Nga Eugjen Merlika
Pjesa e dytë
Një jetë nën diktaturë
Kujtime të një “armiku të klasës”
PËRSIATJE Letrare,Shoqërore, Historike, Njerëzore.
“Ktu vaji e trishtimi
Veç ndihet ndër shpija
Ktu ndihet tingllimi
I hekrave të mija
E gjama e nji të shkreti
Qi bjen vala e detit”.
NDRE MJEDA
Për “çudi”, mbasi “morën vesh” nga gazetat dhe radiot e huaja praninë e metodave të shfarosjes në praktikën e përditshme të kampit, oficerët e Ministrisë së Brendshme, që erdhën për të komunikuar prishjen e tij, si zëdhënës të denjë të padronëve të tyre, shprehën “habinë”, për çka kishte ndodhur. Hipokrizia kriminale shkonte deri në ngarkimin e përgjegjësisë viktimave, mbasi “nuk qenkëshin ankuar më lart”, një mënyrë sa e ndyrë aq dhe cinike për të fshehur ata që kishin projektuar deri në detaje krimin e që drejtonin fatet e vendit. Ishte një përpjekje trashamane për të shpëtuar “faqen e larë” të udhëheqësve, për të cilët ”njeriu është kapitali më i çmuar”. Është për t’u habitur fakti që ende sot e kësaj dite, ka njerëz që me ndërgjegje thonë se “uji vjen i kulluar nga lart, por turbullohet poshtë”, se Qeveria mendonte për njerëzit por, kuadrot poshtë vepronin si mbas dëshirave të tyre. Çfarë naiviteti për të gjetur shpjegimin e aq shumë të këqijave!
Mbas strategjisë së shfarosjes së kampit të Tepelenës udhëheqja, projektoi një sistem të ri për atë masë njerëzish që përfaqësonte “opozitën” ndaj socializmit. Kish vdekur Stalini dhe themelet e veprës së tij kishin filluar të lëkundeshin në vendin e tij; përgatitej takimi i Gjenevës i Katër të Mëdhenjve, Nikita Krushovi filloi të fliste për kurs të ri. Udhëheqja staliniste shqiptare mendonte se nuk ishte më i dobishëm terrori masiv, i ushtruar për dhjetë vite me radhë. Shembujt e tij janë fakte bindëse e të shumta. Mjafton të kujtojmë Bedenin, Orman-Pojanin, Vloçishtin, Vlashukun, e të tjerë kampe pune të detyruar, ku kanë vdekur me qindra të dënuar politikë, ku njeriu varrosej i gjallë në llucën e kanalit nga çizmja e policit. Të kujtojmë gjithë ata të pushkatuar për bombën e hedhur në oborrin e Ambasadës Sovjetike, represionin e pashembullt mbi popullin e Mirditës, mbas vrasjes së Bardhok Bibës e të tjera shfaqje mizore të diktaturës komuniste, në ata vite të kobshme.
Tani duhej ndryshuar taktika. Internimi merrte një formë tjetër dhe vendi i zbatimit të tij u caktua Lushnja, një qytet në qendër të Shqipërisë, pranë kënetës së Tërbufit. Aty do të ndërtohej një fermë e re dhe kishte nevojë për krahë pune. Këtu u grumbulluan shumica e t’internuarve, të shpërndarë në kampe të ndryshme. Këtu edhe un u bashkova me gjyshen, nënën dhe xhaxhain që kishte kryer dënimin e tij me burg.
Kushtet e jetesës u përmirësuan në krahasim me Tepelenën. Familjet u strehuan në baraka e dhoma të veçanta, me një minimum komoditeti e me një varfëri të skajshme. Por t’internuarit i vunë gjoksin punës në bujqësi e, me djersën e tyre, filluan të ushqehen të shkëputur nga kazani me bollgur. Me mund e sakrifica themeluan sektorët e fermës më të madhe në Shqipëri. Në sajë të punës së tyre, Lushnja u bë hambari i Vendit. Populli i Lushnjes, me gjithë trysninë e vazhdueshme psikologjike e propagandën e egër partiake, që i paraqiste të “internuarit” si armiq, nuk u soll keq me ne. Pjesa dërmuese e lushnjarëve e kuptonin se ne ishim viktima të pafajshme. Ndryshe nga qëndrimi armiqësor i tepelenasve, ata shfaqën karshi nesh mirëkuptim e në jo pak raste simpati e miqësi.
Me Lushnjen lidhet gjithë jeta ime, nga mosha dhjetë vjeç e këndej. Aty vazhdova shkollën shtatëvjeçare e më vonë të mesmen në gjimnazin që u hap më 1956, ku pata fatin të bëja pjesë në maturën e parë. Koha e shkollës, kujtimet e saj, janë ndoshta pjesa më e bukur e jetës së një të riu. Sa keq që këtë kohë e kushtëzonte gjithmonë pozita shoqërore, “fati” i të lindurit me një mbiemër të caktuar, fakti i të qenit bir i një të burgosuri dhe i një të internuareje. Dhe frymëmarrja ngushtohej, kur çdo ditë të rrinte mbi kokë, si shpata e Damokleut, shprehja ”a e din se kush je ti”?! Kështu u rritëm un dhe shokët e mi, pa pretendime, pa ëndrra, të cunguar shpirtërisht, të kënaqur me një copë bukë me gjizë apo sheqer, të ndrojtur për të treguar të vërtetën e jetës sonë.
Ne jetonim mes njerëzve, në shkollë kishim marrëdhënie me mësues e nxënës. Para ekranit të kujtesës kalojnë të gjithë e një pjesë e mirë e tyre më ringjall respekt e konsideratë të thellë. Si mund t’i harroj mësuesit e mi, që nuk bënë karshi meje dallim me të tjerët në ndërgjegjen e tyre, që më dhanë notën që meritoja, që nuk m’i vunë orë e çast para syve muret e luftës klasore, që shfaqën mirëkuptim, dhembshuri, konsideratë, dashamirësi, dhe atëhere kur ju kërkohej e ju bëhej presion për të kundërtën?
Emrat e drejtorit Llazar Prifti, të mësuesve Thoma Papa, Liri Kazazi, Pirro Risilia, Rexhep Ballhysa, Shefqet Karaj, Niko Deda, Hajro Babameto, Pëllumb Omari, Myfit Juka etj., i kujtoj me dashamirësi dhe sot, mbas tridhjet e një vitesh të mbarimit të shkollës. Një pjesë prej tyre nuk janë më, i nderuar qoftë kujtimi i tyre, një pjesë janë në pension e ndonjëri vazhdon punën e tij. Mbas kaq vitesh ata ndoshta nuk më kujtojnë, por un i sjell ndër mend dhe uroj të kenë mbetur ashtu sikurse i njoha, të mos jenë bërë robotë të ideologjizuar të një politike që bie ndesh aq shumë me profesionin e tyre fisnik. Ishte një fat për mua që pata të bëj me ata mësues, shumica të brezit të vjetër, sepse kam parë dhe mësues të ditëve tona, për të cilët do të kishte qenë më e përshtatshme puna e policit apo oficerit të Sigurimit.
Marrëdhëniet me shokët e shoqet e shkollës, sidomos të klasës, kanë qenë, me përjashtime të rralla, shumë të mira. Un nuk e di se ç’kanë thënë ata në mbledhjet e tyre të rinisë, ku s’mora pjesë asnjëherë, ku lektorë të ndryshëm u predikonin pa pushim thellimin e luftës së klasave, pra shkëputjen prej nesh, por me mua ata ishin gjithmonë të sjellshëm e njerëzorë. Vitet që pasuan e vunë në provë akoma më të fortë shoqërinë tonë. Për disa prej tyre si: Goni, Xheni, Berti, Halili, Lakja e të tjerë shokë e shoqe të klasës e të shkollës, uroj që të jem ndonjëherë në gjendje t’ua shpërblej miqësinë, ashtu siç e meritojnë dhe siç dëshiroj un.
Kanë kaluar tre dhjetëvjeçarë nga mbarimi i gjimnazit. Ne të gjithë po i afrohemi ose i kemi mbushur të pesëdhjetat. Secili ka problemet e tij familjare e personale, por vazhdojmë t’a ruajmë konsideratën për njeri tjetrin; sa gjë e bukur! Rrugët tona në jetë qenë të ndryshme. E imja dhe e disave si un qenë thikë të përpjeta, me hone të tmerrshme anash, por dhe ajo e shokëve të mi me “biografi të mirë”, nuk qe fushë me lule. Pati ndonjë prej tyre që bëri karrierë e, nga lartësia e saj, pati raste që nuk denjoi as të më jepte të njohur, sepse un isha i internuar, ose ndoshta pati frikë se dikush mund t’i kërkonte llogari se mbante “lidhje” me armiqtë. Por pati dhe nga ata që përmenda më sipër që shfaqën shenja miqësie në ditët më të vështira për mua, që në heshtje sfiduan diktaturën, duke i lënë të kuptojë asaj se ndjenjat njerëzore, nuk mund të prangosen nga parimet e urryera të saj.
Ndërkaq vazhdonte odisea e shpërnguljeve nga një sektor në tjetrin, si mbas nevojave të fermës dhe dëshirës së drejtuesve të Degës Punëve të Brendshme të Lushnjes. Deri më 1957, për katër vite, qëndruam në një dhomë të vetme në Plug. Flinim përtokë sepse nuk kishim krevate. Na ndriçonte bishtuku, një kandil i vogël, derisa të afërmit tanë na sollën një llambë me vajguri. Ngroheshim në flakën e krahneve të pambukut apo të degëve të krasitura të ullirit, që nëna ime i sillte në kurriz, mbasi kishte punuar gjithë ditën në fushë. Me gjithë vështirësitë e mëdha materiale, na e mbante lart moralin dashamirësia për njëri tjetrin, ideja e vuajtjes së përbashkët, e qëndresës ndaj së keqes që na imponohej.
Ndër mënd netët e Vitit të Ri që festonin së bashku njëzet apo tridhjet veta. Urimet bëheshin me nga një gjysëm gote vere e shoqëroheshin me ndonjë karamele apo në rastin më të mirë me ndonjë mollë apo portokall. Prisnim mesnatën duke kënduar e duke treguar anekdota për të qeshur. Nuk kishim as radio e as muzikë, as dritë elektrike e as tavolina, por ngushëlloheshim me njëri tjetrin, e me ëndrrat që secili ne vetvete thurte për ditë më të mira.
Më 1957 në Savër qëndruam afërsisht një vit, porse më 1958 hapej sektori i Gradishtës. U caktuam gjithsej, si fillim, pesë gjashtë familje, ato me laps të kuq, siç shprehej me sinqeritet Kryetari i atëhershëm i Degës, Nuçi Tira. Dy baraka dhe dy shtëpi, pa ujë, pa dritë dhe pa rrugë; ky ishte sektori i ri që do të ngrihej në mes të ish kënetës së Tërbufit. Kënetën e thanë të burgosurit, mes të cilëve dhe babai im. Por mbi torfën shekullore të kënetës, duhej ngritur ferma e re. Ky ishte misioni që u ngarkohej të internuarve. Duhej të sakrifikoheshin ata të parët, siç duhej të punonin të burgosurit politikë në të gjitha “veprat e mëdha” të socializmit, që regjimi i trumbetoi me bujë, gjatë gjithë kohës si “arritje” të klasës punëtore. Këto arritje ngriheshin mbi jetën, djersën, gjakun, urinë e qindra e mijra vetëve, skllevërve modernë të një shoqërie, që kishte për mision “zhdukjen e shfrytëzimit të njeriut nga njeriu”…!
Një polic, një brigadier, një agronom, këta ishin drejtuesit e sektorit të ri, padronë të plotfuqishëm, që diktonin nga mëngjesi në mbrëmje jetën e përditshme. Buka vinte çdo ditë me një qerre, herë herë dhe në mbrëmje vonë, e qerrexhiu i shkretë, xha Hidajeti, vuante nëpër baltëra rrugë e pa rrugë. Një natë ai nuk u kthye më…Kanali që nxori trupin e tij të mbytur, mori emrin Kanali i Hidajetit…!
Pak nga pak popullsia e Gradishtit u shtua, erdhën aty të internuarit e Kuçit të Kurveleshit. Kishte mes tyre intelektualë të vërtetë, me universitete të mbaruara jashtë Shtetit, me bagazhin e kulturës perëndimore, me disa gjuhë të huaja. Kishte mes tyre klerikë si, Kardinali i parë i ardhshëm i Kishës Katolike Shqiptare, Dom Mikel Koliqi, Dom Nikoll Mazrreku (satiriku Nikë Barcolla), At Mark Harapi, (përkthyes në shqip i Manxonit), publicistë si Mitat Aranitasi, juristë si Ibrahim Sokoli apo Mark Temali, profesorë si Guljelm Deda, (përkthyes në shqip i poemës monumentale “Orlandi i çmendur”), apo Nedim Kokona, oficerë akademistë si Ali Erebara apo Valentin Përvizi. Ardhja e tyre gjallëroi jetën e kampit. Ishin këta një pjesë e vogël e opozitës antikomuniste, të gjithë kishin qenë nëpër burgje. Mbas plotësimit të dënimit, internoheshin me vendime administrative dhe viheshin nën vartësinë e drejt për drejtë të një polici, që mezi lexonte emrat e tyre dy herë në ditë. Sa “zemërgjerë”, ishte diktatura me inteligjencën…!
Prej tyre mësova shumë gjëra; rrija e diskutoja me ta, isha i etur për dije dhe thithja ç’të mundja prej tyre. Më pëlqente shumë letërsia, lexoja gjithçka, nga klasikët grekë deri tek shkrimtarët e kohës. Mbi të gjithë adhuroja Shekspirin, e lexoja dhe e rilexoja herë mbas here. Në tragjedinë e Hamletit, pjesë të së cilës i kisha mësuar përmendësh, më dukej se gjeja diçka nga vetvetja. Bisedat me ata burra t’urtë e me kulturë më jepnin shumë më tepër njohuri se sa mësuesit e mi të sapodiplomuar në Universitetin e Tiranës. Ata njerëz të mirë, që më deshën si fëmijën e tyre, më mësuan se si duhej vlerësuar arti, më folën për Emersonin e Dostojevskin, për De Sanktis e për Frojdin, Emil Ludvigun e Lajosh Zilahin, e sa e sa personalitete të tjera të kulturës dhe artit botëror, që ideologjia në pushtet i linte qëllimisht jashtë njohjes sonë…!
Kujtimi i atyre njerëzve, sidomos i Ibrahim Sokolit, do të mbetet për mua gjithmonë i gjallë, duke i qenë mirënjohës përjetë për ato që më mësuan në atë moshë të re, kur kisha aq dëshirë për të zgjeruar horizontin e dijes. Ai më fliste dhe për poetët tanë të brezit të paraluftës, të cilët i kishte njohur nga afër, për Migjenin që më pëlqente shumë, për Gaspër Palin, Qemal Stafën. Një ditë ai më foli për një emër tjetër, që m’u ngulit thellë në mëndje: Qemal Draçini. Kishte qenë një talent i rrallë në fushën e kritikës, por fatkeqësisht kishte patur një fund të tmerrshëm në moshën më të mirë. U arrestua dhe nuk dihet mirë se si, vdiq në birucë apo u pushkatua pa gjyq, në ato vite të para të pushtetit komunist, kur lufta për të zhdukur inteligjencën tonë kombëtariste, kishte marrë përmasat e genocidit të pilotuar nga Beogradi.
Isha në vitin e fundit të shkollës së mesme dhe detyrohesha të banoja në një kazermë punëtorësh në Pluk e, një herë në javë shkoja në shtëpi, në Gradishtë. Haja si të mundja, në mensë apo në restorant. Kuota ime ditore ishte 50 lekë. Me to duhej të haja mëngjes e drekë. Nga ato para, duhej të kurseja për të blerë biletat e kinemasë dhe librat, me të cilët isha dashuruar. Ai vit, 1959-1960, ishte ai i vërshimit të filmave të rinj sovjetikë. Ndihej në ta fryma e re në trajtimin e temës së luftës nëpërmjet de-heroizmit, por dhe ekranizoheshin vepra të mëdha të letërsisë klasike ruse, për të cilën kisha shumë simpati. Filluan të vinin dhe filma nga vendet e tjera, prodhime italo-franceze, egjiptiane, meksikane etj. Kinemaja ishte për brezin tim, në atë kohë, argëtimi më i bukur. Por filmat, një herë në çdo dy ditë, më hanin gjithë pasditen. Kur kthehesha në kazermë nuk kisha mundësi të mësoja, sepse njerëzit bisedonin e bënin shaka me njëri-tjetrin e, në atë zhurmë, ishte e pamundur të përqendroheshe për të studiuar. Atëherë ngrihesha në mëngjes herët e plotësoja mësimin.
Në këto kushte mbarova gjimnazin me rezultate të mira e me një ëndërr magjike në tru: të vazhdoja studimet e larta. Në verën e 1960-ës, m’u krijuan disa iluzione se do të mund të vazhdoja shkollën e lartë në degën e Matematikës. Një sërë faktorësh m’a përkundën në djep ëndrrën më të bukur të jetës sime, ëndërr që ushqehej dhe nga naiviteti i adoleshentit për drejtësinë shoqërore. Por gushti, me listat e shpallura të studentëve, e vrau barbarisht atë. Si i mbyturi, që kërkon një fije floku për të shpëtuar, un përdora atë mjet që ishte dhe mbetet një iluzion tepër zhgënjyes për këdo që kërkon të gjejë sado pak drejtësi, letrat drejtuar autoriteteve më të larta partiake e shtetërore. Kështu, gjatë një viti të tërë, ju drejtova me radhë Manush Myftiut, Mehmet Shehut, Enver Hoxhës, me shpresë se ndonjëri prej tyre mund të kryente “mrekullinë”, për të më dhënë një të drejtë studimi, në një kohë kur flitej se “fëmijët nuk duhet të paguajnë fajet e prindërve”! Përgjigjet ishin po ato stereotipe: “Drejtohuni organeve kompetente”, një përzierje cinizmi e talljeje, përgjigje që shumë kush nga brezi im besoj se ka patur rastin t’a marrë vetë, në sa e sa kërkesa.
Nuk arrija të pajtohesha në vetvete me këtë mur që më dilte përpara, kacavirresha me thonj e me dhëmbë për t’a kapërcyer, por rrëzohesha e prapë filloja si Sizifi ngjitjen e gurit në majë të malit. Isha vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe vetja më dukej si Hamleti në mëdyshjen e tij proverbiale “Të rrosh a të mos rrosh”. Më dukej çdo gjë e kotë dhe vetë jeta pa ngjyrë, sikur më rëndonte mbi shpatulla e në shpirt një peshë e madhe që, nga një çast në tjetrin, mund të m’a merrte frymën. Askush nuk kishte fuqi të më ndihmonte për të plotësuar dëshirën, sa të drejtë aq dhe njerëzore, të studioja e dijet që do të merrja t’i vija në shërbim të popullit tim. Un isha një pjesëz e vogël e tij, por më mohohej përkatësia, sepse gjyshi im kishte qenë Kryeministër në kohën e luftës, kur un nuk kisha lindur. Un isha dënuar që pa lindur, për të qenë vetëm skllav, kjo ishte logjika kriminale e udhëheqësve të PPSh-së, që përcaktonin deri në detaje ecurinë e jetës sime. Kjo ishte shpata e “diktaturës së proletariatit”, që hynte thellë deri në ëndrrat tona, i vriste, i masakronte ato, edhe nëse një citat i Leninit, “Duhet t’ëndërrojmë”, shkruhej me germa të mëdha në stendat e shkollave…!
Kjo ishte një dhimbje e thellë edhe për prindërit e mi të shumëvuajtur, që dikur kishin folur gjatë se ku do të më çonin për të studiuar, në Oksford apo në Sorbonë. Në atë vit isha bashkuar dhe me babanë që, mbas katërmbëdhjetë vitesh jete burgu, ishte kthyer në shtëpi. Më kishte lënë dy vjeç e më gjente maturant, me dëshira të mëdha për të hapur rrugën e jetës, por në pamundësi për të bërë gjë për të. Fatin tim e kishin dhe shumë të tjerë që, në kushte të përafërta me të miat, detyroheshin t’i nënshtroheshin iluzioneve të humbura në shkretëtirën e padrejtësisë që rrënonte çdo gjë e që ishte vënë në piedestalin e pushtetit.
Në vitin që pasonte, xhaxhai i babait tim, që më mori fëmijë nga kampi i Tepelenës, bëri dhe një përpjekje tjetër. Më mori në Korçë e më regjistroi në vitin e fundit të shkollës Pedagogjike “P. N. Luarasi”. Qëndrova në atë shkollë deri më dhjetë nëntor 1961. Mund të them me bindje se ato dy muaj e gjysëm ishin ditët më të bukura të jetës sime gjer më sot. M’u duk se m’u hoq pesha nga shpatullat, ndjehesha i barabartë me shoqet e shokët e shkollës, që shpejt u miqësuan me mua, ndoshta nga që nuk e dinin mirë historinë time. Deshën të më bëjnë dhe anëtar të organizatës së rinisë. M’u duk se gjeta një oaz gjelbërimi në shkretëtirë; në horizont më përvijohej detyra fisnike e mësuesit në ndonjë fshat, sigurisht të largët, por isha i vendosur të përballoja çfarëdo vështirësie, mjafton që të mos shkëputesha nga librat.
Në pushimin e madh, mbas dy orësh mësimi të datës dhjetë nëntor, drejtori më thirri në zyrën e tij. Aty gjeta një oficer e një polic. Oficeri më tha se vendimi i Komisionit të Internim-Dëbimeve, ishte që të kthehesha pranë familjes në Gradishtë të Lushnjes. Ai komunikim qe si një sopat e mprehtë që priste sythet e porsaçelura të shpresave të mia për të ardhmen. U përshëndeta për herë të fundit me ata shokë e shoqe të shkollës që takova aty. Makina me dy policë më priste në oborrin e hyrjes dhe hipa në të për të shkuar në shtëpi. Ishte hera e fundit që shkelja si nxënës oborrin e një shkolle, ishte dita e fundit që mbaja libra shkolle në duar…!
Në shtëpi, mes lotëve të dëshpërimit të prindërve të mi të dytë, që më deshën aq shumë, mora plaçkat dhe librat e mia për t’u futur përsëri në “Gaz”-in që më çoi në Degën e Punëve të Brendshme të Korçës. Po atë ditë u nisa për në Lushnjë, duke përfunduar atë natë në Savër tek nëna e gruas së xhaxhait, tek e cila kisha ndenjur, për të kryer vitin e tretë të gjimnazit. Ajo ishte një grua fatkeqe malësore, së cilës diktatura komuniste i kishte vrarë burrin dhe e kishte dergjur kampeve të internimit, me tre fëmijë të vegjël, që nga viti 1945. E desha sinqerisht atë plakë të thjeshtë por stoike, që më shtroi me bujari sa e sa herë sofrën e saj e që shkoi e përvëluar nga malli për djalin, që u arratis para njëzet vitesh e të cilin nuk e pa më…! Të nesërmen, në një ditë me shi, u nisa për në Gradishtë në këmbë, mes baltave të fushës. Shiu vazhdonte, qielli ngjyrë gri sintetizohej bukur me gjendjen time shpirtërore. Tashmë jeta ime ishte përcaktuar. Ajo nuk mundi të rridhte gjëkundi, veçse në shtratin e saj të kampeve të internimit. Nuk kishte forcë në botë t’a ndryshonte këtë rrjedhë…! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016