Nga Artan Fuga
Pjesa e dytë
Memorie.al / Nga historia e Shqipërisë. Lidhur me këtë çështje është e domosdoshme të dallohen qartë dy nivele të analizës. Domethënë të dallohet se çfarë vendi dhe çfarë funksionesh u jepeshin mediave nga ana e propagandës dhe çfarë funksionesh kanë pasur ato në të vërtetë. Nuk mund të thuhet në asnjë mënyrë që këto dy nivele, përputhen me njeri tjetrin, por nuk mund të pretendohet edhe as që nuk kanë pika të ndryshme të përbashkëta. Tjetër është ajo që thuhet në shtyp për median dhe gjithë jetën shoqërore të vendit, dhe tjetër se çfarë përfaqësonin në vetvete shtypi, media dhe jeta shoqërore e tij.
Në kanalet e mediave, a qarkullojnë edhe lajme të vërteta? Përgjigja është pohuese: “Po”! Nëse informacioni i vërtetë për një ngjarje apo një problem, të brendshëm ose të marrëdhënieve ndërkombëtare, nuk e cënon ideologjinë e pushtetit, politikën e ndjekur, nuk e rrënon sistemin politik dhe institucional totalitar, pra nuk bie ndesh me inkuadrimin e MASAVE rreth PUSHTETIT, ky informacion i vërtetë, sado i pjesshëm që të jetë, ai mund të transmetohej nga mediat zyrtare. Tjetër punë se ky informacion i vërtetë, vjen gjithnjë e duke u ngushtuar me kalimin e viteve. Sa më tepër që regjimi futet në një krizë ekonomike dhe politike të brendshme, sa më shumë ai izolohet nga jashtë, aq më shumë mediat që ka në vartësi privohen nga e drejta për të dhënë lajme të vërteta.
Tjetër punë nëse informacioni i vërtetë i transmetuar është qendror apo periferik në krahasim me prirjet e përgjithshme të shoqërisë. Shpesh herë është i vërtetë një informacion, që prek periferitë e ngjarjeve kryesore të kohës. Tjetër punë që informacioni i vërtetë mblidhet me thërrmija, aty-këtu, dhe mbi të gjitha vishet me një rrobë ideologjike që e përçudnon atë. E më në fund, edhe ai informacion i vërtetë që jepet, në fakt, i shërben manipulimit të publikut, sepse me anë të tij kërkohet të rritet besueshmëria te mediat zyrtare të pushtetit totalitar. Përderisa lufta që bëjnë amerikanët në Vietnam në vitet ’60, tregon se rendi botëror i kohës nuk është i mbështetur në marrëdhënie të paqes, atëhere përse të mos jepen lajme dhe informacione nga lufta në Vietnam?
Pra, roli parësor i mediave totalitare, nuk është aspak ai që konsiderohet në mënyrë klasike, për mediat në përgjithësi. Nuk është e thënë se ato janë instrumente të informacionit masiv. Informimi i publikut është një nën-funksion që varet, në fakt, nga detyra të tjera prioritare të tyre. Varet nga fakti sesa i shërben ai inkuadrimit të masave rreth pushtetit, pra sa ai realizon manipulimin masiv për të bërë të pranueshëm nga publiku, zhvillimet e politikës së ditës, të sistemit politik, pra të jetesës në një shoqëri me të drejta individuale krejtësisht të cunguara.
Jeta në kampet e internimit të kundërshtarëve politikë dhe familjeve të tyre, nuk vlen të njihet nga publiku sepse krijon të çara në ndërgjegjen e tij kolektive dhe tregon aspektin represiv të regjimit. Atëhere mbi të nuk do të ketë informim të publikut. Por, nëse rendimenti i prodhimit të grurit në një kooperativë bujqësore është rritur, atëhere, kjo po, ajo është një ngjarje që mund të përbëjë lajm, sepse mund të përdoret si propagandë për të treguar efikasitetin, në fakt të munguar, të ekonomisë socialiste.
Mediat përbëjnë një sistem që ngjan me një UNË gjigant që funksionon duke përthithur si informacion nga jashtë, vetëm ato lajme dhe mesazhe që përputhen me strukturat e veta të brendshme ideologjike dhe politike. Po ashtu, ai vepron si një sistem, që transmeton, pasi ka filtruar dhe ruajtur vetëm atë informacion, që është në përputhje me strukturën dhe subjektivitetin e vet të brendshëm. Në këtë mënyrë, mediat i ngjajnë një subjekti të stërmadh që gjithë kohës komunikon vetëm me veten e tij, domethënë me pushtetin që e zotëron atë, ndodhet kështu në një proces monologu social.
Gjithçka që ndodh, pasi të interpretohet brenda strukturave kuptimore, ideologjiko-politike që drejtojnë mediat e kohës, mund të përpunohet si lajm, të transmetohet, të ritransmetohet pa pushim. Pjesa tjetër e informacioneve eliminohet pa mëshirë, pa vrasje ndërgjegje profesionale, eliminohet thjesht dhe pastër, mbetet në errësirë, me fjalë të tjera, sikurse do të thoshte Spinoza, trajtohet vetëm si një “aksident”, si një ngjarje e rastësishme për të cilën nuk ia vlen të flitet, sepse nuk ngre peshë.
Puna nuk është se ky mënjanim i informacioneve të sikletshme ndodh jo gjithmonë në mënyrë të qëllimshme. Gazetari, apo drejtuesi i shtypit, shpesh tërësisht i indoktrinuar, mendon vërtet së këto lajme janë pa kurrfarë rëndësie, sepse ata e shohin botën me syzet e propagandës, të së cilës janë edhe autorë, por edhe viktima. Sa më pak që realiteti shoqëror dhe politik, apo kulturor, i kohës përputhet me parimet e inkuadrimit të masave me pushtetin, aq më e rëndësishme dhe e madhe bëhet pjesa e lajmeve të vërteta që eliminohen, duke u privuar nga mundësia për të qarkulluar në kanalet zyrtare mediatike.
Reciprokisht, aq më shumë rritet orientimi i publikut drejt mediave të huaja, të censuruara, dhe aq më shumë ndizet e punon sistemi i komunikimit sy më sy nëpërmjet thashethemeve që janë një farë kundër-informimi popullor, masiv, që i kundërvihet politikës së regjimit për të kontrolluar komunikimin. Mediat zyrtare kanë kështu një funksion të rëndësishëm zbrapës, censurues, ndaj informacionit të vërtetë të padëshirueshëm. Kur flasim për komunikimin masiv, nënkuptojmë menjëherë edhe përdorim e termit MASA. Por, çfarë janë në të vërtetë këto masa në një shoqëri totalitare?
Për ta kuptuar realisht përmbajtjen e këtij koncepti, duhet pranuar se në kuptimin e masave popullore ndikojnë dy procese unifikuese. Masa në këtë rast nuk është aspak tërësia e individëve të ndryshëm nga njeri-tjetri në opinione dhe qëndrime politike dhe ideologjike. Individët i kanë lënë tashmë prapa krahëve dallimet midis tyre. Secili prej tyre bën pjesë, ose konsiderohet se bën pjesë, në një INDIVID të madh, të vetëm. Në fakt, pushteti dhe sistemet e tij të komunikimit e konsiderojnë masën si një njeri të madh të vetëm. Individët realë, me pikëpamjet, interesat, bindjet e ndryshme të tyre në fakt janë të përjashtuar nga komunikimi masiv.
Si individë të veçantë, sikurse i quante Hegeli, ata nuk shfaqen në hapësirat e komunikimit publik. Në komunikimin masiv merr pjesë vetëm “individi abstrakt”, kuptimi pra i unifikuar që mediat kanë për çdo njeri të veçantë dhe bashkimin e tyre në një masë unike njerëzish. Realisht ky “individ abstrakt”, sigurisht që nuk ekziston. Ai është një prodhim imagjinar i mediave të drejtuara nga propaganda në fuqi. Në fakt, media nuk komunikon kështu veçse me veten e vet, sepse publiku që ajo i referohet, “individi abstrakt”, në të vërtetë nuk ekziston fare. Mediat komunikojnë me hijen e vetes së tyre, me shëmbëllimin që ato vetë kanë prodhuar, “bashkëbisedojnë” me masat popullore sa kohë këto janë të manipuluara dhe i binden ideologjisë zyrtare që vetë mediat transmetojnë te to.
Pra mediat komunikojnë jo me publikun real, por në boshllëk. Ato janë kështu edhe krejtësisht egologjike, bëjnë monolog, flasin me vete, ose me shëmbëllimin e tyre, me projektimin e vetes së tyre, janë narcisike, pra nuk njohin veçse veten e tyre, janë edhe autiste nga ana sociale, meqë nuk marrin mesazhe nga bota e jashtme, veç atyre që konfirmojnë kuptimin që këto media kanë për realitetin.
– Monolog.
– Narcizëm institucional
– Autizëm social kolektiv
Ja, tre karakteristikat brenda të cilave mediat zyrtare realizojnë atë që quhet komunikim masiv. Mirëpo, veç procesit që përshkruam më lart, ndodh edhe një unifikim i dytë. Masa, në kuptimin që u paraqit më lart, pra “individi abstrakt” unifikohet me pushtetin, duke realizuar institucionalisht dhe ideologjikisht, në imagjinatën politike sunduese një strategji krijimi të një uniteti global të masave me pushtetin. Krijohet pra, një tërësi unike absolute. Masa, në kuptimin që e merr atë pushteti, i komunikon këtij të fundit, me anë të mediave zyrtare, po ato mesazhe politike që vetë pushteti iu ka komunikuar publikut, që e përmbledh brenda konceptit “publik masiv”, ose masa popullore.
Pushteti i komunikon masës ato informacione që e ndihmojnë atë ta grupojë këtë masë rreth vetes së vet. Kurse, masa i komunikon pushtetit po me anë të mediave zyrtare të njëjtin reagim, pra një “feed back”, pikërisht brenda kuadrit kuptimor të strategjisë të këtij inkuadrimi politik totalizues. Gjithçka që del jashtë, ose ngrihet kundër këtij modeli, nuk hyn dot në përpunim dhe transmetim nga ana e mediave zyrtare. Mesazhet informative që qarkullojnë brenda mediave zyrtare, si kur ato shkojnë nga maja e pushtetit drejt shoqërisë, si kur ato kalojnë nga baza e shoqërisë drejt majave të pushtetit politik, detyrimisht riprodhojnë parimet dhe normat politike, juridike dhe ideologjike në fuqi.
Prandaj më shumë se një komunikim social, kemi të bëjmë me një vetë-komunikim, një rrethqarkullim të informacionit (masa i thotë pushtetit, atë që pushteti i thotë masës), brenda një strukture që nuk lejon dallimet e vërteta ideologjike dhe politike në të shprehurit publik, sepse ky i fundit nuk është aspak i lirë. Gjithçka përmblidhet brenda një strukture unikale, të vetë-mbyllur. Në këtë mënyrë media shfaqet në funksionin e vet parësor, si mekanizëm propagandistik, politik dhe social unifikues.
Herë pas here, e gjitha kjo në media merr forma të ekzagjeruara që kanë nuanca përgjithësisht tragjike, por edhe komike. Edhe njerëz që në mënyrë natyrale do të duhej të shprehnin pakënaqësi ndaj regjimit, vihen të shprehen në shtyp dhe në media për ta përkrahur atë.
Po sjellim dy raste ndër pa fund të tillë.
Viti 1945. Koçi Xoxe, në atë kohë ministër i Brendshëm dhe Sekretar Organizativ i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, figura e dytë politike më e fuqishme e kohës, është duke bërë një vizitë në qytetin e Korçës. Media e ndjek nga pas, duke e mbuluar vizitën në fjalë me reportazhe relativisht të gjatë. Koçi Xoxe, atje, ndër të tjerë, takon edhe tregtarë që shteti i ka tatuar rëndë nëpërmjet atyre që janë quajtur “tatime të jashtëzakonshme”, iu kishte grabitur, me një fjalë, mall e flori. Gjenerali, sikurse thuhet për Koçi Xoxen në shtypin e kohës, takon edhe të afërm, nëna, motra, të atyre që kishin qenë dënuar për krime politike. Çfarë i thonë ata njeriut të fortë të regjimit, që sapo ishte instaluar? Le të riprodhojmë atë që shkruan gazeta:
“Përpara se të fillonin bisedimet tregtarët shfaqën pendimin e tyre për sjelljen jo të mirë në ditët e para të caktimit të tatim-fitimeve të jashtëzakonshme, si edhe ndonjë ankim për veprimet e rrëmbyera të disave në fillim:
“Sidomos ne tregtarët e mëdhenj – tha z. Qiriako, tregtar grosist i njohur, ramë në një gabim të madh që nuk paguam menjëherë shumat që na ishin caktuar…! Tashti e kuptojmë se taksa që na u caktua, është shumë e drejtë dhe e logjikshme, sepse ne sot jemi më në gjendje se kushdo tjetër të kontribuojë në njohjen dhe mbrojtjen e shtetit të ri”.
