Nga Rezarta Delisula
Pjesa e parë
Memorie.al / Tetëmbëdhjetë vjet janë shumë, janë të pafund, ndërsa endesh nga njëri burg i tmerrshëm në tjetrin, nga Burreli në Spaç, një herë për të parë bashkëshortin e përgjysmuar në peshë, e në të ardhshmin, djalin që e burgosën në moshë fare të re. Janë të pafund kur endesh për të marrë leje qarkullimi, të shkosh nga një qytet brenda Shqipërisë në tjetrin, të vuash në kampet e tmerrshme të internimit, të lësh librat e të mbash dhi në barakën ku jeton, me shpresë se do të japë një gotë qumësht, të hash ëmbëlsirë me gjakun e një derri të sapo therur, të bindësh mbesat e vogla, që babanë nuk e kanë “armik”, të mbash në kurriz dhimbjen e shkaktuar nga vështrimi absurd plot neveri i të tjerëve…!
Ky ka qenë fati i Liri Lubonjës, gruas së ish-drejtorit të Radio-Televizionit Shqiptar, Todi Lubonjës, për 18 vjet radhazi, nga viti 1974, deri në 1991-in. Në kujtimet e shkruara prej saj, “Larg dhe mes njerëzve”, prekim dramën e një familjeje të tërë, por përmes Lirisë, edhe të shumë familjeve të tjera shqiptare. Dhe gjithçka nisi pas festivalit të 11-të në Radio-Televizionin Shqiptar.
Liberalizim i muzikës dhe teksteve, veshje evropiane dhe imitacion i këngëtarëve të huaj nga tanët, ishin disa nga akuzat që u hodhën pas shfaqjes së festivalit të 11-të në RTSH. Kategorizimi i grupeve armiqësore, mbërriti këtë vit te njerëzit e artit dhe kulturës. Menjëherë pas festivalit të 11-të, në mbledhjen e presidiumit të Kuvendit Popullor, më 9 janar 1973, Enver Hoxha mbajti një fjalim, ku jo vetëm kritikohej festivali, por përgjegjësia direkt i vihej mbi supe drejtorit të RTSH-së, Todi Lubonjës.
Kujtimet e Liri Lubonjës; Pikënisja
“Komentet e atij fjalimi, krijuan atmosferën e një rreziku dhe shqetësimi që unë e Todi filluam ta ndiejmë gjithnjë e më shumë. Mbrëmjeve kur dilnim për shëtitjet e zakonshme, duke menduar se Todi si i kritikuari direkt për festivalin, duhet të kishte dijeni, na ndalonin në rrugë miq e të njohur të interesuar, të cilët donin të dinin ndonjë hollësi. Një nga pyetjet më shqetësuese ishte: Deri ku do të vejë kjo punë? Askush nuk e dinte, aq më pak ne”, – shkruan Liri Lubonja në librin e saj. Në RTSH nisën mbledhjet e njëpasnjëshme për festivalin e 11-të dhe në plenumin e shkurtit, Enver Hoxha paralajmëroi për një plenum të veçantë ku do shqyrtoheshin çështjet ideologjike.
Kudo flitej për festivalin e 11-të. Rinia s’mund ta kuptonte “të keqen” e vargjeve, muzikës e veshjes që u lejuan të shfaqeshin në televizion. Rreth Todi Lubonjës e familjes së tij, gjithçka po vështirësohej. – “Unë ndërkohë vazhdoja të punoja çdo ditë në sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare, ku vinin dhe shumë punonjës të Institutit të Historisë. Ulesha gjithmonë në një tryezë, që qe e mbështetur pranë murit. Një ditë vura re se ajo përbri times, filloi të mbetej bosh. Gruaja që ulej aty zakonisht punonte në organizatat e masave, në një vend me përgjegjësi. Pashë se kishte kaluar në anën tjetër të sallës”, – kujton Liri Lubonja.
