Nga DALIP GRECA
Pjesa e dytë
Memorie.al / Nelo Drizari, editori i “Dielli”-t në vitet 1937-‘39, kryetar i degës së Shoqërisë “Vatra” për New York më 1928, ishte themeluesi i Seksionit shqip të ‘Zërit të Amerikës’, ishte gazetari i parë shqiptar në SHBA-ës i diplomuar në Columbia University dhe profesor ne atë Universitet, sekretar i Shoqërisë “Përparimi” dhe kryetar i “Lidhja e Studentëve Shqiptarë në Amerikë”. Drizari u dallua si gazetar, romancier, gjuhëtar, studiues dhe piktor. CV-së së tij, duhet t’i shtojmë edhe një fakt: Drizari, qe i pari që futi gjuhën shqipe në programet shkollore të Columbia University-t, ku ish-studenti u rikthye si pedagog i gjuhës shqipe. Në vitin 1934, ai do të botonte fjalorin e parë Anglisht-Shqip dhe më 1947, Doracakun; ‘Shqipja e folur dhe e shkruar’.
Autori i shkrimit e merr në mbrojtje aktorin me origjinë shqiptare nga ata shqiptarë, që e përflisnin se ai e kishte humbur identitetin shqiptar dhe nuk ndjente asgjë për racën e vet. Nelo, kundërshtonte: “Por s’munt të themi që Moisiu ka humbur dhe ndjenjat ose dhembshurinë për Shqipërinë. Jo. Sa kohë që ish në Vjenë, ky shoqërohej me shqiptarët. Veç kësaj, Moisiu vajti në Shqipëri për disa muaj, pas Luftës Ballkanike. S’ka dyshim që Moisiu ndjen gëzim të nxehtë kur bashkohet me ndonjë shqiptar. Gjithashtu ay mbahet madhështor kur kujton që i ati ishte shqiptar.
Nga ana tjetër janë dhe disa sende të tjera që duhen marrë ndër sy. Moisiu është një artist i mësuar në vende kulturale të Evropës. Ky përballi shpenzime dhe zor të madh, duke tretur mësimet në gjuhë të huaj. Moisiu i është vënë artit të dramës me gjithë mish dhe shpirt. Me fjalë të tjera, bëri ca sakrifica, pra e hodhi lumin. Si një shkencëtar, ose muzikant, ose shpikës, që la mënjë anë çdo gjë tjetër, për të realizuar idealin, ashtu edhe Moisiu, mori ndër sy të arrijë në kulmin e fushës që zgjodhi; domethënë të bëhet një aktor i shquar.
Si aktor i shquar, artist i mbaruar, pranohet me brohoritje në qarqet e huaja. Domosdo gjermanët e quajnë të tyrin. Por bota e dramës, interesohet në interpretimin dhe talentin e personalitetin e Moisiut, dhe jo aq për kombësinë e tij. Kudo që vete triumfon. Kudo bën përshtypje të shkëlqyera. Sepse ka zotësi dhe talenti i tij, s’kufizohet vetëm si tragjedian. Moisiu është dhe komedian i mbaruar. Nga këto shkake, Moisiu s’mund të dalë sheshit dhe të thotë: “Unë jam shqiptar”! Kur e ka sjellë rasti, ay e ka thënë pa ndrojtur, se si qëndron fisi i tij.
Drizari tregon se si e takoi aktorin e madh dhe si e priti ai: Desha ta ndjek, desha të fjalosem me të dhe një herë më parë se të nisej për në Evropë me vaporin “New York”, shkova ta takoja. Për fat të mirë erdhi me mua edhe zoti Paul Linke, shkrimtar i ri gjerman dhe mik i ngushtë i Moisiut. Back-stage një varg njerëzish po priste. Moisiu posa na pa na qasi në Odën e tij, odë e vogël që ka çdo Theatër për krye-aktorin dhe na priti me një ngrohtësi gjeniale. Me gjithë që ishte i lodhur, u gëzua pa masë, kur mori vesh se shqiptarët i dëshirojnë përparim të madh dhe interesohen për triumfin e tij. Në këtë çast fytyra e tij u çel, kur dëgjoi prapë se shqiptarët e nderojnë , jo vetëm si artist, por e njohin edhe si shqiptar, nga ana e të atit. Atij i ndriti fytyra.
Keni parë fytyrën e ndonjë të riu që lëvdohet prej prindërve për ndonjë gjë të mirë që ka bërë? Keni vënë re se sa bukur tingëllojnë fjalët “Bravo!..të lumtë…! Dhe na nderove? Ashtu dhe Moisiu. Veçanërisht Moisiu u gëzua kur pa që gazeta “Dielli” ka bërë fjalë kaq herë për të. Në përshëndoshjen e fundit, Moisiu më siguroi, që dëshiron t’u falet nderit shqiptarëve, për interesin dhe dashurinë që rrëfejnë; dhe mbahet kryelartë kur kujton që, ati i tij ish shqiptar dhe vjetët e foshnjërisë, i shkoi në Shqipëri. Kur hapi derën dhe doli jashtë, populli gjerman e priti me “Hoch Moissi…” !Hoch Moissi…”!(Rroftë Moisiu!)
Brenda qenies së tij, Nelo Drizari ndjen një sëmbim në zemër, që Moisiun shqiptar, e gëzonin kombe të tjerë, shtete të tjerë. Ai shkruan: “Kur Moisiu shkoi përmes turmës, gjer te automobili, m’u kujtuan ca shqiptarë të historisë: Pemët e punërave të tyre, janë shijuar prej Botës, ajo botë që i rriti dhe i nderoi. Kur do t’i vijë koha që Shqipëria ,t’i mbajë për vete djemtë e saj”?! Për ironi të fatit dhe vetë Nelo, do të mbetej larg vendit të vet.
DRIZARI: LIBRIT TË KONICËS I KANË HEQUR DISA KAPITUJ!
Kur Qerim Panariti, botoi librin e Faik Konicës “Shqipëria, Kopshti Shkëmbor i Europës Juglindore”, Nelo Drizari reagoi me shqetësim, jo publikisht, por në letërkëmbim me miqtë e tij. Më së miri këtë shqetësim të tij, e shpreh letra që i dërgoi Refat Gurazezit, menjëherë sapo u botua libri. Është koha kur vetë Nelo, sapo ka përfunduar librin e tij për Skënderbeun. Ai i shkruan Gurazezit, se ; libri për Kreshnikun tonë kombëtar me famë është gati për shtyp. Sa dëshiroj me gjithë zemër sikur të ishte gjallë zoti Faik Konitza.
Besoj se do ta lëvdonte». Kur vjen fjala për librin e Konicës, Nelo Drizari shpreh mospajtimin e tij me librin, që u redaktua nën kujdesin e Panaritit. Ai është i bindur se; libri është censuruar nga që e ka parë me sytë e tij origjinalin në Legatën shqiptare, treguar nga vetë Konica. Ai pohon se libri, kishte dhe kapituj të tjerë, që janë hequr nga botimi i Panaritit. Ja pjesa e letrës ku ai shpreh shqetësimin e vet:
“Sa për librin e Konicës ‘Albania; The Rock Garden of Europe’, e bleva fare rishtas. Kur e këndova më ra pika. Kuptova që nuk është libri i tij i plotë. Është vetëm një kaptinë nga disa kaptina që më kish dëftuar në zyrën e Legatës. Një nga kaptinat e tij, ish ajo që ka dalë në shesh nën emrin ; “An Albanian Letter”, gjoja e shkrojtur nga Hito Sadiku. Ku janë të tjerët”?!
Nelo e nxit mikun e tij Gurazezin, i cili, ashtu si Drizari, qe një nga ithtarët e Konicës në të gjallë të vet, që të bënte ç’ishte e mundur, për të rënë në gjurmë të origjinalit për ta shpëtuar atë ashtu siç e pat lënë Konica. Ai i shkruan mikut të tij, se duhet të gjendet me doemos ish-sekretarja e Konicës, zonja Charlotte, e cila i pat daktilografuar kapitujt e librit të Faikut. Ai shfaq idenë se Peter Tykoja, ish-kryeredaktor i «Dielli»-t, mund të binte në gjurmët e ish-sekretares së Faikut, nga që ai jetonte në Washington.
BESNIK I MONARKISË
Edhe pse nuk e jetoi Monarkinë shqiptare, Nelo Drizari, e shihte veten me bindje monarkiste. Ndoshta u bë i tillë nga që ishte ithtar i Konicës dhe në kohën kur Konica ishte Ministër, ai ishte mbështetës i tij, por ndoshta ishin edhe bindjet e tij se pa një shtet të fortë, pa ligj, shqiptarët nuk mund të civilizoheshin dhe të shkëputeshin nga rebelimet që sillte liberalizmi i Nolit. Në një letër që ai pat dërguar Zogut, kur ky ishte në mërgim, Drizari e ka lënë me shkrim se; ishte besnik i Mbretit, edhe pse ai pat rënë nga Froni.
Në letrën e 17 shkurtit 1941, Drizari sqaron pozicionin e tij: “Kjo letër i është drejtuar Madhërisë Tuaj në mënyrë për të sqaruar pozicionin tim në lidhje me Federatën Shqiptare të Amerikës”Vatra”. Unë kam marrëdhënie me këtë Shoqatë, si editor i gazetës së saj”Dielli”, por edhe për shkak të sulmeve të mia të forta në gazetë kundër pushtimit fashist të Shqipërisë dhe për pasojë për shkak të besimit tim të sinqertë në rrugën e jetës amerikane. Shkëlqesia Juaj ndoshta e siguroi mbështetjen e çiltër të shumicës së madhe të shqiptarëve në SHBA dhe Kanada.”
Drizari, në letrën e tij, i kujton Mbretit Zog I-rë, besnikërinë e tij dhe kontributin që dha kur motrat e Zogut, princeshat, vizituan Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Citojmë, “Unë, si një anëtar i Partisë Mbretërore, vura në dispozicion të gjitha pushtetet e mia, për të lehtësuar misionin dhe qëndrimin e tyre”. Shërbëtor i Shkëlqesisë Tuaj
Nelo Drizari, d.v-17 shkurt 1941
Adhurimi i tij për Mbretin Zog, shfaqet më së ploti në letrën që Nelo Drizari i dërgoi ‘New York Times’, letër që botohet me titull; “Shqipëria e sheh Mbretin e ri Zog, si uzurpator dhe si Patriot”. Nelo shkruan për qëndrimet e të dy palëve, atyre që e duan dhe atyre që e shajnë Mbretin, te parët duan ligjin dhe rregullin, të dytët anarkine.
HAPAT E PARA NE POEZI
Në fakt, Nelo Drizari e nisi krijimtarinë nga poezia. Madje që në numrin e parë të revistës “Përparimi”, gjejmë të botuar poezinë e tij; “Shqipëria e plagosur”. Poezia ka 6 strofa, me nga katër vargje secila dhe është e shkruar me rime të kryqëzuar ABAB:
“Djemt’ e mi ju shqiptar
Ku e keni nënën tuaj
Të gjithë me sy e keni par’,
E kanë zaptuar të huaj”.
Poezia ka nota vajtuse për fatin e Shqipërisë së robëruar, por finalja e saj përmban shpresën se djemtë e rinj, ku përfshin edhe veten Nelo Drizari, nuk do t’i harrojnë vuajtjet e Nënës dhe se ata do ta sjellin ndryshimin:
“Ne djemtë e rinj që jemi sot
Të gjitha i kemi shkruar
Kur kujtojmë na venë lot
Asnjë s’kemi harruar”.
