Nga Sokrat Shyti
Pjesa e katërt
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
“Prandaj, për të mos patur keqkuptim, pse nuk po rrimë disa minuta më shumë, i shpjegoni shefit, se kujdestari po përcjell ‘profesorin’ në agjenci të udhëtarëve. Edhe një herë ju faleminderit për qerasjen! Kafja me kajmak dhe gurabijet ishin të mrekullueshme”! – shtoi ai, duke u ngritur në këmbë, pasi hodhi sytë tek ora e dorës.
– “Ndjehemi të nderuar kur i shërbejmë klientëve kaq të respektuar”! – tha kamerieri, duke na shoqëruar deri tek dalja.
– “Kënaqësia është e dyanshme”, – theksoi kujdestari.
– “Mos duhet të nxitojmë, për të arritur në kohë”? – e pyeta unë i shqetësuar.
– “Për pesë minuta mbërrijmë”, – tha kujdestari, duke rritur ritmin e hapit.
Bashkëbisedimi në ‘Kafen e Madhe’ me kujdestarin e konviktit, dhe qerasja nga përgjegjësi i lokalit dhe kolektivi, krijuan një përmirësim të përkohshëm të gjendjes së rënduar shpirtërore. Arritëm në kohë: udhëtarët kishin zënë vendet e tyre, ndërsa shoqëruesit i vrojtonin nga jashtë, përmes xhamave të trashë të dritareve. Tek dera po bisedonin përgjegjësi me drejtuesin e autobusit, duke parë orën e dorës. Këta kishin kontrolluar biletat dhe po diskutonin për dy vendet e lira, sa minuta para nisjes, ruhej e drejta e autorizimit dhe kur skadonte ky afat.
– “Sipas rregullores së brendshme, biletat me autorizim, ndryshojnë nga rezervat e urgjencës”, – i shpjegoi përgjegjësi.
– “Ku qëndron ndryshimi”? – e pyeti shoferi.
– “Me autorizim pajisen vetëm personat nga institucione shtetërore, ndërsa tek urgjenca, futen ata me nevoja të ngutshme, pavarësisht janë qytetarë apo katundarë” – plotësoi përgjegjësi.
– “Kur në agjenci nuk paraqiten raste të tilla, për të mos thyer orarin e nisjes, deri në dy vende, i lihen në dispozicion shoferit, për t’i përdorur gjatë rrugës. Më në fund erdhët?!… – shtoi ai i shqetësuar, kur më pa mua me kujdestarin.
– “E kisha llogaritur me sekonda, se do mbërrijmë në çastin e duhur, para nisjes, pasi e di që përgjegjësin e kemi sahat, nuk lejon shkelje”, – ia ktheu me humor kujdestari, dhe u ngjit lart të vendoste valixhen, që të mos më pengonte.
– “Tashti mund të nisesh”, – i tha përgjegjësi drejtuesit.
– “Dhe duhet të ma kesh kujdes djaloshin”! Motori i autobusit zhurmoi vrullshëm, nga tubi i shkarkimit dolën disa shtëllunga të zeza tymi, dhe u vu në lëvizje. Krahasuar me vendet fundore, sidomos dy katërshet përballë njëra tjetrës (ku rri ulur si i ngrirë, sa të mpihen gjunjët!), vendi im me numër pesë, bënte pjesë tek të privilegjuarit, sepse kishe një fushë pamje të lirë dhe njëfarë frymëmarrje jo mbytëse. Vura re që tek ura e Drinit, trari i postbllokut, qëndronte i ulur.
– “Bëni gati Letër-njoftimet, kontroll i zakonshëm”, – njoftoi shoferi udhëtarët, duke i hapur derën kapterit. Unë hodha vështrimin tek ura metalike. Vorbullat e ujit dalloheshin qartë. Akoma lumit, nuk i qe zbutur plotësisht egërsia pranverore: vetëm një pëllëmbë hapësirë, e ndante sipërfaqen e tij të vrullshme, nga pjesa e poshtme e dyshemesë së urës. Përmbytjet e këtij viti kishin qenë të llahtarshme: shumë shtëpi u rrafshuan, u mbytën qindra kokë bagëti, u përpinë mijëra dynym me të mbjella! Ende dukeshin ara të mbuluar nga uji, dhe ndonjë pullaz që i kish shpëtuar furisë së çmendur të rrymave të fuqishme.
