Pjesa e njëzetekatërt
Pjesë nga libri: ‘ALIZOT EMIRI – Njeriu, librári e gázet fisnike’
DY FJALË SI HYRJE
Memorie.al / Kur ne, fëmijët e Alizotit, tregonim në ambiente të gëzueshme shoqërore “historitë” e Zotes (Alizotit), na ka qëlluar të na pyesin shpeshherë: – “A i keni shkruar? Jo! Sa keq, do të humbasin…! Kush duhet ta bëjë”? Dhe jemi ndjerë gjithnjë e me shumë fajtorë. Në qoftë se duhej bërë, ne duhej ta bënim. Po a mund t’i shkruanim ne?! “Jo çdo njeri, që di shkrim e këndim, mund të shkruajë libra”, – thoshte Zotia, sa herë kalonte nëpër duar libra të dobët. Kur po bisedonim me njëri – tjetrin, ne fëmijët e Zotes, për këtë “detyrim”- për Librin, natyrshëm e ndjenim veten përballë paaftësisë për ta kryer. Nuk ishte punë për ne! Me “metrin” e Zotes, ne ishim të paaftë ta shkruanim këtë libër.
VDIQ DOKTOR VEJSELI
Kishte vdekur në Tiranë, doktor Vejsel…! Mund të ketë qenë rreth vitit 1955. Zotia e mori vesh lajmin dhe kërkoi hoxhë Hyqmetin. E porositi të japë lajmin në orën 12.00, kur këndonte majë minares tek xhamia në “Qafën e Pazarit”.
Doli hoxha në minaren e xhamisë dhe bëri ritin e përditshëm, këndoi duke ardhur rrotull minares. Dha dhe njoftimin që i tha Zotia.
– “Vdiq doktor Vejseli! Vdiq doktor Vejseli”!
– “Kush mo”? – bërtisnin njerëzit nga rruga e “Qafës së Pazarit”, që nuk e kishin dëgjuar mirë. Hoxha e përsëriti. Poshtë u dëgjua doktor Vasili. U hap lajmi menjëherë në gjithë qytetin:
“Vdiq doktor Vasili”!
U shkulën njerëzit për t’i bërë respektet e fundit. E meritonte. Ishte humbje e madhe për Gjirokastrën dhe gjithë Jugun. Kishte shpëtuar me qindra jetë njerëzish. Po ç’e do, se kish shpëtuar dhe Zoten nga vdekja, kur i kish hequr dy brinjë dhe një pjesë të një mushkërie, pasojë e një infeksioni të ardhur nga dhëmballa. Dhe Zotia, dihej, po të ishte gjallë këto do bënte. Ai nuk kish ndonjë detyrim të njoftonte për vdekjen e doktor Vejselit, por e bëri duke menduar se do të ngatërroheshin njerëzit, siç u ngatërruan.
Njerëzit u tronditën, nuk patën kohë për të bërë analiza, se si qe e mundur të njoftonte hoxha, nga maja e xhamisë, vdekjen e një të krishteri. Po edhe po të bëhej kjo analizë, do të justifikohej me arsyetimin, se hoxha i mirë ka bërë përjashtim për doktorin, nga që Doktor Vasili ka qenë i veçantë dhe ka bërë për të gjithë. Kush e di, mund të jetë operuar dhe vetë hoxha nga doktor Vasili!
Erdhi ora që doktor Vasili të shkonte për drekë nga spitali në shtëpi, në lagjen “Varosh”. Sa zbriti nga ambulanca, u përplas me njerëz që ishin nisur për ngushëllim. Pati nga ata që ju hodhën në qafë nga gëzimi kur e panë gjallë.
– “Si është puna”? – pyeti i çuditur doktori.
I treguan. U bë e qartë se njerëzit ishin ngatërruar kur hoxha thërriste që lart Vejsel me Vasil, po nuk dinte kush kish ngjitur hoxhën lart.
“Me siguri ai, Alizoti”! – mendoi menjëherë doktori dhe më vonë e mori vesh që nuk ishte gabuar.
Shkoi mbas dite për në librari. Rrugës të gjithë njerëzit e përshëndesnin me më shumë dashuri se më parë. Kishin kaluar një tronditje si për një njeri të familjes, po ja, shyqyr Zotit, nuk ishte e vërtetë, Doktori i tyre ishte shëndosh e mirë.
Hyri në librari, i shoqëruar si zakonisht. E pa Zoten me dyshim. Zotia i thirri sa e pa: – Ç’qe kjo tronditje, ç’qe ki kiamet, që na ra mbi kokë sot, mo doktor? Po ti të marrshin të keqen ata që s’të duan. Dale të dal një çikë të të përqafoj, se s’më besohet që je gjallë! – dhe bëri për të dalë nga banaku i librarisë. – Ti nuk ta merr mëndja se ç’kemi kaluar ne sot, se ti nuk e dije që kishe vdekur. – Po ta dije, pa të shihje”!
– “Ngadalë, ngadalë, Alizot, se mos thyesh ndonjë dorë a ndonjë brinjë, se nuk dihet si merr sëmundja dhe do ngjitet hoxha prapë në minare…! – ia preu vrullin doktori- Po hajde ta rrufisim tani”.
– “Domosdo, kemi sebep. Sot s’do vësh dorë në xhep, doktor. Jooo, kënaqësia është tona që na u ngjalle prapë. Do paguajë një na ne, kush është gëzuar më shumë, se s’qe e pakët kjo që hoqëm, po qofshin të shkuara, ishalla”! – vazhdonte në linjën e tij Zotia. Dolën duke qeshur të shoqëruar nga të qeshurat e gjithë kalimtarëve në rrugë.
ANTENAT
Kishin dalë televizorët e parë. Prodhoheshin në Durrës. Ibrahimi siguroi një autorizim në Përmet. Të dy grumbulluam lekët me shumë vështirësi, me hua e llotari ndërmjet shokësh dhe blemë një televizor për prindërit në Gjirokastër. Ishte ndër televizorët e parë në lagje. Në ato fillime u kthye shtëpia në kinema. Vinin gjitonët për të parë filmat. Qëllonte që t’i zinte dhe gjumi e ndonjë të gërhinte. I kishim gjitonë të mirë. Nuk të rëndej gërhitja e tyre. Nuk kishte vend ajo fjala, jo shumë e urtë: “Gjitoni bëhet i mirë vetëm kur fle”, – sipas të cilës do të thuhej: “Hallall gërhitje kur fle, po ç’t’i bëj kur hap sytë”! Jo, i kishim vërtet gjitonë të mirë. Ishte bërë problem i ditës antena e televizorit.
Nuk ishte ndërtuar akoma rrjeti i antenave të transmetimit. Sinjali ishte i dobët. Televizorët merrnin me “miza”. Vetë shteti, e prodhonte të gjymtuar televizorin, që të mos merrte asnjë stacion të huaj veç Tiranës. Të gjithë bënin përpjekje individuale me sajesa, që u quajtën “kanoçe”, për të kapur stacionet e huaja. Vendoseshin antenat midis tavanit dhe çatisë, që të mos dukeshin, se gjeje belanë me Pushtetin. Por s’na ndaheshin “mizat”. “Mizat” që gjurmonin antenat dhe “mizat” nga ekrani. Në këtë kohë doli dhe ajo shprehja e humorit: “Tani ma merr shumë pastër figurën ekrani i televizorit”! – “Po si ja bëre për mizat? E kam zgjidhur, i jap një spërkatje me flybol mizash ekranit para se ta ndez atë”!
Ishte pikërisht kjo kohë, kur Zotia ishte nisur nga libraria për në shtëpi. Zbriti “Qafën e Pazarit” dhe vuri re se mbas tij, në distancë, po vinte mësuesi i vjetër i biologjisë. Zotia e dinte sa kurioz bëhej, ndaj u kthye djathtas dhe u fut tek dyqani i Jorgos, radio-teknikut të televizorëve. E kishte mik. I tregoi se u fut kot, vetëm për t’i tërhequr vëmendjen mësuesit, që ishte duke zbritur rrugën.
– “Ti mbamë iso, Jorgo, se do bëjmë një provë, t’i krejmë florinjtë e profesorit nga sepetet, ku i ka fshehur” – i dha “detyrën” Zotia.
– “Hë mo ç’bëni, si veni”? – pyeti sa hapi derën mësuesi, që kurioziteti e çoi tek dyqani i riparimit të radio – televizorëve.
– “Hiç, mo profesor, – i foli Zotia -, po llafosim me Jorgon për antenat e televizorit. Ç’ke bënë ti, si ja shpie”?
– “Po leje mo, tani, se si ja shpie unë, po llafosni, se të tërë jemi të interesuar për ato të shkreta antena”, – ju përgjigj mësuesi, duke treguar padurim për atë temë diskutimi.
– “E, që thua ti Jorgo, se ta laç muhabetin gjisëm, – vazhdoi Zotia, – unë shpëtova një herë e mirë, mblodha mënden e kokës, s’hypi më majë çative, se kemi shpëtuar kot pa u lukurisur. Ku paskëshim qenë më përpara. I kishim në shtëpi e s’i përdornim, se kujt ja mbante, të thuaç të drejtën. Të paktën të na bëjnë një punë, thaçë me vete, se do na venë fare dëm! Po edhe ti, ama, s’ma kishe shtirë në vesh këtë punë, Jorgo, apo s’e dije as vetë? Se si ma dha truri nuk e di ç’të thom! Po vetëm me një lugë e një pirun të lidhura me antenën prapa përdhes, të thom mo. Çudi e madhe! Nuk ma mban t’ia thom dhe njeriu tjetër, se gjejmë belanë”.
– “Po tani si të merr televizori”? – e ndërpreu Jorgua si i kapur në faj, që nuk e kish ditur këtë “zgjidhje origjinale”, ndërsa profesori ishte bërë i tëri vesh, për të dëgjuar bisedën interesante për antenën e televizorit.
– “Ke lezet të shohësh ekranin, ti bie njerëzit të gjallë brenda në oda të thom, s’ke ide”, – tregonte gjithë entuziazëm Zotia.
– “Ç’është kjo mo, ç’është, ç’derman i ke bënë, mo Zote ziu, mor i paudhë, që s’ndëjte rehat një herë, ç’ke katranosur prapë, more lanet”? – pyeti përsëri me kuriozitet mësuesi.
– “Ama, shumë interesante, Alizot, – i shtyu urët në zjarrin e muhabetit Jorgua -, dihet që floriri është përcjellës i mirë i elektricitetit, por nuk e dija që të bënte këtë punë”.
– “Mbase nuk është i njohur për këtë punë nga bota, se është shumë i kushtueshëm dhe bota s’është e marrë, që ta përdorë floririn për antena. Do ta kenë zgjidhur ndryshe besoj”, – i tha Zotia.
– “Po ç’është, mo, se më plasët! Thuaje tamam, mo Zote, ta marr vesh dhe unë, se do të të kisha vënë një dish të mirë, po të ma thoshje mësimin kështu, gjisma, gjisma në klasë”, – pyeti duke iu hakërryer mësuesi.
– “Pse, s’e more vesh akoma ti, – e pyeti si i çuditur Zotia dhe vazhdoi t’ia shpjegojë me zë të ulët -, kam përdorur për antenë një lugë e një pirun floriri. Kaq! Dhe s’të kam thënë gjë, ta diç”! pastaj u kthye nga radio-tekniku dhe i tha: – “Ku na gjeti ki dreq këtu në këtë palo muhabet?! Po na ki s’ruhem u”!
Ndërkohë mësuesi po vinte rrotull të thoshte diçka.
– “More, po me lugë e pirunj të ergjëntë, a do bëhet njëlloj puna, si thoni”? – pyeti radio-teknikun mësuesi.
– “Nuk e besoj”, – i tha Jorgua, që kish marrë detyrë nga Zotia, t’i hapte gjithë sepetet e mësuesit të vjetër.
– “Po me fije të holla floriri, mund të realizohet”? – pyeti pas pak mësuesi.
– “Besoj se po, – iu përgjigj Jorgua -, por unë nuk ta bëj dot, nuk ngatërrohem me këto punë, se gjej belanë dhe unë dhe ti. Kemi fëmijë për të rritur”!
– “Nuk ta thaç me atë kuptim, mo. Puna është që ta di unë, pastaj e bëj vetë, se ju e dini që mua më vjen ndore për të tila punë”, – tha me mirënjohje dhe seriozitet mësuesi.
U ndanë po s’morën vesh se si i shkuan provat mësuesit. Nuk i qeshte buza ca kohë, kur këmbeheshin me të.
EKRANI I TELEVIZORIT
Kishte dalë një artikull shkencor në revistën “YLLI”. Ishte artikull i shkurtër me përmbajtje të natyrës së kuriozitetit shkencor. Bënte fjalë për skemën elektrike të televizorit, për tension të lartë në rrjetin e brendshëm të saj, si dhe rrezikun e plasjes së ekranit me një probabilitet të ulët, por të mundshëm.
Unë isha i vogël dhe nuk kujtoj me saktësi përmbajtjen e artikullit, por kujtoj se njohja e lexuesve me këtë artikull u pasua nga një shqetësim i justifikuar. Dhe kjo, jo se gjirokastritët e ruajnë by…. shumë, siç thuhet ndoshta pa të drejtë për ta, por revista ku qe shkruar artikulli, ishte më seriozja e asaj kohe.
Dëgjoja diskutimet që bënin të rriturit në librari, ku nuk mungonte fantazia, meraku i tepruar, qesëndia, grotesku e humori karakteristik. – “More, mirë për tensionin e lartë u mor vesh, që s’do futur duart në të, po për ekranin si i bëhet hallit”? – “Pse s’thoni që kemi blerë belanë me para, apo e blemë dhe pak”?! – “Prit një çikë mo, se probabiliteti i plasjes së ekranit është shumë i ulët, nuk duhet dramatizuar”. – “Mirë, mirë thua ti, po ku ta di unë, që s’jam u ai i probabilitetit.
Ja të plasi, ku o futeç? Ai ekrani do bënet lila (copë, copë; thërrime)! Ke gjithë fëmijën që ja ke rreshtuar përballë televizorit, si tabelat e qitjes në zbor. S’di ç’të bëjë i ziu njeri, përpiqet për mirë, po meazalla, do dalë një gjë, do bënet sebep diçka, që ta prish midenë, ta çon mundimin dëm. S’dimë dhe kë të pjesim për këtë rrezik, se mos biem dëshmorë në krie të odasë”! – “Mos mbaj shpresë kot, se dëshmor s’të bën njeri, po s’pate biografi. Nuk quhe dëshmor, kur she televizor”!
– “Të pjesim një herë filanin, çoç merr vesh ai na këto punë”. – “Mos ma zër n’golë rremashin (gënjeshtarin)! Le që s’honepset (duronet) as si njeri, jeshil i tërë”. – “Ç’o bëjmë, më tha gruaja prëmë? Sakën se e hap i thaçë, o presim sa të pëlcasë një, mos ta hamë ne të parët. Jo për gjë, po s’o t’i vijë keq njeriut. Hajde të duroç dhe qesënditë e botës, që s’kanë televizor. Mir t’u bënet, do thonë, se nuk ju takonte ature televizori i parë. Po del e drejta, del, vetëm duro, se me hatër e morën, se janë të ilimaksur, vetëm mos u shohë siri gjë se copa bëhen, të shkelin me këmbë, po ne na marrin të keqen më keq se ç’na i morën”!
– “Ç’thua ti, mo Alizot, nuk e ke këtë merak si ne”? – e pyetën më në fund dhe Zoten.
– “Fare”! – i tha Zotia, duke i lënë të gjithë me gojë hapur.
– “Pse, nuk të pëlcet ti, mo Alizot”? – e pyeti gjithë qesëndi një nga diskutantët alarmantë.
– “Jo mo, më pëlcet që ç’ke me të, dhe mua si gjithë të tjerëve, njësoj i kemi ato që pëlcasin, domethënë televizorët, po nuk më bën zarar”, – ju përgjigj qetë, qetë Zotia, që vazhdonte t’i habiste të pranishmit.
– “Ati më rri, – i tha Zotes bashkëbiseduesi, – po atë hallin e zararit po diskutojmë ne, atë na thuaj ti, pse s’të bën zarar, apo dhe po të goditi ti, s’bënet kiameti”!
– “Ke shumë të drejtë për këtë, po unë e zgjidha për të tjerët në shtëpi e, me atë rast do shpëtoj dhe për vete”.
– “Po si ja bëre, mo Alizot, aman të keqen, mos dëgjo këtë budallanë, që e ka mbyllur fare televizorin e na ana tjetër shet edhe mënde”.
– “Unë e ndjeva rrezikun që në fillim”, – filloi t’u tregojë Alizoti.
– “Po mendoja t’i vë përpara ekranit një mbrojtëse, që të presi copat e xhamave dhe të mos pengojë të shikosh ekranin. Ç’t’i vë, ç’t’i vë dhe isha kumbisur (mbështetur) karshi penxhers së vogël të kuzhinës. Kur fap, ma dha truri. E gjeta thaç me vete. Zgara metalike e penxheres! E mata. Tamam! Vura për ta hequr dhe ja kam vënë televizorit përpara. U prëjtëm ju thom, ramë rehat se, sa herë jepte filma me luftë, me shpata e heshta, na thahej gjaku, na dukej sikur do ma çanin ato ekranin! Vate ekrani, thoshja me vete, sa herë burri i botës e drejtonte koburen na ana tonë”.
– “Po nuk pengon një çikë ajo zgara, mo Alizot”? – e pyeti me dyshim njeri.
– “Në fillim na mërziti, ç’është e vërteta, po pastaja u mësuam”. – “Po kur të vjen ndonjë mik si ja bën”? – e pyeti tjetri.
– “Kur vjen miku, e heqim zgarën doemos, po ama mikun e vëmë përballë, e respektojmë, dhe ne të tjerët rrimë anash, që ta lëmë mikun rehat”.
– “Po…, po sikur të pëlcasi”? – e pyetën përsëri.
– “Ah, po plasi atë ditë, le ta marrë mikun në lule, se s’kemi ç’t’i bëjmë tjetër, nuk i kemi nonjë faj, respektet ja bëmë të gjitha”! – u përgjigj i qetë Zotia, që i kish dalë borxhit mikut.
Qeshën me Zoten, po jo të gjithë, se pas disa ditësh i erdhi haberi Zotes në librari: “Filani kish bënë fjalë me djalin e tij, që u çudit kur pa babanë të shkulte zgarën metalike të dritares së vogël në shtëpi. Ishin bënë thjamë me njeri jatrin. U bënë për t’i ndarë mëhalla. Dëgjohej djali, që i thërriste me zë të lartë:
‘Po pse mo, Alizotin vajte dëgjove ti? Dhe shi, se mos të merr perëndia mënden e, vete i thua Zotes, se na i nxore bi…. në diell, t’i bëjë sehir gjithë Gjirokastra”! / Memorie.al












