Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa nga historitë e panjohura të ndodhura në mes krerëve kryesorë të udhëheqjes së lartë komuniste në Byronë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe qeverisë shqiptare, duke filluar nga Enver Hoxha, Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Petrit Dume, Kadri Hazbiu etj., raportet e marrëdhëniet që ata kishin me njëri tjetrin, si dhe përse filloi goditja ndaj të ashtuquajturit “Grupi puçist në Ushtri” me në krye Beqir Ballukun, në vitin 1974 dhe përse kryeministri Mehmet Shehu u tërhoq nga qëndrimi tij i parë, ku kishte kërkuar që ndaj ministrit Balluku dhe zëvendëseve të tij, të merreshin vetëm ndonjë masë e lehtë administrative?! Dëshmitë e ish-zv/ministrit të Mbrojtjes Popullore, deputetit dhe anëtarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Maliq Sadushi, lidhur me raportet e konfliktet në mes Enver Hoxhës dhe bashkëpunëtorëve më të ngushtë të tij, Beqir Ballukut, Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut etj., që nga viti 1974 e deri në 1983-in, për çfarë i akuzoi dhe si i përdori të gjithë ata kundër njëri tjetrit?! Çfarë ishte organizata “Oshëtima e Vjosës” dhe letra që ajo dërgoi në adresë të Ministrisë së Mbrojtjes, në vitin 1982, ku i’u bënte thirrje ushtarakëve të lartë, të ngriheshin dhe të mbronin figurën e Mehmet Shehut?! Si u shkarkuan pesë zv/ministrat e Mbrojtjes Popullore nga detyra pas ngjarjes së Mehmet Shehut dhe përse i’u kërkua atyre që të largoheshin brenda 30 minutave nga ministria?!
“Në mëngjesin e datës 18 dhjetor të vitit 1981, ministri i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu, erdhi në ministri dhe na thirri në zyrën e tij, ne katër zv/ministrat: Maliq Sadushi, Nazar Berberi, Mendu Backa, Alfred Mojsiu dhe Veli Llakaj, që ishte dhe Shef i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë. Lidhur me këto ngjarje të panjohura më parë dhe të tjera fakte, na njeh intervista e mëposhtme e zotit Maliq Sadushi, njeriut që për shtatë vjet me radhë mbajti funksionin e zv/ministrit të Mbrojtjes, duke qenë ndihmës i parë i Mehmet Shehut.
Zoti Sadushi, për Kadri Hazbiun, cili ishte vlerësimi i Enver Hoxhës në lidhje me detyrën e Ministrit të Brendshëm që ai po dorëzonte?
Edhe për Kadri Hazbiun, Enveri dha vlerësimin e tij ku u shpreh: “Deri tani shoku Kadri, i ka kryer shumë mirë funksionet që ka pasur, por ai duhet të ketë parasysh se në detyrën e re që do marrë në Ushtri, nuk punohet më me metodat e Sigurimit të Shtetit, për faktin se Ushtria ka detyra të tjera dhe metodat e punës ndryshojnë”. Pra, ndryshimi lidhur me vlerësimet e punës që Enveri bëri për Mehmetin dhe Kadriun, ishte i dukshëm. Për Mehmetin ai tha: “Ka punuar shkëlqyeshëm”, kurse për Kadri Hazbiun “shumë mirë”. Këto vlerësime për ne, ndryshonin shumë nga njeri-tjetri.
Si u komentuan nga ju dhe kolegët tuaj në atë kohë funksionet që mori Mehmeti, të cilat më parë i kishte Hysni Kapo?
Pas asaj mbledhje, normalisht që ne i diskutuam me kolegët tanë ndryshimet e ndjeshme që u bënë. Mendimi ynë dhe konkluzionet që nxorëm rreth atyre ndryshimeve, ishte se Enver Hoxha që pas asaj dite, po i’a delegonte Mehmet Shehut dhe Partinë, sepse shtetin i’a kishte besuar që në 1953-in, kur e kishte bërë Kryeministër.
