Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Myslym Ketës, trimi i Njësiteve Guerile të Tiranës që u nderua i pari në Shqipëri me titullin e lartë “Hero i Kombit” që në vitin 1947 (kur ky titull, nuk i ishte akorduar ende as Enver Hoxhës), dhe karriera e tij ushtarake që mbeti deri në gradën e kolonelit, edhe pse ai mbaroi me rezultate të larta Akademinë Ushtarake në ish-Bashkimin Sovjetik?!
Si filluan dyshimet për Lymin pas vitit 1961, kur atasheu ushtarak rus, mik i ngushtë tij, i propozoi Beqir Ballukut në banketin e dhënë për nder të festës së Pavarësisë, për eliminimin e “katërshes” (Enver, Mehmet, Hysni, dhe Ramiz që ishin në Moskë) dhe çelësat t’i dorëzoheshin Ballukut?! Denoncimi i Ballukut tek Kadri Hazbiu që shoqëronte “katërshen” në Moskë dhe kthimi i tyre me tren për në atdhe, ku në Pallatin e Brigadave, Enver Hoxha do ngrinte dollinë e parë për “shokun Beqir” që shpëtoi Partinë nga intrigat e armiqve!
Dyshimet mbi Lym Ketën si bashkëpunëtor i atasheut ushtarak rus, dhe dëshmia e ish-funksionarit të lartë të Sigurimit të Shtetit, Mark Dodanit, mbi urdhrin që i kishin dhënë për për eliminimin fizik të Lym Ketës gjatë kohës që ai do të shkonte për gjah, anulimi dhe shtyrja e atij plani, deri në 26 shkurtin e vitit 1966, kur ai vdiq “aksidentalisht” diku në kthesat e Fushë-Arrëzit, pasi helikopteri nga Tirana shkoi me katër orë vonesë…?!
Përse u bë varrimi i Lym Ketës në Tufinë dhe jo në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, largimi i shokëve të udhëheqjes nga shtëpia e tij ku shkonin për 5 Majin, anulimi i librave dhe dokumentarëve që bëheshin për të, si dhe arrestimi dhe dënimi si “armiq të popullit” i të gjithë shokëve të tij në vitin 1980-të, të cilët mbanin poste dhe funksione të larta, duke përfshirë dhe motrën e tij që e internuan në Tepelenë?
Diku në varrezat publike në periferi të Tiranës, afër fshatit Shish-Tufinë, në një parcelë të veçantë ku thuhej se regjimi komunist e kishte të rezervuar për njerëzit e shquar dhe me merita të veçanta, ndodhet një varr që për nga forma e mermerit me të cilin është ndërtuar nuk ka asgjë të veçantë nga varret e tjerë. Ajo për të cilën mund të tërheqë vëmendjen e kalimtarëve të rrallë, është një epitafi i shkruar me gdhendje ku thuhet:”Në rast se Shqipërisë i duhej digë/gjoksin vinte ai/dhe aspak si dhimbsej jeta/ I tillë ishte o shokët e mi/ trimi Myslym Keta”.
Në atë varr aty rrethuar nga ferrat prehet njeriu për të cilën u thurën shumë legjenda, ai që mori i pari titullin e lartë “Hero Kombëtar” në korrik të vitit 1947, kur nuk ishte më shumë se 22 vjeç, në një kohë kur asnjë nga gjeneralët e personalitetet e shumta të Luftës Nacional-çlirimtare nuk e gëzonin këtë titull, duke përfshirë dhe vetë gjeneral-kolonel Enver Hoxhën?! Kush ishte Myslym Keta dhe përse ai nderohej me këtë titull? Përse Heroi i parë Kombëtar i Luftës nuk prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, kur e gëzonte ende këtë titull?
