Nga Dom Zef Simoni
Pjesa e gjashtëmbëdhjetë
Memorie.al publikon një studim të panjohur të Dom Zef Simonit, me titull “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944 në 1990-ën”, ku kleriku katolik me origjinë nga qyteti i Shkodrës që vuajti për vite me radhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më 25 prill 1993 u shugurua Ipeshkv nga kreu i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali i II-të , pasi ka përshkruar një histori të shkurtër të Klerit Katolik në Shqipëri, është ndalur gjatë në persekutimin që pësoi Kisha Katolike në regjimin komunist, nga viti 1944 deri në vitin 1990. Studimi i plotë i Dom Zef Simonit, duke filluar nga tentativat e qeverisë komuniste të Tiranës menjëherë pas mbarimit të Luftës për ta shkëputur Kishën Katolike nga Vatikani, fillimisht duke i ndaluar kthimin në Shqipëri Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, pas vizitës që ai kishte bërë te Papa në Vatikan në vitin 1945 dhe më pas me presionet e kërcënimet ndaj Monsinjor Frano Gjinit, Gaspër Thaçit e Vinçens Prenushti, të cilët e kundërshtuan prerë “ofertën” e Enver Hoxhës dhe si rezultat u pushkatuan prej tij, si dhe fatin tragjik të shumë klerikëve të tjerë që arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.
Kaluem Durrësin e me shpejtësi u futëm kah veriu, shi i atëherë më dolën pamje të zonave tona, Krujën e bukur, madhështore edhe nën qiellin e kombit në robni, Lezha historike, me një monument të heroit Kombëtar, të shkelun për së dekuni. Ai qe varrosë në kishë e, asnjë kishë nuk ia gjen Lezhës, as Shqipnisë. Gjatë udhës bisedojshim. Populli merrte mbrapa meshtarët, që kishin mbetë. Por nuk mund t’i bahej ballë kurrsesi, se vijnë të moçëm, të rij, vijnë shumë për shërbime fetare. E kisha ndie edhe në burg, se në Shejtnorën e Laçit, shkojshin shumë njerëz e sidomos në ditët e marte, mblidhej një popull tepër i madh për atë kohë, nga çdo krahinë e nga të gjitha besimet. Qeveria nisi një lloj tolerance.
Gjatë udhës, shihsha njerëz të veshun mirë, shumë kishin sahat në dorë edhe studentat. Kur arritëm kah katundet afër Shkodrës, nisi të errej. Natë vere e bukur. Muzgu kalonte dhe një mbramje e mistershme mbulonte gjithçka. Ndihej një zhurmë e një nxehtësi e bante si të gëzueshme natyrën. Asht jeta. Kujtohesha se ka jetë. Nuk kishte randësi për mue, se po erret, se ra nata, pse kjo u ba për mue vazhdim dite, gëzim. E mbasi po më ngjante me jetue kësi çastesh, gati si me harrue ku qeshë, më dukej se më lejohej një farë egoizmi, afër fshatit Beltojë, pa hye në Shkodër, e ndaloi makinën një polic. Polici kërkoi letër njoftimet.
Unë nxora dokumentin e lirimit. Mbasi e shikoi, “natën e mirë na tha të gjithëve”, e mue më dha një buzëqeshje të lehtë. Ndoshta se pau të shkrueme në dokumentin tim, se isha klerik. Ashtu nëpër terr, duket kështjelli Rozafat, i paluejtshëm ndër shekuj e, tue kalue sheshin, e përshëndes me krejt fuqinë Zojën, me një lutje. Në shtëpi ishin përgatitë me kohë. Me motrën nuk ishte askush. Kishin dalë me më pritë farefisi. Një përqafim të thellë me të gjithë, ata pëshpëritshin tue më thane, se isha mirë me shëndet, se nuk kishe ndërrue fort. “Kenka zbardhë flokësh, por jo mbarue”, po plakesha tash në moshën 60 vjetësh.