Cilat ishin marrëdhëniet e Mehmetit me Kadri Hazbiun, pasi ai erdhi në Ministrinë e Mbrojtjes?
Edhe pse Mehmeti u largua nga Ministria e Mbrojtjes, ai mbajti marrëdhënie shumë të mira me Kadri Hazbiun dhe e ndihmonte për çdo gjë. Ata ishin shumë të lidhur me njeri tjetrin, dhe Kadriu për çdo problem që do të kishte me Ushtrinë, ai pyeste Mehmetin, i cili asnjëherë nuk i’a kursente ndihmën e tij.
Pas shtatorit të vitit 1981, kur filluan kritikat ndaj Mehmet në lidhje me krushqinë e re që ai bëri, cili ishte qëndrimi i Kadri Hazbiut?
Gjatë një bisede që bëra në atë kohë me Kadri Hazbiun, ra fjala dhe për këtë problem që pyesni ju, pra lidhur me fejesën e djalit të Mehmetit, me vajzën e familjes Turdiu. Kadriu më tha se: Mehmeti kishte bërë gabim që e kishte bërë atë krushqi. Kur unë e pyeta, nëse ai, apo Feçorr Shehu, i’a kishin bërë të ditur Mehmetit biografinë e krushkut të tij, Kadriu mu përgjigj: “Po, ja kemi thënë, por ç’rëndësi ka, ai e ka bërë këtë gabim”.
Diskutuat përsëri në lidhje me këtë problem?
Disa ditë para Kongresit të 8 të PPSH-së, kur ishim duke biseduar bashkë me disa shokë të tjerë, Kadriu na pyeti: “More, po çfarë thonë për shokun Mehmet? Ne i thamë, se në popull flitej shumë lidhur me atë problem dhe pas kësaj Kadriu vazhdoi: “Populli ka të drejtë që flet, se Mehmeti e bëri atë gabim, por ajo gjë do të kalojë”. Ne nuk e nxitëm më bisedën, pasi nuk donim ta rëndonim më Mehmetin, pasi e donim shumë dhe kishim një konsideratë të jashtëzakonshme për të.
Ato tre muaj nga shtatori deri në dhjetor të ’81-it kur Mehmeti ndodhej në gjendje kritike, çfarë qëndrimi mbajti Kadri Hazbiu ndaj tij?
Kadriu mbajti atë qëndrim që mbajti dhe Enver Hoxha e udhëheqja e lartë e Partisë. Ato tre muaj, Kadriu foli shumë keq për Mehmetin. Por dua të them dhe jo për ta shfajësuar Kadriun, se ato fjalë që ai i thoshte për Mehmetin, nuk i kishte nga zemra, por ishte i detyruar. Për këtë gjë, them se jam shumë i sigurt.
Si e mësuat lajmin që Mehmet Shehu kishte vrarë veten?
Në mëngjesin e 18 dhjetorit të vitit 1981, ministri Kadri Hazbiu, erdhi në Ministri dhe na thirri në zyrën e tij ne katër zv/ministrat: Maliq Sadushi, Nazar Berberi, Mendu Backa, Alfred Mojsiu dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Veli Llakaj. Kadriu që atë ditë ishte shumë i tronditur si asnjëherë tjetër, na tha: “Shoku Mehmet Shehu vrau veten”. Pas këtyre fjalëve, njëri nga ne i tha: Bo, bo, e bëri si Ndue Marashi! Më pas, Kadriu na tregoi se si së bashku me Ramiz Alinë, kishte shkuar dhe e kishte parë Mehmetin e vdekur në dhomën e gjumit të shtëpisë tij. Në atë tension të jashtëzakonshëm që u ndodhëm ne pasi mësuam lajmin e hidhur të vetëvrasjes së ish-shefit tone, të cilin e kishim pasur ministër për shtatë vjet me radhë dhe që na kishte zgjedhur vetë për të punuar si zëvendësa të tij, unë në mënyrë instiktive e pyeta Kadri Hazbiun: Mos ka lënë ndonjë letër Mehmeti? Ai m’u përgjigj: “Ç’rëndësi ka, në ka lënë apo jo letër. Në fakt e ka lënë një letër mbi komedinë”.
