar Papapostoli), janë njerëzit e familjes së tij, djali Rudolfi, gruaja Liza dhe vëllai i saj, Llambro Labo, personi që qëndroi me të në burg dhe u bë shkak për martesën e “Larry Post”, disa muaj pas daljes nga burgu.
Jeta e mistershme e këtij njeriu në periudhën më të rëndësishme (1946-1958), midis Zbulimit, Kundërzbulimit Shqiptar dhe shërbimeve të huaja, kryesisht ai amerikan, italian e grek. Kohë që përkon me ngritjen e qendrave të spiunazhit në Pulja të Italisë, në kufirin grek; në Janinë, Selanik, Follorrinë, ku përgatiteshin persona apo grupe të spiunazhit të dirigjuar dhe drejtuar nga shërbimi sekret amerikan dhe ai anglez, kundër vendeve të Lindjes, të përfshira në Luftën e Ftohtë, në të cilën ishte dhe Shqipëria…!
Çfarë ndodhi me “Larry Post” (Llazar Papostolin)?
Askush nuk dinte kush qëndronte në qelinë numër 1 në burgun e Tiranës, te “Brraka”. Ai u izolua për të mos marrë kontakte me askënd, momentin kur bie Koçi Xoxe dhe në fuqi vjen Mehmet Shehu. “Larry Post’ ishte bërë personazhi mister, për të gjithë ne në burg. Të dënuarit e vjetër mbanin mend se Koçi Xoxe e torturonte atë në qeli, duke e lidhur në një hell, me qëllim që kamzhiku të kapte të gjithë pjesët e trupit”.
Llambro Labo fillon kështu të tregojë për njohjen e tij me “Larry Post”, i cili pas dhjetë vjetësh, do të bëhej dhe burri i motrës së tij Jolanda Labo (Liza), mbesa e Odise Kasnecit dhe e Nase Labos.
Njeriu i shërbimeve sekrete amerikane, 31 vjeç, arrestohet në vitin 1946 dhe dënohet me dhjetë vjet burg, i akuzuar sipas dosjes hetimore nr.1081/3 në Ministrinë e Brendshme; “për pjesëmarrje në organizatën terroriste fashiste të grupit të Monarkistëve, i cili kërkonte për të rrëzuar Qeverinë, si ndërlidhës i reaksionit të jashtëm në dëm të interesave të larta të Atdheut, për pjesëmarrje në të gjitha mbledhjet dhe vendimet e dala nga kjo organizatë për atentate kundra udhëheqësve të pushtetit e të popullit dhe sabotazhe në dëm të rindërtimit”.
Një natë më parë, kohën kur qëndronte në Tiranë, Llary Post merr një mesazh nga Fultzi: “Akoma nuk ke ikur, çfarë bën?”. “Vendosa të largohem me shpejtësi dhe futem në disa rrugica për të dalë te ‘Rruga e Elbasanit’, atje më kishin bërë pritë. ‘Zizi’ me forca të armatosura po më priste”, – i ka treguar Labos, “Larry”. Ky ishte momenti që do të fillonte të flitej për njeriun e amerikanëve me pseudonimin “Larry Post”, çast ky që përkon me periudhën e prishjes së marrëdhënieve të ambasadës amerikane me qeverinë e asaj kohe, të dalë pas ikjes së nazifashistëve.
Dëshmia sekrete e “Larry Post” dhënë në hetuesi, për aktivitetin e tij në Amerikë
“Në qershor të vitit 1943, më thirrëm në Uashington prej z. Fransis Collney për t’u takuar me të në Uashington, ndërkohë që isha në Nju-Jork si drejtor i gazetës ‘LIRIA’. Takimi bëhet të nesërmen në zyrën e z. Collney, i cili u prezantua si i ngarkuari i qeverisë amerikane, që po përgatiste disa shqiptarë për të hyrë në Shqipëri, për organizimin e rezistencës. Për këtë do të kryenin disa kurse speciale.
Kërkoi aprovimin tim. Unë pranova dhe premtova të jem në dispozicion të tyre. Më kërkoi ndonjë shqiptar tjetër, unë rekomandova Spiro Thanasin dhe Dhimitër Trebickën: Z. Frenise më dha disa formularë me të gjitha gjeneralitetet e hollësishëm në tri kopje. Pas disa ditësh thirrem në telefon nga Uashingtoni, për t’u takuar me Majorin Coon, komandant i O.S.S–it për Shqipërinë.