Arka e nanës
Ma së pari, kur hyna në shtëpi, u ngjita nalt në dhomën ku ishte arka e nanës. Nuk mund ta përfytyrojshëm nanën pa arkën e saj, arkën e madhe venedikase, që edhe sot, e ruejmë si një kujtim të shtrejtë. Pikëllimi më rrinte i fshehun për babën e nanën. Por gëzimi kishte fuqi të madhe në të gjithë. U ulem në sofër mbi njëzetë vetë e, u ndej deri vonë. Shikjoshe të gjithë. Brenda dite sa ngjarje, ndryshime. Jeta e telave deri ora 730. Sarandë, udhëtim, shtëpi, sofër me njerëz. “Harro më mendo ku qe”, nësa rrijsha pak mendueshem. I burgosuni dëshiron gjithçka. Në burg, uri vulgare. Uri banale. Uri. Nuk kam pi raki, gjatë jetës sime, edhe atë ma tepër në vizita. Më kishte kapë dëshiri fort në burg, për një putir raki. Nuk kishte as në restorantin e Tepelenës, kur u ndalem te “Uji i ftohtë”.
Më nxitën ta pijsha një putir raki. “Të ban mirë”, – vazhduen ata. Unë atë pritsha. Atë kërkojsha. Levdova Krishtin, tue i përshëndet të gjithë me zemër të gëzueme. Për gati dy javë, e kam pi çdo ditë, 50 gr. raki të mirë fort, në shtëpi, ba nga motra jonë e kujdesshme. Dita e nesërme, më njehi plot gjallni. Herët i hidhshe një sy kopshtit. Dojsha blerim, ajër të qytetit tim, të vendlindjes. Shëtita me vëllanë e motrën. Gjeta në kopshtin tonë të bukur e të madh, kumulla bardalike, boshnjake e vile të rrushit, gati në të pjekur. Nuk paska jetë pa kujtime. Nuk isha ende në vete. Shpejt filluen vizitat, që vazhduen për ma se një muej. Erdhën dhe shumë fshatarë, që nuk më kishin harrue, para se unë të bijsha në burg.
Padër Pjetër Meshkalla (korrik 1988)
Në ditën e dytë, pasi mora vesh se Padër Pjetër Meshkalla, kishte nise me u sëmurë randë, u nisa shpejt për ta pa. Dojsha ta shihsha sa ma parë. E gjeta si në gjumë, me fytyrë nga muri. Pranë tij, gjeta tre burra. Iu avita burrit të madh e, tue i vu dorën mbi krye, lehtë e thirra. Me një të qeshun të lehtë, më njohti. Nuk mujte me folë. Flitsha unë. Plot gëzim, kur më pau. U kishte thanë njerëzve për mue, se shpejt do të lirohesha. “Kisha nuk do të mbesë pa meshtarë”, – kishte thanë. Më priste për të ba shërbime. Padreja, aty e kishte mendjen e zemrën. Ishte shkri, ishte tue u fikë, në detyrën e shejtë. Me qindra njerëzish çdo ditë, kishin rra, si te një kishë, si të një Shenjtore me u rrëfye, me u kungue, me marrë mësime, këshilla, drejtime.
Më erdhi keq që e gjeta në atë gjendje, pa mujtë me shkëmbye fjalë njeni me tjetrin. Në këto çaste, pata shumë nderim, dashuni e dhimbje për ketë se kisha humbte një meshtar shembull e një misionar në këtë kohë të vuajtjeve tona e të nevojave tona. U gëzova për së forti, se e gjeta gjallë, por edhe së paku, se merrsha pjesë në vorrimin e tij, që prej pjesëmarrjes së disa elementave të rij, qe si një demostrate serioze, e heshtun dhe e vendosun, në ora 5 të datës 29 korrik të vjetit 1988.
Në ditën e tretë të lirimit, do të bajsha vizitën e madhe dhe të dhimbshme ndër vorreza te vorri i nanës. Shkova me kushrinin Simonin, me vëllanë e motrën. Kishim tuba lule ndër duer. Lutje dhe pak lot. Putha ato buca.
Në ato ditë, mbasi celebrova meshën për shpirtin e nanës, nisa shpejt meshën Gregoriane, për atë. “Le të pushojë në paqe e të lutet për ne, ky njeri i madh që asht Nana, dhe nana eme, mbas Virgjinës, ma e madhja Nanë”. Bashkë me vizita, nisën edhe shërbimet. Jo menjëherë, por ata rriteshin pa qenë në gjendje për t’i përballue. Kisha gëzim dhe fuqi. Nisa të përtrihesha. Shpejt e mora veten. Motra kishte një kujdes të veçantë, me ushqye vëllanë e mue, sa ma mirë. Ajo na rrinte gati me të gjitha mirësitë e një motre: vepra dashunie e të punëve të mira për vëllazënt e vet, ndër luftat e tyne e, në ndihmë të vërtetë për shërbimet fetare.
Shkrimet e burgut
Që në ditën e dytë të lirimit, u mora me shkrime: me i nxjerrë ata që kisha punue në burg, në letër, e fshehë. U dojshin shkrue shpejt dosido, që të mos harrohej asnjë fjalë. M’u donte në këtë rast, të mos pushojsha në zhegun e ditës e, të bijsha vonë për të fjetë, që t’i mbarojsha së shkruemi tridhjetë copat, sa ma parë. Ma vonë gjejsha kohë me u ba qortimin, për t’i shkrue në letër të mirë. Shërbimet fetare fillojshin herët në mëngjes e, vazhdojshin gjatë krejt ditës, deri vonë. Mbas disa ditësh, nisa me u folë fjalën e Zotit, me një program, tue u zhvillue një katekizëm të përmbledhun ndër familje, sidomos në fshat, ku mblidheshin shumë vetë. Shihej se ishte fe e fortë. Fe e fortë në fshate. Ma e fortë ndër gra. Shumë e fortë në të rijt, që kishin besim e kuriozitet, për të dijtë çdo fjalë. Shumë nisën të vijshin për t’u pagëzue, për t’u rrëfye e kungue, edhe për të ba krezmin.
Kudo në shtëpia ishte futë televizori, me programe mahnitëse. Ndihej predikimi dhe muzika kishtare. Shiheshin ndryshimet disiplinore, të bame në Kishë mbas Konçilit të Dytë të Vatikanit. Njerëzit ndiqshin me aq interesim lëvizjet e Papës Gjon Pali II-të, që shëtitte botën ndër kontinente. Papa u kishte hy në zemër. Kisha asht e përshtatshme për të gjitha kohët. Ajo pa ndërrue dogmën, parimet e moralit, hierarkinë kishtare dhe shtatë sakramendet, xen vend kudo. Asht e re edhe në kohët e reja. Tue qenë se muer të hapte televizori, ndihej nevoja e gjuhëve të hueja, që tashti nisen të jepshin ndër shkolla.
Një vjet para se t’u lirojsha, u hap fjalë në burg, si nëpër dhamë, që priftënt do të delshin. Ishte Prill. Një dekret i posaçëm, i nxirrte meshtarët katolikë nga burgu. Nuk kishin mbetë ma tepër se pesë. Qenë At Anton Luli, Dom Ndoc Sahatçia, At Zef Pllumi, Dom Martin Trushi. Mbet pa dalë, se para tre muejsh e kishte marrë Zoti për veti meshtarin e vlershëm, Dom Pjetër Grudën, me të cilin kalojshim shumë orë të ditës. Më preku fort, kur më dha dorën, kur u lirova, tue më thane, se nuk do të shiheshim ma. Vërtete nuk do të shiheshim ma, në këtë jetë.
Ardhja e Nënë Terezës (15 gusht 1989)
Ishte Gusht. Ishte data 15. Ishte dita e të ngjitunit të Zojës në Qiell. Ishte dita e ardhjes së Nanës Tereze, në Shqipni. Kjo kje ngjarje e papritun. “Këta” e quejten “Bamirësja e mirënjohtun”. Ajo erdhi me një motër tjetër. Dy motra të mira. E pritën mirë murgeshën shqiptare të Kalkutës. Ajo asht Nana Tereze, që i ka ba veprat në botë, me kryq e rruzare. Me këto ka ardhë edhe në Shqipni. Ato i mban në dorë, edhe kur takohet me të sëmurit në spitalin e Tiranës, me vizitën me Ministrinë e Punëve të Jashtme, me ato do të shkojë në shtëpinë e Nexhmijes. Te vorri i nanës së vet. I ka ato me veti. Edhe te vorri i Enverit. Unë mora jetë. Kush nuk merr jetë? Unë mora hov.
Pres ditë të mira. Pres lirinë e besimit. Pres. Çka nuk pres? Përpiqem të flas fjalën e Zotit, me shumë zell, me shumë dashuni. Asht një kohë që po bahej interesante. Asht ajër i përziem, sepse fryjnë ernat nga shumë anë, keq e mirë. Duket koha se asht si një diell, që nuk vazhdon tanë ditën, si një hanë me rreth resh. Njerëzit pohojshin prej nevojet, le të hamë një herë në ditë, por të kemi kishën. Një fëmijës afër tri vjetësh në fshat, e kishte mësue e ama, me u lutë. Thonte “Atynen, – me duer bashkë, – Falemimërinë” dhe bante punën e pendimit, ky që nuk kishte ba asnjë mëkat. Në moshat pesë, gjashtë vjeç, sidomos në fshat, fëmijët që nuk dijshin çka asht Kisha, që nuk kishin pa kurr meshtar, vetëm tash në televizor, i dijshin disa urate, që i kishin mësue ata fëmijë nëpër dhoma dhe në oborret e vogla, ku ndihet era e fshatit dhe aroma e plehut.
Për një të sëmurë natyra e fshatarit tonë, asht me kërkue ma parë meshtarin, pastaj mjekun. Duen ujin e bekuem, ma parë se ilaçet. Bijshin lëmoshë meshe, për gjithçka. Një, dy, tri, dhjetë. Edhe meshë Gregoriane: tridhjetë meshë që do të thoheshin rresht, për atë shpirt burgatori. Meshë kërkojnë edhe për një andërr, që kishin pa. Fillon ndonjë të ndërtojë një shtëpi, duhet meshë. Për një fejesë, po ashtu, për të mbarën e shpirtit e të korpit. Edhe për shpirtin e burgatorit, ma të harruemin. Për meshtarët e vdekun. Më erdh meshë për shpirtin e Dom Injac Gjokës, edhe për Padër Mëshkallën. Me datën 16 gusht, më erdhi një meshë për shëndetin e të mbarën e Nanë Terezes. “Nanë Tereza, ka punë të vështirë”, më thojshin.
Fshatari asht i lidhun me tokën, me natyrën, me materien, nuk i mungonte ideali i besimit. Asht i aftë fshatari, nësa ti flet për jetën e andejshme, me të ndie tue folë me orë të tana. Janë të nevojshme dhe të domosdoshme konditat, sidomos nder ne. Shejtent janë të tjerë. Ata duen për vete mungesë, privacione, sakrifica, vetëm një shtroje, një gjellë sido. Këta janë parime të nalta të tyne e, janë në luftë përherë me luksin, e i rrijnë larg butësisë së konditave e dredhive të materies. Ata bajnë shpikje, për t’u ba mirë të tjerëve e, lusin Zotin që njerëzit mos të binë në idhuj të rij. Shejtënt bajnë pendesë të mëdha. Një pendestari të madhe, i duket i tepër taloni, racioni shqiptar i komunizmit.
Çka asht taloni? Mish, tri kile në muej, për familje. Dy kile djathë në muej e, 300 gr. burrofresko për familje. Prindja do t’ia lanë fëmijëve. Njëqind gram kafe në muej, për familje. Edhe kjo jo çdo muej. Groshën që e hajnë fort shqiptarët, ajo që i mbledh fëmijët e vogjël ose brashat, do të merrej tri herë në vjet. Shumë katër. Mesatarja një kile, në çdo stinë. Rroga ishte 158 lekë ose 200, lekë në ditë. Qumshti ishte me mungesë e me radhë, e njerëzit për ta do të zgjoheshin kah ora dy mbas mesit të natës, e me pritë orën 5°°, kur fillonte shitja mes zhurmës për të marrë një kile tambël.
Mund të gjejsh ndonjë kile ma tepër, ke njihte shitësja, tue pague ti një shumë ma të madhe, se atë që paguen zyrtarisht. Janë ngatërrue dy sisteme përnjiherësh, në gjithçka, në çdo punë, në çdo veprim. Ndodhte këtu një karambol ideologjik. Paguen vlerën e sistemit socialist dhe shtesën e mirë të sistemit privat. Janë këto kontradikta dhe jo antagoniste. Kur po vdesin këto? Pushojshin në paqe, sa më parë. A thue mund të kalben vetiu, para se me vdekë?!
