Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e tetë
Memorie.al / “Vëllai im, Petriti, donte vajzën e Themeluesit të Partisë, por në një kohë kur Themeluesi i Partisë, nuk ishte mirë më shëndet, udhëheqësi i tanishëm i Partisë, nxiti gruan e Themeluesit të Partisë, që kjo fejesë të mos bëhej dhe kjo i tha babait tim se; kjo fejesë nuk mund të bëhej se, do flasë populli. Babai im e thirri Petritin dhe i tha: Harroje këtë muhabet! Këtë gjë udhëheqësi i Partisë e bëri, se po të bëhej kjo fejesë, do të forcohej miqësia dhe pas vdekjes, karrigen e Themeluesit të Partisë, do ta merrte babai im. Gruaja e Themeluesit të Partisë, për problemet e fëmijëve, nuk e pyeste themeluesin e Partisë. Kur u shkarkua babai im dhe me të vazhdonte hetuesia e lirë, në shtëpinë tonë ishim mbledhur të gjithë, ne e pyetëm se si ishte puna? Babai, na mblodhi dhe na tha: ‘Unë kam punuar me ndershmëri, por kështu e shikon të arsyeshme Partia. E vërteta do dali një ditë në shesh, por mua atëherë do më ketë mbirë bari në sy! Mua veçanërisht më tha se; ty Goni, ta kam frikën se je i nxituar. Nga padrejtësitë që i bënin babait tim, mua më hipi gjaku në kokë dhe desha të merrja në bagazh, automatikun dhe të mos lejoja ta merrnin babain, por babai më tha: Jo kështu Agron, se unë nuk vë pushkë kundër Themeluesit të Partisë”.
Kështu thuhet në mes të tjerash në një dokument tepër sekret të Sigurimit të Shtetit që mban datën 3 mars të vitit 1987, ku është e zbardhur e gjithë biseda e djalit të dytë të Kadri Hazbiut, Agronit, me një shokun e tij të punës në Kurbnesh të rrethit të Mirditës, ku ndodheshin të dy të internuar dhe e gjitha ajo bisedë mes tyre, i është dërguar më pas Ramiz Alisë.
Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë, i cili është pjesë e një dosje voluminoze që është nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, (tashmë pjesë e Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiut dhe familjes së tij, përveç bisedave të bëra të Agron Hazbiut me shokun e tij (A.M.), i cili i’a ka deklaruar të gjitha dhe me detaje të hollësishme Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Mirditës, pjesë dosjes voluminoze, janë edhe shumë raporte e informacione sekrete me denoncime dhe përgjime ndaj familjes Hazbiu, të cilat fillojnë që në tetorin e vitit 1982, dhe mbarojnë në fillimin e vitit 1991.
Lufta e bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Enverit në udhëheqjen e lartë të partisë dhe shtetit të asaj kohe, veç të tjerash, bëhet e ditur edhe nga ky dokument arkivor që po publikojmë sot në pjesën e parë të këtij dosieri (që do zgjasë në dhjetë numra), ku Agron Hazbiu, apo siç është njohur ndryshe si Agron Dautaj, (ish-futbollisti i ekipit “Dinamo”, i’a ka pohuar shokët të tij të ngushtë, A.M., lidhur me fejesën e prishur ndërmjet, vëllait të tij, Petrit Hazbiu (i diplomuar si arkitekt) dhe të bijës së Enverit (po arkitekte), që në fillimin e viteve ’70-të, gjë e cila erdhi pas ndërhyrjes së Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës.
Dhe vetëm 15 muaj më vonë, Agron Hazbiu, u gjet i vdekur në minierën e bakrit në Kurbnesh, ku sipas versionit zyrtar, ai kishte bërë vetëvrasje, duke lidhur dinamit në trup. Por ishte vërtetë ajo një vetëvrasje, apo Sigurimi i Shtetit, kishte zbatuar porosinë e Ramiz Alisë, (të shkruar me dorën e tij: “…Të veprohet”), duke pasur frikë nga i biri i Kadri Hazbiut, i cili përveçse dikur në vitin 1982, kishte dashur të kapte automatikun, në mbrojtje të babait të tij, por edhe në internim, në një moment zemërimi, ishte shprehur edhe për hedhje dinamiti ndaj dikujt…!