Mbledhja e 81 Partive dhe provokimi sovjetik
Ka qenë 28 nëntor i vitit 1961, kur në Shtëpinë e Partisë nr.1 (pas ish-godinës së Komitetit Qendror të PPSH-së.) festohej përvjetori i Pavarësisë. Sa filloj ceremonia solemne, Enver Hoxha ngrihet në këmbë dhe me gotë në dorë thotë: ”Do e ngremë këtë dolli jo si herët e tjera për Partinë, por për njeriun që e shpëtoi Partinë nga një komplot i armiqve të saj, shokun tonë Beqir Balluku…”! Po çfarë kishte ndodhur dhe cili ishte komploti që ishte kurdisur dhe si kishte mundur Beqir Balluku ta eliminonte atë?! Ka qenë 17 nëntori i po atij viti kur në Pallatin e Brigadave jepej një pritje me rastin e përvjetorit të çlirimit të Tiranës. Në atë kohë Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo e Kadri Hazbiu ndodheshin në delegacionin e Partisë në Moskë në mbledhjen e 81 partive dhe drejtimin e vendit Enver Hoxha ja kishte dhënë njeriut më besnik të tij, Ballukut, të cilit dhe I takonte sipas hierarkisë zyrtare, pasi ishte anëtar I Byrosë Politike dhe zv/kryeministër i parë. Veç të tjerash, Balluku i kishte dhënë shenjat e besnikërisë ndaj Enver Hoxhës që në konferencën e Tiranës në vitin 1956, kur ai si I deleguar aty, kishte lajmëruar Hoxhën në Vlorë, për atë që po kurdisej në atë Konferencë. Kështu, gjatë pritjes në Pallatin e Brigadave, ku asistonin dhe ambasadat e huaja, atasheu ushtarak sovjetik i kërkon takim kofidencial Ballukut dhe ky e fton në shtëpinë e tij në Bllok. Gjatë darkës në pije e sipër, thuhet se atasheu ushtarak rus si me të qeshur i thotë Ballukut: “Si thua a i lëmë jashtë ata të katërt, duke ju mbyllur derën dhe çelësat t’i dorëzojmë ty”?! Ishte fjala për Hoxhën, Shehun, Kapon e Hazbiun që t’i eliminonin ata dhe Balluku të merrte drejtimin e vendit. Menjëherë pas provokimit të ushtarakut rus, thuhet se Balluku i nervozuar i përgjigjet “Po e bëtë ju dhe Moska këtë, për ata të katërt unë që nesër do t’i therr me dorën time katër mijë rusë që ndodhen në Shqipëri, në sheshin Skënderbej”. Pas kësaj, biseda nuk mund të vazhdonte më dhe atasheu rus largohet nga vila e Ballukut për në rezidencën e tij. Që atë natë, Balluku lidhet me Moskën dhe i komunikon Hazbiut, mundësinë e ndonjë incidenti të mundshëm nga ana e “të zotëve të shtëpisë” në Moskë. Ministri Hazbiu që përgjigjej për jetën e sigurimin e delegacionit të kryesuar nga Hoxha, Kapo e Shehu, pas bisedës me ta, iu sugjerua atyre ndryshimin e intenerarit të kthimit, nga avioni me tren, duke udhëtuar nëpër Evropën Qendrore për të përfunduar në Itali. Nuk dihet se sa të vërtetë ka në të gjithë këtë ngjarje që tingëllon në kufijtë e legjendës, por ajo që është e sigurt është fakti se kjo histori është treguar për vite me radhë jo vetëm nga ushtarakët e lartë që ishin nën varësinë e Ballukut, por edhe nga shumë të tjerë, pjesë e nomenklaturës së lartë që jetonin kryesisht në Bllok-un e udhëheqjes! Po si do të realizohej ky komplot nga ana e sovjetikëve, kush do ishin njerëzit që do e mbështesin këtë grusht shteti?! Kush ishin miqtë më të ngushtë të atasheut ushtarak sovjetik në Tiranë dhe çfarë postesh mbanin ata? Thuhet se menjëherë pas atij “incidenti” filluan survejimet dhe u përpiluan listat me personat e mundshëm që mund të kryenin këtë “grusht shteti” dhe pas kësaj ngjarje, Enver Hoxha do vendoste të prishte përfundimisht të gjitha marrëdhëniet zyrtare me Bashkimin Sovjetik, duke tërhequr dhe ambasadën nga Moska. Nga të gjitha hetimet e organeve të Sigurimit të Shtetit në atë kohë lidhur me “komplotin rus”, rezultoi se personi më i mundshëm ku do të mbështeteshin sovjetikët për të vrarë Enver Hoxhën, ishte koloneli Myslym Keta, ish-atentator gjatë Luftës Antifashiste dhe tashmë Komandanti i Regjimentit Tankist që kishte studiuar në Moskë!
Lym Keta dhe dyshimet e para mbi komunizmin!
Lym Keta, siç e njihnin tiranasit dhe gjithë shqiptarët, hyri në legjenda si një atentator trim dhe i guximshëm në Njësitë Guerile të Tiranës gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944. Në vitin 1947, ai dërgohet në Akademinë e Forcave Ushtarake Tokësore në Moskë për studime, të cilat i ndërpret për arsye shëndetësore dhe kthehet në atdhe. Në vitin 1949, Lymi dërgohet përsëri në Moskë, ku mbaron me rezultate shumë të larta Akademinë Ushtarake dhe diplomohet si inxhinier tankesh. Por pas kthimit nga kryeqyteti bolshevik, ai jep shenjat e para të mosbesimit ndaj kauzës për të cilën kishte luftuar. Sipas dëshmive të bashkëkohësve dhe shokëve të tij më të afërt, Lym Keta shprehte vazhdimisht pakënaqësitë ndaj “Bllokut” dhe të privilegjuarve të rinj. Ndërkaq dyshimet për ta lidhur me komplotin e mundshëm sovjetik për ekzekutimin e udhëheqësve të lartë të pushtetit, me emrin e tij, nuk mbetën më vetëm dyshime, por i vunë “vulën” duke e etiketuar atë si një njeri i lidhur me rusët. Ndërkaq krerët e udhëheqjes më të lartë vendosën eliminimin e tij fizik, gjë e cila iu besua strukturave të larta të Sigurimit të Shtetit, që menjëherë vunë në jetë planet për ekzekutimin e tij që do ishte tepër i vështirë, për shkak të reputacionit të madh që Lym Keta kishte në popull.
Dëshmia e Mark Dodanit se si do eliminohej Lymi!
Sipas rrëfimeve të Mark Dodanit, një prej kuadrove të njohur të Armës së Sigurimit të Shtetit, të bëra publike vite më parë në shtyp, aty rreth vitit 1964-‘65, Rexhep Kolli, ish zëvendësministër i Brendshëm, thërret Markun dhe I thotë hapur: ”Ka një sinjalizim se Myslym Keta është në pozita antiparti e armiqësore dhe ka tendenca për t’u arratisur”!“ Unë u çudita”, tregon Dodani, “dhe duke dialoguar me Rexhepin, i thashë: ”Të ketë tradhtuar me të vërtete Lymi, s’mund të jetë e vërtetë kjo, s’më besohet, mos jemi përpara ndonjë spiunimi ordiner, punë karrieristësh?! Pasi heshti pak ai tha: ”Me porosi të udhëheqjes së lartë të Partisë je i ngarkuar që ta ndjekësh deri në piramidë. Nëse vërteton se ai do të kalojë kufirin, je i autorizuar të përdorësh forcën duke e arrestuar. Po qe se ai do të përdorë armën, je i autorizuar të kundër goditësh me armë. Ti do të hipësh në makinën e tij “Gaz” dhe meqenëse ai e ka legjenduar se do të vejë për gjah, paraqitu dhe ti sikur do të gjuash bashkë me të, si shokë që jeni. Juve do t’ju ndjekë një “Gaz” tjetër me dy-tre oficer të Sigurimit, të cilët do të jenë në mbështetjen tënde…”. “Përsëri më vajti mendja shumë keq, por kurrsesi nuk mund t’ia thoja hapur. Fakti që pas nesh dërgonin tre oficerë të Sigurimit me një makinë që thuhej se do të mbështesnin mua në aksion, ata shumë mirë mund të na vrisnin të dyve, sapo të shkelnim piramidën, sepse unë isha personi që dija shumë gjëra. Kur shumë lehtë, po të mos e pranoja detyrën, mund të akuzohesha si Lymi, “antiparti”, dhe në këto rrethana u detyrova të pranoja detyrën e të zbatoja planin kur e pashë të shkruar dhe të firmosur nga gjeneralët Beqir Balluku dhe Kadri Hazbiu”. “Pas tre ditëve”, shprehej Dodani, “kur unë prisja te ura e Milotit që të bashkohesha me Lymin për gjah, më thërret Rexhep Kolli në zyrë dhe më thotë: ”Mark, ti kishe të drejtë, Lym Keta është një Hero i vërtetë dhe doli siç the ti, një intrigë karrieristësh”. Gjithë sa u bisedua, zëvendësministri në emër të udhëheqjes, porositi Dodanin që të mbetej gjithçka një sekret i lartë shtetëror. Por pas aksidentit të Lymit që i mori atij jetën, Mark Dodani shton dyshimet. “Kam shkruar letrën që shprehja dyshimet e mia në periudhën që bëhej hetuesia e grupit të Kadri Hazbiut të cilën nëpërmjet Hekuran Isait që ishte ministër i Brendshëm, doja t’i vinte në dorë Enverit, tek i cili kisha besim të patundur”, dëshmonte Dodani dhe sipas tij, me porosi të Zylyftar Ramizit, zv/ministër i Punëve të Brendshme, nuk është futur fare në proçesin gjyqësor të Kadri Hazbiu në vitin 1983.
Urdhri i ekzekutimit…
Nisur nga dëshmia e ish eksponentit të lartë të Sigurimit të shtetit, nënkolonel Mark Dodani, porosinë e Enver Hoxhës për likuidimin fizik të Lym Ketës e kanë firmosur Balluku me Hazbiun. Po përse u shty plani i likuidimit të tij?! Nga disa dëshmi, aty nga mesi i vitit 1965, Lym Keta është thirrur në Drejtorinë Politike nga S.B., Et’hem Gjinushi dhe zv. Ministri i i Brendshëm, Rexhep Kolli. Ata i vunë përpara atij një letër akt-akuzë me dymbëdhjetë pika, ku nga ana e tyre i kërkohej Lymit që për të gjitha akuzat ndaj tij, ai të reflektonte, duke iu përgjigjur të gjithave me shkrim. Në ato 12 pika, ai akuzohej se kishte thënë për çështjen fshatare që po bëhej gangrenë, për Bllok-un që sa vinte dhe rritej, dhe për burgjet që sa vinte dhe mbusheshin me njerëz të pafajshëm. Menjëherë pas kësaj letre, Lymi thërret në shtëpi shokun e tij të ngushtë, Dhimitër Mano (Lola), dhe i tregon atij të gjithë bisedën që kishte bërë me tre gjeneralët. Pas kësaj Lymi është thirrur përsëri nga S.B. ku i është bërë presion që problemet e ngritura të mbeteshin vetëm ndërmjet tyre. Pas këtyre thirrjeve dhe presioneve të shpeshta ndaj Lymit, do të fillojë një survejim i rreptë nga ana e Sigurimit të Shtetit. Thuhet se atentati ndaj Lym Ketës u shty se për atë u pyet dhe Myslym Peza, gjë e cila bëhej me qëllim nga ana e udhëheqjes së lartë, si për ta zgjeruar rrethin e atyre që kishin dijeni, për “veprimtarinë e tij armiqësore”! Por thuhet se babë Myslymi kundërshtoi akuzat që i bëheshin Ketës dhe madje e mbrojti atë. Por tashmë, dukej se “fati” i tij ishte i përcaktuar. Më 26 shkurt të vitit 1966, kolonel Myslym Keta humbet jetën pas një aksidenti të rëndë automobilistik të ndodhur diku afër Fushë-Arrëzit, për të cilin shumë vetë kanë shprehur dyshimet se mund të ketë qenë i provokuar nga Sigurimi i Shtetit!
Dëshmia e shoferit të Lym Ketës
Ish shoferi i Myslym Ketës, Petrit Topi me banim në qytetin e Durrësit në një intervistë që I ka dhënë para shumë vitesh autorit të këtij shkrimi, midis të tjerash lidhur me aksidentin e ndodhur me shefin e tij, shprehej: ”Komanda e repartit, “FUD”it më ngarkoi shofer me Myslym Ketën shtatë muaj para se të ndodhë aksidenti. Lymi kishte një makinë të vjetër ”Gaz-67” që ishte që nga Lufta e Dytë Botërore. Makina më të vjetër se ajo nuk gjeje në të gjithë Ushtrinë. Ka qenë data 24 shkurt 1966, kur Lymi më tha se do të shkojmë me shërbim në Fushë-Arrëz. U nisëm pasdite dhe atë natë fjetëm në Shkodër të dy, tek baxhanaku i Lymit. Para nisjes, Lymit iu lut djali i tij, Beni, që ta merrte me vete, meqë ai vinte shpesh me ne. Njëherë Lymi pranoi, por shpejt e ktheu mendimin. Ai atë ditë mori nga shtëpia një automatik të vogël që nuk e kishte marrë kurrë me vete, pasi ai merrte vetëm armën e gjahut (çiften) në raste të tilla! Atë natë që fjetëm në Shkodër, makinën e lamë në një repart ushtarak tek Korpusi i Shkodrës. Të nesërmen u nisëm për rrugë dhe para se të niseshim për Fushë-Arrëz, kemi ndaluar në Pukë, ku Lymi takoi shefin e Degës Ushtarake. Rrugës, blemë diçka për të ngrënë. Në një moment Lymi më tha të ndaloja makinën, se ai do e merrte vetë dhe unë ashtu bëra. Lymi hipi në timon dhe u nisëm. Ai ishte një mjeshtër i vërtetë për të gjitha llojet e automjeteve. Afër një kthese, makina nuk preu por u ngjit lart disa metra dhe u kthye përsëri përmbys në rrugë. Lymi u dëmtua shumë në kokë nga hekuri i xhamit të makinës, ndërsa unë u mundova ta ngrejë për t’i fshirë gjakun që i dilte nga balli. Por ai e kishte mendjen tek unë dhe më thoshte të ngrija rrobat, se mos kisha marrë plagë në trup. Ndërkohë pas nesh vjen një makinë “Skoda” e Shkodrës dhe Lymi ngrihet e hipën vetë në kabinë. Para se të hipnim në makinën që erdhi, kur ishim të dy të rrëzuar, unë i thashë Lymit të marrë automatikun e të qëllojë për të bërë alarm. Ai u ngrit vetë dhe e mori automatikun, se unë nuk dija ta përdorja dhe qëlloi disa herë. Makina e Shkodrës na çoi në spitalin e Fushë-Arrëzit, ku ishte një mjek i ri që bëri të pamundurën me ato mjete që kishte për ta mjekuar Lymin. Ai u lidh menjëherë në telefon me Tiranën, duke kërkuar një helikopter, sepse e shikonte se plaga e Lymit në kokë ishte e madhe e ai po keqësohej nga çasti në çast. Unë fillova të qaja dhe deshën të më nxirrnin jashtë sallës së mjekimit, por Lymi nuk i la, duke më thënë mua: ”Ti mos u largo nga koka”. Në telefon me Tiranën morra vesh se kishin dalë Beqir Balluku dhe Rrahman Përllaku, i cili ishte njeriu që Lymi donte më tepër. Lymi kërkoi që nga Tirana të vinte doktor Koliqi, që ishte në Spitalin Ushtarak. Helikopteri nga Tirana erdhi rreth katër orë pas njoftimi dhe me të erdhën mjekët kirurgë, Ismail Feta dhe një doktor tjetër bashkë me shefin e Artilerisë së Flotës Ushtarake Detare. Kur mbërritën ata, Lymi kishte ndërruar jetë. Unë kam ardhur me makina të rastit copa copa vetëm të nesërmen në Tiranë dhe dy ditë pas aksidentit, mua më thirri shefi i Sigurimit, Qemal Pashaj dhe më pyeti rreth aksidentit. Unë nga ai mësova se ekspertiza kishte nxjerrë makinën tonë me defekt. Pas dhjetë ditësh unë jam transferuar nga reparti im në një repart tjetër dhe makinën time nuk e pashë më kurrë. Unë dhe sot e kësaj dite dyshoj dhe nuk përjashtoj mundësinë se ky aksident na ishte kurdisur nga Sigurimi i Shtetit, duke na dëmtuar makinën kur ka qenë në repartin ushtarak në Shkodër dhe as nuk përjashtoj mundësinë që makina jonë është qëlluar me armë në momentin e rrëzimit”, përfundonte dëshminë e tij Petrit Topi, e cila ka qenë dhe dëshmia e parë dhe e fundit që ai bënte për atë ngjarje, pas një insistimi të madh nga ana jonë dhe e familjes së Myslym Ketës.
Heshtja pas vdekjes, ose “vdekja e dytë” e Lym Ketës?!
Pas vdekjes së Lym Ketës, Komiteti Qendror i PPSH-së doli me një komunikatë të thatë, kurse në varrimin e tij kanë marrë pjesë me mijra banor të Tiranës dhe fshatrave përreth. Nga familja e Enver Hoxhës nuk pati asnjë telegram dhe asnjë vizitë kortezie. Personalitetet e tjera të larta që bënin vizitat me rastin e 5 Majit në shtëpinë e tij, filluan të rrallohen çdo vit deri sa ngelën vetëm aktivistët e lagjes. Menjëherë pas vdekjes së Lymit, “shokët e Partisë” nxitojnë dhe marrin të gjitha kujtimet dhe shkrimet e Lymit për t’i bërë një monografi që nuk u botua kurrë! Por dyshimet mbi eliminimin e Lym Ketës “për arsye shtetërore”, nuk mbetën më të tilla dhe iu “vu vula” në vitin 1980, kur Partia dha urdhër dhe arrestoi edhe të gjithë shokët më të ngushtë të tij që mbanin funksione dhe poste të larta, si: Ali Kubati, (ish-nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës), Edip Ohri, (ish-deputet dhe Komandant i Aviacionit Luftarak të Shqipërisë), Sabri Pilkati (ish-prokuror dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, Dhimitër Mano (kunati i Myslym Ketës), etj., e deri tek motra e Lymit që u internua për disa vjet në Tepelenë. Sipas një ish-funksionari të lartë të ish-Sigurimit të Shtetit, plani për arrestimin e grupit të Myslym Ketës ishte planifikuar prej kohësh por ai u shty me qëllim që të mos lidhej me vdekjen e tij, pasi sipas shumë informacioneve që kishte Sigurimi, njerëzit që pas vdekjes së tij filluan të flisnin. Gjë e cila detyroi udhëheqjen e lartë të shtynte arrestimin e shokëve të Myslymit, por jo survejimin ndaj tyre! I cili përkundrazi u shtua së tepërmi. Dhe shokët e Lymit kur mblidheshin bashkë duke pirë dhe ndonjë gotë apo për të bërë ndonjë dorë letra, kujtonin edhe shokun e tyre. Kujtonin edhe ngjarjet kur u trokisnin në derën e shtëpisë njerëzit e Sigurimit, ku Lymi i irrituar u kishte dalë njëherë me pistoletë në dorë duke i kërcënuar se do ju hidhte trutë ne erë atij dhe atyre qe e kishin dërguar…?!
Si u anulua dokumentari për Lym Ketën ditën e transmetimit?!
Ndërsa kishin ndodhur të gjitha këto, në vitin 1986, shkrimtari Skënder Jasa dhe një regjisor i Radio-Televizionit Shqiptar përgatisnin një dokumentar televiziv për heroin Lym Keta, i cili dhe anonçohet për transmetim, por ditën e shfaqjes, me porosi nga “lart” ai anullohet dhe nuk transmetohet. Arsyea: Lymi nuk është “Hero Kombëtar” por vetëm një hero lokal! Këto ishin aktet që shënuan edhe vdekjen e dytë të Lymit, kolonelit “Heroi i Popullit”, që vdiq në rrethana misterioze dhe ende sot e kësaj dite nuk ka një version të qartë mbi eliminimin e tij?!/Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016