• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Friday, August 1, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Ky armik, është lidhur me firmën Amerikane ‘Western Data System’, filialin e saj ‘Geospas’ në Gjermaninë Perëndimore, për…”/ Zbulohet akuza ndaj Andrea Manços, në gjyqin e “Grupit sabotator të Ekonomisë”, maj ‘76

Historia e panjohur e dy vëllezërve Manço: Legjenda e minierës së Bulqizës, “Hero i Punës Socialiste” dhe deputet, u varros me nderime te Dëshmorët e Kombit, vëllai i vdiq në tortura…
Historia e panjohur e dy vëllezërve Manço: Legjenda e minierës së Bulqizës, “Hero i Punës Socialiste” dhe deputet, u varros me nderime te Dëshmorët e Kombit, vëllai i vdiq në tortura…
“Të dhënat sekrete shtetëror, Zbulimit Sovjetik, ja jepte me agjenten Valentina Peza dhe këshilltarit të ambasadës sovjetike në Tiranë…”! / Akt-akuza që çoi në plumb, vëllanë e sekretarit të Enver Hoxhës
“Ky armik, është lidhur me firmën Amerikane ‘Western Data System’, filialin e saj ‘Geospas’ në Gjermaninë Perëndimore, për…”/ Zbulohet akuza ndaj Andrea Manços, në gjyqin e “Grupit sabotator të Ekonomisë”, maj ‘76
“Disa bashkëvuajtës më thonë se nëna është shumë sëmurë, si është gjendja e saj, sepse mora vesh që sa dëgjoi vendimin e dënimit tim, ajo…”/ Letra e rrallë nga burgu e ish-ministrit
“Ky armik, është lidhur me firmën Amerikane ‘Western Data System’, filialin e saj ‘Geospas’ në Gjermaninë Perëndimore, për…”/ Zbulohet akuza ndaj Andrea Manços, në gjyqin e “Grupit sabotator të Ekonomisë”, maj ‘76
“Fajet e mia tepër të rënda i kam pranuar dhe ndjehem thellësisht i penduar, qëndroi kokë ulur, sa s’kam kurajo t’i numëroj, i lutem Presidiumit të Kuvendit që…”/ Kërkesa e ish-zv.kryeministrit, për faljen e jetës, maj ‘77
“Ky armik, është lidhur me firmën Amerikane ‘Western Data System’, filialin e saj ‘Geospas’ në Gjermaninë Perëndimore, për…”/ Zbulohet akuza ndaj Andrea Manços, në gjyqin e “Grupit sabotator të Ekonomisë”, maj ‘76
“Enver Hoxha, në goditjen e ‘grupit sabotator në naftë’, u nxit nga shërbimet sekrete greke, pasi edhe Jorgo V., njeriu që i bëri letrën ‘për veprimtarinë armiqësore’, ishte…”/ Dëshmia e rrallë e dy ish-drejtuesve të Naftës
“Ky armik, është lidhur me firmën Amerikane ‘Western Data System’, filialin e saj ‘Geospas’ në Gjermaninë Perëndimore, për…”/ Zbulohet akuza ndaj Andrea Manços, në gjyqin e “Grupit sabotator të Ekonomisë”, maj ‘76

Nga Dashnor Kaloçi

Pjesa e parë

Memorie.al / Që nga fundi i nëntorit të vitit 1944 kur erdhi në pushtet, e deri sa vdiq në vitin 1985, diktatori komunist Enver Hoxha, duke dashur që t’i ngjante idhullit të tij, Josif Visaranoviç Stalinit dhe duke ndjekur “rrugën” e tij, hera herës ndërmerrte spastrime në udhëheqjen e lartë të PPSH-së, gjë të cilën e filloi me Koci Xoxen (dhe grupin e tij) në vitin 1948-’49 dhe e mbaroi në vitin 1981-’82, me të ashtuquajturin “Grupi armiqësor i Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut”. Në këtë interval kohor prej më se katër dekadash, (spastrimet i filloi që në 1941-in), siç dihet tashmë, ai eliminoi pothuaj të gjithë themeluesit e Partisë Komuniste Shqiptare, anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së dhe drejtuesit kryesorë të ashtuquajturës “Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare”, aq sa nga viti 1960 e, deri në shembjen e regjimit komunist në 1990-ën, vetëm Pilo Peristeri kishte shpëtuar nga burgu apo internimi, duke iu gëzuar privilegjeve si kandidat i përjetshëm i Byrosë Politike dhe funksionit të drejtorit të Kombinatit të Autotraktorëve “Enver Hoxha”!

