Nga Sokrat Shyti
Pjesa e pesëdhjete gjashtë
Memorie.al / Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio-difuzion (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç Radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
Ndodhi me të vërtetë diçka shumë e çuditshme dhe e pabesuar: Të nesërmen erdhën nga Kryeministria disa zyrtarë të plotfuqishëm, që i futën frikën në palce përgjegjësit të depove, dhe i thanë me ton të ashpër kërcënues: “Po e përsërite edhe një herë këtë veprim, do kalbësh në birucë”! Shaja erdhi me buzëqeshje të përlotur prej andej, më puthte duart e kokën, përsëriste me zë të dredhur: “Ti je engjëlli shpëtimtar”! Kuptohet, të gjithë ishim të lumturuar, që i rikthyem shpresën dhe besimin për të mbijetuar me atë fukarallëkun e saj! Po ti ç’ke që ngashërehesh”?!…- i thash Arqelinit, kur e pash të përlotur.
– “Është një ngjarje kaq prekëse, dhe ti e përshkrove me kaq ndjenjë, sa u emocionova e më rrodhën lot nga sytë”!..u përgjigj ajo duke psherëtirë.
– “Mirë, kjo sot të falet. Por nesër, kur të shkojmë në Kolonjë, se sonte do rrimë në shtëpinë tënde, kërkoj nga ty të përmbahesh e mos të thuash në sytë e nënës: shiko sa shumë është dobësuar Sokrati! U morëm vesh”?
– “Interesant si shpërndahen e ndërthuren mendimet në trurin e njeriut: e nisëm bashkëbisedimin me shqetësimet dhe kujdesin, që duhet të tregojnë çiftet e rinj për t’u mbrojtur nga sulmet e maniakeve seksuale, dhe rrjedha vetvetiu na çoi tek ngjarjet rrëqethëse, ngaqë keqbërësit dhe maniakët, janë gatuar me ligësi. Edhe një këshillë tjetër: para mamasë tënde, mos u trego qaramane! E kam unë radhën për të folur. Ndërsa ne tren, dua qetësi, të çlodhem i mbështetur pas teje. Prandaj nëse dremisë, mos më zgjo derisa të mbërrijmë në stacionin e Lushnjes”.
Ndoshta gjendja ende e përgjumur ma krijoi atë ndjesi e pakëndshme, kur zbritëm nga treni dhe nisëm të ecim përgjatë rrugës së gjerë, që lidhte stacionin me qytetin. Mundet që këtë gjendje pezull të papërcaktuar, as në qiell as në tokë, (e cila nuk duhet të ndodhte, pasi po ecja përkrah të fejuarës), ma pështjelloi pasiguria e të nesërmes, duke e përfytyruar si koshere grerëzash, ku gëlojnë pareshtur mori kurthe e sajesa intrigash, prej ku nisin kurdisjet e grackave nga djajtë e pushtetshëm, për të formuar prita e barriera të mistershme, që në njërën nga këto të pengohem dhe thyejë qafën!
Kur hodha vështrimin mbi kalimtarët, vura re që këta na kundronin me shumë kureshtje habitore, ndoshta ngaqë u bënte përshtypje ndryshimi tek paraqitja ime, nuk ishin mësuar të më shihnin me beretë dhe me këtë dobësi trupore, që rrobat të më rrinin të lira e ta tregonin figurën disi të shformuar.
– “Sikur të kishim kaluar nga rruga e përroit…”, – i thash unë Arqelinit, kur vështrimet e tyre filluan të më bezdisin.
– “Të vjen rëndë pse je kokëqethur”? – pyeti ajo e shqetësuar.
– “Edhe për këtë, ndonëse nuk është kjo kryesorja, – theksova unë. – Zakonisht pas daljes nga spitali pacienti do të shohë diçka të bukur, e jo te shigjetohet nga shikime kureshtare të habitura, si këto, thuajse ne jemi qenie të një planeti tjetër, krejt të panjohur.
– “E megjithatë, sipas meje, kanë të drejtë të jenë kureshtare, për faktin se ne të parët patëm guximin e iu kundërvumë politikës e pushtetarëve, treguam e provuam sa e fuqishme dhe e shenjtëruar është dashuria jonë! – ma ktheu ajo. – Prandaj dhe e them me bindje të plotë: një rast i dytë, si ky yni, ndoshta mund të përsëritet pas shumë dekadash”!
