Nga Sofika Prifti Cara
Pjesa e katërt
Të falësh…!
– Fisi i vjetër Kavajas – CARA
Memorie.al, publikon disa pjesë nga libri ‘Të falësh’, me autore znj. Sofika Prifti (Cara), botim i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Tiranë, në të cilin autorja ka përshkruar me hollësi dhe kompetencë profesionale, historinë e një prej fisve më të njohura, jo vetëm në qytetin e Kavajës, por edhe më gjerë, fisit Cara, nga i cili dolën jo vetëm atdhetarë e patriot të shquar që dhanë kontributin e tyre në dobi të çështjes kombëtare dhe lirinë e Shqipërisë, por edhe intelektualë të njohur, të diplomuar në Perëndim, të cilët më pas u kthyen në atdhe, duke dhënë kontributin e tyre në disa fusha të shkencës dhe jetës. Por edhe pse pinjollët e fisit Cara, ata ia kushtuan jetën e tyre çështjes kombëtare, pas ardhjes së komunistëve në pushtet në fundin e vitit 1944, ata do të përndiqeshin, burgoseshin dhe internoheshin, e lufta e egër e klasave, do t’i ndiqte ata deri në vitin 1990, kur dhe nisi shembja e regjimit komunist.
ISLAM CARA (1883 -1960)
Islam Cara (xha Lami), ka lindur në Kavajë më 2 prill 1883, në një shtëpi të thjeshtë, në lagjen “Zguraj” të Kavajës. Tradita e pemës gjenealogjike të fisit Cara, në çdo kohë ka qenë atdhetarizmi dhe ndjenja liridashëse, përkushtimi ndaj vendit e vendlindjes. Me këto cilësi u rrit e u formua edhe xha Lami: njeri i dashur, i respektueshëm, i matur, me zemër të dhembshur, patriot i flaktë. Por koha këtë njeri të mirë e lëndoi shumë.
Xha Lami, kishte marrë pjesë me armë në dorë në luftën që u bë në Shkodër, në Plavë e në Guci, në vitet 1910-1914, për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga hordhitë serbo-malazeze. Më vonë ai u bë kryeplak në lagjen “Zguraj”. Islam Cara ka qenë pjesëmarrës në grupin e qytetarëve kavajas, që përcollën Ismail Qemalin për në Vlorë. E shoqëroi vetë deri në Çermë, por për arsye shëndetësore, atje u kthye në Kavajë.
Xha Lami ishte i martuar e kishte dy gra: Duda, ishte gruaja e tij e parë, nga Arapajt e Çermës, me të cilën pati dy fëmijë, Musanë e Sadeten, e martuar në Tiranë me Shaban Kacërin e nuk kishin fëmijë. E dyta grua e tij, Aishja, ishte nga fisi Dedej në Kavajë, me të cilën pati një djalë, Rexhepin. Më poshtë do të keni mundësi të lexoni për ikjen e Musait jashtë shtetit dhe se si ai la në shtëpi, gruan me katër fëmijë.
Xha Lamit, me ikjen e të birit, Musait, i ra barra e rëndë për të rritur nipat e tij, bashkë me nusen e djalit, Nailen. Në përgjithësi, kavajasit e kanë pasur në gjak tregtinë e, për ta jo kot thonin me respekt: “Kavajasit e nxjerrin lekun nga guri”! Xha Lami merrej me tregtinë e shtambave, qypave, vorbave, tasave, etj., të gjithë këta artikuj punuar prej balte. Edhe në punët e tregtisë, ai mbeti gjithnjë njeri i ndershëm e korrekt, me të gjithë.
Xha Lami u nda nga jeta në muajin korrik të vitit 1960. Me vdekjen e gjyshit, nipërit humbën njeriun e tyre më të dashur, i cili, me moshën e vjetër që pati, i rriti me shumë mundim e sakrifica të mëdha. Arkivoli me trupin pa jetë të xha Lamit, u përcuall për në banesën e fundit, nga shumë njerëz, të cilët nuk ishin vetëm nga Fieri, por edhe nga Kavaja, Durrësi, Tirana e nga fshatrat përreth.
MUSA CARA (1910-1982)
Në këto rreshta dëshiroj të qëndroj tek tregtari i Kavajës, Musa Cara, i biri i Xha Lamit e i Dudijes, babai i tim shoqi, lindur në lagjen “Zguraj” më 2 gusnt 1910. Ai ishte i martuar me Nailen, nga fisi i njohur Idrizi në Kavajë, e nga kjo lidhje martesore, Zoti u fali atyre katër djem: Sabriun, Bardhin, Xhevdetin edhe Besnikun.
Musai merrej me tregti ushqimore, të cilën ai e zgjeroi dhe e shtriu në Kavajë, Fier, Vlorë e Tiranë. Puna i eci më mirë në Fier, aty bleu tokë tek Vrionasit dhe bëri shtëpi, e kështu mori dhe familjen në vitin 1939. Pushtimi italian e gjeti atë në Fier, kurse më vonë erdhën forcat ushtarake gjermane. Shqipëria ishte e pushtuar nga të huajt. Të gjithë shqiptarët donin çlirimin e vendit, prandaj u krijuan çetat partizane. Qysh në fillim të lëvizjes çlirimtare, Rexhepi, vëllai i vogël i Musait, duke inspiruar ideale demokratike dhe i gënjyer nga propaganda e atëhershme komuniste, si shumë të tjerë, përqafoi rrugën e lëvizjes dhe për këto arsye, ai ndiqej nga gjermanët, sepse agjentët e shitur e spiunonin.
Gjermanët u kishin zënë me forcë shtëpinë dykatëshe, e cila ishte akoma e papërfunduar. Nga ana tjetër, Musait i bënin presion për vëllain e tij, Rexhepin. Ngjarjet rrodhën në mënyrë të atillë, që dy vëllezërit u ndanë në dy rryma të ndryshme: Musai përfundoi me “Ballin Kombëtar”, kurse Rexhepi doli partizan, për një qëllim fisnik, çlirimin e vendit. Njeriu duhet të jetë i matur që të marrë vendime serioze dhe jo të bazohet në imagjinatë, apo nga emocionet e çastit.
Duhet të mendosh gjatë e me urtësi, që të justifikosh qëllimin që i ke vënë vetes për të bërë të mira. Mirëpo ndodhi diçka e pakëndshme: krerët e çetave partizane, nuk po luftonin të bashkuar me çetat nacionaliste, por zunë t’i vrisnin ata prapa shpine, duke i likuiduar, jo vetëm si individë, por edhe në grupe. Kështu Mehmet Shehu, me çetën e tij në zonën e Lushnjës, vrau barbarisht 72 ballistë dhe i futi në një gropë të përbashkët. Njërit prej tyre, i quajtur Kip Xhepa, para se ta vrisnin, i thanë të pranonte të bëhej komunist, se kështu do të shpëtonte.
Kurse ai ua ktheu, me përbuzje: “Edhe derr bëhem, por komunist nuk bëhem kurrë”! Atëhere njerëzit e Mehmet Shehut, i vunë në gojë një piperkë djegëse dhe e pushkatuan. Po kështu, në Gërhot të Gjirokastrës, u pushkatuan prapa shpine, 36 të tjerë të çetës së Nano Gjonit, ku, jo pak, por 5 vetë ishin nga familja e Gjonëve. Më 1944, kur u çlirua vendi, këta nacionalistë e ballistë u përndoqën nga qeveria Hoxha, duke i likuiduar fizikisht, duke i burgosur, kurse familjet e tyre i internonin larg e më larg.
Për të mos u bërë pre e përndjekjeve të qeverisë Hoxha, shumë nga këta njerëz të pafajshëm, morën rrugën e arratisë jashtë vendit. Një nga këta ishte dhe Musa Cara, i cili kishte qenë eksponent i “Ballit Kombëtar”; në fillim ai iku në Itali, kurse nga fundi i vitit 1946, emigroi në Australinë e largët. Shteti komunist bëri menjëherë konfiskimin e të gjithë mallit e të pasurisë, (makina, toka, dyqane,) madje edhe shtëpinë akoma të papërfunduar. Na lanë vetëm një magazinë të vjetër, sa për të jetuar, Musai i vetmuar, në mërgim, duke ndier mallin përvëlues për vendlindjen, dashurinë e thellë për prindërit, për gruan, me të cilën bashkëjetoi vetëm 11 vjet në familje, për 4 fëmijët, që i la njomëzakë:
Sabriun-9 vjeç, Bardhin-6 vjeç, Xhevatin-4 vjeç, kurse Besnikun vetëm 2 vjeç; për motrën Sadete, për vëlla Rexhepin, për farefisin dhe për atdheun e tij. Zoti na këshillon të falim! Por a mund të falet kjo kategori njerëzish të diskredituar e kriminelë, të cilët i ngjyen duart e tyre të fëlliqura me gjak të pafajshëm, apo i ndanë përjetë njerëzit e një gjaku për së gjalli?! Musai po i linte të afërmit e tij në dorë të komunistëve, të cilët bënë me ta siç jua donte zemra e tyre, e zezë.
A e pranon zoti të falen këta mostra?! Musai asnjëherë nuk u pendua, sepse ka dashur gjithmonë një demokraci me të vërtetë perëndimore për vendin e tij. Komunistët në Shqipërinë e pasluftës, këlyshë të bindur të qeverisë Hoxha, ishin kriminelë pa skrupuj, që vrisnin pa gjyqe njerëz të pafajshëm. Kundërshtimi në forcë debate, është provë për mbrojtësit e një ideali, të cilët nuk i shmangen ballafaqimit. Jam e bindur që as vdekja, as jeta, as engjëjt, as qeveritë, as e tashmja, as e ardhmja, as fuqitë, as lartësitë, as thellësitë dhe as ndonjë mrekulli tjetër, nuk mund ta ndryshojë shpirtin e një njeriu të keq, kriminel, sepse i keqi po i keq mbetet dhe i miri po i mirë mbetet në jetë.
Shpirtin e tij të madh, Musa Cara e kishte treguar edhe para Luftës, duke ndihmuar sa mundte të varfrit. Gjatë Lutës, me shpirt bujari, ka shpëtuar nga vdekja shumë njerëz, si; Rrapi Gjinin, Pilo Bandillin, Baki Dervishin, Nikollaq e Virgjini Begën, (motër e vëlla,) të dy partizanë, por dhe shumë të tjerë si këta. Për Musanë, flasin shumë njerëz me respekt të madh edhe në Australi, dhe arsyeja ishte se edhe atje ai ka pritur shumë shqiptarë nga Shqipëria e Kosova, që shkonin për herë të parë në atë vend të largët. Musai, ky burrë me zemër të madhe, i mbante me shpenzimet e tij, njerëz të tillë hallexhinj, derisa ata sistemoheshin me shtëpi e me punë.
Musai kishte në pronësi një vilë dykatëshe, një hotel e një kafene buzë detit, në Melburn të Australisë. Rastësisht, para ca kohësh, në Patra të Greqisë, takuam një emigrant kosovar, që kishte ardhur për pushime nga Australia, e na foli fjalë shumë të ngrohta për njeriun tonë, Musa Carën. Njonja jonë qe krejtësisht e rastit: Bardhi buzë detit po zinte peshk me grepa, se e kishte shumë qejf gjuetinë e peshkut, kurse ne herë pas here, i flisnim: “Hë, e zure? Të shpëtoi, e hëngri karremin! Hë, qëllofsh”! Emigranti kosovar na dëgjoi të flisnim shqip, u afrua e hyri shpejt në bisedë me një mall të madh dhe na pyeti:
“Ju nga jeni”?
“Nga Shqipëria! Nga Kavaja”! – iu përgjigjëm ne. Atëhere ai na rrëfeu se, kur kishte shkuar për herë të parë në Australi, një kavajas me emrin Musa Cara, e kishte ndihmuar shumë.
“A e njihni”? – na pyeti ai, pa e ditur se bamirësi i tij ishte babai i Bardhit. Kurse Bardhi vuri buzën në gaz e, i foli i emocionuar:
“E paske njohur babanë tim”?! Unë jam i biri i Musa Carës dhe kemi ardhë në Greqi, për të marrë vizë në Ambasadën australiania, që e mbulon Shqipërinë në Greqi. Ai i gëzuar u hodh e na përqafoi me dashuri dhe na foli me respekt të thellë. për Musa Carën, se si i qe shfaqur ai si engjëll mbrojtës dhe e kishte ndihmuar. Pastaj futi dorën në xhep, nxori një bllok të vogël e na tha: “Ja ku e keni këtu adresën time dhe numrin e telefonit. Në rast se do të vini në Australi, shtëpinë time e keni të hapur dhe, gjithashtu, edhe ndihmën time, ashtu siç bëri babai juaj me mua dhe me shumë të tjerë”.
Ky ishte një respekt që atij i buronte thellë nga zemra, një respekt i sinqertë, që dallohet nga sjellja e jo nga fjala. Sa kohë ndenjëm aty në Greqi, shkëmbyem bashkë dreka e darka. Na dukej sikur të ishim takuar, me vetë Musa Carën e mirë. Por erdhi koha kur zemra e Musait, e vrarë keqas deri në aortë, i pushoi tik-taket e saj para kohe, më 10 janar 1982, në Melburn të Australisë, vetëm pak vite përpara se populli i qytetit të tij, do të ngrihej për të vrarë frikën, për të përmbysur komunizmin, si sistem politik.
Ai nuk arriti dot të shikonte me sytë e vet bashkatdhetarët e tij, që ia kthyen patkonjtë “diellit të komunizmit”. I mbylli sytë përgjithmonë Musai, por dashuria e tij mbeti gjithnjë e pashuar për vendin, prindit, fëmijët e të afërmit e tij. Vdiq në mërgim, i detyruar nga ai sistem i egër komunist, që nuk i lejoi të komunikonin as me letra, të cilat niseshin, por kurrë nuk arrinin në familje. Para se të vdiste, Musa Cara kishte lënë për katër djemtë e tij, një testament për vilën, hotelin dhe kafenenë buzë detit, në Melburn. Por kjo pasuri, nuk u muarr kurrë.
Na thanë që këtë pasuri tonën, e kishin në kujdestari katër persona: Mustafa Beqiri nga Tirana, Athanas Kola nga Kavaja, Mehmet Zyka, nga Peshtani i Fierit dhe Muhamet Zyka. Një herë na sollën katër çeqe me vlerë 1550 stërlina, për të katër djemtë. Të dyve që ishin në internim, u thanë: “T’i thyeni, se do të ktheheni nga internimi e, do ju duhen në shtëpi”! Ata i thyen me një çmim qesharak, por në shtëpi, s’i prunë. Vetëm me ardhjen e epokës së demokracisë, në vitin 1991, erdhën në shtëpitë e tyre, ndonëse qiraxhinjtë nuk donin të dilnin nga shtëpia. Dy prej tyre, Bardhi e Xhevdeti, nuk i thyen.
Ata u përpoqën të iknin në Australi, nga Greqia e Jugosllavia, por nuk mundën dot. Disa herë kemi trokitur në derën e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, dhe në vazhdim, për të na ndihmuar të realizojmë qëllimin tonë, por asnjë ndihmë nuk na u dha. Kështu, ajo pasuri e trashëguar, nuk u muarr kurrë! Dy çeqet me lekë, ishin marrë prej bankës së Melburnit, nga njerëz të panjohur! Çeqet origjinale mbetën në shtëpi, si një kujtim i hidhur…!
Një herë një person i pushtetit komunist, (sot avokat,) na pati thënë me cinizëm: “Ju mos shpresoni kot, sepse ajo pasuri nuk është më dhe atje nuk ju çon njeri”! Si rrodhën vitet, gjykoj që ky njeri kishte të drejtë. Musa Cara vdiq në mërgim, shumë larg, në Australi, duke marrë me vete mallin për atdheun, për prindërit, për gruan e fëmijët, për motrën e vëllanë, por dhe për të gjithë të afërmit e tij. Fëmijët e tij u bënë burra, por nuk e njohën kurrë babanë e tyre. Do të dëshironin shumë, shumë të vendosnin tufa e kurora me lule ,tek varri i babait të tyre, por…!
REXHEP CARA (1922-2013)
Rexhepi ka lindur në Kavajë, më 3 tetor 1922, në një shtëpi të thjeshtë, në lagjen “Zguraj”. Arsimin fillor e kreu në Kavajë me rezultate shumë të mira. Ishte nxënës i rregullt, i disiplinuar, kurioz e i etur për të mësuar çdo gjë që shikonte. Në fillim, kur ishte në moshë të re, ai punonte në tregti me të vëllanë, Musanë, por më pas rrugët e tyre u ndanë: ai ndoqi rrugën e propaganduar nga komunistët, pra u bashkua me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, e organizuar në fillim në çeta partizane e, më pas në formacione të tjera më të mëdha.
Fillimisht Rexhepi i ri shpërndante trakte nëpër familjet qytetare fierake, më pas e bëri këtë punë nëpër fshatra, duke u folur njerëzve me pasion, për ndjenjën kombëtare, për të ardhmen e atdheut e për lirinë. Mirëpo, kur Rexhepi mori vesh që po ndiqej nga agjentët e spiunët e pushtuesit, doli në mal partizan, me çetën e Mallakastrës, e cila vepronte në atë zonë. Në nëntor të vitit 1943, Rexhepi i ri vjen e bashkohet me çetën e Pezës. Kurse, me formimin e Brigadës së XXII-të Sulmuese, ai u bë pjesë e kësaj brigade, deri në mbarim të Luftës.
Me urdhër të veçantë nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Partizane, Brigada e XXII-të dhe disa brigada të tjera shkuan në ndihmë të popujve të Jugosllavisë, për t’u çliruar edhe ata nga ushtritë gjermane. Këto brigada shqiptare shkuan thellë, deri në Vishegrad. Atje Rexhepi është plagosur disa herë dhe është operuar për nxjerrjen e plumbave. Pas kthimit nga Jugosllavia, në vitin 1945, Rexhepi punoi për ca kohë në Ministrinë e Mbrojtjes, në Tiranë. Ai ishte i veshur ushtarak, deri në vitin 1951 dhe, për punë të mirë e me ndërgjegje të lartë, është nderuar me fleta-nderi e me fletë-lavdërimi, në shërbim të rendit policor.
Më vonë, me kërkesën e tij, ai u largua nga radhët e policisë dhe nga Tirana, shkoi në Fier, pranë prindërve të moshuar. Në këtë qytet ai filloi punë në uzinën e zhveshjes së pambukut, si mekanik, kurse më pas shkoi të punonte në uzinën e pambukut, në Rrogozhinë. Për punë të mirë e të ndërgjegjshme, në të dyja uzinat, Rexhep Cara është nderuar me fletë-nderi, fleta- lavdërimi, e kanë nxjerrë në tabelën e nderit dhe i kanë dhënë Medalje Nderi, për kontribute në dobi të prodhimit.
Pas shumë vitesh punë të lodhshme e të ndërgjegjshme, Rexhepi doli në pension e, shkoi të jetojë pranë familjes, në Fier. Por, siç e kam sqaruar në fillim të këtij libri, iu desh më vonë të shkonte në Kavajë, në vendlindjen e tij e të gjithë paraardhësve të tij, në lagjen “Zguraj”. Rexhepi u martua me Hajrien, nga fisi Mullaliu, dhe patën bashkë katër fëmijë: Shpëtimin, Gjylizanë, Mirsijen dhe Islamin, i cili kishte marrë emrin e gjyshit, pas vdekjes së tij. Të katër fëmijët u rritën e u edukuan si njerëz të dashur, të respektuar, korrektë e shembullorë kudo: në familje, në punë, në lagje, në shoqëri, etj.
Hajria ishte rrobaqepëse e mirë dhe, megjithëse ishte nuse e re, iu desh të përvishte krahët, sepse në shtëpi ajo gjeti edhe katër nipat e burrit, por që asnjëherë nuk u mërzit prej tyre. Ajo i qepte e u rregullonte rrobat të gjithëve, ata e donin shumë, por dhe ajo i donte me çiltërsi. Kur djemtë e vëllait u rritën dhe sistemi komunist i kishte piketuar, për t’i bërë kurban, duke i futur në burgje, etj, ai sistem ndau edhe xhaxhanë nga nipërit. Por Rexhepi ishte njeri shumë i drejtë.
Ai kishte dhënë shumë për atë parti, nga shkaku i luftës së klasave qe ndarë e, nuk fliste as me nipërit dhe, megjithatë, prapëseprapë, nga fillimi i viteve tetëdhjetë, atij ia morën teserën e partisë, të cilën e mbante prej shumë vitesh me nder. Komunistët e qeverisë Hoxha, ishin të pashpirt, luftën e klasave e vijonin në shtatë breza! Rexhep Cara, jetoi gjatë dhe vdiq në fillim të vitit 2013, në Kavajë. Ai u përcuall për në banesën e fundit nga shumë qytetarë të Kavajës, me shumë respekt. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016