Coon, profesori i natropologjisë në Universitetin e Harvardit, afërsisht 50 vjeç, kishte qenë më parë në Shqipërinë e Veriut. Coon na trajtoi hollësisht misionin e vështirë në Shqipëri dhe detyrën që na dilte për përgatitjen fizike dhe kurse speciale. Për përgatitje fizike më dërguan në zonën A, jashtë Uashingtonit.
Na kërkoi Coon, i cili nga ana e tij me prezantoi me Kapter Hans Taft, që do të punonte me ne. Na dërguan në Zonën B, një tjetër kamp në afërsi të Uashingtonit. Në këtë kamp konspiracioni në të gjitha drejtimet ishte më i fortë. Këtu mora emrin Llary Post.
Ishim afërsisht 60 vetë. Iu nënshtruam leksioneve.
Propaganda me Prof. Essere Shine, Shefren dhe një spanjoll, Topografinë me Prof. Forest dhe përgatitjen me armë me anglezin Major Fainlan. Pas tri javë kurs shkuam në Uashington, ku ndenjëm pesë ditë. Pastaj më çuan dy javë në një fermë afër Uashingtonit, ku vetëm përsërisnim leksionet. Çdo javë takoja Dr. Coon dhe Taftin në Uashington për shpjegime.
Pas dy javësh qëndrimi në fermë më çuan në një qytet të vogël afër Baltimores. Ndenja pesë ditë dhe u njoha me armatimin dhe municionin e të gjitha shteteve. Kthehem në Uashington dhe përgatita dokumentet dhe pasaportën etj.) për t’u nisur në Shqipëri. I pari u nis Coon dhe Taft, më vonë Angela Mitro etj. Unë u nisa me aeroplan për Skoci-Kajro. Jam nisur më 27.09.1943 me itinerarin Skoci-Aeroport Kazablanka-Algjeri-Kajro.
Në Kajro ndenjëm tri javë në zyrën e O.S.S, por nuk u takova me Coon dhe Taft. Më prezantuan në O.S.S me Komandantin për Shqipërinë, Toger Wells, djali i zv. presidentit Sumnur Wells. U njoha dhe me Major Mc One, i cili ishte kapo i SI, për Shqipërinë. Kthehet Coon dhe Taft dhe u nisëm në Bari, ku ngritëm zyrën e S.B.S. Për në Bari ndoqëm itinerarin Kajro- Tunizi-Algjeri-Bari.
Unë dhe Kapter Taft, me ndihmën e zotit Mc BANI, duhet të viheshim në kontakt me shqiptarët. U vendosëm në Vila AZZORE, Via Re David dhe Vila ROSE në Carbunare, ku zhvilloheshin kurse me shqiptarë të tjerë. Kurset përfunduan në mars 1944. Profesorë ishin Cook, Fulc, Angelo Prifti etj. Dëshiroja të vija në Shqipëri me mision, por më mohohej me pretekste të ndryshme. Më thonin do të shkosh vetëm si shqiptar.
Kërkova dorëheqjen dhe me falenderime për shërbimin në SHBA-ës e firmosur nga Edwart Green. U vendos të nisem. Direktiva e Fultz-it ishte, që unë të prezantohesha në Misionin Amerikan në Shqipëri dhe të isha në punë me Tomin (Thoma STEFANI). Në fund të tetor 1944, u nisëm nga Bari-Kakome dhe pastaj me një tjetër motoskaf arritëm në Sarandë, ku qëndruam një natë. Vazhduam Delvinë-Gjirokastër-Këlcyrë-Berat. Në Berat u paraqita në komandën e Përgjithshme të Lëvizjes. Më pritën mirë.
Më prezantuan me Myslym Pezën, Haxhi Lleshin, Isuf Kambon, Gaqo Progrin, Sejfulla Malëshovën, Ymer Dishnicën. Para se të prezantohesha me ta, i dorëzova Tomit një zarf të mbyllur të Fultz-it. Tomi, pasi studioi direktivat e Fultz-it, me porositi të qëndroja disa ditë me personalitetet e Lëvizjes, për të përfituar ndonjë vend pune, pasi ishte prag çlirimi. Komanda shqiptare më dërgoi në Tiranë.