Por, ndryshe sa kishte bërë deri në fillimin e viteve ’70-të, ku “shpata” e Enver Hoxhës kishte rënë kryesisht mbi udhëheqjen e lartë të PKSH-së, (Koci Xoxe, Kristo Themelko, Sotir Vullkanim Ramadan Çitaku, Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Liri Gega, Gjin Marku, Koço Tashko, Liri Belishova, etj.), të cilët ai i kishte akuzuar për “devijatorë të vijës së Partisë” dhe i kishte dënuar si “tradhtar dhe armiq të popullit”, në mesin e viteve ’70-të, diktatori Enver Hoxha filloi goditjen edhe ndaj disa anëtarëve të Byrosë Politike, që mbanin edhe poste ministrore, si Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi,  duke i akuzuar ata edhe si “sabotatorë” të Ekonomisë Socialiste”!

Gjithashtu mund të lexoni

“Para se të merrej vendimi i heqjes së gjendjes së luftës me Shqipërinë, u diskutua me juristë të shquar grekë, me në krye profesor Kasimatin, i cili…”/ Refleksione mbi “mollën e sherrit” me Greqinë

“Dita e lirimit tim nga burgu pas 22 vitesh, ishte 30 janari 1982 dhe unë shpëtova pa më ridënuar, pasi më 18 dhjetor 1981, ndodhi ngjarja me kryeministrin Mehmet Shehu, i cili…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

Dhe ashtu siç kishte bërë me Beqir Ballukun, Petrit Dumen e Hito Çakon, (të cilët u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan), ku për të vërtetuar “veprimtarinë e tyre armiqësore”, Enver Hoxha dënoi me burgje dhe internime edhe një grup të madh oficerësh madhorë, edhe me të ashtuquajturin “Grupi sabotator i Ekonomisë”, ku përveç Këllezit dhe Theodhosit, bënin pjesë edhe dy ministrat Kiço Ngjela e Vasil Kati, u akuzuan dhe u dënuan edhe disa funksionarë të lartë të sektorit të Tregtisë, drejtorë e specialist të njohur, siç ishin Andrea Manço, Ahmet Jegeni, Bardhyl Frashëri etj., si dhe të sektorit të Naftës, si; drejtues, inxhinierë e specialist të njohur, si; Filip Nashi, Beqir Alija, Koço Plaku, Milto Gjikopulli, Protoko Murati, Dhimitër Stefa, Jani Konomi, Nuredin Skrapari, etj.

Siç do të shohim edhe në dokumentet në fjalë, proçesin hetimor ndaj ndaj të ashtuquajturit “Grupi armiqësor e sabotator i Ekonomisë”, që kishte realizuar Ministria e Brendshme dhe Sigurimi i Shtetit, me akuza të montuara dhe dëshmi të rreme apo të marra nën torturë, etj., e vazhdoi edhe Gjykata e Lartë e Republikës Popullore të Shqipërisë me në krye Aranit Çelën, duke i “kanalizuar” akuzat edhe nga ana “juridike”, për të “vërtetuar” ato që kishte thënë Enver Hoxha në Plenumet e Komitetit Qendror të PPSH-së, ndaj Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Kiço Ngjelës, Vasil Katit etj.

Sa më sipër për të gjithë këta, pas viteve ’90-të, është folur dhe shkruar shumë, si nga pjesëtarë të atyre “grupeve”, familjarë të tyre, etj., etj., Memorie. al ka siguruar dokumentet arkivore të Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë të asaj kohe dhe ish-Presidiumit të Kuvendit Popullor, ku është marrë në shqyrtim “Grupi armiqësor i Ekonomisë”, “Tregtia” dhe “Nafta”, të cilat shohin dritën e botimit për herë të parë, dokumente të cilat po i publikojmë bashkë me fotot dhe faksimilet përkatëse.