Fatura
Në fund të muajit mars, Hysni Kapo, pasi i foli Todi Lubonjës për dëmet e mëdha që i kishte shkaktuar Partisë, i komunikoi shpërnguljen në Lezhë, ku do të shkonte si drejtor i Ndërmarrjes së Ndërtimit. Më 15 prill Todi filloi punë, ndërkohë që edhe Liria, që punonte në Institut, me urdhër të Hysni Kapos, duhej të bënte shpejt formalitetet e të largohej nga puna, për në Lezhë, ku e kishin caktuar mësuese historie në shkollën e mesme të përgjithshme “Hydajet Lezha”.
Pas karakteristikës së përgatitur me dashamirësi nga Muhin Çami, ku mes diskutimeve zunë vend dhe flokët e gjatë të djalit të saj të madh, Fatos Lubonjës, i cili ishte student i vitit të katërt dhe i martuar, më 30 prill 1973, Liri Lubonja u nis në Lezhë, bashkë me djalin e vogël, Gimin, që në atë kohë ishte gjimnazist.
Lirisë i caktuan të jepte mësim në tre vitet e para dhe vetëm një klase në maturë. “E vetmja kënaqësi që na jepte ky internim i padeklaruar, ishin shëtitjet që bënim mbrëmjeve në rrugën që të çonte në Ishullin e Lezhës. Ishim të bindur pa na e thënë njeri, që shtëpinë na e kishin “pajisur” me përgjues, por Fatosi kur erdhi një të shtunë, na pruri porosinë e një shoku të tij të fëmijërisë, punonjës i organeve të Punëve të Brendshme, i cili i kishte thënë: “Të kenë kujdes, u kanë vënë mikrofona”, – thotë Liri Lubonja, e cila shton se atmosfera në shtëpinë e tyre ishte mbytëse, si një lloj teatri absurd, ku aktorët ishin po ata vetë.
Gimi ndërkohë, ndiqte gjimnazin dhe ishte një ndër nxënësit më të mirë të klasës. Ai aktivizohej si me sportin, edhe me luajtjen në kitarë, por nuk mundi të dalë asnjëherë në skenë, sepse ishte djali i Todi Lubonjës dhe sekretari i parë i Komitetit të Partisë në Lezhë, s’mund ta lejonte këtë. Pleniumi i IV i Partisë që do të mbahej më 26 qershor, ishte prova e madhe që duhet të kalonte Todi Lubonja. I ishte kërkuar të bënte një autokritikë të fortë.
– “Më 27 qershor, mbasi mbarova mësimin, nxitova për në shtëpi e shqetësuar. A ishte kthyer Todi, ç’të kishte ndodhur? Deri ku kishin shkuar? Portën ma hapi Gimi. Ishte i prerë, me një xhezve në dorë. Todi sapo ishte kthyer. Gimi me zë të ulët, me pak fjalë, më tregoi ç’kishte ndodhur e nxitoi t’i bënte një kafe.
Todi ishte i mërzitur, por më shumë i degustuar nga arroganca, banaliteti deri në rrugaçëri, shpifjet, servilizmi i shumë prej atyre që kishin qenë ‘shokë të armëve’, anëtarë të forumit më të lartë që udhëhiqte vendin; Komiteti Qendror i PPSH-së. Më përmendi emra e, më tregoi ç’kishin thënë. Shumë prej tyre i njihja dhe për një pjesë nuk çuditesha, që ishin sjellë ashtu. Të nesërmen, në një biçim mitingu ku qe mbledhur kolektivi i ndërmarrjes së ndërtimit, u bë me bujë shkarkimi i Todit si drejtor”, – kujton me dhimbje Liri Lubonja.
Sipas saj, përveç akuzave që vinin nga Tirana, u shtuan të freskëta ato nga Lezha, të tipit; “rrinte me kulakët”, gjë që e kishte thënë Drania, sekretarja e organizatës. Pak ditë më vonë në Lezhë, u organizua një mbledhje e gjerë me intelektualët e nëpunësit e qytetit, ndërsa i dërguari nga Komiteti Qendror, demaskoi veprimtarinë armiqësore të Fadil Paçramit e Todi Lubonjës. Sigurisht që pas kësaj mbledhjeje pasojat do binin dhe mbi bashkëshorten e tij, Lirinë, e cila bënte pjesë në organizatën bazë të arsimit. Njerëzit filluan t’i distancoheshin.
Ndarje?
Edhe pse prej disa muajsh Liri Lubonja kishte nisur punë si mësuese gjimnazi, karakteristika e saj ende nuk ishte lexuar nga organizata. Pas raportit të Enver Hoxhës, mbajtur në plenumin e IV, u caktua dhe mbledhja e organizatës. – “Erdhi për të më takuar njëra nga komunistet e organizatës, ajo e tetëvjeçares. I biri ishte shok klase me Gimin. Më këshilloi ta ndaja Todin. Më tha se duhej ta bëja medoemos, për hir të djemve. E kundërshtova dhe i thashë se edhe djemtë mendonin si unë.
Kisha biseduar vërtet me Fatosin e, i kisha thënë se me siguri do të ma kërkonin një gjë të tillë, e se nuk kisha ndër mend ta bëja”, – thotë Liri Lubonja. E në të vërtetë, në mbledhje iu kërkua haptazi ndarja me të shoqin, Todin, gjë që ajo s’e pranoi dhe në atë fillim-korriku 1973, u përjashtua nga partia, ku ishte pranuar qysh më ’44-ën. Sigurisht që pas saj ishte përgatitur dhe largimi si arsimtare.
Lirinë e caktuan magaziniere në punishten e ëmbëlsirave, një punë shumë e vështirë, duke menduar se të gjithë magazinierët para saj kishin dalë defiçit, madje njërin e kishin dënuar me 10 vjet burg për këtë fakt. Zgjidhje tjetër nuk kishte, duhej të pranonte punën. Todi në atë kohë merrte vetëm 400 lekë, si normist.
Vështirësia u duk që në fillim. Në fund të muajit i rezultuan njëqind byrekë mangët dhe më vonë u shtuan deri në 100 copë në ditë, të cilët duhet t’i paguante nga rroga. Pas disa peripecive, Liria kërkoi largimin nga puna dhe më në fund e caktuan si punëtore në magazinën bujqësore, punë të cilën e nisi më 12 tetor 1973.
“Ato shkrehjet e Enver Hoxhës nuk kishin mbaruar. Todin e hoqën si normist, sepse nuk kishte ‘përgatitjen profesionale përkatëse’. Këtej e tutje do të prodhonte pllaka tetë metra katrorë në ditë, për të marrë katërqind lekë, punë që kërkonte muskuj, forcë fizike”, – thotë Liria, duke kujtuar me dhimbje që shëndeti i të shoqit, atëherë 51-vjeçar, sa vinte e keqësohej.
Në atë kohë Fatosi me Zanën, ishin në vitin e fundit të universitetit, dhe kishin fëmijën e tyre të parë, Anën. Më 2 janar të vitit 1974, pas festimit të vitit të ri, ata bënë fotot e fundit së bashku, sepse për dy dekada radhazi, nisi ferri i burgjeve e internimeve. Pas përfundimit të universitetit, Fatosin dhe Zanën i caktuan në Burrel. Çifti priste fëmijën e dytë. Zana ndenji në Lezhë, ndërsa Fatosi u nis në Karpen të Kavajës, ku bëhej zbori ushtarak i Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Më 27 qershor lindi vajza e dytë e Fatosit e Zanës, të cilën e quajtën Tetis, hyjnesha e detit.
Arrestimet
Më 25 korrik, në orën 6 të mëngjesit, punonjës nga Dega e Brendshme trokitën në derën e Todi Lubonjës. Kërkonin Fatosin. – “Isha e tronditur. Për Todin, megjithëse më dukej absurde dhe nuk doja ta pranoja, isha përgatitur shpirtërisht edhe për burgun, madje që në Tiranë, por asnjëherë nuk më shkonte ndërmend, se do të vinin dorë edhe mbi djemtë.
