Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të kontrabandës së cigareve gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, e cila zhvillohej kryesisht në zonën e Ujit të Ftohtë në bregdetin e Vlorës, ku vinin kontrabandistët nga Brindisi me anije të vogla dhe pasi fiknin motorët që të mos zbuloheshin nga rojet kufitare të financës, i afroheshin bregut për të shkarkuar mallin tek bashkëpunëtorët e tyre. Si e përshkruante gazeta “Ora” e datës 26 korrik dhe 31 gusht të vitit 1930, me botues Kostë Çekrezin, kontrabandën e cigareve në bregdetin e Vlorës dhe atë nga kufiri tokësor me Greqinë në zonën e Konispolit, ku në fshatin Vervan, rojet e kufirit arritën të kapnin disa kontrabandistë grekë, që në bashkëpunim me një fshatar të asaj zone të quajtur, Adil Osmani, tentuan që të komprometonin postë-komandantin e kufirit, nëntoger Tahir Hoxhën, por nuk i’a arritën qëllimit.
Ora tre pas mesit të natës e datës 26 korrik. Një varkë me cigare kontrabandë e ardhur nga Brindisi, ka shuar motorin e dritat dhe afrohet në fshehtësi të madhe në bregdetin e Ujit të Ftohtë, në periferi të qytetit të Vlorës. Me të marrë njoftimin, anija e marinës ushtarake vihet në ndjekje të saj, duke i bërë thirrje për të ndaluar. Por duke parë se ishin zbuluar, kontrabandistët ndezin motorët dhe tentojnë të largohen me shpejtësi të madhe për në det të hapur. Anija e marinës ushtarake qëllon në drejtim të tyre me mitraloz, duke i detyruar ata të ndalojnë në Pasha-Liman”.
Kjo ngjarje që duket sikur është shkëputur nga shkrimet e gazetave apo kronikat televizive të emisioneve të lajmeve të këtyre ditëve, ku rëndom përshkruhen përpjekjet e policisë dhe rojës bregdetare të kufirit, me grupe kriminale trafikantësh lëndësh narkotike apo kontrabandistët e cigareve që tentojnë të fusin ilegalisht mallrat e tyre në Shqipëri, i përket një periudhe të shkuar. Plot 90 vite të shkuara, në 26 korrikun e 1930, anijet e marinës ushtarake ndiqnin nëpër det kontrabandistët e cigareve. Për këtë gjë bën fjalë shkrimi i mëposhtëm që po publikon Memorie.al, të cilin e kemi shkëputur nga shtypi shqiptar i vitit 1930, ku janë pasqyruar ngjarjet në fjalë.
Zbulimi i varkës me cigare
Në një nga numrat e saj të datës 26 korrik 1930, gazeta e përditshme “ORA” me botues dhe pronar, Kostë Çekrezin, botonte si kryeartikull të saj me germa të mëdha kapitale, lajmin e kapjes së një varke me cigare kontrabandë në portin e Vlorës. Titullin e madh në krye të faqes së parë “Në Limanin e Vlorës u kap një barkë me cigare kontrabandë”, e shoqëronin tre nëntituj të vegjël, ku shkruhej: “Një Ndjekje Dramatike e një Barke me Kontrabandë”, “Masi” i Marinës Kombëtare Qëllon me Mitraloza dhe Shpërngon Barkën të Ndalohet në Pasha Limanin”, “Një Sasi Letra Cingaresh që Hidhet në Fundin e Detit”.
Pas këtyre titujve me germa kapitale, gazeta në fjalë ka përshkruar me detaje të gjithë ngjarjen e ndodhur në bregdetin e Vlorës. Lidhur me këtë, midis të tjerash aty shkruhet:
“Vlorë, 25 Korrik. Tue u gdhirë dita e Mërkurë që kaloj, aty nga mesi i natës, disa persona muarn vesh se një barkë me motor, që ishte nisur nga Brindisi dhe sillte letra cingare dhe sende të tjera si kontrabandë, po afrohesh në Ujët e Ftoftë, me motor të fikur dhe me dritë të shuara. Me njëherë u lajmëruan autoritet, të cilët me “Masin”(anija, shënimi ynë) e Marinës Kombëtare, vrapuan në vendin ku ishte drejtuar barka. Mirëpo kontrabandistët tue vënë re se u zbuluan dhe se gjendeshin në rrezik, ndezën motorin dhe filluan të largoheshin nga deti i çelët. Autoritetet ahere, zbrazën disa pushkë nga “Masi” për të lajmëruar barkën me qendrue dhe tue konstatue se kjo përkundrazi po largohej me shpejtësi më të madhe, filluan të zbrazin dhe mitralozin, tue zhvillue njëkohësisht shpejtësinë e anijes. Ndjekja ka qenë pothuaj dramatike dhe vazhdoj mjaft kohë dhe pikërisht deri më ora 3 mbas mesit të natës, kur domethënë shtërnguen barkën të ndalonte aty nga Pasha Limani”.
Kapja e 3 kontrabandistëve në Pasha Liman
Pas përshkrimit të pjesës së parë të ngjarjes ku u diktua varka me cigare kontrabandë afër Ujit të Ftohtë dhe ndjekjes së saj nga ana e forcave të marinës ushtarake të kufirit, të cilët u detyruan të qëllonin me armë të lehta dhe mitraloza në drejtim të saj, në kryeartikullin e gazetës “ORA”, për këtë ngjarje përshkruhet edhe arrestimi i tre kontrabandistëve nga autoritetet ushtarake të Portit të Vlorës dhe sekuestrimi i mallit që u gjet në varkë. Lidhur me këtë, aty shkruhet: “Masi’ dhe barka pastaj u kthyen në portin t’onë, dhe mbasi vunë një rojtar për të ruajtur barkën, autoritetet shoqëruan të tre barkëtarët kontrabandistë në zyrat qeveritare, ku filluan me të shpejtë hetimet. Nga sa kemi marrë vesh, në barkën e kapun janë gjetun disa pako me letra cingare që vinin nga Brindisi, por sasia më e madhe e mallit është hedhur në det prej kontrabandistëve gjatë ndjekjes që u bënte “Masi” dhe do ta kishin zhdukur sigurisht gjithë “trupin e deliktit” sikur “Masi” të vononte edhe pak në ndalimin e barkës. Barkarët dhe barka janë italianë, dhe siç thamë më lart vinin nga Brindisi”.
Kështu thuhet në kryeartikullin e gazetës “ORA” për kapjen e tre italianëve nga Brindisi që kishin ardhur në afërsi të Ujit të Ftohtë në Vlorë, për të shitur mallrat kontrabandë që ata kishin në varkën e tyre.
Thashethemet në Tiranë për ngjarjen e Vlorës
Ngjarja e ndodhur në bregdetin e Vlorës me tre kontrabandistët italianë të cigareve nga qyteti i Brindisit, duket se ka pasur një jehonë të madhe edhe në kryeqytetin shqiptar, Tiranë. Sipas gazetës “ORA”, të nesërmen e asaj ngjarje në kryeqytet qarkullonin lloj-lloj fjalësh, në lidhje me sasinë e cigareve dhe mallrave të tjera kontrabandë që u ishin kapur italianëve. Kjo gjë shihet qartë, pasi në fundin e atij kryeartikulli, jepen edhe thashethemet që qarkullonin në Tiranë për atë ngjarje. Lidhur me këtë, midis të tjerash aty shkruhet:
“Në kryeqytet është hapur lajmi, se barka kishte sjellë sende prej mëndafshi bashkë me letra cingaresh dhe se këto i hodhën të gjitha në det. Në barkë janë gjetur vetëm nja 700 kuti cingaresh shqiptare, të cilat nuk dihen se nga janë marrë dhe për ku po destinoheshin”.
Kështu mbyllet artikulli në fjalë lidhur me kapjen e varkës me cigare kontrabandë në bregdetin e Vlorës duke i lënë të hapura hamendjet që qarkullonin për atë ngjarje. Po cila ishte sasia e cigareve kontrabandë që u kapën në atë varkë dhe a kishte vërtet mallra të tjera aty? Kjo gjë nuk u mësua kurrë pasi Ministria e Brendshme e asaj kohe nuk dha asnjë komunikatë shtypi lidhur me këtë ngjarje. Të paktën në gazetat e asaj kohe nuk flitet për një gjë të tillë. Por sidoqoftë një gjë është e qartë: Qeveria shqiptare dhe Mbreti Zog ishin të angazhuar për të luftuar me të gjitha mënyrat e mjetet që dispononin kontrabandën që zhvillohej nga deti dhe nga toka. Kjo gjë shihet më së mirë edhe nga shkrimet e gazetave të asaj kohe.
Si u kapën 3 kontrabandistët grekë të cigareve, në Vervan të Konispolit
Kontrabanda e cigareve dhe e mallrave të tjera që tentonin të hynin ilegalisht në Shqipëri në fillimin e viteve ’30, nuk bëhej vetëm me anë të detit. Ajo tregti e paligjshme bëhej edhe nga kufiri tokësor me Greqinë e Jugosllavinë e anasjelltas. Por ashtu si në bregdet, edhe në kufirin tokësor, qeveria shqiptare ishte e angazhuar me të gjithë forcat dhe mjetet për ta penguar kontrabandën. Kjo gjë shikohet më së miri edhe nga shkrimet e botuara në shtypin e asaj kohe, të cilat i bënin një jehonë të madhe luftës që i bënte shteti shqiptar kontrabandës, e në veçanti asaj të cigareve.
Lidhur me këtë bën fjalë dhe artikulli i gazetës “ORA” të 31 gushtit 1930, me titull: “Në Vervan të Konispolit u kapën tre kontrabandistë grekë”. ku nën okelion “Është zënë një sasi Kart Cigare”, midis të tjerash shkruhet: “Natën më 11 të këtij muaji pranë katundit Vervan të N / Prefekturës së Konispolit’ u zunë prej Post-Komandës ushtarake të Kufirit tre kontrabandistë grekë të armatosur. Me pak fjalë, kapja e këtyre tre guximtarëve të prapë ka ndodhur kështu: Adil Osmani, banues në Vervan, një bashkëpunëtor i kontrabandistëve, piqet me Post-Komandantin dhe i thotë se ka në shtëpinë e tij njerëz të ardhur nga Greqia për të marrë që këtej mall kontrabandë. Duke i dhënë zotim për shpërblim, i lutet që t’i lërë të lirë për ushtrimin e këtij veprimi të kundra ligjshëm. Post-Komandanti i përgjigjet se do t’ja plotësonte dëshirën, por nga ana tjetër, i shtyrë prej ndërgjegjes së pastër dhe duke çmuar drejt detyrën e shenjtë që i ka ngarkuar shteti, merr masat e duhura. Merr patrullën dhe del të ruaj atje ku do të shkonin, e pasi kishte vajtur mjaft natë, tre kontrabandistët u panë që kishin marrë rrugën të ç’kujdesur. Patrulla u thirri sipas rregullit të saj për të qëndruar, por ata bënë të kundërtën, i shpejtuan çapat më shumë për të ikur nga rreziku që po i turresh. Patrulla atëherë ç’prazi për mbi krye për t’i trembur, kurse guximtarët kokëfortë këtë herë kthehen e qëllojnë me armë kundër ushtarëve. Mbas një përpjekje të kritikueshme, u dorëzuan dhe kishin me vete një pushkë dhe një revolver. Ju gjetën 62 topa kart cigare kontrabandë që do t’i kapërcenin që këtej në Greqi. Ushtria e Konispolit e komanduar prej N / Toger Tahir Hoxhës, me kujdesin që tregon në të kryer të detyrës së rëndë, na bën të gëzohemi dhe na bën të besojmë se ushtari shqiptar i thotë detyrës detyrë”.Memorie.al
Panariti. (pseudonimi i korrespondentit të gazetës “ORA”)
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016