Lidhur me këtë dhe të tjera, do njihemi nga një numër dokumentesh arkivore të nxjerrë nga dosja voluminoze në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiut dhe familjes së tij, të cilat do publikohen nga Memorie.al
DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT-INFORMACIONIN E PUNËTORIT OPERATIV, YLLI TABAKU, ME TË DHËNAT E BASHKËPUNËTORIT TË SIGURIMIT ME PSEUDONIMIN “DIDHJA”, LIDHUR ME BISEDAT QË AI KA BËRË, ME AGRON HAZBIUN
Marrë: P.Op. Ylli Tabaku
Dhënë: B.p. “Didhja”
Raport i datës 19.8.1983
Burimi njofton se; në fund të muajit maj 1983, N.R.SH., më dërgoi në qytetin e Kurbneshit, tek qytetari Agron Hazbiu, për riparimin e një frigoriferi, gjatë kohës që po bëja kontrollin dhe riparimin e defektit, zumë muhabetin e ekonomisë private të fshatarit dhe Agroni u shpreh se; fshatari ka pas hëngër mish kur ka pas ther derrin 200 kg., dhe pinë qumësht sa të jetë lopa në dorën e fshatarit, e pa shtetëzuar, se lopa bën 10 kg. qumësht, kurse fshatari, nuk ka mundësi që t’i marr në shtet këtë sasi qumështi. Agroni e pyeti atë se; a ka dalë ai mishi holandez, ishte shumë i keq dhe nuk u hante fare, nga era që kishte dhe këtu në Kurbnesh, mishi del me raste shumë të rralla.
“Didhja”
Sqarimi i të dhënës:
Agron Hazbiu, është djali i armikut të Partisë, Kadri Hazbiu, që është me masë internimi në Kurbnesh.
Vlerësimi i të dhënës:
E dhëna ka vlerë operative, se bën fjalë për agjitacion me përmbajtje armiqësore, nga ana e lidhjes së armikut, Kadri Hazbiu.
Detyra e dhënë B.p.
B.p., ju dha detyrë, që në qoftë se do të shkoj përsëri në familjen e Hazbinjve, më parë të na vejë në dijeni.
Masat Operative:
E dhëna t’i bëhet e njohur udhëheqjes së Degës.
E dhëna të shtypet në dy kopje, 1 kopje t’i dërgohet Grupit Operativ dhe një kopje, të vendoset në dosjen e Agron Hazbiut.
Punëtori Operativ
Ylli Tabaku
T’i kalohet P.Op. të zonës dhe së bashku me të, të hartohet një vijë sjellje dhe të krijohet mundësia që B.p., të shkojë përsëri tek familja e Agron Hazbiut.
3.9.1983 Zv/Kryetari i Degës
Vesel Avdullai
DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT-INFORMACIONIN E PUNËTORIT OPERATIV, MIHAL MONKA, ME TË DHËNAT E BASHKËPUNËTORIT TË SIGURIMIT ME PSEUDONIMIN “PISHA”, LIDHUR ME BISEDAT QË AI KA BËRË, ME AGRON HAZBIUN
Mori: P.Op. M. Monka
Dha: B,p. “Pisha”
Në natyrë
Raport i datës 6.9.1983
Burimi njofton se, në datën 5.9.1983, rreth orës 19.30, ai ishte turni i dytë, në fund të dizenterisë Nr. 8. dhe duke pushuar ka biseduar me Qazim Latën nga Dukagjini i Matit dhe me Mark Ndue Deda nga Ndërshena, pas pak erdhi për pushim dhe Agron Hazbiu. Gjatë bisedës ai, e pyeti Agronin se si t’u duk loja e “Dinamos” me “Besën”, ç’ka tha Agroni, këta tanët nuk luajnë futboll, se regjim nuk kanë, kontrolli mungon dhe në stërvitje kontrolli luaj me 5 lekësha, këta luajnë pa përgjegjësi, futboll luhet jashtë, si ishte ndeshja midis “Haburgut” dhe “Juventusit”, ky është futboll i fortë dhe lojtarët kanë kontroll, trajtim dhe regjim të fortë, në këtë moment erdhi Lazam Lata dhe i tha Qazimit e Agronit që, të marrin vagonët bosh dhe i çoni në frontin e punës dhe e lanë bisedën me kaq.
“Pisha”
Vlerësimi i të dhënës:
E dhëna ka vlerë operative se, bën fjalë për Agron Hazbiun në përpunim paraprak, i cili komenton, duke krahasuar nivelin e futbollit tone, me atë jashtë.
Detyrat e dhënë B.p.
Ju dha detyrë që të shikojë dhe të fiksojë kontaktet e Agronit me persona të tjerë, të fiksojë lëvizjet e dyshimta të tij dhe të Petritit, po ju dha mundësia e rasti, të bisedojë me Agronin, duke i thënë për probleme futbolli, se me sa shoh unë, futbolli ynë është masiv dhe ka përparime, futbollistët tek ne, kanë profesionin e vet dhe kur lënë futbollin, punojnë se kanë punë, kurse jashtë, me sa di, hidhen në rrugë.
Masat Operative:
Në brigadën ku punon Agroni, të studiohet dhe të vihet në shërbim sekret një kandidat.
Të analizohet përpunimi i tij për ta ngritur në 2/A.
E dhëna të shtypet në dy kopje, 1 t’i dërgohet grupit Operativ dhe 1 në dosjen e Agronit.
Punëtori Operativ
Mihal Monka
Shënim:
Kujdes me detyrat e dhënë B.p. për objektin, nuk duhet që ai të zbërthejë me të, në aspektin politik, ideologjik të masivitetit të futbollit të sportit tonë dhe ta krahasoj këtë me biznesin e sportit jashtë shtetit, sepse, B.p., për këto dije, para objektit, është profan, por të tregohet me interesim të madh se, si luajnë jashtë, çfarë stërvitje bëjnë, trajtim e ç’njerëz janë dhe pse e kanë këtë nivel, pasi tanët, që i mban mirë shteti dhe u jep sa dy rrogat tona dhe nuk arrijnë të fitojnë me të huajt, ato do të jenë njerëz të veçantë që lëvizin si era, e rrëzohen e ngrihen si susta, etj.
Të ngrihet në 2/A, për agjitacion e propagandë.
Gjeni ndonjë B.p. tjetër, që edhe ta favorizojnë në punë, p.sh., në ngarkesat e vagonëve.
28.9.1983 Kryetari i Degës së P. të Brendshme
Bajram Pelo
DOKUMENTI SEKRET ME SHËNIMIN OPERATIV TË PËRPILUAR NGA PUNËTORI OPERATIV, MIHAL MONKA, MBI MBLEDHJEN E TË DHËNAVE DHE INFORMACIONEVE PËR AGRON HAZBIUN DHE FAMILJEN E TIJ
S E K R E T
EKZEMPLAR I VETËM
RRËSHEN, MË 27.9.1983
SHËNIM – OPERATIV
Unë Punëtori Operativ i zonës Kurbnesh, Mihal Monka, së bashku me zv/kryetarin e Degës së Brendshme, Vesel Avdullai, në datat 23 dhe 24.5.1983, kemi biseduar me mësuesit e shkollës së mesme “Shkurte Cara”, Kurbnesh, Dhimitër Filto dhe Dhimitër Murati, punëtorët Mark Përdoda dhe Ndrec Shkurt Beleshi, për të sqaruar dhe verifikuar informacionin e qytetarit Ndue P….,nga fshati Kthellë e Epër, që informon se, Agron Hazbiu i ka dhënë një komplet sportive, Gjon Mardhoçit nga fshati Kurbnesh dhe ketë e dinë mirë e, kanë qenë prezent dhe qytetarët e mësipërm.
Nga biseda e zhvilluar me këta qytetarë, midis të tjerash, ata shpjeguan:
- Dhimitër Filto: Unë nuk di gjë që Gjon Mërdhoçi, të ketë kostum ose komplet sportiv të mirë, e nuk kam luajtur me të tillë.
- Dhimitër Murati: shpjegon se para dy tre muajsh, kur isha te fusha e sportit, Gjon Mardhoçi, uli pak pantallonat anash e më tha se; kam një palë të mbathura të mira sporti, por për të luajtur, nuk m’i ka dhënë dhe nuk e di se kujt ja kishte marrë, duhet t’ja ketë dhënë për të luajtur, mësuesi i fizkulturës Robert Mella, se ky i fundit ka luajtur me kostum sportiv.
- Ndrec Shkurt Beleshi: shpjegon se vetë Gjon Mardhoçi, më ka thënë në frontin e punës, mbasi punoja bashkë me të, se kam një palë tuta të jashtme sporti, ato unë nuk i kam parë dhe nuk e di se ku i ka gjetur, se nuk e kam pyetur.
