Nga SAMI REPISHTI
Pjesa e tridhjetë e një
Sami Repishti: – Në Shqipni, nuk ashtë dokumentue e ndëshkue krimi komunist i së kaluemues, nuk ashtë ba “spastrimi shpirtnor”, rrëfimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë komunistë! –
‘Nën hijen e Rozafës’
Memorie.al / Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rinjt, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makro-politikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.
Malsori plak nga katundi Reç, që jetonte vetëm për hakmarrje, kishte vdek. Ka qenë nji nga rastet ma të rralla, që takova gjatë vjetëve të burgut. Nji ditë, Sigurimi kishte arrestue të birin, njizet e gjashtë vjeçar, e kishte torturue deri në vdekje, dhe kishte hedhë kufomën në pusin septik. Të gjithë në pushtet, heshtën! Kur lajmi mori dheun, baba i viktimës, kërkoi shpjegime. Nuk mori asnji. Plaku i tërbuem filloi mallkimin e të gjithëve, publikisht. U arrestue, për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit”, e u dënue me vjetë të gjata, në burg. Në dhomën ku e sollën, plaku u vetizolue.
Kishte vetëm nji shok të pandamë, duhanin. Hante shumë pak, e nuk lëvizte fare. Përshëndeste me bujari ata që i afroheshin. Megjithatë, herë mbas here, e thonte haptas se nuk do të vdiste, pa marrë hakun e djalit. Mbas largimit tim në kampin e punës, nuk e pashë ma. Pesha e urrejtjes në brendinë e njerëzve, më friksoi; isha mësue me mendue që; dashunia për të tjerët, ishte ndjenja ma e fortë, që gjallnonte qeniet njerëzore mbi tokë. Nga plaku, kuptova se ishte edhe urrejtja!
Përsëri nji vdekje tjetër. Ishte Marku, “djali i Dukagjinit”, si e quejshim na, shokët e tij. Bashkë me të, kishim kalue dhjetë vjet në burg e, kampe pune të detyrueshme. Mbas “lirimit”, ai kishte gjetë punë si magazinier. E takova disa herë në qytet. Më tregoi punën që bante e, si jetonte; “si mos ma keq!” në nji barake, pa dhomë fjetjeje. “Kam vue së bashku disa dërrasa, e kam shtrue krevatin brenda në zyrë…! Vera kalon disi”, më tha, “por dimni asht i padurueshëm…! Hyn era, shiu, bora..! .Vij në qytet me biçikletë, çdo të premte mbrama, me kalue kohën me nanën që jeton këtu…! Nuk kam vend, atje ku punoj…”!
E me atë të qeshunin e zakonshëm, shtonte; “…si mos ma keq”! Nji mëngjes, e kishin gjetë të vdekun në krevat. Ishte tridhjetë e pesë vjeçar…! U varros thjeshtësisht, ashtu si kishte kalue gjithë jetën. U ktheva nga funerali i tornditun. Përqafova nanën, e nji ndjenjë turpi më mbuloi, nga ideja që nji ditë do ta shkelmojsha, në kërkesë të nji bote, ku mund të merrsha frymë lirisht. Ajo u kënaq me përqafimin tim, më puthi në të dy faqet, e më ledhatoi kokën…!
Vdekja e papritun, më krodhi në mendime të reja. Tashti, asgja nuk më shqetësonte, ma shumë se frika e vdekjes, i harruem, i përbuzun, në nji vend që më ofronte, vetëm boshllëkun. Uria e vuajtja fizike, të shkaktueme nga puna e randë, ishin ba petku i përditshëm, jeta ime ishte pa gjallni, zvarritej ditë mbas dite, pa pushim, pa çlodhje e, pa shpresë përmirësimi. Nji vazhdueshmëni e këtillë, shtroi sheshin e rrokullisjes pa pengesë. Gjithçka ishte bajate e, pa kuptim. Atëherë, erdhi çasti dramatik fatlum: për nji sekond, si plumb pushke, që fishkullon mbi kokë, pa dijtë se nga vjen e, si vjen, e prishte qetësinë mbytëse.
