Nga Visar Zhiti
Pjesa e gjashtë
Pllaka të kujtesës dhe thasë…!
–Çështja e shkrimtarit Martin Camaj –
– …ka qenë në burg, – më thoshte poeti Pano Taçi, më nepërmendet si emër…!
– Vërtet?
– Është dënuar pas Kryengritjes së Postribës dhe e liruan shpejt si moshë fare e re dhe ai u arratis fill.
– E besoj. Gjithsesi edhe në qoftë ndonjë homonimi… Te çdo poet gjen burgun e tij, të tjetrit, burgu është…
– Të jesh apo të mos jesh?
– Në burg jemi…!
Ndërkaq, studiuesi Kastriot Dervishi, kompetent i Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, drejtor i të cilit dhe ka qenë, ka nxjerrë dokumente që bëjnë me dije se arrestimi në moshën 23 vjeçare dhe arratisja menjëherë pas kësaj e Martin Camajt, lidhen me një organizatë të rinisë shkodrane kundër regjimit dhe të arratisjes në grup në vitet 1947-1948.
Shumë e më shumë do të bënin të arratisurit jashtë Shqipërisë për albanologjinë dhe evropianizimin e kësaj shkence, për gjuhësinë e pa politizuar, dialektet, kur gjuha shqipe po hynte nën mors si nën një vegël torture, duke u ngrirë dhe standartizuar, fitimtarët madje do të krijonin duke standartizuar dhe gjuhën e tyre, atë të dikaturës. Kultura dhe letrat shqipe ishin vënë në shërbim të sistemit të ri. Dhe shkrimtarët dhe artistët duhej të ishin të partisë. Ndryshe i priste çshkrimtarizimi ose burgu. Jashtë Shqipërisë, kultura dhe pluralizmi i mendimit i viteve ’30 dukej sikur vazhdonte më natyrshëm, ruhej lidhja e letrave, pa ditur në kishte apo ajo arritje….!
Martin Camaj
(1925 – 1992)
Lindi në Dukagjin, ku mësoi si autodidakt shkrim e këndim e matematikë dhe pagëzuesi i tij, At’ David Pepa OFM, ndërhyri që të vazhdonte studimet në Shkodër. 10 vjeçar futet në Kolegjin e Jezuitëve. Kalon me sukses shkollimin dhe turberkulozin njëherësh. Hap në Prekal një shkollë, ku do të jetë dhe mësuesi, ndërkohë njihet dhe si pjesëmarrës në qëndresën kundër partizanëve komunistë. Fitimitarët do ta përndiqnin. Që t’u shpëtonte, detyrohet të arratiset në vitin 1948 për në Jugosllavi, bashkë me 35 veta të tjerë. S’do ta shihte më kurrë familjen ndërsa, një vëlla i’a arrestojnë dhe do të bënte 30 vjet burg në Shqipëri.
Martini punon si mësues në Pejë dhe Tuz dhe në 1950 shkon në Beograd të studiojë për Filologji romane. Martohet me serben Nina Bogdanoviq, edhe në kishën ortodokse dhe në atë katolike.
Boton dy libra me poezi në Kosovë “Një fyell ndër male” dhe “Kanga e vërrinit” në vitet 1953 e ‘54.Studimet pasuniversitare për Albanalogji i kryen në Sarajevë dhe mbron doktoraturën me “Gjuhën e Gjon Buzukut”. Dhe ikën në Itali. Me mbështetjen e Ernest Koliqit dhe at’ Zef Valentinit vazhdon studimet në Romë për ‘Letërsi italiane’ dhe bashkëpunon me Institutin e Studimeve Shqiptare që drejtonin ata. Ndjek leksione dhe nga poeti i njohur Giuseppe Ungaretti, nga i cili do të ndikohej shumë sipas kritikëve të poezisë së tij, plot me simbole e metafora të Veriut tonë. Po në Rom: e boton romanin “Diella” në 1958.
Mbron këtu doktoraturën tjetër me “Mesharin” tonë, që boton në “Shejzat” e Koliqit”: “Il Mesale di Gjon Buzuku. Contributi linguistic allo studio della genesi”. Punon si lektor në universitetin “La Sapienza”, njihet me poetët emigrantë të vendve të tjera, anëtarë PEN, deri sa largohet në vitin 1960 për në Gjermani. Në Mynih lidhet me Universitetin Ludwig-Maximilian, merr një tjetër gradë shkencore, etj, dhe të drejtën e dhënies së kurseve hyrëse të gjuhës shqipe. E shoqja, Nina, pasi jepte mësim gjuhë ruse në Universitetin “Bocconi” në Milano, në Mynih punoi si mësuese dhe biblotekare dhe pastja hyn në Urdhërin e Tretë Françeskan dhe si Motër Elisabeta riktheht në Milano.
Në 1969 Martin Camaj martohet me gjermanen Erika. Deri në vitin 1990 punon si Profesor i Albanalogjisë, si shkrimtar i përkushtohet më shumë prozës. I përkushtohet gjatë një romani, pjesë të tij, “Uji, zjarri dhe gjaku” dhe i boton në vitin 1978, nën titullin “Rrathë”. Libri me pesë trigime “Shkondullima” del në 1981. “Dranja” – madrigalet në prozë, ku plot dhimbje zbulon identntetin kolektiv nëpër ndryshime, sipas meje është dhe një monolog i llojit kafkian. Në vitin kur unë do të lirohesha nga burgu, 1987, del në Romë romani i fundit “Karpa”, një distopizëm, ngjarjet e të cilit zhvillohen në të ardhmen, në vitin 2238, larg…!
Në Nju Jork, në 1990 del një antologji me poezi në anglisht e Camajt “Selected Poetry” dhe një vit më pas në Munich & New York “Palimsest” E tillë është e gjithë vepra e Cmajt. Me t’u liruar nga detyra, Martin Camaj shkon të jetojë në Lenggries, vendi që i kujtonte trojet e vendlindjes. Vdes në mars të 1992 në Mynih.
Në vendlindjen e tij, në Temal, sipas ritieve parake, nisi “gjama e burrave”, për birin që s’u kthye dot.
At’ Daniel Gjeçaj
(1913 – 2002)
Në atë “Çetën e komitëve kundra komunizmit”, mes atyre 36 vetave që po arratiseshin për në Jugosllavi në 1948, mes tyre, bashkë me shkrimtarin Martin Camaj, do të ishte dhe Atë Daniel Gjeçaj.
“Profesori – kaçak; Frati – komitë”. Po iknin t’i shpëtonin burgut, pushkatimeve. Rrugës së vështirë dhe me rreziqe koke, ‘kishin nevojë për një atë shpirnuer. Do të më duhej me çue meshë shpellave, me i pri rruzares pyjeve…”, kujton At’ Danieli
…ishte nga malet e Thethit dhe kishte zbritur në Shkodër që të futej në Kolegjin e Françeskanëve. Vazhdon Liceun “Illyricum”. Në 1932 vesh zhgunin dhe dërgohet të studiojë në Itali, në Siena, në kuvendin e “Shën Bernardinit”. Shugurohet meshatar, e dërgojnë në Gjermani, pas vitit të pare akademik, kthehet të shërbejë në atdhe. Emërohet drejtor i Bibliotekës Françeskane, ndërkohë ndjek dhe studimet për shkencat biologjike në Itali.
Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, kur fitimtarët mbyllin institucionet fetare në Shkodër, shkon si famullitar në Plan të Dukagjinit.
Me t’u arratisur, punon afër Podgoricës si ndihmës i i një inxhineri gjerman, rob lufte, pastaj mësues fshati në Preshevë.
Me ndihmën e Ernest Koliqit ikën në Itali. Komiteti “Shqipëria e Lirë” e zgjedh drejtues për kulturën dhe ai i përvishet punëve të botimit. E nis me eposit fishtian. Dalin “Lahuta e Malcis” dhe romani i françeskanit tjetër, Padër Anton Harapi, “Andrra e Pretashit”, vitin 1959 të dyja. Bashkëpunon me revistën “Shejzat”, ku boton dhe kujtimet e veta, studime, monografi, etj, përdorte dhe emër tjetër letrar: Pal Duka-Gjini. Fliste shpesh në Radio Vatikani në gjuhën shqipe. Organizonte konferenca “për lirinë e Shqipërisë” deri dhe në SHBA.
Përkthen Psalmet, të gjithë Shkrimin e Shenjtë, etj. Kalon me punë në Selinë e Shenjtë si përfaqësues i katolikëve shqiptarë në mërgim. Ndërkaq vazhdonte kërkimet, mblidhte dorëshkrime, dokumente për Shqipërinë, në bashkëpunim dhe me fretër të tjerë shqiptarë, veçanërisht me Prof. Luigj Marlaskajn në Bari dhe Dr. Paulin Markgjonaj në Vjenë. At’ Daniel Gjeçaj vendos të shplodhet. Në vitin e dytë të mijëvjeçarit të ri, nga Roma niset për te Ati në Qiell. Gjithë ajo punë me vlera kombëtare i jepet Bibiotekës së re të Françeskanëve në Gjuhadoll…!
At’ Luigj Marlekaj
(1906 -2003)
Dua ta kujtoj dhe unë…!
E kam takuar në qytetin e Barit, në Itali, në Kuvendin e Shen Antonit, ku jetonte deri sa mbylli sytë përgjithmonë. I pakët, i krrusur shumë, sikur e tërhiqte dheu, i pastër deri në ndriçim, i qeshur, sepse po i vinin bashkatdhetarë nga bregu tjetër, nga kjo koha tjetër e re, aty mbi skrivani kërkon t’i sillnin ndonjë nga botimet e tij, firmoste me dorën që i dridhej…!
Gjuhëtar, historian, akademik, doktor në letra. E kishte marë në Universitetin e Bolonjës, kur studionte për letërsi moderne. “La grafica Albanese attraverso scrittori del periodo 1462-1908” kishte qenë laura e tij. Për teologji ishte diplomuar në Areco. Ishte nxënës i Kolegjit Franceskan të Shkodrës dhe i Liceut “Illyricum”. Që atëhere u bë kryeredaktor i revistës “Zani i Shna Ndout”. Përkthen në shqip veprën “Zemra n’udhëtim”, e shkrimtarit Milly Dandolo.
Siç i ishte përkushtuar Krishtit, po ashtu iu përkushtua dhe gjuhës shqipe, kultura shqiptare… të kryqëzuara po i dukeshin dhe ato. 500 vjet pushtim osman… dhe tani pushtimi nga vetvetja më e keqe, Atdheu ia kishte mbyllur derën. Shkonë në Romë në “Propaganda Fiede” dhe nxjerrte dorëshkrime të shekullit XVI-XVII. 400 vjet pas “Mesharit” të Gjon Buzukut, në 1955, At’ Luigji fiton të drejtën të mbajë ligjërata për gjuhën shqipe në të gjithë universitetet e Italisë. Boton studime nga më të ndryshmet, për Skënderbeun dhe arbëreshët, për Zef Sciró, etj, etj, e përgatit për botim në shqip dhe në italisht veprën e Fishtës “Jerina ose Mbretëresha e luleve”. Bashkëpunonte me “Shejzat” në Romë dhe me t’u rihapur “Hylli i Dritës” në 1993, në Shkodër, i rikthehet me “shpirtin shelbues”.
Kujtoj kur e sollën në Romë, ashtu të kërrusur edhe më, gati përgjysmë, sikur donte të lexonte truallin e ambasadës tonë, ku e kishim ftuar për të marrë dekoratën “Naim Frashëri”, akorduar nga Presidenti i Republikës. Isha i gëzuar se e kisha propozuar unë, atë dhe të gjithë shefat e katedrave të albanalogjisë në Itali, veprimtarë arbëreshë, etj.
Më pas, në atë rrëmujë festive, mes të ftuarve të shumtë me gota vere ndër duar, im bir, nja 3 vjeç atëhere, i ikte mamit të vet dhe kishte shumë qejf t’i merrte bastunin e bukur At’ Luigjit, të endej me të. Ati buzëqeshte…! S’e di pse më nëpërmendeshin bastunët e At Gjeçovit, të Fishtës, kisha parë në albume që dhe Lasgushi me Çabejin shëtisnin me bastun nëpër Vjenë, kur ishin studentë, etj., etj…! Dhe unë sikur po doja të merrja një bastun të tillë dhe të trokisja në kujtesën kombëtare, të tregoja ç’kishim humbur…
ZHGËNJIME DHE DËNIME, QËNDRESA NDAJ PUSHTIMIT PREJ VETVETES
…por batareja e armëve ishte shumë e shumë më e fortë, e përzier me zhurmat e punëve për ndërtimin e socializmit në Shqipëri. Po vazhdonte siç edhe nisi, me vrull dhe përpjekje të mëdha, me dhunë dhe luftë klasash, me shtetëzime, me urrejtje më shumë se sa me dashamirësi, me zhgënjime dhe plenume të Komitetit Qendror, me paranoja, me ndërtime dhe me burgje, me zvetënime shpirtërore dhe me rrënime të traditave, të ekonomisë, të besimit, me partinë në krye dhe Enver Hoxhën në ballë.
Po ndodhte rënia kolektive si në humnerë. Ashtu siç shpjegon filozofja dhe teoricenia e totalitarizmit, zonja gjermano-amerikania me origjinë hebreje, Hannah Arendt: Njerëzit kundërshtonin me ngulm çdo “socialistizim të mjeteve të prodhimit”, pa vetëdije po ndihmonin dhe mbështesnin socializimin më të rrezikshëm, atë të njeriut. Po në Shqipëri populli nuk po kundështonte dot asgjë. Dhe prapë sipas Hannah Arendt-it:
Çështja nuk është se sa mjaftueshëm jemi gjakftohtë për të menduar të pamendueshmen, por që nuk mendojmë fare. Mendonte Partia. Nuk do të lejohej të mendohëshe. Tani ishin në kohën që po i besonin dhe vetë gënjeshtrat e tyre. Donin të krijonin Njeriun e Ri. Virusin e kishin. Të infektuar ishin dhe vetë. Pandemia e tij kishte pushtuar gjysmën e Europës, në Azi, në Afrikë dhe përtej oqeanit në Amerikë…!
Pas prishjes me Jugosllavinë, më pas dhe me shtetin më të madh komunist, Bashkimin Sovjetik, dhe më në fund me shtetin tjetër me popullsinë më të madhe në botë, Kinën, gjithmonë për shkaqe politike, parimore, për doktrinën marksiste-leniste, por që në të vërtetë ishin strategjia dhe taktika e diktatorit dhe e diktaturës së tij për të sunduar sa më gjatë, përjetësisht, vendi u vetëmbyll, e vetëmbyllën edhe më, pothuajse fare, aq sa dukej si me horizonte të zbrazëta si muret me piktura të hequra, të ndaluara, teksa autori kërkohej të kapej e të dënohej.
Ankth gjithandej…!
DY KULTURAT, epidemia ideologjike në mes…!
Një tërësi si qasje dhe si druajtje, historianë dhe studiues të kulturave, kritika dhe mendimi për artet e letërsinë, i estetikave, analistë, vetë artistët dhe shkrimtarët, duke marrë në shqyrtim lëndën e tyre, kulturën në përgjithësi, ndarjet dhe dukuritë e saj, epoka të veçanta, ngritjet dhe rëniet, lindjet e zhdukjet dhe atë që mbetet përherë, metoda të përdorura e të shpërdorura, shkolla e antishkolla, grupime e ndarje e konflikte, letërsi masash dhe elitare, stile dhe autorë, vepra të epidemive, paradigma, biografi, madje dhe të librave, edhe të lexuesve etj., kritika kritikave, ide kundër ideve, art për art dhe kundër artit, një qethull i pa mbarim, emërtimeve dukurish të drejta dhe të pa drejta, të gjetura dhe të pa gjetura, të kritikueshme dhe të ndalueshme, me ndikim, pa ndikim, arsye trajtimi e shpjegimesh etj, etj. ku ne ishim dhe s’ishim, hynim dhe dilnim sipas mësimeve të partisë.
…po më nëpërmendet si shembull dadaizmi, një lëvizje kulturore emri i së cilës s’donte të thoshte asgjë. Dada… nënë në shumë gjuhë… dadë përdoret dhe te ne, po-po rusisht…Po poetët e mallkuar? Socrealizmi? Realizmi kritik, magjik, antirealizmi, rilindja, letërsia e brezit të humbur, futurizmi, letërsia mes dy luftërave, lufta mes dy letërsive, dekadente, e pastër, e pistë, verizëm, shtrembërim i realitetit, akuza me të cilën të dënonin: “izma”, ke izma në kokë, që donte të thoshte se ishe infektuar me virusin e armikut, sëmurur, Artist i Popullit, Mjeshtër i merituar, më i madhi i të gjallëve, i të gjitha kohërave, parimi i ajsbergut, ‘Nobel’, plagjiaturë, stil gotik, rokoko, armik, po, po, shkrimtar armik, i burgosur nga Partia, t’i hiqen e drejta e botimit, metaforat, triskat e frontit, dhëmbët…?!
Shtysat për shqyrtime të kështullojshme, nga më grotesket e deri te seriozet e shkencoret, janë të ndryshme, nga e tëra mund të kërkohet të shkohet te pjesa dhe e veçanta ose e kundërta, nga parcialet dhe specifiket dhe dukuria kërkohet të dilet tek e plota dhe totalja, bëhen bashkime dhe dasí si rrjedhojë dhe si befasi dhe merren në ndihmë kategori jashtë kategorive, si në letërsi që operohet dhe me joletërsinë, me drama jashtë skenës.
Sipas meje, teoria e Leninit për dy kulturat në shoqërinë borgjeze, kapitaliste, është e pa vërtetë, pra, s’ka si të jetë bindëse, është tendencioze, epidemike, ndërkaq duket më e saktë dhe mbetet më se e vërtetë për shoqërinë socialiste, ku kishte rënë pandemia ideologjike, se atje, krahas kulturës zyrtare, imponuese, lindi dhe u zhvillua edhe një kulturë tjetër, jo e partisë, jo shtetërore, jo zyrtare, shmangëse, madje disidente në vendet me liri më shumë, edhe kundërshtare, ndërsa në vendet pa liri, do të ishte e fshehtë dhe e panjohur, nën tokë skeletike, mbi tokë fantazmë.
A thua kishte ndonjë si panteon të mbuluar? Që duhej të ndalohej adhurimi patjetër. Si rrjedhojë, mund të guxojmë të arsyetojmë, duke nxjerrë një të vërtetë nga gabimi leninist: duhet të ketë dy letërsi edhe te ne. Ishte e mundur? Që pati letërsi të socializmit, shtetërore, zyrtare, që drejtohej nga Partia në shërbim të saj, me imponim sipas metodës së realizmit socialist, me 5 pikat zhdanoviste, me shkrimtarët e saj, me veprat dhe lavditë e tyre, kjo dihet dhe është e njohur botërisht. Ta shohim atë në fillim. Një qasje si letrar i ri. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016