Në pjesën e parë dhe të dytë të këtij cikli shkrimesh, po publikojmë dokumentet ku bëhet fjalë për ish-drejtorit të Makina-importit, Andrea Manço me origjinë nga fshati Boboshticë e Korçës,, vëllai i të cilit Todo Manço, për vite me radhë kishte shërbyer si kryeinxhinier dhe drejtor i minierës së kromit të Bulqizës, e gjithashtu për disa legjislatura me radhë edhe deputet i Kuvendit Popullor, i cili kur u nda nga jeta më 6 nëntor 1974, iu bë një ceremoni madhështore mortore, me homazhe në qendër të kryeqytetit, ku përveç Enver Hoxhës, mori pjesë e gjithë udhëheqja e lartë e PPSH-së, me në krye kryeministrin Mehmet Shehu. Ndërsa Todo Manços, (“Hero i Punës Socialiste”) do t’i bëheshin gjithë këto nderimi, vëllai i tij, Andrea, afro dy vjet më pas, do të torturohej në qelitë e Sigurimit të Shtetit dhe do të dënohej me vdekje, me pushkatim, si “armik i popullit” dhe “agjent i agjenturave të huaja”, e varri i tij, ende nuk është gjetur!

RELACIONI I KRYETARIT TË GJYKATËS SË LARTË TË REPUBLIKËS POPULLORE TË SHQIPËRISË, ARANIT ÇELA, DËRGUAR PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, PËR DËNIMIN ME VDEKJE TË DREJTORIT TË MAKINA-IMPORTIT, ANDREA MANÇO

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË

GJYKATA E LARTË

Nr. 345 T, Selet.                                         Tiranë, më 31-5-1976 

                            PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR

                                         TIRANË

Bashkangjitur me këtë shkresë ju dërgojmë vendimin e Kolegjit Penal të kësaj Gjykate, me Nr. 1l dt. 20. V. 1976, që i përket Andrea Manços, si dhe relacionin bashkë me lutjen që i përmenduri i drejton atij Presidiumi.

                                             Kryetari 

                                          Aranit Çela

                      RELACION

Me vendimin Nr. ll datë 20.5.1976, Gjykata e Lartë, dënoj me vdekje me pushkatim, Andrea Mançon, të birin e Kristaqit dhe Kostavicës, i datëlindjes 1923, lindur në katundin Boboshticë të rrethit Korçës, banues në Tiranë, me origjinë dhe gjendje shoqërore nëpunës, ish drejtor i “Makina-importit” në sektorin e Tregtisë së Jashtme, për arsye se ka kryer krimet e sabotimit, agjitacionit e propagandës, kundër pushtetit popullor, përvetësimit të pasurisë socialiste, kontrabandës së cilësuar dhe shpërdorimin e pozitës zyrtare, të parashikuara nga nenet 72,73/1,81,91/II dhe 199/I të Kodit Penal.

Administrimi i provave në seancë gjyqësore, bëri të qartë se ky i dënuar duke qenë me detyrën e drejtorit të ndërmarrjes “Makina-import”, ka kryer vepra sabotimi të tilla, të cilat i kanë sjellë një dëm të rëndësishëm interesave politike, ekonomike dhe ideologjike të shtetit tonë socialist. Veprimtaria e këtij të dënuari, është vazhdimi të drejtpërdrejtë të punës sabotuese dhe armiqësore në sektorin e Tregtisë së Jashtme, të grupit komplotist Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela, zbuluar nga Partia dhe goditur në plenumet e VI e VII-të të K.Q. të Partisë.

Andrea Mançua, duke u përpjekur të mbërthejë tregtinë tonë pas tregut të disa vendeve kapitaliste të Europës perëndimore dhe revizioniste, me qëllim sabotimi të vijës Partisë në këtë fushë, ka shkelur orientimet, sipas të cilave, vendi jonë nuk duhet të hyjë, në marrëdhënie tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Sovjetlk, Afrikën e Jugut e të tjerë shtete Imperialiste, të cilat kanë synime armiqësore dhe grabitqare, ndaj vendit tonë.

Gjithashtu po me qëllim sabotimi, i lartpërmendur ka shkelur orientimin tjetër të dhënë nga Partia dhe Shoku Enver, sipas të cilit vendi i jonë, ka zhvilluar dhe do të zhvillojë marrëdhënie tregtare me shtetet kapitaliste dhe revizioniste në bazë të parimeve të bashkekzistencës paqësore, të barazisë, të respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial dhe mos ndërhyrjes në punët e brendshme të njeri tjetrit dhe leverdisë reciproke.