Përsëri arrestimi im
Ditë me vrantësi. Përziemja e stinës së verës kah fundi, me fillim vjeshte. Nisin shinat e shtatorit e të tetorit. Shi me stuhi, e male tallazesh në det. Këtu duhet me iu ruejtë rrufeve të paprituna. E nën këtë qiell, që herë herë dukeshin rrezet e diellit, shiheshin vetëtimat e shpejt rrufetë, mes ditëve e netëve që kcejshin e hidheshin si këpucët e prishuna, nëpër balta në llopskllopin e territorit. Koha asht një këpucë e keqe, që nuk mban thumb. Ajo nuk jep besë. Ajo nuk ka dhanë kurr. E ti kurr mos u gënje. Na mendojshim se po shkojshim drejt lirive. Thomi të lirive, se një liri nuk ban pa një tjetër.
Ajo e ndërgjegjes, do atë të veprimit. Ajo e fjalës, atë të shtypit e të gjitha me radhë. Fe, fjalë, shtyp, ndërgjegje, mbledhje, kufij pa tela. Aspak tela. Asnjë regjim socialist, nuk i ka ndejë ma besnik doktrinës së komunizmit, se komunizmi shqiptar. Terrori i diktaturës së proletariatit, ka pasë konsekuencën e vendimeve të marruna herë mbas here dhe shnjerëzimin e ka identifikue me emancipim dhe ideal, e mungesat i ka justifikue tue pohue, se na punojmë për të ardhmen e lumtun. Komunizmi ka një fytyrë; dy fytyra. Shumë fytyra. Në tokën që nisi të merrte pak llasë, mbas ndonjë vjet, po binte rrufe historike.
Plenumi i tetë i Komitetit Qendror të Partisë: “Asnjë lëshim besimit. Ne i kemi mbyllë institucionet fetare, për arsye se ata kanë prishë unitetin e kombit”. Si u ba tash kjo punë?! Çka do të thotë kjo punë?! Por unë vazhdoj punën teme e, nuk prish këtë unitet. Unë kisha ra fort në sy, se shërbimet që bajsha, kishin marrë fort të hapët. Qyteti, katundi, atdheu, ishin ba një. Shërbime në shumë famulli. Lëvizjet e mia diheshin nga shteti edhe njerëzit e, shumë që hyjshin e delshin në shtëpinë time, për shërbime. Shteti kishte heshtë e, dukej se ishte në një gjendje tolerance, por tash vijshin disa ditë, disa muej, të vështirë për mue.
Tash gjindem në Rragam, një fshat që duket si një Betlehem natyruer, i thirrun për të evitue një ngatërresë mes fisit, për t’u pajtue edhe para një martese e darsme. Jam në shtëpinë fort të mirë të një fshatari, në shtëpinë e Ndrec Hanxharit. Asht ditë e martë, me shi tetorit, të datës 10. Kah ora 17°°, në të errun, celebroj meshën. Në këtë mbramje celebrojsha meshën herët, tue qenë prezent vetëm njerëzit e shtëpisë dhe jo si herë të tjera, ku mund të gjindeshin në dhomë, ma se njiqind jetë. Heret shtruen darken, tue qenë aty djali i axhës së Ndrecës dhe dy nipat e tij. E ishte organizue me bisedue me këta, që ishin kuadro të naltë pune. Kishin kënaqësi me dijtë njohuni kryesore të besimit.
Më kishte sigurue Ndreca, për këta persona. Prej natës së stuhishme, dritat elektrike fikeshin e atëherë vazhdojshim punën tonë të bisedimeve, nën dritën e qirave. Ajo mbramje si pa u kujtue, u randue ndoshta influenca e motit me një qiell resh si kulshedra, me një shi, herë pas here të tmerrshme, një natë misterioze. Na bajshim biseda shoqnore. Shiu binte randë. Dy persona, ia kishin dalë të futeshin në oborrin e shtëpisë lehtë, tinëz, të armatosun. Qenin e kishin izolue: “asht anmik”. Ishin afrue nëpër atë stuhi shiut, dritares së dhomës ku ishim na. Na shifshin. “Ky asht”, i kishte thanë operativi shokut të vet, për mue. Asht gati ora 21°° e kësaj nate të veçantë për ne.
Kërset fort randë dera e shtëpisë. Hyn brendë me furi operativi, një djalë i ri dhe i gjatë me shtat, i plotfuqishmi i zonës, një polic dhe me një urdi, kryetari i Këshillit të Pushtetit, që më njihte dhe e njihsha, të cilit po në këtë shtëpi, i kisha vu kunorën shejte në një mbramje, mbasi ishte një kushëri i Ndrecës. Me këtë grup, hyni dhe shoferi. U futën e pyetën menjëherë, cili ishte i zoti i shtëpisë. “Unë”, përgjegji Ndreca. “Kush asht ky”? pyeti operativi për mue. “Mik”, përsëriti Ndreca. “Prift, mik”?!- tha operativi.
Nisën kontrollin. Kontrolli i imët në xhepat tonë, në rrobe, dhoma, në krejt shtëpinë. Shpërthyen edhe drrasat e shtëpisë. U gjet një pako e imja, në kredencën e dhomës. Aty kishte një stolë, një office, që ishte Visari Shpirtnuer. Vajnat shejte që i mbajsha gjithher me veti. “E kuj asht kjo”? pyeti operative Sigurimit. “Asht e imja”, – përgjegja unë. Një Kryq i madh rrinte, jo i varun në mur, por ratë mbi Edenc, sikur gjindet të Premten e madhe, kur ekspozohet në kishë, për adhurim. “Po ky”, pyeti përsëri operativi. “I emi”, foli i zoti i shtëpisë, qetësisht. “Për mesha i ke këto”? Tue qenë i ri në moshë operativi dhe i mësuem të flasë në djalektin e jugut, nuk dinte të thonte për meshë, por; për mesha. I përgjegjem se i kam për lutjet e mia personale.
Shtëpia u terrorizue. Të gjithëve u kishte hy frika: së shoqes, fëmijëve. Ata të tre që kishin ardhë për bukë, i përgjegjen atyne, kur kjenë pyetë, se çka bajshin aty me priftin, këta u thanë me qetësi: “Na kemi ardhe të njeriu ynë dhe na nuk e dimë se kush asht ky”. I zoti i shtëpisë, Ndreca, synin e kishte kokërr. Mue më morën, mbasi u ba proçes-verbali i materialeve e u firmue, por Ndreca u tha se; “due të vi edhe unë me ju, se nuk e lëshoj, mbasi, si mbas zakonit, unë pritem në besë”. Ndreca po bahej vërtet burrë i madh, në këtë ngjarje të vështirë. Jo të lidhun duersh, na morën të dyve, tue na shti në një makinë romune, të markës “Aro”. Gjysmë orë bani; për të shkue deri në Degën e Punëve të Brendshme, në Shkodër, ndërtesa famkeqe, nësa shiu vazhdonte të binte.
Shoferi, një lunatik i tërbuem komunist e, një fondamentalist ma i tërbuem, së bashku me operativin, shpreheshin kundër besimit, me të tanë dhunën e kohës dhe me një furi kundër besimit katolik. “A kujton, – më tha shoferi, – që nuk kishte punë aty të flasë”, por tue kujtue vetin, se po flite në emën të klasës puntore e, të shpirtit, mllef antikatolik, – a kujton, – më tha, se mbaroi qeveria e Enver Hoxhës, në Shqipërmë Socialiste? Asht populli ky, në fuqi. Populli të ka kapë e, do ta tregojë vendin ty, e shokve tuej, që pritni ditët e juaja”. Këto mënyra të egra të dhunës, isha mësue t’i dëgjojsha sa herë. Në Degë më dolën para në atë natë të trishtueshme, policë, disa, shumë police, që më rrethuen e më sulmuen me fjalët më të këqia të kohës, aq të tërbueme.
Vazhdonte kjo luftë, tue qenë pranë dhe shoferi, ky shpirt përbuzës dhe idhnak i përmbajtjes fort orientale, i cili po ia kalonte të gjithëve në sulmet e tij. Shiu i randë kishte nisë të pushonte. Më dërguen në një dhomë nën vrejtje. Nisa të mërdhitsha pak prej atij shiu të imtë, që ftohte kohën tinëz, në një dhomë me një dritare të madhe pa xham, por me hekura. Në mesin e natës, hyni në dhomë një oficer i ri, i veshun me robe civile. I kam prishë gjumin. Me një za të premë, më pyeti se a kisha gja të ndalueme në shtëpi. “Jo”, kje fjala ime. Më hyni një frikë, që po shkojshin në shtëpi, me kontrollue. Ndoshta dhunojnë Eukaristinë. që e kisha të mbështjellun, futë në një teke. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm