Nga Timo Mërkuri
Pjesa e parë
Memorie.al / Nëpërmjet Shtëpisë Botuese “TOENA”, Odise Kote solli romanin “Amerikani”, një vepër që të trondit si asnjë tjetër, për nga përmbajtja, aq sa edhe të mahnit për artin me të cilin është shkruar. Është një roman tepër i veçantë, që vjen për herë të parë në letërsinë shqipe, me një subjekt të si një dhimbje shpirt, shkruar me një stil poetik me “ngjyrë gri”, në të cilën pikëlonë si shi, e zeza e vuajtjes, si vesë e bardha e shpresës dhe dhe si një tis mjegulle, roza e zemrës. Me këtë roman, Odise Kote, dëshmoi pjekurinë e tij si një shkrimtar dinjitoz, i letërsisë shqipe bashkëkohore.
I- Për nga përmbajtja, “Amerikani”, i ngjason romanit “Arkipelagu Gulag” të Aleksandr Solzhenitsyn, por me një shtrirjeje hapësinore më të madhe të vuajtjeve fizike e shpirtërore sepse: në qoftë se, Solzhenitsyn, shkruan për vuajtjet dhe torturat e të arrestuarve dhe të dënuarve në hetuesi, burgje e kampet e punës, Odise Kote, na tregon me një gjuhë artistike se: gjithë Shqipëria, ishte thjeshtë një burg kolektiv, i krijuar nga shteti monist. Në një farë mënyre, të gjithë ishim të burgosur, pavarësisht se disa gdhiheshin brenda telave me gjemba të kampit, ndërsa të tjerët, brenda klonit të kufijve shtetërorë.
“Amerikani”, është një roman që sjell një pamje të re mbi fatin, vuajtjen dhe rezistencën e të burgosurve politikë në burg dhe jashtë tij dhe duhet lexuar patjetër, qoftë për vlerat e tij të veçanta estetike dhe letrare, qoftë edhe si një ndjesë, ndaj atyre mijra të dënuarve të pafajshëm, për të cilët, ne nuk kemi ditur të vërtetën e dënimit dhe vuajtjeve nëpër burgjet e kampet e diktaturës. Mosdija jonë, u jep ish të dënuarve politikë, një farë ngushëllimi, por neve, nuk na lehtëson aspak nga ndjenja e gabimit, sepse edhe ne i kemi quajtur “armiq”, pa ditur asgjë për “armiqësinë” e tyre.
Si “armiq”, na i paraqitën “drejtuesit” e tribunave, dhe nuk e menduam se shumë shpejt, në të tillë do shndërroheshin vetë ata, fqinjët, miqtë e vëllezërit tanë. Vala e arrestimeve afrohej drejt familjeve shqiptare (kryesisht) intelektuale dhe artistësh, siç u afrohet fëmijëve në ranishte vala e detit, të cilës përpiqen t’i “shpëtojnë”, duke kërcyer pupthi ose, duke ju larguar me vrap. Ardhja e valës së detit dhe kërcimi apo largimi me vrap ndaj saj, është një lojë fëminore që krijon shpërthime të qeshurash, ndërkohë që, ardhja e valës së arrestimeve, ishte një gjëmë që fillonte me kuje, e vazhdonte me vuajtje.
Ka dhe një aspekt tjetër, koha e ardhjes së këtij romani të Odise Kotes, që ja lartëson vlerat. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, shumë krijues që kishin jetuar ferrin e burgjeve dhe internimeve, nisën të shkruanin për vuajtjet e tyre në hetuesinë, burgjet dhe kampet e punës, madje dhe e reklamuan këtë krijimtari, si lindjen e “letërsisë së burgjeve” ose, “burgologjia”, tezë dhe krijimtari që përkohësisht tërhoqi vëmendjen e lexuesve. Më duhet të them se, me pak përjashtime (si Visar Zhiti etj.) kjo “rrymë” letrare, “humbi” nga interesimi i lexuesve, si lumi që humbet në rërën e shkretëtirës dhe kjo, jo për faj të lexuesve, por për gabimin e autorëve.