I nisur nga këto qëllime, ky armik ka hyrë drejt për së drejti në marrëdhënie tregtare me firmën Amerikane “Western Data System”, filialin e saj “Geospas”, që ndodhet në Gjermaninë Perëndimore, për blerjen e një makine elektronike me vleftë 500.000 dollarë. Për të lidhur këtë marrëveshje, i dënuari Andrea Manço si ish drejtor i Makina-importit, ka nënshkruar kërkesën drejtuar Departamentit të SH.B.A.-së, për të kërkuar prej saj lejen e eksportit të makinës, duke hyrë kështu drejt për së drejti në marrëdhënie me institucionet shtetërore Amerikane.

Për shkak të veprimtarisë sabotuese edhe sot kjo makinë nuk funksionon plotësisht. Me qëllim që t’i lihej rrugë e lirë ardhjes së agjentëve në Shqipëri, në këtë marrëveshje nuk është përcaktuar se në R.P. të Shqipërisë, nuk lejohet ardhja e specialistëve me shtetësi Amerikane. Gjithashtu një rrethanë tjetër që tregon se i dënuari Andrea Manço, në kundërshtim me orientimet e Partisë, është përpjekur ta futë vendin tonë me qëllim armiqësor, në marrëdhënie me firmat amerikane, e tregon dhe veprimi tjetër armiqësor i tij se, në kontratën e lidhur me firmën “Geospas”, veç të tjerash, nuk është parashikuar mënyra se si do të bliheshin prej saj, pjesët e këmbimit për makinerinë elektronike.

Ky veprim sipas këtij sabotatori, synonte që ta detyronte vendin tonë, të pranonte kushtet e firmës dhe të kërkohej herë pas here, edhe për veglën me të vogël të kësaj makinerie, leja e Departamentit të Shtetit të SH. B. A.-së. Në këtë mënyrë, është vepruar edhe me firma të tjera Amerikane, si p.sh. me “Ampeks”, “Walleylob Colorado Usa”, me të cilat është kontraktuar në një shumë 1.420.000 dollarë. Është për t’u përmendur se me firmën Rumune “Uring eksport-import”, i dënuari Andrea Manço, ka lidhur një kontratë për blerjen e një drage me vleftë 2.083.000 rubla, nga të cilat 83.000 rubla, do të paguheshin me devizë të lirë, kurse diferenca tjetër prej 2.000.000, do të paguhej me rubla të transferushme (rubla të lira).

Veprime të tilla armiqësore synojnë, detyrimin e vendit tonë të futet në zonën e rublës së lirë, e cila e ka qendrën në bankën ndërkombëtare të KNER-it në Moskë. Duke shkelur parimin e barazisë dhe të leverdishmërisë ekonomike, i dënuari Andrea Manço ka lidhur marrëveshje të tilla, edhe me firma të tjera të vendeve revizioniste, si me firmën “Karamental” të Çekosllovakisë, nga e cila janë blerë 60 copë makina “Tatra”, kundrejt këmbimit me krom, me çmim stop, në një kohë kur koniunktura e kromit në tregun ndërkombëtar, shkonte duke u rritur, etj.

Si ky i dënuar ashtu edhe armiku Kiço Ngjela, i hodhën poshtë insistimet e disa punonjësve të këtij sektori, për të mos u lejuar një veprim i tillë, e cila i shkaktoi ekonomisë një dëm prej 833.000 dollarë. Kështu ka ndodhur edhe me makinat vet-shkarkuese “Dumper” porositur për hidrocentralin e Fierzës, blerë në Angli me një vleftë prej 1.300.000 dollar, të cilat edhe sot janë me defekte serioze dhe që, për rregullimin gjoja të tyre, kanë ardhur deri tani në Shqipëri, 27 “specialista” anglezë (spiunë).

Gjatë gjykimit të çështjes, dolli e qartë se në drejtorinë e “Makina-importit”, ashtu sikurse edhe në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, i dënuari Andrea Manço, në kryerjen e veprimeve armiqësore, ka shfrytëzuar burokratizmin, intelektualizmin e sëmurë dhe teknokratizmin që mbulonin këto aparate shtetërore. Me veprimet e tij prepotente dhe arrogante, ai është përpjekur të shuajë luftën e klasave në këtë sektor, të minojë rolin udhëheqës të organizatës bazë të Partisë.

