Nga Skifter Këlliçi
“Përse ka gabuar beu i Vlorës, kur e quan Avni Rustemin; karagjoz dhe kriminel”?!
Memorie.al / Botimi i librit “Kujtime”, në dy vëllime (1885-1912 dhe 1912-1925), shkruar nga Eqrem bej Vlora, “pinjolli i një prej familjeve më të mëdha të Shqipërisë e të Perandorisë Otomane, kushëri i afërt i Ismail Qemalit, dëshmitar-protagonist i disa dekadave tepër të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, një nga njerëzit më të kulturuar të kohës”, siç shkruan në një pasthënie të shkurtër, publicisti i njohur Pirro Misha, ka ngjallur interesim të madh te lexuesi. Fakte, personazhe, ngjarje të përjetuara nga vetë autori, të shoqëruara dhe me dokumentime arkivore për një periudhë kaq të gjatë, mbushin boshësi që nuk i gjen në libra historike, çka ia rrisin edhe me shumë vlerat kësaj vepre.
Pa i vënë qëllim vetes të rendis më tej vlerat e këtij libri voluminoz dhe interesant, e shoh të arsyeshme të ndalem në disa pasaktësi dhe interpretime krejt subjektive dhe tendencioze, të Eqrem bej Vlorës, lidhur me figurën e atdhetarit të madh Avni Rustemi, të cilat nuk kanë, për më tepër, asnjë bazë historike.
Vrasja e Esat Pash Toptanit në Paris
I shtyrë nga një mllef vetjak, autori në fjalë hedh baltë mbi figurën e Avni Rustemit e, sidomos mbi aktin e tij historik, atentatin kundër tradhtarit me damkë, Esat Pashë Toptanit (13 qershor 1920). “Që Esat Pasha, në çdo vend të qytetëruar, do ta kishte hak trekëmbëshin, kjo nuk diskutohet, – shkruan ai në libër. Po që ai u eliminua në këtë mënyrë të padenjë, kjo nuk i nderon aspak anëtarët e asaj qeverie. Vrasja e cilitdo qoftë motivi shtytës politik, mbetet vrasje”. (Eqerem Vlora, “Kujtime”, fq. 166).
Megjithatë, nga argumentimet që do të sjellim më poshtë, të nxjerra nga po ky libër, do të dëshmohet që eliminimi fizik i Esat Pashës, ishte nevojë e domosdoshme për fatet e Shqipërisë. Në faqen 162-163, të librit të tij, Eqrem bej Vlora shkruan: “Menjëherë pas formimit të qeverisë së re të Tiranës, të gjitha krahinat shqiptare, e njohën autoritetin e saj (20 shkurt 1920).
Sidoqoftë, zona të gjera të vendit, mbeteshin ende nën pushtimin e huaj: Shkodra (qyteti), Korça, Pogradeci nën francezët, viset në veri të Drinit, nën sundimin serb. Vlora dhe disa pikëmbështetje të tjera, siç u tha, nën varësinë italiane”! (fq. 163).
Më poshtë, autori vazhdon: “Ndërkaq, Esat Pashë Toptani, me banim në Paris, u dha urdhër njerëzve të tij në Shqipërinë e Mesme, që të mblidheshin dhe kur të vinte rasti, të rrëzonin qeverinë. Përballë këtij rreziku të ri, qeveria u përpoq t’i bindte me të mirë esatistët, se përmbysja me dhunë e qeverisë, do t’i ri-zgjonte dëshirat dhe nepset e fqinjëve, për të rrëmbyer troje shqiptare dhe kjo mund të ishte rrezik i madh për ekzistencën e Shqipërisë së lirë”. (po aty).
Më pas, Eqrem bej Vlora shkruan se qeveria dërgoi në Paris një delegacion, të kryesuar nga Faut bej Toptani, për të biseduar me Esat Pashën, ndërkohë që esatistët “zgjeruan lëvizjen e tyre në të gjithë Shqipërinë e Mesme (nga Rrogozhina deri në lumin e Matit), duke e vënë në mes Tiranën”. (fq. 163).
Nuk mjafton vetëm kjo, por esatistët filluan befas të ndërmarrin veprime të dhunshme. Ato prenë linja telegrafike dhe telefonike, vendosën njerëz të armatosur në ura dhe qafa dhe, kur qeveria nisi të marrë masa të rrepta, ata, nën komandën e Osman Balit, rrethuan madje edhe Tiranën. Osman Bali ishte një nga larot më të rëndësishëm të Esatit, ai që kishte organizuar vrasjen në Shkodër, të gjeneralit turk, Hasan Riza Pasha. Edhe një herë tjetër qeveria shqiptare, u përpoq të merrej vesh me rebelët. Ndërkohë problemi u zgjidh vetiu nga vrasja e Esat Pashë Toptanit, para hotelit “Kontinental”, më 13 qershor 1920″. (fq. 166).
Siç e pohon edhe vetë Eqrem bej Vlora, (në këto faqe të librit të tij), rrezikshmëria që e kërcënonte Shqipërinë e re nga Esat Pashë Toptani dhe bandat e tij, ishte skajësisht e madhe, aq sa e mbyste atë që në djep. Të mos harrojmë se Esat Pasha, ishte dhe aleat i Francës. I dëbuar nga Shqipëria pas kryengritjeve fshatare dhe urrejtjes së thellë popullore, ai u shtrëngua të hidhej në Itali, ku u prit me madhështi e që atje, me disa qindra banditë të rekrutuar nga Osman Bali, me një miratim të ministrit francez të Luftës, gjeneralit Fosh, iu bashkëngjit në vitin 1916, Armatës së Lindjes, me qendër në Selanik, të komanduar nga gjenerali Sarai, që luftonte gjatë Luftës së Parë Botërore, kundër ushtrive austro-hungareze.
Pas përfundimit të kësaj lufte, siç dihet me fitoren e Antantës, pra, dhe të Francës, Esat Pasha shkroi në Paris dhe u bë vegël e ambicieve të qeverisë franceze, e cila synonte që ta vendoste atë në krye të shtetit shqiptar, që kështu, pasi kishte shtrirë ndikimin e vet mbi Jugosllavinë, duke vënë në krye aleatin e vet, kryeministrin Pashiç, të bënte të njëjtën gjë dhe në Shqipëri.
Madje, i ndihur nga qeveritarët francezë, Esat Pasha paraqiti në Konferencën e Paqës në Versajë një memorandum, ku pretendonte se ai ishte kryetar i ligjshëm i qeverisë shqiptare. Ja pra, përse Esat Pashë Toptani, duhej të merrte dënimin e merituar. Dhe, përderisa ai nuk lëvizte nga Parisi, ky dënim nuk mund t’i jepej atij, veçse atje. Dhe, doemos, veçse me një atentat. Dhe këtë atentat, e kreu me një guxim të pashembullt atdhetar, djaloshi 25-vjeçar, Avni Rustemi.
Eqrem bej Vlora, kundër Avni Rustemit
Mirëpo Eqrem Vlora, nuk bie aspak në ujdi me këtë akt të lartë të Avni Rustemit, ndaj në librin e tij, shkruan kështu për të: “Një djalosh i quajtur Avni Rustemi, një nga studentët më të pasuksesshëm, të cilët tentojnë të shfryjnë me heroizma politike, dëshirën e tyre për hakmarrje, lindur në Libohovë, i biri i një qehajai të derës së Libohovë-Asllan Pashës, me anë të një vrasjeje të pabesë, i dha një fund të beftë, jetës aventurore të Esatit. Ky djalosh, që me këtë vrasje donte të bënte emër në Shqipëri, nuk ishte veçse një vegël në duart e kundërshtarëve të Esat Pashës.
Ata i dhanë mjetet e nevojshme për këtë vrasje dhe morën njëherësh përsipër mbrojtjen e tij, para gjykatës franceze. Se kush ishin këta kundërshtarë, sot vështirë ta thuash. Me siguri mund të thuhet, vetëm se pothuaj të gjithë nacionalistët, madje edhe disa bejlerë (mjerisht edhe të tillë që kishin përfituar nga Esati), miratuan vrasësin dhe vrasjen. Midis tyre në radhën e parë ishte edhe Ahmet bej Zogolli” (fq. 166).
Ky pohim, ka disa prirje sa të mbrapshta, aq edhe të pasakta, për shumë arsye. Avni Rustemi, nuk ishte student i pasuksesshëm, po të marrim parasysh se kishte mbaruar shkëlqyeshëm gjimnazin italo-arbëresh, të San Demetrio Koronës, në Kalabri dhe kishte nisur studimet e larta për pedagogji, në Romë, të cilat ai nuk arriti t’i përfundonte, sepse u lidh me lëvizjen atdhetare. E dyta, vrasja e tij nuk ishte e pabesë.
Përkundrazi, një vrasje tepër e guximshme, që e diktuan rrethanat për fatet e Shqipërisë. Pashai i kishte sjellë aq tersllëqe vendit, sa shthurja po sillte shpërbërjen. Esati kishte vrarë plot pas shpine, jo vetëm mbrojtësin e Shkodrës, Hasan Riza Pashën, viktimat dhe kurthet e tij, kërcënonin të ardhmen e vendit, ndërkohë që bashkëpunimi me serbët, grekët, ishin moto e taktikës së tij antishqiptare.
Avniu nuk e vrau Esat Pashën për hakmarrje, pas shpine, i fshehur diku, por i doli përpara në hyrje të hotelit “Kontinental”, nga ku Esat Pasha po dilte, e qëlloi dy herë në gjoks, dhe nuk e qëlloi dot më shumë, sepse arma nuk shkrepi, qëndroi pa lëvizur dhe e hodhi armën përdhe; sipas një plani të studiuar deri në hollësitë më të vogla.
Avniu kishte mundësi ta vriste atë edhe në mbrëmje, para këtij hoteli ose, diku gjetkë, i fshehur, te shëtiste në rrugën “Kastilione”, para hotelit “Kontinental”, e sidomos nga policët që e rrahën rëndë, duke e pandehur për kriminel ordiner. Dhe kjo sepse ai, gjatë procesit hetimor dhe gjyqësor, do të përmbahej me një aftësi të shkëlqyer plot gjakftohtësi tezës, se ai nuk kishte ardhur në Paris, për të vrarë Esat Pashën, por për të studiuar.
Mirëpo, i ndodhur befasisht para këtij tradhtari, kur priste sekretarin e tij, u trondit, iu bë se lexoi në ballin e tij mizoritë, që ai i kishte sjellë Shqipërisë dhe në kushtet e kësaj tronditjeje, nuk u përmbajt, e qëlloi me armën që e mbante për vetëmbrojtje. Ky ishte plani, për të cilin ishte përgatitur Avniu, të cilin e vuri në jetë deri në fund.
Akti i Avniut ishte i rrallë, sepse akt-akuza e prokurorit Blosh Larok “për vrasje me paramendim”, e cila sipas neneve përkatëse të Kodit Penal francez, kërkonte dënimin me vdekje, i qëndroi atij mbi kokë nga 9 shtatori, deri më 4 dhjetor, të vitit 1920, kur përfundoi procesi gjyqësor me lirimin e tij, kur dihej që ai edhe mund të dënohej, me kokën e prerë në gijotinë. Eqrem bej Vlorës, nuk i intereson fare qëndrimi i Avniut dhe e anashkalon atë, sikur të mos kishte asnjë vlerë.
Kush e mbrojti dhe liroi Avni Rustemin?
E treta, nuk ishin “kundërshtarët”, që morën përsipër mbrojtjen e Avni Rustemit, para gjykatës franceze. Ishin shqiptarët e mërguar në Amerikë, ata që nga kursimet e tyre mblodhën 5.000 dollarë, shumë tepër e madhe për atë kohë, kur dollari kishte shumë vlerë, për t’ia dhënë avokatit francez, De Monzi, që mori përsipër mbrojtjen e Avniut, gjatë procesit gjyqësor.
Eqerem bej Vlora, ka të drejtë vetëm në një pikë kur thotë: “Se kush ishin këtu kundërshtarë, sot vështirë ta thuash”. Vërtet, ashtu është. Kanë kaluar më shumë se 100 vjet nga ajo ditë dhe askush nuk e di se cilët qenë ata që e dërguan Avni Rustemin, për të vrarë Esat Pashën në Paris, sepse në asnjë arkiv nuk gjendet as edhe një dokument, së paku nuk janë publikuar në shtyp.
Qoftë gjatë procesit gjyqësor, qoftë dhe kur u lirua nga burgu dhe u kthye në Shqipëri, Avniu nuk i rrëfeu kujt asgjë, lidhur me aktin e tij atdhetar. Ai, me gjithë këmbënguljen e gjyqtarëve, e quajti atë thjesht vetjak, për të mos implikuar qeverinë e re të Tiranës, sepse një pohim i tillë, pra, se ai në të vërtetë ishte dërguar prej saj, do të kishte pasoja të rënda ndërshtetërore. Kështu, ata që e dërguan, mund të ishin ata të cilët Eqrem bej Vlora, i quan nacionalistë, pra, ata që luftonin për Shqipërinë e, jo ta shisnin atë si Esat Pasha.
Duke lexuar librin “Kujtime”, të Eqrem bej Vlorës, të habit edhe një tjetër pohim i ulët dhe absurd, kur ai shpreh çudinë se si “drejtësia franceze, me një manipulim të habitshëm të ligjit, e nxori të pafajshëm Avni Rustemin dhe që qeveria shqiptare e shpalli hero dhe e bëri deputet, kur ky vrasës i pabesë, pra, kapardisej nëpër Tiranë dhe brohoritej ngado, si ndonjë shpëtimtar i atdheut. Ky shembull u tregonte gjithë djemve shqiptarë, se si me anë të një plumbi të shkrepur nga prapa shpinës, si burracakët, mund të bëhesh njeri i madh”! (fq. 215).
Përse drejtësia franceze, e liroi vrasësin e Esat Pashës?!
Një njeri i kënduar si Eqrem bej Vlora, nuk duhej t’ia lejonte vetes një gabim kaq trashanik, kur nënvizon fjalën “manipulim të ligjit” nga drejtësia franceze. Ai duhet ta dinte se akuzën për dënimin me vdekje, e dha prokurori Blosh Larok, dhe se vendimin si në çdo rast tjetër e dha juria, e cila përbëhej nga njerëz të profesioneve të ndryshme, dhe që e gjykuan aktin e Avni Rustemit, si shprehje të drejtësisë së popullit shqiptar, për të zhdukur një përbindësh, që kërkonte, me ndihmën e të huajve, të mbyste Shqipërinë.
Këta anëtarë të thjeshtë të kësaj jurie, me sa duket, njohën faktin që në adresë të Prokurorisë dhe Gjykatores së Jenës në Paris dhe gazetave franceze, nga Shqipëria dhe nga vende të tjera, si; Bullgaria, Rumania, Amerika, në emër të shqiptarëve të mërguar, kishin ardhur me dhjetëra telegrame, ku kërkohej lirimi i Avni Rustemit dhe se pas këtij akti të madh heroik, shqiptarët kudo bënin festë. Të mos harrojmë se në mbrojtje të Avni Rustemit, u ngritëm dhe personalitete të mëdha franceze, midis të cilëve, Rene Pio, Zhysten Godart dhe aktori i madh shqiptar me famë botërore, Aleksandër Moisiu, etj.
Nga të gjitha këto telegrame që iu dërguan organeve gjyqësore franceze, unë po rendis vetëm një, atë që populli i Vlorës, pra, i vendlindjes së autorit, për ironi të fatit, i dërgoi gjykatës së Parisit: “Populli i Vlorës, në një miting madhështor të mbajtur sot, vendosi t’i bëjë thirrje ndërgjegjes së lartë të Gjykatës së Parisit. Ai tani pret që të merret parasysh drejtësia e flaktë e popullit shqiptar që të lerë të lirë studentin tonë, Avni Rrustemi, i cili bëri një vepër patriotike, duke qëlluar Esat Toptanin e, duke çliruar atdheun tonë nga një e keqe shkatërrimtare”.
Sidoqoftë, mund të hamendësohet edhe ndonjë ndërhyrje e drejtësisë franceze, në çastin e fundit. Dhe kjo nisur nga një qëndrim i papërkulur i Avniut, gjatë procesit gjyqësor, ku ai e demaskoi Esat Pashën, në planin politik e moral, ashtu siç e kishte demaskuar dhe zëri i fuqishëm i shqiptarëve në Shqipëri e, kudo ku ata ishin.
Kur në dhjetor të vitit 1920, tërë të huajt ishin dëbuar nga Shqipëria, Franca zyrtare pa të arsyeshme, që të mos vriste Avni Rustemin, jo sepse e simpatizonte, por sepse donte të paraqitej tashmë para botës, si vend që zbaton parime të larta demokratike. Nuk ia vlen të ndalesh, te shprehjet banale për Avni Rustemin; “vrasës i pabesë”, apo “plumb i shkrehur prapa shpine si burracakët”, të cilat janë sa të pavërteta, madje të neveritshme, gjynah që kanë dalë nga pena e Eqrem bej Vlorës, në librin e tij “Kujtime”.
Rustemi ideator i atentatit ndaj Zogut, në 23 gusht 1923
Po të shkojmë më tutje: Me 23 shkurt 1923, Ahmet Zogut iu bë atentat në parlament, nga i cili ai doli i plagosur lehtë. Atentatori ishte Beqir Valteri, që sipas pohimeve që autori i paska thënë më pas vetë ai, ishte vënë nga Avni Rustemi, për të eliminuar Zogun. Lidhur me këtë ngjarje, Eqrem bej Vlora vazhdon të rrëfejë kujtimet e tij: “Ahmet Zogu e dinte kush ishin organizatorët.
Ai pajtoi një njeri në Tiranë, që kishte marrë prej vitesh me qira dy mulli bloje nga Esat Pasha (njëherësh edhe vetë esatist i njohur), i cili qëlloi me revolver dhe plagosi rëndë Avni Rrustemin, vrasësin e Esat Pashë Toptanit dhe nxitësin kryesor të atentatit kundër Zogut. (Ky ishte Isuf Reçi, i cili e qëlloi Avniun pas shpine dhe humbi gjurmët. U vra nga partizanët me 1944). Avniu i plagosur, vdiq dy ditë më vonë, në spitalin e Tiranës.
Ky ishte një akt i shkëlqyer hakmarrjeje, që jo vetëm përputhej me rregullat e kodit të vendetës shqiptare, por bënte dhe një shërbim tjetër; pajtonte dy rryma politike, esatizmin dhe ahmetizmin, deri atëherë të ndara”. (fq. 214).
Për fat të keq në këto radhë, Eqrem bej Vlora tregohet kontradiktor edhe cinik në tifozllëkun, ku merr anën e vrasësit. Kontradiktor, sepse në faqen 166, siç e pamë, shkruan për vrasjen e Esat Pashës: “Vrasja, – cilado qoftë motivi shtytës politik, mbetet vrasje”. (fq. 166)
Kurse për vrasjen e Avni Rrustemit, dora vrasëse nuk qenka kështu. Cinik, sepse këtë vrasje. e quan një hakmarrje të shkëlqyer (?) dhe, për më tepër, që bashkoka esatizmin me ahmetizmin. Në këtë rast, ai nuk i bën aspak nder Ahmet Zogut, i cili, falë së vërtetës, pasi u bë Mbret, përpos disa vrasjeve politike, midis të cilave, veç atentatit kundër Avni Rustemit (1924), kundër Luigj Gurakuqit (1925) dhe Hasan Prishtinës (1933), është shumë larg figurës së urryer të xhelatit, Esat Pashë Toptani.
Vazhdojmë më tutje: “Por vrasja e Avni Rustemit, ishte njëherësh edhe shkëndija që ndezi flakadan zjarrin, deri atëherë të mbushur të urrejtjes së vjetër disavjeçare, midis krahut demokratik dhe atij aristokratik. Urrejtja, si udhëkryq, ndante Shqipërinë osmano-feudalo-myslimane, nga ajo nacionalo-socialisto-demokratike. E në rrethanat ekzistuese ky zhvillim, do të çonte pashmangësish në vendosjen e një diktature, që do të zgjaste 15 vjet”. (fq. 214).
Me këtë rast, pavarësisht se në faqet e librit ai flet me përçmim për nacionalo-socialisto-demokratët, që ishin Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjau, vetë Avni Rustemi, Jashar Erebara, Agjah Libohova e, plot të tjerë, ai kishte të drejtë, aq më tepër, se tërë këto figura, ishin për ndërtimin e një Shqipërie të re, larg obskurantizmit anadollak. “Një komedi – vazhdon më poshtë Eqrem bej Vlora – ishte dhe ceremonia e nderimit para arkivolit të hapur të Avni Rustemit, në spitalin e Tiranës. Të gjithë ata që e quanin veten ‘popull’ dhe ‘demokrat’, kaluan para arkivolit të këtij karagjozi kriminel, të cilin donin medoemos, ta ngrinin në piedestalin e heroit kombëtar dhe të martirit”.
Rustemi “karagjoz politik” dhe “kriminel”?
Urrejtja patologjike ndaj vrasësit të Esat Pashë Toptanit dhe një ndër figurave më të mëdha për një Shqipëri antifeudale e bejlero-agallare, e ka shpënë Eqrem bej Vlorën, deri në atë pike sa, të quajë Avni Rustemin “karagjoz politik” (?!). Dhe është i pari dhe i vetmi deri tani, që nxin figurën e tij. Më tutje autori vazhdon: “Me radhë, udhëheqësit e partisë demokratike, ngjiteshin pranë arkivolit dhe zbraznin rrëketë e fjalëve të tyre, pa dashur t’ia dine, se për popullin këto poza, janë krejt të huaja, sepse ato shkelin zakonet dhe kuptimin e tij, për dinjitetin njerëzor. Kjo shfaqje u zhvillua për një javë të tërë në Tiranë dhe pastaj në Vlorë, për gazin e gjithë kalamajve. Në këtë vazhdë, befas partia demokratike, vendosi të transportojë të vdekurin në Vlorë! (Po aty).
Këtu, urrejtja e Eqrem bej Vlorës, për Avni Rustemin dhe pastaj edhe për partinë demokratike, shfaqet në përmasat më të mbrapshta. Nuk mund t’i lejohet kurrë një eruditi, siç ishte në të vërtetë ai, ta quajë Avni Rustemin, sado kundërshtar ta kishte, “karagjoz, kriminel”, kur pranë tij e kishin për nder të rrinin, Fan Noli e Luigj Gurakuqi, të cilët kishin më shumë kulturë se beu i Vlorës dhe, për më tepër, ishin edhe shkrimtarë, edhe studiues, me shumë vepra, dhe se atë e respektonte një popull i tërë.
Mjafton të shohësh fotografi të botuara në shtypin e kohës, veç plot e plot artikujve, për t’u bindur se ishin me mijëra ata qytetarë tiranas, që u mblodhën në shesh, sot të quajtur “Skënderbej”, për të përcjellë arkivolin e Avni Rustemit, nga Tirana në Durrës e, nga Durrësi, me anije në Vlorë, ku me mijëra të tjerë, të ardhur nga të katër anët e Shqipërisë, me dhembje të thellë, morën pjesë në ceremoninë e varrimit të birit të tyre të shtrenjtë.
Avni Rustemi ishte bir i Shqipërisë, ishte dhe bir i Kosovës së martirizuar nga shovinistët serbo-malazezë, që i kishte demaskuar në sa e sa fjalime në Parlament, të cilat Eqrem Vlora, duke qenë deputet, i ka dëgjuar, por për këto kujtime, e bënë veshin të shurdhër. Ndaj edhe Kosova, pjesë e Shqipërisë, e shkëputur nga përçudnitë e historisë, e vajtoi Avniun, që e kishte edhe deputetin e vet dhe e nderon atë me respektin më të madh. Duke përfunduar, pa mohuar vlerat historike që sjell Eqrem bej Vlora, në librin e tij “Kujtime”, jemi të detyruar të pohojmë se, thëniet që cituam më sipër, lidhur me figurën e atdhetarit të mençur Avni Rustemi, janë shumë larg së vërtetës historike, të mveshura me mëri e subjektivizëm që nuk e nderojnë autorin. Memorie.al