Hallkat e zinxhirit të monotonisë, kërcasin si akulli që thyhet, e si mrekullia, që gjithëherë vjen e papritun, hapën sytë…! Njeriu sheh, ndigjon, prek, nuhat e shijon, atmosferën e re të krijueme, sikur, pa pritë, të ishte hapë nji botë tjetër. Njeriu jeton përsëri! E kaluemja ngrihet para nesh, si nji kështjell kartë e pavlerë, e pakuptimtë, tmerrësisht kërcënuese. Vetëm atëherë kuptojmë se, nuk kemi jetue, se e kaluemja, ka qenë nji grabitje e pamëshirshme e banale, e ditëve të ekzistencës sonë…! Asht fillimi revoltimit e i hymjes në jetën e njimendtë! Ky “çast fatlum” për mue, erdhi kur vendosa të arratisem!
Ishte e domosdoshme, që fija e jetës së përditshme, të këputej, të theje veriga që ngushtonte ditët e mia, që më mohonte jetën e, në përplasjen e pa falje, të krijonte nji gjendje të re. Atëherë, me ndërgjegje të plotë, do të hidhsha poshtë, kambëngulës e me fuqi, atë që mbetej ende në duart e mia: jetën time monotone. Me jetue të paktën, për nji çast, minutin e pohimit fitimtar të jetës, me mbushë gjoksin, me frymën e zotnimit të plotë të vetes, aq shumë, sa të ballafaqojsha vdekjen, me afshin e martirit, tue e shikue në sy, pa frikë: “O monstër jetëngranës, ti nuk ke fuqi me më nënshtrue! Përkundrazi, kërcënimi yt, për asgjësimin e jetës sime, më ngren deri në qiell,… ai më gjallnon”!
Ideali, si dehje e pafrenueme, përbuz të zakonshmen, prozaiken e qenieve që jetojnë, pse ushqehen në tryezë. Ai ekzalton e asgjason, njikohësisht. Ekzaltimi, si ushtrim i detyrueshëm i aftësive që kalojnë kufijtë e fuqive tona, vendos idealistin e etshëm, për të pakufishmen, në prakun e humnerës që tërheq e largon, që frymëzon e rrezikon, por që krijon për të, çastin suprem të jetës, minutin fatlum të qenies së lirë, plotësisht të lirë, mospërfillës i vdekjes së paevitueshme.
Brigada jonë e punës, mori përsipër në ndërtimin e nji “pallati” trekatësh, në rrugën kryesore, pothuajse ballë-përballë me ndërtesën e Sigurimit. Ideja se do të kisha parasysh çdo ditë, muret që më kishin ndrye, për javë e muaj gjatë hetuesisë, më tronditi. Por tashti, kisha “probleme” tjera ma të mëdha; kisha bukën e gojës, për veten e familjen, që varej nga puna ime. Ideja e ndërtimit të plotë të nji “pallati”, m’u duk mjaft interesante. “Ustallarët”, pleq, që njihshin mirë zanatin e tyne, nuk kuptojshin vizatimet teknike, të projekteve në letër.
Fillova me deshifrue këto vizatime e, me udhëzue shokët e punës. Me hedhjen e themeleve, ngritja e mureve prej guri, më shkaktoi lodhje e pakënaqësi. Tulla ishte uniformë dhe e rrafshët. Guri, i marrun nga gurorja e qytetit, kërkonte mjeshtri me e përgatitë e vendosë në mur, me zanë vend, i mbështetun mirë e, me faqen e përpunueme përjashta. Kur erdhëm në naltësinë e katit të parë, ndërtimi i soletës, kërkonte kujdes, sepse ishte nji operacion ma i komplikuem.
Së bashku me shtresën, shtyllat vertikale e horizontale me hekur e çimento, duhej ndertue edhe shkalla e betontë. Betonimi duhej ba menjiherë, pa ndërpremje, e kjo kërkonte punë deri në mesnatë. Aty zbulova kënaqësinë e madhe, të punës ndërtuese! Kërkova nga “ustai”, të më lejonte me ndërtue armaturat e shkallës e të ballkoneve. Ishte hera e parë. Në përfundim, u derdh betoni në kallëpe. U kujdesova deri në fund, që gjithçka të delte sa ma mirë. Tri ditë ma vonë, çmontova kallëpet.
Pamja e ballkoneve dhe e shkallës, më mbushi me nji krenari të pashpjegueshme. Ato ballkone që vareshin në ajër, si krahë të shkurtë e të shpalosun zogjsh fluturues, sikur i jepshin jetë e shije, kuadratit të ndërtesës. Dola në njenin ballkon. Mandej në tjetrin, sikur dojsha me zbulue fortësinë e tyne. Ata qëndruen. Por akti krijues, tejkalonte dobishmëninë e tyne. Me dorën time kisha ndërtue diçka, e nji diçka që tërhiqte, për bukurinë e vet.
Oh! Sa i lumtun duhet të jetë artisti, shkrimtari, skulptori e kushdo tjetër që, në forma të thjeshta, ose me art të përsosun, ia dalin me krijue të bukurën, këtë dhuratë hyjnore. Arti, në esencë, asht nji formë gare me Krijuesin…! Mbas përfundimit të ndërtesës, sa herë që kalojsha para saj, e shikojsha banuesit në ballkone, nji valë gëzimi, me mbushte gjoksin: “Ky asht ballkoni im, ndërtue me duart e mia”! përsëritsha me krenari.
Por ndërtesa, mure guri të trashë, shtresë çimentoje, dritore të vogla, korridore të ngushtë, nevojtore primitive, mungesë drite e, pa asnji kujdes për estetikën, për të bukurën, për të kandshmen, që i jep shije jetës sonë e, lehtëson peshën e randë të punës së përditshme, ishte nji vend-banim i ftohtë, nji shpellë në mes të qytetit, që nuk sillte, as gëzim, as kënaqësi. Ishte thjeshtësisht, nji mbrojtje nga shiu e bora, era e të ftohtit, por nji mbrojtje, pa ngrohtësi, për ata që e banojshin.
Gjatë vjetve të punës së detyrueshme në kampe, hapja e kanaleve kulluese e vaditëse, ndërtimi i aerodromeve e ma vonë, puna në Ndërmarrjen e Ndërtimit në Shkodër, me gjithë vuajtjet e mëdha që më shkaktojshin, më jepshin edhe njifarë kënaqësie, që më zbuste vuajtjen fizike. Puna më bante të përqendrohem në cilësinë e madhështisë njerëzore, në aftësinë e në vullnetin e individit, koshient, me i vu vulën e vet natyrës së vdekun, të pagojë, dhe të pamend! Ky ballafaqim i dy kundërshtarëve të papajtueshëm dhe lufta e tyne e pandërpreme, sikur më ngrinte nalt e më jepte sigurimin e “qenies” që jeton e vepron mbi natyrën e vdekun….qe nuk mungoi kurrë me më tregue se fitorja e fundit, nuk ishte e imja dhe se, para saj, nuk isha asgja ma shumë se nji kryengritës i vdekshëm, i infektuem me virusin e heroizmit të pashërueshëm…!
Çdo ditë e ma shumë, kisha përshtypjen, se eksperienca komuniste në Shqipni, kishte marrë karakterin e aventurës, që shkelmonte logjikën e përfundimet logjike. Me gjithë pretendimet fisnike, se; “ata” frymëzoheshin nga dëshira e largimit të miliona viktimave, nga vuajtja e vorfnia, eksperienca komuniste tregonte, se ata i afroheshin vuajtjes e vorfnisë, ma shumë. I mbyllun brenda burgut tragjik, të komunizmit stalinian, edhe nga nji mur i dytë, i përpunuem me duart e veta, komunistët e pashkolluem shqiptarë, kishin hy në nji rrugë pa dalje. Shqipnia vorfnohej, çdo ditë e ma shumë!
Në këtë atmosferë mbytëse, “udhëheqja” doli në skenë me flamurin e dashunisë së shqiptarëve, për vendin e lindjes, dhe e shtrembnoi atë, në nji nacionalizëm agresiv: e gjithë bota ishte kundër Shqipnisë! Nji spatë e këtillë, gjithmonë e mprehtë, ironikisht, binte pa mëshirë, mbi kokat e zemrat e atyne që ushqejshin këtë dashuni, i copëtonte ata, me qëllim që të poshtnoheshin aq shumë, sa që viktima, te pranonte dekompozimin moral e të strukturës mendore, që përbajshin bërthamën e krenarisë e, të qenies shqiptare…!
Komunizmi në Shqipni, po zhvishte shqiptarin nga rrobet e trupit e të shpirtit njikohësisht! Lum ata që e besojnë! Në rrugën e ndjekun, ata gjejnë dorën e Krijuesit, e shtrime drejt tyne, e gatshme me i ndihmue, me i marrë në gji…! E për të tjerët?! A do të jemi përsëri si ma parë, si breznitë e panumërta, që ndoqën njena-tjetrën, për ma shumë se tremijë vjet, në këtë tokë të lashtë e, të pasun në histori, pengje të rendit të ngurruem të të vdekunve për të, robër të pëlhurës së endun, me emocione e kundërveprime, të imponueme nga ngjarjet historike? A do të jemi nesër, përsëri, robër të së kaluemes që na dominoi deri sot, kambëngulëse dhe e pakundërshtueshme?
Hapet fjala si vetima se, dyqani i ushqimit, ka djathë e ullinj. Largohem nga puna pa leje, e bashkohem me rrjeshtin e gjatë të qytetarëve, që presin në radhë. Pa pritë, pashë plakun Zef, ish-i burgosun. U afrova. Ai buzëqeshi kur më pa; ishte diçka e përzieme: vula e vuajtjes e, kënaqësia që më pau, gjurmë e së kaluemes së tij urbane. – “Mirëdita, zotni Zef, – e përshëndeta. – Si je”? – “Po baj gjyq me Zotin, – u përgjigj. – As unë vetë nuk e di pse jetoj…! Kam ardhë këtu, për nji copë djathë…! Zakonisht, kur Bashkimi Sovjetik, nuk pranon prodhimet tona, i kthen,…e qeveria i shet në dyqane…! Lum djali, Zoti na ka harrue…na ka lëshue dorë…asht e qartë…”!
I dhashë zemër, por pa bindje. Në brendinë time, nji tip si plaku Zef, i dorëzuem plotësisht në krahët e Krijuesit e, tue pritë gjithçka prej Tij, më irritonte. Nuk u përgjigja ma gjatë. Vetëm për vetëm, përballë fatit të pamëshirë e të pakuptim, duhej me i mbushë mendjen vetes se, kishte ardhë koha me përqendrue fuqitë e mia, me u ba plotësisht koshient, për gjendjen e re të krijueme, me përbuzë shtypsin e, jo ma pak shpresën gënjeshtare, me shtrëngue muskujt e me kërcit dhambët, me u hedhë pa frikë, në përleshje me fatin e, me bindjen e plotë e të patundun se, alternativa ishte, vetëm nënshtrimi e vdekja në harresë…!
Ngrehu, o qenie njerëzore që më jep ndjenjën e kryenaltësisë, për emnin që mbaj! E ti, o zemër, mbushë sot me vner e ideal, shpërthe, trego se jeton akoma, e se jetën e ke, në duart tuaja, po ta dëshirosh ti, ti vetë, e vetëm ti…! E ju, “të tjerët”, bashkatdhetarët e mi të nënshtruem e vllazën, në qoftë se zgjedha e tiranisë, nuk ju rrjep lëkurën e zverkut, në qoftë se samari i diktaturës, nuk jua ban kurrizin me plagë, në qoftë se ajri i ndytë, i organizimit të gënjeshtrës e mashtrimit të pafund, nuk ju zen frymën e, nuk pengon ajrin e domosdoshëm me ruajt pastërtinë e gjakut tuaj.
