Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e tetë
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Gjashtëqindëgramshit
(Rutina e një dite, në kampin e fjetjes)
Tash e kisha humbur identitetin, s’dalloja më nga të tjerët. Kisha marrë ngjyrën e burgut. Me të drejtë mund të më quanin numër…! Kjo ngjyrë do më mbulonte trup e shpirt, për pesë vite. Nisi të më kruhej gjithë shtati, mbase sapuni dhe coha e të brendshmeve prej pupuline të ashpër, më jepnin alergji. U bashkova me pleqtë që kishin krijuar një rreth pranë një vatre zjarri. Dikush më zgjati një letër të bardhë.
“Vëre këtë, se po të nxjerrka koka avull e do ftohesh”!
“Kapele e bardhë”? – e këqyra me kureshtje, pastaj e rrasa në kokë.
S’di ç’pamje do kem marrë atë çast por pashë se të tjerët po qeshnin.
“Tani u bërë larash, biro! Koka e bardhë, trupi kafe”! – u tall ai që më ofroi kapelen.
I injorova të qeshurat dhe u nisa drejt kapanonit. Atë çast dëgjova labin, të më thërriste nga pas:
“Mos u vono, se u bë trahanaja! – kur ktheva kokën shtoi: – Çap, çap, po mos u vono”!
Në sheshin e epërm, sa s’u plasa me shokët, që kishin udhëtuar me mua nga Shkodra. Të ngarkuar me nga një deng në kurriz, më treguan ku duhej të drejtohesha të merrja ato që më takonin. Bëra drejt një godine si gjithë të tjerat, që duhej të qe magazinë. Në derë qëndronte një burrë rreth të dyzetave, që më bëri shenjë t’i avitesha.
U nis para meje, por që në hapat e parë, vura re se ecte me kërcime të shkurtra, sikur hidhej pupthi. Çalonte.
“Nga të rinjtë e mbrëmshëm, je ti”? – pyeti befas.
“Po”! – ia ktheva.
“Po, hajde de, të marrësh furnizimin”! – më ftoi dhe çal-çal, hyri brenda barakës.
E ndoqa pas, sapo futa këmbën në magazine, një grahmë e rëndë më shpoj hundët. S’e përcaktova dot ç’aromë ishte, po s’durohej. Topalli që duket e nuhati ngurrimin tim, m’u kthye:
“Ce po i shtrëmbëroke turinjtë, bre? Apo prisje erë livando”! – më shpotiti në dialekt korçar. S’i ktheva përgjigje, i zgjata fijen e letrës dhe prita.
“Pse u pizgose, bre? Po, myk është këtu, or mik”! – shtoi dhe kërceu pupthi më tutje. Seç gërmoi në një raft dhe m’u kthye sërish:
“Ore, po u dukëke i ri fare! Sa vjeç je”?
“Aty te shtatëmbëdhjetat”!
Heshti, më hetoi nga koka te këmbët.
“Po nga të kemi, bre”?
“Nga Berati”.
“Sa je dënuar”?
“S’jam dënuar, po më kanë dënuar”, – ja ktheva pa teklif.
“Po, ce hidhesh përpjetë, bre, nuk të vrava…! Mirë, sa të kanë dënuar”?;
“Pesë vjet”.
“Më vjen keq. Eh…! – bëri një pauzë topalli. – Eh, eh-hh! Ej dynja, o moj dynja, halli hallit, nuk i ngja”!
Bëri pak më tej, diç rrëmoi në një dëng teshash të shprishura dhe m’u kthye:
“Edhe mua sa ti më futën brenda, po m’u bën vite këtu! Kam edhe nja një muaj e ca, po ku do vete, se?! Më pret internimi në Myzeqe, atje ku kanë çuar të mitë”! – heshti sërish dhe pupthi, shkoi në këndin më të errët e, u kthye me një rrobë të palosur që s’merrej vesh ç’ishte.
“S’thuaj shyqyr, ja mbërrite kësaj dite”! – i thashë me gojë, po në tru m’u ngulën si gozhdë fjalët e tij.
“Epo, si u katandiska robi? Kallam full, pa palcë! Ej dreq, t’a preç me vite momentin e lirimit nga burgu dhe mos të ndjesh pikë gëzimi! I gjori ky, i pëlqeka kafazi! Duket jashtë kuvlisë, s’dika ku ta fuska kokën! Eh, burg, o burg, si do më katandiske pas pesë vitesh”!
