Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat përmbajnë siglën “Sekret” e “Tepër Sekret” dhe i përkasin një periudhe nga janari i vitit 1982 e deri në shtatorin e vitit 1983, ku ndodhet një dosje voluminoze me, proces-verbale mbledhjesh të Sekretariatit të Komitetit Qendror dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, mbledhje të cilat janë kryesuar nga sekretari i Përgjithshëm i saj, Enver Hoxha, ku kanë asistuar: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Manush Myftiu, Hekuran Isai, Rita Marko, Pali Miska, Hajredin Çeliku, Haki Toska, Simon Stefani, Lenka Çuko, Muho Asllani, Vangjel Çerrava, etj., si tema kryesore janë analizat rreth “veprimtarisë armiqësore” të Mehmet Shehut dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, që nga Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela, Vasil Kati, Kadri Hazbiu, Fiqret Shehu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, etj. Në dosjen që disponon Memorie.al, përveç analizës së “veprimtarisë armiqësore të poli-agjentit Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorëve të tij Beqir Balluku te Kadri Hazbiu”, në mbledhjet e Byrosë Politike dhe takimet ditore të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, janë marrë në analizë edhe veprimtaria e Ministrisë së Punëve të Brendshme e Sigurimit të Shtetit, me agjenturën e bashkëpunëtorët e saj, brenda e jashtë vendit, raportet e marrëdhëniet e shtetit shqiptar me vende të ndryshme të botës, si: SHBA-ës, Bashkimi Sovjetik, Gjermania Perëndimore, Anglia, Spanja, Italia, si dhe ato me fqinjët, si Greqia e Jugosllavia e demonstratat në Kosovë, si e paraqiste shtypi botëror Shqipërinë Socialiste, bisedimet me Gjermaninë Perëndimore për pagesat e reparacioneve të Luftës, takimet e bisedat me kryetarët e partive marksiste-leniniste të vendeve të ndryshme të botës, si Ernest Aust, Zhoao Amazonas, Fosko Dinuçi, etj., lidhur me “vetëvrasjen e Mehmet Shehut”, problemet e emigracionit politik shqiptar, në shtete të ndryshme të botës, e ndryshimin e kursit të shkëmbimit të dollarit në dërgesat, që ata bënin për të afërmit e tyre në Shqipëri e deri te probleme të shumta ekonomike, që nga industria e rëndë, hidrocentralet mbi kaskadën e lumit Drin, importi dhe eksporti i energjisë, etj., etj.
Dokumenti me proces-verbalin e takimit ditor të sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 27 janar 1982, lidhur me “veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut”!
TAKIMI DITOR
I SEKRETARËVE TË KOMITETIT QENDROR TË PPPSH
(REGJISTRUAR MË 27 JANAR 1982)
SHOKU RAMIZ ALIA: Diferencimet që bënte kuadrove, Mehmet Shehu, që disa i përkëdhelte, të tjerët nuk i përfillte, përveç të tjerave, dobësonte forcën e kolektivit dhe bënte që në mbledhjet e qeverisë, të predominonte egoja e tij. Prandaj ka rëndësi të shikohen vendimet që janë marrë, se përveç këtyre, shoku Enver, kemi edhe dy vendime me rëndësi të Partisë, që flasin për metodën e punës në aparatet shtetërore, siç janë ai i plenumit të 7-të të Komitetit Qendror, të vitit 1980, ku janë përcaktuar detyrat konkrete, për qeverinë dhe ai i Byrosë Politike, i vitit të kaluar, kur diskutuam për organikat, për të cilat, prap ka vërejtje konkrete për metodën e punës. As njëri dhe as tjetri nga këto vendime, nuk janë zbatuar, sepse Mehmet Shehu u bënte bisht këtyre vendimeve.
SHOKU ENVER HOXHA: Tani është e qartë për ne që Mehmet Shehu, ishte një armik, që kërkonte e përpiqej ta ndryshonte e ta sabotonte, vijën e përgjithshme të drejtë të Partisë dhe ndërtimin e socializmit. Ky ishte objektivi i tij kryesor, por nuk mundi ta bënte dot këtë, se nuk e la Partia, nuk e la udhëheqja e saj. Mehmet Shehu, kishte frikë në “trimëritë” e tij, e ndjente se, po të devijonte hapur, as Partia, as udhëheqja, nuk do ta linin. Ai ishte ambicioz dhe ambicia e tij, ishte e shfrenuar.