Tregoi Kadriu hollësira të tjera rreth vetëvrasjes së Mehmetit?
Përveç këtyre që u thashë, Kadriu nuk na tha asgjë tjetër lidhur me atë çka kishte ndodhur me Mehmetin, dhe në fund, para se të largohej, ai na tha: “Kemi porosi që në varrimin e Mehmetit, nuk do të vejë njeri. Aty do të marrin pjesë disa shokë nga aparati i Kryeministrisë dhe nga Ushtria, të vejë vëllai i tij, Duro Shehu (Komisar i Aviacionit)” Këto ishin fjalët e fundit të Kadriut, i cili na i tha duke ikur, sepse nxitonte për në mbledhjen e Byrosë Politike, që do mbahej atë ditë në lidhje me ngjarjen që kishte ndodhur.
Çfarë qëndrimi mbajtët më pas ndaj Mehmet Shehut, ju dhe ushtarakët e tjerë të lartë të Ministrisë?
Mbas vrasjes apo vetëvrasjes së Mehmetit, ashtu si në të gjitha dikasteret, edhe te ne u bënë mbledhje të shumta ku u dënua akti i tij. Edhe ne katër zv/ministrat që kishim punuar bashkë me të për shtatë vjet me radhë, diskutonim me njeri-tjetrin, por për ta sharë, nuk e shanim kurrë, sepse ne e donim shumë dhe respektin e mendimet që kishim pasur për të, nuk mund t’i ndërronim aq kollaj, sido që erdhën situatat. Neve nuk na mbushej mëndja se Mehmeti ishte armik, por kuptohet, se këtë gjë nuk mund ta thonim dot hapur. Unë personalisht e vlerësoja shumë Mehmetin, dhe nuk e kapërdija kollaj, që ai të ishte armik, apo kundra Enverit, sepse Mehmeti të vriste për Enverin. Po të ishte agjent, ai do të kishte vepruar sepse e kishte në dorë dhe e vriste Enverin kur të donte, por Mehmeti nuk e bëri atë gjë, sepse nuk ishte i tillë.
Enveri, në akuzat që bëri kundra Mehmetit, thoshte se dispononte dokumente ku vërtetohej se Mehmeti ishte agjent?!
Ai dokument për të cilën fliste Enveri, nuk ishte gjë tjetër, veçse një letër pa emër dhe numri apo shifra që ishte aty për të cilën u tha se ishte numri i Mehmet Shehut si agjent, nuk kishte asgjë të vërtetë. Ai ishte numri rendor që kishte pasur Mehmeti si gjithë të burgosurit e tjerë, kur kishte qenë në kampin e internimit në Francë dhe atë dokument, Enveri e kishte paraqitur vite më pare, ku kishte shpjeguar se atë e kishin sjellë agjenturat e huaja, duke synuar që të përçanin udhëheqjen e lartë të Partisë. Ai dokument që serviri Enveri për të demaskuar Mehmetin si agjent, nuk ishte fakt dhe nuk ishte aspak bindës, sepse po të ishte i tillë, Enveri atë do ta kishte bërë publik që atëherë. Mehmeti s’mund të ishte agjent i amerikanëve dhe kjo vërtetohet edhe nga vetë ushtarakët e lartë të CIA-s, që kanë shkruar rreth figurës së tij.
Pse, çfarë thonin amerikanët për Mehmet Shehun?
