Nga Lek Pervizi
Pjesa e dytë
ODISEJA E PAFAJËSISË
Vёllait tim Valentin, qё pёrballoi
47 vjet rresht, stuhitё ideologjike tё
komunizmit, pёr ma tepёr, i ndarё
nga grueja, njё Odise e vёrtetё
mes shekullit njёzet.
Memorie.al / Kur merr me hy në Skuraj dhe e kapërcen përruen e Urdhazës, fillon ngjitja malore, nëpër kodrën që huhët e Lekbibajve. Kalon me radhë tre mullijt që njihën si të Gjin Pjetrit, që ngrihën njeni pas tjetrit. Kalon dhe kullën dy katëshe të Ndrec Pjetrit, vëllai ma vogël i Gjinit e pastaj, ndesh në një brez shkambor mbi të cilin ngrihët një kompleks prej tri ndërtesash gurore, kullat historike që njihën si kullat e Gjin Pjetër Pervizit të Skurajve, udhëheqës i kryengritjës së Kurbinit. Këto ndërtesa dominojnë krejt luginën, që formohët nga bashkimi lumejvë Mat e Fan (degë e Matit), deri në Milot. Pothuej një kala, që ruen e mbron vendin nga ekspeditat e ushtrive pushtuese të hueja, që mund të depërtonin nga ajo grykë, deri sa të ndeshëshin në murin e maleve të Skurajt, ku, ngrihëshin kullat që përmendëm.
Shkollat e ngjarje tё tjera
Në Shqipni doli një vendim qeveritar, për të dërgue një kontingjent studentёsh nё Shkollёn Ushtarake nё Romё. Por duhej qё tё kishin mbarue gjimnazin. Im atё e thirri Valentinin dhe i tha se nёse donte tё vazhdonte shkollёn ushtarake nё Romё, duhej qё te pergatitej te jepte provimet e maturёs. Valentini që andrronte karrierën ushtarake i dha fjalën për po. Atëherë im atë, në marrëveshje me shkollën e Torinos, i caktoi një kurs special, për të përgatitë maturën.
Ket provë të vështirë, Valentini e kaloi me sukses dhe kështu në shtator 1936, fillon shkollën ushtarake të Romës, si ma i riu i studentëve të tjerë shqiptarë, ndër ta, Lek Vuksani (Vojvoda), Asim Zeneli, Avdi Mati, Minella Naçe, Abdyl Këllezi, Fiqëret Hoxha, Hamit Taga, Xhevat Hysa, Ali Ohri, Ernest Gjeçi, Shaban Begolli, Thoma Frashëri, Nuri Nuçi, Stefan Bumçi, etj. Per te qenë afër njenitjetrit, Genci erdhi nga Torino në Romë, në Institutin ‘Santa Maria’, për ta krye gjimnazin aty.
Më 1937-ën, edhe unë dërgohem në ket Institut, në klasën e tretë fillore. Pra të tre vllaznit u bashkuem në Romë. Nga shkolla e Torinos, Valentini e Genci, kujtonin vizitat që Princit Umberto bante aty, ku sa herë që shkonte atje, i takonte e i daroviste për miqësine e respektin që kishte për babën tonë, që kishte vazhdue tre vjet kurs me të, ne Shkollen e Luftes.
Më 28 Nëntor 1937, u vendos të kremtohët 25 vjetori i Shpalljës se Pavarësisë. Kështu të gjithë nxanësit shqiptarë të shkollave dhe të Akademive ushtarake u mblodhën në Tiranë, për parakalimin e madh. Prandaj Valentini, erdhi bashkë me ta. U kishin dhanë 10 dit lejë. Mbas festimit dhe parakalimit, ne u bashkuem të gjithë në Laç. Prindet ishin te ftuem në mbramjën festive në Pallatin Mbretnor.
Edhe unë e Genci, kishim ardhë me një ndërhyemje të tim etit, pranë shkollës sonë në Romë. Ndërsa ne të tjerët ishim mbledh në Laç, Valentinin im atё, e kishte mbajt në Tiranë, për ta njoh me miq e dashamirë, e në një takim që studentët ushtarakë patën me Mbretin, ia paraqiti atij. Mbreti Zog e përgëzoi Valentinin që po ndiqte rrugën e lavdishme të babës, tue i urue që të bahëj po aq i zoti sa ai. Ky ishte rasti i parë e i fundit, që Valentini të takohej me Mbretin Zog.
