Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzetedy
Memorie.al / Historia e zgjedhjeve parlamentare në vendin tonë, apo më saktë tentativat për zgjedhje e kanë zanafillën që nga koha e sundimit Osman, kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Turke. Një nga deputetët e parë shqiptarë që u zgjodhën për në Parlamentin e parë të Turqisë, i cili hapi punimet në dhjetorin e vitit 1877, ishte Abdyl Frashëri. Por ai parlament nuk pati jetë të gjatë, pasi u prish nga vetë Sulltani, për shkak të fillimit të Luftës Ruso-Turke. Pas prishjes së parlamentit të parë të Turqisë, pati edhe disa tentativa të tjera për zgjedhje, por që të gjitha dështuan për shkaqe të ndryshme. Zgjedhjet e para dhe të rregullta në Shqipëria u mbajtën vetëm në vitin 1908, kur në Turqi erdhën në fuqi xhonturqit. Ato zgjedhje nuk ishin direkte, por me përfaqësim, apo siç janë njohur ndryshe; me zgjedhës të dytë.
Parlamenti i parë i Turqisë u hap më 10 dhjetor të vitit 1908 dhe aty nga 266 deputetë, 27 prej tyre ishin shqiptarë të zgjedhur në katër vilajetet e Shqipërisë. Në atë kohë anëtarët e Komitetit “Bashkim-Përparim”, në Turqi ku bënin pjesë dhe shumë shqiptarë, u ndanë dhe u grupuan në tre grupime politike. Grupimi i parë ishte “Bashkim-Përparim” (partia turko-maqedonase) me 164 deputetë, ku 130 ishin turq, 5 arabë, 1 grek dhe 15 shqiptarë, të cilët kryesoheshin nga Hasan Prishtina, deputet i Kosovës.
Në grupin e dytë që quhej: “Bashkimi-Liberal”, (partia greko-shqiptare) ku bënin pjesë 45 deputetë, kishte 12 shqiptarë të cilët kryesoheshin nga Ismail Qemali. Ndër deputetët e tjerë shqiptarë që kishte asokohe Parlamenti i Turqisë, ishin dhe Esad Pashë Toptani, Nexhip Draga, Rexhep Pashë Mati etj. Pas vitit 1908, pati edhe disa zgjedhje të tjera ku shqiptarët vazhdonin të votonin për përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e Turqisë dhe ajo gjë zgjati deri në nëntorin e vitit 1912 kur u shpall Pavarësia dhe Ismail Qemali u zgjodh kryetar i Qeverisë.
Kurse zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri u zhvilluan në pranverën e vitit 1921, pasi deri në atë kohë ato nuk ishin zhvilluar për shkak të Luftës së Parë Botërore, ku ishte përfshirë dhe Shqipëria. Parlamenti i parë Shqiptar u hap më 21 prill të atij viti dhe godina e parë e Parlamentit Shqiptar ka qenë aty ku është sot Akademia e Shkencave dhe në atë parlament morën pjesë 76 deputetë, të cilët u zgjodhën pas një procesi relativisht të rregullt nga nëntë prefekturat e vendit, si: Berati, Durrësi, Elbasani, Gjirokastra, Korça, Kosova, Shkodra, Vlora dhe ajo e kolonisë shqiptare të SHBA-së.
Ashtu si dhe në të kaluarën, ato zgjedhje u bënë me sistem përfaqësimi, apo siç njihen ndryshe me zgjedhës të dytë, ku në bazë të ndarjes territoriale, përfaqësuesit e çdo krahine kishin të drejtë të zgjidhnin deputetin e tyre. Sa më sipër, si dhe një historik të shkurtër të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, që nga ajo periudhë e deri në vitin 1991, Memorie.al i ka publikuar në numrat e kaluar, këtu po publikojmë të plotë Statutin Themeltar të Republikës Shqiptare, (Kushtetuta) të vitit 1925, ku pas legjislacionit të zgjedhjeve parlamentare të asaj kohe, si dhe rregullorja e Parlamentit, me të drejtat e detyrat e deputetëve, një vend të veçantë zë edhe Kodi Civil dhe ai Penal, gjë të cilat janë botuar nga Shtypshkronja “NIKAJ”, në vitin 1925.
Statuti themeltar i Republikës Shqiptare (1925)
(Tiranë, Shtypshkronja “Nikaj” 1925)
Kodi Penal 1928
– LIBRI I DYTË –
Deliktet
TITULLI VII
Delikte kundra tanësiës publike
NENI 449. Kushdo që, pa pasun hirin e atij që ka të drejtë vjel ose mbleth kalli, rush ose prodhime të tjera të tokës, të pa vjeluna, ndëshkohet, me kërkimin e anës së damtueme, me burgim deri në tre muej, ose me gjobë deri në njëqint fr.ari, dhe në rast të përsëritjes të këtij delikti dënohet me burgim nga dhjet ditë deri në gjashtë muej, dhe me gjobë të randë nga pesdhjet deri në një mijë fr. ari.
KAPTINA II
Pré (rapine), shtrëngim (extorsion) dhe rikato (rançonnement)
NENI 450. – Kushdo që, tue përdorë violencë ose tue frikësue se ka me sjellë dame të randa të gadëshme (imminent) në person ose në pasuni, shtrëngon në dorësin ose tjetër person që ndodhet në vëndin e deliktit, t’i dorëzojë një send të lujtshëm, ose të mos kundërshtojë që ay t’a hedhë në dorë atë send, ndëshkohet me burgim të randë nga tre deri në dhjet vjet, dhe me gjobë të randë jo ma pak se njëqint fr. ari.
Po me këtë ndëshkim, dënohet dhe ay që, kur e mer, ose për-një herësh me të marë sendin e luejtshëm të tjetrit, përdor kundra personit të cilit i bahet grabitja ose kundra atij që vete për ndihmë në vëndin e deliktit, violencat ose frikësimet e sipër-tregueme për me ba fajin ose për me transportue sendin e grabitun ose për me shpëtue nga ndëshkimi vehten ose bashkëpuntorin e vet.
Në qoftë se violenca asht drejtue vetëm për me heqë sendin nga dora sipër personit fajtori ndëshkohet me burgim të randë nga një deri në pesë vjet dhe me gjobë të randë jo ma pak se pesëdhjet fr. ari.
NENI 451. – Kushdo që tue përdorë violencë ose tue frikësue se ka me sjellë dame të randa në personin ose në pasuninë, shtrëngon ndonjanin m’i dorzue, me nënshkrue ose me çduk në damin e vet ose të tjetrit, një akt që ka një efekt juridik të ç’do lloji, ndëshkohet me burgim të randë nga tre deri në dhet vjet, dhe me gjobë të randë jo ma pak se njëqint fr. ari.
NENI 452. – Kur ndonjana nga veprat e parapame në nenet e ma sipërme asht ba me friksim jete, tue qenë vepruesi i armatosun ose nga dy ose ma shumë persona, nga të cilët dhe vetëm njani të jetë çiltazi i armatosun, ose nga dy ose ma shumë persona që kanë ndryshue formën (déguisé) ose në qoftë se vepra asht ba me ndalimin e lirisë personale, burgimi i randë asht nga shtatë deri në pesëmbëdhjet vjet, dhe gjoba e randë jo ma pak se dyqint fr. ari.
NENI 453. – Kushdo që, tue frikësue me ç’do mënyrë se ka me sjellë dame të randa në person, në nder ose në pasuni ose tue tregue një urdhën sikur asht dhanë prej Autoritetit ose prej ndonjë komitet që tmeron, shtrëngohen ndonjanin të dërgojë, të depozitojë ose të vejë në dispozicionin e fajtorit të holla, sende ose akte ose dokumenta që kanë një efekt juridik, ndëshkohet me burgim të randë nga tre deri në dhjet vjet, dhe me gjobë të randë jo ma pak se dyqint e pesëdhjet fr. ari.
NENI 454. – Kushdo që, tue frikësue me shkrim ose me gojë, qoftë dhe tërthorazi se ka me i ba zbulime ose atribuime shamëse (imputations diffamatories), e shtrëngon m’i dorëzue të holla ose sende me me vleftë m’i nënshkrue ose m’i dhanë ose me ç’duk ndonjë shkresë, akt ose dokument që ka një efekt juridik, ndëshkohet me burgim të randë nga një deri në tre vjet, dhe me gjobë të randë nga një qint deri në tremijë fr. ari.
Po me këtë ndëshkim dënohet dhe ay që, tue deh tjetrin e ven të nënshkrujë ose t’apë ose të ç’dukë një akt që ka një efekt juridik të çdo lloji.
NENI 455. – Kushdo që ndalon (sequestre) një person për me marrë nga ky ose nga të tjerë, si çmim për lirimin e tij, të holla, sende ose akte ose dokumenta që kanë një efekt juridik në favorin e vet ose të personave që tregohen prej tij, dhe sikur qëllimi të mos mbarohet, ndëshkohet me burgim të randë jo ma pak se pesë vjet, dhe me gjobë të randë jo ma pak se pesqint fr. ari.
NENI 456. – Kushdo që, jashtë rasteve të parapame në nenin 65, pa lajmërue ma parë Autoritetin, çon korispondenca ose lajmime të shkrueme ose verbale, për me mbarue qëllimin e deliktit të parapamë në nenin e ma sipërmë, ndëshkohet me burgim të randë nga një deri në pesë vjet, dhe me gjobë të randë jo ma pak se njëqint fr. ari.
NENI 457. – Ndëshkimeve të caktueme për deliktet e parapame në nenet 450, 451, 452, 453, dhe 455, kurdoherë i u shtohet të nënvuminit në vrejtim të posaçëm t’Autoritetit të sigurimit publik.
KAPTINA III
Mashtrime, dhelpënina të tjera dhe bakrut
NENI 458. – Kushdo që, me mjeshtërina (artifices) ose me dinakëriëna t’afta për me gënjye ose me tërheq (surprendre) mirëbesimin e tjetrit, e gabon këtë, dhe kështu i prokuron vedit ose të tjerëve një përfitim të të padrejtë me damin e tjetërit, ndëshkohet me burgim të randë nga një muej deri në tre vjet dhe me gjobë të randë jo ma pak se njëqint fr. ari.
Burgimi i randë asht nga një deri në pesë vjet në qoftë se delikti asht ba:
1) Nga avokatët, përfaqësuesit ligjor, ose nga administratorët n’ushtrimin e detyrave të tyne.
2) Në dam të një administracjoni publik ose të një instituti për mirë-basië publike.
3) Me pretekst sikur ka me përjashtue ndonjanin nga shërbimi publik.
NENI 459. – Kushdo që me qëllim që të marë për vedin ose për të tjerët çmimin e një sigorte të bamun kundra një aksidenti ose një tjetër fitim të pa-drejtë, shkatron, ose çduk, ose prish me çdo lloji mjeti, sendet e veta, ndëshkohet me burgim të randë deri në një vit, dhe në qoftë se mbarohet qëllimi, aplikohen dispozitat e nenit të ma sipërmë.
NENI 460. – Kushdo që, për interesin e vet ose të një tjetëri, dhe tue abuzue nevojat, pasionet ose pastërvitjen e një personi q’asht nën njëzet vjeç, ose q’asht i ndaluem (interdit) ose pa kapacitet ligjore (inhabilité) i ban këta t’i nënshkruejnë një akt që sjell një efekt juridik të ç’do lloji, në damin e vehtes tzne ose të të tjerëve, përveç që kz akt asht i pa-fuqishëm për shkak inkapaciteti të personit, fajtori ndëshkohet me burgim nga një deri në pesë vjet, dhe me gjobë të randë jo ma pak se njëqint fr. ari.
NENI 461. – Kushdo që, tue lithë një konvencion me të cilin krediton një person që ka kalue moshën njëzet vjeç dhe nuk asht as i ndaluem as pa kapacitet ligjuer, abuzon nevojën e madhe ose gjak nxehtësin, me të cilat gjëndet i kredituemi, dhe kontrakton për vehten ose për të tjerët t’atilla përfitime të cilat, tue u marrë parasysh gjithë cirkonstancat e rastit, çiltazi duken se janë në një disproporsion të math me krediën ose lehtësinë e dhanun, ndëshkohet me burgim deri në tre muej ose me gjobë të randë jo ma pak se dyqint fr. ari.
Po me këto ndëshkime, dënohet dhe ay që tue ditun se ato të drejta kanë rrjeth në mënzrën e sipëtregueme, i merr ose i kërkon ose i transferon (céde) të tjetrit.
Në qoftë se për me mshef ato përfitime të pa drejta, asht ba ç’do lloj akti i simuluem, ose kreditori për m’u sigurue ka marrë dhe fjalën e nderit ose një zotim me be nga i damtuemi se ka përmbush ato detyrime, ndëshkimi asht me burgim deri në gjashtë muej dhe me gjobë të randë jo ma pak se treqint fr. ari.
Në qoftë se fajtori këtë vepër e ka ba zakon ose mjeshtëri, ndëshkimi asht me burgim nga një muej deri në një vit dhe me gjobë të randë nga pesqint deri në pesëmijë fr. ari, tue u ndalue përkohësisht dhe nga ofiqet publike.
Për fajin e treguem në pikën I. II. III. të këtij neni, nuk bahen ndjekje veç se me kërkimin e anës së damtueme.
Fajtori nuk ndëshkohet në qoftë se para se të dërgohet në gjyq, çdamon plotësisht të damtuemin.
NENI 462. – Kushdo që me qëllim që të damtojë huadhanësin e vet, mshef ose çpronëson pasuniën e vet ose prish ose e damton ose ban marëveshtje të mshefta me të tjerët tue i tregue ata, kreditorët e vet, ndëshkohet mbi kërkimin e anës së damtueme, me burgim deri në një vit dhe me gjobë të randë.
NENI 463. – Kushdo që me qëllim fitimi ban një nënshtetas t’emigrojë tue e gënjye me lajme të reme ose me tregime faktesh të pa-qenuna, ndeshkohet me burgim nga tre muej deri në pesë vjet, dhe me gjobë të randë jo ma pak se pesqint fr. ari.
NENI 464. – Fajtoret, që si mbas dispozitave të kodit tregtar, dekllarohen bankrutarë dhelparakë, si dhe bashkëve pruesit e këtyne ndëshkohen me burgim të randë nga tre deri në dhetë vjet.
Ata tregtarë që si mbas dispozitave të kodit tregtar, deklarohen bankruptarë sembel, ndëshkohen me burgim nga një muej deri në dy vjet.
KAPTINA IV
Keq përdorim besimi
NENI 465. – Kushdo që përveton, tue kthye për fitimin e vet ose të një tjetri, një send të huej q’i asht dorëzue pë çdo lloj shkak që sjell detyrimin me e kthye ose me ba një përdorim të caktuem në te, ndëshkohet mbi kërkimin e anës së damtueme, me burgim nga dy muej deri në dy vjet, dhe me gjobë të randë jo ma pak se njëqint fr. ari.
NENI 466. – Kushdo që, tue abuzue një fletë të tjetërit të firmueme në të bardhë q’i asht lanë në besimin e tij me detyrim që t’a kthej ose të bajë një përdorim të caktuem në te, shkruen brënda sajë ose ban të shkruhet, në damin e firmuesit një akt që sjellë një efekt juridik të çdo lloji, ndëshkohet, mbi kërkimin e anës së damtueme, me burgim të randë nga tre muej deri në tre vjet, dhe me gjobë të randë jo ma pak se dyqint fr. ari.
Në qoftë se fleta e firmueme nuk ka qënë lanun në besimin e fajtorit, aplikohen dispozitat e kaptinavet III e IV të Titullit VI.
NENI 467. – Burgimi i randë ose burgimi asht, nga një deri në pesë vjet dhe ndjekjet bahen kryesisht, kur delikti i parapamë në nenet e ma sipërme asht ba me sendet që janë lanë në besimin ose i janë dorëzue fajtorit, me shkakun e profesionit, t’industris, të tregtis, t’administrimit, të punës, të shërbimit të tij ose so depozito nga nevoja (dépot nécessaire).
NENI 468. – Ndëshkohet me, mbi kërkimin e anës së damtueme, me burgim der në gjashtë muej, ose me gjobë të randë nga pesëdhjet deri në njëmijë fr. ari.
1) Kushdo që gjen sende të të tjerëve të humbuna të cilat i përveton pa përmbush urdhënimet e ligjës civile për t’u ba zot’i gjasë së gjetuni.
2) Kushdo që, tue gjet një thesarë, përveton, pjesërisht ose tanësisht, atë pjesë q’i takon, si mbas ligjës, të zotit vendit;
3) Kushdo që, përveton sende të hueja të cilat kanë ra në dorën e tij gabimisht ose nga shkaku i një rasti të fatit (cas fortuit).
Në qoftë se fajtori ka ditun të zotin e sendit që përveton, ndëshkohet me burgim deri në një vit.
KAPTINA V
Fshehja dhe pranimi i sendeve delikti
NENI 469. – Kushdo që, jashtë rastit të parapamënë nenin 259, blen, pranon, ose mshef të holla ose sende që rjedhin nga një delikt, ose ndërmjetson me çdo lloj mënyre, në të blemunit, në të marrunit ose në të fshehunit e tyre pa pasë bashkëpunue n’atë delikt, ndëshkohet me burgim deri në dy vjet, dhe me gjobë të randë deri në njëmijë fr. ari.
Në qoftë se të hollat ose sendet rjedhin nga një delikt që sjell ndëshkim kundra lirisë personale për një kohë ma tepër se pes vjet, në rast që fajtori, i ka pasë ditun që ma parë konditat që randësojnë ndëshkimin, dënohet me burgim nga një deri në katër vjet dhe me gjobë nga njëqint deri në tremijë fr. ari.
Në të dy rastet e parapame në dispozitat e ma sipërme, burgimi nuk mund të kalojë gjysmën e ndëshkimit të caktuem për deliktin nga i cili ato sende ose të holla rjedhin, dhe atje ku ndëshkimi asht me gjobë për m’e caktue mizyrë, bahet llogarimi si mbas regullave të caktueme në nenin 20.
Në qoftë se fajtori i ka ba zakon kësi lloj vepra, burgimi asht nga tre deri në shatë vjet, në rastin e parapamë në § I. të këtij neni, dhe nga pesë deri në dhet vjet në rastin e parapamë në § II tue i u shtue gjithnjë gjoba e randë nga treqint deri pesë mijë fr. ari.
KAPTINA VI
Grabitje (Usurpation)
NENI 470. – Kushdo, për me përvetue, tanësisht ose pjesërisht sendin e paluëjtshëm të një tjetëri ose për me përfitue nga ay send, e luën nga vëndi ose e ndryshon ose i prish kufitë, ndëshkohet me burgim nga një deri në tridhet muej, dhe me gjobë të randë nga pesëdhet deri në tremijë fr. ari.
Po me këtë ndëshkim dënohet dhe ay që për me i prokurue vehtes një përfitim të pa-drejt, kthen ose ndryshon vijën e ujnave publike ose private.
Në qoftë se vepra asht ba me violencë ose me friksim kundrejt personit ose nga dy o ma shum persona t’armatosun ose ma shum se shtatë persona, qofshin dhe të pa armatosun, burgimi asht nga një deri në pesë vjet dhe gjoba e randë nga dyqint deri në pesëmijë fr. ari.
NENI 471. – Kushdo që, me violencë kundra personit ndalon nëdorësinë pacifike të tjetrit që ka mbi sende të palujtëshme, ndëshkohet me burgim deri në një vit, ose me gjobë të randë nga njëqint deri në dymijë fr. ari.
Në qoftë se vepra asht ba nga dy ose ma shumë persona, t’armatosun ose nga ma shum se shtatë persona qofshin dhe të pa armatosun, ndëshkimi asht burgim nga një deri në tre vjet ose gjob e randë nga treqint deri në pesëmijë fr. ari. Memorie.al