Nga Vepror Hasani
Pjesa e tretë
Memorie.al / E kishim lënë të takoheshim në një nga lokalet e Korçës. Pashë që ai po vinte me “Kadillakun” e tij, siç e quante ai biçikletën më të cilën del çdo ditë…! Pasi porositëm, “Mjeshtri i Merituar i Sportit”, Teodor Vaso, i dekoruar me ‘Medaljen e Artë’ – për merita të shquara në sport -, futbollist nga vitet 1957-1973 dhe trajner nga viti 1973 e deri më sot, nisi të më rrëfente një nga historitë e tij të futbollit: “Gjithçka për qëndrimin tim në ekipin e ‘Partizani’-t ose jo, kishte mbetur në dorë të gjeneralëve…” nisi të më tregojë ai.
Ndërhyrjet
“Drejtuesit e “Partizanit” kishin filluar nga ndërhyrjet për të mbajtur ushtarët futbolliste. Dukej sikur nuk kishte rrugë tjetër. “17 Nëntori” mbante kurorën e kampionatit për vitin 1964-‘65, por tiranasit nuk e fshihnin që do të bënin të gjitha përpjekjet që titullin ta mbanin edhe një vit tjetër. Për këtë arsye atyre u duhej së pari të ndërprisnin vrullin e “Partizani”-t. Ekipi ushtarak e mbylli fazën e parë duke marrë 96 % të pikëve të mundshme. Vetë “17 Nëntori” pati marrë 77 % të pikëve. Çështja e “Partizanit” po kthehej në një çështje dite madhore. Ushtarakët po angazhoheshin për të ndikuar në kupolën e shtetit.
Objektivi ishte i qartë: të mos lëshonin lojtarët e rretheve T. Vason, M. Haxhiun dhe R. Ragamin, të cilët me vendimin që kishte dalë, duhej të ktheheshin në qytetet e tyre. Suksesi i “Partizanit” propagandonte cilësi të epërme dhe nëpërmjet suksesit të tij ushtarakët mund të justifikonin realizimin e pretendimit të tyre për mbajtjen e lojtarëve. Gjithkush e dinte që thyerja e vendimit të Sekretariatit të Komitetit Qendror, nuk do të ishte e lehtë. Një aprovim i tillë do të krijonte probleme të jashtëzakonshme!
“Partizani” sërish do të mbizotëronte me rezultatet e tij, përsëri do të kishte numrin më të madh të lojtarëve në përbërje të kombëtares. Këtë gjë nuk e dëshironte pjesa tjetër e sportit. Ata ishin kundër zotërimit të dy skuadrave ushtarake në jetën e futbollit. Veç kësaj, kishte filluar të mos shihej me sy të mirë fetishizimi i një skuadre të vetme, cilado qoftë ajo. Kërkonin t’i jepnin fund praktikës kur një skuadër e vetme diktonte rrjedhën e rezultateve dhe të historisë së futbollit shqiptar. Në të tilla kushte ishte e vështirë të parashikoje se çfarë do të ndodhte”.
Diçka ndodhte…!
“Diçka po ndodhte me “Partizanin”. Kur ky ekip u kthye me medalje të argjendta të fituara në Laipsig, në turneun e ushtrive të vendeve socialiste, pa mbushur muajin shkoi në Berat dhe humbi me Tomorin, 2-1. Habia ishte e madhe. I vogli kishte mundur të madhin! Gjithsesi, Berati ishte ekip i ligës së parë, shumë vjet garoi me ekipet superiore të futbollit shqiptar. Por sikur të mos mjaftonte kjo, ndodhi edhe diçka tjetër. Ishte vitit 1966.
“Partizani” shkoi në Shijak dhe mori barazimin me skuadrën e “Erzenit”. Pas “Partizani”-t, në Shijak shkoi “17 Nëntori” dhe shënoi 11 gola! Lajmi u mor vesh që atë ditë: Shijaku luante pa mbrojtje! Më pas “Partizani” mori dhe një barazim në Durrës, ndërsa humbja me “17 Nëntorin” në mesin e fazës së dytë, e futi situatën në krizë. Së fundi të dy ekipet “Partizani” dhe “17 Nëntori”, e mbyllën kampionatin me pikë të barabarta.
“Partizani” në fazën e parë la vetëm një pikë, në të dytën humbi 5 pikë. Duke humbur me Tiranën në finale, u bënë 7 pikë. Megjithatë ishte realizuar një profeci që kishte kohë që përflitej: “Partizani” do të luante për kupën ballkanike të klubeve, gjë që nënkuptonte se ky ekip duhej të klasifikohej i dyti në renditjen e kampionatit.
“17 Nëntori” mbajti sërish kurorën e kampionatit. Nëse “Partizani” do të ishte shpallur kampion, atëherë do të realizonte vetëm një rrugë jashtë shtetit, sepse ekipet tona të futbollit eliminoheshin që në turrin e parë. “Partizani” preferoi vendin e dytë, kjo gjë i mundësonte dy rrugë jashtë shtetit: një në Varna të Bullgarisë dhe tjetrën në Arad të Rumanisë…”!
Shërbimi ushtarak
“Shërbimin ushtarak e përfundoja para se të fillonte vjeshta e vitit 1966. Çdo ditë që kalonte, ankthi bëhej më i madh. Trajnerët, pas provave të shumta, stabilizuan në rolin e qendërsulmuesit, Spiro Gjikën. Unë do të isha mbrojtës i majtë. Isha tamam në rolin tim. Kjo kopsitje përkoi më fillimin e ndeshjeve të kupës ballkanike, në maj të vitit 1966. Hymë në ndeshje me skuadrat e futbollit të klubeve që merrnin pjesë në grupin tonë për kupën e Ballkanit.
Ndeshjen me “Çorno-More” të Varnës, e zhvilluam në Tiranë më 31.05.1966. E fituam 2-0. Skënder Jareci për këtë ndeshje, shkruante: “Lojtarët kundërshtarë insistonin të kalonin mbrojtjen vendase nga krahu i majtë, ku luante lojtari më aktiv i tyre, Stojanov, mirëpo Vaso, me dinamizmin dhe me ndërhyrjet shumë të sigurta, ishte gjithmonë i gatshëm dhe i pakalueshëm”.
Ndeshja me Varnën në Tiranë erdhi pas disa ndeshjeve të forta që bëmë në kampionatin shqiptar. Ato nxorën në pah aftësitë tona. Për ndeshjen me “Dinamo”-n (12.10.1965), në “Sporti Popullor”, shkruhej: “E vetmja gjë që e dalloi skuadrën fituese nga niveli i saj, ishte mobilizimi. Lojtarët e “Partizani”-t luftuan me vendosmëri për topin e parë dhe i mbuluan më së afërmi dinamovitët. Mbrojtja e ushtarëve nuk u impenjua asnjëherë seriozisht me sulmin dinamovit dhe jo për faj të tij, kur u paraqit rasti luftoi me energji, ndërhyri me vendosmëri (Vaso e Dingu)”.
Pas ndeshjes me bullgarët e Varnës u hap rruga për në ekipin kombëtar me skuadrën Olimpike të Bullgarisë. Skënder Begeja te “Sporti popullor”, më 28.03. 1967 shkruante: “Rivalët shpërthejnë sulme drejt portës sonë, ku manovronte Dimitrov, i shpejtë dhe i fortë. Në këtë pjesë, mbrojtja e ruajti më mirë kundërshtarin. Vaso luftoi më mirë me nr. 7 bullgar dhe mënjanoi depërtimet e tij që në lindjen e tyre”. Fituam 2-0.
Po afronte takimi me gjeneralët
“Pak kohë më pare, kisha dhënë provimet te shkolla e mesme Pedagogjike në Tiranë. Rezultatet nuk i kisha të këqija. Në Letërsi kisha marrë 6, por në Gjeometri mora 8 dhe në Algjebër notën 10. Ndoshta rezultatet e shkollës i dinin dhe anëtarët e komisionit të futbollit. Kryetari i këtij komisioni, Peti Shambëlli, më thirri dhe më tha: ‘Vaso, përgatit dokumentet për të vazhduar shkollën në Fakultetin Juridik në Tiranë’.
Gjithçka ishte menduar me kujdes prej tyre. Studimet në Tiranë do të më jepnin mundësinë për të luajtur me “Partizanin”. Kjo zgjidhje nuk merrej as si thyerje e vendimit që kishte kërkuar Sekretariati i Komitetit Qendror. Ndërkohë po bënin të gjitha përpjekjet për ndonjë takim me gjeneralët. Në të vërtet, gjithçka ndodhi rastësisht.
Në fillim të qershorit ishim në Durrës. Përgatiteshim për ndeshjen finale “Partizani” – “17 Nëntori”. Me atë ndeshje mbyllej sezoni i vitit 1965-‘66. Tabela tregonte 38 pikë për të dy ekipet. Për të shpallur titullin kampion kombëtar duhej bërë ndeshja finale. Dikur, vite më parë, me pikë të barabarta, titullin kampion në vitin 1950, “Dinamo” e fitoi me golavarazh.
Para kampionatit të vitit 1957, ishte shfuqizuar rregullorja e golavarazhit. Do të luhej ndeshja shtesë ndërmjet “Dinamos” dhe “Partizani”-t, duke fituar 3-1. “Partizani” shpallet kampion kombëtar. Më 1961-in, sërish u përsërit e njëjta histori. “Partizani” fitoi kundër “Dinamo”-s, veçse në kohën shtesë me golin e avantazhit të Panajot Panos, në minutën 212. Rasti i katërt bëri aktorë ekipet e kohës tonë. Në vend të “Dinamos”, ndeshja finale u bë me “17 Nëntorin”
Përballë Beqir Ballukut
“Gjatë kohës që ishim në Durrës, u thirr edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë për një seminar kombëtar. Disa ditë më vonë, pesë-gjashtë persona, oficerë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore dhe të Klubit të “Partizani”-t, bashkë me ta e dhe një nga trajnerët e ekipit erdhën dhe me thanë: “Vaso do të vish me ne”! “Ku do të shkojmë”?-, i pyeta. “Eja pas nesh”! ma kthyen ata. E Kuptova që do të më bënin ndonjë surprizë.
Nisa të ecja pas tyre i heshtur. U ngjitëm në katin e dytë të ndërtesës së vogël, në krah të godinës qendrore të Shtëpisë së Pushimit të Ushtarakëve në Durrës. “Dikush të kërkon të të takojë”, më thanë pas pak. Intuita më bëri te besoja se do të kisha takim me ndonjë nga oficerët madhorë. Nuk isha gabuar. Atë mbas dite koha ishte e nxehtë. Shpura jonë hyri në verandën e ndërtesës dykatëshe. Shtanga.
I ulur në një karrige të bardhë plastike më priste Beqir Balluku! Nëse do të më duhet të përshkruaj tani shpirtin e atij njeriu, duhet t’i veçoj thjeshtësinë, fjalën e shtruar që të çlironte nga ndjesia e ankthit, nga ajo ndjesi e papërcaktuar që lindte vetiu sa herë që dikush gjendej përballë figurave madhore të shtetit të asaj kohe.
Pranë ministrit të Mbrojtjes, ulur rreth tij, kishin zënë vend disa burra. Njëri prej tyre ishte drejtori i Shtëpisë së Pushimit. Bashkë me një oficer shtatshkurtër dhe imcak, u ngritën dhe u larguan duke nderuar ushtarakisht. Të njëjtën gjë bënë edhe dy oficerë me moshë të re, pasi këmbyen në këmbë disa fjalë me gjeneralin veshur civil, dolën nxituar.
Gjenerali më bëri shenjë që të afrohesha. Pastaj më tregoi me dorë karriget. U ula. Disa oficerë të tjerë vazhduan të qëndronin në këmbë. Kuptohej lehtë që nuk ishin të sigurt, nëse duhej të qëndronin apo të largoheshin edhe ata. Balluku vuri re ngurrimin e vartësve. “Uluni”, u tha. Vura re se fjala “uluni” nuk ngjasonte aspak me dhënien e një urdhri.
U tha siç thuhet një lutje. Oficerët panë njëri-tjetrin në sy dhe zunë vend pranë gjeneralit. Më vonë dallova se Beqir Balluku u drejtohej vartësve me fjalën italisht “Calmo”. Nëse ndonjë nxitonte në bisedë ose për t’ia shuar nervozizmin që dallonte tek ndonjë tjetër, përdorte fjalën “Calmo”. Prisja çfarë do të ndodhte”!
Biseda me ministrin Balluku
“Kur gjithkush kishte zënë vendin e vet. Beqir Balluku u drejtua nga mua duke pyetur: “Vaso, kur të lirohesh nga ushtria, do të shkosh në Korçë…?” Tashmë kisha rastin t’i shpjegoja dëshirën time. Nuk e di si ndodhi, por kuptova se kisha nisur të flisja. Isha i emocionuar: “E dua qytetin e lindjes dhe skuadrën e “Skënderbeu”-t, por dëshiroj të vazhdoj studimet në Tiranë…! Pasta befas mendova se duhej të shprehja opinionin tim edhe për “Partizanin”, vazhdova: “Dëshiroj t’ju them se më pëlqen fanella e “Partizanit”, më nxit, më mobilizon, tek ajo gjej frymëzim…! Ndenja i heshtur vetëm një çast, nuk e di sa, pastaj nxitova të flas përsëri, i trembur nga mendimi se nëse do të vonohesha dikush do të më ndërpriste.
Nxitova të flas shpejt: “Klima që krijojnë këtu drejtuesit, trajnerët, të gjithë njerëzit e Klubit më ngrohin…. më pëlqen fryma e njerëzore dhe shoqërore që ekziston brenda Klubit, ajo të frymëzon për progres…! Gjenerali buzëqeshi, njësoj sikur donte të më thoshte: “Po Vaso, ju do të qëndroni me ekipin e ‘Partizanit”. Ishte një takim që më dha mjaft shpresa. Gjenerali kishte thënë se do të shihte të gjitha mundësitë që unë të qëndroja në Tiranë”.
Përballë me Mihallaq Ziçishtin…!
Pas atij takimi kishte filluar të mos më mbante më vendi. Më duhej të shkoja në Korçë dhe të vija në dijeni Sekretarin e Parë të rrethit, Mihallq Ziçishti. Firma e tij do t’i hapte udhë rrjedhës së jetës time. Gjatë gjithë rrugës mendoja se çfarë do t’i thosha. Sigurisht do t’i tregoja për takimin që kisha patur me gjeneral Ballukun, do t’i tregoja edhe për studimet që do të vazhdoja në Fakultetin Juridik.
Me të mbërritur në Korçë, u nisa drejt ndërtesës së Komitetit të Partisë. Gjithçka po ecte në favorin tim. Me t’u gjendur përballë ndërtesës, qëlloi që Mihallq Ziçishti po delte nga Komiteti Partisë. I dhamë dorën njëri-tjetrit. Pas pyetje – përgjigjeve të zakonshme, nisa t’i tregoja përse kisha ardhur ta takoja. Ai nisi të më dëgjonte me vëmendje. I tregova gjithçka.
Kur ia kisha thënë të gjitha, prita se çfarë do të më thoshte ai, por befas vura re se atij i kishte ikur nga fytyra buzëqeshja me të cilën më kishte pritur në fillim. Nisi të më fliste duke lëvizur njërin prej gishtave të dorës së djathtë, atë që tërheq këmbëzën e armës.
Bërrylin e mbante mbështetur afër hijes së djathtë, atje ku mbahet koburja. Pastaj çoi dorën afër mesit dhe e lëvizi sikur do të ngjeshte koburen aty te vendi ku vendoset këllëfi i saj. Befas kishte ngritur zërin: “Për sa kohë që do të më punojë patllakja që më ka dhënë Enver Hoxha, (Ziçishti bëri sikur goditi disa herë koburen me dorë), ti Vaso do të kthehesh në Korçë”! E kuptova, gjithë ëndrra ime po shkërmoqej tërësisht…!
Doja të gjeja diçka për t’i thënë: “Këto që më thatë, e pyeta, (e kisha fjalën për koburen), t’ia them gjeneral Ballukut? Pasi e kisha thënë fjalën, ndjeva frikë. Ziçishti mund t’i merrte fjalët e mia si kërcënim. Prita çfarë do të ndodhte, por u befasova sërish, atij nuk i kishin bërë asnjë përshtypje fjalët e mia. Po atë çast m’u përgjigj: “Po, or po, t’ia thoni kujtdo që mund t’u pyesë”.
Pas kësaj vura re se në sytë e tij po shkëlqente një dritë triumfi. Gjithnjë kisha menduar se udhëheqësit e shtetit bashkëpunonin me frymë kristiane, por atë ditë kuptova se diçka e fshehtë mbushte marrëdhëniet mes tyre. I pari i partisë së Korçës, m’u drejtua sërish: “Shkollën do ta vazhdosh me korrespodencë”! Shprehja e tij nuk linte asnjë lloj diskutimi.
Pastaj më hodhi një vështrim shpotitës: “Mirupafshim në shtator këtu në Korçë”, ma ktheu. Pas kësaj e pashë të largohej me “Gaz”-in 69-ësh, nuk e di për ku nxitonte…! U ktheva në Tiranë. Drejtuesve të ekipit u tregova për vendimin që kishte marrë Mihallq Ziçisti, por nuk desha t’i kujtoja më fjalët e tij që më kishte thënë për koburen.
Pikërisht në këtë kohë ndërhyrjet u bënë më të shpeshta. I telefonuan nga Ministria e Mbrojtjes, patën takime me të, i dërguan letra e telegrame, ndërhyrjet vazhduan deri në fund të gushtit të vitit 1967. Përgjigjja që vinte nga Ziçishti, ishte gjithnjë e njëjtë. “Teodor Vaso do të vijë në Korçë”!
Përmbyllja
“Kishte ardhur çasti i ndarjes. Në tavolinën e mensës së Klubit “Partizani”, dukeshin lugë dhe pirunj anës pjatave të shtruara për një banket ushtarësh. Gotat e birrës, kanistrat me bukën e prerë dhe kripore. Oficerët e Klubit më uruan më fjalët që thuhen rëndom: “Udhë e mbarë dhe suksese”. Drekuam, kënduam nja dy këngë korçare, shkodrane e, më pas ia morëm këngëve të Shqipërisë së Mesme.
Mora në duar dhuratën e Klubit “Partizani”, një komplet sportiv futbolli dhe i takoja të gjithë shokët një nga një. Ishte mirë të nisesha për në Korçë pa rënë muzgu i mbrëmjes. Tashmë kur i kujtoj të gjitha këto, mund të them se kam mësuar një gjë: Vetëm koha s’ka fund, të qenit është i përkohshëm.
Pas disa vitesh Mihallaq Ziçishti u transferua në Durrës. Atë kohë loja ime në fushën e futbollit u mbyll. Më dhanë detyrën e trajnerit. Kthimi në Korçë më jepte vetëm një zgjidhje: të vazhdoja Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi” me korrespodencë.
Ëndrra për të vazhduar studimet e larta në Fakultetin Juridik u fashit. Ku i dihej po të isha bërë jurist, ndoshta do të udhëtoja edhe me “Kadillak” luksoz, por edhe tani e kam një “Kadillak” me dy rrota, më mban të përgatitur sistemin muskulor të trupit…”!
Me këtë epilog përmbyll rrëfimin e tij, “Mjeshtri i Merituar i Sportit”, Teodor Vaso, i shpallur si futbollist i shekullit, sipas një ankete të zhvilluar në Korçë, në vitin 1999”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016