Nga Alma Mile
Pjesa e tretë
Memorie.al / Edhe pse kishte deklaruar se ishte tërhequr nga politika dhe i ishte përkushtuar veprimtarisë kishtare, Fan Noli asnjëherë nuk u shkëput vërtet prej saj. Këtë e shohim në vitet ’45, ’46, ’47, në një letërkëmbim që ai ka me Enver Hoxhën. Nga sa lexojmë, Noli ka qenë një ndërmjetës mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, që Shqipëria të mund të pranohej në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në UNRRA, apo në vendosjen e marrëdhënieve me SHBA-të. Noli i raporton Enver Hoxhës, të gjitha veprimet më të fundit në SHBA-ës, në lidhje me këto çështje, por edhe të tjera. Dukej qartë që ai ishte një mbështetës i politikës së Hoxhës, por i mëshonte shumë vendosjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Amerikën.
Ky letërkëmbim është pjesë e një vepre, që pa dyshim është nga prurjet më interesante në tregun e librit së fundi. Bëhet fjalë për “Letërkëmbimi i Fan Nolit”, një vepër e përgatitur nga studiuesi Nasho Jorgaqi dhe botuar nga shtëpia botuese “Erik”. Janë 544 letra që Fan Noli u ka dërguar personaliteteve të ndryshme, shqiptarë e të huaj, politikanë e klerikë, miq e familjarë, por edhe përgjigjet e tyre, të cilat flasin së tepërmi për personalitetin e tij. Sipas studiuesit Jorgaqi, për realizimin e kësaj vepre janë dashur shumë vite punë dhe kërkime në arkiva.
Letër e Enver Hoxhës, dërguar Fan Nolit
Zotit Fan Noli
Prill 1946
Hidhërohemi tepër kur shohim se shtypi amerikan dhe personalitete të larta amerikane mbajnë një qëndrim jo të drejtë dhe armiqësor ndaj Shqipërisë, e cila luftoi me trimëri të rrallë për kauzën e përbashkët.
Çështja e të ashtuquajturit Vorio-Epir, e ngritur nga ana e fashistëve grekë, që mbrohet dhe përkrahet nga ana e këtyre personaliteteve, patjetër nuk forcon miqësinë e popullit shqiptar me Shtetet e Bashkuara.
Mbrojtja e një teze kaq të marrë nga ana e tyre sjell me vete edhe përgjegjësi ndërkombëtare, pse të mbrosh hajdutët fashistë, që kërkojnë të rrëmbejnë tokën e tjetrit, do të thotë të bëhesh pjesëtar në këtë kusari.
Të gjithë duhet të jenë të bindur se me të gërthitura dhe me “vendime” rreth tryezave të gjelbra, nuk copëtohet kollaj Shqipëria. Po të cenohen kufijtë e Shqipërisë, ju sigurojmë se ne do t’i mbrojmë deri në njeriun e fundit dhe agresorët fashistë, nuk do t’ja arrijnë qëllimit.
Kujt ja ka qejfi, mund ta diskutojë “çështjen e Shqipërisë së Jugut”, por duhet të mendojë se në mes të “vendimit” që mund të marrin fashistët grekë e miqtë e tyre dhe zbatimit të këtij “vendimi”, ndodhet një kufi në Shqipërinë e Jugut, që do të jetë zor të kapërcehet.
Ne nuk vëmë në diskutim atdheun tonë, por këtë e mbrojmë kundër çdo agresori. Për këtë, populli shqiptar është i gjithi në këmbë, ashtu siç jeni të gjithë ju vëllezërit tanë të dashur në Amerikë.
Populli ynë do të rrojë i lirë në vendin e tij dhe në marrëdhënie të mira me të gjithë. Ne mendojmë dhe jemi të sigurt se dhe ju mendoni si ne, se populli ynë luftoi jo për t’u futur në një robëri tjetër, por për të rrojtur i lirë, për të rrojtur i nderuar, ashtu sikundër ai nderon të tjerët. Ai kërkon t’i respektohen të drejtat e tij, ashtu sikundër respekton të drejtat e tjetrit.
Ne jemi të bindur se për mëmëdheun dhe për të mbrojtur të drejtat e tij do të ngrihen edhe vëllezërit tanë në Amerikë, ashtu si kanë bërë kurdoherë.
Ne do të fitojmë mbi ata fashistë të rinj që do të kërkojnë të dëmtojnë vendin tonë, pse jemi në të drejtë. Në kohërat më të errëta të luftës, populli shqiptar nuk u tremb dhe ca më pak tani, pse ai ka besim në forcat e veta dhe në të gjithë demokratët e vërtetë të botës.
Gjeneral Kolonel
Enver-Hoxha
Letër e Fan Nolit, dërguar Enver Hoxhës
Gjeneral Enver Hoxhës
Kryeministrit të Shqipërisë në Tiranë
30 shtator 1946
Zoti kryeministër
Kolloneli Tuk Jakova, në lamtumirën që botoi në “Diellin”, 18 shtator të mbyllur këtu brenda, më hapi luftën me disa aktakuza dhe insinuata të shëmtuara.
Nuk mund t’i përgjigjem botërisht tani për tani, se nuk dua të embarasoj guvernën në këtë kohë kritike as tërthorazi, dyke goditur delegatin tuaj.
Do të flas pasi të shkonjë kriza. Sa për tani, nuk më mbetet veçse t’ju qahem juve, që na dërguat këtë kërcu të pagdhendur.
Për të nisur, Kolloneli nuk di shqip, as gegërisht as toskërisht, në çdo dialekt që i flisja, ay nuk më merrte vesh nga shkaku se është një budalla pa kulturë.
Kurrë në jetën time nuk jam dëshpëruar aq, sa kur e pashë këtë njeri si përfaqësonjës të Shqipërisë së Re.
Me gjithë këtë, posa arriu në Neë York, i blatova ndihmën time, dijen time dhe eksperiencën time pa kondita, pa rezerva, dhe pa pritur as ndonjë çpërblim, as ndonjë memuriet po ay më shikonte shtrëmbër me mosbesimin instiktiv të barbarit kundrejt njeriut të mësuar. Flas vetëm për Kollonelin, se delegatët e tjerë ishin aq të dominuar prej tij sa ay nuk i përfillte fare.
Në mbledhjen e parë biseduam mi konferencat, që do të bënin nëpër kolonitë shqiptare. Më dolli shpirti gjersa shtruam një program, të cilin pastaj Kolloneli e ndronte dhe e sakatonte, dyke dëgjuar mendjet e atyre që u kishte besim, e çiliminjve që i njihte si vëllezër nga mentaliteti.
Konferencat vanë mjaft mirë sa kohë ishte këtu z. Behar Shtylla, por kur ky shkoi në Paris pushuan menjëherë. Duket se Kolloneli nuk i shijonte aspak.
Pas konferencave u hothmë në veprimin diplomatik. E këshillova Kollonelin të kërkonte menjëherë një pjekje nga Sekretari i përgjithshëm, z. Trygve Lie.
Ia gatita udhën me anë të profesorit Laugier, një zyrtar të lartë të UNO-së, i cili është ndihmës-sekretar për Punët Shoqërore dhe Ekonomike. Po Kolloneli e shihte me dyshim çdo çap që i këshillonja.
Kujtonte se unë i vinja nonjë grackë. Mezi pranoi dhe bëri kabull ta shikonte Profesorin. Ky priti mirë delegatët dhe ua rregulloi pjekjen me Trygve Lie-në.
Bashkëfjalimi u zvarris pak minuta me dy dragomanë. Kolloneli fliste shqip, Behari ia kthente frëngjisht, edhe një dragoman i sekretariatit ia kthente Trygve Lie-së anglisht, meqënëse ky nuk dinte as frëngjisht, as shqip.
Nga ky muhabet me dy terxhumanë, Kollonli hoqi konkluzjen groteske, që hyrja e Shqipërisë në UNO ishte punë e mbaruar, telegrafoi në Tiranë, dhe e vuri guvernën në gjumë me lajmën e një triumfi imagjinar. Un isha në prakun e derës së tij, gati që t’i shërbenja si dragoman, po nuk më thirri, se nuk më kishte besim.
Bëri vetëm një përjashtim kur më mori si përkthenjës në pjesën me delegatin amerikan. Për çudi nuk i kishte besim as Alqit, edhe i vazhdoi bashkëfjalimet me dy dragomanë edhe në disa raste të tjera.
Lajmën që Kolloneli e kishte vënë guvernën në gjumë me fjalët e bukura të Trygve Li-së e mësova disa javë pas ngjarjes, se Kolloneli nuk m’i tregonte sekretet diplomatike. I çfaqa dyshimin që fjalët e ëmbla diplomatike nuk duhen marrë si senete, po ay veshin shurdhër.
Që në pjekjen e parë e këshillova të shkonte në Uashington dhe të hynte në kontakt me Departamentin e Shtetit dhe me Kryqin e Kuq Amerikan. Nuk më dëgjoi. I la këto vizita kryesore për ditën e funtme të gushtit, dy muaj më vonë.
Kur mori pyetjet nga Komisioni i Anëtarësisë, Kolloneli më bëri favorin të më pranojë si dragoman, dhe kështu e ndihmova në formulimin e përgjigjeve dhe të memorandëve, të cilat më kanë mbajtur pa gjumë disa net.
Ditën Kolloneli m’i ndreqte, dyke insistuar jo vetëm në esencën, por dhe në retorikën e kulluar. Kur erdhi çështja e traktateve, e këshillova të pyeste guvernën përpara se të përgjigjej me argumentin e vjetruar të vendimeve të Përmetit, të cilave u kishte shkuar koha, pasi u shtrua projekt teksti i paqes me Italinë prej këshillës së ministrave të Jashtëm në Paris. Koloneli refuzoi t’ju pyeste, pse pretendonte që jua dinte mejtimin.
U çudit kur mësoi më vonë që ju e kishit rikonsideruar çështjen dhe i kishit pranuar traktatet multilaterale pa kondita.
Në fund të gushtit Kolloneli shkoi në Uashington dhe kur u kthye, më siguroi se rilidhja e marrëdhënieve midis Kryqit të Kuq Amerikan dhe Kryqit të Kuq Shqiptar ishte punë e mbaruar.
Siç u muar vesh pastaj, Kolloneli u bë prapë viktima e naivitetit dhe e padijes së gjuhës. Puna jo vetëm që nuk ishte ndrequr, por ishte prishur fare. Tani Kryqi i Kuq Amerikan, sipas fjalës, i lidhi ndihmat e mbledhura këtu, dhe nuk i la të shkojnë në Shqipëri.
Sa për çështjen e bashkimit, ju lutem të këndoni një komunikatë që botoi Vatra në “Diellin”, më 25 shtator, të mbyllur këtu brenda. Nga kjo do të merrni vesh që “Vatra” ka bërë një propozim për tretjen e plotë të dy organizatave dhe nuk ka marrë ndonjë përgjigjë nga Shqipëria e Lirë.
Këtë gjë e di fare mirë Kolloneli, po nuk e përmendi në lamtumirën. Veç kësaj, ky propozim i “Vatrës” është akoma i hapur, dhe negociatat nuk janë prerë.
Përse ahere Kolloneli i hapi luftë “Vatrës” edhe mua pa pritur përfundimin e këtyre bisedimeve. Më në funt, rolli i nërmjetarit është t’i pajtonjë të dy anët jo të përkrahë njërën anë dhe t’i dekllaronjë luftën anës tjetër, siç bëri Kolloneli.
Tani vinj në konkluzjen: Nga budallallëket e Kollonelit, nuk do ta ndryshonj qëndrimin tim përpara Shqipërisë dhe guvernës suaj në theori. Po në praktikë puna ndryshon. Në doni bashkëpunimin tim, duhet të dërgoni nj njeri, i cili të më ketë besim dhe i cili të dijë të paktën shqip që të merremi vesh.
Sa për të huajt, duhet të dijë të paktën anglisht, meqënëqë këtej nuk shkon shumë frëngjishtja. Nga ana tjetër nuk duhet të më impononi zevzekë të këtushmë si bashkëpunëtorë, të cilët ju nuk mund t’i njihni.
Dy fjalë për marrëdhëniet me Amerikën, të cilat janë kyçi i problemeve tuaj këtu. U lodha dyke ju përsëritur që duhet t’i pranoni traktatet në parim pa kondita, se fundi i fundit kjo nuk është vetëm një çështje formule pa rëndësi praktike.
Pasi të lidhni marrëdhënje diplomatike me Amerikën, ahere çështja e Kryqit të Kuq Amerikan do të zgjidhet vetvetiu me pak durim, dhe vetëm ahere do të hapet udha për të nisur një fushatë serioze. Një fjalë për të mbaruar.
Koloneli kur më hapi luftën, nofta kishte harruar që ishte delegati i Shqipërisë. Po mileti kujtojnë që ay flet në emrin e guvernës. Tani, në qoftë se nuk jeni në një mendje me Kollonelin, duhet ta këshilloni t’i marrë prapë akuzat që më ka bërë.
Në mos i marrtë prapë, do të jem i shtrënguar të konkludonj që guverna e aprovon luftën që më deklaroi Kolloneli. Ashtu e do logjika për fat të keq. Dhe ahere bashkëpunimi ynë merr fund në praktikë. Kam shpresë që episodi i Kollonelit është vetëm makthi i një nate të keqe, dhe që kurrë nuk kini patur qëllim t’u bini me shkelmë miqve tuaj. Memorie.al
Mbetem, Me të fala vëllazërore
Juaji me besë Peshkop F.S.Noli
30 shtator 1946