Arrita dy ditë para çlirimit të qytetit. U paraqita te Mehmet Shehu dhe Dali Ndreu, të cilët me dërguan në Brigadën e IV-ët. Në maj 1945 erdhi Fultzi dhe shkova e takova në Mision. Meqë kisha afërsisht 10 muaj pa punë dhe po komprometohesha, Fultzi më gjeti një vend në UNRRA dhe për të më humbur gjurmët, më çoi në Durrës. Nga 02.12.1945, deri sa filluan arrestimet, kam takuar Fultzin dy herë. Ai më thoshte: “Ende nuk të kanë arrestuar, duhet të largohesh fshehtas me ndonjë anije të UNRRA-s”! Tentova të ikja, por ishte e pamundur!
Pse u mbajt i izoluar “Larry Post”, çfarë ndodhi me të pas arrestimit?!
Në Itali, si i dërguar i amerikanëve për të marrë pjesë në Shtabin e Mesdheut, si përfaqësues kryesor i Aleatëve, gjë e cila nuk u krye, ndërsa anglezët preferuan Rundolf Çurçillin, të birin e Çurçillit, “Larry Post” vihet në kontakt me kryetarin e misionit jugosllav, kolonel Velebit.
Aty hyn në lidhje me udhëheqës të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, takohet me misionarët e parë të U.N.Ç.SH (Ushtria Nacional-Çlirimtare Shqiptare), Halim Budo dhe me një tjetër person me emrin Sala. Vjen në Shqipëri i shoqëruar nga delegacioni i Gruas Antifashiste Jugosllave, drejtuar nga Ollga Kavaçiç.
Pritet në Berat nga Velim Stojniç, kryetar i misionit jugosllav në Shqipëri. Në këtë qytet takohet me të gjithë udhëheqësit, përveç Koçi Xoxes. Enver Hoxha e dërgon në Tiranë, për të parë luftën çlirimtare të kryeqytetit. Ky do të ishte momenti që për “Larry Post”, sjell kohën e rënies së tij.
Për të fillon survejimi, izolimi. Dërgohet në Brigadën e IV-ët Sulmuese, ku tentohet një eliminim i tij, sipas dëshmisë së lënë në hetuesi. Pas çlirimit punon për UNRRA-n, ku dhe kontribuon për arratisjen e shqiptarëve drejt Italisë nëpërmjet Durrësit, si i vetmi person që kishte mundësi për të hipur në anije. Arrestohet në dhjetor të 1946.
“Në qelinë nr, 1, ai torturohej dhe nga Koçi Xoxe i kërkohej se çfarë ‘Larry Post’ i kishte afruar Enver Hoxhës. “Asgjë nuk i kam thënë dhe asgjë nuk më ka kërkuar, vetëm i kam dhuruar një orë nga Amerika”, – tregon Llambro Labo, bisedën e bërë me “Larri Post”. Labo vazhdon të tregojë se ardhja e Mehmet Shehut në vend të Koçi Xoxes, do të ofronte një tjetër mënyrë dënimi për “Larry Post”.
Deri në datën që ai doli nga burgu, pikërisht më 23.1.1956, “Llarry Post” nuk u takua nga askush, përveç motrës së tij, martuar në Tiranë, Nastasia Duma dhe ndonjë titullari. “Kur u hapën portat dhe Larry Post del nga qelia, mbante kokën lart dhe shikonte anash i tronditur”, – dëshmon Labo.
Kur kishin patur mundësi të komunikonin, para se ai të izolohej, Llambro i kishte dhënë leje Llarry-t, të shkonte në shtëpinë e tij për vizitë, pasi të dilte nga burgu. Ky ishte momenti kur majori i shërbimeve sekrete, njihet me motrën e Labos, Jolandën, të cilën e thërrisnin Liza. Vendosë të shkojë në vendlindje, në Ziçisht të Korçës.
Por, sipas dosjes hetimore nr.1081/3, mbasi u lirua, “meqenëse përsëri zhvillonte veprimtari armiqësore dhe meqë kishte shfaqur tendenca për arratisje, pasi fshati i tij ishte afër me kufirin grek, Komisioni i Internim- Dëbimeve, me vendim nr.5, datë 16.7.1956, vendosi internimin e tij në Shtyllas të Fierit, për pesë vjet kohë. Afati i internimit i filloi më datë 16 korrik 1965 dhe i mbaroi më datë 16 korrik, në 1961. Kjo masë dënimi iu përsërit”.
Paralelisht vendoset dëbimi për familjen e Jolandës si familje reaksionare, ku në burg po vuanin dënimin vëllai dhe babai i saj. Ato largohen për të gjetur strehë në Kavajë. Liza shkon për të takuar të vëllain Llabron, në Zadrimë të Lezhës, atje ku të burgosurit ishin dërguar për të hapur kanalin e madh të fushës, dhe i thotë se; “kam vendosur të fejohem me Larry-n”.
“Prej këtu filloi jeta bashkëshortore e ‘Larry Post’ me motrën time Lizën, ku lindën dhe fëmijët, Greiss dhe Rudolf. Ata u vendosën në kampin e të internuarve në fermën ‘Çlirimi’ në Fier. I vetmi njeri që mbante kontakte me të, isha unë. Mësova se i vetmi që mbante kontakte dhe i vinte shpesh në kamp, ishin njerëzit e Mehmet Shehut”, – kujton Llambro. Një ditë, kur në kopshtin e fidanishteve, ku i vetmi që punonte pa patur lidhje me askënd tjetër, përveçse familjes së tij, te “Larry” zbret Mehmet Shehu. Kur dikush nga rojet e kap Rudolfin me dy krahët “Llary Post” i thotë: “Ai është djali im”.
Për Llambron mbetet mister ajo çka Mehmeti i kërkonte kunatit të tij, ndërkohë që atij i jepej e drejtë për të lëvizur vetëm me leje në Lushnjë dhe në Berat. “Kur isha në një ditë në takim, ashtu siç u takonim, ku ‘Llarry’ shpeshherë nuk fliste aspak, ishte me ne dhe Remzi Ndreu. Ai më thotë: Ç’thoni për bashkimin me Jugosllavinë? Nuk është zgjidhje për Shqipërinë kjo, i them unë në moment.
Ai tundi kokën në shenjë miratimi dhe nuk u fol më asnjë fjalë. Në atë kohë, në “Transatlantikun”, thuhej se ishte bërë takimi midis Mehmet Shehut, Titos, Fulzit dhe Randolf Çurçillit. Ata diçka kërkonin nga Llarry”, – thotë Llambro. Ai kujton mirë ditën kur Llazar Papostoli, arrin të marrë një një leje për në Berat, gjoja për të vizituar sytë.
Kur u kthye më tha: “Takova Doktorin (Ymer Dishnicën), asgjë më tepër”. Llazarit i kishin ndërprerë marrëdhëniet, këtë ma kishte thënë me gojën e tij. “Llambro, – më tha, – më kanë prerë lidhjet me të gjithë, nuk arrij të nis një letër tek Enver Hoxha”, thotë Llambro. “Larry Post” pas gjithë atyre viteve burg dhe internim, kishte nisur një letër në adresë të Enver Hoxhës dhe i kërkonte atij lutje për fëmijët. Përgjigjja e letrës, vjen nga Ministria e Brendshme.
“Ju do të merrni përgjigje nga Mehmet Shehu“, – thuhej në të. Sipas Llambros, në këtë kohë “Llarry Post”, kishte humbur shpresat. Një ditë ai niset nga kampi për të blerë ndonjë gjë në Pojan të Fierit. Në mbrëmje i kishte thënë dhe Drita Kosturit, e cila i premtoi se do të shkonin bashkërisht. Në mëngjes, Kosturi nuk pranoi, duke nxjerrë një pretekst. “Rruga binte nga përroi, – kujton Llambro. ‘Llarry’ u pa të kthehej në atë rrugë, të futej në kthesë, por jo të dilte më. Pas dy ditësh gjendet dhe dërgohet në spital, ku dhe u tha se vdiq nga in-fakti”.
“Një vit më parë, – kujton Llambro, – ‘Llarry Post’ i kishte treguar, se një ditë tek po pinte kafe aty në lokalin e kampit, i kishin dhënë një cigare, nuk kishte mundur ta thithte as tri herë, ndërsa kishte pësuar goditje dhe ishte rrëzuar. Mjeku i tha se kishte pësuar infarkt…! Ky ishte fundi për njeriun e mistershëm Llazar Papapostoli, apo i njohur ndryshe si “Larry Post”, pseudonimi i të cilit do të përmendej nga Enver Hoxha në veprat e tij “Titistët”, “Rreziku i anglo-amerikanëve”, etj., por pa folur askush gjatë për të…! / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm