Nga Keze Kozeta Zylo
-Në shenjë homazhi për ish-të burgosurin politik të Spaçit, bir i shquar i Arrëzës së Madhe, Tepelenë-
Memorie.al / Ndërsa mediokrit dhe të pagdhendurit, janë ngritur në piedestal dhe ju rëndon gusha nga dekoratat, të diturit, atdhetarët e vërtetë dhe ish-të burgosurit politik, si Xhaferr Agaraj, lihen në harresë nga shteti dhe mediat. E kujtoj sot nga Nju Jorku, ing. Xhaferr Agaraj, ish-të burgosurin politik, me respektin dhe mirënjohjen më të madhe, për çfarë i dha Kombit, Tepelenës, arsimit dhe klasës së të burgosurve politik.
Me të drejtën zakonore dhe krenarinë legjitime, ing. Qemal Zylo, si bashkëfshatar me ing. Xhaferr Agaraj, nga Arrëz e Madhe, sjellë kujtimet dhe pohon se shtëpia e tij e gurtë dykatëshe, ndërtuar nga i ati, Dervish Agaraj, aq patriot dhe luftëtar, u kthye në shkollë për Arrëzën e Madhe.
E të kthehet shtëpia banuese në shkollë, do të thotë të jesh një dishepull i vërtetë i rilindësve dhe të përhapësh si dritë hyjnore, Gjuhën Shqipe. Ndërsa shtëpia e tij, gumëzhinte nga cicërimat shqip të fëmijëve të Arrëzës, një fshat i madh me plot kulturë e patriotizëm, inxhinier Xhaferr Agarajt, i ishin hedhur prangat dhe vuante në burgjet e diktaturës.
Ing. Xhaferr Agaraj, lindi më 10 qershor të vitit 1931, në fshatin Arrëz të Madhe të Tepelenës dhe vdiq në Tiranë, më 2018-ën. Më 5 dhjetor 1976, Gjykata e Tepelenës, e dënoi me 10 vjet heqje lirie, duke e akuzuar për “agjitacion e propaganda”! (dënim i kombinuar, sipas Fjalorit Enciklopedik, të viktimave të terrorit komunist).
Ing. Xhaferr Agaraj, nuk ndaloi kurrë së punuari, pas lirimit nga burgu, në regjimin post-diktatorial. Xhaferr Agaraj, ishte zgjedhur kryetari i Shoqatës së ish-të ‘Dënuarve Politikë për Integrim me Drejtësi dhe Unitet’. Në faqen e Kontrollit të Lartë të Shtetit, thuhet se: “Në kuadër të Javës së Hapur të organizuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit me qytetarët, nga datat 28 Tetor – 4 Nëntor 2016, u zhvillua aktiviteti i prezantimit të auditimit të Departamentit të Performancës; “Rehabilitimi i ish-të Përndjekurve Politikë, në Periudhën e Tranzicionit”.
Në këtë takim, morën pjesë përfaqësues të të gjithë Shoqatave të ish-të Përndjekurve Politikë të vendit tonë, drejtori i Institutit të Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë z. Bilal Kola dhe përfaqësues të tjerë të stafit të këtij Instituti, drejtori i Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit, z. Agron Tufa, ish-të burgosur politikë, disa OJF, përfaqësues të medias, studiues, gazetar, etj.
Ing. Xhaferr Agaraj, në fjalën e tij vlerësoi Raportin e Auditimit të hartuar nga grupi i punës së KLSH-së, por gjithashtu mbajti një qëndrim shumë kritik, për punën e qeverive gjatë periudhës së demokracisë. Ai u shpreh se; partitë premtojnë para fushatave, për zgjidhjen e problemeve të kësaj shtrese, por faktet e tregojnë, se nga qeveritë deri tani, është bërë vetëm demagogji.
“Ju nuk e keni jetuar burgun e Spaçit, tha ai – nuk i keni parë vuajtjet e të burgosurve në kohën e komunizmit, nuk i keni parë galeritë e këtij burgu, nuk jeni njohur me sasinë e piritit të nxjerrë nga të burgosurit dhe tani në pleqëri të burgosurit nuk kanë marrë pension si ish minatorë, për faktin e mungesës së dokumentacionit, dokumentacion ky që duhet ta administrojë Drejtoria e Burgjeve.
Vuajtjet tona, nuk paskan patur të sosur. Vuajtje në burg, vuajtje pas daljes nga burgu, për të bredhur zyrë më zyrë, për të gjetur dokumentacionin përkatës, për të përfituar të drejtat tona, të drejta këto të munguara deri më sot. Çfarë tjetër mund të bëjmë. Shtresa e ish-të përndjekurve politikë, është shtresa më fisnike e shoqërisë dhe kjo shoqëri nuk po e vlerëson akoma”.
Në këtë takim Z. Agron Tufa, drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve Komuniste në fjalën e tij tha se; ‘AL-SAI’ dha një kontribut të madh, në drejtim të analizimit të situatës dhe se ky raport, duhet të botohet për të nxjerrë në dritë vuajtjet e ish-të përndjekurve politikë.
Diskutimet e tjera u mbajtën nga Z. Tanush Mulleti, Z. Xhaferr Agaraj, kryetar i Shoqatës së ish-të Burgosurve Politikë për Integrim dhe Dinjitet, Z. Ndrec Gjoni, një ish-i burgosur politik, Z. Gjoc Gjoci, president i Shoqatës Kombëtare të Pasardhësve të Ekzekutuar Politik dhe z. Bedri Blloshmi, ish-i burgosur politik.
Ish të burgosurit politikë kanë bëre disa greva urie. Njëherë përfaqësuesi i tyre, Xhaferr Agaraj, u prit në një takim nga Ministri i Drejtësisë i asaj kohe, Bujar Nishani, por duket se as bisedimet nuk patën rezultat pozitiv. Kërkesat rridhnin nga mospërputhja e ligjeve të bëra nga ish-kryeministri Berisha dhe zbatimi tyre, thanë më herët ish-të burgosurit politikë, që tashmë kishin hyrë në ditën e 8 të grevës së urisë. Mes të tjerash ata kërkonin zbatimin e ligjit; për dëmshpërblimin financiar të ish-përndjekurve politikë, vlerësimin e letrave me vlerë dhe kompensim të pasurive të konfiskuara të tyre, sipas “Info Arkiva”.
Unë jam për ndërtim dhe jo shkatërrim të vendit
(Si e kujtojnë bashkëfshatarët dhe miqtë e tij)
Për herë të parë me Qemalin, e takuam në Tiranë, në lulishten “1 Maji”. Ishte vapë korriku, viti 2010. Askush nuk mund t’i marrë me mend, emocionet që ndjejnë dy bashkëfshatarë me njohje brezash dhe me një dashuri dhe respekt të ardhur paqësisht, kur takohen për herë të parë. Përqafimi i tyre ishte me lot në sy, ishte i dhimbshëm, por një dhimbje e bukur, siç thotë poeti kombëtar Ali Podrimja. “Unë po takohem tha ing. Agaraj, me nipin e Selametit të parë, trimit që luftoi me hordhitë greke, dëgjon ti nuse e Arrëzës”?! – më tha. Unë isha shtangur e tëra, e çuditur, e befasuar nga lotët e tyre, si dhe thjeshtësinë e tij gjer në shenjtëri.
“Ndërsa unë – iu përgjigj Qemali – po takohem me birin e shquar të Arrëzës dhe të Shqipërisë, inxhinier Xhaferrin, qëndrestarin e paepur të diktaturës komuniste. Sa krenar ndihem para jush”! Ndërkohë përpara meje, ishte ngritur një mal i rëndë, që kishte thesare të pazbuluara, enkas. Ata folën për shkollën e Arrëzës, shkollë e krijuar shumë herët dhe me plot histori, vendet e bukura, si për Gurrën, malet e larta, Trebeshinën e Shëndëllinë, Bregu i Shkallës, Qafën e famshme të Kiçokut dhe të Arrëzës, mëhallat, sipas mbiemrave të Arrëzës, pemët e larta të arrave, çajin e malit, lëndinat e luleve natyrale, si dhe u mbytën në kujtimet nostalgjike, të origjinës së tyre, të të parëve, që ishin burim frymëzimi për brezat.
Surprizë e këndshme dhe e paharruar ishte dhe ardhja e tij në promovimin e dy librave të mi, në Muzeun Kombëtar në Tirane. Pasi mori dy librat e mi; “Një fjongo Dielli nga Nju Jorku” dhe “Refleksione shpirtërore”, ndërmjet të tjerash më tha: “Shijojeni Lirinë në vendin më demokratik të botës. Ata e kanë fituar me luftë lirinë dhe jetën e tyre, sepse së bashku kanë ditur të mundin stuhitë, sipas shkrimtarit dhe burrështetasit të famshëm gjerman, Gëtes”, citoi ing. Agaraj. Këtë thënie, do ta mbaj gjatë në kujtesë, pasi ajo përmban një domethënie të madhe. Ai e donte lirinë dhe tha se; akoma nuk po e shijonte, në bazë të parimeve demokratike europiane!
Këtë pakënaqësi të tij gati protestë, e lexova më vonë në medien e shkruar, po në atë vit, kur 100 ish-të persekutuar politik, paralajmëruan se do të bënin protestë, te lidhur me zinxhirë, përballë Parlamentit Europian.
Në këta 100 të parë, 15, ishin anëtarët e kryesisë së shoqatës, si, për shembull kryetari 82-vjeçar i shoqatës, Xhaferr Agaraj, Fatmir Lamaj, Bedri Blloshmi, Edmond Halimi, Haxhi Baxhinovski, Gjon Kola, Mëhill Gjini, etj. Xhaferri rrezatonte dhe shprehte nivel të lartë kulturor. I ngazëllyer për Ameriken, tha se; “I jemi shumë mirënjohës, edukatorit dhe shkrimtarit të shquar amerikan, Henry Wadsworth Longfellow, sepse ka shkruar për Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun, përkthyer mjeshtërisht nga Fan Noli si: “Mbreti Ladisllav gjëmon/ Djek si Ferr, si vdekje pret/ Ditën e Rushajevet/ Dhe nga fush’ e kuqe gjak/ Ikën, rent përpara tij/ E Muratit ushtëri/ Që shpëtoj e s’ra në lak”.
Një bashkëfshatar i tij, z. Besnik Hoxha, (i cili është shumë aktiv duke shkruar kujtimet e tij, në rrjetet sociale), çka dhe e vlerësoj pamasë pasi historia reale, është nga njerëzit e thjeshtë, që janë aq origjinal me penën e tyre, e kujton me dhimbje dhe nostalgji.
Dhe ja si shkruan: “Qysh i vogël dëgjoja në shtëpinë tonë në Arrëz të Madhe, të flitej për Dervish Agaraj, ose siç i thërrisnim të gjithë Xha Isha, për tre djemtë e tij, për të shoqen, për vajzat. Dëgjoja pothuajse virtualisht, vetëm nga bisedat që bëheshin dhe për shtëpitë e tij, që ne i thoshim shkolla, por fshati e sidomos lagja jonë, që i kishim as 50 metra larg, u thoshnim gjithmonë: ‘Shtëpitë e Dervishit’. Dëgjoja se Dervishi, dhe e dija shumë mirë, që kishte ikur nga fshati, nga fillimi i viteve 1960-të. Vete Dervishi, kish pasur prona, disa hektarë me pyje e toka, në Veria të Greqisë, bashkë me kushëririn e tij, Sako Hajder Agarajnë, deri në çlirimin e vendit.
Pastaj u mbyllën kufijtë, Sakua mbeti andej në Veria, fëmijët e gruaja e Sakos mbetën në Arrëz. Kurse Dervishi ndërtoi shtëpinë që është dhe sot dhe jetoi aty, deri sa iku në Laç, ku punonte si drejtues, djali i tij i madh, Dylberi. Për herë të parë, i kam njohur të tre vëllezërit, Dylberin, Xhaferrin dhe Veron (Enverin), në vitin 1992, kur të tre bashkë, erdhën në shtëpinë tonë, duke thirrur që te porta me të madhe: ‘O Esat Latifi’. Babai doli e, njohu tre vëllezërit dhe nuk pritën më gjatë, por u hodhën në krahët e njeri tjetrit, duke u përqafuar me sytë e lotuar.
Çfarë emocionesh po përjetonin ata burra të vjetër, pas një takimi, për më shumë se prej 30 vitesh. Ishin rritur me njeri tjetrin, ishin larguar pa dëshirën e tyre dhe kishin kaluar kalvar vuajtjesh e, persekutimesh. Malli për fshatin, i kish përvëluar. U futën në odën tonë, u ulën e nuk mbaheshin nga gëzimi. Në mur, ishin fotua e gjyshit, e morën dhe e puthën, duke pëshpëritur: Eh Xha Latif, xha Latif, ja ku erdhëm prapë këtu, te shtëpia jote.
S’të harrojmë dot kurrë! U shtrua dreka dhe dollia e parë, ishte për gjyshin, pasuar nga tregime pafund të Xhaferrit, që nga fëmijëria, ç’mbante mend, për të gjitha, mes Dervishit e Latifit, që kishin qenë bashkë, për çdo të mirë e të keqe, por dhe si bashkëpunëtor në lufte. Valoi kënga, të shoqëruara me raki dhe nuk përmbaheshin nga gëzimi.
Më në fund ishin të lire, të vinin në fshatin e tyre, të takonin njerëzit pa frikë. Dolën lart te Gurra, një burim mali me ujë të ftohtë, bashkë me ta dhe unë. Atje te Gurra, nuk lanë njeri pa takuar, fëmijë, gra, vajza, pleq. Sa delte ndonjë e pyesnin e /i kujt është, e lëshoheshin duke i takuar. Atëhere takuan dhe shumë bashkëmoshatarë të tyre, shkuan dhe nëpër shtëpira, për vizita. Ky ishte një kthim pas shumë vitesh, në vendin ku u rritën tre djemtë e plakut të mirë, Dervishit, Xha Ishës.
Xhaferr Agaraj, në kujtimet e bashkëfshatarëve dhe tepelenjotëve
Xhaferr Agararj, u lind në vitin 1931, në Arrëz dhe u dallua si nxënës ekselencë. I ati, e dërgoi në shkollë në Universitetin e Tiranës, për Inxhinieri Ndërtimi dhe pasi u diplomua me rezultate të larta, filloi punë si inxhinier ndërtimi, ku dhe i sajuan akuzën, “për sabotim veprash” duke e burgosur dy herë, por qëndroi i pamposhtur, përballë akuzave dhe dëshmitarëve të rremë, duke deklaruar se; “Unë kam punuar për ndërtim dhe jo shkatërrim të vendit”.
Pas rënies së regjimit komunist, ai tregoi aftësitë e tij profesionale, në fushën e ndërtimit, duke u bërë një nga ndërtuesit më cilësor, në gjithë Shqipërinë.
Mësues Bashkim Hazizi, shkruan me krenari se: “Ata ishin familje fisnike, me rrënjë e taban arrëziot. Para disa ditësh, isha në fshat dhe qëndrova mbi shtëpitë e Xha Dervishit. Çfarë të shikoje, ato shtëpi që nuk ranë nga Lufta, ishin bërë gërmadhë?! Tek ato shtëpi, bëmë shkollën dhe më sollën në mendje shokët e mi, të asaj kohe”!
Ndërsa Dr. Agron Çibuku, flet me respekt për familjen e Dervish Agarajt dhe fëmijët e tij të mrekullueshëm.
Z. Myzafer Zeneli, shprehet se: “Godina tregon zemrën e shpirtin e madh, që kanë patur ata njerëz, që kane jetuar në atë shtëpi, të respektuar ngelën. Po ajo godinë, ka edukuar edhe shumë arrëziot”. Znj. Lida Çibuku Gjati, thotë se; “Ishin familje fisnike me njerëz të mrekullueshëm, i kujtoj me shumë dashuri, sidomos Xhaferrin, një nga njerëzit më të dashur të familjes time, nuk do ta harroj kurrë, as unë, as mamaja e, motrat e mia”
Në gazetën “Trebeshina”, z. Eqerem Osmani, drejtor i gazetës “Trebeshina”, e ka kujtuar me një shkrim homazh, nën titullin “Një vit pa Xhaferrin”, në nderim dhe kujtim të ing. Xhaferr Agaraj. Ndër të tjera, ai shkruan: “Ing. Agaraj, dallohej midis shokëve, si në Universitetin e Tiranës, ku mbaroi shkëlqyeshëm fakultetin e Inxhinierisë Ndërtimit, e kudo. Ai mbaroi me rezultate maksimale dhe ishte një inxhinier novator e, projektues shumë i zoti. Ai punoi në Tepelenë, Tropojë, Sarandë, Ministrinë e Ndërtimit dhe më së shumti, ku ishin veprat kombëtare. Ai kishte pamje burrërore dhe kishte gjithashtu një familje shembullore, të ndërtuar me bashkëshorten e tij fisnike, Engjëllushen, ku gëzonin djali dhe nusja. Në ditën e shenjtë të mësuesit në Kombinat, ishte vlerësuar me çmim mirënjohjeje (pas vdekjes) nga shoqata “Tafil Buzi”, për kontributet financiare dhe idesh”.
Mësuesi dhe studiuesi Xhezo Cana, shkruan se: “Xhafer Agaraj është një njeri me kulturë të lartë dhe shpirt të madh demokrati. Babai i tij Dervish Agaraj, ishte një ndër njerëzit më me influence, që kontribuoi në çlirimin e vendit, në luftën çlirimtare, 1942-1944”.
Inxhinier Petro Done, një intelektual i mirënjohur tepelenas, pohon se: “Kush ka studiuar dhe ka punuar me Xhafer Agarajn, në kohën e komunizmit, e njeh mirë! Njeri i ditur, i zgjuar dhe për hir të këtyre aftësive, vuajti shumë! Ruaj kujtime mbresëlënëse, për aq sa pata mundësi, të qëndroja me të! Respekte të pakufishme!
Duke hulumtuar për këtë shkrim për inxh. Xhafer Agaraj, një erudit, novator në ide dhe vepra, human në çdo fushë të jetës, ish-i burgosur politik, veprimtar aktiv dhe atdhetar i flaktë, gjej rastin t’i propozoj Bashkisë së Tepelenës, me kryetar z. Tërmet Peçi, që ta vlerësojnë me titullin e lartë: “Nderi i qytetit të Tepelenës”, si dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë, ta vlerësoj me çmimin që i takon një atdhetari, siç ishte në të vërtetë deri në fund të jetës, ing. Xhaferr Agaraj./Memorie.al