Këtë nuk mund ta duroja. Fatosi në burg”! – shkruan Liri Lubonja. Dy ditë më pas, më 27 korrik, kryetari i Degës, Mithat Bare, deklaroi arrestimin e Todi Lubonjës. Diabetik prej vitesh, edhe ilaçet nuk ia lanë t’i merrte, duke i quajtur luks. “Gjatë hetuesisë, Todit i kishin thënë: ‘Edhe Lirinë e kemi arrestuar’.
Një presion psikologjik i rëndë, goditje ndaj të arrestuarit, i cili gjatë hetuesisë, është krejtësisht i izoluar, pa asnjë lidhje me familjen. Todi më tregoi se si, kur e nxirrnin nga qelia, u hidhte sytë fshehurazi këpucëve, sandaleve, pantoflave të grave të rreshtuara në korridor, e mundohej të gjente të miat midis tyre”, – thotë trishtë ajo, duke kujtuar se të shoqin e nxorën nga shtëpia, me një kostum të hollë, me të cilin kaloi gjithë dimrin në qeli.
Pas bastisjes së shtëpisë, e pa kaluar 13 ditë nga arrestimi i Todit, Komisioni Qendror i Dëbim-Internimeve, mori vendim që Liri Lubonja dhe djali i saj, Gimi që sapo kishte mbaruar gjimnazin, s’mund të lëviznin nga Lezha pa leje qarkullimi, që lëshoheshin nga Dega e Brendshme.
“Ne as që e kishim ditur se ekzistonte një Komision i Dëbim-Internimeve, por menjëherë pamë, çdo të thoshte për ne ai dënimi administrativ që na ishte dhënë: na ishte hequr çdo mundësi, për të shkuar në Hetuesinë e Tiranës, për t’u dërguar sipas rregullores, ushqime Todit e Fatosit. Mirë që ishte Zana e lirë”, – shkruan Liri Lubonja në kujtimet e saj, për vitet e tmerrshme. Shpesh i vërdallosnin për t’i dhënë lejen e qarkullimit të shkonin në Tiranë, madje një herë kur e kishin lënë të takonin Fatosin, Lirinë e Zanën, i gënjyen. E kjo më vonë nisi të ndodhte shpesh. As në gjyqin ku Fatosi do dilte si i akuzuar, nënën nuk e lanë të shkonte.
Më 17 dhjetor, nga një telegram i dërguar nga nusja e djalit, ajo mori vesh se e kishin dënuar me 7 vjet burg për agjitacion e propagandë. Më 26 dhjetor, zëvendëskryetari i Degës, i njoftoi se duhej ta lironin atë shtëpi e, të spostoheshin në lagjen e spitalit, lart në kodër. Bashkë me Lirinë e Gimin, u bashkua dhe Zana, me dy vajzat e vogla. Po ato ditë, Gimi, më i vogli, mori dhe thirrjen për ushtar.
Nga Todi asnjë lajm, e po kështu edhe nga Fatosi, që tashmë ishte dënuar. Vetëm në gjysmën e dytë të marsit, u mbërriti një letër nga Fatosi. E kishin burgosur në Spaç. Pas letrës së tij, ato mësuan se edhe Todi ishte dënuar. “Jam shumë mirë, në repartin 321 Burrel, eja në takim. Të puth Todi”. Kjo ishte letra e parë që mori familja, në mars të vitit 1975, që pas arrestimit të tij.
Vizita e parë
Për të marrë një leje qarkullimi për në Spaç, Liri Lubonja s’e kishte të lehtë. Kishte muaj pa e parë djalin, megjithatë askush nga Dega e Brendshme, nuk tregohej i dhimbshëm. Pas shumë kërkesash e refuzimesh, në prill mundi të sigurojë lejen e qarkullimit. Pelegrinazhi drejt Spaçit, ishte i vështirë. Liria rrëfen se deri në urën e Matit, udhëtohej me autobus, më pas me makina të rastit e, pjesën me të madhe mes maleve, më këmbë. – “Dhimbja, fatkeqësia, më krijonin zakonisht një kontraksion ngurosës. Një si ndjenjë turpi, përmbajtje ndaj ‘dobësisë’, më bënte t’i përjetoja brenda vetes të këqijat. Në këtë i ngjaja nënës sime, të cilën, me gjithë dhimbjet dhe fatkeqësitë e mëdha që kishte pasur në jetë, asnjëherë nuk e kisha parë me lot në sy.
Megjithatë, kur mu shfaq Fatosi, ashtu i qethur zero, me ato rrobat e shëmtuara të burgut, më pushtoi ngashërimi e qeshë gati të shpërtheja në lot, sikur ai të mos më kishte porositur dy-tri herë, teksa më përqafonte fort: ‘mos se është turp’. Më dukej sikur po shihja një ëndërr të keqe”, – kujton nëna. Po atë muaj, Liri Lubonja mundi të marrë një leje edhe për të takuar Todin. Pasi iu kontrolluan me imtësi të gjitha ushqimet, i thyen të gjitha vezët, i copëtuan frutat dhe byrekun, në kërkim të ndonjë letre “sekrete”, e lanë të kalonte. – “Me Todin u takuam në një dhomë të vogël në hyrje të burgut. U përqafuam me dashuri e emocion, por të përmbajtur”…, – shkruan Liri Lubonja, e cila në fund të takimit, i premtoi të shoqit, që do i sillte mbesat në takim…!
“Si e përjetuam në internim vdekjen e Enverit”?!
Menjëherë pas dënimit të Todi dhe Fatos Lubonjës, nisi e paimagjinueshmja për familjen e tyre. Liri Lubonja, nga Instituti i Historisë, ku punonte para vitit 1973, tashmë duhej të provonte ngarkim-shkarkimin, në ndërmarrjen bujqësore, e jo vetëm kaq, por edhe pastrimin e ËC-ve. E pas punës së rëndë fizike, familja Lubonja do të prekte me radhë të gjitha kampet e internimit…! Përmes rrëfimeve të Liri Lubonjës në librin “Larg dhe mes njerëzve”, do të prekim jetën reale të të internuarve, përshkruar nga njëra prej tyre.
Pastruese WC-sh në Shtëpinë e Beqarëve
Nga maji i vitit 1975, Liri Lubonja mori një shkresë e cila i njoftonte largimin nga magazina bujqësore dhe e emëronte si punëtore e ngarkim-shkarkimit, në magazinën e ambalazhit, paga ishte 370 lekë. E sëmurë me hipertension dhe një koleksion sëmundjesh, tentoi të kërkonte daljen në pension, por kjo sigurisht që nuk iu pranua.
Ajo kishte bashkëshortin e djalin në burg, ndaj duhej të punonte aty, ku s’i kishte shkuar ndonjëherë mendja. Puna tjetër pas saj ishte ajo në ndërtim, në përgatitjen e llaçit e betonit, e më pas hapja e kanaleve. Pas daljes në komisionin shëndetësor, mjekët i ndaluan punën në diell, për shkak të hipertensionit, por Liries i duhej një punë, kështu duhej ta kërkonte.
“Më caktuan pastruese. Si detyrë të parë kisha pastrimin e WC-ve, kutërbimi i të cilave helmonte gjithë vendin. Pa asnjë lëkundje u hyra atyre WC-ve. Nuk ishte çështje inati. A mund të veproje ndryshe kur ishe e detyruar të kaloje pjesën më të madhe të punës aty? Nga një njeri krejt i largët me to, mora një lëvdatë: “I paska kthyer ato fëlliqësira në dhoma të pastra”. Gjene mirë. Dekoratë nuk mund të më jepnin.
Vazhdoja të pastroja ËC-të, të vija kazanin jashtë e të laja çarçafët e shtëpisë së beqarëve të ndërtimit në ato ditë të ftohta dhjetori, kur më dhanë një zarf me një shkresë të firmosur nga drejtori. Në të shkruhej shkurtimi i vendit të punës”, – kujton me dhimbje Liri Lubonja. E pas punës si pastruese WC-sh, e caktuan në mbledhjen e sherbelës. Për shkak se ishte alergjike ndaj polenës, i duhej të bënte testin e alergjisë, e në bazë të tij, s’mund të punonte aty. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm