Nga Dom Zef Simoni
Pjesa e shtatëmbëdhjetë
Memorie.al publikon një studim të panjohur të Dom Zef Simonit, me titull “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944 në 1990-ën”, ku kleriku katolik me origjinë nga qyteti i Shkodrës që vuajti për vite me radhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më 25 prill 1993 u shugurua Ipeshkv nga kreu i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali i II-të , pasi ka përshkruar një histori të shkurtër të Klerit Katolik në Shqipëri, është ndalur gjatë në persekutimin që pësoi Kisha Katolike në regjimin komunist, nga viti 1944 deri në vitin 1990. Studimi i plotë i Dom Zef Simonit, duke filluar nga tentativat e qeverisë komuniste të Tiranës menjëherë pas mbarimit të Luftës për ta shkëputur Kishën Katolike nga Vatikani, fillimisht duke i ndaluar kthimin në Shqipëri Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, pas vizitës që ai kishte bërë te Papa në Vatikan në vitin 1945 dhe më pas me presionet e kërcënimet ndaj Monsinjor Frano Gjinit, Gaspër Thaçit e Vinçens Prenushti, të cilët e kundërshtuan prerë “ofertën” e Enver Hoxhës dhe si rezultat u pushkatuan prej tij, si dhe fatin tragjik të shumë klerikëve të tjerë që arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.
Tashti një gja e jashtëzakonshme pak mbas mesit të natës. Kontroll në shtëpi. A shkojnë të kapin njeri në këtë orë?! Ndonjë incident luftarak?! Ndonjë zbulim me randësi?! Punë krejt e çmendun! Mbasi asht ndie tue ra rezja e derës disa herë, hapet dera e shtëpisë me trishtim, nga vëllai e motra, çue nga gjumi i thellë dhe i frikshëm. Këta futen me shpejtësi nëpër dhoma e, për gati katër orë, bajnë kontroll të imtë. Kishin shkue në shtëpi operativi që foli me mue, një nëpunës i Sigurimit tjetër, policia e kryetari i Këshillit Popullor të lagjes.
Gjejnë disa libra fetarë. Zbulim. E tmershme për ata. Gjejnë libra fetarë, ndonjë fugure. Atom fetar. Energji atomike-biblike. Shpërthim. Eksplozion. “Shpejt Proçes-verbalin”. Këto u sjellin alergji komunistave, fuguret i mbysin ata. E xunë në faj anmikun. E kanë në një dhomë me hekura, pa xhama. Kur kthej oficeri prej shtëpie, në dhomën ku gjindeshe unë, me quejti me plot gojën; “gënjeshtar”, e më goditi me një grusht në kokë dhe me majën e ombrellës kineze, në bark. Përsëri ia shihsha sherrin Kinës, edhe mbas prishjes.
Oficeri as nuk di, as nuk do ta dijë, restrikcionin mental. Unë për ma tepër, kam detyrë ta mbroj të drejtën, kundër gënjimit demokratik ose, demokracisë me gënjeshtra. Unë të fali, o njeri goditës, o shejtan i tërbuem. Unë fali fajtorin. Nuk flej. Shetis nëpër dhomë. Gjatë ditës herët, vijnë të më shohin oficerë me nëpunës, që filluen të delshin në punë. “Këtë, – thoshin për mue, – e kanë xanë tue ba Mesha, në shërbime fetare”. “Asht njeri i çuditshëm”, thojshin për mue. Dikush tjetër e tha këtë fjalë: “E kanë xanë kaurrin”! Asht nocion alla-turka. U tha kjo fjalë, mbas gati 77 vjetë, në tokën e pavarun shqiptare, me 28 mijë km. katrorë. “Unë jam kaurr!
Thirrem Zef. Dom Zef”. Pak mbas orës 7.00, kur dalin nëpunësit në zyrë, erdhi nënkryetari i Degës. “Dom Zef quhesh”? – më tha. “Po”-i përgjigjem. Se bashku me këtë, mbas pak minutash erdhi vetë kryetari i Degës. Çka asht e vërteta, në praninë time, të dy u sollën mirë. Stuhia kishte nisë të bie. “Pse ban shërbime fetare”? – më tha kryetari. “Bindjet nuk janë të ndalueme, por shërbimi asht i ndaluem me ligje, me kushtetutë”. Unë u tham: “Nuk më kanë xanë tue ba shërbim, me kanë xanë tue ngranë bukë”. Me mend, thojsha “Më kanë xanë, në sofër shqiptare. Kanë pre në bukë, të zotin e shtëpisë. Shqiptari-shqiptarin”.
Operativi Sigurimit me emnin Kongres
Mbas këtyne takimeve, nisën të sillen mirë. Operativi i zonës, që më kishte arrestue, me emnin Kongres, erdh me më pa. “E kam me terë mend, – më tha. – Na dimë të flasim edhe si njerëz. A ke uri? A ke nevojë gja? A ke të holla? Të blej unë për të ngranë”. “Të falem nderës” – i thashë. – Nuk kam uri”. Një polic nuk vonoi e më solli një çini me groshë të përgatitun mirë dhe bukë. Me shumë njerëzi ma dha. Policët që ishin, kishte edhe nga ata që u sollën me një farë miqësie. Ndoshta ishin besimtarë. Kishte vërtetë asish, që ishin fetarë. Po u pëlqente qëndrimi im. Mbas dreke, rreth orës 5.00, më çuen në një dhomë, në zyrën e shefit të hetuesisë, në zyrat e randa të tyne. Do të regjistrohen në prani time, librat që më kishin marrë atë mbramje sterrë. Më ndaluan rreptësisht të preksha libër e gja tjetër me dorë, nën kërcënimin e kërbaçave, që tre-katër oficerë i kishin me vete.
Këtu një mrekulli. Shoh Teken. “A janë Ostiet Eukaristike në Atë”? “Po”. Gjeta Krishtin në dhomën e dhunive. Kujtoj Krishtin te Ana e te Kajfasi. Krishti në hetuesi. Për mrekulli oficeri, Llazari, që me goditi me grusht ato mbramje, kur pau se unë po merrshe Teken, me Ostiet e shugurueme, që ishin tetë copë, nuk bani za. Unë i hangra. Tue pa se unë po e fshijsha me gisht, me gjestin e një njeriu të unshëm, vazhdoi të heshtë. E mbasi unë e lëpiva dhe fshiva me facoletën teme, më dha të ha dhe ostet e pashugurueme, që ishin aty. Ky nuk me lejonte të preki asnjë libër e letër, pa e dijtë ai, më la të jetoj Krishtin, ose ma mirë Krishti veten.
Sigurisht ky oficer tinzar e gjuejtës për disa muej, nuk do të me ndahej. Në këtë dhomë, më lanë afër dy orë. Biseda. Unë u kundërshtojsha atyne. E mbyllën me një deklaratë time, tue nënshkrue se; “Unë jam me pikëpamjet e mia fetare, se unë jam kundër materializmit, se nuk jam dakord me vendimin e partisë për mbylljen e kishave, se kushdo të më kërkojë shërbimin fetar, unë do ta baj, e të gjitha këto mbasi m’i lypën”. Një deklaratë se ishte besimtar, do ta bante edhe Ndrecë Hanxhari, i zoti i shtëpisë që gjindej aty dhe ai në një dhomë tjetër. Kah ora 19°° e mbramjes, më liruen. “Tash nuk ke punë me ne. Do të keshë punë me popullin. Ky do të vendosë për ty”.
Demaskimi im në Kryesinë e Frontit në Lagje
Një ditë të hane, ishte dita e Zojës së Shkodrës. Këshilli i Frontit, më lajmoi të gjindeshe në një mbledhje, ora 6.00 të mbasdites. Kjo mbledhje bahej për mue. Janë thirrë në këtë mbledhje, afër njëqind e pesëdhjetë vetë. Janë policë brenda në sallë. Policë jashtë salle. Ka kuadro të Sigurimit e të Frontit, konservatorë të regjimit, veteranë të Luftës, që mbajnë mustakë krenie dhe kapela republikane, që nuk u kanë hije, njerëz të dalun në pension që sillen kafe në kafe mizash nëpër pjacën e bame për ata, pse kanë sjellë Shqipninë e re, Shqipninë e kuqe. Kanë qenë atentatorë gjatë luftës dhe kanë ba luftën me pasion, me fanatizëm, me fondamentalizëm për lirinë e fjalës, të shtypit, pa dallim gjoja feje, krahinë dhe ideje, për të rrënue ma vonë kishë e xhami, tue gëzue këta të gjitha të mirat materiale, që do të thotë privilegjet e artikujt e bollëkut, sepse këta e meritojnë, mbasi janë punëtorët e rendit të dhunës. Mburrje. Këta janë populli.
Këta më avitën afër presidiumit për t’u pa ma mirë. Filluen sulmet fort të egra, tue më thanë se; “ti ke dalë nga burgu tue mbete përsonë e pandreqshme, se ti vazhdon të bajsh shërbime fetare, se e kërkon hapjen e kishave”. Një “uuu” e fortë dhe e zgjatun, kje përgjegjja e atyne bishave në sallë, me britma çjerrëse, të ngjashme si të atyne tifozave të çmendun të sportit në stadium. Një person diskutoi për prapambetjen e Shqipnisë para çlirimit, tue i lanë fajin shumë Klerit Katolik. Një tjetër, e ky ishte katolik, Zoti e pastë falë, u shpërvjel kundër Krishtit. E me radhë u fol për interesat materiale të priftënve, se shërbejnë tue pasë qypat me tlyn. Për të gjitha, unë u dhashë përgjigje me qetësi. E në fund ata më thanë se; unë isha me Vatikanin. Kjo mbledhje u mbyll me fjalët e mia, se unë isha si katolik e, si meshtar, me Selinë Shejte. Mbledhja u mbyll mbas tri orësh, me fjalët që m’i vente në gojë Shpirti Shejt e, ata dolën me mendimin, se isha vërtetë i pandreqshëm për ata.
Llazari, oficeri i Sigurimit
Mbas disa ditësh, e kjo një ditë mbas një mbledhjeje të Plenumin e Partisë së rrethit, ku kishte marrë pjesë Foto Çami, ai oficeri i Sigurimit, Llazari, erdhi në shtëpi. Ky në këtë rast, vinte i dërguem në emën të Komitetit të Partisë. Më lajmon se; shteti do të interesohet për shëndetin tand, prandaj paraqit se çfarë nevojash ke. Unë e falenderova, por i tham se për asgja, nuk kam nevojë. E ai vazhdoi e, krejt kjo bisede u ba te dera e oborrit të shtëpisë sime. E në fund më tha se; “Je i lirë të shkojsh kudo, në çdo fshat, por me kujdes, të mos kesh me vete pako shërbimesh”. Flitte këto fjalët e fundit, në një mënyrë jo fort të rëndësishme. “Të jesh, – më tha, – atdhetar”. Ai pat si një kënaqësi, kur unë pohova se; “kam qënë dhe jam atdhetar”. M’u kujtue atëherë edhe fjala ime në gjyq, para sa vjetëve, kur unë u thashë se; “jam Meshtar atdhetar”.
Stalini në rrezik të madh!
Si do të ngjante që komunizmi si sistem, të merrte fund? A ka shpresa dhe a ka parashikime? Fjala asht për shembjen e një kampi e, kush mendonte se ky kamp do të digjej si një kasolle, si një fije kashte. Maocedunideja dhe Eurokomunizmi, nuk kishin kyvet e, në gjasim të tyne, vendet që e kishin provue atë lloj jete, diktature, jashtë natyre dhe rendi, ishin futë në udhën e falimentimit, që do të thotë të fundit. Fund, fund, fund. Dukej krejt e papritun, por shkaqet e kishin bërë këtë organizëm, që nuk kishte ma as fuqinë e një organizate. Qielli i Europës Lindore, donte të sqarohej e, kur Gorbaçovi i përshtatshëm punonte në vendin e vet me Perestrojkën, për ditët e reja, shtetet satelite ecëshin shumë përpara e, Solidarnosti me Lehë Valesën polak, vëlla me Vojtilën, mbasi u derdh do gjak në atë truell, u jepte zemër motrave të veta, për shejtninë e fitores e të qytetnimit.
Nanduer. Dhjetuer. Stop. Fundi i vjetit. Fundi i robnisë. Stop. Lirinë e Varshavës, e pason Budapesti. Vjeti 1956, i dikurshëm, tue qenë vit në shej, lidhet me këto ditët e fundit. Njeni “sy” i sëmurë randë, i Gjermanisë, nisi të shërohet. Porsa u shemb muri famëkeq i Berlinit, ajo, i ka dy “sytë” në ballë. Kjo ngjante me 9 nanduer 1989. Praga u ringjall. Bie Zhivkovi e Bullgaria drejton qafën e, kokën e ngrime. Rumania derdh gjak, nja 28 ditë që tronditën botën e, kjo u habit, si Çaushesku e Helena, pak ditë mbas fitores së tyne në kongres mëdhështuer, bijshin në dorën e drejtësisë. Huj i madh dhe ky nuk bartte gjak në ditën e paqës “Lumni Zotit në Qiell të nalta e paqe njerëzve vullnet mirë mbi tokë”, me 25 dhetuer. Stalini që kishte vdekë për vete me 5 mars 1953, vdiste për tjerët kah fundi i këtij vjeti, i këtij dhetori ndër këto ngjarje që do të zhdukin kujtimet, mbledhjet solemne, veprat, bustet nepër salla e sheshe. Bustet tue i mbajtë të thyeme nëper karroca dore, i tallshin e u bijshin krenave, fytyrave të babushit ndërkombëtar.
Një vend stalinian të mos mbetet Shqipnia?! Për shembull, për çfarë?! Mos e thuej atë fjalë! Shqipnia asht fort e zgjueme, por mbrendë ka presion. Asht shumë vështirë. Në këtë vend terrori, asht shumë e çmueshme një fjalë, një gjest, një shenjë V me dy gishta, që ishte përshëndetja e të rinjve nëpër rruga për demokraci, një qëndrim kryenaltë i ma se trimijë të rijve që kishin xanë vend para bustit të Stalinit, në sheshin e rrugët kryesore të qytetit të Shkodrës, gati për ta rrxue. Të gjallët, duen të shtijnë në dhé një të vdekun të qelbun. Flitet për ditët 11 e 14 të janarit në qytet, para bustit. Të rinjtë bajshin zhurmë e të ngjitun njeni pranë tjetrit, lëshojnë zane të bashkueme, “ou, ou” para ndërtesës së Post-Telegrafës. Sheshi e rrugët në të gjitha anët janë të mbushuna. Policia asht në periferi, por rrin urtë. Eja e mos rri. Ata kanë frikë. Kush nuk ka frikë?! Shihet forcë. Asht demonstratë e heshtun. Policia e shumtë dhe sambistat e Sigurimit, rrinë në heshtje.
Me shumë takt, kalojnë makinat e tynë të quajtuna “Garancia” dhe të ambulancave të maskueme e me foto-kamera mbrenda, me shpejtësi kapin një, dy, tre vetë. Janë momente. Asgja ma tepër se grumbullim, guxim, ironi, qeshje, entuziazem, tension e pritje çka po ndodhë. Dita me diell e të ftohtë të akullt, mbyllet me komente, me shamje Enverit të vdekun e, të Nexhmijes së gjallë.
Janë hapë fjalë se në këtë ngjarje, ka priftën që e drejtojnë një lidhje shpirtnore me priftin rumun, që dha sinjalin në Timishoarë. Atë mbramje kanë ba disa arrestime. Ditën e nesërme, kanë thirrë disa persona në Degën e Shkodrës. Thirrë e lëshue. Lëshue e thirrë.
Arrestimi i tretë, Dom Simon Jubani (16 janar 1990)
Ministria e Punëve të Brendshme, asht me punë shumë. Bahen arrestime nga Tirana. Ora 17°º mbasdites, të datës 16 janar, oficeri i zakonshëm i Sigurimit të Shtetit, Llazari, erdhi në shtëpinë tonë. Ai erdhi edhe me datën 9. Mos kishte lidhje kjo me ngjarjet e demonstratës, plan i tyne? Ky kishte kërkue Gjergjin, vëllaun, me pretekstin për të dijtë të ardhunat që kemi në familje. A e lidhim këtë veprim, me thaniet e para tre muejsh, se na do t’ju bajmë mirë?! Me butësi të shtime, oficeri Sigurimit i tha motrës, që kishte dalë për të çilë derën e oborrit, se; kërkojmë Zefin, deri në Këshillin e pushtetit. Unë dal. Ai më merr me vete. Në kthesën e rrugës, takohet me këtë dhe një oficer tjetër. Të dy të veshun civilë. Na marrim drejtimin, jo për të shkue kah hyrja e Këshillit, por nga Dega e Punëve të Brendshme.
Në të hymë, oficerët tue çue pak kryet përpjetë, më lajmojnë rreptë arrestimin. Ata të dy më marrin për krahësh e tue kalue oborrin e Degës tue u gjetë ndoshta, ma se njiqind oficera të naltë, të veshun me rroba të mira civile, me pallto elegante e disa me gjyslykë, skeletet e të cilëve vezullojshin nga ngjyra e artë në atë muzg të randë, diçka mes zymtësisë dhe të ankthit, grupe-grupe në kambë jepshin e merrshin me shoqi-shoqin, tue krye veprime të shpejta, për ta ba gjithçka sa ma tragjike. Unë jam në një dhomë, në një zyrë, mes shtatë-tetë hetuesve, dy prej të cilëve mbajshin në dorë zorrën (shkopin e zi gomet) e zezë. Më akuzuen, se unë i ndaj katolikët e myslimanët. Nuk e kuptoj këtë akuzë. “Unë nuk e baj, – u tham, – një diçka të tillë”. Ma vonë do ta kuptojsha thanien e tyne, mbasi në këtë lëvizje, ishin arrestue pothuej të gjithë elementët katolikë.
Kërkojshin që unë të deklarojsha pikëpamjet e mia, të cilat i kisha ba para tre muejsh. Ata e nxorën deklaratën teme nga dosja. E kërkuen që ta shkruejsha me germa skripte, mbasi dojshin të dijshin, se isha edhe unë, që kisha përgatitë trakte, të cilat u shpërndanë atë ditë. Dojshin me më njohtë shkrimin. Me shpejtësi më ulën e tue zbritë për shkallësh, me fytyra kah muri, gjeta të arrestuem të tjerë. Ndjeva zane, edhe zanin e Dom Simon Jubanit. Ishte gjendje paniku e, terri që binte tashma, shpërndahej randë mbi qytet e mbulonte shtëpia, familjet tona të trishtueme. Mund të jetë edhe kjo, një ndër netët e gazepshme të jetës seme. Natë me kontraste e furi. Na shtijshin në makinat e caktueme, të lidhun me mes dy sambistash. Çdo makinë, kishte dy të arrestuem, katër sambista. Udhëtimi bahej për Tiranë. Ma tepër se dhjetë makina, njësh-kolonë. Na pritshin në hetuesinë qendrore të Tiranës, kuadro të Sigurimit, me të qeshun, me ironitë e tyne. Policia na merr me rrëmbim e, na çon drejt në dhomat e izolimit. Nuk ke kohë me mendue, me pasë sentimentalizëm.
Çudi! Unë orën 17°º, isha në shtëpi, pranë zjarrit, në vishtirësitë e gripit që e kalova në kambë, brenda shtëpisë e, tash para orës 21°º, jam në dhomën e izolimit me numër 28, në dhomën me dy pagure, një dritare e portë me hekura që kërset fort, kur hapet e mbyllet dhe një polic i rrufeshëm që më merr e nxjerr prej dhome disa herë. Gjendje frike, terrori. Fillon hetuesia: dy herë natën. Akuzohem me dekret arrestimi, se kisha marrë pjesë; “me një grup, për rrëzimin me dhunë të pushtetit popullor”. Nuk e pranoj e nuk nënshkruej. Më ka avitë pak kapriçioziteti. Kërkojnë të dinë lëvizjet e mia, të datës 11 e 14 janar. Insistojnë për këtë, katër-pesë hetues. Ata nuk janë të qetë. Rijnë në kambë. Pyetjet i bajnë me shpejtësi. Ata më thonë se unë; “jo vetëm se isha në dijeni të këtyne ngjarjeve, por edhe se isha një ndër organizatorët e saj”. “Unë nuk di asgja për këtë punë”, – u tham. Unë kurrsesi nuk pranoj. “Ti je i fotografuem në video-kasetë, të datës 14”, – më thojshin ata me insistim.
“Nuk asht e vërtetë, – u tham. – Unë nga gripi, kam ndejë në shtëpi”. Ata vazhdojnë pyetjet: “Cilat kanë qenë lidhjet tueja me lëvizjen, me revoltën”? “Asnjë lidhje, – u tham. – Jam kundër revoltave. Kristianizmi nuk do gjak. I krishteni vdes për vete”. Mendime vijshin te unë. “Përse ngjajnë këto punë”, – mendojsha me veti, se veprime të vrullshme kryheshin prej tyne, mbasi ndiheshin dyer kah çileshin e mbylleshin vazhdimisht e me furi, gjatë natës. Ndiheshin zane e tortura. Unë për ata, isha një personë që kisha ra fort në sy, për veprimtari fetare e kisha kontakte me rininë. Por ata me siguri e dijshin, se në ato ditë, kisha qenë në shtëpi, se unë nuk isha i përziem në këtë ngjarje. Prandaj jam kot i arrestuem. Përherë kot. Por e vërteta ishte, se unë gjindeshe në dhomën e randë të izolimit. Çka po ngjante në këto orë të stuhishme, tronditëse?! Këta janë të rrezikshëm dhe tërbohen keqas, kur nuk kanë kohë, kur janë ngushtë. Diktatura bahet fort e, mpreftë.
Shefi i hetuesisë, Qemal Lame
Fluturimthi më përshkruhen njëzetë e katër orët, që pat Lëvizja e Postribës. E mëngjesi i atij shtatori të vjetit 1946, pa nisë ende të ramët e gjetheve e stuhitë e natyrës, në fillim të vjeshtës. Qiellë e randë e politikë e acarueme, pau të shtrimë për dhe, kontingjentin e parë nën atë tmerr dhe me një danë serbe. Mbas dreke, ora dy, çilen dyert me rreptësi dhe i lidhun fort me hekura ndër duer, më çuen në një dhomë tjetër. I lodhun nga gjendja, por i qetë brenda vetes, gjindem para katër hetuesish. Në mes asht shefi i hetuesisë së Republikës, Qemal Lame. Mbasi më zgjidhen duersh: “Urdhno”, – më tha, shefi, të ulesha në karrigen e të arrestuemit. “Po kjo”?! mendova me veti, këta nuk thonë kurr fjalën urdhno, një të pandehurit. Më kishin thanë gjatë takimeve, se; “Kleri Katolik, asht antikombëtar”.
Unë u thojsha tue e hjedhë poshtë me argumenta të tyne, që kanë pohue gjatë katërdhjetë e pesë vjetëve, se; “keni vu në dukje, ma tepër se katërdhjetë meshtarë katolikë, si eksponenta të atdhetarizmit e të kulturës, tue fillue nga Gjon Buzuku e deri te Dom Ndoc Nikaj”. Flejshin në histori burrat e nderuem të një kombi e, lëvdoheshin në shtyp e lajme, në sa këtyne u deformohej jeta, biografia dhe vëllaznit e ardhshëm të tyne, provojshin masakrimin e vdekjet martire. E po të kishin qenë gjallë, ata që vdiqën?! Shefi i hetuesisë merrej me mue, me një sjellje të qetë, të matun. Dialog. Më tha se; “Kleri Katolik, ka qenë përherë kundër politikës së Malit të Zi e Serbit”. “Po”, i përgjigjem. “Mund të na e provojsh”? Vendosa të flas lirisht. Dhashë disa prova dhe dola te “Lahuta e Malcisë”. Unë tash nuk kisha as grip, as uri, as lodhje.
“Fishta asht atdhetar e letrar”, – u tham. Me një nderim rrëshqitës e urti për atë, e përgjegji se; “Fishta asht patriot e letrar i madh”. U ba si një ringjallje në këtë dhomë, që po dukej letrare, fetare, diplomatike, historike, politike e më dukej se Fishta, po delte i madhnueshëm nga hija e Kuvendit dhe përshndette poeti i kombit, majet e maleve të paharrueme, “fushat e gjana e kodrat e blerta” e, e futej kudo, edhe në këte dhomë luftarake, edhe në vargun e famshëm e precis të tij; “Unë mbas sodit, nuk jam shqiptar”. Pse mos t’u baj një kritikë interpretimit të fajshëm me qëllim, të këtij vargu atdhetar të tij, se ky varg lidhej edhe me të ardhmen, pse Atdheu si mbas Fishtës, ishte e do të vazhdonte të ishte, në dorë të aventurierave, mashtruesave, gënjeshtarëve, vjedhësve e kriminelëve. Idetë më delshin me pastërti dhe fjalët shpreheshin me një farë kadence. Unë isha në luftë. Këtu kishte një pikë kulminante. Pavdekshmërinë e kishte Fishta, por nuk e kishin lanë të dukej.
Asht një dukje tash në këtë dhomë. Nëpër kësij dhomash, si katrore, të thata, erë gjaku, duhëm e zeher ushtarak, ata qi kishin folë mirë për Fishten, se mirë do të flitej për atë, do të niseshin një rrugë të gjatë mundimesh. Por paska jo vetëm momente, por edhe periudha që të fortit, të mëdhajt, të forcohen edhe ma tepër në qetësi, në pushim, në heshtje, e të analizohen ma thellë rreshtat e çdo fjale të tij, për t’i dhanë fitore ma të mëdha poetit të madh të kombit, për një herë të thyem, të kombit në ritiratë. Më dukej se shihshin të gjithë, edhe ata që e kishin përsekutuar, shihshin kah ekspozohej një herë, përherë koka e tij e madhe, gjenialiteti i tij, ai balli i gjanë, ajo hije e randë si malet, e atyne maleve, për shumë vjet të pikëllueme, shihshin zhgunin e konopin e tij. “Barrë e lehtë”, e ata sy, ndoshta të vetmit sy, që i kanë prijë kohës me siguri. Memorie.al