Nga Aldo Renato Terrusi
Pjesa e trembëdhjetë
RIKTHIMI
Memorie.al / Aeroporti i Fiumiçinos. Avioni ‘MD 80’ i Alitalias është gati për fluturim. Është e shtunë, 6 nëntor 1993. Ora 11.25. Komandanti mori miratimin. Stjuardesat na kujtojnë dhe një here të lidhim rripin e sigurimit. Dy motorët çohen në fuqinë maksimale, ndërsa zhurma bëhet e mbytur dhe shurdhuese. Butonat dhe komandat provohen për të fundit herë sipas procedurave të fluturimit, lëshohen frenat, fillon lëvizja gjithë e më e shpejtë, përshpejtimi i përplas pasagjerët pas shpinores, avioni ngrihet në fluturim. Ndjej të më ngrejë një forcë e padukshme që më lë si të pezull në zbrazëti. Hedh sytë përreth për të parë nëse dhe pasagjerët e tjerë kanë të njëjtën ndjesi si unë. Ca lexojnë, ca shohin jashtë nga dritarja, ca janë shpërfillës, ca mezi rrinë të qetë dhe ca, të ngrirë në ndenjëse, lënë të ndër duken frikërat e veta. Me një ndërrim drejtimi të gjerë, avioni ngrihet në lartësi dhe drejtohet drejt radio farit të Barit, për të mësyrë pastaj drejt e në Tiranë, në vendmbërritjen tonë.
Vijon nga numri i kaluar
Aty nga ora 10.00 nisemi të gjithë drejt stadiumit. Është ende herët dhe përfaqësuesit e Komitetit Olimpik nuk kanë ardhur ende. I themi rojës së stadiumit të na hapë portën dhe grupi i vogël drejtohet nga fusha ku u bënë protagonistë para shumë vitesh. Papritur, se nga mbiu një top, dikush e shqelmoi e të tjerët iu përgjigjën. Kështu pra, shtatë pleq, kush që çalon nga artriti, kush me dhimbje shpine, kush me probleme zemre, shqelmojnë në fushë si kalamaj. Daja shkon te porta, si në kohërat e bukura.
Pavarësisht moshës, në ato pak minuta po provojnë emocione të njëjta si në rininë e tyre. Por kjo lojë e bukur nuk zgjat shumë, sepse ndjehet menjëherë lodhja dhe gulçet. Komiteti Olimpik Shqiptar mblidhet në një sallë të vogël të stadiumit. Na thërrasin të marrim pjesë në ceremoni. Për habinë tonë, presidente është një grua: me gjasë dikush që ka arritur rezultate të shkëlqyera në sport. Xhakomon e shpallin mysafir nderi dhe ulet afër drejtuesve.
Pas një përshëndetjeje të shkurtër dhe një falënderimi për gjithë të pranishmit, thirren në emër një nga një gjithë futbollistët që ishin fitues të Ballkaniadës së 1946-ës: Xhakomo Pozeli, Besim Fagu, Xhavit Demneri, Loro Boriçi, Vasif Biçaku, Pal Mirashi… një kujtim mallëngjyes shkon për Zezen Kiarën nga Vlora që kishte vdekur një ditë më parë.
Me vendim të njëzëshëm të komitetit, lojtarët e ekipit u shpallën ‘Mjeshtër të Sportit’ shqiptar dhe i’u dhurohet nga një medalje ari për nder të kohëve të shkuara. Xhakomos i kërkojnë të mbajë një fjalim në emër të të gjithë ekipit. Fjalimi i tij është një evokim mallëngjyes i ngjarjeve sportive dhe atyre politike, veçanërisht në lidhje me qëndrimin tonë në Shqipëri gjatë periudhës së Luftës.
Në lidhje me këtë, komiteti kërkon falje zyrtare para Xhakominos, që i ndryshuan emrin vetëm e vetëm që ai të mund të rrinte dhe të luante me kombëtaren shqiptare. Xhakomo falenderon i mallëngjyer, me sytë e skuqur dhe me grushtet shtrënguar për të përmbajtur lotët. Komiteti pastaj fton të gjithë të ngrenë një dolli në barin përballë ku nuk mundën të blejnë asgjë, për shkak të shtrëngesave financiare.
Më vjen keq, duhej të kisha qerasur unë, por nuk mund t’ua mohoja kënaqësinë e të qenit ‘të zotët e shtëpisë’. Ngremë dolli me Coca-Cola që tani, në këtë çast, duket më e mirë se çfarëdo shampanje e mirë italiane. “Rroftë ekipi i 1946-ës! Rrofshin mjeshtërit e sportit!” Në kthim, përgjatë bulevardit të gjatë kryesor ‘Mjeshtërit e sportit’ nuk ndjehen më kaq të ngazëllyer: kush ankohet nga një anë, kush nga ana tjetër. Ajo lojë e shkurtër dhe e gëzueshme i ka rraskapitur.
Duket sikur jemi në një spital ambulator. Duke u troshitur, çaluar, duke ndihmuar njëri-tjetrin me pretekstin se po mbaheshin për krahu, më në fund mbërrijmë në “Dajti”. Përshëndetemi dhe u themi se të shtunën tjetër, në mëngjes, do të nisemi për Itali, ndaj dhe përshëndetjet marrin vlerën e një lamtumire mallëngjyese; grupi i vogël shpërndahet.
Edhe këtë herë u bëmë vonë për drekë. I telefonojmë Tolit në Konsullatë dhe e ftojmë, me kusht që të na tregojë ndonjë vend ku hahet mirë. Pranon. Shkojmë ta marrim te puna dhe drejtohemi nga Sheshi “Skënderbej”. Futemi në një tavernë, nën një portik, e mobiluar mirë dhe mikpritëse. Si zakonisht kërkojmë ndonjë gatim tradicional. I vetmi gatim i gatshëm dhe padyshim autokton, përbëhet nga të brendshme qingji të mbledhura – kukurec. Është një pjatë shumë e rëndë, shumë e veçantë dhe e shijshme: do të thosha jo për të gjithë. Receta për katër stomakë të fortë:
Lahen dhe përvishen mirë një kilogramë të brendshme qingji të vogël. Priten 500 gramë mëlçi dhe 500 gramë mushkëri, u hidhet piper, kripë dhe u shtohet edhe pak rigon. Përgatiten tetë shkopinj të vegjël ku kalohen copat e mëlçisë dhe mushkërisë, duke i ndër këmbyer me disa copa dhjami. Rreth shkopinjve shkohen zorrët dhe lidhen e kapen në mënyrë që të bëhet një masë kompakte. Hidhet prapë kripë e piper edhe së jashtmi dhe lihet të kullojë për disa orë. Shkopinjtë ku është shkuar kukureci vihen të piqen ngadalë duke bërë kujdes të mos digjet pjesa e jashtme.
Ora ka shkuar thuajse 15.00 kur ngrihemi, të ngopur e të rënduar. Përshkojmë rrugën e zakonshme që na çon drejt Dajtit. Falenderojmë përzemërsisht Tolin për gjithë sa bën për ne. Lëmë takimin për ditën tjetër aty nga ora 09.00 në vendin e zakonshëm. Nesër kemi për të bërë një rrugë të gjatë e të pikëlluar në Burrel. Rehatohemi me qejf në kolltuqet e rehatshëm të sallonit para televizorit, me qëllim të tretim pak ushqimin e rëndë.
S’kalon shumë kohë dhe fillojmë bisedën se si e qysh Italia dhe veçanërisht Musolini, patën këtë dëshirë të ethshme për të kolonizuar Shqipërinë. Përveç arsyeve me karakter strategjik, politik, shoqëror etj., që kishte përdorur regjimi fashist për të përligjur pushtimin e Shqipërisë, me siguri që një shtysë të fortë, që më pas rezultoi mjaft e pabazë, duhet ta kenë dhëne edhe raportimet që i vinin Duçes prej të dërguarve të vet. Ja një prej gjithë raporteve që i ishte dërguar në 11 tetor 1941 nga Zenone Benini, sekretar për çështjet shqiptare, rreth vlerësimit mbi Shqipërinë:
“Në zona të tjera disa specialistë kanë dhënë rezultate pozitive, aq sa mund të konsiderohet tashmë se vendburimet shqiptare përbëjnë një kompleks të aftë sa të ndikojnë përfundimisht në rendin dhe tërësinë e prodhimit të çelikut për Italinë. Por ama, ç’prej tani, mund të thuhet se jemi para një pellgu hekurmbajtës me rëndësi të madhe dhe sigurisht më superiore se të gjitha parashikimet më optimiste.
Deri më sot në Shqipëri janë vlerësuar më shumë se 500.000 tonelata krom dhe gjithë kjo bën të besosh se kërkimet në vazhdim do të vazhdojnë të japin rezultate të kënaqshme. Minerali shqiptar përmban 50 përqind oksid kromi, që do të thotë se sasitë e garantuara mbulojnë kërkesën kombëtare për më shumë se një dhjetëvjeçar. Në jug, në Selenicë, i njëjti grup ‘Parodi-Delfino’ ka në përdorim impiante të rëndësishëm për nxjerrjen e bitumit, nga i cili, vitin e ardhshëm, do të sigurohet prodhimi i 20.000 tonelatave produkt i pastër. Një prodhim i tillë, shto këtu edhe nënproduktin e distilerive italiane të naftës së papërpunuar, përbën themelin e nevojave tona të bitumit që vërtitet aty te 70.000 tonelata në vit. Edhe AIPA e ka shtrirë dukshëm fushën e vet të kërkimit dhe shfrytëzimit të naftës dhe sondat po futen në zonën e Patosit, që mendohet të jetë një nga më interesantet”.
Sigurisht që, nëse Musolini do të ketë pasur ndonjë dyshim mbi mundësinë e vënies dorë mbi Shqipërinë,- këto informacione dhe raportime me siguri që do ta kishin larguar. Mendojmë se ka ardhur koha e darkës, por të dy vendosim të shkojmë drejt barit për të pirë nga një çaj, me ndonjë ëmbëlsirë; kjo do të jetë mëse e mjaftueshme për një gjumë të rehatshëm.
BURGUI BURRELIT
Të nesërmen në 08.00, siç dha fjalën, Engjëll Kokoshi ka ardhur para Hotel “Dajti”-t. Na pret në këmbë para banakut të recepsionit, me pardesynë e gjatë blu.
“Mirëmëngjesi Engjëll, si je”?
“Mirë, faleminderit. Si fjetët? Sot duhet të ecim shumë. Mirë është daja”?
“Po, po zbret pas pak, po vishet. Dëshironi të hani mëngjes me ne”?
“Jo, faleminderit, do të marr vetëm një kafe”.
Në pritje e sipër, shkojmë ulemi në divanet e sallonit.
Po atë çast mbërrin dhe daja, duke shqepuar, si pasojë e ‘performancës sportive’një ditë më parë. Ka madje edhe një dhimbje veshkash. Pas përshëndetjeve me Engjëllin, drejtohemi nga ballkoni i barit për një mëngjes të shpejtë në këmbë.
“Kështu pra, para se të shkojmë në Burrel, duhet të kalojmë nga zyra ime dhe pastaj të shkojmë të tërheqim lejet në Ministrinë e Brendshme”.
Për të mos humbur shumë kohë dhe duke parë kushtet fizike jo shumë të mira, është mirë që daja të na presë në hotel.
Unë dhe Engjëlli, siç e vendosëm më parë, shkojmë fillimisht të Shoqata Kombëtare e ish të Përndjekurve Politikë për të marrë kredencialet e tij dhe pastaj drejtohemi nga Ministria. Zyra është në të vërtetë një arkiv me rafte që shkojnë nga dyshemeja në tavan – aq sa mbulojnë tre mure të dhomës – mbi të cilët janë grumbulluar qindra fashikuj e dosje plot me të dhëna dhe emra”.