– “Shumë rrallë bën vaki, që Drini sillet ndaj njerëzve si lumë normal”, – tha shoferi, kur kapteri doli nga autobusi pas kontrollit. Pamja e trishtuar e përmbytjes, më solli ndërmend një aventure adoleshentësh vitin e kaluar, kur ne, disa konviktorë gjimnazistë, erdhëm këtu enkas, të soditnim Bunën madhështore, duke qëndruar mbi urën e saj. Pas mbarimit të procesit mësimor, në fundin e vitit të parë, kur filluan pushimet e përgatitjes së provimeve, ne përfituam nga liri-dalja e të shtunës, të shihnim hyrjen e qytetit, një pamje me të vërtetë e pazakontë dhe madhështore, që qerthullohej nga dy lumenj dhe liqeni më i madh në Ballkan.
Por veçanërisht, na tërhiqte Buna, me gjerësinë dhe qetësinë fantastike, i vetmi lumë i lundrueshëm. Ishim kureshtarë të shihnim si derdheshin ujërat e Drinit, në shtratin e saj, dhe si lidhet kjo me hapësirën gjigante të Liqenit, që mban emrin e qytetit. Pasi mbaruam së sodituri në të gjithë drejtimet, e shtrimë shikimin nga lartësitë e Taraboshit, tek kalaja e Rozafës, e rikthyem përsëri kureshtjen, në rrjedhën e shtruar të Bunës, poshtë urës. Këtu na zuri syri diçka të veçantë, që na futi dridhmat e na joshi me aventurën e pazakontë: disa kokëkrisur guximtarë, hidheshin nga lartësia, mes dy këmbëve të mesit, drejt e në thellësitë e saj, dhe kur dilnin në sipërfaqe, notonin drejt bregut!
– “Kush nga ju di të notojë dhe ka siguri se e përballon hedhjen nga kjo lartësi”? – pyeti njëri nga ne, duke m’u drejtuar mua.
– “Mos të nxitohemi të japim përgjigje, – ia ktheva unë. – Në fillim hajde afrohemi pranë tyre, që t’i shohim më mirë. Unë mund të notoj vajtje kthim, në gjerësinë e Bunës, këtë e bëj pa u sforcuar. Ndërsa për sa i përket hedhjes, duhet të mendohem e të bëj një krahasim…”!
– “Do krahasosh veten tënde, me dikë tjetër, apo do krahasosh vendet”? – pyeti njëri nga shokët.
– “Kur isha pionier, në kampin e Vlorës, shkonim fshehurazi tek ‘Shkëmbi i Doktorit’, enkas që të hidheshim nga kjo lartësi. Përderisa atje ia dola, përse të mos ia dalë këtu”?!
– “Epo lumi dhe deti, janë dy gjëra krejt të ndryshëm. Pastaj këtu janë këmbëzat e urës…”, – shtoi shoku që më drejtoi pyetjen. – “Po sikur të përplasesh pas bllokut nënujor të betonit”? – “Vërejtja jote qëndron. Ja le të pyesim këtë djalin, që është hedhur dy herë…” – thashë unë, kur e pashë këtë të vinte drejt nesh.
– “E kuptoj pse ngurron. Edhe unë në fillim pata të njëjtën frikë: më trembte pikërisht pjesa e padukshme nënujore. Por tani e kam të fiksuar në tru vendin dhe hidhem pa e ndjerë rrezikun”, – ma ktheu ai me vështrim krenar.
Megjithatë, mendimi ynë i përgjithshëm ishte, të mos përfshiheshim në këtë aventurë kaq të rrezikshme, duke patur parasysh që ndonjë kalimtar i rastit, na njeh si konviktorë dhe na padit në drejtori. Por nuk hoqëm dorë të laheshim në lumë. Të nesërmen, ditën e diel, rreth orës 10, kur dielli qe ngritur lart dhe kishte filluar nxehtësia, ne morëm drejtimin për në Urën e Mesit, të lumit Kir, duke kaluar nëpër lagjet periferike, që të mos binim në sy. Pas rreth 45 minutash, arritëm tek vendi, pranë Urës së Mesit. Ishte një zallishte e pastër, fare pa grimca rëre. Por ngacmimin joshës na e shkaktoi uji i kristaltë, i tejdukshëm, deri në fundin e thellësisë. Edhe pse ishte ende herët, uji akoma nuk e kishte ngrohtësinë e duhur, neve nuk na u durua, hoqëm teshat dhe vetëm me mbathje, u krodhëm brenda.
Meqë na kaluan mornica në trup, nga temperatura e papërshtatshme, dolëm jashtë dhe filluam të kërcejmë e vrapojmë lart e poshtë, derisa u nxehëm. Me mendimin se pas orës 12, uji do të ngrohej, thamë ta shfrytëzojmë kohën, duke përsëritur disa pyetje. Dhe u shtrimë mbi zaje, me kurriz, pasi vumë poshtë kokës si nënkresë, teshat e hequra. Duke e patur lëkurën të lagur, përthithnim më shpejt rrezet e diellit dhe kjo na ndihmonte ta përqendronim vëmendjen tek leximi, që pas një gjysmë ore të fillonin sqarimet me zë, të pjesëve më të vështira. E pastaj, kur të mbaronin sqarimet, të kridheshim brenda ujit të kristaltë, për t’u freskuar. Për t’u mbrojtur nga befasia e ndëshkimit, njëri nga shokët, kryente detyrën e vëzhguesit.
Ky mendim lindi nga dita e djeshme, pas kundërshtimit për të kaluar me not lumin e gjerë të Bunës dhe u vendos që të nesërmen do të shkonim tek Ura e Mesit, mbi Kir, për të bërë banjë dielli e uji, me kusht ta kishim situatën nën kontroll, edhe pse aty shumë rallë ndodhte të dukej ndonjë kalimtar i rastit. Për hir të së vërtetës, askujt prej grupit tonë, s’i shkoi mendja se ndërmjet nesh, mund të ndodhej një spiun, i cili në mbrëmje do sinjalizonte kujdestar Tishin, për veprimin e ditës së nesërme, vajtjen grup në Urën e Mesit, enkas për t’u larë dhe ky do nisej me biçikletë drejt nesh, rreth orës 11!
Fatmirësisht, sinjali u dha në kohën e duhur, kur kujdestari ndodhej rreth një kilometër larg dhe ne patëm mundësi të fshiheshim, pa lënë asnjë gjurmë dyshimi. Merita që nuk u zbuluam, i takonte vëzhguesit symprehtë, si dhe zallishtes, falë së cilës mjedisi rreth e qark, dukej krejt i zbrazur, pa asnjë shenjë, se këtu para pak minutash, shullëheshin në diell disa djem, konviktorë gjimnazistë, të vitit të parë!
Kujdestari iku tejet i nervozuar, që mundimi i shkoi kot. I vinte inat që ra pre’ e një pohimi, pa u thelluar, mos qe sajesë e nxituar, mendjelehtë, dhe ky u tregua menjëherë i gatshëm për të vepruar, e besoi pa e përpunuar dëshminë e tij, kur mund ta kryente ndryshe përgjimin, të niste drejt vendit të caktuar, njërin nga spiunët e tij të përhershëm, nga konviktorët e Pedagogjikes? Megjithatë, pavarësisht pse nuk vërejti frymë njeriu, në mjedisin e shkretë, nuk iu lëkund bindja, se ne fshiheshim diku.
Por në këtë çast e ngacmoi një mendim i frikshëm: “sikur ta fotografojnë nga ndonjë skutë e padukshme dhe kur të vijë mbarimi i katër viteve të shkollës, pikërisht, pasi të jepen provimet e shtetit e, të merret Dëftesa e Maturës, këta t’ia tregojnë sy ndër sy dëshminë e turpit, duke i thënë se me veprimin e asaj dite, do mbetesh në kujtesën tonë, tip negative”?!
Prandaj më e udhës iu duk të shkonte në konvikt, me bishtin ndër shalë. Të hiqej sikur s’ka ndodhur asgjë. Madje dhe kur ta shohë spiunin përballë, të tregohet krejt shpërfillës e, t’i flasë këtij, nëpërmjet heshtjes: “Ti je pleh bajgash dhe i tillë do mbetesh tërë jetën”! Derdhja e këtij mllefi, mjaftoi të hiqte dorë, për t’i punuar qindin mashtruesit, që u tall haptazi, por kurrsesi s’do ta harronte mashtrimin, duke e ruajtur vath në vesh.
Pas largimit të kujdestarit, kur u siguruam që ai s’kthehej për të dytën here, të na kapte në grackë, u nisëm nëpër lagjet periferike, drejt lulishtes së mrekullueshme të Shtëpisë së Kulturës, ngjitur me konviktin tonë, për ta mashtruar për të dytën herë, t’i krijojmë këtij përshtypjen bindëse, se këtu kemi qenë, prej çastit të ngrënies së mëngjesit.
Kujdestari u bë për hekura, kur i shkoi në vesh ky njoftim, përmes njërit prej spiunëve më të besuar, i cili, për të treguar se mbi miqësinë familjare, me një bashkëfshatar, nga konviktorët gjimnazistë, nuk vinte përkrahjen e tutorit të tij, i përrallisi këtë mashtrim të padëmshëm. Por dyshimi se ne ia kishim punuar, duke e tallur si bufon cirku, nuk iu hoq asnjë çast nga mendja.
Përherë na vështronte me sy brejtës, sikur donte të na thoshte: “Mos u mburrni, pse një herë shkoi miu në mustaqe! Pasi dardha e ka bishtin prapa”! Pas kalimit të pushimeve të verës dhe fillimit të vitit tê ri shkollor, në klasën e dytë, vumë re që kujdestar Fadili, qëndronte disi i ftohtë, me ne konviktorët gjimnazistë. Ky qëndrim i ndryshuar, me bëri të mendoj se dikush duhet t’i kishte fryrë në vesh, për sjelljen tonë tek Ura e Bunës dhe e Mesit, në Kir. E ndjeva për detyrë ta përgënjeshtroja këtë pohim, duke e quajtur shpifje spiunësh, me shpjegimin se nuk na e lejonte as edukata familjare e, as përgjegjësia e të qenit nxënës gjimnazist.
“Këto sajesa, – shtova më tej, – janë të qëllimshme, synojnë të hedhin hi dhe baltë mbi ne gjimnazistët, për të zhvlerësuar emrin e mirë të kësaj shkolle. Kanë ambicie pse ne pas mbarimit të katër viteve, na jepen shumë më tepër shanse për bursa studimi në shkollën e lartë, brenda dhe jashtë vendit. Prandaj, për t’i pakësuar këto shanse, na godisnin herë pas here pas shpine, sajojnë trillime rrugaçërie, për të formuar njolla të zeza morale”
Kujdestar Fadili nuk foli, por vetëm më zhbiroi me sytë e tij qelqorë: donte të përcaktonte, sa të vërteta nga këto që thashë, kishte brenda ninezave. Sepse edhe ky e kishte vënë re, ambicien e shumicës absolute të konviktorëve, ndaj pakicës sonë, fare të vogël, rreth 20 gjithsej. Prandaj ia kishte qejfi dhe kërkonte që ne, ta meritonim ndryshimin e vlerësimit, të qëndronim me dinjitet në krye të emancipimit shoqëror, duke patur parasysh faktin real, se pakica jonë e vogël konviktore, shoqërohej çdo ditë, nga djem e vajza qytetare, shkodrane vendas, apo të ardhur nga Podgorica e Ulqini, pra, përgjithësisht kishim shëmbëlltyrën konkrete të qytetërimit.
Ndërsa në Shkollën Pedagogjike, vazhdonte përbërja e pandryshuar katundare. Madje ai vërente ndryshim thelbësor, edhe brenda grupit tonë të vogël prej 20 vetash. Nisur nga ky ndryshim, përcaktonte dhe dallimet esenciale midis konviktorëve gjimnazistë, nga i njëjti rreth, si shfaqej hendeku në çdo veprim e, gjatë të folurit mes edukatës qytetare dhe asaj fshatare.
Afrimi mes meje dhe kujdestar Fadilit gjatë vitit mësimor të klasës së dytë, u bë kryesisht pas muajit të vlerësimit të veçantë nga drejtoria e shkollës dhe Këshilli Pedagogjik për mua, kur më ngarkuan detyrën e pazakontë për një nxënës, (të zbërtheja e shpjegoja një program mësimor, para ushtarakëve në moshë madhore). Mes nesh u krijuan ura të reja lidhjeje, miqësore e të ndërsjella, aq sa na vinte rëndë, që në fillim të këtij viti shkollor, pati disa keqkuptime ordinere. Vlerësimi i tij ndaj meje, mori përmasa serioze, përtej çdo parashikimi. Filloi të na jepte nevojën të konsultohej me mua, për problema të vështira matematike e fizike.
Sigurisht, më vinte mirë që merrte pjesë aktivisht gjatë orëve të studimit, tregohej i gatshëm e i palodhur, për të ndihmuar nxënësit e dobët dhe mesatarë, mbushej me kënaqësi kur ia dilte në krye, që këta përvetësonin shpjegimin e tij. Sa më thellë futesha në botën e tij mendore dhe shpirtërore, zbuloja ndryshimin e madh mes karaktereve e kulturave të dy kujdestarëve, jo vetëm thjesht nga ana sociale, (ndërsa Tishi mbi dyzet vjeçar, ishte ende beqar, Fadili burrë i martuar, baba me fëmijë), sa më bënte përshtypje mënyra e komunikimit me konviktorët. Tishi e kishte mendjen tek vajzat konviktore: vështrimi lakmitar mashkullor, e kapërcente ndjeshëm cakun e detyrës së edukatorit. Sidomos kur organizoheshin mbrëmjet e vallëzimit në sallën e madhe të mensës, binte në sy zelli dhe dëshira, të kërcente me malësoret trup-mëdha e gjoks të gufuar, madje tregohej i gatshëm t’i ftonte këto, kur e kishin fuqinë kavalierët…!
Kur krahasoja mbrëmjet në mjedisin e mensës, (me atë ajrin e përzier me duhma jellish e ilaçe për larje enësh, mënyrën fshatare të kërcimit, orkestrën primitive, veshjet katundare të djemve e vajzave, krehjen e flokëve të malësorëve, fustanet e qepura me të njëjtin model, jo sipas formës së trupit), me mbrëmjet gazmore të klasës, me orkestrën tonë të mrekullueshme, (Franci në trombë, Paulini në violinë, Mitika në fizarmonikë, Xhavidi në bateri e kitare – të gjithë nxënës të kësaj klase!), dhe se para nesh, djemve me pantallona të shkurtra, vezullonin si flutura krahartë vajzat e veshura me të gjitha ngjyrat e ylberit, të lehta e të hajthme, si shtojzovalle, ndryshimi nata me ditën, nuk më dukej aspak i tepruar.
Kjo begati fatlumtur i bënte nxënësit e paraleleve të tjera, të na shinin me lakmi, u vinte inat e zili, që në përbërjen e klasës sonë, qenë mbledhur të talentuarit e shkathët. Por grupi organizator i mbrëmjeve gazmore, që na miklonte e ushqente vazhdimisht me humor, tregohej ndërkaq dhe mjaft i kujdesshëm ndaj vajzave bukuroshe të paraleleve të tjera, përfshirë dhe ato të klasave të para, ndërkaq për djemtë qejflinj, vendosej ndalim kalimi i formës së prerë, me përjashtim të interpretuesve të veglave muzikore, që zëvendësonin shokët tanë të çlodheshin e, u jepnin mundësi të kërcenin. Kuptohet, në repertorin e muzikës bënin pjesë, vetëm kërcimet e lejuara (tango, vals, rumba, fokstrot), të orkestruara me finesë profesionale, me 4 – 5 veglat. Por kur Mitikës i fryhej delli i frymëzimit, nuk linte rast pa kënduar, një mundësi për të kënaqur veten e të tërhiqte ndaj tij, vëmendjen e bukurosheve gjimnaziste…! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016