Nga Sokrat Shyti
Pjesa e njëzetenjë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
– “Çoj naftë tek traktoristët, në parcelat ku punojnë…”!
– “E mora me mend, – ma ndërpreu ai fjalën. – Sipas meje, më për ajër të punoje në bujqësi. Jo pse këtu e ke më lehtë, pasi në fillim, do ta kishe ca të vështirë, sa të të mësohen duart dhe krahët. Por nuk do mbaje pesha mbi kurriz e nuk do bëje me dhjetëra kilometra nëpër baltë e llucê. Sipas meje: këtë punë ta kanë gjetur me kast, që të të bjerë bretku. Sepse sado mirë të sillet traktoristi me ty, prapë nuk të ndihmon dot, pasi pa naftë, s’punon traktori.
Kurse në bujqësi ndryshon puna: po u lodhe, ulesh në mezhdë një copë herë. Kur bie shi, të paguajnë si dite shiu. Pastaj ditët e punës, i ka në dorë brigadieri. Ky vete shkruan e vetë vulos. Sado qen bir qeni të jetë brigadieri, ty ta ka nevojën. Sepse do t’i përgatitësh format e edukimit, për në organizatën bazë të Partisë e, do t’i bësh raportet e punës. Pse nuk e provon të kalosh në bujqësi”? – shtoi ai duke më hedhur një vështrim.
– “I bëra një kërkesë kryetarit të Lokalitetit, por përgjigje nuk mora”.
– “E kuptova. Kjo tregon se ti nuk varesh nga kryetari i Lokalitetit. Ky ka vetëm çelësat e kashtës, domethënë përcjell urdhrat e Komitetit Ekzekutiv të rrethit, që vijnë nga Komiteti i Partisë. Këto marifete janë lidhur zinxhir. Të dhëntë Zoti gajret dhe durim! – uroi ai. – Se kot nuk i thonë llafit: kur të zë kadiu, s’ke ku e bën davanë…”!
Bashkëbisedimi me shoferin e panjohur ishte një leksion i mençur, që më ndihmoi të hiqja një pjesë të streseve, shkaktuar nga detyrimi i paraqitjes në Degën e Brendshme, thuajse kisha kryer një vepër penale. Sigurisht nënës nuk ia tregova të vërtetën, pse me thirri me kaq urgjencë zëvendëskryetari. U detyrova ta gënjeja: i thashë se plotësova disa shkresurina burokratike, që ishin lënë në harresë dhe këta për t’i dhënë rëndësi vetes e për të, më munduar mua dërguan operativin e zonës”.
– “Ndërsa unë kujtova se kjo thirrje rrufe, ka lidhje me vizitën e befasishme të kryetarit të Lidhjes. Sepse jam mijë për qind e bindur, se këtyre nuk u ka pëlqyer aradhja e tij dhe takimi me ty. Dhe meqë atë nuk e ndaluan dot, t’u vërsulën e u kërrusën mbi ty. Nejse. Nuk jam kureshtarë dhe nuk dua të di hollësi, pasi edhe sikur të ketë, ti mua nuk m’i rrëfen. E kam hallin që ti duhet t’i zbosh nga vetja, pasi ky stan, këtë bulmet të hidhur ka”!
Jeta vazhdonte përmes një monotonie të zymtë. E vetmja lidhje me botën shqiptare, ishte Radio-“Rekord”, që na mundësonte dëgjimin e lajmeve dhe të ndonjë emisioni, kur më premtonte koha e, nuk me pengonte lodhja. Ndërsa lidhjet me qytetin e lindjes, ende nuk qenë vendosur, sepse që të shkoja aty, duhej marrë leje nga Dega e Brendshme, e për këtë duhej detyrimisht t’u rrëfeja qëllimin e udhëtimit. Ata më kishin paralajmëruar: nuk pranohet si shkak dhe arsyetim bindës, fakti i njohur që në këtë qytet banon motra e madhe dhe unë si pjesëtarë i të njëjtës familje prindërore, e kam të domosdoshme ta njoftoj rreth shëndetit të nënës.
Oficerët e Degës së Brendshme ma bënë të qartë që në fillim: “E ke rreptësisht të ndaluar të shkosh në shtëpinë e saj! Nëse të shkrep në kokë, hedh hapin e gabuar, perveç masave ndaj teje, do t’i shkaktosh telashe motrës tënde: para së gjithash i rrezikohet vendi i punës, si centraliste në PTT”. Edhe pse nuk përmendën ç’pasoja tê rënda do të binin mbi kurrizin e burrit të motrës, pas vizitës sime, e mora me mend: vihej në pikëpyetje vazhdimësia si shef llogarie i Bankës së Shtetit, krahas tundimeve në organizatën bazë të Partisë, duke filluar nga më e lehta, shkarkimi si sekretar, vërejtje e rëndë në kartën e regjistrimit, për shkelje haptazi të statutit te Partisë, mungesë e vigjilencës revolucionare, pse pranoi me vetëdije në shtëpi kunatin e deklasuar!
Krejt e natyrshme që nënën e dëshpëronte deri në dhimbje, mungesa e lidhjes me vajzën e madhe, kur priste të kundërtën, që kjo t’i gjendej më pranë se kushdo tjetër për t’ia lehtësuar sadopak stresin e degdisjes në kasollen e lopës. Edhe po t’i shpjegohej si qëndron e vërteta, se Netës nuk i lejohet të vijë tek ne, ajo veçse do habitej për ç’arsye mbahet një qëndrim kaq i egër, sikur kanë ngritur dorën kundër shtetit, kur gjatë kohës së luftës, kjo me familjen e saj, u bënë strehë kryesore e lëvizjes për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj!…Për t’ia zvogëluar sadopak boshllëkun e dhimbjes, i thosha se jot bijë dhe motra ime e madhe, vazhdimisht e ka mendjen tek ne, por duhet të veprojë me mënd në kokë, të mbrojë familjen e saj, pasi përmbajtja për të parë njeri-tjetrin, vlen për të dy palët. Por nëna nuk e pranonte këtë shpjegim. Ajo fajësonte çupën e madhe, duke thënë se kësaj i mungon dëshira, ndaj dhe nuk bën asnjë përpjekje. Shpjegimin e fajësimit e mbështeste me këtë arsyetim: aty ku punon i ka mundësitë të lidhet me telefon, me të gjithë ata që e kanë në dorë t’i japin leje.
Në këto kushte, për t’i zbutur zemërimin, përdorja ton dashamirës: “Ti nuk je fare e vetme këtu. Gjatë kohës që mua më duhet të bredh lart e poshtë, ti shkëmben muhabet me çupën e vogël. Duhet t’i falënderojmë ata të pushtetit që mbyllin njërin sy e vesh, lejojnë tët bijë të merret nga pak me qepjen e rrobave, gjë që na ndihmon të nxjerrim të ardhura sa për të blerë bukën ditore. Dhe aq më mirë që në shumicën e rasteve, pagesat bëhen me mall: na sjellin fasule, vezë, miell misri, zogj fushe ose pule, gjalpë të freskët apo të tretur, bollgur, misra të zier e të pjekur, trahana”!…
Kur e kuptoi dhe u bind që vajza e madhe nuk do të vinte, boshllëkun e mungesës së saj, filloi ta mbushë pak nga pak, duke afruar gruan e rojtarit të pyjeve, meqë kjo hynte e dilte shpesh tek ne, ishte grua e sajdisur dhe sillej me dashamirësi ndaj familjes tonë. Ajo ishte tepër kureshtare të mësonte mënyrën e jetesës qytetare dhe nëna tregohej e gatshme dhe e papërtuar, t’i shpjegonte me durim si gatuhen gjellët në qytet e, si rregullohet shtëpia, që të duket sa më e paraqitshme me ato pak plaçka që ka. Marrëdhënie dashamirëse me fqinjën, sollën afrimin me gratë e tjera të fshatit, gjë që mundësoi shkrirjen e akullit të frikës dhe të mos trembeshin më nga nofka e tmerrshme; “të deklasuar”.
Filluan të vijnë pa druajtje në kasollen tonë dhe të ndjeheshin mirë, kur gjendeshin këtu. S’kishte ditë të mos e lavdëronin nënën dhe motrën, për ndryshimin e madh që i bënë kasolles së lopës, me mendjen dhe duart e tyre, duke e shndërruar në konak kaq të këndshëm, sa këtyre ua kishte ënda ta shihnin e të rrinin! Më pas, kur muhabetet u ëmbëlsuan, gratë e fshatit e ndjenë të domosdoshme të marrin me vete vajzat e tyre, që këto të shihnin rrobaqepësen si i priste copat e basmave, me një siguri te habitshme dhe për një kohë fare të shkurtër, u jepte formën e trupit të derdhur të femrës!
Sigurisht, merita kryesore e këtyre marrëdhënieve të reja, i takonte nënës, që dinte t’i bënte për vete. Kjo e kuptoi në kohën e duhur se shoqëria femërore në një farë mënyre, ka ndikim nxitës për të gjetur formën e përshtatshme, që edhe mes meje e fshatarëve, të krijohet pothuaj e njëjta lidhje, duke patur parasysh faktin, se botëkuptimi femëror gjen me shpejt pika takimi të përbashkëta, se sa vizioni i ashpër mashkullor.
Por ndërsa qëndrimi “armiqësor” i fillimit ndaj meje po zbutej dalëngadalë, nuk mund të thuhej e njëjta gjë për afrimin tim me shokët e shoqet e qytetit të lindjes, ndaj shqetësimi më kryesor vërtitej kryesisht rreth strumbullarit të lidhjes së ndërsjellët, më shqetësonte fakti që ende s’kisha krijuar kontakte, duke patur parasysh pa asnjë mëdyshje, se edhe këta afërsisht, e njëjta dëshirë i ngacmonte, pasi kishim kaluar bashkë vitet e fëmijërisë. Mosha jonë e pjekur e kuptonte, se nuk mjafton vetëm dëshira për të kapërcyer barrierat e rënda ideologjike, luftën e tmerrshme të klasave dhe sidomos nuk i trembte nofka “i deklasuar”.
Në këto kushte, duhej patjetër të ndodhte krejt papritur një befasi tronditëse e rastësishme, si kërkesë e domosdoshme, që prek interesat e autoriteteve më të larta partiake dhe pushtetit vendor, për ndonjë arsye tejet madhore, e cila i vë përpara mëdyshjes më të padëshiruar, se vetëm prania ime i çliron nga ngërçi i dështimit e meqë s’kanë nga t’ia mbajnë, detyrohen ta thyejnë tabunë ideologjike. Por, duke patur parasysh kushtet e jetesës dhe zhvlerësimin tim deri në pikën zero, kjo mendësi mbetej utopi, një dëshirë ëndërr, pjell e imagjinatës.
Megjithatë, postulati i përhershëm: “Shpresa vdes e fundit”, lë gjithnjë të hapur shtegun e një mundësie dhe nuk mund të mohohet në mënyrë të prerë njëra nga format e mistershme të jetës tokësore, se përmbushja e një dëshire, të cilën e ke quajtur pjellë të imagjinatës (nga që të duket absurde dhe krejtësisht e pamundur të merret një vendim i rangut të ulët, kundër vendimit të madh qeveritar), krejt befas rastis të shpaloset çudia, Shfaqet si vegim një zgjidhje e artë, që quhet mrekulli…!
Ndonëse tingëllon si paradoks i pabesueshëm e, dukuri fund e krye ëndërrimtare, që na shërben për të ushqyer shpresën, ky rast fatlum u shfaq si ylber i shndritshëm, në qiellin e një moti tejet të zymtë: Shtëpia e Kulturës e qytetit, u urdhërua nga Komiteti i Partisë së rrethit, te marrë masat për t’u paraqitur me dinjitet në Olimpiadën Kombëtare në Shkodër, me trupën teatrale amatore. Komisioni Qendror i Ministrisë së Kulturës, i ngritur posaçërisht për këtë veprimtari, kishte caktuar për rrethin e Lushnjes, dramën “Vatra e huaj”. Me të mbërritur njoftimi, u bë ndarja e roleve dhe u dha porosi e formës së prerë, të mësohen përmendesh pjesët, pasi pas 3 ditësh fillojnë provat rreth tavolinës, për të ndjekur rrjedhshmërinë e dialogëve, si përforcim kujtese.
Trupa amatore përbehej nga arsimtarë vendas, lindur dhe rritur në këtë qytet, përveç njërit, i ardhur nga Tirana, të cilit i doli një problem jetik familjar kur pjesa qe zhvendosur nga tavolina në skenë dhe personazhet mësonin lëvizjet, si duhet të sillen ndaj njeri-tjetrit. Nuk e dija arsyen e vërtetë pse ai u detyrua të largohet në pikën kritike dhe nuk më interesonte ta merrja vesh. Për mua kishte rëndësi çfarë do të ndodhte pas largimit të tij: nëse do të bëheshin përpjekje për të mos rënë në dështim, duke gjetur sa më parë zëvendësuesin! Sepse ky ndërrim i domosdoshëm, paraqiste dy vështirësi mjaft serioze: e para, koha shumë e shkurtër për të mësuar pjesën dhe zbërthyer rolin. E dyta, zëvendësuesi duhet të kishte prirje për teatër).
Të pështjelluar nga kjo gjendje e nderë, shokëve dhe shoqeve të fëmijërisë, (të cilëve iu dha detyra të gjejnë zëvendësuesin e përshtatshëm), menjëherë u shkoi mendja tek unë, por pa e shfaqur hapur këtë mendim, pasi më parë duhej saktësuar kush merrte i pari guximin ta përmendte me zë të lartë emrin tim. Pas shumë pëshpëritjesh, kjo barrë e rëndë iu ngarkua poetit Haliti, pasi këtij i takonte realisht si drejtues i degës së Lidhjes të Shkrimtarëve e Artistëve të rrethit.
(Hollësitë si u ndez diskutimi i sertë në Komitetin e Partisë së rrethit, për vajtjen time në trupën amatore teatrale të Shtëpisë së Kulturës, nuk i di. Por e përfytyroj që kundërshtitë duhet të kenë qenë të shumta, sepse duke dalë në skenë pranohej publikisht njëfarë rehabilitimi i figurës sime të përdhosur padrejtësisht, dhe zgjonte vetvetiu indinjatën e fjetur ndaj përçmimit që i bëhej një gazetari të pafajshëm, të cilin e kanë trajtuar gati njësoj me kafshën, përderisa e detyruan të banojë në kasollen e lopës. Sipas një arsyetimi të thjeshtë, tani që befasia i vuri përpara provës së shpëtimit të lëkurës nga ndëshkimi i egër i shefave dhe meqë s’po gjen asnjë shteg tjetër shpëtimi, detyrohen ta thërresin të “deklasuarin”, për të kapërcyer vaun pa u lagur, duke ia ngecur njëri-tjetrit përgjegjësitë e shmangies nga lufta e klasave).
Për fatin tim të mbare, roli i mbetur bosh ishte personazh negativ, djali i një plake aristokrate, që mëkohej me mendësi mikroborgjeze dhe donte e synonte të arratisej jashtë shtetit! Ky fakt u erdhi plotësisht për shtat drejtuesve kryesore të komisionit vendor. Madje këta e vunë në themel të arsyetimit, pse del e domosdoshme dhe mund t’i jepet ky rol negativ një te deklasuari, me shpjegimin se kështu pjesa bëhet më bindëse për spektatorët vendas, kur do të jepet shfaqja e parë për publikun e zgjedhur, autoritetet dhe jurinë.
Sigurisht fjalën e fundit vendimtare, do ta jepte sekretari i Parë i Komitetit të Partisë. Prandaj pritej me ankth përgjigja e tij. Pikërisht në këto minuta, unë gjendesha para pikës kulmore më tronditëse, sepse një; “po”, e tij, shënonte fillimin e kthesës jetësore, të paktën zbutej disi qëndrimi kafshëror ndaj meje e familjes time, para së gjithash të shpërngulem nga kasollja e lopës e, të më jepet një mundësi e re punësimi! Ndërsa “jo”-ja e formës së prerë, betonon vendimin e Komisionit Qeveritar, nxit deri në hakmarrje armiqësinë ndaj meje, e bën më të egër luftën e klasave, u thotë vartësve: merrjani shpirtin!
Fatmirësisht, shefi i madh i Partisë, bënte pjesë tek drejtuesit shumë të rrallë, me kulturë dhe vizion intelektual, dashamirës i artit, që i shihte veprimtaritë kulturore përmes prizmit të aftësimit të talenteve dhe donte që këtë mendësi, ta përçonte tek vartësit. Përveç kësaj cilësie të vyer, na njihte familjarisht dhe adhuronte vëllanë tim të madh, aktorin e Teatrit Popullor. Ndaj, kur u njoftua se kjo familje është trajtuar nga Dega e Brendshme, si familje krimineli, shfaqi indinjatë të hapur, u tërhoqi vërejtje të rëndë vartësve të drejtpërdrejtë, qe nuk e vunë ne dijeni ditën e parë të mbërritjes së vendimit të Komisionit Qeveritar të Internim-Dëbimeve, sipas procedurës përkatëse.
Kryetari i Degës së Brendshme, i zënë ngushtë para kësaj shkeljeje, u mbrojt duke thënë se ai nuk gjendej këtu, ndaj me sistemimin e familjes së internuar nga Tirana, u mor ndihmësi, zëvendëskryetari. Por, duke e ndjerë se ky shpjegim nuk e shfajësonte nga përgjegjësia, bëri autokritike dhe e mbështeti mendimin e drejtë të sekretarit të parë, e pranoi se qëndrimi i mbajtur ndaj familjes së ish-gazetarit të Radiodifuzionit, ishte njësoj si trajtimi me armiqtë e betuar kundër Partisë! Prandaj ky gabim i rëndë, duhej korrigjuar.
Autokritika e kryetarit të Degës së Brendshme, para sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë, u bë shkas të shqyrtohej hollësisht edhe një herë çështja e familjes sime, me tre krerët më të lartë vendore dhe të dilej me propozim konkret, drejtuar Komisionit Qeveritar të Internim-Dëbimeve, për zbutjen e dënimit, internimi të kthehet në dëbim, duke e arsyetuar masën se ky qëndrim, përputhet me sjelljen korrekte të familjes Shyti, e cila ashtu si dje, ka qenë njëra nga bazat ilegale gjatë pushtimit nazist-fashist, sot i ka përmbushur me vetëdije deri në një, të gjitha detyrimet ligjore, pa shfaqur asnjë ankese.
Askush, përfshirë dhe orakujt, nuk mund të parashikonin atë që ndodhi, se zëvendësimi i interpretuesit të një roli negativ, në dramën “Vatra e huaj”, do të sillte për mua dhe familjen time, një zgjidhje befasuese, si mrekulli të zbritur nga qielli, falë vizionit liberal të drejtuesit kryesor te rrethit, i cili me urdhër të formës së prerë, shpërndau kërcënimet e shtrëngatave, kthjelloi motin për një kohë, krijoi një klime politike afrimi ndaj meje dhe familjes time, ndezi dritën jeshile për një jetesë më njerëzore e, mundësi të re punësimi, të cilat për ne ishin mollë e ndaluar!….
Ashtu siç e përfytyroja dhe e dëshiroja, vajtja ime në trupën amatore të Shtëpisë së Kulturës, u prit nga shoqet dhe shokët e fëmijërisë, me brohoritje e përqafime të përmallshme! Disa u përlotën që më shihnin kaq pranë dhe më dëgjonin zërin! Ajo çfarë ndodhi në këto minuta, më dukej si mirazh optik, jo dukuri reale e prekshme, sepse izolimi i këtyre tre viteve, kishte depërtuar deri në plazmën e sistemit tim nervor, duhej kohë të hiqja nga vetja zhguallin e karantinës, pasi ende nuk besoja që ky afrim, do kishte jetëgjatësi, mund të vazhdonte në të ardhmen: shtysa e dyshimit brejtës më pëshpëriste se; pas largimit të bamirësit, sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë, hakmarrja e heshtur kundër meje, mund të rishfaqet me forma të tjera kanosëse, ndoshta më të egra e vrastare!…
Falë kujtesës vetjake, brenda disa orëve mësova përmendesh tekstin dhe u futa deri në brendësi te rolit. Madje lexova rolet e tjerë, që lidheshin me personazhin tim, për ta mishëruar më të plotë botën e tij mendore e shpirtërore. Fatmirësisht, nuk ndesha asnjë vështirësi në përvetësimin e rolit, sepse më tepër kishte shpërthime të çastit, se sa ngarkesa emocionale të shtresëzuara! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016