“Dëgjomë, bre, isha betuar të mos përzihesha me të rinj, po me qe ketuzë më futën, sa je ti sot dhe meqë jam në ditët e fundit, po të jap nja jy këshilla, në ma vënç veshnë”. – prapë heshti, këtë herë pak më gjatë, pastaj më nguli dy sy të ethshëm.
“Këtu s’rron dot pa miq, ama kujdes me miqësitë që do lidhësh, ce të shfrytëzojnë për keq. Ça s’gjen këtu, bre, ka lloj lloj mileti! Do spiunë, do imoralë, do njerëz të hurit e të litarit, do të sëmurë nga trupi dhe nga trutë! Të gjithë i gjen, mos i beso çdo njeriu”! – frymëmori thellë, më pa nga poshtë strehës së kapelës e vazhdoi:
“Ama, pjesa më e madhe, janë hallexhinj e të ndershëm – bëri sërish një pauzë, pastaj çehrevrërët: – Nuku të them të rrish vetëm, jo, ce të ha ujku! Po përpiqu t’i njohësh vetë të drejtët dhe të ndershmit! Mos e lësho gojën me kurrkënd, pa u siguruar se ke të bësh me sedërlinjë, më pas shih e bëj! – kërceu pupthi më tej, mandej m’u kthye:
“I sheh këta të komandës tinë? S’e kanë për gajle, të ta rrasin për së dyti dhe për së treti! Ej, e-e-eh, nga pesë, përfundon njëzetë, si puna ime! Do të provokojnë këta, re-e-e, mundohu t’iu shmangesh! Ca dëgjoi, ca mos i dëgjo, një vesh shurdh e një sy qorr, e bëj tutje! Ama, e pe keq, dili zot vetes! Po të sajuan situata të pakëndshme, përpiqu t’iu dalësh mbanë! E kuptove, ore”?
Kërceu edhe njëherë pupthi në krahun tjetër e, më doli ballazi:
“Ce shumë të rinj këtu, or byrazer, s’i kanë rezistuar dot dhunës e presionit dhe në fund, o janë bërë krahë me komandën, domethënë: spiunë e imoralë, o u janë vërvitur telave me dashje dhe kanë përfunduar kufoma. Janë ustallarë këta, bre”!
“S’po të kuptoj, pse po m’i thua të gjitha këto”? – e ndërpreva monologun e topallit, ngaqë druhesha mos më provokonte.
“Ehu-uu, sa më kanë parë sytë mua, në kaq vjet! – vijoi topalli. – Edhe un s’kam qenë kështu, si më sheh sot? Jo, bre, s’kam qenë sakat, po i ri e i fuqishëm si tinë! Po më pëlqente liria, s’e durova dot burgun”!
“Eh, o vëllaçko, kujt s’i pelqeka liria”! – nxora një psherëtimë të thellë.
Po ai vazhdoi monologun, pa ma vënë veshin:
“U arratisa nga kampi i Rinasit, me një shokun tim nga Kukësi, na plagosën, na kapën dhe tani shikomë në ç’derexhe jam katandisur, çyryk. U qas dita e lirimit, po ku do mbytem se? Kështu si jam katranosur, s’jam as për vete, jo më për familjen”!
“Mos u shkurajo, fundja, jeta është e bukur”! – u rreka t’i jepja zemër këtij uloku fatkeq. Mendova se ky mesoburrë që në një farë mënyre, po më rrëfehej, kish nevojë për një fjalë të ngrohtë. Edhe pse s’isha më i përshtatshmi në këtë situatë, sepse sapo kisha shkelur brenda këtij rrethimi, trefish telash gjembaçë, s’ngurova t’i gjendesha.
“Robi duhet t’i gëzohet jetës dhe ta ndërtoj atë, në çdo rrethanë edhe kur duket e pamundur. S’besoj të jesh i tepërt për familjen tënde”!
“Jo, bre, nuku ta thash këtë! Thash vetëm se jam sakat dhe është vështirë të mbash familjen në gjendjen time”, – i skuqur në fytyrë, frymëmori me mundim, gërr-fërja që i dilte nga fyti ndihej gjer tek unë. – “Po nejse, t’i lemë këto muhabete! Ce në vend që të jap kurajë unë, duket po më lëshon zemra e, po më jep tine”.
“Se di pse m’i the gjitha këto”? – e pyeta sërish.
“Pse t’i thashë? Ku të njoha? Asgjëkundi, bre! Po kur të pashë me Xha Dautin dhe At Vaskën, që i kamë miq të vjetër, seç më shkrepi në tru. Pastaj, kujt më mirë se ty, që sa shkele këtu, do t’ia thoshja tjetër! Psee mo, me vete do t’i merrja? Jo, bre, jo, e ku do t’i çoja, ce? Atje ku do më shpjenë, s’më hyjnë në punë më, mbase tynë të vlejnë”!
“Të falemnderit”!
“Të falenderoj unë ty, që më dëgjove! Tani që i zbraza, ndihem i qetë”!
“Edhe pse s’ti kërkova, gjithsesi prap të falenderoj! – ia ktheva me shpresë, që t’a hiqja qafe sa më shpejt, këtë llafazan të panjohur.
“Sidoqoftë, për hatër të miqve të mi, sa kohë të jem këtu, do më kesh mbështetje”, – e mbylli dhe ngriti një harar të mbushur me kashtë. E nxorëm jashtë.
Ndërkaq, sakati u rikthye sërish në magazinë, zbriti nga një raft dy batanije të teripsura, nga një tjetër, dy kostume kafe, një palë opinga llastiku, dy palë pece, dy këmisha, dy palë benevrekë dhe i vërtiti sipër dyshekut.
“Merri, këto janë paja e burgut”!
Plotësoj me laps kopjativ një faturë dhe ma vuri para për siglë.
Firmosa. I lidha fortë të gjitha teshat me krahët e një xhakete dhe mora të ikja.
Pa hedhur dy çapa, m’u kujtua se po largohesha pa i mësuar emrin atij rrëfimtarit. I ula përsëri në tokë, u qasa te dera e magazinës dhe e pyeta sakatin:
“Më fal, po s’të mësova as emrin! Si të quajnë”?!
“Emin Shehu, jam pe fshatrave të Korçës”.
“Të falenderoj Emin, s’do t’a harroj kurrë ndihmën që më dhe! Do të jem përjetë mirënjohës”!
M’u dhimbs atë çast, ky gjysmak i sakatuar fizikisht e shpirtërisht, por kur e takova edhe ca herë të tjera, do ndryshoja opinion, madje do e simpatizoja për guximin e tij.
Më pas në Spaç, nëpërmjet mikut të tij, Hysen Gjutës, me të cilin kalova disa vite në miniera, mësova për historinë e arratisë së tyre të bujshme, nga Rinasi.
Por ditën që ai u lirua, s’e pata kismet t’a përcillja; atëkohë kaloja “bankën e provës”, në birucat e kampit. Po sidoqoftë, ai më bëri trashëgimtar të pasurisë që kishte grumbulluar gjatë viteve të burgut; më la të gjitha enët e gatimit.
Në kujtim të dhimbjes së atij fëmije që doli burrë dhe i gjymtuar nga burgjet komuniste, i ruajta ato, deri ditën e daljes nga burgu. Atë ditë, në zbatim të testamentit tij, këtë trashëgimi, ja dhurova një tjetër korçari, Gëzim Medollit, i cili do t’i përdorte enët me mbishkrimin “Emin Shehu”, deri në fund të viteve tetëdhjetë.
Dengun me rroba e vërvita mbi shtrat. S’pata nge t’i rregulloja sepse, labi po më priste në këmbë. Më udhëhoqi drejt kuzhinës private, ku mbi dy copa tullash, kishin zënë vend xha Esherefi, Sulua dhe Vaska. Në mes, mbi një tabak kompensate, kishin vënë një tenxhere, skrromë të zezë.
Bri tyre, u ulëm edhe unë dhe labi. Vaska i hoqi kapakun tenxheres dhe avulli erëkëndshëm, gufoi vrullshëm. Aroma e vajit dhe e specit djegës, më gixiloi flagrat e hundës, më dehu dhe ma mbushi gojën me lëng. Prej kohe, s’kisha futur ushqim të ngrohtë në gojë, lëtyra e pështirë që na jepnin në biruca, një lëng i zi pa identitet, ishte gjithmonë e ftohtë.
Me një lugë druri, që më pas do të bëhej pronë e imja, iu futa direkt nga tenxherja. Aty s’mund të ëndërroje për pjata, ky luks iu mungonte pothuajse gjithë shqiptarëve, edhe jashtë, jo më neve në burg.
Trahanaja më shijoi jashtëzakonisht. S’gjej dot një gjellë tjetër, që të kem ngjeruar më pas, t’a krahasoj me të! Kuptohet, isha i uritur, ndaj pleqtë i lanë lugët mënjanë, me pretekstin se po të hanin më tepër do rëndonin stomakun.
Më nxitën të haja. “Jepi, djalë, ti je i ri, ke stomak të fortë dhe oreks të mirë! Pa, po dhe izolimi i gjatë të ka lodhur e ke nevojë për haje. Ne kaq na mban thesi, biro, u plakëm”!
I Hëngra ç’mbeti në tenxhere. A u ngopa? S’e di! Mbase koha në biruca, më kishte hapur një zgafellë pafund, që s’besoja ke do mbushej ndonjëherë. Falenderova miqtë e mi, për nderin që më bënë.
Siç do mësoja më vonë, të të ftonin një vakt bukë, ishte një nder i veçantë, që mund t’i rezervohej një të sapoardhuri dhe unë e kisha përfituar këtë. Tashmë më duhej të tregohesha i denjë, ta justifikoja respektin. Koha do t’a tregonte. Gjendja e makthit që shkakton uria, te të gjithë ata që kanë kaluar kalvarin e hetuesisë, kthehej në makth.
Nëpërmjet ushqimit, Sigurimi i Shtetit synonte t’i thyente viktimat, t’i zbuste, si atë ujkun e zënë në lak, që e lë pa ngrënë, deri sa i shteren fuqitë. Në luftë me urinë, bisha e egër përfundon, o në zagar, që lëpihet e tund bishtin para të zot, ose e mbytur në lak.
Atë që s’e arrijnë dot torturat, shpesh e realizon stomaku. Barku i zbrazët, mbasi ha vetveten, gërryen shpirtin e, përcjell në tru sinjale lemerie.
Makutëria kthehet në obsesion që eklipson shikimin, që errëson arsyen, që zhyt në depresion të thellë edhe më optimistin. Ajo i ngjet një mulliri gjigant, mokrra e të cilit vërtitet pa ndalim e nën peshën e tmerrshme të gurëve të vet, bluan karaktere, madje të nivelit më sipëror.
Vetëm një vullneti çeliktë, mund të përballoj situata të jashtëzakonshme. Kam parë gjigantë, me trupa atletësh që mbas mbi njëzet ditë grevë urie, shndërroheshin në skelete eshtrak, sytë iu veniteshin e zhyteshin thellë zgavrave, sa të ndillnin dhimbjen.
Si pasojë e urisë, kam dëgjuar klithma lebetie që bënin të oshtinte kubeja e birucave të Shkodrës. Uria nuk dobëson vetëm fizikun, po edhe logjikën, edhe moralin. Individë me karakter të dobët, kanë bërë poshtërsira me okë, për paksa përfitim material.
Në burgje dhe kampe, lidheshin dhe zgjidheshin aleanca, midis të fortëve dhe mjeranëve që kërkonin mbrojë. Vetëm për një grim ushqim më tepër, krijoheshin dhe eliminoheshin shoqëri të vjetra e të reja. Por karakteret e paepur, mundën t’i rezistojnë ngasjes deri në sublimitet.
Gjatë atyre viteve, kam njohur të dënuar pa ndihma, përherë të uritur, që për të shtuar sadopak racionin ushqimor, kryenin shërbime nga më të ndryshmet; qepnin, gatuanin, thurnin me shtiza, triko e çorape; u lanin teshat të tjerëve, sidomos të moshuarve, kundrejt një shpërblimi minimal, një grusht sheqer, makarona, oriz, një paketë cigaresh, një racion bukë, një garuzhde supë, etj.
Por kishte edhe nga ata që prisnin te kazani, mos mbetej diçka apo gërmonin zgëqeve, për ndonjë krodhë bukë të hedhur që i mblidhnin, i thanin; t’i ngjeronin më pas, të regjura në këllirën e supës apo, thjeshtë, me ujë të ngrohtë e kripë. Sidoqoftë, këta i përkisnin pjesës më të ndershme, ngaqë kish edhe që vidhnin.
Po shkonte mezi i ditës, që lart nga kupa qiellore, dielli i pjerrët, derdhte rrezet dimërore. Rrëzave, ku s’të kapte era, ishte ngrohtë. Ndanë murit të depos ushqimeve, zumë një cep të mbrojtur. I mbështetur pas pupulitit, po më kapsiteshin sytë, drita e fortë e diellit më verboi.
Mbas kaq muajsh në qelitë e errëta, tashmë, i larë dhe i ushqyer, po iu gëzohesha rrezeve të vakëta. Trupi m’u mpi, shikimi m’u vagëllua, gjithësia më rrotullohej bashkë me godinat që zhvendoseshin e ndryshonin pozicion pareshtur. Seç ndjeva një lehtësim; m’u bë sikur kisha marrë fluturimin, drejt ca trojeve me hijeshi përrallore.
Bëra të ngrihem, gjunjët m’u prenë, po dridheshin e s’po më bindeshin. Pata marramendje, gati humba kontrollin e desh rashë përtokë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016