Vetëm vija e drejtë e Partisë, e frenonte atë deri diku. Megjithëkëtë, ai bënte çdo përpjekje që gjithçka, t’i kushtohej personit të tij. Egocentrizmi i tij, dukej sidomos në pushtet, në anën qeveritare, ku kishte ndërtuar një sistem të tillë pune, që edhe një plagosje që ndodhte në Velabisht, Ministria e Brendshme, duhej t’i jepte raport. Çdo ditë kjo praktikë ndiqej, jo u plagos filani, jo u dogj kjo kasolle, dhe pastaj lëri pas dore, kryesoret.
I pata thënë disa herë: More, po ç’të duhen ty këto gjëra?! Por vazhdonte në të tijën. Kësaj pune, ai nuk mundi t’ja dilte dot vetë, prandaj, e ndryshoi kuptimin dhe drejtimin e punës së Kryesisë së Këshillit të Ministrave, për ta vënë këtë organ në shërbimin e tij personal, dhe siç e dini, krijoi një sistem të tillë, me aparatin e Këshillit të Ministrave, sa që punët të mos ecnin në rrugën e Partisë. Qëllimi i tij, ishte që: kryesinë e Këshillit të Ministrave ta, kthente në një organ egocentrik, bile të krijonte atje një farë autoritarizmi fashist, të maskuar me forma socialiste.
Arroganca dhe prepotenca e tij, sharjet që përdorte kundër njerëzve dhe ofendimet që bënte, vetëm një fashist mund t’i bëjë, jo njeri tjetër, pa lërë një komunist. Një metodë të tillë pune dhe frikën, ai e kishte futur edhe në dikasteret qendrore, deri në atë shkallë, sa kishte funksionar me përgjegjësi që thoshin se, kur vete para Mehmet Shehut, të dridhen këmbët. Kjo na detyroi ne, që t’i jepnim fund kësaj situate.
Është fakt dhe duhet pranuar se Mehmet Shehun, ne nuk e njihnim siç ishte në të vërtetë, një armik të maskuar, por për metodën e tij të punës, shumë herë kemi pasur vërejtje. Me një fjalë, në metodën dhe stilin e punës së tij, ai sabotonte, frenonte zhvillimin e punëve, ndrydhte iniciativën, kurajën, guximin, dhe mendimin krijues, të njerëzve tanë, natyrisht, me aq sa mundej, se nuk mund të themi, që vepronte hapur. Kur shikonte se mund të zbulohej, ai ruhej, dhe mblidhte këmbët, Në gjithë veprimtarinë e tij armiqësore, ai ndihmohej edhe nga Fiqreti.
Ç’na del tani neve? Na del që fjalimet lumë që ka mbajtur Mehhmet Shheu, siç ishin ato të lojës së madhe ushtarake që u bë në Durrës, i kish regjistruar dhe nëpërmjet Fiqretit, gjoja se dëshironte t’i dëgjonte Këshilli Shkencor i Shkollës së Partisë, ju vu në dispozicion nxënësve e pedagogëve të kësaj shkolle dhe për tetë orë rresht, ata i dëgjonin këto fjalime.
Përse bëheshin këto veprime? Këto bëheshin për të ngritur autoritetin e Mehmetit, për sot dhe për nesër. Metodat e punës dhe gjithë fryma e punës së tij, synonte të krijonte tek njerëzit tanë pikëpamjen dhe njëkohësisht frikën se, ky është njeri i zoti, se ka në dorë gjithçka, se po të thotë ky, kryhet përnjëherë, po tha ky, edhe dielli mund të ulet në tokë.
Mehmet Shehu, vijën e Partisë nuk e godiste frontalisht, por me metodën e punës që kishte përpunuar dhe kjo ishte një metodë e improvizuar. Po ta thellojmë çështjen mirë, punën e tij ishte e menduar prej kohësh, ishte puna e një armiku të vjetër. Natyrisht, vazhdimisht, ai edhe është ruajtur, që të mos zbulohej, por ishte një njeri me ambicie të madhe për pushtet.
Ai ishte kundër vijës së Partisë, ishte kundër vetë Partisë dhe pushtetit tonë, të cilin e shikonte se nuk e rrëzonte dot, se disa herë me radhë e pa vetë se ç’pësuan shokët e tij. Por ai, mundohej t’ja arrinte qëllimit me rrugë të tjera, deri sa i erdhi ngordhja.
Tani po shikojmë dhe rishikojmë të gjitha ato forma pune që ka përdorur Mehmet Shehu, urdhëresat e ndryshme që ka nxjerrë, të cilat dukeshin sikur ishin të mira, por në fakt, nuk duhet të kenë qenë të tilla, pse sado ato kanë pasë synuar që të arrihej qëllimi i tij, të përgatiste terrenin për të shkatërruar Partinë dhe pushtetin tonë popullor, që situate e krijuar në vendin tonë të përmbysej, ose në mënyrë natyrale, ose me puç, pastaj ca nga ata që kishte paguar të vriste, të tjerët, t’i çonte në gjyqe.
Mehmet Shehu kishte përgatitur terrenin dhe ishte përpjekur të krijonte opinionin se, ishte “shumë parimor”, “marksist-leninist i madh”, “strateg i shquar” në lëmin ushtarak. Po, strateg dhe takticien ai ishte, por i puçeve dhe i komploteve. Ai ka qenë në krye të të gjithë komploteve që kemi zbuluar, por ndiqte taktika të tilla, sa kur e shihte që një komplot dështonte, ky vetë tërhiqej, mblidhte këmbët.
Kur e shihte se po përgatitej një komplot, bënte sikur flinte, gjë që i leverdiste. Po kur shihte se këtë po e zbulonte Partia, dilte menjëherë në anën e Partisë dhe me sa mundte, përpiqej të linte përshtypjen, sikur e kishte zbuluar ai vetë.
Duhet të kuptojmë se, rrugën e drejtë që ndiqte Partia, kur kjo godiste armiqtë që zbuloheshin, ai përpiqej ta shfrytëzonte që kjo t’i vinte atij në ndihmë, të përforconte më tepër pozitat. Ai pra përdori hilenë, hiqej sikur ishte dakord me masat dhe me vijën e Partisë, për t’u dhënë grushtin armiqve, ndërsa kur Partia i zbulonte këta, megjithëse ishte edhe vetë në kokë, tërhiqej dhe jo vetëm përpiqej të merrte flamurin, por edhe t’i shtonte dozat e metodave fashiste, në veprimtarinë e tij. Këtë nuk e bënte në mënyrë spontane, por në një mënyrë të studiuar mirë dhe me kujdes.
SHOKU RAMIZ ALIA: Bile edhe kur vinte koha të godiste, kundërshtarët e tij, si fashist, si terrorist që ishte, këtë do ta bënte në emër të metodave të Partisë.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, po, patjetër.
Dokumenti me proces-verbalin e takimit ditor të sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 1 mars 1982, lidhur me “veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut dhe Abdyl Këllezit”!
TAKIM DITOR
I SEKRETARËVE TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË
MË DATËN 1 MARS 1982
Regjistrim
Në këtë takim është folur për armiqtë Mehmet Shehu dhe Avdyl Këllezi, për decentralizimin e ekonomisë në vendin tonë dhe futjen e sistemit të vet-administrimin jugosllav.
SHOKU ENVER HOXHA: Mehmet Shehu dhe Avdyl Këllezi, u përpoqën të gjenin dhe do t’i gjenin format, si të themi, të një kalimi gradual, në drejtimin e vet-administrimin jugosllav. Cilat kanë qenë ato forma.
E para ishte çështja e decentralizimit të ekonomisë. Ky ishte objekti i tyre kryesor. Mehmeti thoshte se Avdyli, është një “specialist i shquar”, një “ekonomist i madh” e, “i mbaruar”. Të dy, dispononin fonde rezervë të qeverisë dhe bashkërisht, si pa të keq, influenconin në çorganizimin e planit të shtetit.
Shumë nga të këqijat që konstatohen sot në plan, e që në atë kohë thuhej se nga ana e tyre, “jo janë subjektive”, “jo janë objektive”, “jo kuadrot nuk janë shumë të ngritur”, e të tjera (në fakt ekzistojnë çështje të tilla), por Partia, e ka për detyrë, t’i frenojë dhe t’i ndreq ato, kurse por prirja e tyre, ishte vetëm që t’i përsërisnin, t’ja hidhnin fajin Partisë, duke thënë, “ç’po bën Partia” dhe t’i shfrytëzonin për veprime të tilla, si çështja e kërkesave të papritura, urgjencat etj., janë pasojë e veprimeve, stilit dhe metodës së tyre të punës.
Ja, p.sh., nxjerrja vazhdimisht e kërkesave të papritura e urgjencave, është pasqyrim i një pikëpamjeje që synon të mos ecet sipas parimit të një ekonomie të planifikuar, në bazë të centralizmit, por nën pretekstin se nuk erdhi kjo e nuk u realizua ajo, shkelje, “me arsye” planin, jepeshin urdhra nga lart, në radhë të parë nga Abdyli dhe nga Mehmeti, për të cënuar fondet monetare dhe materiale, rezervë të shtetit.
Çështja tjetër thelbësore, në veprimet e tyre, janë ç’thurjet në organizimin aktual të planit, që duhet të përmirësohet, se mund të ketë mbeturina të asaj kohe. Për këtë çështje, Partia filloi të dyshonte ca te puna e Abdyl Këllezit, më vonë, edhe për gjëra të tjera, deri sa u zbulua krejt veprimtaria e tij armiqësore. Kështu, p.sh., vendi ynë kishte dhe akoma ka nevojë, për prodhim artikujsh të rinj.
Kjo punë, siç thashë, ishte në rend të ditës të Abdyl Këllezit dhe ç’është e vërteta, në këtë punë, mund të gaboheshim, për arsye se objekti i linjave, ishte dhënia e prodhimeve të reja, për të cilat, thërriste ai, ka nevojë populli. Por, nën këtë parullë, ata, Mehmeti dhe Abdyli, kishin qëllime të tjera organizative, synonin decentralizimin e ekonomisë, synonin vendosjen e sistemit të vetë-administrimit jugosllav, synonin krijimin e një farë shoqërie të konsumit.
Dihet se, për ta krijuar këtë, “shoqëri të konsumit”, për të cilën punonin ata, duhej të ndryshohej i gjithë orientimi i pushtetit tonë, etj.
Një objekt tjetër që synoni ata, ka qenë çlirimi i plotë i ministrive nga ndërmarrjet, d.m.th., të gjitha ndërmarrjet, të ngriheshin jashtë ministrive dhe në fakt, shumë prej tyre, u nxorën jashtë tyre. Kështu ata, filluan të zbatonin një fare vetë administrimi, në të njëjtën kohë, nëpër ministri i futën plot zëvendësministra, u krijuan drejtori operative, drejtorët e të cilëve, bashkë me zëvendësministrat, duhet të ishin, këshilltarë të titullarëve, por në të vërtetë, këta nuk përqendroheshin si duhet, në objektivat e organeve ku ishin caktuar e për të cilat, ishin emëruar, pse ato ishin amorfe.
Krijohej, ta zëmë, një drejtori për Industrinë Mekanike, me dy veta. E ç’mudn të bënin ata?! Hiç gjëkafshë, dhe pse atje, përplasej korrespodenca burokratike, letra, telegrame etj., sepse, puna poshtë, ecte, bëheshin përpjekje për të dhënë disa kompetenca, ndonjëherë, më tepër se ç’duhej, kontrolli dhe planifikimi, ishin të dobët dhe kështu, krijohej njëfarë sistemi i drejtimit personal në krye të të cilit, ishin Mehmet Shehu dhe Abdyl Këllëzi.
Vetë organizimi i kryesorë së Këshillit të Ministrave, e kish kthyer atë, në një organ të gjithë pushtetshëm, të plotfuqishëm, ku vinin e pyesnin, ministrat. Në kryesim ata kalonin edhe mbi ministrat, u’a kishin marrë këtyre kompetencat. Ministrat punonin, por nuk konkretizonin, nuk vendosnin dot, se s’kishin kompetenca. Prandaj, në këtë drejtim, duhet shikuar, një çikë vështirësia e ndërmarrjeve, që herë kanë lidhje të dyfishtë, herë jo, disa lidhen me ministritë, disa jo, disa të tjera lidhen e dhe me ministritë edhe me rrethet.
Planifikimi i ndërmarrjeve të mëdha ose mesatare, në qoftë se këto varen nga rrethi, duhet të bëhet i centralizuar, nëpërmjet, rrethit, e jo as të hopi, as të hupi. Këto prirje, i kanë pasur armiqtë, Mehmet Shehu dhe Abdyl Këllezi. Për sa u përket ndërmarrjeve që varen nga ministritë, duhet shikuar çështja se deri ku dhe çfarë kompetencash, kanë Komitetet Ekzekutive mbi to.
Aktualisht, kjo është një çikë flu, Kështu, p.sh., ndërmarrja x vepron në Korçë, kurse planifikimin e ka këtu, në ministri, atëhere Komiteti Ekzekutiv dhe Partia atje, çfarë kompetencash ushtrojnë mbi këtë ndërmarrje?!
Tani është edhe çështja e kompetencave të Komiteteve Ekzekutive të rretheve. Këto Komitete, duhet të kenë disa kompetenca mbi ndërmarrjet që ndodhen nën juridiksionin e tyre, jo që t’ua ndryshojnë planet, por për çështje kontrolli, për zbatimin e detyrave për realizmin e planeve.
SHOKU FOTO ÇAMI: Ata kanë përdorur zakonisht, të drejtën e ndihmës dhe të kontrollit.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, ndihmë e kontroill për zbatimin e planit dhe nëqoftë se atje ky shkelet, jo nga ndërmarrja, por nga lart, nga ministria, Komiteti Ekezekutiv, duhet me doemos, të njoftojë qeverinë. Edhe në fushën e Kulturës, Mehmet Shehu, i fshinte këmbët. Ai hiqej sikur ishte kundër Fadil Paçramit, por deri në majë të kokës, ishte me të. Lidhjet e tij me Fadilin, si dhe me disa çfaqje të tij, na kanë pas rënë në sy.
Njëherë Mehmet shehu, na kish ftuar për darkë, kishte një përvjetorë, ku ishin të gjithë shokët. Jashtë radhës sonë, ishte dhe Fadil Paçrami, megjithëse kish të tjerë më përpara, që dhe të ishin ftuar. Kjo mua më ra në sy, po ra në sy edhe Nexhmijes dhe Hysniut. Megjithatë, thamë: Epo shok, është.
Po në këtë rast, ndodhi edhe një incident tjetër (ishin të lidhur këta kodoshë, por nuk të shkonte mëndja). Ne pije e sipër, nga të tjerët, se asnjë nga ne nuk pinte, Petrit Dumja dhe Shefqet Peçi, po ngisnin njëri-tjetrin, jo pije, jo nuk e pi, jo me ujë, jo pa ujë, e të tilla shakara të tjera nga ato të zakonshmet. Mirëpo, në mes të shakave, hidhet Petrit Dumja dhe i thotë Shefqetit: “Do ta pish, ndryshe jap urdhër dhe të arrestoj”!
Përnjëherësh, ngritëm të tërë kokën të çuditur, ndërsa Shefqeti ja ktheu: “Ti të më arrestosh mua?! Unë vetëm me urdhrin e Enver Hoxhës, arrestohem. Me urdhrin tënd, jo”.
Mehmet Shehu, nuk priti dhe ndërhyri: “Ç’janë këto muhabete që bën more Petrit, ç’janë këto gjëra, nuk janë shakara këto…”!
SHOKU HEKURAN ISAI: Ai vuri ushtrinë, mbi Partinë.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, po, i shkau goja atij dhe tha të arrestoj, mirpo Mehmeti, pati frikë, se mos Petrit Dumja, lëshonte edhe gjëra të tjera, prandaj ndërhyri dhe i tha, t’i linte të tilla muhabete, se nuk qenë shakara.
SHOKU VANGJUSH ÇËRAVA: Kur u dha në Korçë shfaqja “Njollat e murrme”, në qoftë se ju kujtohet, shoku Enver, ai e duartrokiti atë, dhe jo vetëmn kaq, po u bë sebep që i dhanë edhe flamurin.
SHOKU FOTO ÇAMI: Ai jo vetëm që e duartrokitri, por si rezultat i qëndrimit të tij, Korçës ju dha flamuri.
SHOKU ENVER HOXHA: Kur vajta, atëhere e pashë se ç’ishte ajo pjesë teatrale!
SHOKU FOTO ÇAMI: Dhe ju muar flamuri Korçës. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016