Vite më parë, unë kam lexuar kujtimet e një koloneli të CIA-s, të botuara shumë kohë para vdekjes së Mehmetit dhe në ato shënime të atij oficeri që kishte punuar me grupet e ndryshme diversioniste që vinin në Shqipëri, midis të tjerash thuhej: “Ne amerikanët u kishim dhënë urdhër agjentëve tanë që të vrisnin Enver Hoxhën, por këtë nuk e realizuam dot, sepse Sigurimi i Shtetit, që e ruante atë, ishte mjaft i fortë. Po kështu ishte dhe një arsye tjetër që ne nuk arritëm dot ta rrëzonim Hoxhën, sepse për të rrëzuar atë, më parë duhej të vrisje Mehmet Shehun, i cili ishte një bir… i vërtetë dhe nga që nuk e arritëm dot, ne hoqëm dorë nga ajo taktikë dhe u muarëm me rrugën tjetër”.
Kadri Hazbiu, çfarë qëndrimi mbajti lidhur me Mehmet Shehun?
Në atë kohë ashtu si gjithë udhëheqja e lartë e Partisë edhe Kadri Hazbiu e dënoi aktin e Mehmet Shehut dhe u pajtua me të gjitha ato çka u thanë për të, si “poli-agjent”, etj.
Aty nga shtatori i vitit 1982, u hapën shumë fjalë, ku thuhej se Kadri Hazbiu ishte arratisur me avion për në Amerikë dhe këto fjalë diskutoheshin fare lirshëm në popull. Kishit dijeni ju në Ministri, për këto që thuheshin atëherë?
Është më se e vërtetë, se këto fjalë në atë kohë qarkullonin shumë dendur dhe jo vetëm në popull, por dhe në Ushtri. Këto i kishim dëgjuar edhe ne dhe jo vetëm për Kadri Hazbiun, por atëherë u tha se ishte arratisur dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Veli Llakaj.
Kishte dijeni dhe ju pyeste vetë Kadri Hazbiu, në lidhje me ato fjalë dhe cili ishte reagimi i tij?
Kadri Hazbiu kishte dijeni për ato fjalë që qarkullonin në adresë të tij, të cilat me sa mbaj mënd, duallën në atë kohë që Kadriu kishte mbajtur një takim me popullin e Mallakastrës, për t’i sqaruar ata në lidhje me qëndrimin që duhej mbajtur ndaj figurës së Mehmet Shehut, por ai nuk na pyeste fare në lidhje me ato fjalë që qarkullonin për të. Si reagim ndaj atyre fjalëve që u hapën në atë kohë, Komiteti Qendror i PPSH-së, porositi Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Veli Llakaj, që: për t’u treguar njerëzve se ato nuk ishin të vërteta, dhe se Kadri Hazbiu e ai (Veli Llakaj) ishin në punë, duhej shkruar një artikull në “Zëri i Popullit”. Dhe pas kësaj, për gjithë natën, Veliu shkroi një artikull, i cili u botua në “Zëri i Popullit”.
Nga e dini ju, se Kadriu kishte dijeni për fjalët që qarkullonin për të, kur nuk kishit biseduar për atë problem?
Po e dinim, se në atë kohë, në mos gaboj aty nga korriku i vitit 1982, kur vazhdonte fushata e demaskimit të Mehmetit si armik, në Ministri na erdhën dhe disa letra të nënshkruara nga një organizatë me emrin “Oshtima e Vjosës”.
Çfarë thuhej në ato letra dhe cila ishte ajo organizatë?
Unë nuk i pata lexuar ato letra, por siç më tregoi Veli Llakaj, aty na bëhej thirrje që: ne si ushtarakë, të ngriheshim në një kryengritje, në mbrojtje të Mehmet Shehut. Unë nuk kisha dijeni rreth asaj organizate, por nga vetë emri i saj, mendoja se duhet të ishin mallakastriotë që kërkonin mbrojtjen e Mehmetit. Dhe kështu qe vërtetë, sepse mesa dëgjova më vonë në Mallakastër, u arrestua një grup prej disa personash, të cilët kishin dalë haptazi në mbrojtje të Mehmet Shehut dhe ndaj tyre u muarën masa të rrepta, duke i burgosur dhe më duket se njeri prej tyre u pushkatua.
Ç’u bë me ato letra dhe si reagoi Ministria e Mbrojtjes ndaj tyre?
Ato letra menjëherë u dorëzuan në Komitetin Qendror të PPSH-së dhe nga ana jonë si Ministri, nuk pati ndonjë reagim tjetër. Atëherë na u tha se: ato letra i bënin agjenturat e ndryshme, për të na çoroditur.
Mbas vdekjes së Mehmetit, mendonit se do ju linin më në atë detyrë?
Që nga mesi i vitit 1982, kur kishin filluar të qarkullonin fjalët për arratisjen e Kadri Hazbiut, por edhe kohë më pare, unë e kisha menduar se Enver Hoxha, do të na hiqte nga detyra ne katër zv/ministrat që kishim punuar më parë me Mehmet Shehun. Kjo gjë ishte e kuptueshme, pasi në atë kohë në Ministrinë e Brendshme, kishin filluar analizat për Kadri Hazbiun, lidhur me punën e tij në atë Ministri. Unë nuk kisha qenë i gabuar, sepse ajo gjë ndodhi vërtetë.
Kur dhe me çfarë motivacioni ju larguan nga posti i zv/ ministrit?
Ka qenë ora 8 e mëngjesit të datës 9 tetor të vitit 1982, kur unë isha duke punuar në zyrë, më erdhi një nga sekretarët e Kuvendit Popullor, i cili më solli për të firmosur një dekret të Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Haxhi Lleshit, pasi në atë kohë, unë isha ende deputet dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Çfarë thuhej në atë dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor?
Në atë dekret thuhej: “Shoku Prokop Murra, emërohet Ministër i Mbrojtjes Popullore, në vend të Kadri Hazbiut që shkarkohet nga kjo detyrë”. Pa i thënë asnjë fjalë atij që ma solli, unë e firmosa dekretin, të cilin e kishin firmosur para meje dhe anëtarët e tjerë të Presidiumit.
Si e firmosët ju atë dekret pa marrë pjesë në mbledhjen e Presidiumit?
Nuk kishte ndonjë problem firmosja e dekretit pa qenë në mbledhje, sepse ligji e parashikonte një gjë të tillë. Pra ajo gjë ishte konform rregullave.
Çfarë menduat në atë moment kur firmosët dekretin për shkarkimin e Kadri Hazbiut?
Në atë çast, menjëherë mendova se e kishim ne radhën për t’u shkarkuar dhe ashtu ndodhi vërtet. Po atë ditë, rreth orës 12 të drekës, erdhën në ministri, kryeministri Adil Çarçani dhe ministri i ri i Mbrojtjes, Prokop Murra, të cilët na thirrën ne në zyrën e Ministrit. Aty Adil Çarçani, na komunikoi vendimin e Byrosë Politike, të cilin e kishte firmosur Enver Hoxha, ku thuhej se shkarkoheshim ne të pestë zv/ministrat e Mbrojtjes Popullore dhe në vendin tonë, emëroheshin të tjerë.
A pati ndonjë reagim nga ju të pestë që po shkarkoheshit?
Pas atij komunikimi, aty në zyrë nuk u bë asnjë koment nga ana jonë dhe po ashtu as në vendimin e Byrosë Politike nuk kishte asnjë motivacion për shkarkimin tonë. Pas kësaj, na thanë të shkonim në zyrat tona dhe të dorëzonim detyrën. Ata që erdhën për të na zëvendësuar, na thanë se kishin porosi, që të na komunikonin urdhrin që: brenda gjysëm ore, ne duhet të largoheshim nga Ministria.
Çfarë bëtë pas atij urdhri?
Menjëherë unë u largova nga ministria, duke dorëzuar vetëm çelësin e zyrës dhe asgjë tjetër. Nga ne pesë zv/ministrat, vetëm unë dhe Mendu Backa, u liruam fare nga detyra, kurse tre të tjerët, u shkarkuan, por u lanë në ushtri, duke u çuar në detyra të tjera më të ulta.
Nga funksioni i deputetit dhe anëtarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, u hoqën?
Mbas shkarkimit si zv/ministër, menjëherë më shkarkuan edhe si deputet dhe si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Ajo gjë ishte paradoksale, sepse mua ma hoqën imunitetin dhe mandatin e deputetit, pa më thirrur fare në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, ku unë isha anëtar. Si deputet dhe si anëtar i Presidiumit, mua mund të më shkarkonte vetëm Kuvendi Popullor, sepse ai më kishte zgjedhur.
Çfarë ndodhi më pas me ju, pasi u shkarkuat nga funksionet që kishit?
Pas dy muajsh, mua më thirrën në organizatën e Partisë të Ministrisë së Mbrojtjes, ku në disa mbledhje, jepja llogari për “mos vigjilencën” që kisha treguar, duke punuar me “armiqtë”, kurse në fakt, unë duhet të gjykohesha në Byronë Politike, se ajo më kishte në nomenklaturë. Kjo u bë vetëm për mua, se të gjithë kolegët e tjerë, u thirrën në Komitetin Qendror dhe aty u gjykuan dhe u shkarkuan nga detyra. Por paradoksi më i madh, ishte se unë u dënova njëherë, duke u shkarkuar nga të gjitha funksionet dhe pastaj u gjykova, ndonëse dënimi im ishte vetëm administrativ.
Kush ishte zv/ministri i Mbrojtjes dhe deputeti Maliq Sadushi?
Maliq Sadushi ka lindur më 2 shkurt të vitit 1928 në fshatin Vajzë të Vlorës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Që në moshën 15 vjeçare, aty nga fillimin i vitit 1942, ai u lidh me grupet antifashiste të Vlorës dhe në dhjetorin e atij viti, mori pjesë në Luftën e Gjormit, që ishte dhe beteja e tij e pare, në përbërje të njësitit partizan territorial të fshatit. Më pas, ai u inkuadrua në Brigadën e Pestë Sulmuese dhe mori pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi ajo brigade, deri në Sanxhak të Jugosllavisë. Karrierën ushtarake, ai e filloi që në tetorin vitit 1944, ku u titullua oficer dhe u emërua me detyrën e zv/komisarit të kompanisë, në Brigadën e Pestë Sulmuese. Nga viti 1944 e deri në 1974-ën, Sadushi mbajti disa funksione ushtarake, sipas shkallëve të hierarkisë, duke u ngjitur deri në postin e Shefit të Shtabit të Korpusit, pasi më parë kishte studiuar dhe u diplomua në shkollën e perfeksionimit të oficerëve në Tiranë, Akademinë “Frunxe” në Bashkimin Sovjetik, Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu” (të Shtatmadhorisë) në Tiranë si dhe në Fakultetin e Filozofisë. Në dhjetorin e vitit 1974, ai u emërua zv/ministër i Mbrojtjes Popullore, si dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Mbrojtjes, dhe gjatë kësaj periudhe, ai u zgjodh dhe deputet e anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor në dy legjislatura (1974-1982.) Më 9 tetor të vitit 1982, me vendim të Byrosë Politike, Maliq Sadushi u lirua nga të gjitha funksionet që mbante dhe u nxuarr në lirim. Kjo gjë u bë, pasi ai konsiderohej si një nga bashkëpunëtorët e afërt të kryeministrit Mehmet Shehu, që u shpall armik, pasi për shtatë vjet, ai kishte punuar si zëvendës i tij, në Ministrinë e Mbrojtjes. Pas viteve ’90, z. Maliq Sadushi ishte anëtar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe ai merrej me studime historike, kryesisht të periudhës së Luftës Antifashiste, për të cilën pati botuar një numër të konsiderueshëm artikujsh studimorë e publicistik, në gazeta dhe revista të ndryshme. Gjithashtu ai kishte përgatitur edhe disa libra me karakter historik, si monografinë “Perlat Rexhepi”, “Fshati ynë i mirë”, “Nga brigjet e Jonit në malet e Sanxhakut”, të cilat u’a kishte kushtuar, partizanëve të Brigadës së Pestë Sulmuese, ku ai kishte qenë efektiv i saj./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016