Në numrin e korrikut 1916, botohet dhe një tjetër poezi e Nelos, ajo titullohet “Shpresa jonë”. Është shkruar me të njëjtin stil e në të njëjtën frymë, ka gjashtë strofa, 20 vargje të rimuar me të njëjtën rime:
“Do vijë dita ne të shohim
Shqipërinë të madhuar
Ku është ora ne të shkojm’
Në luftë të gjithë të bashkuar”.
Një poezi interesante, është ajo që i kushtohet udhëtimit të tij drejt vendlindjes. Kjo poezi duhet të jetë shkruar në momentin kur ai është kthyer përkohësisht, për të parën herë nga SHBA-ës në Shqipëri. Duket se bashkë me të në udhëtimin me anije nga Greqia në Vlorë, ai rastësisht ka udhëtuar së bashku me Atin e Pavarësisë, Ismail bej Qemali:
“Veja prej botës së Perëndimit
Me vapor që shkonte pran’ një mali
Mbi Detin shkumor të Joanisë,
Gjatë bregdetit të Shqipërisë,
Kur po çelej drita e Agimit:
Me ankth e mituri të një djali,
Të malluar për njerëzit e tija,
Pyeta sa larg është Shqipëria?
M’u qas e më tha se sa ish ora
Dhe se nuk ishim aq larg nga Vlora.
Cili ish, vallë ky plak i shkreti,
Kymjekër thinjur me pamje krali?
Festëkuqi, që më tha “Tyt Eti-
Të fala nga Ismail Qemali” !
GJUHËTARI DHE PËRKTHYESI
Është i konsiderueshëm kontributi që ka dhënë Nelo Drizari, në fushën e gjuhësisë. Ai ka meritën se qe i pari që bëri të njohur gjuhën shqipe, në një Universitet amerikan, siç ishte Kolumbia. Ishin të shumtë studentët e tij amerikanë, nder ta dhe njerëz te shquar, që mësuan gjuhën shqipe e u bënë miq të Shqipërisë dhe vizituan vendin e shqiponjave. Duhet saktësuar se, pedagog i gjuhës shqipe, Nelo u bë para se të bëhej editor i «Dielli»-t, dhe jo pas, siç është shkruar kohët e fundit në shtypin e Tiranës.
Kësaj periudhe i përket edhe hartimi i Fjalorit Anglisht «Shqip dhe Shqip-Anglisht” , të cilin Nelo Drizari, e botoi më 1934-ën. Vlerat e këtij fjalori, i përcaktoi në parathënien që shkroi Faik Konica, i cili nuk i kursen lëvdatat. Pas fjalorit, Nelo do t’u ndihte studiuesve të Shqipes edhe me veprën e tij gjuhësore; “Shqipja e folur dhe e shkruar”, një libër xhepi shumë praktik për përdorim të përditshëm. Vetë Nelo Drizari, përmes përcjelljes shprehet me adhurim për gjuhën shqipe, për të cilën janë interesuar disa prej personaliteteve të përmasave botërore, si; Jokli, Han, Majer, etj.
Nelo Drizari, i dha freski «Dielli»-t përmes përkthimeve të tij, madje ai solli në faqet e gazetës që do të editonte vetë për dy vjet edhe zëra të fuqishëm të letërsisë amerikane, por ai shkroi dhe vete letërsi aty. I vlefshëm është edhe kontributi i tij i përkthimeve, në gjuhën angleze. Vlen të veçohet përkthimi në vitin 1945, i dramës “Besa” të Sami Frashërit në gjuhen angleze, e cila u vu në skenë për vite me radhë, nga amatorët emigrantë shqiptarë në SHBA-ës. Penës së tij si përkthyes, i përkasin edhe shumë poezi popullore, që shoqërojnë Gramatikën e tij.
Gjuhës shqipe, Drizarit i shërbeu edhe gjatë ushtrimit të detyrës të ngarkuar nga Ministria e Mbrojtjes, për organizimin e seksionit shqip në Institutin e Gjuhëve të Huaja, në Monterey të Kalifornisë.
VEPRAT
Duke e përmbledhur krijimtarinë e Nelo Drizarit, evidentojmë faktin se; ai e nisi krijimtarinë letrare me vargëzim, por suksesin e arriti në prozë. Në prozën e tij dallon publicistika, artikujt studimorë dhe krijimtaria e mirëfilltë letrare. Romani në gjuhën angleze “Song of Irena”, i shqipëruar kohët e fundit nga nipi i tij në Londër, Zaho Sula; “Kënga e Irenës”, është padyshim një kontribut i jashtëzakonshëm i një shkrimtari shqiptar, në një vend të huaj.
Mjedisi, tema dhe ngjarjet kanë autoktoni shqiptare. Ngjarjet dhe personazhet lëvizin në një mjedis tepër të dashur për autorin e romanit, në Mallakstrën e tij. Një roman që i zhvillon ngjarjet ne vitet ’30-të të shekullit të shkuar. Romanin, Nelo Drizari ia kushtoi brezit të ri amerikan, që ka qenë i bekuar me një trashëgimi të madhe të lirisë”. Libri, që përshkohet nga një vel romantik, u botua më 1957-ën.
Përpara këtij romani, Nelo kishte shkruar dhe një roman tjetër me temë, personazhe e subjekt shqiptar. Kjo vepër deri tani nuk ka gjurmë, por e dëshmon këtë një letër që ai ia ka dërguar Elias Mitchell, kryetar i «Vatrës». Letra mban firmën e Nelo Drizarit dhe mbi nënshkrim, gjendet shprehja e dashur e vatranëve: Juaji me Besë.
Letra është nisur më 25 prill 1947 nga New York-u. Që në hyrje të saj, Nelo i lutet kryetarit të «Vatrës», që të shtrojë para Këshillit, kërkesën e tij për botimin në «Dielli» me fragmente dhe sponosorizimin e romanit. Ja letra: “Tue kujtue traditën e ‘Dielli’-t në lidhje me botimet letrare, edhe tue kujtuar sa me gëzim i këndojin këndonjësit, dëshiroj të shtroj një proponim për konsideratën tuaj: Kam një novellë romantike, që merret me luftën burrërore për çlirimin e Shqipërisë, prej zgjedhës fashiste dhe naziste.
Novela e cila e ka emrin; “Bijtë e Korbës”, pasqyron edhe kontributin bujar të shqiptarëve të Amerikës. Kjo vepër letrare, munt të nisë të botohet në ‘Dielli’ menjëherë dhe të vazhdojë në një kohë të gjatë, gjersa të mbarohet”. Më pas, Nelo parashtron kushtet e tij, ku shpërblimi që kërkon është simbolik, vetëm 700 dollarë në tre këste. Nuk gjendet përgjigja e kryetarit të «Vatrës», as edhe gjurmët e romanit të Drizarit.
Romani tjetër; “Four Seas to dreamland”, e para vepër e tij e përkthyer në gjuhën shqipe “Katër ditë për në vendin e ëndrrave”, është një tjetër libër që dëshmon mjeshtërinë e shkrimtarit. Kjo vepër është klasifikuar, si një vepër e ndërmjetme, ku gërshetohet letërsia dokumentare, me atë artistike. Libri është i ndërtuar me 30 kapituj. Në pëlhurën e rrëfimeve, është mbështjellë jeta e vetë shkrimtarit. Autori përshkruan bukur aventurën e një djaloshi, që ka lënë fshatin e lindjes dhe endet larg, për në vendin e ëndrrave së bashku me vëllanë.
Djaloshi personazh, që është vetë autori, digjet nga ëndrra për integrim dhe shkollim, por që sëmundja ia ndërpret dhimbshëm në mes. Ai kthehet në vendlindje pranë familjes, ku klima, ajri, dashuria familjare, bëjnë magjinë-e shërojnë nga e keqja dhe ai i rikthehet në vendin e rëndave dhe triumfon. Libri u botua në vitin 1969 dhe ato vite, ishte ndër veprat e rekomanduara për nxënësit e shkollave amerikane.
Me shumë interes është edhe esseja e Nelos; “Xhek London dhe ëndrra e pamundur”. Një vit para se të mbyll sytë, Nelo Drizari u dhuroi lexuesve, librin e tij kushtuar misionit katolik «Carmel» të Kalifornisë, i titulluar “Kopshti piktoresk i magjepsjes”. I vlerësuar është kontributi i Drizarit edhe në fushën e studimeve të epokës Skënderbejane me librin e tij” Scanderbeg; his life, correspondence, orations, victories, and philosophy” (Skënderbeu, jeta, korrespondenca, oratoria, fitoret dhe filozofia e tij)”.
Emri i Drizarit është përfshirë edhe në hartimin e disa veprave me kolektiv autorësh, si; “Historia e dramës moderne”, “Fjalori i Kolumbias, për letërsinë moderne amerikane”, «Enciklopedia e Collierit” etj. Ndërsa trashëgimia publicistike e tij, është e pasqyruar jo vetëm në gazetat dhe revista shqiptare të Amerikës si; “Dielli”, “Përparimi”, “Studenti”, por edhe në gazetat e revista prestigjioze amerikane, si: The New York Times, “Boston Globe”, “Brooklyn Eagel Magazine”, Current History Magazine” etj. Nelo ishte i pasionuar edhe pas pikturës. Ai ka hapur ekspozita personale, në San Francisko, Oakland etj.
PËRSE ISHTE I NDALUAR NË SHQIPËRI?
Edhe Nelo Drizari, si shumë vatranë, ishte i ndaluar në Shqipërinë e diktaturës komuniste. Ata që studionin nëpër arkiva dhe shkruanin për «Vatrën» dhe vatranët, nuk e përmendnin kurrë Nelo Drizarin, edhe pse ai kishte dhënë aq shumë për kulturën tonë kombëtare, edhe pse kishte qenë në krah të Konicës dhe Nolit. Arsyen duhet ta thonë vetë studiuesit, edhe pse merret me mend se kush ishte shkaku. Nelo Drizari, nuk i kishte bërë asgjë Shqipërisë, veç mirë.
Nuk ishte marrë as me diktatorët që udhëhoqën dhe përgjakën Shqipërinë. Ai nuk e kishte jetuar regjimin e Ahmet Zogut, sepse erdhi fëmijë në Amerikë, por e adhuronte atë, thjesht sepse njihte temperamentin e shqiptarëve, bajraktarizmin e tyre, egon për të qenë të gjithë udhëheqës dhe askush i udhëhequr, të gjithë komandantë dhe askush ushtar, njihte mosbindjen dhe rebelimin alla-shqiptar. Ai thjesht besonte tek forca e ligjit dhe tek aftësitë e Ahmet Zogut.
Kur i shkruan gazetës The New York Times, Nelo, i njeh Mbretit të shqiptareve këto merita: Vendosjen e rendit përmes ligjit, çarmatosjen e malësorëve, njeriu që i doli zot mbrojtjes së Qeverisë që doli nga Kongresi i Lushnjës; po kështu Zogu, sipas Drizarit, ishte ai që i doli zot kryeqytetit gjatë rebelimit më 1923, po kështu i njeh Mbretit të shqiptarëve, meritën e ruajtjes së qetësisë në situata të vështira, siç ishte rasti kur u plagos para se të hynte në Parlament etj. Për të gjitha këto, Nelo Drizari u shpall i padëshiruar në Shqipëri. Memorie.al