Atëherë, o tungjatjeta, shtypja asht bashkudhëtarja juej, ajo asht kalorësi i stërvitun, që shijon rehatllëkun e nji shale të punueme, për të e për kurrizin tuej, o ju të mjerë, që preferoni me qenë kafsh, nga frika e qenies njeri, o ju që nuk njihni thirrjen madhështore të dinjitetit, që ndryni brenda vetes, ju o landë e patrajtë, që lindni e vdisni, pa pa, pa ndie, e pa jetue…!
XXX
Pranvera e vitit 1959, erdhi ma herët se zakonisht. Gjithkah shihej blerimi, e puhia e freskët, kishte zëvendësue murlanin dimnor. Për ne, punëtorët e krahut, që kishim punën në ambiente të hapuna, kalimi i dimnit, ishte i mirëpritun. Të lodhun prej të ftohtit, e të lodhun nga pagesat gjysëmditore, që jepeshin për çdo ditë shiu, bore, ose mungesë fronti pune, pritshim me padurim, ardhjen e stinës së re. Në themelet e ndërtesave, ose në ngritjen e mureve e të çative, nuk do të mshiheshim përsëri, nga era e të ftohtit, e në fund të dyjavorit, pagesa do të ishte e plotë, tue sigurue copën e bukës, mbi tryezë. Korrieri i ndërmarrjes më njoftoi, të paraqitesha në drejtori.
Lashë veglat e punës në vend e, i ndjekun nga shikimet plot frikë të shokëve të “brigadës”, që njihshin të kaluemen time, u largova i mbushun me dyshime. Në zyrë, përgjegjësi për kuadrot e punës, më njoftoi se duhet të shkojsha në nji kantier të ri, ku fillonte puna, për ndërtimin e nji fabrike tullash të kuqe. “Po”, i thashë me gjysëm zani, e dola. Kantieri i ri, gjindej pranë bregut të Liqenit të Shkodrës, jo larg nga shtëpia ime, e në nji zone, që unë e njihsha mirë. Nga ana tjetër e Liqenit, gjindet mali Tarabosh, që bashkohet me malin Rumia e Krajës, krahinë e bauneme me shqiptarë, në Jugosllavi.
Pamja e këtij vargmali asht madhështore, e bashkë me Liqenin, kujton bukuritë e panoramave alpine, që shohim në fotografitë e reklamat turistike, kryesisht të Europës Qendrore. Por bregu i Liqenit, ishte “zonë e ndalueme”, për arsye të afërsisë me Jugosllavinë. Çdo lëvizje, kontrollohej nga Sigurimi. Caktimi i punës sime, në nji kantier aq afër “zonës së ndalueme”, krijoi menjiherë dyshimin. Kisha të baj me nji provokim?! Çdo lëvizje e imja, mund të interpretohej si; “tentativë për arratisje” e, justifikim për arrestim. Në fillim, u trondita. Ky akt provokues më nxiti, me marrë vendimin përfundimtar për arratisje.
Koha e debateve të brendshme kishte kalue. Tashti, duhej vendosmëni, guxim e kujdes, sidomos kujdes, që të mos krijoheshin dyshime. Nuk kisha ma, rrugë kthimi! Pjesa ma e vështirë, ishin orët e mbramjes në shtëpi me familjen. Para së gjithash, ata nuk duhet të dijshin, për gjendjen time. U tregova se do të fillojsha punën, me kantierin e ri, e u gëzuen. “Asht afër shtëpisë”, më thanë. Por në brendinë time, ndihesha se po i gënjejsha tmerrësisht. Ishte e detyrueshme, me krijue distancën emocionale prej tyne, krijesat ma të dashtuna për mue.
Të nesërmen, u paraqita në kantierin e ri. Tekniku ishte nji plak, usta, e shumë njeri i mirë. Normisti, ishte nji i ri komunist. “Brigada” ime, kishte vetëm tre karpentierë; të tjerët ishin punëtorë krahu. Megjithëse qëndrimi i tyne ndaj meje, ishte korrekt, isha i sigurt, se në mesin e “kolektivit” të ri, kishte agjentë informatorë, që i paraqitshin raporte të rregullta Sigurimit, mbi punën e punëtorit në kantierin e ri. Punojsha me kujdes të madh, me evitue çdo gabim që mund të merrej si “akt sabotimi”.
Në mëngjes, isha në punë disa minuta para orës tetë dhe në mbramje, mbarojsha disa minuta mbas orarit. Isha i qetë, gjithëherë i gatshëm me ndihmue të tjerët, i qeshun, e sidomos, evitojsha mosmarrëveshjet, që mund të paguheshin me nji “raport”, flas në Sigurim…! Drekën e hajshim së bashku. Asnji fjalë, asnji gjest i imi, nuk tregonte as edhe shenjën ma të vogël, të pakënaqësisë. Pak ditë ma vonë, mora kontakt me nji shok, ish-i burgosun, shtëpia e të cilit, gjindej pranë kufinit në zonën e Anës së Malit, në jug-perëndim të qytetit.
Dy javë ma vonë, nji ditë tregu, nuk dola në punë, “për arsye shëndetsore”! Në treg, gjeta shokun që, së bashku me gruan, qarkullonte ngadalë e me kujdes. U afrova, e përshëndeta, e tue ecë përkrah tij, i tregova se litari po ngushtohej rreth meje, e se, koha me u arratisë, kishte ardhë. Ai u tregue i gatshëm, por më këshilloi, me pritë muajin e gushtit, “kur Buna ka pak ujë”, me tha, “e lumi kalohet me vështirësi”! Vendosëm gjithashtu, edhe që dita e largimit, të ishte e shtunë, dite pazari për atë, e ditë pune, me orar unik për mue, si dhe nji takim paraprak, në parkun e vogël pranë stadiumit, në orën katër mbas dreke. Ai do të sugjeronte datën. Unë pranova. U ndamë pa i dhanë dorën njeni-tjetrit.
Gjesti suprem i shokut që pranoi me rrezikue jetën e vet, me shpëtue timen, më preku thellë. Ishte akoma i ri, i martuem, me dy fëmijë, akoma foshnje. Bante nji jetë të vështirë bujqësore, në nji katund malor, por nuk ankohej. Stoik, kundërshtar i tiranisë komuniste, ai justifikonte qëndrimin e tij, me “prishjen e zakoneve, që kanë mbajtë të gjallë shoqninë tonë” e sidomos, me ndërhymjen e qeverisë, në jetën e përditshme të katundit, me anë të spiunve, policve dhe anëtarve të Partisë. “Jetojmë me frikë çdo ditë…”! më tha. Gjate takimit tonë, gruaja ecte mbas nesh, e heshtun, pa dijtë përmbajtjen e bisedës sonë, megjithëse aty vendosej edhe fati i saj. Nji tragjedi për burrin, ishte nji tragjedi për të gjithë familjen, sidomos për nanën e dy foshnjeve.
Ata mund te internoheshin, pa dijtë arsyen, të dënoheshin si “familje armiqsore”, pa qenë armik i askujt. Gruaja e shokut, ishte simbol i grues shqiptare, gjatë historisë, simbol i pafajnisë së kryqëzueme, i sakrificës ma fisnike, në altar të traditës shekullore shqiptare, që kërkonte nga ajo nënshtrimin e zëvendësimin e burrit, në mbajtjen së bashku të familjes, në trojet stërgjyshore. Bletë punëtore, gjithë-herë e heshtun, kjo krijesë stoike ,jetonte e mbyllte jetën pa za, pa ankim…! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm