Memorie.al publikon impaktin e vizitës së princeshave shqiptare në vendet Nordike, nga ku u përpoqën të merrnin eksperiencën për zhvillimin e artit, kulturës, sportit dhe ta sillnin atë në vendin e tyre. Gjatë pesëmbëdhjete viteve të qeverisjes së regjimit të Monarkisë së Zogut, kryesisht pas vitit 1928, kohë në të cilën u shpall Mbretëria Shqiptare dhe shteti i ri shqiptar, filloi të konsolidohej e të merrte gjithnjë e më shumë formën e një shteti evropian, krahas hapave dhe reformave për zhvillimin ekonomik të vendit, të gjitha qeveritë e asaj periudhe, si dhe vetë regjimi në tërësi, i kushtuan një kujdes të veçantë edhe zhvillimit të sporteve, turizmit dhe arteve të bukura.
Udhëtimi i princeshave në vendet skandinave
Udhëtimi i Princeshave jashtë Shqipërisë, sidomos në atë pjesë të Evropës veriore, që quhet Evropa e lumtur ose shtetet skandinave, ka një rëndësi në kuptimin e zhvillimit shoqëror të Shqipërisë. Mbasi, siç dihet, lartësitë e tyre e kanë pasur kurdoherë në zemër, zhvillimin e vendit dhe kanë dhënë prova të shumta përpjekjesh, për këtë çështje. Për këtë arsye duhet parë në udhëtimin e gjatë dhe të frytshëm në Shtetet Skandinave, një udhëtim studimesh të çështjeve që kanë të bëjnë me zhvillimin e veprave të ndryshme, asistence shoqërore dhe organizimi e instituteve përkatëse në Shqipëri, ku mungojnë ende institute të tillë, por që tregohet një interesim i gjallë kohët e fundit, për t’i vendosur edhe ndër ne, brenda mundësive që dita ditës krijon regjimi Zogist. Udhëtimin e bukur të Princeshave e pat ilustruar në mënyrë të gjerë në një tok konferencash që dha Dr. Zoi Xoxa, të cilat u botuan në shtypin kombëtar dhe u ndoqën me vërejtje të gjallë prej gjithë publikut, që çmon thellësisht përpjekjet e Princeshave, në lëmin qytetëronjës dhe përparimtar. Por rreth udhëtimit të N.M. tyre patëm shkruar edhe në “Shtypin” sidomos në një intervistë që Naltësija e saj princesha Myzejen, denjoi të na japë dhe që është një sintezë e bukur e atij udhëtimi. Në gazetën “Shtypi”, shkruejshim në lidhje me këtë udhëtim. Udhëtimi i parë n’Amerikë, ka qenë pa dyshim një ngjarje e gëzueshme për Shqiptarët e shumtë, që rrojnë në mërgim, të cilët panë në naltësinë e tyre, përfaqësuesit e sovranit dhe të Shqipërisë së Re Zogiste, që zhvillohet me shpejtësi nën udhëheqjen e Prijësit të vet dhe punon për gatimin e një të ardhme më të lumtur. Dheu i Ri, qe për princeshat jo një udhëtim argëtimi të merituar, po më tepër një barrë delikate, pse motrat e Sovranit t’onë e kaluan kohën në mes bashkatdhetarëve të largët, duke u treguar në personat e shquar të tyre, shkallën e përparimit të Shqipërisë, sidomos të Gruas Shqiptare, duke bërë një propagandë të mirë, jo vetëm ndër shqiptarët por edhe te Amerikanët. Gjithë kjo mund të thuhet edhe për udhëtimin e dytë të princeshave në Shtetet Skandinave, ose në atë pjesë të Shteteve Veriore t’Europës, që me të drejtë janë quajtur “Shtetet e lumtur”. Në këto Shtete, ku njeriu modern ka arritur të ngrihet në shkallën e dinjitetit më të privilegjuar, ku përparohet në fushat mendore e lëndore, nuk njohin kufi dhe standardi i jetesës së popujve, nuk ka barazim me popujt e tjerë, Princeshat t’ona gjejnë një botë shumë të pasur, botën që kërkonin për të plotësuar vrojtimet e tyre, në çështjet shoqërore. Danimarka, Norvegjia e Suedia, janë në këtë pikëpamje vendet ideale, Shtetet që meritojnë të merren si model, për sa u përket problemeve shoqnore, që kanë arritur pikën e një zhvillimi të përsosurit. Prandaj Naltësitë e tyre, që kanë ndihmuar vazhdimisht, në zhvillimin e vendit duke patronuar të gjitha iniciativat, përparim dashëse gjetën një kënaqësi krejt të veçantë n’udhëtimin e dytë, ndër vendet veriore të Evropës, që tregohet në këto deklarata që më bënë me rastin e soires së vitit të ri në Pallat.
Deklarata e Princeshës Myzejen
“Mbas udhëtimit t’onë në Amerikë, ku patëm një pritje të ngrohtë dhe të përzemërt, vendosën të vizitojnë edhe Shtetet e Skandinavisë, të cilat na i kishin lavdëruar shumë, veçanërisht për çështje që i interesojnë më shumë vendit t’onë, përparimet shoqnore dhe organizmin e jetës mendore e landore. Gjendja e vërtetë e këtyne shteteve, nuk asht e mundur të përshkruhet me një kallxim të shkurtër përmbledhës. Pikë së pari është një detyrë të shprehim kënaqësinë t’onë të madhe, për pritjen sa më të kandshme aq fisnike t’autoriteteve të nalta, në çdo qytet e qendër të rëndësishme që vizituam. Kalorësia dhe sjelljet bujare të zyrtarëve dhe të popullit, mënyra e ftohtë dhe e përzemërt e këtyne popujve, të japin përshtypjen e parë dhe bindjen se ndodhen në vende ku klima, temperamenti dhe natyra, kanë formuar një tip njeriu të veçantë n’Evropë, që ka mundur me i sigurue vetes një jetë të vërtetë të lumtur mbi tokë”.
Princesha Myzejen flet me ngadalë dhe një kënaqësi e dukëshme i ndrit në fytyrë kur përmend pritjet, shfaqjet e shumta e të tjera nderime. Por siç thamë, Princeshat Mbretërore janë të interesuara veçanërisht për institutet e ndryshme, shkolla, spitale, streha dhe shtëpi ndihmash për popullin e vobegtë etj, dhe këtu bëhet më interesant udhëtimi. E pyes Naltësinë e Saj të më tregojë ndonjë Institut që i ka bërë më tepër përshtypje dhe Ajo vazhdon: “Institutet që patëm rastin me vizitue janë prej atyne që nuk gjen ndër vende të tjerë, është vështirë me dhanë një mendim të saktë mbi ta, po nuk e pe vetë me sy. Për shembull, vizituam një shkollë krejt moderne, ishte krejt e mobilueme me të gjitha orenditë dhe veglat gjimnastikore. Kishte pishinë dhe sipër një taracë të posaçme me instalime, për atë nga nxënësit që nuk janë dhe aq në gjendje të shëndoshë shëndetësore. Taraca ishte e ndërtuar në një mënyrë, që të merrte një sasi nxanësish që bëjshin nga dy orë në ditë kura dielli detyrimisht. Në një shtëpi ndihme për të papunë ose të vegjël, jepeshin ushqime rregullisht çdo ditë, ushqime të pastërta, gjellë të shumta dhe ambëlsina, si në një restorant të dorës së parë”.
Ishte e tepërt t’a lodhnim Naltsin e saj, për të vazhduar në përshkrime të jetës Skandinave. Kjo jetë është një privilegj n’Europën e tronditur nga krizat e shumta ekonomike shoqnore, prandaj një ëndërr për ty dhe aq më shumë për ne. Por studimi i saj intereson në shkallë të gjerë vendit t’onë, që zhvillohet me shpejtësi çdo ditë, sidomos në fushën e një politike shoqnore t’organizuar, në të cilën është bërë një hap mjaft i mirë. Princesha Myzejen na tregon shkurtimisht disa nga vizitat interesante, duke theksuar ndër sa të tjera atë në Uppsala, kryeqytetin shpirtëror të Suedisë, qytetin të kulturës të Universiteteve, Bibliotekave të famshme dhe Katedrales ku varrosen, Mbretërit e Suedisë. Këtu ku banojnë më tepër studentë dhe profesorë, Princeshave iu bë një pritje madhështore, prej studentëve universitarë, të cilët në shenj simpatie për vendin t’onë, nderuan Shqiptarisht me dorën e djathtë në zemër. Një udhëtim plot kujtime të këndshme për Naltësitë e tyre, por edhe një udhëtim tepër i dobishëm, për vendin t’onë në pikëpamje përfitimi nga organizmi i jetës në Shtetet veriore. Në pak fjalë, shkurtimisht, po me një zotësi përmbledhëse të çuditshme, Naltësitë e tyre Mbretnore, shfaqin përshtypjet e vizitës, ndër Shtetet e përmenduna ku u pritën me një fisnikëri të rrallë, prej autoriteteve lokale kudo dhe me nderime të veçanta e pritjet në nderin e tyre, qenë një provë e gjallë e stinës së shteteve veriore për vendin t’onë dhe nderimit që kanë kundrejt Sovranit t’onë August dhe Familjes Mbretnore.
“Patronesha e Lartë e Sportit: N.S.M. Princesha MYZEJEN”
Djalëria Shqiptare, në ndeshjet e saj sportive që zhvillohen për përgatitjen fizike të brezit të ri të vendit t’onë , e ka pas gjithmonë pranë, inkurajuese dhe nxitëse për suksese më të mëdha, Patroneshën e Lartë të Sportit, N.S Mbretonre, Princeshën Myzejen, qoftë kur duhet të thyhet një rekord atletike të lehtë, ose kur lypet të triumfosh në sporte më të rënda, në të cilat të gjitha energjitë, duhet të shkrihen drejt qëllimit të vetëm, që është fitorja e veprimtarisë fizike të fisit t’onë, brenda kufive t’Atdheut, qoftë kur luftohet kundra kundërshtarësh më të fortë në fusha të ndryshme, jashtë Shqipërisë, Rinia jonë, Rinia e Mbretit ZOG, e ka gjithmonë parasysh gazin e ëmbël dhe fjalën burrneshë, të motrës së Shpëtimtarit të Kombit. N.S. Mbretnore, Princesha Myzejen e ndjen sportin jo vetëm si një mjet me të cilin triumfon fuqia e pashkueshme e fisit t’onë , por edhe si një edukatë kalorësie që vjen për t’u mprehur karakteret e ndryshme, që duhet t’u injektohen të rinjve dhe të rejave Shqiptare. Kështu mund të shpjegohet se si atletët Shqiptarë, kur ndeshen me çdo kundërshtarë për triumfin e një sipranije Kombëtare ose ndërkombëtare, tregohen gjithmonë të denjë për besimin dhe për nxitjen, që Princesha Auguste Myzejen nuk kursen t’i japë. Patronesha e Lartë e Sportit nuk mjaftohet vetëm me një inkurajim, kuptim plotë në edukatën fizike t’Atdheut, por ndërmerr shpesh herë marshime të rënda, në krye të rejave Shqiptare, për t’i treguar botës s’onë dhe botës së jashtme, se Shqipëria e re ka vendosur që të bëjë hapa vigane, në çdo shesh të veprimtarisë së saj fizike dhe kulturore. Në këto 10 vjet Mbretnije, rinia e jonë duke qëndruar në gatitu për të përshëndetur kohën e ardhme t’Atdheut, epokat e reja që do të shtohen plot ngadhënjim, në faqet ende të pashkruara të historisë s’onë, i drejton Patroneshës së vet të lartë një “Hero”, që rrjedh nga gjokset e tyre të çelniktë.
“Patronesha e Arteve të Bukura: N.S.M. Princesha Ruhije”
Duke ndërmarrë krijimin e një arti, që të ketë gjurmën e thjeshtë Shqiptare, artistet dhe artistët t’onë, punojnë duke menduar tek N.M.S. M. Princesha Ruhije, Patronesha e Lartë e Arteve të Bukura. I gjithë trashëgimi i humbur mjerisht në kohë, duhet të burrohet për t’i dhënë vendit t’onë, një lavdi edhe në këtë fushë veprimi. Ishim një popull i stërvitun gjithmonë për të qëndruar në armë dhe ndonëse në hijedritat e jetës s’onë shoqërore, shkëlqente ndonjë visarë që na kujtonte një qytetërim të kaluar, jeta e jonë e lashtë, nuk na lejojë që të bëheshim të denjë për shokët, që na rrethojnë përtej kufijve të shenjta t’Atdheut. Arti, kjo frymë shpirtërore, që e mban gjithmonë lart fisnikërinë e një Kombi, iu mohua vendit t’onë. Kjo deri dje. Sepse, një ditë prej dite, një Motër e Mbretit ZOG, N. M. S. Princesha Ruhije, u vu në krye të djelmoshave artistë, për të siguruar një gjurmë përjetësie në shekujt shqiptar. Kur sheshi i një piktori t’onë dhe tablot që do t’i dhurohen më vonë Atdheut, ose kur dora e fortë e skulptorit plasmon, një bust ose një fytyrë dëshmon një jetë shpirtnore, kur vegla e hollë e artizanit shqiptar, qëndisë vizat e holla që do të përbëjnë një tanësi artistike, N. M. S. princesha RUHIJE është aty, pranë. Pranë në trup ose në vegim. Por gjithmonë pranë./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016