- Mark Përdoda: shpjegon se, siç më ka thënë Zef Ndok Lugja, nga fshati Kthellë, përse Gjon Mardhoçi, i ka marrë një vajze të kursit një bluzë trikotazhi, që e kishte blerë në dyqan, dhe unë, më ka thënë Zefi, ja mora Gjonit me dhunë, e ja dhashë asaj vajzës, se e kam timen.
Sqarim:
Robert Mella, mësues fizkulture në shkollën e mesme “Shkurte Cara”, ka qenë atlet në Klubin Sportiv “17 Nëntori”, e ka luajtur futboll, me kompletin e kësaj skuadre.
Punëtori Operativ
Mihal Monka
DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT-INFORMACIONIN E PUNËTORIT OPERATIV, MIHAL MONKA, ME TË DHËNAT E BASHKËPUNËTORIT TË SIGURIMIT ME PSEUDONIMIN “SHKËLQIMI”, NË BAZËN “DRITA”, MBI NDJEKJEN E SURVEJIMIN E FAMILJES SË KADRI HAZBIUT
Mori: P. Operativ, Mihal Monka
Dhënë: B.p. “Shkëlqimi”
Në bazën “Drita”
Raport i datës 11.10.1983
Burimi njofton se ai, më datën 7.10.1983, ishte për vizitë mjekësore në Rrëshen, aty nga ora 10.00, po kalonte nga spitali, nga ana e pasme, ku bëhen vizitat dhe para portës kryesore të dezhurnit, ai pa Petrit Hazbiun, ai nuk u takua dot me të, dhe rreth orës 10.30, u fut në dyqanin e materialeve të ndërtimit, ku aty pa dhe Petrit Hazbiun. Ai iu drejtua shitëses; a keni llamba elektrike, në këtë kohë, i tha Petriti atij, au nuk po më shef, au më fal se s’të kam parë deri tani, shitësja në këtë moment, u përgjigj, kemi llamba dhe pruri një llambë 40 w, ai i tha; a keni me voltazh më të madh, shitësja i’u përgjigj; këto kemi, po deshe merre, përndryshe, shko, ai i tha shitëses; tregohu më me edukatë, se me pare jemi tuj e blerë, ai mori llambën, Petriti i tha tij, mjaft pa edukatë janë këta shitësit, nuk sillen hiç mirë, ai i tha Petritit, se shitëset janë me edukatë, por ndonjëherë, kështu bëjnë ato.
Ai e pyeti Petritin, pse paske ardhur në Rrëshen, Petriti i tha se; kam ardhur sot me autobuz se, më thanë do të biem vajzën, erdha ta marr. Po ti, pse paske ardhur, e pyeti atë Petriti? Jam shumë sëmurë nga kama dhe kam marrë rekomandim, me u vizitu te kirurgu këtu. Po më vjen keq se, qenke sëmurë, të shkuara, i tha Petriti atij. Ai e pyeti Petritin, a doni të bleni gjë në dyqan, po i tha Petriti, desha të ble një tub sobe, se në Kurbnesh, është dyqani i mbyllur, edhe këtu nuk paska. Ata së bashku dolën nga dyqani, ai i tha Petritit se, kam punë në spital, unë po shkoj, pastaj ndoshta edhe shihemi prap. Petriti i tha; nga lulishtja ose nga posta jemi, eja mbasi të mbarosh punë, se edhe mërzitem vetëm. Mirë i tha ai, dhe u ndanë. Ai pasi bëri një xhiro, u takuan përsëri nga ora 10.35 te lulishtja para berberëve. ulur në karrige, aty ishte Petriti, me djalin e vogël të Elenës (motrës së tij), pasi i dha dorën djalit, u ul në karrige. Hë, e takove vajzën, si u bë puna, e pyeti ai Petritin.
Jo, ende nuk e kam parë, në këtë kohë, urdhëroi djalin e Elenës, të shikonte se mos, i kishte ardhur vajza. Ai e pyeti Petritin, kush e ndau shoqin, ti, apo gruaja? Petriti i tha se; ajo e ka bërë ndarjen, unë nuk kisha se për çfarë ta ndaja atë. Interesant, i tha ai, ajo të paska dashur, vetëm pse ishe djali i Kadriut. Jo besa, tha Petriti, ajo më ka dashur shumë, por në këtë rast, ka dashur të shpëtojë veten nga telashet tona. Po vajzën, pse ja ke lënë asaj, i tha ai? Petriti i tha se; vajzën ja ka lënë gjykata, këtu në Rrëshen e kemi bërë. Për mendimin tim, gjyqi nuk ka vepruar hiç mirë që ja ka lënë vajzën asaj, s’kanë se çfarë të bëjnë tani, kanë mbetur për t’u takuar rrallë e për mall, me vajzën time. Jam edhe me leje të zakonit dhe desha ta mbaj ndonjë ditë në shtëpi e, të çmallesha me të. Petrit, i tha ai, a u bëre i njohur me letrën lidhur me çështjen e babait tënd? Po, tha Petriti. Paskësh pasur një njeri në shtëpi që, s’paskëshim njohur. Petriti u përgjigj; në fakt për veprimet që ka bërë baba, nuk dimë asgjë.
Në fakt, njeriu ka idealet e tij në jetë dhe punën që bën, por me familjen, njeriu s’duhet të bisedojë, se varesh edhe jeta juaj, jo vetëm e babait tuaj, i tha ai Petritit. Petriti i tha atij: me thënë të drejtën, kam respekt të veçantë për ty, më dukesh njeri i çiltër e i sinqertë dhe lidhur me këtë problem, ta themi hapur, se, neve si fëmijë, nuk kemi ditur asgjë fare për babanë tonë, vetëm atëhere kur plenumi e ka cilësuar armik, bile jemi habitur dhe nënën e kemi pyetur se, mos dinte ndonjë gjë për babain, ajo tha se, jo, dhe rin shumë e mërzitur. Vetëm ti e din mirë, se babai ynë ka pasur shumë shoqëri me Mehmetin, rrinin shpesh bashkë dhe pinin deri në orët e vona. Ai i tha Petritit se; Mehmeti, kishte përzier edhe fëmijët e vet, me veprime agjenturore, nejse, ju Partia ju mbajti afër, ju çoi në Kurbnesh, ju dha punë, se do ua kishte gjetur edhe juve vendin, të ishte ndryshe. Në fakt, vazhdoi Petriti, fëmijët e Mehmetit, kanë qenë shumë të lëvizshëm, bëjshin qejf. Neve si fëmijë, nuk jemi përzier me ta, asnjëherë.
Siç thashë më parë, më pyeste baba, vazhdoi Petriti, mos doni të shkoni jashtë në ndonjë shtet, unë i shprehja dëshirën dhe kjo punë rregullohej, kam qenë në Jugosllavi, në Beograd, me thënë të drejtën, më duken njerëz të kulturuar, ata bisedonin me njeri-tjetrin, me zë të ulët dhe ishte qetësi e madhe. Ai i tha: unë nuk i njoh ashtu jugosllavët, mund të them pak gjëra, se ka kohë që jam larguar dhe kam qenë i vogël atëhere. Ai i tha Petritit se; tani s’ma mbush kurrë mendjen se, babai yt kishte respekt për kosovarët, babai juaj, paska dashur t’ja shes Shqipërinë, Jugosllavisë. Në fakt për këtë, di të them, vazhdoi Petriti, se babai, thoshte se, kosovarët janë burra të fortë dhe të dashur, çfarë të them unë tani për këtë. Babai im, paska qenë armik dhe haram i qoftë buka që ka hëngër. Ai i tha Petritit; tashti mos u mërzit se, s’ke se çfarë t’i bësh, jeta kështu është. U pa puna ime tani, të punoj atje ku jam por, më dhimbset vëllai i vogël se, është i ri dhe pak mendon, më dhimbset edhe nëna, është sëmurë dhe ilaçe ka pak, nga ai që përdorte. Petriti, e pyeti atë se; si u bë puna e transferimit tënd, ai i tha se, më kanë premtuar një punë, s’ka mundësi shumë, i stabilizuar jam, me familje dhe me punë. Desha të stabilizohem afër qendrave kryesore. E shikon i tha Petriti, se; babai im nuk paska pasur faj, për këtë.
Më fal, i tha ai Petritit, se babait tënd, i pata shkruar një letër (kërkesë), për t’u kthyer në Jugosllavi dhe jo për transferim. Petriti i tha tij se; paske kërkuar për çfarë i kisha kërkuar babait të tij, në bisedën që kemi pasur një muaj më parë. Ai i tha Petritit, kam punë dhe po iki unë, si të duash i tha Petriti, këtej jam unë, kur të vij autobuzi, ishalla na merr e në fakt, të fundit na merr neve, nëse ka vend. Ai duke qeshur, u nda nga Petriti. Rreth orës 13.00. ai hipi në autobus, pas tij hipi dhe Petriti, për të ardhur në Kurbnesh. Ai shton se, kur u takua te lulishtja me Petritin, e pyeti; deri sa ke kaq mall për vajzën, pse nuk shkon në Tiranë, për ta takuar. Petriti i tha se, është rrugë e largët, megjithëse kam qejf të shkoj, por besoj se e din edhe ti pse nuk shkoj. Ai i tha se; ku e di unë se ku e ke ti fjalën. Petriti tha se, duhet të marr leje për të shkuar. Ai i tha se, nuk di gjë për këtë. Po ku merr leje, e pyeti ai? Te reparti në Kurbnesh. Jo tha ai, këtë nuk e kam ditur.
“Shkëlzeni”
Sqarimi i të dhënës:
- Petrit Hazbiut këto ditë, ju dha leje për të takuar vajzën në Rrëshen. Në fakt, nuk ka mundur ta takojë, pasi nuk i erdhi nga Tirana. Është në P.P. për agjitacion e propagandë.
B.p. “Shkëlzeni”, u dërgua me detyrë në Rrëshen, Kishte rekomandim nga mjeku për t’u vizituar. Ju dha një vijë sjellje, që në vijë të përgjithshme, e ka konsumuar.
Vlerësimi i të dhënës:
E dhëna kë vlerë operative se, bëhet fjalë për Petrit Hazbiun, djalin e armikut të Partisë Kadri Hazbiu, i cili komenton në lidhje me kulturën e shitësve tanë, e injoron atë dhe ngre lart kulturën e qytetarëve jugosllavë, ku shprehej, gjoja për qetësinë që ishte atje, kulturën, etj. Po ashtu, lënë dyshime dhe për veprimtarinë e të atit, mbasi shprehet se, kishte shoqëri të ngushtë me Mehmet Shehun, ku bisedonin dhe pinin deri në orët e vona.
Detyra, dhënë B.p.
Ju dha detyrë që, të shfrytëzojë rastet, kur Petriti shkon ose kthehet nga puna, kur paraqitet tek Reparti 44, në orët e vona, me kujdes dhe pa rënë në sy të të tjerëve, etj., bisedo me të për probleme pune, nëse jeni ambientuar, si ti dhe vëllai me punë në minierë, për të ardhurat që marrin, nëse janë të bollshme. Për lidhjet e tija familjare dhe miqësore, ku i ka dhe nëse kanë pësuar gjë nga qeveria, të shfaqë habi, se si qenka kjo punë, nga një njeri e pësojnë edhe të tjerët, a keni marrë vesh se ka ardhur ndonjëri këtu, apo sa të jesh mirë, të shohin me sy, gjithashtu, më habit fakti i rënies në sy nga ju, të shoqërisë, i pirjes deri në orët e vona me Mehmet Shehun, mund të qëndrosh, por për çudi, edhe ju nuk jeni bërë mbarë fare, për të, që t’i thoshit, që të mos pinte, ta ndihmonit, se mbase pija ka bërë që të komprometohet.
Masat Operative:
– Do të shtohen përgjimet me orë të zgjatura në shtëpinë e tyre.
– Për këtë, B.p., do t’i përgatitet një vijë sjellje.
– Do të forcohen masat e kontrollit fizik ndaj tyre.
– Do të shikohet mundësia e shoqërimit të Petritit në Tiranë, me kombinacion.
– E dhëna të shtypet në tre kopje, 1 për Grupin Operativ, 1 për Petritin dhe 1 për vëllanë e tij, Agronin.
Punëtori Operativ
Mihal Monka
SHËNIM:
Petriti, nuk mund të çohet në Tiranë, si për rrezikshmërinë, ashtu dhe për opinion. B.p. “Shkëlzeni”, t’i jepet detyrë që të rregullojë takime me Petritin, sidomos të shikojë mundësinë që të shkojë në shtëpinë e Petritit, gradualisht, B.p., të afrohet në biseda edhe me Agron Hazbiun e, motrat e tyre. Memorie.al
12.10.1983 ZV/KRYETARI I DEGËS BRENDSHME
VESEL AVDULLAI
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016