Nga Prenjo IMERAJ
Pjesa e dytë
Memorie.al / Burgu kështjellë famëkeq komunist i Burrelit, do të mbetet në historinë e kombit shqiptar si një njollë e zezë, ku u burgosën, vuajtën tmerret e torturave çnjerëzore, vdiqën e u groposën pa varre, disa nga bijtë më të mirë, nacionalistët më besnikë, antikomunistët më të vendosur dhe intelektualët, më të formuar nëpër universitetet më të njohura të Europës dhe më tej. Aty hoqën të zitë e ullirit, përveç Xhevat Korçës edhe Koço Tasi, Vissarion Xhuvani, Mihal Zallari, Sokrat Dodbiba, Gjergj Kokoshi, Salih Vuçiterni, Sami Bitincka, Nino Kurti, Aleksandër Çurçia, At Pjetër Mëshkalla, Dom Shtjefën Kurti, Gjon Shllaku, Tefik Mborja, Hysni Alimerko, Tahir Hoxha, Leonidha Kume, Qemal Vrioni, etj.
Vijon nga numri i kaluar
Ai drejtues i lartë në ministrinë e Punëve të Brendshme dha urdhër dhe menjëherë e nxorën Xhevat Korçën nga spitali edhe e kthyen në burg. Xhevati vërtet vuante vetë, por më shumë vuante për bashkëvuajtësit e tjerë të burgut. Përpara syve të tij, për çdo ditë parakalonin të vdekur, që varrmihësit gardianë, me një batanije i groposnin tek qershia famëkeqe e burgut të shfarosjes të Burrelit. Ishin djem e pleq fatkëqij që nuk i duronin dot torturat dhe kushtet e tmerrshme të atij burgu kob-sjellës…
Të burgosurit në burgun e Ri të Tiranës, kanë pas dëshmuar për një bisedë interesante të zhvilluar në qeli, midis Mehmet Shehut dhe Xhevatit, mbas ‘Gjyqit Special’, gjatë së cilës u dukën qartë, jo vetëm guximi e burrëria e Xhevat Korçës, por edhe inteligjenca dhe kultura e tij, në krahasim me atë drejtues famëkeq të hierarkisë komuniste. Si Ministër i Punëve të Brendshme, vete Mehmet Shehu të vizitojë Burgun e Ri. Kur u fut në kaushin ku ndodhej edhe Xhevati, të cilin e njohu dhe i drejtohet me këto fjalë:
– “E more Xhevat Korça, u binde më në fund se ne luftuam për kauzën e drejtë, kurse ju e kishit gabim”?! Xhevati replikoi diçka për këtë çështje e, pastaj diskutimi u pleks duke i u drejtuar njëri tjetrit; Memeti me Xhevat, kurse ky i fundit me Zoti Ministër. Në vazhdim fillojnë e diskutojnë marksizmin teorik. Mehmeti ulet në krevatin portativ të të burgosurit dhe në vazhdim, i habitur nga përgatitja teorike e Xhevat Korçës në fushën e filozofisë materialiste, fillon i drejtohet me profesor.
Pas kësaj edhe Xhevati, fillon e i drejtohet ministrit në emër, Mehmet. Jo vetëm të burgosurit e kaushit, por edhe shoqëruesit e Ministrit, nuk pipëtinin por, ndiqnin me kureshtje debatin. Pas një çasti diskutimit shtyhet në fushën e zbatimit të Revolucionit të Tetorit, në Bashkimin Sovjetik. Mehmet Shehu dëgjon me vëmendje si diskuton Xhevat Korça dhe pas pak i drejtohet duke e pyetur:
– “Po ti profesor, si e njihke kaq mirë Revolucionin e Tetorit”?! Ai shtangu kur Xhevat Korça, i u përgjigj “… E ke lexuar ti Mehmet, librin ‘Dhjetë Ditë q’e Tronditën Botën’, të John Reed-it? E pra dije, se unë e kam përkthyer”. Atëherë Mehmet Shehu, kthehet dhe i thotë; “… Duke e njohur kaq mirë teorinë komuniste, si u gabove e nuk u bëre me ne”?! Atëbotë i kthehet Xhevat Korça dhe i thotë: “Pikërisht pse e njoh kaq mirë, si teorinë edhe zbatimin në Rusi të kësaj teorie, u bëra antikomunist i vendosur”!
Situata u tensionua menjëherë. Mehmet Shehu u zverdh në fytyrë, u ngrit vrik në këmbë, i hodhi Xhevat Korçës një shikim tërë urrejtje dhe u largua pa e përshëndetur. Jeta e burgjeve ishte e tmerrshme. Aty mungonin edhe sendet më elementare për një jetesë minimale të atyre njerëzve të mjerë. Por burgu tashmë famëkeq i Burrelit, shquhej si i veçantë mes të gjithëve.
Xhevat Korça, me kurajën që e karakterizonte, i drejtohet një ditë drejtorit të burgut, lidhur me mungesën e plotë të të drejtave të burgosurve, sa i takon përkujdesjes shëndetësore, duke e paralajmëruar se në qoftë se nuk merren masa për t’i përmirësuar ato, ai do t’i jepte fund jetës së tij, me grevë urie. Por drejtori injorant dhe indiferent i burgut, i mori ato fjalë si lojë dhe, nuk u dha fare rëndësi.
Qëlloi që pas dy ditësh u paraqitën tek dera e burgut, bashkëshortja e Xhevatit, me njërin nga djemtë. Patën sjellë edhe pak ushqime, për njeriun e tyre të dashur, aq sa me fukarallëkun e tyre, mundnin t’i ruanin për t’i çuar në burg. Ata nuk e dinin se ai ishte futur në grevë urie. Me këtë rast, hafijet e burgut e njoftuan drejtorin, i cili vetëm në atë çast e mësoi se, Xhevat Korça, kishte filluar grevën e urisë.
I alarmuar shkon në kaushin ku ndodhej Xhevat Korça dhe i bën presion të burgosurit, i cili jo vetëm nuk lëkundet në vendimin e tij, por i kthehet drejtorit: “Unë kam bërë e kam thënë, se do t’ju kundërvihem me grevën e urisë, e vetmja armë që kam, dhe nuk heq dorë nga ajo. Po lërmëni t’i takoj për herë të fundit gruan dhe djalin”! Drejtori i bindur se do ta thyente, nuk pranon, dhe i thotë të mendohej deri të nesërmen.
Duke e shikuar drejtorin me mospërfillje, Xhevat Korça i thotë: “Ju nuk dini as ç’është burrëria e, gjithashtu nuk e kuptoni se çdo të thotë fjalë e dhënë. Po paçi faqen e zezë”! Drejtori priti deri të nesërmen, me shpresë se i burgosuri do ta kthente mendjen.
Por kur hafijet e tij i thanë se; Xhevat Korça nuk pranon ta ndryshojë vendimin e marrë, nga njëra anë u nxori familjarëve haber, se nuk do kishte takim nga që ishte marrë një masë disiplinore kundër Xhevat Korçës, ndërsa nga ana tjetër, njoftoi menjëherë drejtorinë e përgjithshme të burgjeve, për këtë rast të pa precedent.
Dy ditë më vonë, Kadri Hazbiu sosi në Burrel dhe të burgosurin e pabindur, e shoqërojnë në drejtori. Dëshmia që vazhdon, është dhënë nga Avokat Xhevdet Kapshtica, si edhe nga zoti Reis Hasho, të dy bashkëvuajtës, në të njëjtin kaush me Xhevat Korçën.
Fillimisht Kadri Hazbiu kishte filluar ta marrë me të mirë Xhevat Korçën, duke i bërë edhe premtime, po kur u bind se i burgosuri qëndronte i pa lëkundur në vendimin e tij, filloi nga presionet dhe kërcënimet. Xhevat Korça e dëgjoi i heshtur deri në fund dhe në vazhdim, foli tërë vendosmëri:
“Dëgjo këtu more Kadri Hazbiu! Ti e ke kot që mundohesh të më thyesh me presione. Unë, me vendimin që kam marrë, nuk jam më në mes të gjallëve e, si pasojë, as që ekziston për mua, as ti, e as Enver Hoxha! E di se si më duket mua tani Enver Hoxha?
I vooogël” (dhe aviti gishtin tregues, gati sa nuk e cikte gishtin e madh të dorës), e i thotë se; “kaq të vogël e shikoj unë tashti Enver Hoxhën! Po kij mendjen, se pikërisht ty, ai ka për t’a hequr kokën nga trupi”!
Të burgosurit e kaushit, filluan të shqetësohen çdo ditë e më tepër për jetën e bashkëvuajtësit të tyre. Ai as hante dhe as pinte. Organet filluan të dobësohen, fuqitë dalë e nga dalë po i shteroheshin, por mendja gjithmonë e kthjellët. Filluan t’i afroheshin me radhë, e t’i luteshin për ta ndërprerë grevën e urisë, për hir të jetës, të familjes por edhe të tyre, që tani ishin si vëllezër, në vuajtje e mendime.
Xhevat Korça, vetëm heshtte, duke vazhduar në qëndrimin e tij promethean. Miqtë më në fund i drejtohen Patër Mëshkallës, një klerik shumë i nderuar dhe me kulturë të gjerë, për të cilin dihej se Profesor Xhevat Korça kishte shumë konsideratë.
Duke filluar nga dita e pestë e urisë, Patër Mëshkalla nuk flinte natën, por i rrinte tek koka mikut të tij. Dukej dhe ndihej se ai dhe Avokat Xhevdet Kapshtica, ishin më të shqetësuarit për jetën e Xhevatit.
Ditën, Patër Mëshkalla ecte nëpër kaush me duar të kryqëzuara dhe lutej për jetën e mikut të tij, derisa më në fund vendosi: U afrua me ngadalë tek qoshja e Xhevatit, u ul në gjunjë e, duke i a lëmuar kokën, i lutet me përgjërim: “Xhevat, të lutem, mos i a shit shpirtin shejtanit, tue dekë në grevë ûje! Kishte me kenë nji mëkat”!
Xhevat Korça, me zë të zvargur po bindës, përgjigjet: “Padre, të kam ditur mik, i cili nuk do që të turpërohem. Si m’i thua këto fjalë tashti, që po më lenë forcat fizike, do të më lerë logjika, e si pasojë edhe vullneti, e ti më fton të bëhem lojë e këtyre rojeve të burgut, të tallen e të thonë, se unë nuk e mbajta dot fjalën”?! Patër Mëshkalla u prek thellë, e përqafoi Xhevat Korçën e, të dy të përlotur, u ndanë nga njëri tjetri!
Në atë burg, ishte edhe Gjergj Kokoshi, një ish-koleg dhe i njohur i vjetër i Xhevat Korçës, por fillimisht me idera të dyshimta e komuniste. Duke filluar nga dita e parë, kur e sollën Gjergj Kokoshin në Burgun e Burrelit, Xhevat Korça, nuk i kishte folur as një herë Gjergjit. Arsyeja, ishte thjeshtë politike.
Kur gjatë viteve të Luftës, ai kishte qenë profesor në gjimnazin e Tiranës, kishte nxitur shumicën e nxënësve të dilnin partizanë në mal, në luftë kundër okupatorit. Për Profesor Xhevat Korçën, Profesor Gjergj Kokoshi, kishte ndikuar në triumfin e komunizmit në Shqipëri e, bile fillimisht, duke qenë edhe në postin e Ministrit të Arsimit, në qeverinë e Enver Hoxhës, e prandaj as i fliste me gojë.
Të gjithë ishin të preokupuar për këtë fakt, sepse asnjërit nuk i vinte mirë, që dy intelektualë të njohur, tani bashkëvuajtës në të njëjtin burg, të mos i flisnin njërit tjetrit. Avokat Xhevdet Kapshtica, pat ndërhyrë një herë tek Xhevati, për ti folur Gjergj Kokoshit dhe përgjigja e Profesor Xhevat Korçës, kishte qenë e prerë:
“…Nuk e kuptoj fare rëndësinë që i jepni faktit, në se i flas unë Gjergjit, apo jo. Unë e kuptoj se me sa duket, Gjergji e ka kuptuar gabimin e tij, në radhitje të tijën nga ana e së ashtuquajturës Nacional-Çlirimtares, po ç’rëndësi ka ky pozicionim i tij sot?!
Ai e nxiste rininë të mbushte radhët e çetave partizane asokohe dhe me mish e me shpirt, u predikonte një të ardhme, të cilën sot, ai vetë, Gjergji, e kuptoi se ishte e gabuar! Po kujt i shërben ky kthjellim i vonuar i tij?! E keqja u bë dhe pendimi i Gjergj Kokoshit, nuk i vlen më askujt e, aq më pak historisë…”!
Në ditët e fundit të jetës së Xhevat Korçës, i nxitur nga të burgosurit e tjerë, Gjergj Kokoshi, pranoi të shkonte e t’i fliste Xhevat Korçës e, kështu t’a bindte të hiqte dorë nga greva e urisë. Gjergji pranoi dhe u drejtua me hap të ngadalshëm, për nga qoshja ku prehej i dobësuar, Xhevat Korça.
Gjithë të burgosurit e tjerë, po ndiqnin me vëmendje te madhe lëvizjet e profesor Gjergj Kokoshit. Kureshtja ishte e madhe, se si dhe çfarë, do t’i thoshte profesor Xhevat Korçës, në çastet e fundit të jetës së tij, Gjergj Kokoshi, për t’ia mbushur mendjen, të hiqte dorë nga greva e urisë?
Pasi qëndroi pak çaste në këmbë, duke kundruar me dhimbje kolegun e tij, u përkul dhe i foli miqësisht, duke i a zgjatur dorën. Dora i ngeli e shtrirë, për disa çaste. Më në fund Xhevat Korça, vendosi dhe i a dha dorën. Ata që e ndiqnin skenën, menduan se më në fund Gjergj Kokoshi, do të ishte shkaku që t’a bindte Xhevat Korçën, të hiqte dorë nga greva e urisë.
Mirëpo Gjergj Kokoshi, vazhdoi: “Ti Xhevat, po e mbyllë jetën me kapak florini. Edhe un kisha dashtë me e pasë ket guxim si edhe ti, por fatkeqësisht, nuk e kam at burrni. Prandaj qindro i fortë e, mos u lëkund, në vendimin t’and”! I a shtrëngoi për të fundit herë dorën dhe u largua.
Të gjithë të burgosurit e kaushit, e përjetuan jo vetëm me dhimbje, por edhe me krenari fjalën e Gjergj Kokoshit, që ishte njëkohësisht, jo vetëm vlerësim për karakterin e Xhevat Korçës, por edhe një lloj pendese dhe faljeje, sado që tepër e vonuar, ndaj atij njeriu të paepur. Xhevat Korçës më në fund i shteruan forcat. Pak ditë më vonë nga kjo ndodhi, ai e dha frymën e fundit, mbështetur në gjoksin e Avokat Xhevdet Kapshticës.
Kështu pushoi së rrahuri zemra e Profesorit dhe nacionalistit të shquar, njëkohësisht antikomunistit të vendosur, Profesor Xhevat Korçës. Ishte një rast i paprecedent. Kurrë ndonjëherë më parë, nuk pat ndodhur që ndonjë i burgosur politik, të vdiste me greve urie. Atje në burgun kështjellë komunist të Burrelit, Xhevat Korça, i ngriti vetes një monument pavdekësie.
Për ironinë e fatit, vite më vonë, Mehmet Shehu, do vritej apo “vetëvritej” pa lavdi. Kadri Hazbiut shokët e tij komunistë, do t’i a prisnin gjuhën dhe pastaj kokën, kurse përmendorja e Enver Hoxhës, pas vdekjes, do të tërhiqej zvarrë rrugëve të Tiranës, si shprehje e urrejtjes, ndaj njeriut më të urryer të Kombit Shqiptar. Memorie.al