Andrea Mançua ka shkelur të gjitha normat e Partisë në politikën e kuadrit, duke mbledhur rreth vetes njerëz me personalitet të dyshimtë, si vetja e tij, ai nuk ë shtronte çështjet për diskutim as në organizatë dhe as në kolektiv, nuk dëgjonte zërin e masës, me arrogancë përbuzte gjithçka.Në shkurt të vitit 1975, ky i dënuar i ka dërguar 7 letra udhëheqësit të Partisë dhe disa shokëve të tjerë udhëheqës, me përmbajtje thellësisht armiqësore. Në to ai shprehet me fjalë shumë fyese, gjë që vërteton një armiqësi të thellë që ai ushqen për Partinë, Udhëheqësin e saj dhe Pushtetin tonë Popullor. Veç sa sipër, ky i dënuar me persona të veçantë, shokë ose miq të tij, është shprehur kundër vijës politike, ekonomike dhe ideologjike të Partisë.

Sikurse e pohoj edhe vetë gjatë gjykimit, ai “është për një sistem shoqëror e shtetëror ku të sundonte ‘liria dhe demokracia më e gjerë’, për një regjim me shumë parti politike, etj., etj.”. Gjatë gjykimit u vërtetua gjithashtu se i dënuari Andrea Manço, duke qenë drejtor i “Makina-importit” ka vjedhur pasurinë socialiste, në shumën 3.130 lekë, vlera e dhuratave dhe pakove që dërgoheshin nga firmat e huaja, ose përfaqësitë tona tregtare jashtë shtetit, për ndërmarrjen “Makina-import”, sende këto, që i janë gjetur në banesën e tij.

Të gjitha dhuratat e tjera që vinin në këtë mënyrë, në kundërshtim në vendimet e Qeverisë, ai i ka shpërndarë sipas dëshirave të tij, miqve dhe shokëve, sende këto që kapin një vlerë 7.252 lekë. Nga viti 1970, deri në vitin 1974, ky i dënuar ka shkuar 16 herë me shërbim jashtë shtetit. Gjatë këtyre udhëtimeve ai u ka marrë personave të ndryshëm dollarë, të cilat pasi i ka nxjerrë jashtë shtetit, në kundërshtim me dispozitat që rregullojnë administrimin e arit dhe të vlerave valutore, ka blerë me to sende të ndryshme veshmbathje, orë dore, etj., të cilat i ka sjellë në Shqipëri, duke i fshehur nga kontrolli doganor.

Element i degjeneruar, imoral ai kishte krijuar marrëdhënie intime me një mbartësen e tij në zyrë. Ky tipar i karakterit të tij të poshtër, u vërtetua dhe nga një fakt tjetër, të cilën ai e pohoj vetë gjatë gjykimit, se kur ka shkuar në një rast në Gjermaninë Perëndimore, ka vizituar atje shtëpitë publike, ku e ka çuar zv. presidenti i firmës Amerikane “Geospas”, i quajturi Hefer.

Tiranë, më 31.V.1976

AKT-AKUZA E GJYKATËS SË LARTË TË REPUBLIKËS POPULLORE TË SHQIPËRISË DHE VENDIMI PËR DËNIMIN ME VDEKJE, ME PUSHKATIM, TË DREJTORIT TË MAKINA-IMPORTIT, ANDREA MANÇO

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË

GJYKATA E LARTË

Nr. 11. Regj. Themeltar.

Nr.11 i Vendimit

                           VENDIM

                       NË EMËR TË POPULLIT

Gjykata e Lartë e Republikës Popullore të Shqipërisë, përbërë prej:

Lumturi Resnja,                        Anëtare e Gjykatës së Lartë

Mithat Goskova,                       Nd. Gjyqtar i Gjykatës së Lartë

Fehmi Lagreta,                          Nd. Gjyqtar i Gjykatës së Lartë

Të asistuar prej sekretarit Sadik Memo, me pjesëmarrjen e Prokurorit Edmond Sanxhaktari, sot në datën 20.5.1976, mora në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, çështjen penale Nr.11 që i përket të pandehurit.

ANDREA MANÇO: I biri i Kristaqit dhe i Kostavicës, i datëlindjes 1923, lindur në katundin Boboshticë të Rrethit të Korçës, banues në Tiranë, Rruga “Mine Peza”, Pallati Nr.143, me origjinë dhe gjendje shoqërore nën-punës, me detyrë ish drejtor i “Makina-importit” Tiranë, me arsim të lartë, i martuar, ka dy fëmijë, ka gruan me kombësi Sovjetike, ish-A.P tani i përjashtuar, i pa dënuar më parë, mban Urdhrin e Punës Klasit II-të, i arrestuar me datën 27 Mars 1975.

                     I akuzuari:

se ka kryer krimin e sabotimit, agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, përvetësim të pasurisë socialiste në vlerë të vogël kontrabandë të cilësuar dhe shpërdorim të portës zyrtare, krime këto që parashikohen nga nenet 72,73/1,83,93/2 e 199/1 të K.P.

Gjykata, posa shqyrtoi materialet e hetuesisë, provat e mara gjatë zhvillimit të gjykimit, pasi dëgjoi prokurorin i cili kërkoi që i pandehuri të deklarohet fajtor, për të gjitha krimet që akuzohet dhe të dënohet me “vdekje me pushkatim”, konfiskimin e pasurisë të luajtshme dhe të paluajtshme dhe me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë, pasi dëgjoi mbrojtjen dhe fjalën e fundit të të pandehurit, i cili kërkoi mëshirë,

                        VËREN

Gjykimi i çështjes kundër të pandehurit Andrea Manço, vërtetoi plotësisht se duke qenë me cilësinë e drejtorit të ndërmarrjes “Makina-importit” prej disa vjetësh, ku i pandehuri, ka zhvilluar veprimtari sabotuese kundër pushtetit popullor, në sektorin e Tregtisë Jashtme, veprimtari e cila është vazhdimi i drejt për drejtë i tërë punës sabotuese dhe armiqësorë në fushën politike, ushtarake, ekonomike dhe ideologjike të grupit komplotist, zbuluar nga Partia dhe goditur në plenumet IV,V,VI e VII-të të K. Q. të Partisë.

Në vijim i pandehuri Andrea Manço, ka zhvilluar agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor, ka vjedhur pasurinë socialiste, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare dhe ka kryer kontrabandë të cilësuar, krime këto të parashikuara nga nenet 72,73/1,82,91/13 dhe 199/1 të K.P. Gjatë Gjykimit të çështjes doli qartë se ky armik i betuar, dhe sabotator, është fshehur si i tillë nën petkun e drejtorit të një drejtorie të rëndësishme të sektorit të Tregtisë Jashtme të “Makina-importit”.

Duke u udhëhequr nga metoda e punës armiqësore që zhvillonin armiqtë e Partisë dhe të shtetit, komplotistët Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi dhe Kiço Ngjela, përkatësisht në sektorin e Industrisë dhe të Tregtisë dhe duke gjetur mbështetjen e tyre të drejt për drejtë, i pandehuri Andrea Manço, ka zhvilluar në sektorin e Tregtisë Jashtme, një veprimtari të gjerë sabotuese dhe armiqësore, e cila i ka sjellë një dëm të rëndësishëm interesave të shtetit tonë, në këtë fushë të ekonomisë tonë socialiste.

Armiqtë e Partisë dhe të shtetit, Koço Theodhosi e Kiço Ngjela, veprimtaria e të cilëve u zbulua nga Partia e jonë, i krijuan fushë të lirë veprimi këtij sabotatori, i cili është përpjekur për ta mbajtur të mbërthyer tregtinë tonë, pas tregut të disa vendeve kapitaliste të Europës Perëndimore dhe revizioniste, me qëllim që ta kthejnë vendin tonë në një vend të mvarun ekonomikisht prej tyre dhe të vihej në rrezik liria dhe pavarësia e tij.

Kështu ai ka shkelur orientimet e Partisë, sipas të cilave, vendi jonë nuk duhet të hyjë në marrëdhënie tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Sovjetik, Afrikën e Jugut e të tjera shtete imperialiste, të cilat kanë synime armiqësore dhe grabitqare ndaj vendit tonë. Duke e futur vendin tonë në marrëdhënie tregtare me këto shtete, i pandehuri Andrea Manço, i është kundërvënë drejt për së drejti vijës dhe politikës së Partisë tonë në këtë fushë.

Kështu ai ka hyrë në marrëdhënie kontraktuake me firmën Amerikane “Western Data System”, filialin e saj “Geospas”, që ndodhet në Gjermaninë Perëndimore, për blerjen e një makine elektronike llogaritëse, për studimet gjeofizike në sektorin e naftës. Për lidhjen e kësaj marrëveshje, i pandehuri Andrea Manço, me pëlqimin direkt të armiqve të Partisë e të shtetit, Koço Theodhosi e Kiço Ngjela, kanë kërkua lejen e Departamentit të shtetit, të SH. B. A.

Vetë ky i pandehur shpjegoj gjatë gjykimit, se; “me ndërgjegje dhe me qëllim sabotimi, ne i kemi shkelur orientimet e dhëna për mënyrën dhe rrethin e shteteve me të cilët shteti jonë duhej të lidhte marrëdhënie tregtare” dhe se; “ne i kemi ditur gjithashtu mirë orientimin sipas të cilit R.P. e Shqipërisë, nuk duhej të hynte në marrëdhënie tregtare me SH.B.A. dhe megjithatë, e lejuan një gjë të tillë”! / Memorie.al

                                                              Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Para se të merrej vendimi i heqjes së gjendjes së luftës me Shqipërinë, u diskutua me juristë të shquar grekë, me në krye profesor Kasimatin, i cili...”/ Refleksione mbi “mollën e sherrit” me Greqinë

Artikuj të ngjashëm

“Para se të merrej vendimi i heqjes së gjendjes së luftës me Shqipërinë, u diskutua me juristë të shquar grekë, me në krye profesor Kasimatin, i cili…”/ Refleksione mbi “mollën e sherrit” me Greqinë
Dossier

“Para se të merrej vendimi i heqjes së gjendjes së luftës me Shqipërinë, u diskutua me juristë të shquar grekë, me në krye profesor Kasimatin, i cili…”/ Refleksione mbi “mollën e sherrit” me Greqinë

August 1, 2025
“Kush ishte ky njeri, një i persekutuar i burgjeve komuniste, a një dashurues i filozofëve dhe një njohës i pasionuar…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur, për ish-kolegun, deputet e shkrimtar
Dossier

“Dita e lirimit tim nga burgu pas 22 vitesh, ishte 30 janari 1982 dhe unë shpëtova pa më ridënuar, pasi më 18 dhjetor 1981, ndodhi ngjarja me kryeministrin Mehmet Shehu, i cili…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

July 31, 2025
“Kundëradmirali juaj që erdhi nga Sevastopoli për inspektim, i cili kishte zakon të pinte, kapi një oficerin tonë në bazën e Pashalimanit dhe…”/ Biseda e Enverit me Mikojanin dhe Andropovin, Moskë 1960
Dossier

“Kundëradmirali juaj që erdhi nga Sevastopoli për inspektim, i cili kishte zakon të pinte, kapi një oficerin tonë në bazën e Pashalimanit dhe…”/ Biseda e Enverit me Mikojanin dhe Andropovin, Moskë 1960

July 30, 2025
“Kur Kosta Gjordeni i plagosur bërtiste; ‘më qëllun komunistat, kriminelat, të dënuarit H. Tabaku, L. Shkëmbi e N. Skrapari afrohen, por breshëria e armëve…”/ Kujtimet e ish-të burgosurve të Qafë-Barit
Dossier

“Afrimi i ditës së lirimit, për të burgosurit politikë, shoqërohej detyrimisht nga një ankth i madh, pasi nuk e dije aspak, se pas daljes nga dera e hekurt, mund të të priste…”! / Kujtimet e Uran Kalakullës

July 31, 2025
“Për herë të parë në një qeveri shqiptare, nisi të funksiononte ‘Zyra e Sigurimit Publik’, apo ‘Drejtoria e Policisë Shqiptare’, ku u emërua…”/ Historia e panjohur e shkollës së Xhandarmërisë në Gjirokastër
Dossier

“Për herë të parë në një qeveri shqiptare, nisi të funksiononte ‘Zyra e Sigurimit Publik’, apo ‘Drejtoria e Policisë Shqiptare’, ku u emërua…”/ Historia e panjohur e shkollës së Xhandarmërisë në Gjirokastër

July 30, 2025
“Ore shokë, Avzia Nela s’asht burr i keq, po në anët tona, na jena të lidhun me fjalën, kush e qet, quhet besëpremë. E pra, kjo asht arsye, që Avzia hesht…”/ Dëshmitë e rrallë të ish-të burgosurit politik
Dossier

“Me Avzi Nelën u njoha në burgun e Burrelit dhe kur e liruan, nuk e lanë të shkonte në fshatin e tij, por në një kasolle të mjerë e, kur shkuan që ta arrestojnë përsëri, ai…”! / Kujtimet e Uran Kalakullës

July 30, 2025

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme