Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të kolonelit Josif Zegali me origjinë nga Myzeqeja, i cili fitoi një bursë nga qeveria e Mbretit Zog dhe shkoi në Itali, ku ndoqi studimet e larta në Institutin e Agrikulturës, pranë Universitetit “Antonio Zanneli” të Rexhio-Emilias. Kthimi i tij në atdhe, për të marrë pjesë në Lëvizjen Antifashiste, ku bashkë me dy vëllezërit e tij dhe xhaxhanë, klerikun e njohur ortodoks, Papa Josif Zegali, dolën partizanë në radhët e Brigadës së Parë të Mehmet Shehut dhe në Brigadën 16 Sulmuese, që u formua në Therepel të Skraparit. Diplomimi i Josifit në Akademinë Ushtarake të Xhenjos “Kujbishev” në Bashkimin Sovjetik, në vitin 1960, dhe kthimi në atdhe, ku i’u dha grada e kolonelit, në moshën 33 vjeçare, duke u emëruar me detyrën e Shefit të Shtabit të Xhenios në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore. Dëshmitë e Zegalit se si u ngarkua ai, për ndërtimin e disa prej objekteve ushtarake më të rëndësishme të Shqipërisë komuniste, siç ishin Aeroporti i Gjadrit, Baza Ushtarake Detare e Shëngjinit e Porto-Palermos, Uzinat e Armëve në Poliçan dhe Gramsh, etj., si dhe tre vend strehimet anti-atomike, poshtë vilave të Mehmetit dhe Enverit në “Bllokun” e udhëheqjes në Tiranë, ku pas mbarimit të tyre, ai u arrestua dhe u dënua si “bashkëpunëtor” me “Grupin puçist të Beqir Ballukut”, duke vuajtur në Burgun e Burrelit etj.
Komunist me Gjin Markun në Berat që në 1942-in
Josif Zegali u lind në vitin 1926, në fshatin Mazhaj të Myzeqesë, prej nga është dhe origjina e familjes së tij, e cila në disa breza, ishte e njohur si një familje klerikësh ortodoksë. Pasi i vdes babai që kur ishte fare i vogël, ai rritet nën kujdesin e xhaxhait të tij, Papa Ilia Zegali, një nga klerikët e njohur ortodoksë të Myzeqesë. “Ne në shtëpinë tonë asokohe mbanim portretin e Mbretit Zog dhe flamurin Kombëtar, jo vetëm se ishim familje me tradita patriotike, por sepse respektonim në radhë të parë, simbolet e shtetit. Ndonëse ne ishim familje e besimit ortodoks, kishim në shtëpi shumë nga librat e Naim Frashërit e Gjergj Fishtës, të cilat unë i merrja me vete e i lexoja, kur isha i vogël e shkoja me bagëti. Shumë nga këto, si “Bagëti e Bujqësi” e “Lahuta e Malësisë”, i lexoja me kënaqësi të madhe, sa edhe sot pjesën më të madhe të tyre, mund ta them përmendësh”, kujtonte Zegali fëmijërinë e tij dhe kohën e qeverisjes së Mbretit Zog, për të cilën thoshte se i është hedhur baltë padrejtësisht! Mbasi mbaroi mësimet e para në fshatin e tij të lindjes, Josifi shkoi në Berat në ‘Shkollën e Punës’ për degën Agrikulturë, të cilën e mbaroi në vitin 1942. Nisur nga rezultatet e larta, Lugotenenca italiane, i akordoi një bursë shtetërore, për në Institutin e Agrikulturës “Antonio Zanneli” në Rexhio-Emilija të Italisë. “Ndonëse unë isha një nga pesë të parët, që formuam celulën e parë komuniste të Beratit (më 12 shkurt 1942), së bashku me Kristo Isakun (“Hero i Popullit”) e Gjin Markun, përfitova atë bursë, e u nisa drejt Italisë, në Institutin e Rexhio-Emiljas, ku nuk qëndrova më shumë se tre muaj”, kujton Zegali atë kohë, kur si shumë nga studentët e tjerë shqiptarë, idealistë e atdhetarë, braktisi studimet dhe u kthye në Shqipëri, për të luftuar okupatorin fashist. Në janarin e 1943-it, Josifi ishte anëtar i njësiteve guerile të Myzeqesë dhe më pas në qershor të atij viti, ai inkuadrohet me detyra të ndryshme në çetën e Pezës, ku komandonin Myslim Peza dhe Mustafa Gjinishi, si komisar. Më pas, ai caktohet në Brigadën e 16 Sulmuese (partizane) që u formua në fshatin Therepel të Skraparit, e më pas në tetorin e 1944-ës dërgohet si oficer, pranë misioneve të huaja aleate anglo-sovjeto-amerikane, që ishin pranë Shtabit të Përgjithshëm partizan të Enver Hoxhës, e qeverisë tij provizore në Berat.
Në Akademinë e Xhenjos “Kujbishev” të Bashkimit Sovjetik
Mbarimi i Luftës në nëntor 1944-ës, e gjeti Zegalin oficer me gradën e togerit, duke udhëtuar për në Tiranë me makinat e misioneve aleate (anglo-sovjeto-amerikane) për të marrë pjesë në paradën madhështore, që u bë atë ditë në kryeqytet përpara hotel “Dajtit”. “Aty në ditën e çlirimit të Shqipërisë, takova dhe dy vëllezërit e mi partizanë, Kozmanë e Thimin, që kishim kohë pa u pare dhe në familje e fshat, i dinin të vrarë”, kujtonte Zegali, duke shtuar se bashkë me ata të tre, kishte dalë partizan edhe kushërira e tyre e pare, e xhaxhai i tyre (që e kishin si baba) Papa Ilia Zegali, i cili u vra në luftë dhe më pas u shpall “Dëshmor i Atdheut”. Pasi punoi pak kohë në BRASH, me rininë (organizata e Bashkimit të Rinisë Antifashiste të Shqipërisë), me ndërhyrjen e Nako Spiros, Josifin e caktojnë në Divizionin Ushtarak të Korçës, ku punoi si shef i personelit, deri në janarin e 1946-ës, kur u nis për studime në Bashkimin Sovjetik, pranë shkollës Inxhinierike Ushtarake. Këtë shkollë të mesme, ai e mbaroi në qershorin e 1948-ës, nga ku kthehet në Tiranë, si një nga kuadrot kryesorë të armës së Xhenjos, pranë Ministrisë Mbrojtjes. Pasi punoi për gati gjashtë vjet, në degën e Xhenjos në Ministri, në vitin 1954, Josifi niset përsëri për studime në Bashkimin Sovjetik, pranë Akademisë Ushtarake “Vladimir Kujbishev” në Moskë, në degën e Inxhinierisë Ushtarake, të cilën ai e mbaroi duke marrë dhe Medaljen e Artë në vitin 1960. Pas studimeve të Moskës, Zegali kthehet në Tiranë dhe merr gradën e Kolonelit, kur nuk ishte më shumë se 33 vjeç, duke u caktuar Shef i Shtabit të Xhenjos për gjithë Ushtrinë Shqiptare.
Ndërton Uzinat e armatimit të Poliçanit e Gramshit dhe Aeroportin e Gjadrit
Pas emërimit në atë funksion, kolonel Zegali caktohet me detyrën e ndërtimit të uzinave ushtarake në Poliçan e Gramsh, si dhe në disa objekte të tjera sekrete të rëndësisë të veçantë, që ishin në vartësinë e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. Lidhur me këtë, Zegali kujtonte: “Në atë kohë që mora atë detyrë, shkova dhe pashë vendin ku do të fillonim ndërtimet. Në Poliçan, më erdhi kryeministri Mehmet Shehu i shoqëruar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Dumja dhe prej aty pasi morëm pjesë në festën e çlirimit të Skraparit, ku Mehmeti, denoncoi për herë të parë Hrushovin, shkuam fshatrave e maleve për në Gramsh, ku do të ndërtohej uzina ushtarake. Gjatë atyre vizitave, Mehmet Shehu, më pyeti se për sa kohë do e ndërtoja unë Uzinën e Armëve të Poliçanit. Pasi i thashë afatin që ishte rreth katër vjet e gjysmë, ai mbeti i kënaqur. Në fakt ashtu ishte, ai objekt u ndërtua për aq kohë sa e parashikuam. Pas ndërtimit të këtyre uzinave, kam marrë pjesë si drejtuesi kryesor i punimeve në Bazën Ushtarake Ajrore të Gjadrit dhe atë Detare të Shëngjinit, të cilat i ndërtuam me ndihmën e madhe të inxhinierëve e specialistëve kinezë”.Lidhur me Aeroportin Ushtarak të Gjadrit, ku ai ka pasur “nën drejtim” mbi 55 inxhinierë e specialistë kinezë, pranon se ajo vepër ka kushtuar më shumë se Hidrocentrali i Fierzës. “Për ndërtimin e këtyre objekteve, kanë punuar me dhjetëra specialistë, inxhinierë e ushtarakë, shumë të talentuar dhe e them pa mburrje, se kemi bërë një punë të lavdërueshme, që vlen për t’u përgëzuar dhe sot. Atëhere ishte Lufta e Ftohtë dhe si të gjithë shtetet e tjera dhe ne ndërtuam fortifikatat tona mbrojtëse. Për harxhimet e koston e atyre objekteve, atëhere nuk shikohej shumë për të kursyer, sepse ato ishin objekte ushtarake dhe mbrojtja e atdheut konsiderohej si: “detyrë mbi të gjitha detyrat”. Kështu në një nga vizitat e mija asokohe në Kinë, bëmë një kontratë me palën kineze, ku unë kam firmosur një shifër marramendëse hekuri të cilësisë së lartë, të cilën ata na e akorduan për ndërtimin e objekteve tona fortifikuese. Atëhere ne kemi bërë një punë kolosale dhe ato baza ushtarake, ishin nga më modernet dhe fjala e fundit e shkencës se ushtrive, që nuk u linin asgjë mangët bazave që kishin lindorët. Realizimi i tyre, bëri që Shqipëria të ishte një nga vendet më të fortifikuara të botës”, me modesti e gjysmë zëri, shtonte se asokohe për atë punë të mire, u propozua dhe për “Hero i Punës Socialiste” dhe Profesor në Shkencat Ushtarake, por që nuk arriti të marrë kurrë, sepse në vend të atyre titujve, ju dha titulli “armik i popullit” dhe përfundoi qelive të burgjeve të Burrelit, e në galeritë e minierave.
Fortifikon “Bllok”-un e udhëheqjes në Tiranë
Pas mbarimit të uzinave dhe veprave ushtarake, Zegali kthehet në Tiranë dhe caktohet si një nga drejtuesit kryesorë për fortifikimin e “Bllok”-ut të udhëheqjes. Lidhur me këtë ai kujton: “Në fakt, fortifikimi i “Bllok”-ut kishte filluar shumë vjet më përpara, por nga vitet 1966-‘67 ,ai filloj të perfeksionohet. Ndryshe nga bazat ushtarake të Gjadrit, Porto-Palermos e Shëngjinit, që u ndërtuan me ndihmën e kinezëve, fortifikimet e “Bllokut” në Tiranë, u ndërtuan pa ndihmën e dijeninë e tyre. U projektua nga një numër tepër i kufizuar dhe i besuar njerëzish nga Instituti i Studimeve Ushtarake, e u ndërtua nga Xhenjo e Ushtrisë. Unë isha njeriu i dytë që drejtoja aty, pas Mendu Backës, që ishte zv/ministër i Mbrojtjes Popullore, gjeneral-major, “Hero i Popullit” dhe “Hero i Punës Socialiste”, i goditur më pas si “puçist”. U vendos dhe filluan punimet, në tre fortifikata kryesore: Njëra ishte e Enver Hoxhës, tjetra e Mehmet Shehut dhe e treta ishte për anëtarët e tjerë të Byrosë Politike dhe atyre të Komitetit Qendror të PPSH-së, që jetonin brenda “Bllokut”. Strehimet fortifikuese të Enverit dhe Mehmetit, u ndërtuan poshtë vilave të tyre. Si ne drejtuesit e punimeve, ashtu dhe i gjithë personeli civil i punëtorëve, ishin të kontrolluar e miratuar i gjithi, nga Sigurimi i Shtetit. Aty në ato strehime fortifikuese lokale, kryesisht punohej në ato periudha, që Enveri e Mehmeti shkonin me pushime, jashtë Tiranës, si në Dajt, Pogradec e Vlorë. Kjo gjë bëhej që ata të mos shqetësoheshin edhe nga zhurmat sado të vogla që ishin. Por, kishte dhe shumë raste, kur punimet vazhdonin edhe gjatë kohës, që Enveri dhe Mehmeti ishin aty në vilat e tyre. Kështu, shpesh herë Enveri zbriste shkallët e vilës tij dhe vinte poshtë tek strehimi fortifikues, për të parë ecurinë e punimeve. Unë shpesh herë, kam qenë prezent në ato vizita të tija dhe e kam shoqëruar e bashkëbiseduar me të brenda në ato vendstrehime fortifikuese. Ai të jepte përshtypjen e një udhëheqësi të madh dhe shumë babaxhan. Ai na pyeste për probleme të ndryshme dhe kurrë nuk na bënte vërejtje. Shpesh herë na thoshte: “Thumani se, çfarë kërkesash keni, për çfarë keni nevojë, sepse Partia do të j`u ndihmojë dhe do t`jua plotësojë të gjitha”. (Nga ato takime, ruaj këtë foto me ngjyra, që Enveri ma dërgoi më pas me Sulo Gradecin, ku ai është ulur në tavolinë dhe unë në këmbë, i veshur ushtarak me gradën e kolonelit, duke i shpjeguar për projektin e vend-strehimit poshtë vilës së tij). Ato strehime që u ndërtuan në “Bllok”, ishin shumë moderne për kohën, sa që nuk ju linin asgjë mangët dhe atyre të Evropës Lindor, e ndoshta ishin më cilësore se ato. Ato ishin me valvula antiatomike, që sapo të dëgjohej goditja, mbylleshin në mënyrë automatike. Për ndërtimin e atyre fortifikatave kryesore në “Bllok”, kishin dijeni vetëm një numër i kufizuar njerëzish. Aty nuk mund të guxonte të shkelte asnjeri nga anëtarët e tjerë të Byrosë Politike, duke përjashtuar Mehmetin, Beqirin, Kadriun e Petrit Dumen. Përveç përvojës lindore të Kinës, Koresë së Veriut dhe Vietnamit, në ndërtimin e fortifikatave e vendstrehimeve që ndërtuam asokohe në “Bllok” e në periferinë e Tiranës, ne kishim dhe përvojën Perëndimore. Kështu, unë shpesh herë kam shkuar në disa shtete Perëndimore, i dërguar direkt nga Mehmet Shehu ose Beqir Balluku, i maskuar gjoja me misione të ndryshme, por në të vërtetë, misioni im ishte për të vëzhguar e mbledhur, përvojë dhe për të parë gjithçka nga teknika e realizimit të objekteve e strehimeve ushtarake, që kishin këto vende”. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016