Ndërsa më sheh kureshtjen dhe habinë në fytyrë, Kokoshi më shpjegon: “Shiko, Aldo, këta janë njerëz për të cilët nuk dihet asgjë. Për fat të keq, këtu mbizotëron përherë një ligj i natyrës, i pashkruar, por që ulëret për hakmarrje. Njeriu duhet ta shfaqë fuqinë e vet duke treguar kurajë dhe jo duke shprehur vuajtje, të mos ankohet dhe të mos tregojë shumë dhimbsuri: duhet të zhytet në gjak turpi i pësuar si në rrafsh personal ashtu dhe në atë familjar.
Ta mendosh që tradita jonë është e tillë që kur njeriu martohet, nuses i dhurohet në pajë nga vetë prindërit e saj një plumb, në mënyrë që të kujtojë nënshtrimin absolut ndaj të shoqit. Jemi ende një vend i prapambetur edhe nga pikëpamja kushtetuese. Jemi ende të lidhur me disa zakonet tonat shumë të egra”.
Fjalë të ashpra e të rënda që më lënë të pështjelluar dhe plot hidhërim. Në Ministri na i japin menjëherë lejekalimet. Më mrekulloi një shpejtësi e tillë. E të mendosh pastaj burokracinë italiane…! Kthehemi në hotel, ora është thuajse 09.00. Daja, Toli dhe shoferi, po na presin pranë ‘Land Roverit’ të bardhë të Cooperazione Italiana-s.
Shoferi na shpjegon se ajo që na pret përpara më shumë i ngjan një gare malore makinash se sa një rrugëtimi normal. Burreli është një qytezë thuajse 70 kilometra në verilindje të Tiranës, i humbur mes maleve, i bërë i famshëm në kronikat vendase vetëm për vendndodhjen e burgut të tij famëkeq politik dhe deri më tash i kujtuar si një vend i tmerrshëm dhe ngjethës. Pas një pamjeje të parë të shtruar në të cilën shpesh të takon të shohësh përrenj gjithë gurë, rruga bëhet dredha-dredha, shpesh e çarë, shpesh tërë gropa, në sfondin e një peizazhi virgjin, sa të bukur, po aq dhe të shkretuar.
Kalojmë nëpër një urë elegante guri, me gjasë e epokës romake.
Peizazhi, i mbuluar here pas here nga shkorrete mesdhetare që shpesh pushtojnë edhe rrugën, hapet papritur në lëndina të pakorrura, shkorrete të gjelbëruara dhe male të zhveshur. Pasi përshkuam një malore mjaft të rrëpirët, rruga tashmë bëhet më e sheshtë. Kanë kaluar më shumë se dy orë dhe më në fund ndër duken edhe shtëpitë e para të Burrelit. Kalojmë gjithë qytetin dhe sapo gjendemi jashtë tij, ndodhemi përballë burgut famëkeq.
Një pamje makabre, e zymtë dhe dëshpëruese na shfaqet para syve. Është një ndërtesë e ulët dhe gati në të shembur, më shumë duket si stallë kuajsh se sa një vend ku në të shkuarën kanë qenë të burgosura qenie njerëzore.
Një kangjellë hekuri me ekuilibër të lëkundur ndan “stallën’nga pjesa tjetër e botës. Brenda një portë e dyfishtë me deriçkën hyrëse ngjitur për karakollin e rojës. Na presin, dorëzojmë kredencialet tona. Na thonë se burgu është mbyllur vetëm dy vjet më parë dhe tani është vetëm se një mauzole i trishtë për kujtesën e krimeve të luftës.
Tërë kompleksi në të cilin ndodhen qelitë është i gjatë rreth 100 metra, tre metra i lartë dhe dhjetë i gjerë. Është një ndërtesë në muraturë, katër këndore dhe e thjeshtë, me një ngjyrë të papërcaktueshme, nuk ka çatinë klasike me tjegulla, por thjesht një tarracë të sheshtë çimentoje. Nga jashtë janë të dukshme vetëm nja dhjetë e kusur dritare, të mbyllura me hekura, që u përkasin qelive teke. Rrethimi i parë, me tel me gjemba të ndryshkur e të hapur në formë spiraleje, është i lartë rreth një metër e gjysmë dhe ndodhet dhjetë metra larg mureve të jashtme.
Rrethimi i dytë, paralel dhe në largësi afërsisht 20 metra nga i pari, formohet nga një tel me gjemba në formë spiraleje në fund të një rrjete, e çarë në shumë vende dhe e lartë thuajse tre metra, e cila rrethon gjithë kampin dhe mbahet në këmbë nga kolona të holla gjysmë të shkatërruara prej betonarmeje. Në skajet e kampit, në formë katër këndori prej rreth 200 metër për 100, janë katër karakollë në çimento, vendosur mbi shtylla metalike mbi të cilat janë vendosur prozhektorë të mëdhenj.
Mes dy rrethimeve është njëfarë kalimi sigurie dhe varri i përbashkët i të burgosurve të vdekur. Dy roje, në rolin e ciceronlt, ruajnë atë që dikur ishte vendi që u kallte më shumë frikën shqiptarëve. Na shoqërojnë brenda ndërtesës dhe ndërsa ndjekim këtë rrugë, Kokoshi na përshkruan vende të ndryshme.
Ka nja njëzet qeli të errëta, dhjetë nga të dy anët, përgjatë një korridori të ndërprerë herë pas here nga kangjellat. Secila qeli ka nga pesë dyshekë për tokë dhe një të çarë të vogël të jashtme me hekura. Një kuzhinë e vetme ishte menduar si për rojet, edhe për të burgosurit; fare afër ndodheshin edhe gjashtë banjo all aturka, prej çimentoje. Në qendër të ndërtesës dhoma e torturave dhe infermieria.
“Engjëll, a s’më thua pse përfundove në burg”?
“Edhe mua, ashtu si yt atë, më bënë një proces të montuar, ku më akuzuan për kolaboracionizëm me italianët dhe spiunazh për llogari të SIM-it (por nuk ishte e vërtetë)”.
Pyes veten se si mund të akuzonin partizanët pikërisht Xhuzepen se u kishte hapur gjermanëve qëllimisht arkat bosh të bankës, kur në disa nga letrat e tij, ai shprehte përçmimin e tij kundrejt atyre nazistëve të urryer. Nga letra me shkrim dore e Xhuzepes drejtuar të motrës në Kastelaneta:
Vlorë 27 nëntor 1944
“Frikacakët gjermanë kanë bërë nga të gjitha gjërat dhe kanë kryer gjithë masakrat e mundshme: kemi kaluar ditë makthi dhe terror, sa edhe unë mbërrita deri në pikën që të isha në rrezik jete…”!
Nga ditët e fundit si qytetar i lirë (pak ditë para se të akuzohej padrejtësisht e të burgosej nga partizanët e Enverit):
Vlorë, 8 janar 1945
Që nga dita e çlirimit të Vlorës nga trupat partizane, qe i detyruan banditët gjermanë t’ia mbathnin (banditët në kuptimin e keq), dua të më mbajë shpresa se të gjithë gëzoni shëndet të plotë dhe të përqafohemi sërish sa më shpejt të jetë e mundur”.
“Në çfarë periudhe jeni njohur, Engjëll”?
“Ai kishte hyrë në burgjet e Vlorës në 1945 me italianë të tjerë – Belucin, Balsamon, Monain, Petrit Velajn – ndërsa mua më sollën një vit më vonë. Kemi qëndruar aty deri në 1949, pastaj na transferuan gjatë natës këtu në Burrel. Më kujtohet se natën e transferimit ishim nja njëzet vetë, të prangosur në radhë prej pesë vetash, në një kamion të shoqëruar nga dy makina – njëra para e tjetra pas – plot me ushtarë të armatosur me kallashnikovë.
Kishim marrë vendimin të arratiseshin. Edhe koha ishte në anën tonë. Nata më e errët dhe pa hënë. Disa prej nesh ishin liruar nga hekurat që ishin mbyllur me fije hekuri në kyçet e duarve dhe të këmbëve dhe ishim bërë gati. Pas një diskutimi të gjatë dhe të shqetësuar, hoqëm dorë. Ishte shumë e rrezikshme: do na kishin shfarosur të gjithëve”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016