Në ket 25 vjetor u dëkorue edhe Gjin Pjetër Pervizi, si luftetar e patriot i Rilindjes dhe udhëheqës i kryengritjes së Kurbinit, që u kunorzue me ngritjen e famurit kombetar në Milot po në ditën e 28 Nëndorit 1912. Im atë u gradue kolonel dhe u dëkorue me urdhnin e naltë të «Besës» dhe me urdhnin e naltë të «Kunorës së Mbretnisë së Italisë» për misionin në Luftën e Abisinisë.
At nëndor 1937 e kaluem për bukuri, dhe tre ditët e fundit të muejt, erdhen me u bashkue me ne dhe baba me Valentinin. Ishte një rast i ralle që gjindeshim te gjithe se bashku, pjestaret e familjes. Shtepia gumezhinte nga miqt që vinin e shkonin, për urimin e Festës së Madhe Kombëtare. Valentini e Genci, e kalonin kohën në dhomën e miqve, plot për plot. Nё dritarёt e shtёpisё valёzonte flamuri kuq e zi. Miqtё kur vinin e shkonin, rreshtohëshin në lulishten para shtëpise, e shpraznin batare pushkёsh.
Nga Posta e xhandarmërisë, përgjigjëshin bresheri te tjera. Kishte nga ata që kishin qenë në Milot, kur Gjin Pjetri kishte ngrit flamurin mbi një vidh të madh në qendër të pazarit, tue e përshëndet shpalljën e pavaresisë me pak fjalë dhe me krismën e gjashtës së karadakut që mbante në brez, që ishte pasue nga krisma e 300 pushkëve, të burrave luftetar të Kurbinit.
Prindi ynë, 15 vjeç, kishte përjetue atë ngjarje prane axhës Gjin, në at çast historik. Rëvolja e Gjin Pjetrit etjera sende, ruhëshin në shtepinë tonë. Për qejfin tim, si ma i vogli i shtepisë, Ndue Pali, nip i Gjin Pjetrit, qe rrinte me ne, më bani me gjuejt dy herë me gjashtshën e karadakut e cila, kishte kris në shumë luftime dhe në Milot, siç thamë ma sipër. Unë mezi e tërhoqa kambëzën e koburës, me dy gishtat e dy duerve. Ishte kambёz pёr gisht burrash dhe jo çilimijsh. Por pёr njё fёmi si puna ime, ishte njё kujtim i bukur, i paharrueshёm.
Koha kaloi e me të dhe lejet. Im atë duhej të kthehej në Tiranë e pastaj në Korçë. Ne nuk mbanim autoveturë asokohë. Ai duhët të dilte te Posta e Laçit, herët, ku do të vinte e ta merrte një makinë nga Shkodra, me disa miq të tij. At mengjes, dolëm të gjithë për t’u përfalë me të. Ishte një dite e vrejtun e binte një shi i imtë e, bante ftohtë. Ai do të kalonte rrugës fushore para shtëpise, për me dalë deri në xhade e, pastaj deri te Posta. Në atë çast papritmas, ndërhyni Valentini:
“Jo babё, s’ban me kalue përsëri andej nga ke ardhë, ku gjithkush e din se ke me kalue. Ma mirë bjeri shkurt shtegut tё arave, që çon drejt e të Posta, që asht ma i sigurt“.
Im ate, pas pak heshtje, mori vendim me zbatue keshillën e Valentinit, qё e quejti me vend. U nis andej і shoqnuem nga tre besnikë, Ndue Pali, Ndue Molla e Bib Brozi, të gjithë të armatosun. Nuk kaluen dhjet minuta e, u dëgjue një krismë pushke. Te gjithë sa ishim dolëm në oborr, tue shikue andej. Pastaj ra prap heshtje. Ç’kishte ndodhë?! Sa kishin kalue në shtegun që permendëm e po ecnin me kujdes, sepse sikur ndihej një far rreziku, po prej kah?!
Ndue Pali, tue përparue në drejtimin e vet, papritmas gjendët para një levizje të dyshimtë e, diçka e madhe ngrihet pas një grumbull kaçubësh. Gishtin ai e kishte mbi kambëzën e pushkës, gati për çdo çast, e kështu e shprazi armën nё atё drejtim. Veç kur ishte çue nje çabe e madhe peshku (lloj lejleku), që e trazueme nga zhurma e hapave të Ndojt, kishte marrë fluturimin për mbas shkurrëve, ku ishte struk.
Të pranishmit qeshën, kurse ne të tjerëve na kapi ankthi, ndonse kalimthi. Disa të tjerë, të strukun pas lisave e shkurrëve diku anas xhadës, në të dalun të rrugës së shtepisë sonë, ishin trondit, dhe pushkët që mbanin në gatishmëni, sikur u kishin ngri në duerë. U kishte ik «gjahu»! Apo nuk ishin lag e ba qull e, i kishin zanë të dridhmet prej të fohtit. Ishte dhjetor.
Ajo dite mbeti e shënueme për diçka tjetër, që vërtetonte nderhymjën e Valentinit, i cili kishte pasë një si parandjenjë instinktive, të një rreziku ndaj prindit, në at mëngjes dimnor. Thuej po deshe se fati nuk i lidh fijet e veta, sipas një programi misterioz, që kushtëzon sjelljet e njerëzve me veprime të befasuese, jashtë logjikës e vullnetit të tyne! Kjo ngjarje asht një shembëll klasik i ndërhyrjës së fatit. Ç‘e shtyni Valentinin, të ndërhynte në momentin e fundit, kur im atë po nisej?! Mister!
Kur im atë me besnikët arritën te posta, ai u prit në zyrë prej komandantit, kapter Lin Shllaku, shkodran, një ndër nënoficerët ma të mirë te xhandarmerise. Ndërsa qendronin aty, nga dritarja që jepte nga ana e hanit të kruetanit Shim Hoxha, shikojnë një varg prej gjashtë vetësh të armatosun, me pushkët që u varëshin grykë poshtë, qull deri në palcë nga shiu i imtë dhe i ftohtë mengjezor. Ata u futën njenipastjetrit në han, për t’u nxe me ndonjë gotë raki. As që iu shkonte mendja se Prenk Pervizi ishte aty dhe po i shikonte nga dritraja e postёs. Ndryshe s’do ishin duk aty fare.
Im atë nuk pati nëvojë për shpjegim të mëtejshëm tue i leshue një veshtrim kuptimplotë kapterit, të cilin e konsidëronte si njeri besnik. Kapteri kishte mbet shtang dhe i mpimë në fytyrë përsa kishte kuptue. Kur ja, pikërisht në atë çast bie telefoni. Im atë e kuptoi menjëherë psenë. Kjo kombinonte me orën kur im atë do të nisej. Ku e kishin marrë vesh?! Kapteri e merr telefonin. Folesi nuk paraqitet, por pyet se kush ishte. Kapteri i përgjigjet:
-“Jam unë zotni, kapter Lin Shllaku, komandanti i postës”.
– “Mirë. Deshta të dij si shkojnë punë andej. A ka ndonjë të re të randësishme”. Zani kumbote i njohun.
– “Urdhnoni zotni…?! Jo, jo, qetesi e plote, s’ka ndodh asgja per t’u shënue”, – Ishte pergjigj kapteri.
– “Si…vertet… asgja s’ka ndhodh”?!
– “Jo, Zotni, deri tashti që po telefononi, asgja. Qetësi e plotë”! Im ate kishte ndërhy:
– “Bani të fala atij mikut, prej Prenk Pervizit”.
– “Zotni, keni shumë të fala nga kolonel Prenk Pervizi, që gjëndet në zyrën time”.
Sa foli kapteri keto fjalë, veç kur u ndigjue krisma e mbylljes me inat të telefonit. Im atë buzeqeshi me ironi, kurse kapteri ishte çudit. Ne telefon kishte qenë nje person i njohun e me pozitë. Ne kete kohe, im atë zbret nga Posta dhe shkon e futet drejt e në han, i shoqnuem nga kapteri, besnikët e tij dhe nja dy xhandarë. Im atë i njihte ato lastrokë. Kur u shfaq para tyne, ata mbetën shtang e të friguem, ku do ta kishin dasht nën dhe, siç thotë populli. Nderkaq im atë, u hedh një «tunjatjeta juej” dhe shton:
– “A për me gjuejt rosa, paski dalë or burra…?! Or Shim Hoxha, mbushu nga një gotë raki prej meje, se qenkan lag e lodh kot… s’u paska pri mbar gjahu…! Nuk e kam dijtë, se rosat u gjuejtkan me pushkë lufte. Por njё fjalё po ju a them. Kujdes, mos dilni me gjuejt nё kohё tё keqe, se mund tё merrni ndonji ftofje tё pashёrueshme…”!
Kjo ngjarje kuptimplote, që do të trajtojm dhe në shkrime të tjera, lidhej pra me Valentinin, që me intuiten e tij instinctive, mundi të mënjanojë një tragjëdi të madhe me pasoja edhe ma të medha, si për familjen, fisin e krahinën, ashtu edhe për vendin. Personaliteti i Prenk Pervizit asokohë, ishte tepër i madh dhe simpatia e popullariteti i tij, shum i forte.
Çdo rrezik ndaj jetës tij, mund të shkaktonte trazime deri në hakmarrje të papërmbajtme. Njerzit e besniket e tij, ishin trima e tepër të vendosun. Im atё s’e la me aq, dhe njeriut qё ia njohu zanin, si dhe ndonjё tjetri, ua bani tё qartё, pёr pasojat qё mund tё ndodhnin, dhe se njёherё pёr njёherё, po e mbyllte atё punё me aq. E pёrmendёm kёtё ngjarje, sepse lidhet me Valentinin, qё kishte nuhat atë rrezik. Pra deri kёtu kemi hedhё njё vёshtrim mbi lidhjën e tij me familjen, si dhe hyrjën nё jetёn shkollore, qё do tё kunorzohej me arritjёn e hyrjёs nё karrierёn ushtarake.
Mbasi e përmendëm ket ngjarje të fundit, im atë desh të zbulonte, si ishte marrë vesh nisja e tij, në atë ditë dhe atë orë! Ndoshta miqt që do të vinin nga Shkodra me makinë, kanë folë pa të keq, ku ka qëllue ndonjë përson i lidhun me dikë në Tiranë ose Krujë, i cili të ketë njoftue ditën, orën e vendin të nisjës së Prenk Pervizit, nga Laçi…!
Shkolla ushtarake e Romёs nё 7 prillin 1939
Të përqëndrohëmi te 7 prilli 1939, dita ma e zezë e historisë së Shqipnisë, që në na gjeti në Romë të treve. Unë isha në moshën dhjetevjeçe. Tri të diela ma përpara, kishin ardh në shkollën tonë, bashkë me Valentinin, disa nga shokët e tij. Ata zakonisht vinin çdo të dielë pas dreke, me na marrë e me na argetue nepër Romë. Unë me Alfred Bonatin, si të vegjël, perfundonim në ndonjë kinema, kurse të mëdhejt, silleshin verdallë nepër rrugët e kafenetë.
Kesaj radhe ata u ngujuen ne qoshën e një lokali, bashkë me Gencin e Nikolla Bonatin, ku ndejtëm dhe unë e Alfredi. Diçka po ndodhte. Diçka po kurdisej në dam të Shqipnisë. U përmend Mbreti, ushtria, qendresa, lufta, patriotizmi, heroizmi, megalomania e Duçes, kotësia e Viktor Emanuelit, fashizmi, poshtersia, tradhetia, padrejtesia, etj.
Lidhja e Kombeve, Anglia, Amerika, Gjermania, Hitleri, konflikti i pritun botnor, e tjera, e tjera. Si perfundim, ata nxorën dokumentët personale, fotografi, orat e dorës, zarfa të mbyllun e tjera sende, që ua dorëzuen Gencit e Nikolla Bonatit, ku i futën në një çantë dore, të bleme kastile. Këta studentë e shokë të ngushtë, përveç Valentinit e Lek Vuksanit (Vojvoda), ishin ata që permendëm ma sipër: Asim Zeneli, Avdi Mati, Hamit Taga, Fiqeret Hoxha, Abdyl Këllezi, Xhevat Hysa, Shaban Blloshmi, Ernest Gjeçi, Ali Ohri, Stefan Bumçi, Ndue Lala, e ndonjë tjetër, që tani nuk arrij të kujtoj: kan kalue ma shumë se 80 vjet!
Çeshtja ishte serioze. Po të ndodhte ndonjë incident me Shqipninë, italianët mund të merrnin masa drastike ndaj studentëve të shkollave ushtarake. Në disa raste, ne shkolla të tjera civile dhe universitete, si; Roma, Napoli, Torino e tjera, studentёt shqiptarë i kishin marrë me të mira. I kishin shetit e zbavit me një udhetim (kroçierë) me anije turizmi nepër brigjet mesdhetare. Na tregonte Lazër Radi, se si ishin çudit për këtë marrje me të mira, që u bahëshin. Por, që u muer vesh menjëherë, se përse.
Kurse me shkollën e Romës e shkollat e tjera ushtarake, nuk kishin veprue ashtu. Dihej se në atë të Romës, ishte grupi ma i vendosun i studentëve shqiptarë, të lidhun fort midis tyne e besnikë të Mbretnisë, si bij të familjëve ma të mira zogiste. Prandaj ata në takimin që përmendëm, shprehën pesimizëm ndaj fatit të tyne, sepse ishin të vendosun me zbatue atë qendresë e protestë që u takonte, po të ngjante ajo tragjëdi e madhe të një sulmi pushtues ndaj Atdheut, nga ana e fashizmit italian, siç flitej.
Ishte Musolini që e kishte shpreh atë qëllim. Ai e kishte gjithë fuqinë shtetnore të Italisë ne dorë, ku Mbreti Viktor Emanueli i III-të, ishte vetëm një kukëll, me të cilën Duçja, luente sipas qejfit. Ata kishin frikë se mund t’i arrëstonin, burgosnin dhe internonin, tue parashikue se çdo sulm ndaj Shqipnisë, do të gjente qendresën e vendosun të popullit shqiptar, e patjetër në radhë të parë të baballarëve të tyne, që ishin me funksione shtetnore apo ushtarake, me randësi. Këto që po shkruejm, ngjanë afro dy javë përpara ditës së zezë të 7 prillit.
Prej asaj dite të dorëzimit të dokumentëve personale, nuk i lejuen ma me dalë, e ne nuk dinim asgja për ta. Lajmi i sulmit dhe zbarkimit të ushtrisë italiane në Durrës e gjetke, që u shpall me bujë të madhe nga radiot dhe shtypi italian, paralizoi gjithë jetën e popullsisë italiane, që po kuptonte, por tepër vonë, se ku po i gremiste Duçja…! Ku po i çonte “mushka“ …fashiste!
Ne, Genci, Nikolla, unë e Alfredi, e degjuem në lajmet e orës tetë të mëngjesit, në mensën e shkollës, ku ishin mbledh gjithë konviktorët e profesorët e, po hanim. Kur ja radio nisi të japë komunikatёn e jashtёzakonshme tё invadimit tё Shqipnisё e plot dokrra mburrёse, etj. Ra një heshtje e randë, si heshtje varri. Ne mbetëm të shastisun e koke ulun, të ngurosun, harru.
Ishim vetëm katër shqiptarë, midis ma tepër se 200 konviktorëve e profesorëve italianë. Të gjithë e pezulluen ngranjën dhe asnjë prej tyne, nuk tha një fjalë. Prania e jonë sikur e kushtezoi dhe qendrimin e tyne, që mori kuptimin e një far solidariteti, të heshtun. Në fakt lajmi erdhi krejt i papritun edhe për ata, sepse ishin mësue me shprehjet fodulle të Duçës, dokrra kote, që zakonisht ai ua sërvirte italianëve, nga ballkoni i Pallatit Venecias (Palazzo Venezia). Shkolla jonë njihej si një shkollë mos përfillëse ndaj fashizmit, dhe mbahëj në shënjestër. Unë isha 10 vjeç e, Alfredi 12 vjeç.
Në qendruem ashtu haru, pa fjalë e na u pre dhe buka. Shokët na shikonin me bisht të synit, ne heshtje dhe të vrejtun. Edhe ata e kuptonin atë trishtim të madh që na kishte pushtue zemrën e mendjën. Disa nga Kalabria e Sicilia, me origjinë arbëreshe, na qendronin ma afër, dhe ata të pikëlluem. Prej atij çasti ne u bamë si robotë. Vëprimet e lëvizjet na dukeshin krejt artificiale. Sikur kishim kalue nga një botë, në një tjetër. Kishin ndryshue përmasat dhe përmbajtja. Po ma të rritunit e të moshuemit, si e ndienin vetën? Genci dhe Nikolla, ishin nxi në fytyrë e s’guxonte kush t’i vështronte e, jo ma t’u thoshte një fjalë.
Ata kishin shoqëri e miqësi me shumë shokë të tyne, që sikur e mbartnin dhe ata at trishtim të madh. E mbaj mend si sot, se ata të dy ndejtën tre dit, pa shti gja në gojë! Sikur kishte ra zija në gjithë kolezhin. Në ato tre dit, pushtimi i Shqipnisë kishte marrë fund, pa hasë në asnjë qëndresë. Sipas radios, Mbreti Zog kishte ik në Greqi nga Korça. Po prindi ynë, që ishte komandant në atë qytet, mos vallë edhe ai kishte shkue pas Mbretit?! Këto mendime shtjellohëshin në mendjën tonë. Valentinin me shokë, prej dy të dielave, nuk i kishin lejue me dale, as me takue kënd. Ne nuk dinim asgja. Telefoni nuk punonte. Ma vone i morëm vesh të gjitha.
U munduem të japim një përshkrim të atyne ditëve të kobshëm, që përjetuem larg atdheut, kur ky u gjet në ditën ma të zezë të historisë së tij, por kishte dhe ma keq. Sa nuk na ra pika kur dëgjuem nga radiot, emnat e disa përsonalitetëve shqiptare, që përshëndesnin pushtimin fashist italian, që; vinte me i shpëtue shqiptarët nga sundimi i satrapit Zog! Me ato emna u mbushën faqet e shtypit italian anëmbanë. Po na dridhej zemra, kur dëgjonim emna të njohun. Na hyni tmerri se kushedi, ç’bahej tani në Shqipni! Për njerëzit tonë s’dinim asgja, As për babën, as mamën as, njerëz tonë të tjerë. Heshtje e plotë.
E kur pas tre ditësh u shpall pushtimi përfundimtar e, u dha zyrtarisht ikja (fuga) e Mbretit në Greqi, do të kishim prefërue të ishim nën dhè. Na u skuqen faqet nga turpi, e nga marazi na shkelqenin sytë, prej lotëve. Ç’po ndodhte me Shqiptarët?! Edhe pse të vegjël, gjithë ket peshë shtypëse të pushtimit, e ndjenim thellë dhe na vinte ndërmend shprehja historike e mbretit Brenno të Galeve, kur pushtuen Romën para dymijë vjet: «Vae victis»! mjer te mundunit!
Por romaket iu përgjigjën me shpatë në dorë dhe i mundën dhe i debuen Galet barbarë. Si do të pergjigjeshin shqiptarët?! Komunikatat italiane ishin entuziaste. Ne ora gjashte të mengjesit të 7 prillit, forcat italiane kishin sulmue Shqipninë, në; Durrës, Vlorë, Shëngjin e Sarandë…! Nuk kishte pasë asnjë qendresë, të organizueme.
Brenda dy orëve, Durresi, Vlora, Shengjini, Saranda, ishin pushtue. Vetëm rreth njembëdhjetё bersajlere, kishin mbet të vramë nga një shkëmbim të shtënash armësh. U muer vesh ma vonë, prej qendresës vetmohuese të Mujo Ulqinakut. Ku ishin Mujo Ulqinaket e tjerë?! Askush tjetёr, s’e kishte shkrep pushkёn, sikur pёr hava. Po atë dite, forcat italiane ishin nis drejt Tiranës, Shkodrës, Gjirokastrës, Fierit e Beratit, ku kishin hy të nesermën në mëngjes e, ku i paskëshin prit me lule e duertrokitje(?).
Pas tre ditëve, Shqipnia ishte pushtue krejtesisht, kur italianët arritën në Korçë, prej ku Mbreti Zog, kishte kalue në Greqi. Ushtria shqiptare asgjekundi. Populli i rëvoltuem tue kërkue armë e, tue thirr për tradhëti. Dëpot e armëve bosh! Topat pa gjylpana! Gjthçka kishte marre fund! (Këto i morem vesh ma vonë).
Le të kthehëmi te Shkolla Ushtarake e Romës. Të mbyllun prej dy javësh në fjetorët e tyne, vetëm në kanotiere e të mbathme, stundentët shqiptarë, nuk dinin asgja nga këto që thamë. Pa radio, pa shtyp, pa asnjë kontakt, të ruejtun me karabinierë të armatosun, e të izoluem, nuk dinin si të vepronin.
Një shok i tyne italian, arriti t’u çojë një pusulle, ku i informonte se Shqipnia tashma, ishte pushtue mbrenda tre ditëve, pa pushkë të shtime. Si ka mundësi?! Ne këto kushte, ata vendosën të zbresin një nga shokët, me anë të çarçafëve, prej katit të gjashtë, ku ishin. Ai quheëj Dull Osmani, kavajas, një kokëkrisun, që ma vonë u ba aviator, nga ata ma të çmendunit.
Dulla zbriti si majmun, dhe ashtu në të mbathme e kanotjere, u vërsul te një kiosk dhe i bleu të gjithë gazetat që gjeti, të reja e të vjetra. Kishin kalue pesë ditë, pas pushtimit. Kur Dulla sosi në maje të pallatit e, kapërceu dritarën, iu vërsulën te gjithë dhe ia moren gazetat prej duersh, si t’ishin njerëz t’egër, aq ishin të çoroditun nga lajmi i fshehtë, që u kishte ardhë nga shoku italian.
“E pamundun të dorezohët Shqipnia, pa shkue gjaku deri në gju“! kishte thirrë Lek Vuksani, ky malësor i Dukagjinit. Kur gazetat u shpalosën para tyne, ata nuk po u bësonin syve! As qendresë, as gjak, as send tjetër. Veç tradhëti, poshtërsi, dobësi, frikacakë, lapanjozë. Ku ishte ushtria shqiptare, ndera e kombit?! Ku ishte Mbreti, trimi me fletë, shpëtmtari i atdheu?! Ku ishin oficerët shtamadhorë të Shqipnisë, që ata i adhuronin e i kishin si simbole e heroj?!
Aq poshtë paska ra shqiptari, që i kendoi gjithmonë trimnisë, heroizmit, qendresës?! Ku ishin stërnipat e Bardhylit, të Lekës së Madh, të Pirros, të Agronit e Teutës, të Batos, të Gjergj Kastriotit Skënderbeut?! Ku ishin Oso Kukat, Mic Sokolat, Buletinat, Idriz Seferat, Azemat e Shotat, Tringat e Norat e Shqipnisë?! Ku ishin Çerçiz Topujt, Themistokli Germenjët, Selam Musatë, Ded Gjo’ Lulët, Gjin Pjetrat, Prenk Bib Dodat, e tjerë?!
Asim Zeneli, që ishte ma i moshuemi ndër ta, kishte folë randë e ashpër e, kishte shpreh habinë se ku kishin përfundue ato komandantë lëgjendarë, si; kolonelët Muharrem Bajraktari, Prenk Pervizi, Fiqri Dine, Hysni Dema, e tjerë?! Po Mbreti Zog?! Aq keq të ishte katandisë Shqipnia, sa mos me u duk asgjekundi, as qendresa e ushtrisë shqiptare me në ball Mbretin, as e popullit trim e luftëtar?!
Diçka nuk ecte. Diçka kishte ndodh, që kishte erë tradhëtie. Po kush vallë mund ta tradhëtonte atdheun e vet?! Terbimi i të rijve arriti kulmin, kur ata lëxuen në faqet e para të gazetave, emnat e disave që përshëndesnin hyrjën e Italisë! Tradhëti, po, tradhëti! Vdekje tradhëtarëve!
Menjëherë u mblodhën dhe krijuen grupin e «Dorës së zezë», për eliminimin i gjithë tradhëtarëve, që kishin emnat në ato gazeta. I pari organizim kundra pushtuesit e, kundra atyne që shitën Atdheun. Këto sa thamë kёtu nё ket tregim, jepёn pёr herё tё parё, siç vërtet ka ndodhë. U zgjodh dhe një komitet drejtues. Valentini ishte ndër kryesorët.
Ai kishte gëzue gjithmonë simpatinë e shokëve për qendrimin fisnik dhe burrëror, për emnin e nderuem të prindit e të familjes. Dhe e kemi thanë, në krye të këtij organizimi të parë antifashist e patriotik të Shqipnisë, ishin po ato shokë të ngushtë: Asim Zeneli, Valentin Pervizi, Lek Vuksani, Hamit Taga, Avdi Mati, Abdyl Këllezi, Fiqëret Hoxha, Shaban Blloshmi, Minella Naçe, Xhevat Hysa, Ernest Gjeçi, Stefan Bumçi, Ali Brahimi, Ali Ohri, Ndue Lala, etj. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016