Pjesa e tretë
Memorie.al / Rrëfimet e shkrimtarit Petro Marko, ish-luftëtari i Brigadave Internacionaliste në Luftën e Spanjës dhe i Tiranës, tregon prapaskenat e Luftës dhe pse Koçi Xoxe urrente Enverin?! Porosia e Sejfulla Maleshovës: “Kjo është parti terroriste, mos hap gojën, se do e pësosh…”! Pjesë të zgjedhura nga libri “Intervistë me vetveten”, i shkrimtarit të njohur shqiptar Petro Marko.
“Intervistë me vetveten”
Autori Petro Marko, shfaqet gjatë rrëfimit të historisë së tij në “Intervistë me vetveten”, si një krijesë mitologjike, e lindur ta mbajë shpatën ngritur dhe të gatshme për të goditur të keqen kudo qoftë ajo, i bindur se ashtu e pastronte dhe qiellin e tokës së vendlindjes. Me këtë besim madhor, Petro Marko pas vitesh e betejash të pandërprera nëpër Evropë, më 1944, do të kthehet në Shqipëri. Në moshën 30- vjeçare, por me aq bëma mbi shpinë, sa në jetën e një njeriu të zakonshëm nuk mund të ngarkohen as për një shekull, Petro Marko sa qe gjallë, do të përjetojë në atdhe zhgënjimin dhe dhembjen më të thekshme.
Ditët e para në Tiranë, pasi e emërojnë përgjegjës shtypi, i caktojnë shtëpinë ku do të jetonte. Vonë në mbrëmje, që natën e parë, ai do jetë dëshmitar i një takimi trishtues me familjen dhe pronarin e vilës: “Shoku Petro na kanë dhënë urdhër t’jua lëshojmë shtëpinë me krejt çka ka në të, ku do të vendosemi dhe a mund të marrim me vete ndonjë gjë personale”, e pret zonja e shtëpisë duke u dridhur. Petroja trishtohet, lë shtëpinë dhe kërkon sqarim nga shokët – mos është ndonjë gabim apo keqkuptim?
Kështu e fillon rrëfimin e vet në veprën voluminoze “Intervistë me vetveten”, që është një nga dëshmitë më rrëqethëse për atë që do të vinte dhe do ta mbërthente Shqipërinë gjatë diktaturës Komuniste. Po ashtu do ta detyrojnë Petro Markon që të futet nën tutelën e gazetës “Borba” të Beogradit. Por ai nuk pranon: “Ne kemi më shumë traditë, jemi vazhduesit e gazetës “Bashkimi i Kombit” para Lufte, le të mësojë “Borba” nga ne”, e këtu do zinte fill kalvari i ri i burgosjeve dhe persekutimeve të një egërsie që nuk e kishte provuar më parë.
Një bashkëluftëtar nga Italia, pas afro 50 vjetësh, diku para vdekjes, do t’i thotë Petros: “Shkruaje rrugën, historinë tënde se ajo vlen më shumë se 100 romane”. Dhe vërtet, libri “Intervistë me vetveten”, është historia për gjysmë shekulli e Shqipërisë. Përmes kësaj vepre njihet më mirë drama e kombit.
“Sejfulla Malëshova, i kritikonte masat që po merreshin, se ai vinte nga Bashkimi Sovjetik, ku kishte parë dhe jetuar mjerimin në të cilin ishte zhytur populli me masat që mori Stalini. Me sa kam mundur, e kam përshkruar në gazetë jetën e viteve të para gjer më 1947. Sejfullai, që vinte shpesh në redaksi dhe shtrihej në divanin e zyrës sime, më thoshte pak a shumë: “I madhi (Enveri) bën ç’ti thonë jugosllavët, të cilët, përveç që na rrjepin, por edhe na diktojnë ligjet e tyre antishqiptare…”! Më shikonte me ata sy të zgjuar dhe njerëzorë dhe më thoshte: “Kujdes…se po krijohet një situatë e rrezikshme për ne…”! Dhe me të vërtetë kjo situatë erdhi.
Unë i shpreha mendimin që të nxirrnim dhe një fletë satirike, si hor-teks i “Bashkimit”, një herë ose dy herë në muaj, se ne, të “Bashkimi” kishim një rubrikë “Qesh e ngjesh” dhe kishte shokë si: Nonda Bulka, Zihni Sako, Mark Gurakuqi e të tjerë që e mbanin atë rubrikë të përditshme. Ai e pranoi, që ta quanim “Hosteni”, si vazhdim i traditës së shtypit tonë të mëparshëm satirik: “Purteka”, “Dajaku”, “Shkopi”, “Shufra”.
Në fillim nuk qe dakord t’ia vinim emrin “Hosteni”, se ne synojmë të bëhemi një shtet industrial, – thoshte, – dhe jo vetëm bujqësor”. Por pastaj pranoi, se “Hosteni” vetëm shponte, nxite për punë. Kështu, filluam të botonim “Hostenin”. Testaton dhe karikaturat i bënte shoqja ime Safo, e cila në fillim nuk deshi se “unë dua të pikturoj,- thoshte,- dhe jo të bëj karikatura…”! Më vonë morëm karikaturistë të tjerë, si Fadil Pullumbin, gjersa mbajtëm Zef Bumçin, një karikaturist shumë i talentuar.
Besoj se s’ka vend të flas shumë për “Bashkimin”, gjersa unë i kam përshkruar pak a shumë hapat e parë të ecjes së republikës sonë në atë gazetë. Kudo populli thërriste: “Enver-Tito”, dhe ne vetë, me Enverin në krye, thoshim dhe shkruanim se pa Titon nuk do të ishim çliruar. Kudo vareshin flamuj të gjatë jugosllavë bashkë me flamurin tonë. Shumë herë flamujt jugosllavë merrnin flakë, digjeshin nga njerëz të panjohur. Nëpër mure shkruheshin parulla kundër Titos. Thoshin se rruga për në Moskë, kalonte nga Beogradi.
Në zyrë më vinin shpeshherë shokë të vjetër, si Zef Mala, që punonte në bibliotekë, bashkë me Minella Kolekën, qe edhe ai punonte në bibliotekë. Flisnim ashtu siç mendonim, se ishim shokë të vjetër dhe besnikë ndaj njëri-tjetrit. Vinte aty dhe Hasan Reçi, Koço Boshnjaku e shokë të tjerë që, nuk po e duronin dot pushtimin e Shqipërisë nga Titoja.
Pyetje: Pse, pushtim e quanit ju “vëllazërimin” me popujt e Jugosllavisë?
Përgjigje: Unë këtë, shumë vjet pas çlirimit, ia shpreha dhe Torezit, sekretarit të partisë komuniste franceze, i cili kishte ardhur këtu për pushime. Ishim në Pogradec, unë dhe familja ime. Unë me vajzën time të vogël, Arianita, ishim përballë shtëpisë së pushimit të kuadrove. Rrinim buzë liqenit me kallamin në dorë, kur dikush me zuri sytë dhe unë i fola të më linte, se do të më shpëtonte peshku, që kishte rënë në grep. Ktheva kokën dhe njoha Torezin. U habita. U ngrita dhe e përqafova.
Unë e njihja atë, se e kisha parë në Francë, ku isha anëtar i partisë, e kisha parë dhe një herë në Albacete të Spanjës. Puthi vajzën time të vogël, e cila i fali peshkun që zumë, dhe shkuam pak më lart, para shtëpisë së pushimit, ku ishin ulur shumë veta, midis të cilëve Zhaneta, një franceze me gjithë të shoqin dhe djalin e tyre, Gogo Nushi, Rita Marko, Behar Shtylla, Javer Malo e shokë të tjerë franceze.
Filluam të bisedonim dhe aty dëgjova për herë të parë se gjatë Luftës Antifashiste në Spanjë, ai ishte i ngarkuar nga Kominterni që armët sovjetike, t’i sillte në Spanjë me një brigadë trimash marinarë francezë, nga Murmansku, në Austri. Unë i thash se e kisha dëgjuar disa herë të fliste në Francë, dhe se i mbaja mend ato që kishte thënë.
Por fjalimi më i fortë ishte ai që mbajti në Shamberi, pranë kufirit me Italinë, ku midis të tjerash tha: “E bien, monsieur Mussolini, l’Europe d’aujourd’hui est fascist! Europe du demain sera comuniste!” Ai fliste mirë për Stalinin. Pastaj me pyeti: “Pse e keni prishur me Titon”?!
Unë i thashë: Ja, pyet këta shokët e Byrosë, që i dinë të gjitha.
“Jo! – tha ai, – Unë e dua prej teje, prej një vullnetari të lirisë, të më thuash të vërtetën”.
Gogoja ma bëri me shenjë që të flisja. Dhe unë fillova: – Shqipëria është pushtuar disa herë. Italia, për të hedhur hi syve, e mbushi Shqipërinë me gjithë të mirat. Erdhi Greqia gjatë luftës Italo-Greke dhe ia desh puna që jugun tone, ta mbushte me të mira. Erdhën gjermanët dhe nuk na morën asgjë, përveç njerëzve tanë që i shpunë në kampet e shfarosjes në Gjermani dhe Austri.
Tani, shoku Torez, të flasim të drejtën: besomëni se pushtimi më i egër ka qenë dhe mbetet pushtimi nga jugosllavët. Ata erdhën këtu dhe na plaçkitën. Shqipëria ishte një depo e madhe e stërmbushur me materiale që solli Italia dhe tregtarët shqiptarë, sa për vite të tëra, nuk kishim nevojë të importonim asgjë. Po jugosllavët ditë e natë, na plaçkitën dyqanet, depot, magazinat… nuk na lanë asgjë…! Unë fajin ua hedh shokëve, – dhe tregova me dorë grupin e shokëve prezentë aty. – Ata pse i lanë…?!
Pastaj, me politikën e tyre të Rankoviçit, arrestuan dhe vranë shumë intelektualë, specialistë dhe patriotë që shprehnin dëshpërimin se Jugosllavia, na kishte katandisur skllevër të saj. Ja, edhe unë isha tre vjet në burg, pse u zura me ambasadorin jugosllav. Dhe, sikur të mos ishte demaskuar Titoja nga Informbyroja, edhe unë sot nuk do të isha gjallë, siç nuk janë gjallë me qindra e mijëra komunistë të ndershëm, luftëtarë që vuajtën në burgjet e Italisë dhe që pastaj i akuzonin si agjentë amerikanë dhe i pushkatonin…! Ja ky ka qenë Titoja, shoku Torez!
“Po a janë të vërteta këto”? – më pyeti duke u hedhur një sy dhe shokëve të tjerë. Asnjë nuk foli, përveç Gogos, që tha se “Petroja i ekzagjeron pak, se ka qenë në burg…”!
Zhaneta tha: Gjëra fantastike! Gjëra fantastike!
Pastaj i thashë Torezit: A mund t’ju bëj një pyetje?
“Posi, me gjithë qejf”! Pse e përjashtuat Andre Martine nga partia?
Ai ktheu sytë nga Zhaneta: “Përgjigju ti”! – i tha.
Ajo lëvizi e nervozuar dhe, duke mos më parë në sy, foli: Ai ka bërë gabime fatale. Në një mbledhje kishte thënë se; kur Ushtria e Kuqe të na sulmonte, ne do të luftonim me të gjitha forcat tona, si me një agresor. Pastaj, ai i ndalon shokët spanjollë të kthehen e të punojnë në Spanjë, se ka frikë mos i zë Frankoja. Saboton luftën e partisë spanjolle”.-
Heshti, dhe shikonte liqenin, kurse Torezi më pyeti me zemërim: “A të bindi shoqja”?- E the këtë me zemërim dhe ironi, se, siç u kuptua, ajo do të ketë qenë shkaku i përjashtimit nga partia te Andre Martise, figurës më të ndritur të Kominternit, heroit të Detit te Zi dhe komisarit të Brigadave Internacionale në Spanjë…! Kaq për Torezin.
Pyetje: A bisedonit gjë me Sejfullanë?
Përgjigje: Ai më vinte shpesh në redaksi dhe unë i shkoja shpesh në shtëpi. Pas aq kishte thënë në fillim, ai heshti. Nuk fliste më për situatën. Nuk zinte njeri në gojë. Me fliste për përkthimet që bënte dhe që do të bënte nga shkrimtarët e mëdhenj rusë. I kishte shkruar Fan Nolit që të vinte, dhe ai i përgjigjej se; mund të vinte nga prilli, ose më vonë. Dhe, meqë ra fjala për Fan Nolin: Kur vajti Mehmet Shehu në Kombet e Bashkuara, i bëri tri letra Nolit:
Letra e parë: Pasi unë nuk mund të largohem nga Nju-Jorku, ju lutem të vini të takohemi.
Letra e dytë: Kam porosi nga populli shqiptar dhe nga pushteti ynë që ju, të vini në Shqipëri, se për figurën tuaj ka shumë nevojë populli ynë, për të cilin keni bërë shumë. Ju do të keni të drejtat materiale të një kryeministri, dashurinë dhe respektin e pakufishëm, si dhe mirënjohjen e gjithë popullit tonë.
Asnjë përgjigje.
Letra e tretë: Imzot, të gjitha i besoja, po që Noli të ishte frikacak, nuk ma merrte mendja kurrë. Këto na i ka thënë vetë Mehmeti, kur i shkonim si grup i Spanjës, për t’i uruar ditëlindjen çdo 10 janar.
Më 28 nëntor të viti 1952, kur kremtonim 40-vjetorin e pavarësisë, e kam dëgjuar vetë Nolin, me veshët e mi, të fliste në radio nga Amerika, pak a shumë: “…O ti që je në fuqi me hanxhar në dorë, për të prerë kokat e patriotëve, thuamë ç’po bën…?! Shqipëria pret një Shën Kostandin, për të shpëtuar nga kjo kasaphanë…”!
Më kujtohet në fronin e Arragonës, kur një gjerman tankist, pasi mori vesh se jam shqiptar, më tha: “Në Hamburg, me 1928, bëhej Internacionalja Fshatare dhe referatin e mbajti shqiptari Fan Noli”.
Pyetje: Po si u martove me Safon?
Përgjigje: Shumë thjeshtë. Një martesë e papritur. Dhe ja: Kur erdhëm nga Berati, në fund të tetorit, dhe banonim në hotel “Dajti”, hynin e dilnin shumë të rinj e të reja. Më tërhoqi vëmendjen një vajzë shumë simpatike, e veshur me pantallona si vajzat e Grenobit, kur shkonin për ski. Më vonë, kur bëhej Gjyqi Special, një shoqe, Harxhi Haxho, ish-partizane, ma prezantoi atë vajzë që unë e kisha vënë re në hotel “Dajti”, dhe mu duk nga afër, më e bukur se atëhere kur e pashë për herë të parë.
Pas disa javësh më merr në telefon Liri Gega, që ishte presidente e Bashkimit të Grave, dhe më thotë se do të më dërgonte një shoqe që të punonte atje, për të marrë eksperiencë në gazetë. Ma dërgoi! Ishte po ajo vajzë që pashë në hotel “Dajti” dhe në sallën e Gjyqit Special. Ajo u ul kundruall meje, pak e skuqur. E pyeta: A je e martuar?
– Jo! A dashuron njeri?
– Ajo u skuq më tepër dhe më tha “jo”
– Atëhere ti do të bëhesh gruaja ime!
Ajo uli kokën dhe iku pa më thënë asnjë fjalë. Qesha me vete dhe thashë me zë: “Si shumë u nxitove, o Petro! Nuk e di se këtu je në Shqipëri dhe jo në Francë”?!
Vërtet më erdhi shumë keq dhe turp që u nxitova dhe harrova se ku isha. Kur ç’të shoh! Të nesërmen erdhi përsëri në zyrën time. U gëzova pa masë dhe i kërkova ndjesë për ato që i thashë të djeshmen, ajo nuk fliste, po më shikonte. Përsëri unë, i trullosur si peshku në sterë: Ti, që sot, je gruaja ime!
Ajo qeshi. E mora për dore dhe zbritëm poshtë, në pastiçeri. Unë piva një kafe, ajo piu një gazoz. Dhe që atëhere ne dilnim bashkë. Në ditët e njohjes, midis të tjerave i recitova këto vargje të miat: “Ti o mjeshtër, merr një shkëmb/ Rrihe fort e me ngadalë, / Jepi trup e kokë e këmbë, / Vetëm zemër mos ia fal”. -Ia kisha kushtuar këtë poezi skulptorit Odise Paskali.
Sofoja porsa e dëgjoi tha: Po unë i di këto vargje. I mbaj mend shumë mirë.
Ajo më tregonte se babai i saj, Shefqet Çelo, i cili kishte qenë mik me Branko Merxhanin qysh në Stamboll, ku kishte kryer fakultetin në shkenca politike. Ai ishte i abonuar në shumë organe të shtypit të asaj kohe, por mbi të gjitha parapëlqente “Përpjekjen shqiptare”. Safoja më tregoi se Brankoja, i kishte thënë babait të saj se, atë poezi e kishte shkruar një djalë shumë i talentuar, të cilin e kishte marrë në punë te “Përpjekja”. Çudi!
Para se të tregoj për tragjedinë e familjes sime, dua të them edhe këto: Shumë nga ata që kishin qenë në shkollën Teknike të Fultz-it, ishin arrestuar si spiunë amerikanë. Shumë nga ata që mund të takoheshin rastësisht ose në tavernën e hotel “Dajtit”, me ndonjë nëpunës të UNRRA-s, arrestoheshin si agjentë anglo-amerikanë.
Situata politike kishte ndryshuar
Erdhi koha që misionet anglo-amerikane s’mund të qëndronin më në Shqipëri, dhe vendosën të largoheshin. Unë dhe gazetarë të tjerë si, Shefqet Musaraji, Javer Malo etj., përcollëm në aerodrom misionin amerikan. Zoti Jakobs, shefi i misionit, një burrë i mençur me autoritet, më hodhi krahun dhe më tha: “Zoti Marko! Ne po largohemi, se po marrim në qafë shumë shqiptarë. E shohim se shihemi këtu si armiq. Po dua t’ju them vetëm këtë: “Ju mund të shani Rusveltin, Hajzenahauerin e të tjerë, mua dhe të gjithë autoritet amerikane, por jo kurrë flamurin e lavdishëm të Amerikës. Ju atë e keni poshtëruar. Amerika këtë s’ka për ta harruar kurrë, kurrë”! – më tha me zemërim. Këto shkova dhe ia tregova Koçit, dhe ai më tha: “Ne jemi kampi socialist”.
Pyetje: Si nisi tragjedia jote?
Përgjigje: U kurdis një skenar. Nako Spiru provokoi një mbledhje në redaksi me Frontin, se Fronti ishte ai që përfaqësohej nga “Bashkimi”. Ishin: Omer Nishani, Shefqet Beja, Nako Spiru, Behar Shtylla e të tjerë. Ishte i dërguar “gjoja” nga Ministria e Brendshme N. H., por në të vërtetë mendova se ishte i ngarkuar nga Nakoja. Unë nisa të bëja një raport për gjendjen e gazetës, nisa për disa kërkesa, në anën materiale, sidomos për letër rrotative e te tjera.
U ngrit N.H. dhe tha midis të tjerash se; Petroja na “mburri” këtu “Bashkimin e Kombit”, që shtypej po në këtë shtypshkronjë dhe dilte më bukur e më i madh. Harrova të them se, disa ditë më pare, Nakoja më kishte thënë që ta bënim “Bashkimin”, si “Borbën” e Beogradit. Unë e kisha kundërshtuar me po ato fjalë që i thashë dhe N. H. në mbledhje, se dhe ai nxori nga xhepi një “Borba” dhe tha se, edhe ne duhet ta bënim “Bashkimin” si “Borbën”.
Unë shkova në dhomën tjetër, mora koleksionin e “Bashkimit” të vjetër. Pastaj ne kemi shtypin tonë, siç ka çdo vend shtypin e vet. Çdo shtet ka traditën e shtypit të tij. Ne me “Borbën”,- thashë,- ndryshojmë nga forma, por kemi po atë përmbajtje, ashtu si në Itali “Unita”, si në Francë “Humanite”, si në Greqi “Rizospastis” e të tjera.
Cilido mban formën kombëtare, ashtu dhe “Bashkimi” ynë, mban formën kombëtare. N.H. nguli këmbë aq sa më bëri të nxehesha e të thosha: “Pse të mos bëhet “Borba”, që është më e re, si “Bashkimi”, që është shumë i vjetër”! Pas disa diskutimesh qetësuese nga Omer Nishani, thanë ta mbyllnim mbledhjen.
Pas disa ditësh Jugosllavia kishte një festë dhe ne të kulturës (të Radios, Agjensisë Telegrafike dhe të shtypit) ishin të ftuar në ambasadë. Dhe shkuam në Ambasadën Jugosllave, për të uruar. Unë kisha marrë me vete edhe shoqen time, Safon. Josip Gjergja, ambasadori, më mori pranë dhe flisnim shqip. Ngritëm gotat. Kur e çeku gotën time, më tha: “E, në mos u beftë “Bashkimi” si “Borba”, le të bëhet “Borba” si “Bashkimi”…”!
Gotën as nuk e vura fare në buzë, por e lashë mbi tryezë. Ai buzëqeshi me ironi dhe më tha: “Pse”? I thashë: Ju nuk i njihni mirë zakonet tona. Ne themi se “hallet e shtëpisë, nuk dalin në pazar!” Edhe ai uli gotën dhe e la mbi tryezë. Më pa me ironi dhe më tha me zë autoritar: “Unë nuk jam Pazar”!
Atëhere, unë iu përgjigja: Në këtë rast, për mua po! Mora shoqen time dhe ika. Asaj nuk i thashë se ç’ngjau, por se më merreshin mendtë nga pagjumësia…!
Të nesërmen, ishte kohe e bukur; kisha marrë Safon për krahu dhe shëtitnim në bulevard. Aty përpara hotel “Dajtit”, kaloi një veturë. Brenda saj ishte Nakoja (Spiru). Shikimet tona u ndeshën për pak çaste. Do të ketë thënë me vete: “Kjo është shëtitja e tij e fundit…”!
Dhe me të vërtetë ajo ishte e fundit, se në mes të natës, erdhën njerëzit e Sigurimit, më ngritën nga shtrati dhe më lidhën. Safoja qante me dënesë dhe thoshte: “Pse? Ku do ta çoni?” Dhe më pyeti: Të lutem, nuk mund të ikësh, pa më thënë se ç’farë ke bërë!- Dhe unë iu përgjigja:
Jam i pastër si kristali. – Dëgjoja dënesat e saj edhe jashtë, kur më futën në makinë…! Dhe nisi tragjedia. Më 15 maj 1947. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016