Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e dyzetenjë
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
Karroca e Xhikes
O Zot, përhumba në hamendësime, në perden e trurit m’u fanitën skenat me kriminelë, siç i kisha fiksuar nga filmat e librat dhe u tranda i tmerruar, sa gati ulëriva, por ndjenja e zhburrërimit para grave, rezultoi më e fortë se frika. Fytyrat e tyre të skuqura, më ngjallën një valë heroizmi të panjohur gjer atëkohë.
Duket ngriti krye instinkti mashkullor dhe m’u duk vetja burrë.
“Vaj medet në u ligështofshin burrat”! Më shkrepi një dell heroizmi naiv.
“Pse merrni me gratë, ato s’kanë faj”! – pa dashur shpreha mendimet që buisnin në tru.
“Epo mirë, o trim i çartur, po merremi me ty”!
Dy policë më ngritën havadan sa hap e mbyll sytë, dhe më zhytën në një kthinë në të djathtë të hyrjes. “0 bo-bo, ç’kërkova belanë”!
Kur po vrisja rradaken të gjeja një rrugëzgjidhje, m’u ngrehos marshall Novruzi: “Pa na trego, ç’dëgjove në radhë”?
“Asgjë”! – iu gjegja prerë.
“Po ju të tjerët”?
Kur iu drejtua shokëve, ktheva kokën dhe iu shkela syrin për t’i kumtuar heshtjen. Duket më kuptuan sepse, përsëritën njëzëri:
“Asgjë”!
“Si ore, asgjë”?
“Asgjë”! – ngulmuam të tre një gojë.
“A ishit në radhë”?
“Ishim”!
“Dhe as dëgjuat, as patë gjëkafshë”?
“Pamë”!
“Ç’patë, o firaunë”?
“Xhike karrocierin, kur bëri sherr me atë burrin”!
“Kush e nisi i pari”? – zëri sikur u ul dhe toni mori nuanca më njerëzore.
“Xhikja, shoku marshall”! – ia ktheva i trimëruar paksa nga mënyra e trajtimit. Guxova sepse, me të birin e marshallit, isha shok klase dhe pak konkurrent në mësime:
“Shoku marshall, pyet Ilirin tënd, ne s’jemi sherrxhinj”? – i përmenda të birin, me shpresë ta zbusja.
“Epo mirë, ikni nashti dhe sus! E morët vesh”? – dhe na ra nga një shqelm në të pasmet.
“Sus! E morët vesh”? – na kërcënoi me gjeste dhe na shtyu jashtë dere.
Duke kaptuar pragun ktheva kryet dhe e nëma atë cep llahtari, por u kujdesa të mos çilja buzët. Pak më tej ish kapardisur me një gotë raki Xhikja, sy ënjtur nga grushtet. Sa na pikasi u ngërdhesh dhe u koll dy-tri here, si të desh të thoshte:
“Mos u kruani me mua, se kam tërë policinë prapa dhe iu fus në burg”, vërtet shteti, u vu në shërbim të atij zorraxhiu. Pas cepit të kinemasë, ku s’më hetonte syri qesëndisës i jevgut, ndala dhe i hodha një pështymë godinës së mallkuar, pa m’u ndërmendur se pas ca vitesh, bash këto murishte, do bëheshin shtëpia ime.
Se imagjinoja dot, si mund të përfundojë në burg pa shkak, një njeri paqësor, ku rendisja veten. Kali hingëlliu dhe harkoi bishtin, pshurri dhe jashtëqit, si ta bënte me kast. Hingëllima, pshurrja dhe bajgat që binin topa-topa, formuan një pirg në këmbët e pasme, duke më ndërgjegjësuar për vendin nga dola, avulli erërëndë ma shpifi dhe më kujtoi praninë e karros-burg. Këqyra shokët, po edhe ata kishin shtangur të nemitur.
“Lanet qofshi”, – mallkoi i pari. “U shofshi të tre”, – nëmi i dyti.
“Mos ta pafsha bojën dhe mos ta dëgjofsha emrin”, – e mbylla unë, pa specifikuar kujt iu drejtova, godinës, Xhikes, kalit apo karro-burgut. Shfremë dufin dhe u nisëm të shpërlanim bajgat te Zarizani. Mbase në ujin e lumit, lanim edhe gjynahet e burgut. Qysh të nesërmen i shpëtova radhës, por jo fantazmës së Xhikes dhe karro-burgut të flamosur.
Si të parandienin rrezikun, prindërit më tërhoqën nga çdo angazhim dhe ua ngarkuan detyrën vëllezërve të mëdhenj.
Mallkimi i karro-burgut
Dy orë trysni në godinën hijerëndë, “shëtitja” me karro-burgun e mallkuar, vështrimi prej spiuni sfidues dhe hingëllima e kalit, do linin mbresa të pashlyeshme mbi intelektin miturak. Sa shihja rropulli bagëtish më përzihej, një neveri e pashpjegueshme më paralizonte aktivitetin psikomotor, gati-gati pësoja infarkt.
Qysh asohere, Zengjeli dhe Koçi, që ishin goxha burra, më kallnin datën. Kur kryqëzohesha me Xhiken apo, karro-burgun e tij, ndërroja drejtim. Kur s’mundja, ulja kryet, mbyllja sytë, zija hundët dhe mbaja frymën, gjersa të largohej trinomi i nëmur; “Xhike-karro-kalë”.
S’di pse m’u fiksua se ai dilte qëllimisht dhe priste të më përpinte në errësirën e sharabajkës, mes aromës së qelbur të bajgave, që të merrnin frymën. Mu shpifën të gjitha karrocat. Kur dëgjoja trokun e një kali, shoqëruar gërvima e rrotave mbi kalldrëm, më ngrihej leshtë dhe një flakë virtuale që vinte nuk di nga ç’burim nxehtësie, i ngulitur në kujtesën e sëmurë, më përcëllonte lëkurën. Karro-burgu me rrapëllimën e rrotave, trokonin në brendësi të trurit, më torturonte edhe në ëndrra.
Teksa kamxhiku më fshikullonte mendimin, duhma e bajgave më shkaktonte alergji, sa isha kail të merrja nga sytë këmbët dhe të ikja, të ikja e të ikja përtej horizontit. Qysh nga ajo ditë e largët korriku, trinom i nëmur; “Xhike-karro-kalë”, do më ndiqte nën qasjen e maces së zezë, mbase m’u taks të bëhej pararendësi i auto-burgut.
Gjithsesi, Xhikja me karro-burgun e tij, do mbeteshin makthi im, pika e dobët dhe më e dhembshme, edhe pasi do më hipnin e zbrisnin disa herë në auto-burgjet e shtetit. Kjo treshe e mallkuar, më kish zënë pusi diku në qelëzat e trurit dhe mësynte herë pas here, bedenat e kujtesës.
Nga fundvitet shtatëdhjetë, kur Mentor Xhemali këndoi këngën e famshme: “Mora rrugën për Janinë”, jam ndjerë ligsht. Ndonëse e admiroja Mentorin si artist gjenial, me zërin e papërsëritshëm dhe unik në llojin e vet, që shprehte nëpërmjet mimikës hidhërimet, brengat, dhimbjet, gëzimet e personazhit.
Kur përsëriste vargun:
“…bashkë me arabaxhinë, epo, natën-ë-ë-ë!…, më fanitej Xhikja dhe karro-burgu i zi, më i errët se nata dhe gjithë arabaxhinjtë që uleshin në pope, i identifikoja me Xhike zeshkanin, gagarelë, të hollë, të gjatë, pak qejflinj femrash, pak pijanecë, pak fodullë, pak llapaqenë, pak spiunë, pak injorantë, pak shpirtkazmë; ndërsa arabanë ku kish zënë vend udhëtari, që do t’i grinin mëlçinë, me karro-burgun që qelbej erë bajgash, e të nxirrnin sytë luzmat e mizave.
Dhe kur zvargonte zërin:
“…isha vetë-ëm-o-o”, s’di si përmbahesha pa klithur: “Zbrit Mentor nga arabaja, Xhikja i pabesë, s’po të çon në Janinë, por në derën e burgut të Beratit”.
Dhe kur ndalte për t’i lënë radhën klarinetës, që ruante kadencën me akorde si klithma vaji, unë ngashërehesha dhe shtoja me shpresë të më dëgjonte:
“Hidhu nga arabaja i dashur, se përfundove ‘dhëndër në karron e Xhikes’”. Por ish vonë, tashmë këngëtari kish nisur strofën e dytë:
“Copa ma grinë mëlçinë, edhe zemrën-o-o-o”!, dhe unë ulërija nën peshën e makthit: “Qyqi ti, edhe shpretkën, edhe plëndësin, edhe zorrët, tërë rropullitë”!
“Si u mashtrove Mentor, të shkërbesh karro-burgun e Xhikes, me arabanë e udhëtarëve, kur ajo është një karro plëndësi e zorrësh”!? sa s’plasja nga ankthi, që më shkaktonin dhimbjet e pamerituara të këngëtarit brilant.
Vite pas episodit me karron e Xhikes, do bija pre e padrejtësisë. Unë besimtari i Temit, mbase kisha lindur në kohë të gabuar, në vendin e gabuar dhe nga prindër me biografi të papërshtatshme, për jerarkët komunistë, që për të fituar pushtetin, premtuan drejtësinë, por nxitën padrejtësinë dhe kallën urrejtjen, mbollën grurin dhe korrën egjrën!
Kjo klikë e dhunshme instaloi regjimin mostër, sistemin auto-burg, auto-kllavë, auto-censurë, auto-kritikë, auto-biografik! Me këto terma vetë demaskuese, komunizmi dënoi gjenetikisht kë deshi, praktikoi shprishjen e A.D.N.-së nën okelion: “ç’lind nga macja, gjuan për minj”, dhe i dha jetës dilema hamletiane: “o të zgjidhte prindërit, para se ta ngjiznin, o të suportonte pasojat e biografisë së paraardhësve, të padëshiruar për regjimin”!
Drejtuesit komunistë deklaronin haptas:
“Armiqtë e Partisë, janë edhe armiq të popullit dhe të klasës, nga të cilët lindin të tjerë armiq, nga këta të tjerë e të tjerë, ndaj t’i izolojmë, t’i zhdukim, t’i shkulim me rrënjë”!
Këtë devizë e shtruan në popull dhe nxitën urrejtjen, deformuan gjenin, kallën homofobinë, futën molën e dyshimit dhe spiunllëkut, tej mbushën burgjet me mijëra të pafajshëm, zhdukën ajkën e kombit dhe intelektualë. Kush trashëgoi gjenet e të deklasuarve, iu desh të paguante kusuret e prindërve të ndershëm apo, të gjyshërve e stërgjyshërve që s’i njohu kurrë.
Përrallat me “drejtësi” kundër “padrejtësisë”, u tretën si kripa në ujë. Unë që besoja, se “Zeusi” do shkarkonte rrufetë mbi kryet e intrigantëve, do zhgënjehesha ligsht. Duhej të përfundoja “shëtitjen” trajnuese në Had, fillimisht me karro- kurgun e Xhikes dhe pas ca vitesh, me auto-burgun e shtetit, që të pikasja papërvojën time naive dhe të mësoja ato që as i kisha imagjinuar, se mund të ndodhnin:
Padrejtësinë që triumfonte mbi të drejtën dhe ngulte çaponjtë e hekurt mbi delektin dhe nderin, duke imponuar gojë-kyçjen kolektive, heshtjen vrastare, hipokrizinë dhe shprishjen e personalitetit human”!
“Shëtitje” nëpër rrugët e ferrit
Ngjarja më poshtë, i përket ditës kur më hipën së pari në auto-burg dhe na nisën nga qelitë e Shkodrës, për në zemër të Mirditës. Po e lashë qëllimisht pa e përfshirë në volumin paraardhës, sepse lidhet me makinën burg, ndaj mendova t’i jap vend në këtë pjesë.
Na ngucën edhe ato pak plaçka që dispononim dhe na lidhën të gjashtëve, dorë më dorë, me gjermanka. Veç prangave, dy të skajeve, ua lidhën dorën e lirë pas një vjegëze fiksuar në spond dhe kur u siguruan se na shndërruan në një zinxhir mishi dhe hekuri, mbyllën derën me shul e, me dry.
Mes territ total, m’u dukën lule birucat!
“Tash na krodhën n’terr”! – se kush foli. Por si nuk i kthyen përgjigje, përsëdyti:
“Na kaploi terri, or miq!”
Në atë pus dihatnin dhe frymë merrnin pasagjerë pa fytyra. Ndonëse udhëtonim kokë më kokë, s’dallohej askush.
“Pse s’thua na zhytën në varr”! – fola kot, pa ditur në përforcoja parafolësin, apo bindja veten. Policët që mesa dukej do na shoqëronin në destinacion, na pyetën para se të na lidhnin, e të na rrasnin në pus:
“Keni pshurr, bre”?
Si s’u ndje njeri, na u drejtua njëri pas tjetrit:
“Ke pshurr, or tëj”?
“Po”!
“Po tëj”!
“Po”!
“Po tëj, o cull”? – m’u kthye mua.
“Po”!
“Paçit vedin m’qaf, deri të mbërrini n’vend, ka me ju shkue shurra curril, keni m’e pa”!
S’e mora vesh në kishin qëlluar shpirtmirë, apo e kishin detyrë.
“Ani, nisuni bre”! – ia ktheu Luigji që mezi priste.
“Je n’auto-burg or zotnëj, ka me t’tund e t’shkund, si me ken fuçi uthulle”! – dhe mbylli derën. Po përtypesha kur dëgjova emërtimin “auto-burg”:
Auto! Auto-kllavë, auto-censurë, auto-kritikë, auto-biografi, auto-varr! Dreq, nga doli ky auto-burgu? Mesa di “auto” përkthehet “vetë”; vetë-kllavë, vetë-censurë, vetë-kritikë, vetë-biografi; dakord; ama vetë- burg nuk shkon! Si mund të vesh me këmbët e tua në burg, apo në ferr? Ky është kumti!
Ndonëse ai e theksoi “auto-burg”, mua m’u duk pa kuptim.
“Kush është ai njeri normal, që të vetë-burgoset, o të kam rixha?! Mbase termi ‘auto-varr’, do t’i përshtatej më së miri territ ku na zhytët”?
Doja t’i kthehesha policit, po kafshova gjuhën dhe thashë:
“Në auto-varr, më saktë”!
“Njitu kena me dek, e Zoti, s’dihet ku kanë me na varrue”! – plotësoi një tjetër.
“Ani, do vujm nji fije, po iu pshtum birucave”! – u rrek Luigji të ngrinte moralin.
Kasa e llamarintë regëtiu dhe auto-varri u zhvendos paksa, gjersa u shtuan uturimat, që u pasuan nga një frenim i beftë.
Ec e ngec dhe ngec e ec, na trandi mirë e bukur, futi një gulfë tymi nga baxha dhe turfulloi. “U nis, burra!
“Për ku”?
S’bëzani kush, sepse s’ke si i përgjigjesh misterit. Pas një pause, që s’di sa zgjati, njoha zërin e Luigjit:
“Gjithkah do jena ma mirë”! – kakarisi gazmend që po iu largohej qelive, ku s’u ngop ndonjëherë. Në terrin e auto-varrit, pllakosi heshtja.
“Varri mbjellka trishtim edhe kur qenka me rrota”! – filozofova unë.
“Ehu-u, terri pjell mërzi, heshtje, monotoni”! – shtoi Ladi.
“Po varri”? – se kush pyeti.
“Varri? Po se po”! – ia patën prej territ.
“Edhe kur është kolektiv”? – ndërhyra unë.
“O-ooo, ma zi ala, kanë me na u përzje ashtat, mysybet Zotit”!
Ec e ec dhe ec e ec, motori gulçoi mbi një sahat, pastaj heshti dhe makina ndali.
“Ku mund të jena, burra?
“Dreçi e merr vesh”!
Brenda varr-burgut mbizotëronte shurdhëria dhe verbëria totale.
“Merreni edhe këtë”! – ca zëra të mekur depërtuan llamarinën dhe shpuan perden e territ.
“Na kena me e marr”?
“Kush tjetër, eh burrë”!
“S’kena vend”!
“Zhyteni mes anmiqve, s’u prish punë nji ma pak, nji ma tepri”!
“Anmik asht ene ky”?
“Jo bre, po njisoj kanë me e mbyt”!
“Kena rrugë t’gjatë, or shoq”!
“Shtrëngoniu nji fije dhe bani si t’bani”! – i dha zemër i pari.
“Për ideal t’partëjs, jena shtrënguem fort. S’keni ndonjë mjet tjetër, a”? – u ankua dikush.
“Jena n’vit kursimesh, ta marsha! Partëja porosit me kursye gjithçka e gjithkah dhe jo me harxhu karburant, me nji kriminel”!
“Rrnoftë Partëja”!
“Të k’noftë goja, ej burrë i dheit”!
Heshtje, një gumëzhimë që u pasua nga urdhri:
“Plaseni n’Degë e, bani ma tej”!
“Ba me na dek rrugës”?
“Ani he burrë, nji kriminel ma pak”!
Mbas një dekike, çelën derën, diç hodhën dhe e mbyllën sakaq, më shpejt se e hapën. Sërish në terr.
“Udhë e mbarë, burra”! – se kush formuloi një përshëndetje.
“Turqeta, ju”! – dhe varr-burgu uturiu.
Me sa dukej do qëndronim diku, të dorëzonin ngarkesën dhe do vazhdonin më tej. Po ku?
Dreqi e merrte vesh! Bashkudhëtar me krimin, diç më lëvizi para këmbëve.
“Kush je”?
Heshtje.
Sërish përpëlitje të kërcinjtë.
“Nga je”?
Mbretëroi heshtje ndaj e kyça.
“Do jetë ndonjë i lajthitur” dhe humba në andrallat e mia. Por përpëlitjet u shtuan.
“Kush je he burrë”? – zëri i ngjirur i Luigjit.
“Frani”! – një hungërimë e mbytur gati në të shuar, erdhi nga dyshemeja.
“Prej kah të kena, Fran-a”? – një verior. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016