Nëna e një të dënuari me vdekje, kërkonte t’ia falnin dënimin të birit, jo sepse ky nuk qe fajtor për krimet për të cilat e akuzonin, por sepse ishte bir i vetëm. Por, nëna e një dëshmori që ndodhej njëkohësisht atje, ballë për ballë, ia priti me zjarr:
“Ti lutesh moj motër, por nuk e di se ay për të cilin kërkon falje, u ka plagosur zemrën shumë nënave e motrave…”?!
Dhe e shoqja e një të dënuari tjetër shtroi: “Mos kij merak nëno, se e drejta sot del në shesh; nuk bëhet sot asgjë e padrejtë. Këtë e kam provuar vetë…”!
“Po, po, përsëriti Gjenerali – sot triumfon drejtësia. Është populli që gjykon dhe populli është kurdoherë i drejtë dhe bujar…”.
“Faleminderit o bir, thërriti një nënë tjetër që e kishte të birin në burg, u njohtë Qeveria së shpejti”.
Të gjithë, gjer nënat e të dënuarve kërkojnë me këmbëngulje njohjen e Qeverisë dhe e shfaqin pareshtur këtë dëshirë”.
Përsëri jemi në vitin 1945.
Dy korrespondentë të gazetës Daily Telegraph, Huchinston dhe Edwards, bëjnë një vizitë në burgun e të dënuarve ordinerë (sikurse e quan shtypi) dhe në atë politik të Tiranës. Kolegu i tyre shqiptar që i shoqëron në këtë vizitë, e përshkruan kështu një pjesë të takimeve që ata bëjnë: “Nga burgu politik, shkuam në burgun ushtarak. Sapo hymë pamë në një sallë të madhe dhe të stolisur nonja 20 të burgosur analfabetë, që mësonin shkrim e këndim. Pastaj shkuam nëpër sallat e tjera. Të gjithë të burgosurit shfaqën kënaqësinë e tyre, për mënyrën e mbajtjes që iu bëhet atje dhe thanë se, dënimin që iu është dhënë e meritojnë, asnjë nga ne këtu nuk është burgosur pa të drejtë. Ne kemi besim tek qeveria jonë dhe jemi me të, kemi një gjë t’iu themi vetëm: ju falënderojmë për njohjen e qeverisë sonë”.
Përderisa maja e pushtetit mediatik dhe e atij politik janë të njehsuara, edhe në planin njerëzor, pushteti dhe media kontrollohen nga i njëjti grup njerëzish. A rrjedh prej këndej, se midis mesazhit që transmetohet nga mediat dhe asaj që “mendohet” prej pushtetit, nuk ka dallime? Përgjigja është negative. “Jo”! Nga njëra nuk rrjedh medoemos edhe tjetra. Ka raste kur ligjërimi politik brenda strukturave drejtuese partiake apo shtetërore, propaganda dhe përmbajtjet mediatike, janë e njëjta gjë. Atë çfarë “mendon”, pushteti e transmeton, e komunikon me anë të sistemit të mediave zyrtare.
Por, ka edhe raste të tjerë, kur ai nuk lëshon veçse sinjale të zbehtë të asaj çka përpunon si strategji brenda një grupi shumë të vogël individësh që kanë zënë majat e hierarkisë së pushtetit. Ky grup drejtues politik, nuk mungon t’i orientojë mediat që ato të transmetojnë mesazhe dhe informacione që nuk paraqesin të vërtetën për atë çka është duke u përpunuar në “kuzhinat” më të fshehta të pushtetit. Kjo ndarje në mes tyre, është e dallueshme dhe e përsëritshme, sidomos në periudhat fillestare të prishjes së marrëdhënieve politike të Shqipërisë gradualisht me jugosllavët, sovjetikët, kinezët.
Një pyetje tjetër që ka vend të shtrohet është si më poshtë: Veç funksioneve zyrtare që i ngarkon pushteti, a marrin mediat edhe funksione të tjera të ndryshme, të kundërta, me të parat? Kur flitet për mediat kuptohet i gjithë sistemi i tyre, pra, duke përfshirë edhe teknologjinë e informacionit që ato kanë në përdorim të tyre, apo ato pajisje që konsumatorët e mediave, publiku, zotëron në mënyrë të personalizuar.
Kjo pyetje të çon te një problematikë që ka të bëjë me marrëdhëniet midis politikës dhe teknikës që përdoret për kapjen e sinjalit që transmetojnë mediat. Për t’i dhënë një përgjigje të besueshme këtij problemi, do të duhej të bënim disa dallime midis pajisjeve teknologjike, me anë të të cilave kapen nga ana e publikut informacionet që vijnë nga mediat e kohës:
1) Pajisje, mjete, teknika që bëjnë të mundur kapjen e informacioneve të cilat vijnë nga vetëm një emetues dhe u transmetohen një numri të madh receptuesish.
2) Pajisje, mjete, teknika, me anë të të cilave mund të merret lirisht informacion i ardhur nga disa burime lajmesh, të cilat kapen nga një numër i madh receptuesish.
3) Pajisje, mjete, teknika, që marrin informacione njëherësh nga shumë emetues informacioni, i cili lejon filtrimin e tyre nga ana e një kontrolluesi, që në këtë rast është pushteti.
4) Pajisje, mjete, teknika, që marrin informacion nga shumë emetues, pa kaluar nëpër censurën e pushtetit, pra të një kontrolluesi, por duke realizuar një kontakt të drejtpërdrejtë të receptuesve me emetuesin e informacionit.
Aparaturat e radios dhe të televizionit plotësojnë karakteristikat që përmbahen te pika e dytë dhe e katërt. Me anë të këtyre aparaturave, sikurse dihet, mund të merret informacion nga shumë emetues njëherësh dhe kjo të realizohet duke e anashkaluar censurën e pushtetit. Çdo individ, sado i përbuzur nga ana e institucioneve, sado i dobët në mjetet e tija ekonomike, diku në një dhomë të ftohtë e të errët të një banese, në qytetin apo fshatin më të largët, mund të kapë me anë të radios dhe të televizionit të tij, sado të vjetër qofshin, sinjale të ardhur nga vende të ndryshme të botës.
Dhe pushteti, sado i fuqishëm që ai të jetë, nuk është në gjendje ta pengojë këtë komunikim. Në këtë mënyrë, radioja dhe televizioni, si infrastruktura teknologjike të vendosura në zotërim të publikut, nisin të shfaqin autonominë e tyre nga politika në fuqi. Ato nisin t’i dalin jashtë kontrollit pushtetit.
Radioja dhe televizioni si teknologji, janë ndërtuar mbi një parim moral dhe mendësi tjetër, krejt të kundërta, nga ato mbi të cilat bazohet një pushtet totalitar. Në fakt, janë dy kultura të ndryshme, të cilat fillimisht duket se mund t’i vijnë në ndihmë njëra-tjetrës, por, më pas, pasi zënë mirë pozicionet e tyre, fillojnë të “grinden”, hapin një betejë të vërtetë midis tyre.
Sikurse e theksuam, kultura politike e pushtetit totalitar i përdor mediat për të ndërtuar një monolog me shoqërinë. Qendra burimore e informacioneve është pushteti, periferia e fushës komunikuese, janë masat e popullit. Ndërkaq, kultura që krijon radion dhe sidomos televizionin e bën të barasvlershëm individin receptues me qendrën e emetimit të informacioneve, përsa i përket lirisë së tyre për të zgjedhur informacione. Televizioni dhe radioja, në dallim nga media e shkruar, janë të lira të japin ato mesazhe që dëshirojnë, por edhe çdo individ, pjesë e publikut, nga ana e tij, është i lirë të ndjekë vetëm ato kanale televizive dhe stacione radioje, që ai dëshiron.
Qendra informative nuk është më në gjendje ta monopolizojë fushën e komunikimit masiv. Gazetën mund të mos e lexosh, por veç titujve zyrtarë të gazetave, është e vështirë të gjendet shtypi i huaj në Shqipërinë totalitare, sepse në hyrjen e tij, në dogana, zyra postale, nëpër biblioteka janë vendosur ndalesat censuruese të pushtetit. Lexuesi i zakonshëm nuk ka akses te shtypi i huaj. Kurse për radion, sidomos për televizionin, gradualisht nuk ndodh kështu, sepse publiku nuk ndjek më mediat audiovizive zyrtare, por orientohet drejt burimeve të jashtme të informacionit. Memorie.al
(Titulli origjinal; ‘Funksionet e medias në shoqërinë totalitare’. – Nga historia e Shqipërisë)
Vijon numrin e ardhshëm