– “Kësaj nuk i dihet, sepse askush nuk e parashikon dot si mund të ndryshojnë marrëdhëniet njerëzore me kalimin e kohës, dhe ndoshta politika e lë në plan të dytë biografinë, nuk u bie kaq shumë në qafë të rinjve, sepse e drejton vëmendjen tërësisht tek zhvatja deri në qindarkën e fundit të njerëzve të thjeshtë, politikanët i kaplon një babëzitje e tmerrshme, për tu pasuruar”!…
– “Nga të lindën këto mendime të çuditshme”?!… – pyeti ajo mjaft e ngacmuar.
– “Këto po t’i them vetëm ty, pasi je pjesë përbërëse e qenies time, – theksova unë për ta qetësuar. – Këtej e tutje çdo bashkëbisedim mes nesh, na përket vetëm ne të dyve, ty dhe mua”.
– “Dakord. Por para mamasë time, duhet të tregohesh i qeshur dhe i gëzuar, që erdhe në shtëpi me disa ditë leje. Ndërsa kur të pyesë ç’qe’ kjo urgjencë, për t’u shtruar në spital, do t’i japësh përgjigjen e duhur, për ta qetësuar…”- ngulmoi të sigurohej.
– “Të gjitha këto këshilla, do t’i kem parasysh, – e sigurova unë. – Por ty të takon të tregosh kujdes, mos të shpëton ndonjë fjalë e tepërt, që e vë në dyshim”! – i tërhoqa vërejtjen. Por fatmirësisht takimi me vjehrrën kaloi pa pyetje dhe ngacmime kureshtare. Sepse pas përshëndetjeve e qerasjes me gliko, Argelini më pëshpëriti pranë veshit:
“Të pret uji i ngrohtë i dushit. Përsipër koshit të rrobave ke ndërresat e brendshme, peshqirin e madh, bluzë dhe tuta sportive”. Tashmë ndjehej e gëzuar që ndodhesha në shtëpinë e saj, vepronte pa druajtje, sepse nuk ndiqej nga shikimi i nënës time. Uji i dushit ishte mjaft i këndshëm: me vinte mirë kur binin currilat e tij mbi lëkurën e trupit. Nga kënaqësia ndenja më shumë se zakonisht, sa Arqelini u qas dy herë tek dera dhe më pyeti me zë të shqetësuar, pse po vonohem. – “Ja tani do dale”, – i thash unë. Dhe fillova të fshihem me peshqir. Banja me ujë te ngrohtë më krijoi një ndjesi lehtësimi: tani e ndjeja realisht që m’u hoq hija e rënde e spitalit, dhe doli në pah lëkura ime!
– “Dukesh si sportist i veshur me tuta”! – tha Arqelini me buzëqeshje.
– “Kam një kërkesë: po pati mundësi, mos njoftoni njerëz sonte për darkë”! – iu drejtova me lutje, që të vinte ne dijeni mamanë.
– “Mos kij merak. Këtë e kam vetë parasysh. Edhe sikur mamaja ta shfaqte këtë dëshirë, do ta kundërshtoja unë! – më siguroi ajo. – Sepse sonte je tërësisht imi! S’do lejojë asnjë pjesëtar të shtëpisë ta trashë muhabetin deri në bezdisje. Fatmirësisht xhaxhin e kam të qetë, jo kureshtar. Sidomos kur pi një gotë raki, fillon të kotet dhe dremit. Kështu që neve do na jepet mundësia të shtrihemi në dhomën tonë. Sidoqoftë, ti tani pusho. Gjatë kësaj kohe unë do ndihmoj mamanë”.
– “Vetëm kij parasysh premtimin: Të fshehtat tona na përkasin vetëm neve, askujt tjetri”! Ajo më siguroi se do t’i përmbahet gjithnjë këtij premtimi, kur shkuam në kthinën tjetër dhe vesha pizhamet e reja. Banja e këndshme, ndërresat e brendshme të buta, pizhamet fanellatë dhe shtresat e ngrohta, ndollën shume shpejt një gjumë të thellë. Pas një ndryshimi rrënjësor të mënyrës së jetesës, (krahasuar me atë të repartit ushtarak, ku për kushtet e tmerrshme na dukej vetja si robër lufte, shtrirë mbi dyshek kashte, në një barakë të stërmadhe prej dërrase, me truall e pa tavan, me çati prej llamarine, që nxehej përvëlim nga dielli dhe ftohej akull në mesnatë, ku na shungullonin veshët kur e godisnin pikat e shiut të rrëmbyer, dhe na lozte tepeleku i kokës nga klithmat e llahtarshme të kapterit, sa herë këtij i dilte gjumi!), qetësia e amshuar në shtëpi përqaset me flladin e këndshme të një kopshti me aromë çlodhëse, që të nanurit e ledhaton derisa të puliten vetvetiu qepallat.
