Adnan Muka
Pjesa e dymbëdhjetë
(103 letra nga burgjet komuniste)
Letra nga burgu i Burrelit 1953 – 1965
Memorie.al/E diel 29.01.1967, ende pa ague dita, e errësina ishte drejt largimit, kur s’u shifte njeri i gjallë në rrugë, trokita fort në derën e Kuvendit Françeskan, në lagjen “Arra e Madhe” të qytetit. Duel roja (apo portieri).
– Kërkoj Padër Frano Kirin.
– Asht fjetë, – m’u përgjegj.
– Çojeni, due me e lajmue për vdekjen e nji miku e shoku!
Mbas pak kohe dera u rihap e u përballa me Padër Franon. Sapo më pa, i ndrroj fëtyra, sikur u mpi, u mendue mirë e s’foli për nji çast, e së fundi pa më ngushllue, më tha: “Bir, ju ka lanë të pasun!”. Rrugës me biçikletë për kthim në shtëpi, ku më priste nji mal me punë e probleme, fare pak mendova për fjalët që ndigjova. Ashtu shpejt e shpejt e pyeta vehten: Ç’pasuni na la? Na asht konfiskue pasunija e luejtshme dhe e paluejtshme, na u konfiskue…kishim mbetun vetëm na, familja e tij: halla, e motra, grueja me tre djelm e dy varza.
Trashigimni e mirë e e lakmueshme…, po mbi të gjitha na la emën të mirë: punë të lavdueshme në dobi të Atdheut, arsimit kombëtar, kulturës e fees islame. La vepra konkrete, shkrime të botueme, dorëshkrime…po, po, na la edhe letrat nga burgjet komuniste me atë shkrim të bukur, tue shprehë dashnin ndaj familjes në mënyrë të përkryeme artistikisht.
Këto 103 letra u ruejtën si gja e shtrejtë, si relike, si thesari ma i madh i lamun prej tij. Kur mbrrita në shtëpi, në lagjen Parrucë, isha i qetësuem e i gjallnuem. U mbusha plotë me energji për me përballue atë ditë mortore, që njiherit ishte edhe ditë fitoreje, sepse na: baba dhe familja, mbrritme me triumfue mbi 7000 ditë vuejtjesh me privim lirije, në kampe pune të detyrueshme e burgje, dhe për afro 500 ditë (mbas daljes gjallë nga burgu) bashkëjetuem shumë gëzueshëm në shtëpinë mbi 200 vjeçare të Mukejve, në Shkodër.
Në vitin 1997, prof. Vehbi Hoti, pedagog i Psikologjisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, letrat nga burgjet i ka përkufizue në këtë mënyrë: “Letër-këmbimi me familjen … janë shprehje e personalitetit të tij të gjithanshëm. Janë prozë me frymëzime poetike, shumë emocionuese dhe edukative. Me plot të drejtë ato mund të quhen si një “doracak” për edukimin në përgjithësi dhe edukatën familjare në veçanti. Përfaqësojnë një bashkëbisedim intim me familjen, veçanërisht me fëmijët e vet. I këshillon dhe i udhëzon, u kërkon dhe i nxit për të ecur gjithnjë përpara. “108 Letrat nga burgjet, janë nji prej mënyrave që i burgosuni kishte mundësi me komunikue kryesisht me familjen. Për me dalë në “liri” ato duhet të plotësonin kërkesat e rregullores: t’ishin të shkurtra, rreth 1 faqe letre fletoreje shkrimi, të shkruheshin qartë e të kuptueshme, për çështje që kishin të bajnë me shëndetin e nevojat e të burgosunit; 1 letër në muej lejohej. Letra mbasi u kontrollonte, fati i sajë për t’i shkue familjes ose jo mbetej në gjykimin e operativit… Shumë herë letrat s’kanë ardhë, sepse në situata të caktueme, sidomos kur të burgosunit ishin në kampet e punës, ose kur i burgosuni dënohej për “thymje të rregullores”, ndërpritej komunikimi dhe marrjet e letrave dhe ushqimeve. (Kjo ka ndodhë shpesh në burgun e Burrelit), prandaj dhe letrat s’janë rregullisht krye çdo muaji. Gjatë kohës që Sheuqet Muka ka vuejt dënimin në Shkodër, ka dërgue pak letra. kjo sepse bajshim takim mbas 1 palë hekurash të trashë në distancë 1 metër larg. Nga burgu i Shkodrës në këtë libër paraqiten 12 letrat e para (20.IX.1951- 15. III. 1953), ndërsa 91 letrat e tjera janë nga burgu I Burrelit (1953 – 1965).
Letërkëmbimi nga burgu i Burrelit, që ishte mbi 100 km larg Shkodrës, ka qenë më i shpeshtë. Për afër 19 vite burg, familja e tij ka muejt me ruejt 103 prej tyne. Mungesat si rrjedhim: s’janë lejue me u dërgue (janë ndalue) ose s’kanë muejt me u ruejt nga ana e jonë. Këto që janë ruejt, po botohen të gjitha, pa asnji ndryshim e nji pjesë e tyne (ato të lexueshmet, që s’janë shkrue me lapsë plumi), të skanueme. Qëllimi me kuptue disa aspekte të kushteve, po dhe me tregue si arritme me komunikue, pandërpremje, me babën në burgje, tue mbajtë të lidhun me ne, tue i dërgue në vitet e fundit të burgimit çdo javë (të hanen) nji letër dhe çdo mes muaji nji telegram me përgjigje. Komunikimi e mbajti gjallë dhe mirënjohja e këtij të burgosuni politik të ndërgjegjes, asht e pakufi, siç do të lexohet e përshkruhet me fjalë prekëse të bukura në këto letra. Këjo rregullsi me letra, telegrame komunikimi të thjeshtë familjar, u ba objekt vlerësimi nga komanda e burgut dhe i’u rekomandohej të burgosunve si shembull për t’u ndjekë.
Derg. Sheuqet Muka. Burgu i Anmiqve të Popullit, Shkodër
Dërg. nga Rep 321, Burrel
Letrat nga burgjet, që fillojnë në vitin 1951 dhe mbyllen me letrën 1 gusht 1965, janë të rralla në llojin e vet e ndoshta dhe të vetmet, që janë ruejt e po botohen. Vlerësimi i tyne i takon lexuesit.
Me zarfin derg. Sheuqet Muka. Burgu i Anmiqve të Popullit) Shkodër me siglen në krye të çdo letre V.F.L.P. (Vdekje –Fashizmi, Liri-Populli). Dërgue nga Rep 321 Burrel (adresa e këtij burgu A.M.)
Vijon nga numri kaluar
Letra Nr. 91
Me, 01. 08. 1964
Meserret;
“Me rastin e ditëlindjen, pehlivanit t’onë Uranit, qi pat fatin e bardhë bashkë me vëlla e motër- me marrë simjet edhe diftesën e maturës, po i sjelli urimet ma të përzemërta. Na u baftë njiqind vjeç!” Jo, s’e mbajë vedin fare prej gëzimit qi më falen edhe kësajë herë letrat e marruna gjatë mojit të kaluem. Veçanarisht letra e bukur e Xhevadit, qinisë e thurë me përmbajtje dishiresh e urimesh të veta e të familjes, m’i dha edhe nji hov ma të gjallnueshëm kënaqësis s’eme shpirtnore! S’due të kaloj pa shënue këtu se, sinjalin e parë të këtij gëzimi të madh me të cilin jam tue shkrue këtë letër, m’a suell telegrami i Symes, qi më lajmonte shndetin e mirë t’uejin. Përherë mirë e ma mirë ju paça! Marrja e diftesavet të maturës, në radhë të pare tregon për ju të treve, dashunin e admirimin ndaj arësimit e kulturës, etjen e madhe e përpjekjet e pandërpreme për to, dhe vullnetin e fortë e kambëngulës për të dalë në krye të qëllimit final.
Diftesat e maturës, përveç vlerës së tyne si dokumenta shkollore zyrtare, janë pernjiheri dhe stoli tejet të bukra për marrësit, pse venë në pah aftësit mendore me të cilat jeni të pajuem. Prandej edhe me këtë letër, ka vend të plotë t’i përsëris edhe njiherë urimet e mija mbasi sod ato i kemë në dorë e i zotnoni vetë. I gëzofshi! Në pasqyrën e notavet Urani nxente vendin e parë me pesa, të dytin vullnetmadhja Tija e urtë, ndërsa me katërsha, sipërmasija u takonte ju, o Babushi i jonë fort I dashtun. Njimi herë ju lumtë! Maturanti, me mësimet sistematike qi ka të zhvillueme, e ka të përgaditun e të shtruem sheshin për studime të matejshme e shembullin e gjallë të kësajë së vërtete, fatbardhësisht asht tue na e dhanë orrli i jonë Adnani, të cilit më përket t’i sjelli përgëzime mbi përgëzime e lavde mbi lavde për fitimet ziliqare të korruna rrokull tri vjetve në fakultetin ekonomik dhe merita ma e madhe e tij asht se po e kryen me anë të korispondencës! Tencit, Tanushit, Fanit e Kujtimit u sjelli urimet e mija për përfundimin me sukses t’institutit pedagogjik dyvjeçar të Shkodërs ashtu edhe prindvet të tyne, tue i falnderue që të gjith për përshndetjet e urimet qi më sjellshin. Do t’u gëzojshe sikur të kishe fotografit e të katërtve. Qofshin me jetë e paçin sukses n’ushtrimin e profesionit. Smajlit falnderime, urime e të fala. Qi mos të ju takojë me ardhë mâ para festës së Njezetvjetorit të Çlirimit ju pres të vini kah fund i mojit ose në javën e parë të shtatorit. Sazerm, voj më siellni pak ma tepër. Përveç pak kërtollave të mira e oris, artikuj të tjerë si groshë, makarone mos më bini, as qymyr e krypë. Ndallat mos i siellni. Për tesh s’kam nevojë asgja për me më prue. Në t’i prueftë Musaja nji palë pantollona m’i bjer. Lekët I kam marrë. Tashti mora letrën datë 27 Korrik. Më gëzoj. Të fala e të rrokuna të gjithvet e gjith t’onve q’atyne qi më kujtojnë e pvesin për mu. Lirijen e Tijen i puthi fort e fort. Familjeve të Myhsinit e të Xhevatit selam.
1 Gusht 1964
Baba i juej:
Sheuqet Muka
Letra Nr. 92
Me, 01. 09. 1964
Meserret;
Jam shum mirë, njashtû si më gjeten e më lane motra Fete e Adnani në takim. Prandej për mue, s’duhet të keni kurrfarë maraku. U gëzova sa s’ka ma, kur pava Feten t’onë të dashtun, se e kishim pasë faret mirë për kah shndeti, jo ndryeshe – qi të mos tham as ma tepër as ma pak- por sikur at-herë qi vinte me fjetë te na. Uroj qi edhe halla Xhevan e Symen e gjith tjetër t’onë, t’i kemi gjithnji mirë. Letrat e mojit të kaluem i kam marrë, ashtu edhe telegramin e Uranit. Sa me gëzim i pres! Tue i këndue, më falin flladin e amël t’erës s’uej, qi për mue s’kanë pagim. Punëbukravet halla Xhevas e Hakas, i u prarofshin duert edhe furnizuesvet të tyne Fetes e Symes, i u lumshin! Edhe mukeshës maturante Tijes s’onë qi thurë e punon natyrisht në mënyrë artistike, po i sjellë urimet ma të mira qi të pëlqejë. Sa për ju me vëllazën, qi s’kurseni me plotësue të domosdoshmet, çdo fjalë lavdi asht pak, shum pak. Lirijes së dashtun, tue i puthë të dyja faqet, i uroj në veçanti, të gëzojë shndet të plotë. Uranit, në vitin e ardhshëm, kam me ia ba gojarisht urimet e ditëlindjes, mbasi ka me më pasë pranë vedit, e ky rast i mahnitshëm ka me qenë gëzimi ma i madh i tij, përnjiheri edhe i gjith ne tjervet! Adnanit po i uroj me pasë sukses në zbatimin e planit të hartuem, për të krye studimet universitare në vitin që vjen. Ne letrën qi të më shkrueni, të më lajmoni mbi përfundimin e dy provimevet qi ep, në fillim të këtij moji. Gjithashtu të më bani me dijtë n’u asht pranue kërkesa e Uranit e Tijes, për të vazhdu studimet e matejshme. Megjithse Xhevati se më ka këqyrë, anima mue më vjen keq qi s’kam rast m’i shkrue t’et. Mbarë familjes së tij të më i u bajë të fala e, atë vetë, po e përqafoj përzemërsisht. Ruzhdis patjetër nji selam. Edhe Reufit e Sheuqetit. Po me atë gëzim qi ka ngufue në zemrat t’ueja, kur keni mësue prej gojës Fetes e Adnanit qi jam mirë, edhe vetë po mbylli këtë letër, tue ju përshndetë të gjithvet êmën për emën e tue ju përqafu përzemërsisht. Shum të fala edhe t’afërmvet t’onë, kojshivet, miqvet dhe shokvet, posaçërisht Nebit e Zihnijes.
1 Shtatuer 1964
Baba i juej:
Sheuqet Muka
Letra Nr. 93
Me, 01. 10. 1964
Fort i dashtuni babushi i jonë Meserret;
“Uroj përzemërsisht qi përvjetori i ditëlindjes, të ju gjejë sa ma mire e t’a pritni sa ma gëzueshëm se ndër vjet e tjerë. Pa rrofshi sa mallet!” Sa ma tepër qi vjen tue u afrue koha e lirimit aq ma pranë jush më bahet se jam. Ndonëse kam plot njimëdhet muej për me shlye dënimin, anima kah jemi para festës së Njëzet vjetorit të Çlirimit, kemi shpresë të madhe lirimi e, me këtë erë shprese nxeturisht freskohem. Le të shpresojmë. Me shndet, shyqyr jam mire. Letrat qi më keni çue i kam marrë. Gëzimi i jem s’ka masë, kah ju kam edhe ju të gjithve mirë. Për urimet e ditëlindjes, veç kësajë letre, po ngarkoj edhe halla Xhevan me të rrokë e me të puthë. Shegas të m’i siellni urimet e mija. Djelmët i pastë me jetë e uroj që t’i fejojë e t’i martojë po ky vetë. M’i ban edhe shum të fala ashtu edhe gjith familjes së tij. Urimet e Xhevadit e të familjes së tij i kam pritë me shum mirënjohje. Selam të gjithve. Për asgja s’kam nevojë edhe ushqime kam mjaft. Prandej s’ka nevojë qi të vini. Për lek qi i paç thane Adnanit, mos harroni me m’i çue. Mundësisht edhe pak duhan. Ju rroki me mallë të gjithvet. Zijan qi m’uroj edhe e puthi. Të fala ma, po qi po, edhe atyne qi pvesin.
Me 1 Tetuer 1964
Baba i juej:
Sheuqet Muka
Letra Nr. 94
Me, 01. 11. 1964
Meserret;
Le të shpresojmë që këjo letër, mos të i u përngjâjë atyne të përparshmeve, por uroj të jetë edhe e fundit! Sihariqin e lirimit së shpejti, kam shum shpresë se ka me na e trompetue festa e Njezetvjetorit, urimin e së cilës, po rezervohem të ju a bâj hë për hë, me qi rasti më ban me besue se e kremtoj pranë jush e at-herë, ju a uroj gojarisht. Me shndet mbahem gjithnji mirë, sado qi si rrjedhim I moshës së kalueme, jam pak i lodhun. Në se gëzoj sod shndetin qi kam, këtë, përveç furnizimevet, do të i u a dijë për nderë edhe letravet qi kam marrë rregullisht, të cilat kah me njoftojshin se ju kam mirë të gjithve, më freskojshin shpirtin e, përnjiheri, m’epshin edhe guximin me mposhtë e me përballue mërzín qi orvatej orë e ças me më rrethue e bile me më pre deri shpresen, për me më hjedhë mandej me humneren e pikllimit. Në se ka me qenë nevoja me ardhë, keni me më sjellë qymyr pak ma tepër; përsa i përket veshmbathjes, përveç dy pale çorapeve e nji palë ndalla pa gozhda, asgja tjetër; se për çfarë ushqimesh kam nevojë e din vetë. Çajë kam, pak luleblini mirë do t’ishte. Pakon e mora. Edhe përshndetjet e përqafimet qi po ju sjelli të gjithve kësajë herë, qofshin të fundit si letra vetë e me kaq po përfundoj, qi të mos prishi shijen e amëlcinës së sajë qi ka në vetvedi.
Me 1. XI 1964
Baba i juej:
Sheuqet Muka
Letra Nr. 95
Me, 01.12.1964
Babushi i jonë Meserret;
Jam rahat e mirë e me shndet krejt në rregull, sa mos me ia pasë kuej lakmí të moshës s’eme. Edhe me kambë jam mirë faret. M’u ankue, do t’ishte nji e mbetë e bile nji mkat. Pra për mue mos të keni kurrfarë kasaveti e mërzzije. Uroj të ju kemë mire edhe juve të gjith e veçanarisht, sokoleshës halla Xheva, Ragibit, Hakas, Zades i u lus jetë e mbas nandë muejve qi na ndajnë t’i gjejë bashkë me ju, shndosh e mirë, siç na dishron zemra të gjithvet. Edhe pesqind lekt i kam marrë. Për asgjasendi s’kam pasë mungesë, por kam pasë gjithça, sidomos gurabijat e fundit më kanë kënaqë. Me gjumë e hae e kam punën për bukuri. Të fala e përqafime të gjithvet. Lirijen e Tijen i rroki përmallshëm. Xhevadit e familjes së tij përshndetjet e mija të përzemërta. Hamidit të halla Sebijes, të cilin e kujtoj shpesh, përshndetje të zjarrta.
1 Dhetuer 1964
Baba i juej:
Sheuqet Muka
Letra Nr. 96
Me, 01. 01. 1965
Fort i dashtuni Meserret;
Prej takimit me Xhevatin e Uranin, megjithse kaluen trí javë, më bahet se i kam gjithnji para syvet. Që do të vinte me më marrë bashkë me ju ose me Uranin që kishte radhën, kjo më përshkohej nëpër mend e ktë m’a ndiente zemra, por se do të vinte për takim këtë s’e kishe mendue. Jam gëzue tepër, pse s’e kishe pa prej ma se pesemëdhet vjetve. Shyqyr ishte mirë shum edhe me shndet e m’i thuej se m’a ka ba qejfin mjaft, shum e shum ma tepër se ajo e fotografis. E falnderoj përzemërsisht, përnjiheri dhe për çë më kish sjellë. Porsa mora lajmin e zí të vdekjes së hallës së tij, menjiheri i çova nji telegram ngushllimi t’et. M’erdh mjaft keq. Ngushllimet e mija edhe Tahirit e së shoqes të Jahit. Mos i u raftë e ligë ma! Veç familjes së vet, të më i u bajë të fala edhe dajavet qi ka, ashtu edhe Ruzhdis. Uroj të ju kemë gjithnji mirë me shndet, M’i thuej halla Xhevas e tjervet se pa u fejue ju, s’ka si vjen nusja në shpi. Mos të fejofshin këto, do të iu shkruej Shuajbit e Ruzhdis, mbasi as ju s’po jeni i zoti m’u fejue vetë e me m’a plotësue edhe këtë dishirë. Sa mirë paç dijtë vetë. Symja, le të qeshi sa të dojë. A s’asht kështu Fetja jeme e dashtun? Me halla Xhevan në krye, po ju përqafoj përmallshëm të gjithvet nji nga nji. Ju paça sa ma mirë! Deri kah marsi s’ka nevojë që të vini. Po pata nevojë, ju telegrafoj. Edhe pare kam njiherë. Nëse ju teket me më çue ndonji send q’i pëlqen plakut, epjani ndokuej qi u sjellin të vetvet ushqimet. Me anë të postës, mos më nisni gja. Besoj me kaq, të jemi të marrun vesh. Ne letrat me nji fletë qi të më shkruej Adnani, le të shtijë mbrendë nga nji zarf të pashkruem. Pulla postet s’asht nevoja. Rreth telegramit qi ju çova mbas takimit, s’më keni shkrue gja. Adnani a i përfundoj provimet e vitit të katërt? Urani e Nexhatija a studiojnë gjithnji? Për Lirijen s’kam ç’a pves por po e puthi fort e fort. Fetja e Symja të shkojnë te Xhema e të m’i bajnë prej mejet urimet e martesës së Feridit. I martoftë vetë edhe tjerët, në darsëm të cilvet kam me qenë edhe vetë. M’i bani shum të fala, ashtu edhe djelmvet e varzavet të sajë. Selam Ragipit, Zijas, dajavet, Myhsinit e famlijevet të tyne edhe Domnorvet ashtu edhe gjith atyne qi pvesin për mue e më çojnë të fala e veçanarish Nebit me djelm e varza e motra dhe Zihnijes me gjithë vajzë. Ju uroj vitin e Ri edhe Ramazanin.
1 Kallnuer 1965
Baba i juej:
Sheuqet Muka
Letra Nr. 97
Me, 01. 02. 1965
I dashtuni Meserreti i jonë;
Nesër ditë bajrami; urime. Por nesër plot shtatë muej, âsht data e lirimit t’em, në të cilën bâhem edhe un i lirë si ju tjerët. I madh tejet ka me qenë gëzimi i jonë, pse shpís s’onë i lén prap po aj djalë për të dytën herë, jo mâ fëmi si herën e parë, por si burrë shtatdhet e tetë vjeçar. S’dij si ka me m’u dukë vedi, mos si jabanxhi në shpín t’eme? Nuk besoj. Mirë ju gjetsha të gjithvet! Halla Xhevja qi më ka rritë ka m’u gëzue mâ tepër se na tjerët. Të gjitha letrat e mojit të kaluem si edhe telegramin e motërs Fete i kam marrë. Plot me vend âsht shprehja se letër-këmbimi âsht gjysë takimi. Shend e gëzim më përshkojnë e depërtojnë anë për anë, kah ju kam mirë të gjithvet për nga shndeti. Për Adnanin u gëzova qi i kish kalue dhima e krés e përnjiheri po i sjelli edhe urimet e mija për suksesin qi kish pasë në dy provimet, shpresoj qi edhe provimin e tretë t’a ketë dhanë. M’u ba qejfi shum për festimin e ditëlindjes së Nazimit. E paçim me jetë. U shendova mjaft për oden që âsht lirue. Se si ka qenë kjo odë para pesëdhet vjetve, le të ju flasë halla Xhevja. Jam i mendimit qi mos të bani në të riparime të tepërta përveç asajë pjesë së vogël qi
âsht tepër e domosdoshme. Kur të vi vetë, e shestojmë bashkarisht planin e ndreqjes së sajë. Për shtatë muej qi më kanë mbetë, dy takime janë mjaft: njeni në mars e tjetri në qershuer, por gjithherë me mot të mirë. Kësaj radhe, o eni në fund të këtij moji o në javën e parë të marsit, si të ju vijë edhe jú má lehtë e má mbarë. Ushqime: mish, groshë, makarone e oris s’due faret; sazërm, djath e voe, má pak se herën tjetër; sheqer e nisheste pak má tepër edhe qepë; miell të mirë e hudra si gjithnji. Salcë, po pat mundësi, s’e harroni, edhe nji kallep sapun duersh e nji për rrobe, por jo má tepër. Qumështi, kosi, peshku, myzhevina e gurabijet sidomos ajo e Xhevadit kanë qenë ushqimi má i miri për mue. Presh e hudra të njoma e sallatë mos më sillni; po pat spinak e pazina i pres me të mire qejf. Për nji fandelë pamuku me mangë kishe m’e dashtë. Me të marrmen letrën, më çoni pak lek. Kur të vini më bini zarfa pa letra e pa pulla. Falnderoj Smajlin, Xhelën, Reufin e Sheuqetin për urimet e Vitit të Ri qi më sollen. Më u bâni të fala. Të fala e urime të gjithvet êmën për emën e kush të ju pvesë.
Baba i juej:
Sheuqet Muka
Letra Nr. 98
Me, 01.03.1965
I dashtuni Meserreti i jonë;
Këtë letër po e shkruej me shum qejf, mbasi në takim, më gjetët fare mirë me shndet, ashtu siç ju dishron zemra të gjithvet për me më pasë. Po edhe un u gëzova tepër, kur ju pava me sy se edhe ju vetë kishi gëzue shndet të plotë e kur mësova prej gojës s’uej si edhe gjith pjestarët e tjerë të familjes e të rrethit t’onë i kishim pasë mirë. Me himjen e mojit të prendverës, le të shpresojmë se stuhija e madhe qi shpërthej në mojin e shkurtit të ketë marrë fund njiheri e mirë. Vetë, këtë dimën qi më trembte aq tepër, për mrekulli, pothuejse e kalova pa më lodhë. Për djalin qi i ka le Dinit u shendova tepër. E paçin me jetë. Irfanit, qi tash asht ba burrë, po I puthi faqet e mbas gjasht muejve qi të kthehem vetë, do t’a rroki fort e fort. Prindvet të tij e gjith pjestarve të tjerë të familjes të ndjerit axha Elezit, u baj shum e shum të fala. Jo, s’ka qenë i paktë gëzimi i jem, kur mësova prej letërs të Adnanit, këthimin e Shaqos. Urimet e përshndetjet e mija ma të përzemërta të më ia siellni. Po, edhe Danit t’onë, për të cilin edhe mue më ka marrë malli mjaft si edhe bashkëshortes së tij, urimet e mija për lirimin e dhandrit, tue i u sjellë përnjiheri edhe të falat e mija të panumërta. Xhevatit e Xhelalit e gjith varzavet të Danit e të Vacës si edhe dhanduervet të tjerë shum të fala. Nuses së Xhevatit, po qi po. Symja, në vend të mishit e të fiqvet, po të më kishte çue pak mafishe e pak partagala, do të më kishte kënaqë. Plaku, kur të jetë edhe pa dhamë, don gjana të buta. Pa ju shkrue vetë, s’ka nevojë që të vini. Po patët rast me më çue për ndokend jeshilleqe, do të bajshi shum mirë. Të fala të gjithvet êmën për emën. Xhevatit e familjes së tij gjithashtu. Edhe Raufit e Shefqetit qi më kujtojnë.
Burrel, më 1.III. 1965
Baba i juej:
Sheuqet Muka
Letra Nr. 99
Me, 1 Prill 1965
Fort i dashtuni Meserret;
Gëzoj shndet të plotë, sa mund të tham qi gjindem mos ma mirë se më keni lanë ditën e takimit. Jam shend e verë qi po afron dita e lirimit, dita m’u shmallue me ju të gjith njiherë e mirë e me kalue pranë jush në qetësi ditët e pleqnís e, me këtë shpirtë e frymarrje, shpresoj me përballue edhe pesë muejtë qi më kanë mbetë. Tue ju urue vjet ditëlindjen, paç kujtue se s’do të kishim ma rast m’e urue shoqisho’jn me letra, por do t’i kremtojshin gjith së bashkut. Prandej as ditëlindjen e Nazimit t’onë të dashtun s’e ceka faret, megjithqi u gëzova tepër qi e kishi festue e me zemër ju urova e falnderova. Po, a e harroj un dorëarten Tijen t’onë qi më ka lemun në mojin e vjollcavet e të zymbylavet, porsa pat nisë m’u afrue agimi i prandverës? Nji qi din ç’asht dashní prindore, s’e len kurren e kurrës mendja të përdorë shprehin e frazës se e ka harrue baba! Na, puntoren e dallueme e maturanten t’onë Tijen e dashtun, të cillen për kah mosha e kemi ma të voglen në gjinin e familjes, jo ma me e lanë mbas doret, por e duem e kemi detyrë m’e dashtë të gjith, ma tepër se duem njeni tjetrin. Për me provue këtë dashtní, un ditën e lirimit, mbasi t’a kemë puthë e rrokë fort e fort, do t’i ngjes krahin asajë e motrës së dashtun Fete, që prej derës s’oborrit e deri sa të ngjitem me to bashkë në çardakun e shpís. Ju paça të gjithvet mirë gjithnji e me ju bashkë edhe Xhevatin t’onë e familjen e tij prej të cilit mora letrën e dashtun e për të cilën e falnderoj përzemërsisht. Mbasi ju pritkeni gjithnji me pasë urimet e ditëlindjevet kësaj here sokoleshës Lirije, po i sjelli nji urim të thjeshtë, por t’amël, me që edhe fejesa e sajë rastisi po në mojin e ditëlindjes e, motin që vjen, i a urojshim gjith së bashkut në familjen e re të miqvet t’onë, ku e prêt fati i lumtun. Meqi më pvetni, ju pres të vini në mbarim të mojit ose në fillim të Majit, por ma me pak ushqime se radhen tjetër. Artikujt qi ju kam shkrue në letrën e Frorit për mos me m’i prue, perveç pak orizit, mos m’i siellni faret; kështu edhe myzhevinë, nisheste, miell, salcë, fiq, kumbulla e sapun s’due hiç. Po pat barishte e kumbuj sakezi, mirë bani me m’i prue nga pak prej tyne. Përshndetje e urime bajrami të gjithvet.
Baba i juej:
Sheuqet Muka
Letra Nr. 100
Me, 01. 05. 1965
I dashtuni babushi i jonë Meserret;
“Orrlit të shtëpís s’onë universitarit Adnan, me rastin e ditëlindjes qi ka, baba po i sjell urimet má të përzemërta, tue i urue qi edhe në vitet e ardhshëm, t’a festojë gjithnji me të mira të pandërpreme gjith si i dishroftë zemra e tij bujare, e i a daltë me krye me sukses fakultetin ekonomik tue na u ba përnjiheri edhe njiqind vjeç!” Dje mora edhe letrën e javës së fundit të mojit të kaluem, e cila m’a shumfishoj gëzimin qi më falen letrat e mápërparshme. Sa ma tepër avitet dita e lirimit, aq ma shum afrohem trupisht e shpirtnisht pranë jush, mbasi edhe me shndet e punë shyqyr ju kam pasë gjithnji mirë. Të dashtunen halla Xheva s’e kam pa që prej 15 Dhetuer 1958 e Symen që prej 1 Maj 1959 qi erdh me më takue në spital mbas katër ditve qi ishe bâ operacion. Uroj t’i kem pasë e t’i kemë gjithnji mirë. Sa për ju tjerve kam pasë fatin të ju shof me radhë herë pas here në ditët e takimit. Edhe vetë, siç ju lajmova edhe telegrafisht, kam gëzue e gëzoj gjithnji shndet të plotë e fare të mirë. Pa asnji marak e kasavet për mue! Nesër katër muej, si gjith ju tjerët me Feten e halla Xhevan në krye, edhe Symja, po edhe Symja e jonë ka me pasë bri vedit, mbasi në këtë ditë, të cilën do t’a kremtoj si ditëlindjen t’eme, më merr fund fatkeqsija! Adnani paska kujtue se Symja s’do të lvizë e s’do t’u gëzoka për mue si ju? Mendësi tejet e vjetër! Aj qi të m’a nguci ma tepër, kam me dijtë me i përgjegjë vetë, në rasë se ajo, me mirësjelljen qi e karakterizon, qindron në heshtje e s’e ven në vend. S’po shkruej ma gjatë e me kaq po e përfundoj letrën, tue urue të ju gjejë mirë si më don zemra e kur t’a shof me sy këtë ditë të bardhë e fatlume sakt qi do t’a kujtoj përherë si kulmin e gëzimit e të pritjes ma të hieshme qi kam shijue e nuhatë gjatë gjith jetës s’eme. Të fala të zjarrta të gjithve êmën për emën edhe atyne qi më kujtojnë me letra e të fala ose pvesin për mue e Lirijen e Tijen po i puthi e po I rroki fort e fort.
Me 1 Maj 1965
Baba i juej:
Sheuqet Muka
Letra Nr. 101
Me, 01. 06. 1965
I dashtuni Meserret;
Ditën e takimit, mbeta para nji surprise, kur sŷt e mí panë Tijen e bukur, të cilen s’e pritshe e, prej gëzimit menjiherë u këndela dhe në trupin t’em ndjeva nji lehtësim aq të madh sa s’ishe ma kurrkund aj i përparshmi. Takimi i atditshëm, edhe për mue, sakt qi ka qenë aj ma i bukuri. Telegrami që mora prej halla Xhevas, m’a largoj shqimit kasavetin qi kishe për të edhe letra e mavonshme e Adnanit mbandej më freskoj ma së miri, si për mirëshndetin e sajë ashtu edhe për mbarë at t’uejen. Vetë, vazhdoj me qenë gjithnji mirë e po uroj të ju kemë edhe ju tjerve përherë sa ma mirë. Po, nesër tre muej, kam me pasë ditën e lirimit, përnjiheri edhe at takimit me ju të gjithve. Le të shpresojmë të kalojnë pa u ndie, pa mërzi e tue qenë shndosh edhe këto dit të pakta qi kanë ngelë. Adnanit, i uroj me gjith zemër të ketë sukses në tre provimet e fundit të këtij viti. Telegramin e zakonshëm, kësaj herë e pres të m’a çojë prej Tirane, tue më lajmue rezultatin e provimevet. Ju pres të vini nga fundi i mojit ose në fillim të mojit tjetër. Si veshmbathje, për asnji send s’kam nevojë, prandej mos më siellni kurrnji send. Si ushqim, zarzavate me pak sazerm t’undyrshëm, qepë e pak hudra, krypë sa për shllinë djathi, tlynë, voj, djathë, duhan, oris, qymyr ma pak se herën tjetër. S’due hiç fare: mish, makarone, groshë të thatë, miell, nisheste e fiq të thatë. Dje mora edhe letrën e datës 24 Maj. U gëzova tepër. Me radhë ju përshndes e ju rroki të gjithëve nji nga nji. Selam Ragipit, Zijas, Dajave, Xhevatit e familjes së tij edhe Raufit e Sheuqetit e gjith tjerve qi pvesin për mue. Lirijen e Tijen të m’i puthë Fetja.
Me 1 Qershor 1965
Baba i juej:
Sheuqet Muka
Letra Nr. 102
Me, 01. 07. 1965
Fort i dashtuni Meserret;
Takimi qi pata me jú, më freskoj ma së miri, sepse më fali nji kënaqësi shpirtnore tejet të madhe, kur mësova prej gojës s’uej qi kishi qenë që të gjith mirë për kah shndeti e që kishi korrun fitoren e madhe në provimet e maturës. E si mos m’u gëzue, kah ju shof sod të pajisun me arsim e kulturë ma të gjanë e ma të plotë se vedin, e këtë, qetët të zot m’e sigurue e m’e festue me mundin e djersën t’uej pa ndihmën t’eme. Ju përgëzoj përzemërsisht për këtë fitore e me plot gojë po ju tham: ju lumtë! Me ju pa të mësuem e të stërvitun për kah jeta ka qenë nji prej dishirevet të mija ma të zjarrta, dishirë të cilin, tue e krye ju vetë, qetët t’aftë me m’a plotësue, e pënjiheri, me m’a lehtësue edhe përgjegjësin e nji barre morale qi randonte mbi trupin t’em. Prandej edhe faleminderëse qi e meritoni, kërkoj prej jush të m’a pritni me evari. Ju paça të gjithvet, tue urue qi, gjith jetën t’uej, e kalofshi me të mira e ma së miri! Kam marrë letrat me datën nji, tetë e njizet e dy të mojit të kaluem, ashtu edhe telegramin. Rreth shndetit të mirë qi gëzoj, s’po ju shkruej, mbasi më pat vetë me sy. Halla Xhevja, Fetja e Symja, vllaznit e motrat e tjerët, sigurisht do të jenë gëzue, kur ju keni diftue se më keni gjetë mirë dhe mënyrën se sa me qejf ju kam përcjellë. Të gjith m’i përqafoni prej meje e veçanarisht Lirijen e Tijen të m’i puthni. Falnderoj Xhevatin e të m’a përshndetni, ashtu edhe Rushdin. Të fala Vëllazën Metajve, Xhel Oroshit, mbarë familjes së Raufit edhe Sheuqetit. Adnani, besoj t’a ketë krye me sukses edhe provimin e fundit. Me të marrmen diftesat e maturës më shkrueni. Në se i u âsht pranue kërkesa Uranit e Tijes, edhe për këtë më lajmoni. Ragipit, Zijas, Dajavet, Domnorvet e familjevet të tyne shum të fala. Gjithashtu ilakavet, kojshivet, shokvet e gjith atyne qi pvesin për mue.
Me 1 Korrik 1965
Baba i juej:
Sheuqet Muka
Letra Nr. 103
Me, 01. 08. 1965
Babushi i jonë Meserret;
“Punëbukrit e dorëartit të shpis s’onë pehlivanit Uran, me rastin e ditëlindjes qi ka, baba po i sjellë urimet ma të përzemërta gjith si i dishroftë shpirti. U baftë njiqind vjeç!” Kësaj letre si e fundit, i ka hije të nuhatë lloje të ndryshme ernash të kandshme dhe të përmbajë langun e amël të lulevet tejet të shijshëm, mbasi me dy të mojit t’ardhshëm, kam fatin e bardhë të ditës së lirimit, përnjiheri edhe atë të takimit, gëzueshëm me ju në shpi, përveç Zades, të cilën vdeka, sod plot dy muej e shkëputi prej nesh, thuajse për së gjalli! Por Zijan shyqyr, po e gjejë të liruem e shndosh e mirë me të motrat. Adnanit, për fitoren e madhe qi pat në tri provimet po më kande me i a përsërit urimin, sepse vetëm nji vullnet i fortë si i tiji, i a del me pasë e me korrë at fitore qi shtini në dorë. Un e çmoj mirë se çë mund e përpjekje i a dashtë me ba që prej katër vjetësh, për me vijue me korispondencë fakultetin ekonomik, i lumtë, njiqind herë i lumtë! Po i uroj të ketë të njajtin sukses edhe në provimin vëllimtar qi ka me dhanë në paraditen e dy shtatorit, sihariqin e të cilit tash m’a ep gojarisht me t’u këthyemen në shpí. Urani me Tijen, shpresoj se do të kenë kërkue përsëri me ndjekë kursin e lartë pedagogjik, mbase këtë radhë, kanë me pasë mundësi m’e vazhdue. Lirijen, e cila ka m’u gëzue për mue, ma tepër se ju tjerët, jo ma pak se Tijen, po e rroki e po i marr erë edhe me këtë letër. Halla Xhevan e motrën Fete, Hakan e Symen po i përshndes përzemërsisht. Gjithashtu juve me vëllazen, Xhevatin e familjen e tij, Ragipin, Zijan, Dajat, Myhsinin e Shuajbin, po ju përqafoj përmallshëm. Edhe gjith atyne qi më kujtojnë e pvesin për mue, êmën për emën përshndetjet e mija. Lekët i kam marrë. Me shndet jam shum mirë.
Mirë ju gjetësha, mirë u pafshim. /Memorie.al
Me 1 Gusht 1965
Baba i juej:
Sheuqet Muka
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016