Nga Sokrat Shyti
Pjesa e gjashtëdhjetepesë
Memorie.al / Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio-difuzion (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç Radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
Komandanti i kompanisë i mbikëqyrte me habi e kënaqësi të gjitha veprimet nga sopi, para kolibes së tij. I vinte mirë që këta djem energjik nuk i sillnin asnjë telash, sidomos nuk ishin grindarë e sherrxhinj, që ta nxijnë jetën. Para se të vinte në këtë vend të humbur, nuk e kish menduar dhe kurrsesi nuk e besonte që këtu mund të kalonte net e ditë të qeta, pa andralla. Përkundrazi, në çastin që e thirrën dhe i komunikuan detyrën, iu duk sikur i erdhi fundi, do ta ndëshkonin duke e internuar, sepse në atë humbëtirë pa rrugë e ndërlidhje telefonike, vetvetiu shkëputen marrëdhëniet me njerëzit e njohur, e para së gjithash me familjen.
Por për habinë e madhe ndodhi e pabesuara, e cila pa e tepruar mund të quhet mrekulli, për faktin se ushtarët e tij dolën djem të mbarë, të aftë e të zot, për ta rregulluar vetë jetën e tyre, madje u kujdesen ta ushqejnë sa më mirë komandantin! Në këto kushte të mbara, i çliruar tërësisht nga të gjitha detyrimet ushtarake, mendja e tij filloi të projektonte mendime e ide si ta kalonte këndshëm kohën, derisa më në fund gjeti një zgjidhje mjaft interesante: bleu dy qengja me çmim të lirë tek një fshatar, i leu me bojë te kuqe në kokë që të dallohen, dhe nisi të dilte shëtitje me ta, çdo mëngjes e pasdite. Ishte një argëtim me të vërtetë çlodhës, pasi askush nuk e trazonte, dhe fliste fare pa druajtje para qengjave të tij, të cilët e kuptonin e i kthenin përgjigje me blegërimat e gëzuara. Krejt natyrshëm lumturohej kur shihte ndryshimet: se qengjat me kalimin e ditëve shtonin në peshë, dhe në ballë po u dilnin brirët!
Sigurisht nuk do t’i futej këtij telashi te rrezikshëm, nëse do kishte marrëdhënie të acaruara me ushtarët. Megjithatë prapë nuk ndjehej plotësisht i qetë, e brente ngacmimi i frikshëm, mos kapteri e spiunonte në brigadë! Kur ma shprehu shqetësimin e tij, unë menjëherë e shqyrtova me kuzhinierin, i bindur se do ta gjente zgjidhjen e duhur. Ky u tregua ne çast i gatshëm të jepte ndihmesën e vet, për t’ia hequr komandantit të kompanisë kularin e dyshimit nga zverku: bisedoi miqësisht me kapterin, i tha këtij ta linte “plakun” në hallet e veta, sepse mjafton vetëm disa minuta ta vësh veten në vendin e tij, që të kuptosh çdo të thotë të rrish i vetmuar nga familja, në moshën pranë pensionit.
– “Pastaj duhet marrë parasysh sa mirë sillet me ushtarët. As neve nuk na bezdis”. Menjëherë pas këtij bashkëbisedimi, kapteri u betua për kokën e fëmijëve se kurrë nuk ia lejonte vetes, të bëhet spiun.
– “Dhe ja ku po ta them sy ndër sy, si burri burrit: burri kur jep fjalën, sakrifikon dhe kokën e djalit, e jo ta çojë veten deri në spiunllëk, vesi më i ndyrë i njeriut!…”, – përsëriti kapteri me ton qarës, që ta bindte bashkëfolësin. Kur kuzhinieri ma shtjelloi shkurtimisht marrë-veshjen, dhe më porositi me mjaft siguri, ta qetësoja komandantin, në fund përmendi para meje kushtin; pse kapteri nuk e luan dot bishtin, sado i pabesë e dredharak të jetë.
– “Domethënë e ke futur në kurthin tënd”? – e pyeta unë me vështrim të qeshur.
– “Zbulova mashtrimin e tij gjatë furnizimit, dhe ia bëra të qartë që në fillim, se ky gjynah lahet vetëm me qëndrim të pastër, këtej e tutje. Ai u betua me lot në sy, për kokë të kalamajve, se s’do ta përsëris kurrë më këtë veprim! Dhe premtoi se do plotësonte çdo kërkesë për hir të burrërisë, që nuk e raportova tek komandanti i kompanisë”.
Pas dy javësh mbërriti urdhri i komisarit të brigadës së Laçit: të paraqitem urgjent atje, për të kryer një veprimtari gjatë një kohe të pacaktuar! Komandanti i kompanisë më tërhoqi veçmas për të më shprehur edhe një herë shqetësimin e tij, duke më thënë: “Sado kuzhinieri e mori përsipër t’ia mbyllë gojën me shtupë kapterit, mundësia se unë po rrit dy manarë ekziston, ndoshta dikush nga ushtarët dërdëllit diku”. Unë e qetësova, duke e siguruar se ushtarët janë besnik.
– “Baba’ i mban vazhdimisht nën kontroll. Prandaj mos i shkëput asnjë çast lidhjet me ‘Babën’, dhe kuzhinierin. Ushtarët janë shumë të shkathët. Dinë të manovrojnë dhe t’i fshehin manarët nëse shfaqet krejt befas komandanti tinëzar i batalionit. I vetmi dyshim mbetet ai ushtari me çifteli, ‘kujdestari’ i mushkave. Por edhe këtë e kullandris ‘Baba’. Megjithatë, nëse gjatë mungesës time të del ndonjë çështje, nis urgjent në brigadën e Laçit ‘Babën’, që të dy të marrim masat e duhura mbrojtëse. U nisa në këmbë bashkë me kapterin përgjatë bregdetit. Rrugica e ngushtë gjarpëronte mes mareve fare pranë ujit. Me dukej sikur po xhirohej një skenë me zbarkim diversantësh!…
– “Edhe sa vazhdon kështu”? – e pyeta me kureshtje, duke patur parasysh nëse me rastiste mua të kthehem vetëm.
– “Po ecëm me këtë ritëm, duhet një gjysmë ore”, – u përgjigj ai pa e kthyer kokën prapa.
Fatmirësisht në Patok nuk u vonuam, gjetëm shpejt një kamion zhavorri. Me të mbërritur në postbllokun e brigadës, kapteri i tha oficerit të rojës, se gazetarin e pret komisari. Me sa duket ky ishte në dijeni, sepse menjëherë njoftoi dikë me telefon, dhe pas pak mbërriti nënoficeri i prapavijës, i cili më tha të shkoja me të, për të më treguar vendin e fjetjes.
– “Nga ky çast futesh në forcën tonë: këtu do ushqehesh dhe do flesh – theksoi ai. – Për sa i përket veprimtarisë, këtë e dinë shefi i propagandës dhe shefi i kulturës…- shtoi duke ngritur shpatullat. – Por në fillim po të shoqëroj tek komisari i brigadës”.
Këtë herë nuk pata emocion, sepse emri i komisarit të brigadës, nuk i thoshte asgjë kujtesës time, krejt ndryshe nga ngërthimi i shqetësimeve kur u paraqita tek komandanti i FUD-it. Ndaj njohja dhe bashkëbisedimi kaluan pa lënë gjurmë të ndjeshme. Ky më tha se ka ardhur urdhër nga Drejtoria Politike, të zhvillohen aktivitete kulturore dhe artistike, me tematikë forcimin dhe rritjen e mëtejshme të vigjilencës revolucionare.
– “Por ne s’kemi as bazë materiale dhe as kushte, si ato të FUD-it – vuri ai në dukje. – Prandaj në fillim do shkruash skenarin e veprimtarisë. Pikat orientuese, do t’i japin shefat e propagandës dhe kulturës. Më tej do ecim sipas udhëzimit të Drejtorisë Politike, e cila na thotë se duhet pa tjetër të bashkëpunojmë me Pallatin e Kulturës të qytetit, pasi në shfaqje kërkohet të dalë lidhja e ngushtë monolite, mes popullit dhe ushtrisë. Kjo do të thotë që ti bashkë me regjisorin, do jeni drejtuesit e grupit”.
Edhe pa takuar dhe biseduar me dy shefat e brigadës, e kisha shumë të qartë si duhej hartuar teksti. Prandaj menjëherë shkova në Pallatin e Kulturës të qytetit, të njihesha dhe shkëmbeja mendime me regjisorin, rreth programit të përbashkët. Pas bisedës se përgjithshme, regjisori propozoi të pimë një kafe qetësuese, duke thënë se; “ne të dy kemi përvojë për shfaqje te tilla, dimë si t’i vëmë pikat mbi i”. Pasi përpiluam skemën e shfaqjes, falë përvojës së Radios, nisa të shkruaj tekstin, pasi një shkrim i tillë, s’ka nevojë për frymëzim të veçante, si krijimtaria e mirëfilltë artistike.
(Kur punoja redaktor, në Radio, rastiste brenda ditës të hidhja në letër disa tekste programesh). Sapo e përfundova, ia dhashë regjisorit të Pallatit të Kulturës ta lexonte dhe të bënte redaktimin, duke patur parasysh porosinë e komisarit të brigadës, se ne të dy jemi drejtues të kësaj veprimtarie. Ky bëri vetëm dy zhvendosje në renditje, dhe u tregua menjëherë i gatshëm, t’ia paraqitim programin dy shefave, që këta të shprehin vërejtjet e tyre.
– “Nga përvoja ime, bashkëpunimi me ushtarakët, – theksoi regjisori, – përgjithësisht paraqitet tepër i vështirë. Prandaj të këshilloj shoqërisht, të kesh durim derri, dhe të presësh deri në fund pa kundërshtuar, çfarë do thonë, duke patur parasysh që çdo arsyetim e vërtisin rreth boshtit ideologjik, vetë nuk shprehin asnjë mendim”.
Këta e lexuan tekstin me kujdes të frikshëm, nën shtysën e trembjes mos u ka shpëtuar një hollësi e vogël, që shtrembëron gjithë përmbajtjen. Por për ta treguar veten profesionistë në këtë fushë, pavarësisht pse kanë veshur petkun ushtarak, nënvizuan disa rreshta e, vunë anash ndonjë shënim. Meqë mbetej t’i jepnim dorën e fundit, u mblodhëm të katër në Shtëpinë e Kulturës, për të shqyrtuar të gjitha vërejtjet, që pas ndryshimeve të miratuara, të caktohej teksti bazë, i cili do t’i dorëzohej komisarit të brigadës. Vura re që ky gjate leximit, e ngërtheu vëmendjen kryesisht tek fjalët, që shërbenin si llaç për të lidhur tullat, donte të dinte nëse këto kanë sasinë e duhur të çimentos dhe i durojnë dot lëkundjet e kritikave. Pastaj para se të jepte përgjigjen, vërejti katër firmat tona, dhe pa e zgjatur na tha: – “Filloni”!
Falë bashkëpunimit me regjisorin e Shtëpisë së Kulturës, struktura kryesore e shfaqjes tonë, qe pothuaj e ngritur, (duke patur parasysh që grupet amatore të këngëve, valleve e instrumentistëve popullorë, ishin pjesë përbërëse e veprimtarisë). Puna jonë do përqendrohej tek recituesit dhe konferencieri, që këta dhe këto të jenë në lartësi e harmoni, me tërësinë e programit artistik.
Pas dhjete ditësh u dha shfaqja provë para komisarit të brigadës dhe dy shefave. Komisari mbeti i kënaqur, pasi shfaqjen e tejçonte krejt natyrshëm filli i kuq i ideologjisë komuniste, dhe pjesët e zgjedhura të recitimeve, i shkonin për shtat udhëzimeve të Drejtorisë Politike, ishin vazhdimësi e këngëve dhe valleve.
Prandaj pa asnjë lëkundje dha miratimin të jepet shfaqja në te gjitha pikat, që varen nga brigada e Laçit, si dhe të shihet me kujdes nga dy drejtuesit çdo vërejtje, për t’i patur parasysh natën e konkurrimit në rang korpusi. Suksesi i shfaqjes dhe marrja e diplomës së nderit nga juria, shërbyen për mua si nxitëse shpërblimi të një leje pesëmbëdhjetë ditore. Kur erdhi çasti të shkoja tek komisari i brigadës, ta falënderoja për vlerësimin e punës, më lindi mendimi, me që me jepej rasti, të vija në dukje ngjarjen më madhore të jetës time, se në muajin shtator martohem…!
– “Së pari të uroj paraprakisht: të trashëgohesh! Së dyti, dua të them se lejen këtë radhë, e ke dhuratë nga unë, që na nderove. Së treti: ja ku ta jap fjalën që, një javë para dasmës dhe dy javë pas martesës, do jesh me lejen e zakonshme”.
Pas këtij premtimi, u nisa menjëherë me tren për në Lushnje. Isha mjaft i kënaqur që kisha siguruar lejen për muajin shtator. Këto ditë ishin të domosdoshme, jo vetëm për t’u çmallur me njerëzit e dashur, sa dhe për të shqyrtuar nga e para deri ne fund, skemën e përgjithshme të përgatitjeve, me mundësitë e pakta financiare. Para së gjithash duhej saktësuar vendi, ku do pritet nusja. Kjo për dy arsye: Së pari, rrethi i Lushnjes me një taksi të vetme, nuk i përballonte dot nevojat e shumta të qytetarëve. Prandaj duhej biseduar paraprakisht dhe rënë dakord me shoferin, për ditën e caktuar, ndonëse as kjo nuk jepte garanci të plotë, pasi deri sa të vijë dita, kush e di sa kërkesa urgjente dalin!
Së dyti, dasmat në këtë kohë shumë të vështirë ekonomike, (me paga mjaft të ulëta e mungesa të theksuara ushqimore), etiketohen si luks mikroborgjez, për familjet me të ardhura të pakta. Dhe meqë nuk bëhen kurorëzime, (pas mësymjes barbare të rinisë kundër kulteve fetare, këto u mbyllën dhe u shndërruan në depo e objekte në “shërbim” të popullatës!), gjithë vëmendja e dasmorëve duhet të përqendrohet tek ana e jashtme ceremoniale, me sa më pak shpenzime e, më shumë këngë dhe argëtime.
Duke patur parasysh këto dy arsye konkrete mjaft të forta, (si dhe faktin që gjatë këtyre muajve në shërbimin ushtarak, s’kisha futur asnjë lek në shtëpi), u gjet si zgjidhje praktike, rruga më pak e kushtueshme, pa kushtëzime taksie për marrjen e nuses, me arsyetimin se largësia nga shtëpia e motrës së madhe, deri tek krushqia, nuk ishte më shumë se treqind metro, pra shkohet e vihet në këmbë duke kënduar, pa lodhje e sforcime. Ndërkaq kjo zgjidhje zhduk dhe qejf mbetjet, që shfaqen shpesh në tilla raste, pasi secilit i jepet mundësia të jetë pjesëmarrës në ceremoninë e shoqërimit të nuses, nuk i pengon as mjeti i transportit e as nuk rrit shpenzimet e pritjes tek krushqia, duke patur parasysh që këta nuk do shtrohen për të ngrënë e për të pirë.
Si u përcaktuan përfundimisht kushtet e marrjes së nuses, pas bashkëbisedimit të nënës me vëllanë e saj të mrekullueshëm, në Berat, (të cilit iu duk varianti i pritjes në shtëpinë e Retës, zgjidhje e mirë edhe për të ftuarit e largët, sepse vijnë e ikin brenda ditës me autobusët e linjës, gjë krejt e pamundur nëse bëhet pritja në Kolonjë), u shtjelluan hollësitë e shtrimit të drekës me sa me pak shpenzime, sipas mundësive. Mbeta tejet i befasuar kur më njoftuan për bujarinë tronditëse të jashtëzakonshme të Shajes zemërbardhë, e cila kishte shfaqur dëshirën bashke me djalin e saj, të sillte për drekën e dasmës, një shterpë e tre tepsi me yshmer, për të shprehur kënaqësinë e saj, që do merrte pjesë në këtë ditë të lumtur, kur unë do çiftohesha me nusen e zemrës!
Njëzet e tetë shtatori, dita e marrjes së nuses, erdhi e qëndisur me lëbyrjen dhe shkëlqimin e rrezatimit diellor, me një qiell pafundësisht të kaltër, i ngrohtë dhe ledhatar. Ishte dita më e shënuar në jetën time, që do kurorëzonte e blatonte një dashuri të jashtëzakonshme, kundër së cilës, nën yshtjen e politikës antinjerëzore, u ndërsyen prindërit, farefisi dhe shoqëria, sikur po kryhej një blasfemi e llahtarshme nga ne të dy!
Grupi ynë i madh u nis në orën nëntë e gjysme, duke kënduar: “O vemi, o s’vemi, në mes të pyllit do vemi”. Kur po kalonim para portës metalike të Degës së Brendshme, më kaploi një ndjesi krenarie, që Diktatura e Proletariatit, nuk e mposhti dot dashurinë tonë, me gjithë përpjekjet për ta mbytur sa ishte foshnje në djep! Pikërisht krenaria e përzier me gëzimin e kurorëzimit të dashurisë, më bënte ta ndjeja veten sikur fluturoja me krahët e imagjinatës, drejt jetës së re familjare, edhe pse e dija që përpara do dalin mori me driza e ferra tinëzare, për të na trembur e hidhëruar lumturinë, me pengesa kërcënuese.
Para portës metalike të Degës së Brendshme, vura re oficerin e internim – dëbimeve, i cili më përshëndeti me dorë duke buzëqeshur, njësoj sikur të më thoshte: “Më bëhet qejfi që ia dole mbanë!”. Kjo shenjë u bë nxitëse për grupin shoqërues që, jo vetëm të mos e ndërpriste këngën, apo ta ulte zërin, kur po kalonim para portës së frikshme, përkundrazi ta shtonte më shumë ritmin, sepse të gjithë pa përjashtim, qenë pështjelluar nga triumfi i të mirës, kundër të keqes. Dukej qartazi që edhe kalimtarët e rastit, merrnin pjesë me vështrimet e tyre të qeshur në gëzimin tonë. Përmes shikimeve të ndritshme, vinin drejt meje urimet e përzemërta, më thoshin gati haptazi se; të gjitha përpjekjet e tua na dhanë forcë e shpresë, të mos iu nënshtrohemi kërcënimeve!
Kur kaluam urën e përroit, lajmëtarët e palës andej, dhanë sinjalin e mbërritjes së krushqve. Prandaj kori i tyre, ia nisi këngës: “U mbush mali plot me rrush”. Sakaq grupi ynë ia ktheu në çast: “Po vjen djali syshkruar, të marrë nusen vetull harkuar”. Hapësira e lulishtes qe tejmbushur me kureshtarë, të cilët këndonin herë njërën e, herë tjetrën këngë. Pas përqafimeve e shtrëngimeve të duarve të dy krushqive, pjesa kryesore u fut brenda, aq sa mbante hapësira e kthinës dhe korridorit, të tjerët vazhduan të këndojnë jashtë.
Unë me Arqelinin u ulëm në këndin e posaçëm, të pështjelluar nga lumturia tokësore dhe qiellore. Kori i palës tonë, ia nisi këngës: “Sy zeza vetull hollë, meskëputura faqe molle”, që u pasua nga kori i tyre: “Edhe gurët e sokakut”. Pastaj nisi rituali i qerasjeve me glikotë e qershisë, pjeshkës, mollës, portokallit, fikut, arrës. Nuses time i takoi të ndante llokumet me arra. Në fund i erdhi radha gotave me shurup pekmezi dhe trëndafili. Para se të përshëndeteshim me prindërit dhe farefisin e afërt të Arqelinit, dy koret ia nisën bashkërisht këngës:
“Dy dele treqind pare, ngrehu çift na merr një valle”! Sytë e nëna Ulës dhe Arqelinit, u përlotën në çastin e ndarjes, edhe pse të nesërmen do shiheshin prapë!
– “E di çfarë do më porositësh për bijën tuaj”, – i pëshpërita vjehrrës pranë veshit, kur ajo u mat të më jepte këshilla. – “Të siguroj se nuk do t’i mungojë përkujdesja ime. Kur dashuron shpirtërisht dikë, vetvetiu lind respekti, sepse e ndjen veten binjakun e jetës”.
Ajo më puthi në ballë, e bindur tek fjalët e mia. Unë shkova pranë xhaxhait, atit të Arqelinës, për t’i thënë se je baba i urtë, punëtor, i papërtuar, por ke një ves të madh”!
– “Pa ma thuaj”!… – shtoi ai i habitur me vështrim pritës!
– “Pi shumë duhan! Dëmton veten, dhe pjesëtarët e familjes i shqetëson. Je dakord”?! – “Ja që s’e heq dot. Ndaj dhe quhet ves…”- pranoi ai me një ndjesi turpi.
Kur përqafimet dhe përshëndetjet përfunduan, kori ynë nisi këngën përcjellëse: “Vemi a s’vemi, në mes te pyllit do vemi”, – një këngë romantike, që i përkushtohet dashurisë, sepse streha e çiftit krahasohet me folenë e zogjve, të cilët cicërijnë të lumtur nga ndjesia e çiftimit, e dinë që çerdhja e tyre do mbushet me përtëritjen e jetës.
Arqelini e veshur me fustan të bardhë, pa vello, me një tualet të lehtë, vezullonte e ndriste nën rrezet e diellit! Nga nuri i saj, shpërndaheshin hijeshitë mahnitëse të vajzës së dashuruar, për t’iu treguar kalimtarëve, por para se gjithash shoqeve dhe moshatareve, ç’forcë shpirtërore e mendore të jep kjo ndjesi tokësore e qiellore. Ata që dinë të lexojnë portretin e dashurisë, nuk e patën të vështirë të përthithnin brenda nurit vezullues, mrekullinë që ndodhi, si lindi dhe u rrit vrullshëm dashuria e jashtëzakonshme, pse Perëndia që i dhuroi këtë ndjesi të fuqishme, e pajisi me forcën këmbëngulëse të shndërrimeve të çuditshme, e tjetërsoi rrënjësisht, nga një vajzë tepër e urtë, fjalëpake e bindur, në rebele kokëfortë, e gatshme të sfidonte me guxim dhe të përballonte kundërshtitë e nxehta të prindërve, farefisit e politikës!… Memorie.al
Tiranë, (janar – maj) 2015
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016