Kur u zgjova nga gjumi e ndjeja veten të ripërtëritur, dhe do të më pëlqente të bënim një shëtitje përgjatë rrugës së Institutit, ku në krahun e djathtë jeshilonte kopshti i mrekullueshëm me agrume.
– “Po pate uri, shtrojmë për të ngrënë, dhe pastaj dalim shëtitje, – ma ktheu ajo në përgjigje të propozimit tim, duke pritur çfarë do t’i thosha.
– “Për mua, më mirë dalim tani. Që kur të kthehemi, hamë të gjithë bashkë, si familje…”- ia ktheva unë. Ajo pranoi, dhe ndërroi veshjen me shpejtësi, pa humbur kohë. Gjatë minutave, kur shkova në banjë të laja sytë, hapi dritaren e kthinës së fjetjes dhe rregulloi shtratin. Unë për mirësjellje i kërkova leje vjehrrës të shëtisim, duke theksuar se nuk do dalim në rrugën kryesore të qytetit, por nga Instituti, duke e ditur se kësaj i pëlqente ky mendim.
Gjatë shëtitjes kujtuam vitet e fëmijërisë, që për mua vazhdonte të mbetej periudha më e bukur e jetës time, ngaqë e kalonim kohën mes një shoqërie të mrekullueshme, me pastërti qelibari, hynim e dilnim tek shtëpia e njeri tjetrit, pa pike druajtje, njësoj si në shtëpinë tonë. Të njëjtin mendim kishte dhe Argelini.
Por kur biseda kaloi tek adoleshenca, në shkollën e mesme, vlerësimet u ndryshuan: Ndërsa për mua vitet e gjimnazit në Shkodër, përbënin marrëdhënie mirëkuptimi të ndërsjella, me shokët e shoqet, ajo jo vetëm nuk ruante kujtime mbresëlënëse nga gjimnazi i Lushnjes, (edhe pse njiheshin të gjithë me njeri tjetrin, kishin lindur e qenë rritur në këtë qytet), por i dukej sikur kjo periudhë kohore, (e cila në fakt duhet të ishte e artë dhe rrezëllitëse), krijoi një boshllëk të bezdisshëm dhe i i iku kot!
Kur po ktheheshim nga shëtitja, takuam Engjëllin, sekretarin e Degës Ushtarake të rrethit. Pasi i shtrënguam dorën njeri tjetrit, ky më vështroi me vëmendje, dhe tha se po të ecja jo i kapur për krahu me të fejuarën, por i vetmuar, në fillim s’do të me kish njohur.
– “Kaq shumë kam ndryshuar”? – e pyeta unë me buzëqeshje.
– “Je bërë më elegant me beretën…”, – shtoi për të mos thënë; “je dobësuar”.
Unë i tregova shkurtimisht, pse erdha me leje pas shtatë javësh, në gjysmën e karantinës, kur nuk lejohet dalja e ushtarit jashtë repartit. Dhe ai për të mos e zgjatur me hollësi të tjera, më porositi të dukem nesër në Degën Ushtarake, që të vërtetoj fletë-daljen nga spitali, një veprim i domosdoshëm për të mos patur telashe me patrullat ushtarake gjatë kthimit në repart. Por nga mënyra e shikimit nuhata, se përveç këtij veprimi, donte të më kumtonte diçka të rëndësishme, që thuhet vetëm mes dy vetëve, pa praninë e të tjerëve.
Të nesërmen i thash ushtarit tek dera e hyrjes së ngrehinës të Degës Ushtarake, se më ka kërkuar Engjëlli. Ky doli syqeshur, sikur do më jepte një sihariq të gëzuar, dhe shfaqi dëshirën të pimë një kafe në klubin ngjitur, duke porositur ushtarin t’i bëjë zë, në rast se e kërkon shefi.
– “Për kushtet e atjeshme, s’ka nevojë të më tregosh, i kam parë me sytë e mi – e nisi bisedën Engjëlli, kur u ulem pranë tryezës dhe porositëm dy kafe. – Tani më dëgjo me vëmendje: këto ditë mbërriti urdhri i ministrit të Mbrojtjes, për mobilizim urgjent jashtë radhës, në fund të majit, ose në fillim të qershorit! Kërkohet shtesë e Forcave të Armatosura”!
– “Ka ndonjë kërcënim nga fqinjët”? – e pyeta me pëshpëritje, duke zgjatur qafën.
– “Nga fqinja jugore, Greqia. Në kufirin tonë janë përqendruar forca të motorizuara. Dëgjohen thirrje armiqësore kundër nesh. Prandaj të gjitha forcat speciale të divizioneve të ushtrisë, janë rreshtuar në formacione luftarake, në gatishmëri numër një. Kuptohet që në kushtet e reja, vendet e mbetura bosh nga lëvizjet e reparteve speciale, do mbushen me rekrutët e rinj të tanishëm, por dhe me disa nga ushtarët e NBU-ve.
Kjo e fundit ka rëndësi për ty, pasi ka shanse të bëhen lëvizje në NBU, një pjesë të inkuadrohet në regjimente autonome. Ti je djalë i zgjuar, e kupton që këto të dhëna përbëjnë sekret ushtarak. Prandaj të thash dhe duku në Degën Ushtarake. Po të bëj një pyetje të drejtpërdrejtë: me drejtorin e repartit, ke njohje? – Falë ndërhyrjes tënde tek nëntogeri i shoqërimit, para se të nisesha, zhvilluam me të gjatë rrugës një bashkëbisedim, kështu që me komandant Sulën, u krijua njëfarë njohje. Pikërisht ky më dha zemër të takoja kolonelin, drejtorin e NBU-së, dhe më premtoi të më ndihmojë për të ma lehtësuar shërbimin e vështirë.
Sipas tij, dhe kështu doli, paraqiteshin dy mundësi: të caktohem ose shkrues i repartit, ose përgjegjës i kulturës. Komisari e mirëpriti mendimin e nëntogerit, dhe dha menjëherë pëlqimin të merrem me kulturën, madje më quajti ndihmësin e tij. Dhe pa e zgjatur, shkoi ta bisedonte me kolonelin. Kjo kërkesë u bë nxitëse të paraqitesha tek drejtori. Fatmirësisht koloneli, jo vetëm e përkrahu mendimin e komisarit, por dhe u interesua për familjen time…”
– “Prit një minutë! – më ndërpreu Engjëlli. – Mos e quajnë kolonelin tuaj Josif?… Atëherë e kam të qartë cili është, dhe pak a shumë e di fërkimin midis tij e zëvendësministrit. E marr me mend pse u tregua i gatshëm për të ndihmuar, pasi e ka pësuar mbi kurriz egërsinë e ndëshkimit”.
– “Koloneli bisedoi me doktorin e divizionit, pas parashtrimit të ankesës time shëndetësore, duke i thënë këtij të më niste për në spitalin e Përgjithshëm ushtarak…”!
– “Atëherë po e them me siguri të plotë: do jesh ndër të parët që do transferohesh. Ka shumë mundësi të vendoseni në Shqipërinë e Mesme, diku mes Laçit dhe Kavajës…”, – theksoi Engjëlli me vështrim të gëzuar.
– “Ky qenka lajm i mrekullueshëm”! – thash unë.
– “Sigurisht NBU-të nuk do shkrihen. Por aty do rrinë kryesisht bujqit dhe barinjtë. Për ty kjo s’ka fare rëndësi. Tani zëre sikur je transferuar, dhe do ndodhesh afër familjes e të fejuarës. Prandaj të këshilloj që në këto ditë pushimi, shkëpute mendjen nga baraka e tmerrshme prej dërrase dhe kapteri sykuq”.
– “Më duket sikur po fluturoj në qiellin e shtatë….- i thash Engjëllit. – Kot nuk të vunë prindërit ketë emër të bekuar”.
– “Ja si pleksen interesat e individit me shqetësimet e shtetit… – shtoi Engjëlli duke qeshur lehte – Tani më jep fletë-daljen e spitalit, që të përpiloj vërtetimin e Degës Ushtarake, të cilën do t’ua paraqitësh patrullave. Ne të dy kemi pirë vetëm kafe, dhe biseduam për shëndetin tënd… – shtoi ai duke u ngritur nga tryeza. – Të fejuarës do t’i tregosh vetëm vërtetimin. Shmangi takimet me shokët dhe të njohurit. E kam fjalën kur vjen këtu, në Lushnje. Te priftë e mbara, se mjaft ke vuajtur”!… – më uroi ai.
Pas disa minutave doli nga zyra e tij, më dorëzoi vërtetimin, dhe u fut brenda pa shfaqur asnjë shenjë krenarie e mburrje, për sjelljen e tij. Më mahnit deri në adhurim, thjeshtësia dhe gatishmëria e njerëzve të mirë! Pështjellohem nga ndjesi e jashtëzakonshme kënaqësie, kur përfytyroj se brenda tyre gjendet ylberi i shpresës, dhe se këtë nuk e mbajnë për vete, por ua japin bujarisht të tjerëve!…
– “Takove njeri rrugës”? – më pyeti vjehrra, kur u futa në oborr.
– “Cilin duhet të takoja”? – ia ktheva unë me interesim.
– “Ishte këtu Seni, që u llafos gjerë e gjatë me motrën, rreth teje, kryesisht pse u shtrove në spital”, – tha vjehrra.
– “Nuk ka asnjë sekret. Thjeshtë përfitova nga njohja me doktorin e divizionit të vija në Tiranë, dhe me këtë rast bëra një kontroll të përgjithshëm, me shpresë se mund të siguroja një leje disa ditore. Dhe fatmirësisht ia dola!… Po Lika nuk qenka në shtëpi”?
– “Ja, po vjen. Me sa duket përcolli motrën deri tek puna. Tani si e keni planin: do niseni për në Kolonjë”? – pyeti nëna Ulë.
– “Pa tjetër do nisemi. Por duhet të nxitojmë ca që të kapim autobusin e orës dhjetë”… – shtova unë duke i bërë me dorë të fejuarës të shpejtonte hapat.
– “Me sa duket do jemi shkëmbyer në rrugë të ndryshme: ti do kesh kaluar nga posta, ndërsa ne nga hotel ‘Myzeqeja’, – tha ajo, kur u qas tek porta. – Pse nuk futeni brenda”?
– “Kështu si je veshur, merr me vete ato që të duhen, dhe hajde shkojmë tek autobusi. Po të mos vonohesh, e kapim…”- e nxita unë të përshpejtonte veprimet.
Më dukej sikur kisha parë një ëndërr të bukur, kur sillja ndërmend bisedën interesante me Engjëllin e Degës Ushtarake. Sepse kumti i transferimit nga NBU-ja në një repart ushtarak, pa kazma dhe lopata, për më tepër i vendosur mes Laçit dhe Kavajës, do më shkëpusë nga torturat e kapterit sykuq dhe trajnimet e skëterrshme, thuajse rekrutët e NBU –s, ishin pjesë përbërëse e komandove speciale, dhe përgatiten të kryejnë një mision sekret diku! Nuk e vija në mëdyshje që ky transferim do më jap mundësinë të vijë here pas here në shtëpi, apo tek e fejuara, qoftë për disa orë, vajtje ardhje brenda ditës, përveç anëve të tjera lehtësuese.
Kur mbërritëm në stacion, autobusi gati po nisej. Unë ia bëra me dorë shoferit të priste një minutë. Ai frenoi, dhe i tha dikujt të hapte derën përpara, ku rinin të njohurit e tij, pasi hyrja në mes qe bllokuar nga dendësia e ngjeshur e udhëtarëve.
– “E di që në fillim nuk të njoha”!… – tha ai, kur u ngjitëm lart dhe zumë vend përmbi syprinën e motorit.
– “Hera e parë që të shoh me beretë. Kur ke ardhur”?
– “Mbrëmë, me tren”, – iu përgjigja unë, pasi u përshëndetëm.
Disa shikime kureshtare dhe tinëzare u ngërthyen mbi mua dhe të fejuarën time.
– “E dinë ata të shtëpisë? Apo do t’ia bësh surprizë”?…- pyeti pas pak shoferi i autobusit, kur kaluam uzinën e Plastmasit. – Kush e di sa do gëzohet nëna!…Sa për dijeni: Lika jote ka ardhur dhe është kthyer me mua çdo fund jave, për të parë nënën”, – shtoi ai me buzëqeshje. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016