Në shumicën e saj, kjo krijimtari ishte një lloj rrëfenje, shumë larg të qenit letërsi. ishte një të shkruar “e zeza mbi të zezë”, pa art dhe pa finesë letrare. Në kohën që interesimi për letërsinë po “firon”, “firon” e “letërsisë së burgjeve” e “ndihmoi” indirekt dhe stili i ftohtë, urrejtja e tipit propogandistik, me të cilën ishin shkruar, duke harruar që arti në përgjithësi dhe arti letrar në veçanti, është së pari dashuri. Kjo do të thotë që, edhe kur shkruan për kundërshtarin, sado që ta urresh atë, frazat dhe fjalët e tyre, apo për ta, duhen shkruar me art dhe finesë, që të flasin shumë më shumë se sa kuptimi gramatikor i tyre, sepse ato, janë pjesë e artit letrar dhe jo pjesë fizike, e njeriut kundërshtar.
II- “Amerikani” i Odise Kotes, është një roman që hyn denjësisht në letërsinë shqipe dhe qëndron në rrafshin e epërm të saj, pse në të gjithë faqet e librit, shkruhet e përjetohet artistikisht, jeta në Shqipërinë e errët moniste, por njëkohësisht ndjehet e shihet drita, tej kësaj errësire. Në ligjërimin artistik të romanit, dëshmojnë vuajtjen, ndjenjat dhe mendimet, personazhe të ndryshëm, ndërkohë që plagët e trupit te të dënuarve, më shumë i ndjejmë në lexim, apo në efektin psikologjik dhe luftën për ekzistencë.
Në qoftë se do na duhej të pasqyronim zhvillimin e jetës në “botën” e romanit, kjo, do realizohej me një grup fjalësh, që na kujtojnë përshkrimin në Bibël, të krijimit të jetës në tokë sipas radhës: Kaos, Mjegull dhe Kthjelltësi. Një kaos i vërtetë ligjshmërie, veprimesh, mendimesh e ndjenjash, përmbytin botën e Nelson Andreas, qysh nga momenti që shkel në tokën shqiptare, një mjegulle dendur mos-orientimi, e mbulon jetën e tij në kushtet e një jetese, sipas normave e parimeve socialiste pas burgut, mjegull që rrëshqet drejt shpërbërjes, për t’i lënë vendin një kthjelltësie qiellor e shpirtërore, ose më saktë, një triumfi të jetës.
Personazhi Nelson Andrea, ardhur nga parajsa amerikane në ferrin monist, në mënyrën më të papritur për të, si artist, e gjen veten në disa raporte, që kurrë nuk i kishte menduar se ekzistonin, dhe pikërisht e gjen veten te:
a) -raporti i artistit me diktaturën, ku ai fillimisht, më shumë për shkak të mosnjohjes së funksionimit të jetës në monizëm, ndjehet si “i rrëzuari nga anija në mes të detit” dhe po mbytet, por duke u kapur pas artit të tij, si pas një litari, ringjitet në kuvertën e jetës.
b) -raporti i artistit me shoqërinë, kur shoqëria shqiptare, jetonte nën një ciklon propagande të shfrenuar, pa jetë, pa vizion dhe arti i vërtetë, shihej si një “blasfemi”, si një sfidë ndaj regjimit, si një ndikim i huaj, ndërsa artistët, ishin dënuar, persekutuar, u ishte hequr e drejta e ushtrimit të artit të tyre, e megjithatë, ata vijonin të krijonin artin e tyre në heshtje, larg syve të publikut.
c) -raporti i artistit me vetveten, ishte një raport sfilitës për Nelson Andren. Shpirti i tij si artist, ishte në vlim si një llavë, ndërkohë që presioni psikologjik, dhuna e shtetit monist dhe strukturave të tij, i rëndonin mbi grykën e “kraterit” të tij shpirtëror, si pllaka plumbi, mbi grykën e reve radio-aktive, nëpër laboratorët bërthamorë.
Personazhi Nelson (Nelo) Andrea, në njëzetetre vjet burgim, persekutim, përgjim etj., lufton për të ruajtur shpirtin e tij artistik e human dhe jetën në një shoqëri, që “i grabiti” dhe identitetin e tij, sepse e ndjen që, nëse burgu apo kjo jetë që bën, si një i mënjanuar, ja shkërmoq personalitetin dhe talentin nën dhunën e përditshme, atëherë ai zhvlerësohet si njeri, dhe s’ka të ardhme dinjitoze si artist prandaj: “Lahet, ushqehet, vesh jelekun dhe këmishën e bardhë me jaka të larta dhe zbret në kube. Kubeja ishte kisha e tij, ajo kishë si e At Artur Liolinit atje në Boston. Kubeja dhe interpretimi në violin, janë instrumentet që e shndërrojnë Nelo Andrean shqiptar, një varrmihës komunaleje, në Nelson Andrean amerikan”.
Kjo rezistencë intelektuale, është lufta e tij, mbijetesa është fitorja, sakrifica e tij, ishin vitet e humbura, jo vetëm në burgje e kampe pune, por gjithë vitet e qëndrimit në Shqipëri. “Nelson Andrea, për herë të parë në jetën e tij, ndjeu dhimbje, dhimbje të fortë në gjoks. Më shumë se dhembje, ajo ishte keqardhje për vetveten. Kishte shpenzuar kot së koti, njëzet e tre vitet e jetës së tij, në këtë vend. Kujt ia kishte falur dhe përse”?
Përfytyroni një djalosh, të rritur e selitur në bulevardet dhe sallat e koncerteve të Bostonit, të vijë në Shqipëri, prej nga ka ikur dy vjeç fëmijë dhe porsa ve këmbën në tokën shqiptare, i vënë një thes në kokë, e prangat në duar, madje pas shpinë dhe gjendet përballë goditjes së një shteti, me mentalitet dhe metoda mesjetare, të sjelljes dhe drejtimit. Realisht Nelson Andrea, nuk ishte armik i Shqipërisë dhe as i pushtetit monist, madje ai s’dinte gjë, për luftën Nacionalçlirimtare (ç’punë kam unë me luftën, thotë ai me vete diku) dhe as për shtetin monist, apo luftën e klasave.
Ai ishte një shtetas amerikan që erdhi në atdheun e tij të lindjes, Shqipëri, por erdhi në kohën e gabuar dhe me pasaportën (e gabuar) amerikane. Ishte kjo pasaportë që e pozicionoi atë si “armik” të vendit të tij, ishte ajo që nervozonte hetuesit, policët dhe gardianët e burgut, madje edhe “tutorin” e tij, Rako Siranin. Ajo pasaportë, i dha emërtimin “imperialist”, ndaj dhe presioni psikologjik e dhuna, ishin goditje që i vinin njëra pas tjetrës fizikut, personalitetit, psikologjisë dhe talentit së tij, me forcën e befasisë dhe pastaj me forcën e qëllimit të tyre.
Instinktivisht, për t’u mbrojtur prej tyre, ai u mbyll në heshtje, si në një “koracë mbrojtëse”, e cila mirte formën më të përshtatshme rezistente ndaj çdo lloj goditjeje, pa e ndjerë se kjo “formë e përshtatshme”, ishte në fakt një përthyerje e personalitetit dhe psikologjisë të tij, si hekuri që, kur nxehet, përthyhet edhe nga vetë pesha e tij. Përkundër portretit së disa personazheve të “letërsisë së burgjeve”, që paraqiten “heroikë” në birucat, burgjet apo kampet e internimit, e që më së shumti ngjajnë me “heronjtë” pozitivë të soc-realizmit, (veçse në kahun e kundërt), Odise Kote, te personazhi i tij, paraqet objektivisht edhe ndikimin tjetërsues, të presionit të diktaturës mbi ‘të.
Nelson (Nelo) Andrea, nuk u vu në shërbim të policisë dhe të hetuesisë, nuk bëri madje as “tradhtinë e butë” (qëndrimin shpërfillës ndaj fatit të miqve dhe shokëve të tij), por koha e gjatë, prej njëzet e tre vjetësh nën trysninë, jo vetëm psikologjike, por edhe ekonomike e fizike, bëri që edhe ai, të “ndikohej” nga fryma e kohës e “hakmarrjes” e adresuar te personat shkaktarë, të vuajtjeve të tij. Është një fenomen i njohur psikologjik: një njeri me personalitet të spikatur e kulturë të lartë, kur detyrohet të jetojë në një ambient, ku dhuna është e pranishme në gjitha poret e jetës së shoqërisë dhe në të gjitha format, pas dhunimit, ai instinktivisht, kërkon që të largojë nga vetja, ndjenjën poshtëruese të këtij dhunimi, duke u hakmarrë ndaj dhunuesit:
“Andrea mori frymë thellë dhe i’u drejtua ambasadorit amerikan: Shkëlqesi! Më keni nderuar shumë sot…! Por më falni…aty në rreshtin e tretë, është dikush që nuk duhej të ishte në këtë sallë, dhe as që duhej ta kishte dëgjuar këtë muzikë! Syri i Nelson Andreas kishte pikasur në rreshtin e tretë, tek të ftuarit, Rako Siranin”.
Ai mendoi si shqiptar i persekutuar (dhe jo si amerikan i dënuar në Shqipëri), se ishte parimisht e drejtë që të kërkonte mos praninë e Rako Siranit, shkaktarin e vuajtjeve të tij, në atë sallon të ambasadës Amerikane, ku ai, si i ftuar i veçantë, bashkë me të bijën dha një koncert recital me violinë, ndaj me siguri, e ka befasuar përgjigja e ambasadorit amerikan: “Pa probllem, pa probllem, – reagoi shkathtësisht ambasadori….! U ngrit për kortezi nga vendi, i përshëndeti dy violinistët, at e bijë, dhe kërkoi: Pa probllem, kjo është demokracia. Vazhdojmë me programin më tej”.
Do t’i duhej për ca kohë, një klimë e re, një mënyrë e re jetese, për të rigjeneruar këtë “shtypje të koracës” së tij, apo edhe për ta flakur në harresë vetë koracën. Pasqyrimi i këtij ndikimi, është dëshmi e njohurive gjer në imtësi të psikologjisë së njeriut nga autori dhe kjo e bën personazhin e tij shumë real.
III-Ka dhe një pamje tjetër, që e bën këtë roman një vepër të realizuar artistikisht: ai bën objekt të trajtimit artistik, shumë ngjarje historike të kohës, tradita dhe zakone tipike të qytetit të gurtë, të fshehta që i dinin të gjithë, por që nuk i përmendte askush, portrete personash të “gdhendur”, si në gur etj. Të gjitha këto dukuri, ngjarje e persona, në fakt nuk janë dhënë me synim që të evidentohen në veçanti, por shërbejnë si një “ambient”, ku jeton “historia”, e trajtuar në roman. Pasqyrimi i tyre, me nivel artistik nuk i ngre ato në piedestal, por, i afron si “basoreliev”, në bazamentin e monumentit artistik të veprës.
Me artin e tij, si me një hark violine, Odise Kote, ka prekur fijet më të holla dhe të padukshme të jetës, duke na dhënë një muzikë të dhimbshme, gjer në asht, në këtë roman të shkruar me një intensitet artistik, që të krijon përshtypjen se ngjarjet, nxitojnë të përfundojnë shpejt, nxitimthi, si një periudhë dhimbjeje, pa sqarime e hollësira të tepërta:
“Sapo shputat e këmbëve prekën tokën shqiptare, të ëndërruar prej kohësh, atë e ndalën. Pa më të voglin shpjegim, dy burra të fuqishëm e zunë për krahësh, e rrëzuan barkas në tokë dhe i hodhën pranga në kyçat e duarve…! Më pas e ngritën si pupël, pasi i hodhën thesin e xanës mbi kokë, e hypën në ‘Gaz’-in 69, të Degës së Punëve të Brendshme”, ndërsa na paraqet brenda “Gaz”-it 69, të Policisë, personat që e kryen këtë veprim: “Veç shoferit, ishin dhe dy burra të tjerë, të armatosur…! Dëgjohej kohë pas kohe, një bisedë e shtruar dhe kolla e thatë e njërit prej tyre…! Tjetri ishte hokatar. Rrëfente pa pushim histori fshati, me gracka dhelprash, pusi e rrëshkitje burrash nga fiqiri, dredhka, rrëmbime nusesh dhe brinjarë…! Të dy pinin cigare të dredhur. Binte erë e keqe…”!
Mjaftojnë këto dy vijëzime portreti, për të njohur nivelin kulturor të policëve, por dhe për të para-ndjerë zhvillimin “profesionist” të hetimit: “Kur u kthjell disi, pa se një gjatovino sy skifter, ishte ulur përballë. Hollak, shufër lajthie, sikur kishte mbirë nga hija…! Papritur kujtoi se ai vinte nga skëterra. Gjatovinua, sy skifter e pyeti për emrin, familjen dhe arsyen; përse kishte ardhur prej asaj Amerike në Shqipëri”. Do mjaftonte pyetja: “Pse kishte ardhur asaj Amerike…”, një formulim pyetje, që e bëjnë zakonisht njerëzit e paarsimuar të zonave rurale, miqve që bujtin nga qyteti: ç’kemi asaj kasabaje? Për t’u bindur se, dhe hetuesia përbëhej nga nëpunës pa qytetarinë që kërkonte posti zyrtar. Më tej: … e afroi (karrigen shën.im.), pranë tij dhe foli me një zë të shtrajtshëm, …që ngjasonte me turjelat e holla që futen imtësisht në vesh.
“Të gjithë e kemi nga një sekret…! Të kthehemi tek ne të dy. Si thua? Heshtja tënde, mund të na kushtojë jetën të dyve.…Një muaj më parë….! Më transferuan këtu në këtë humbëtirë, në këtë moçal. Përse? Mos ndoshta një provë e re? Papritur u shfaqe ti, dhuratë nga qielli, apo mallkim?! Ti do të jesh ose varri, ose shpëtimi im. Le të mos i humbasim kohë njëri tjetrit”! Te këto tre rreshtat e fundit, shohim portretin psikologjik të një hetuesi sadist, që, për t’u ringritur në detyrë, pas “ardhjes në këtë humbëtirë”, kërkon shpëtimin te kryqëzimi i “viktimës”, te thyerja, mposhtja, apo zbërthimi i tij. Kuptohet që këta tipa, janë ata që ngritën shkallare me kufoma, për t’u ngjitur në karrierë apo, në shpëtim të vetes së tyre.
“Tek kjo dhomë, kanë hyrë me dhjetra armiq të popullit. Kanë hyrë si luanë e, kanë dalë si qengja. Mos e kërko fatin e tyre. Mos e ndill. Ndjesa dhe falja, janë një udhëtim i mbarë. Ndaj këtu do zbrazesh. Do më thuash fije e për pe, se kush të ka dërguar e për kë punon”? i kërcënohet të arrestuarit, duke dëshmuar vulgaritetin qytetar, cekëtinë profesionale dhe dhunën si mjetin e vetëm, jo vetëm të tij, por të një brezi zyrtarësh policie, që lemerisën gjithë popullin, me vrazhdësinë shtazarake.
Në qoftë se dikush, do hamendësojë për “gjatovinën syskifter”, si për një rast të veçantë, le të shohim hetuesin tjetër: “E kishin zëvendësuar (gjatovinën), me një shkurtabiq babaxhan, mustaqezi dhe kokë të madhe. Sytë i kishte të skuqur dhe këmishën e mbante zbërthyer dy kopsa, për të treguar gjoksin e gjerë leshtor… dhe i pëshpëriste: Mos u tremb buçko. Pyetje rutinë. Më pas do kemi ca punë, po do t’ja dalim. Si thua? …Shkurtabiqi e shqepi në dru. Me ç’i erdhi përdoresh….! Njëzet e shtatë mesnata të tjera, rresht, që zgjatnin deri në agim”.
Le të shohim dhe një skenë nga një ditë pune e të burgosurit Nelson Andrea: “Nuk ishte ngopur plotësisht me ajër…, kur befas, m’u në fund të qafës hollake, iu vërvit me shpejtësi rrufeje, kamzhiku i gjatë i Gërdhuqit. Sikur i preu damarin. Ai e kishte përgjuar, i qe afruar tinës nga pas dhe pastaj i ishte turrur si bisha, si bisha, kur i turret presë së vet. “Imperialist, armik i popullit, qen”, – ishin të uluriturat e mbushura me jargë të kapter Gërdhuqit. “Kujt i bën shenjë ti, kujt i jep sinjal? Kaq ta bësh dhëmbin. S’më ikën dot nga duart. Lëkurën do të të rrjep” – nuk pushonin të goditurat me kamzhik dhe këpucët e rënda me proka…! Kapter Gërdhuqi, pushoi vetëm kur u lodh”.
Dhe të mendosh se Nelson Andrea, në këtë prag dhune, nuk ishte në ndonjë prag tentative arratisjeje, përkundrazi, ishte në një përhumbje muzikale, pas stërlodhjes fizike nga puna e rëndë, pikërisht, në momentin kur: “Nisi të fërshëllejë një melodi që si një shpend i padukshëm, doli lehtësisht nga hapësirat e mushkërive. Sikur tingujt, mezi ç’prisnin ta shpërthenin kafazin e kraharorit e, ta shtynin me duart e padukshme shpendin, ta shtynin lart, lart, që ai të dilte prej andej dhe të ikte pa kthim, drejt qiejve. U ndje krejt pa peshë. Sikur do të fluturonte dhe vetë”! “Nelo Andrea, doli nga zyra e komandantit të kampit, Meleq Hazënbeu, më i gjakosur se sa hyri. Gjaku i shpërtheu nga të gjitha venat. E kishte kuptuar përfundimisht se, hapat për në zyrën e komandantit të kampit, nuk ishin ato që të çonin tek një zyrtar shteti, por, rruga që të çonte drejt e në ferr”, atëherë sheh qartazi përballë njëra tjetrës, dy botë, dy kultura, dy njerëz që “flasin në epoka të ndryshme”, ndonëse janë bashkëkohës.
Artisti është më i fortë se diktatura, më jetëgjatë se ajo, prandaj, diktatura së pari, godet artistët dhe poetë, i burgos, i internon, u heq të drejtën e publikimit të artit të tyre, sepse e di që arti, nëpër rrugëkalimet e fshehta dhe të heshtura, ndez zjarrin e shpresës dhe mbi mendimet si: “dru të lagura nga frika”. Diktatura i vret artistët, por ajo nuk ka fuqi të vrasë artin e tyre, pasi ky art, jeton edhe shumë dekada pas rënies së diktaturës, madje pikërisht në këtë kohë, ky art, ndrin si një kometë, e cila në vend të bishtit të zjarrtë, ka kujtimet e jetës dhe rezistencës së artistëve, ndaj diktaturës.
Në kohën që kapterrat e burgjeve dhe kampeve ëndërronin dhe projektonin forma më “efikase” dhune, ndaj të burgosurve, ata përjetonin vizione të gjera humanizmi. Kështu, meqenëse atë ditë, kishte përfunduar hetuesia e tij, pa ndonjë fajësi, Nelson Andrea, kishte përjetuar një frymë mirësie e faljeje kristiane: “Zoti nuk do që ca të qajnë më tepër e, ca të qajnë më pak. Fituesi le të falë. Falja nuk është kurrë frikë. Dhe i pushtuar i gjithi nga mornica të holla mirësie, asaj dite me diell të ngrohtë, edhe kapter Gërdhuqin, përbindëshin e pashpirt të kampit, e shikonte disi me përdëllesë”, pa menduar se me këto ndjenja ai dëshmonte “fitoren” dhe forcën e tij, sepse trimi dhe i forti, gjithmonë fal, i dobëti vret.
Gjatë pushimeve në hetuesi, përjetonte suksesin e tij të dikurshëm në konkurrimin: “…për një vend violinisti në orkestrën e madhe simfonike të Bostonit. …Fitoi. Prej gjashtë muajsh, ishte njëri nga tre muzikantët e rinj të Orkestrës”. “Ai ëndërronte shtegtime të detajuara për shpirtin e tij. Në vende të shenjta, të bekuara. Sepse gjithësia, është brenda njeriut. Njeriu i di destinacionet e veta. Por tani, i ngjante se përbrenda tij, ishte bërë eklips, me kaq shumë terrinë, vetmi, përçudnim”, ndaj dhe rriste në vetvete besimin se: “Një ditë, do të iki nga ky ferr dhe do t’i rrëfej botës, tmerret e mizoritë e tij”, çka na kujton At Zef Pllumbin dhe devizën e tij: “Rrno vetëm për me kallzue”.
IV – Jeta shqiptare e kohës, nuk linte asnjë njeri të merrte frymë lirisht dhe të realizonte dëshirat e tij shpirtërore, ajo ishte një jetë e komanduar, e planifikuar, e kontrolluar nga lart. Nga lart vinin tollonat ushqimore, nga lart vinin të drejtat e studimit, që në shumicën e tyre, s’kishin asnjë qasje me pasionet e maturantëve, nga lart vinin emërimet në punë, nga lart komandoheshin shijet e veshjes dhe të qethjes, filmat që do shiheshin e, muzika që do dëgjohej, pantallonat që do visheshin dhe stili i qethjes së flokëve. Madje dhe dashuritë dhe martesat ishin nën suverjim, çdo dashuri apo martesë, me një vajzë apo djalë nga familje “me njollë në biografi”, “njolloste” dhëndrin ose nusen dhe familjen e tyre. Përgjithësisht ishte një jetë monotone, me mangësi të theksuara gjer edhe te ushqimet bazë, një jetë që nuk të frymëzonte dhe në rast se dikush do dilte jashtë kornizës të shoqërisë, menjëherë do vihej nën suverjim.
Intelektualët dhe artistët, ishin shënjestra e parë e goditjes së vigjilencës së organeve policore. Lajmet mbi arrestime poetësh e shkrimtarësh, inxhinierësh nafte e mjekë, heqje të drejte botimi apo, ushtrimi profesioni e botimi dhe internime familjesh, ishin bërë një rutinë e përditshme. Frika dyndej qyteteve, më shpesh e më dendur se mjegulla.
Nelson Andrea, ky artist, pjesëtar i një prej orkestrave më të njohura simfonike në botë, gjendet papritur përballë strukturave të një shteti, që himnizonte kultin e dhunës. Ishte shteti i diktaturës së proletariatit që, “drurin” e kishte në fakt “direkun e anijes shtet”, ku mbaheshin të gjitha “velat” e tij. Ndërkohë, kujtojmë se; romani fillon në vitin 1967, kohë kur zhvillimi dhe përparimi i vendit, kërkonte nderimin dhe vlerësimin e intelektualëve, për të drejtuar sektorët të jetës, sepse, një shoqëri që vlerëson dhe nderon artistët e intelektualët, është një shoqëri që punon për zhvillimin dhe përparimin e saj.
Mirëpo në Shqipëri, fakti që këta të rinj e të reja ishin intelektualë, i bënte ata të pabesueshëm për shtetin. Ishte në fakt koha e një antagonizmi “de facto”, midis intelektualëve dhe nëpunësve “çerek të arsimuar”, që kishin mësuar vetëm shkrim e këndim, nëpër kurset e përshpejtuara kundër analfabetizmit. Këta “çerek të arsimuar”, e ndjenin dhe e kuptonin se përparimi dhe arsimimi i vendit, do t’i spostonte në vijën e dytë e të tretë, të drejtimit administrative, shtetëror dhe artistik, ndaj me arrogancë, servilizëm, spiunllëk, provokim dhe sidomos duke ushtruar dhunë psikologjike ndaj artistëve dhe intelektualëve, i rëndonin kohës së “tyre”, për mos të ikur, siç u rëndojnë balonave qeset me rërë, për mos t’u ngritur.
Thuhet se dhuna fizike, është “forca” të dobëtit, ku këtu përfshihen dhe të paaftit dhe “çerek të arsimuarit”, që në këto vite, quhen rëndom “analfabetë”, sepse, s’dinin asgjë tjetër veçse të lexonin gazetën. Si të tillë, ata kishin gjetur mbështetje te dhuna, që e përdorin pa kursim kur ua lejonte posti zyrtar. Është e tmerrshme, dhuna që ushtrohet mbi intelektualët dhe artistët, është e dhimbshme, shkatërruese, sepse është e pamëshirshme. Kjo dhunë, veç arsyeve të tjera mban brenda saj edhe inatin e analfabetit ndaj intelektualit, për arsye se: vetë prania e intelektualit dëshmon dobësinë e tyre të “fshehur”, jo në sirtarë tavoline pas së cilës ulen, por në sirtarët e ndërgjegjes dhe kujtesës së tyre. Pse shteti u dha poste drejtuese dhe fuqi ekzekutuese njerëzve të tillë, në vend që të vendoste në ato vende njerëz të arsimuar është një nga arsyet që vendi ynë mbeti mbrapa në gjithë fushat e jetës, ndërkohë që ishte një nga faktorët që ndikuan në rrëzimin me vonesë të komunizmit te ne./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm