Pjesa e pesëmbëdhjetë
Pjesë nga libri: ‘ALIZOT EMIRI – Njeriu, librári e gázet fisnike’
DY FJALË SI HYRJE
Memorie.al / Kur ne, fëmijët e Alizotit, tregonim në ambiente të gëzueshme shoqërore “historitë” e Zotes (Alizotit), na ka qëlluar të na pyesin shpeshherë: – “A i keni shkruar? Jo! Sa keq, do të humbasin…! Kush duhet ta bëjë”? Dhe jemi ndjerë gjithnjë e me shumë fajtorë. Në qoftë se duhej bërë, ne duhej ta bënim. Po a mund t’i shkruanim ne?! “Jo çdo njeri, që di shkrim e këndim, mund të shkruajë libra”, – thoshte Zotia, sa herë kalonte nëpër duar libra të dobët. Kur po bisedonim me njëri – tjetrin, ne fëmijët e Zotes, për këtë “detyrim”- për Librin, natyrshëm e ndjenim veten përballë paaftësisë për ta kryer. Nuk ishte punë për ne! Me “metrin” e Zotes, ne ishim të paaftë ta shkruanim këtë libër.
PJESA E DYTË
Humori
SHKOLLA, ARSIMI & KULTURA
NË FAKULTETIN E INXHINIERISË
Ishte viti 1964, qershor. Zotia ndodhej në Tiranë. Ibrahimi, i biri, qe student në vitin e dytë të fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit. Ndodhej në sezon provimi. Zotia e përjetonte me mjaft tension tërë periudhën, kur Ibrahimi kishte provime. Në Gjirokastër, ai bënte hajde eja tërë natën në divan (salloni i shtëpisë), po të mos i kish ardhur përgjigja e provimit.
Dhe nuk ishte e lehtë të njoftoje brenda ditës nga Tirana në Gjirokastër atëherë. Komunikimi bëhej me telegram ose me telefon nga kabinat e postës të qyteteve, po të arrije të bëje prenotim. Ky siklet vazhdoi edhe kur shkova unë në fakultet.
Meqenëse ato ditë provimesh Zotia ndodhej në Tiranë, këmbët e çuan avash – avash drejt e në godinën qendrore të Universitetit. S’kishte qenë ndonjëherë. Mendonte se do mund të takohej me të birin student, kur të dilte nga provimi i fizikës. Ngjiti shkallët e jashtme, që kanë një pamje madhështore, monumentale, hyri brenda në katin përdhe, pyeti në informacion dhe u ngjit në hollin e madh të katit të dytë.
– “Xha Alizot”! – u dëgjua ta thërrasë dikush. Ktheu kokën. Drejt tij po vinte Darvin Doraci, djalë i lagjes “Palorto”, shok klase me Ibrahimin. U takuan, u përshëndetën, u pyetën.
– “Imia (kështu e thërritnin shokët Ibrahimin ), është brenda në provim. Besoj se do dalë shpejt” – e sqaroi Darvini.
Në korridor lëviznin studentë. Darvini u bëri shenjë të afroheshin. Ishin shokët dhe një shoqe të kursit të Ibrahimit. U prezantuan. Shoqja e klasës arriti të lexojë, në pamjen e Zotes, tensionin dhe shqetësimin e një prindi, që meraku i madh e kish sjellë deri tek dera e sallës së provimit. Ajo, një vajzë çapkëne, e dashur, mjaft e emancipuar, iu hodh Zotes në qafë dhe u mundua ta qetësojë babain e shokut.
– “Për Ibrahimin je munduar deri këtu? – e pyeti shoqja e Ibrahimit. – Ke ardhur kot fare! Po atëhere për ne duhet të vijë tërë fisi! Ibrahimi është student i shkëlqyer, është më i miri, mos ki merak! Do marrë notën dhjetë me siguri”!
Zotia u çlirua nga emocionet, u ç’tensionua si pasojë e rrethit të ngrohtë që iu krijua, veçanërisht nga shoqja e djalit, Violeta nga Durrësi. Erdhi në vete dhe doli në ujërat e veta.
– “Unë ju falënderoj shumë për fjalët e mira, që më thoni për djalin. Edhe unë e njoh tim bir dhe në të vërtetë nuk kam fare merak për provimin, por kam merak tjetër, prandaj erdha vetë gjer këtu”.
– “Pse, çfarë meraku keni për Imen”? – e pyeti menjëherë Violeta, që u familjarizua më tepër me babain e shokut.
– “Po ja, kam merak se mos më plekset me ndonjë vajzë si puna jote e do më bëjë t’i vë zjarrin shtëpisë”! – iu përgjigj me humor Zotia.
Buçiti holli i fakultetit nga të qeshurat rinore të studentëve. U afruan dhe studentë e studente të tjera, që ndodheshin në atë kat. U befasuan nga humori i natyrshëm e mjaft i këndshëm i Zotes. Batuta mori dhenë. Kthenin kokën gjithë vajzat kur kalonte Ibrahimi, i biri. Ç’a fati! Bëhet sebep babai të të duan vajzat! Mua s’më erdhi asnjëherë në universitet Zotia! Po nejse, të kthehemi tek holli i fakultetit me shoqërinë e Imes.
Natyrisht që më tepër se të gjithë u kënaq Violeta, të cilës iu adresua dhe batuta, që përmbante mjaft komplimente për shkathtësinë, për zgjuarsinë, për bukurinë e për emancipimin e spikatur të saj. U bënë të njohur. Zotia i dërgonte të fala me Imen. Ajo gjithashtu. Zotes i bëhej zëmra mal kur merrte vesh rezultatet shumë të mira të saj në fakultet dhe në jetën e saj familjare.
TRE PESA E NJË KATËR
Kisha filluar klasën e pestë, viti 1958. Mësimin e zhvillonim në shkollën “Koto Hoxhi”, në lagjen “Varosh”. Pra, kisha kaluar nga shkolla fillore në shkollën shtatëvjeçare. Kisha ndryshuar shkollë, ishin ndryshuar mësuesit. Nga një mësues në fillore, tani kisha shumë mësues, nga një për çdo lëndë.
Kuptohet, njëlloj si të gjithë moshatarët e mi. Por Zotia i vlerësonte këto momentet e kapërcimit dhe donte që të ruanim vijueshmërinë në rezultate, të mos pësonim thyerje. Më kujtohet, veç të tjerash, përdori dhe stimulin material, ndonëse morali i kohës po e luftonte këtë lloj stimuli.
– “Për çdo pesë, që do marrësh, ke një pesëlekëshe”! – më tha në fillim të vitit shkollor.
Fillova nga pesat në shkollë dhe ai e mbajti fjalën. Aq sa pesa mora në mësime, aq pesëlekëshe më ishin dhënë. Po bëhesha i pasur! Me djersë e kisha, nuk po i vidhja! Po mësoja si qen, siç thoshin vetë. Por të pasurit nuk i donte ai sistem. Nuk ju qeshi kurrë buza. Mezi priste, që t’u gjente anën e t’u ulte kokën. Dhe nuk vonoi.
U ktheva nga shkolla shumë i gëzuar. Gjatë rrugës po mendoja se çfarë do të bleja me nëntëmbëdhjetë lekët, që do të më jepte Zotia. Aq më takonin.
Kisha marrë tre pesa dhe një katër atë ditë në mësime. Për një lek do kisha marrë njëzet lekë të pathyera. Ta kisha marrë dot pesë dhe atë katrën, po ç’e do, kisha bërë një gabim në ushtrime. Faji ishte imi. Kisha mjaft kohë të bëja dhe gjyqe rrugës, se që nga shkolla në “Varosh”, deri në krye të “Palortosë”, në shtëpi, duhej gati gjysmë ore. Sa mbërrita në shtëpi, e gjeta Zoten tek divani, duke dalë për në punë.
– “Hë, – më tha -, si vajte sot në shkollë”? Ishte pyetja standard.
-“ Mirë”, – i thashë unë me modesti. Ama në të vërtetë më takonte të mburresha.
– “Si mirë”? – më pyeti. –“Oh, sa mirë”, po thosha me vete, që më pyeti vetë. Po të mos më pyeste, unë nuk mund t’i thosha vetë, se dukej sikur e bëja për nëntëmbëdhjetëlekshin. Do t’i kisha humbur kot, por ja, më ndihmoi fati!
– “Mora tre pesa dhe një katër”, – i thashë.
– “Ku e more atë katrën, mor m…”? – më pyeti ai dhe iku pa pritur përgjigje e pa më dhënë “çekun”.
Ngela si m… tek dera. Harrova të hiqja sandalet dhe më mbeti çanta me libra në dorë. Dëshmitare në divan ishte vetëm macja e shtëpisë, që po qëndronte pa lëvizur dhe tundte bishtin e ngritur përpjetë.
-“Edhe ti me atë je”? – iu drejtova maces, që e tundte bishtin kërcënueshëm, sikur vazhdonte të kërkonte llogarinë e lënë përgjysmë nga i zoti. -“Jo, ti s’ke faj, xhanëm, se ta bie Zotia ushqimin përditë nga restorantet e Gjirokastrës. Ti s’ke marrë ndonjë katër edhe kur e ke çjerrë atë”! Dhe më dukej sikur macja mbahej me hatër në atë shtëpi!
Më mbeti mëndja: “More, more!! Një palo katër shuajti tre pesa”!!!
TAKIM ME PRINDËRIT
Në takimet që organizonte shkolla, me pjesëmarrje të prindërve dhe nxënësve njëkohësisht, Zotia nuk vinte kurrë. Vinte nëna. Ai takohej me pedagogët tanë pothuajse çdo ditë në librari, qoftë dhe kur ata blinin gazetën. Ishte i informuar për mbarëvajtjen e fëmijëve. E vërteta është që ne, të gjithë fëmijët, kemi patur rezultate shumë të mira në shkollë.
Vetëm një herë erdhi Zotia në takim me prindit në klasën time. Unë isha në klasën e shtatë. Mësimet i zhvillonim tek ndërtesa e shkollës së mesme “Asim Zeneli”. Mësues kujdestar kishim zotin Kiço Leka. Presor Kiçua (kështu e shqiptonim fjalën profesor) na jepte lëndën “Gjeografia e Shqipërisë”. Na e bëri shumë të dashur vendin tonë me atë shpjegim të rrjedhshëm e pasionant.
Dinim përmendësh emrat e të gjithë maleve, fushave e lumenjve dhe pozicionet e tyre në hartë, ndonëse me këmbë kishim shkelur vetëm Mashkullorën, Erindin dhe “fushën e aeroplanit”, (kështu i thoshnin fushës përballë qytetit). E kam kujtuar shpeshherë këtë pedagog, e sidomos kur jam takuar me ndonjë nxënës të sotëm, që kanë bredhur tërë Shqipërinë, por që e njohin pak gjeografinë e vendit. Dola nga tema, por s’mund të anashkalohet kujtimi i mësuesve! Do më falni!
Filloi mbledhja. Klasa e kabinetit të gjeografisë ishte mbushur plot me prindit dhe nxënësit. Erdhi mësuesi kujdestar! Të gjithë u çuan në këmbë, prindër e nxënës. Heshtje e plotë. Pedagogu i qeshur, u ndje borxhli nga respekti që shprehnin prindët e nxënësve, të cilët ishin më të moshuar se ai vetë. U ulëm. Mësuesi foli për mbarëvajtjen e nxënësve, për rezultatet e tyre, për dobësitë, për detyrat në vazhdim dhe ua dha fjalën prindërve.
Ky ishte dhe qëllimi i këtij takimi. Ishte një formë e bashkëpunimit të shkollës me familjen për të rritur përpjekjet dhe rezultatet e nxënësve. Dhe nuk ishte një formalitet! Kur prindi i drejtohej fëmijës së vet, në mes të këtij auditori dhe nuk hezitonte t’i nxirrte në shesh gënjeshtrën, që mund të kish përdorur në klasë, nuk kapërdihej lehtë nga asnjë nxënës, sado i padisiplinuar të ishte.
Krijohej një situatë prekëse kur dëgjoje sakrificat mbinjerëzore, që përballonin prindërit e shumëvuajtur, vetëm që fëmija i tyre të vinte në shkollë i ushqyer, i larë, i veshur, me librat dhe me fletore njëlloj si të gjithë. Të ndihej i barabartë! Prindët ndiheshin fajtorë për rezultatet e dobëta të fëmijëve të tyre.
Ishte e dhimbshme. Angazhoheshin para auditorit, se do t’i lehtësonin fëmijët nga punët e shtëpisë. Do t’i përballonin të gjitha vetë, vetëm që fëmija të mësonte më shumë. Ishte kohë me shumë fukarallëk, me mjaft mungesa serioze, por me një dëshirë të madhe për të mësuar. Dëshira e prindërve që fëmijët t’u mësonin, ishte një “epidemi” kolektive, që kish përfshirë gjithë shoqërinë. Shkolla ishte e shenjtë dhe mësuesit të respektuar nga të gjithë. Por ishte dhe koha kur prindi këshillonte fëmijën, e jo fëmija prindin!
I erdhi radha Zotes, prindit tim. Si prind ai ishte në kushte komode në këtë takim. Nga pedagogu dëgjoi vetëm fjalë të mira. Ndaj dhe kur mori fjalën e ndërtoi ligjëratën në përgjithësi, që të ndikonte pozitivisht tek gjithë nxënësit. Bëri krahasim me shkollën në kohën e tyre, që nuk kishte të krahasuar me kushtet tona.
– “Mësonim me kandile, – tha Zotia – s’kishim drita. Edhe sot e kësaj dite, kur kruajmë hundët, na del akoma kapëneja (bloza) e tymit të kandiles…”! Qeshën!
– “Mor po ku e gjeti këtë krahasim”?! – thashë me vete – Tamam për të edukuar nxënësit! Domethënë, le ta krahasojnë po të duan nxënësit e sotëm, çfarë nxirrnin nga hundët prindërit e tyre, me atë se çfarë nxjerrin ata sot! Hajde baba, hajde! Më erdhe dhe nga libraria, sa u ndave me shkrimtarët më të mëdhenj të botës!
Ua tregova dhe në shtëpi, sapo mbërrita. – “Na nderoi babai sot në mbledhjen e prindërve”, – u thashë. – “Hajde dëgjo shokët nesër, kur të më pyesin: Hë mo, Pupe, si jeni me nxjerrjen e kapënesë? Jemi mirë – do t’u them – se po punojmë pa hile, gjithë familja, të mëdhenj e të vegjël”.
– “U, të raftë një pikë, djalëë! – më tha nëna -. Po pse mo, na këto muhabete bëni në shkollë ju? Pse s’thua, mashalla…, birko (shumë mirë). Dale, dale pa ua ndreq unë juve te Zotia, në darkë”! / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













