Nga Hysen Selmani
Pjesa e njëzetë
Memorie.al/ Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.
Stamboll, 1 qershor 1940
Gjermania, me datë 1 qershor 1940, me një shpejtësi e furi të madhe, mësyu Hollandën dhe Belgjikën, Luksemburgun e Francën. Lufta bëhet shumë e ashpër, ku ushtria gjermane okupoi krejtësisht Hollandën dhe një pjesë të Belgjikës. Ata marshojnë me një shpejtësi kundër Francës dhe siç vërtetohet, armët gjermane, në aviacion e motorra, janë shumë më superiore se të Francës.
Në këtë moment, kolonel Husein Selmani, ishte duke biseduar me atasheun ushtarak francez në Stamboll, mbi organizimin e legjioneve shqiptare, si dhe mbi disa baza të informative në kufirin shqiptaro-jugosllav. Komanda franceze, e kishte pëlqyer dhe pranuar propozimin që i ishte bërë. Së bashku me atasheun ushtarak francez, kolonel Husein Selmanin, po bisedonte, nëse do të vinte autorizimi nga Parisi dhe si do të bëhej, për t’a vënë menjëherë në zbatim.
Kjo punë, kolonel Husein Selmanin, e gëzoi së tepërmi. Po vetëm se priste autorizimin e Madhërisë së Tij, Mbretit Zog I-rë. I njëjti raport, i ishte parashtruar me gjithë një pasqyrë që përfshinte një divizion ushtarësh shqiptarë, si edhe 4 qendra të lira, në kufirin jugosllavo-shqiptar. Natyrisht, parashikohej edhe shpenzimi i transportimeve të personelit, të një pjese nga Shqipëria, Jugosllavia, Turqia me qendër në Siri. Ishte dhe një pjesë e madhe nga kolonia shqiptare e Turqisë, oficerë e ushtarë. Ky raport, ishte i nënshkruar edhe prej kolonel Selmanit dhe prej atasheut ushtarak francez, si ai i Mbretit Zog, po ashtu ai i Komandës Franceze.
Me datën 3 qershor 1940, kolonel Husein Selmani, me kapiten Avni Derallën e toger Faik Elmazin, shkuan tek atasheu ushtarak francez, siç e kishin lënë, për të biseduar mbi formimin e kuadrove të divizionit shqiptar. Do të flitej, po ashtu, edhe mbi qendrat rreth kufirit shqiptaro-jugosllav, si dhe autorizimin e komandës.
“Përfaqësuesi francez, kishte ardhur. Por, po e shohim se ishte aq i mërzitur dhe i tronditur, që as që mundet me dhënë asnjë përgjigje”. Kolonel Selmani kujton, fjalët që i tha francezit: “Ç’është kolonel? Nuk ju shoh mirë. Keni ndonjë lajm jo të favorshëm”?
Ai ju përgjigj, kolonel Selmanit: “Oh, miku im. Franca po mbaron. Lufta shkon shumë keq, sepse armët gjermane, si në ajër dhe motorizë, janë shumë më superiore se ato të Francës. Më mirë t’i lemë bisedimet sot, se nuk jam aspak mirë”. Në këtë mënyrë, e lamë bisedimin, për një ditë tjetër. Por, nuk mungova dhe i drejtova një telegram shifër Mbretit në Paris, në Legatën tonë.
Mbreti Zog, përcjell në Paris me shqetësim gjendjen e rëndë të Francës. Për këtë arsye, ai kërkon me insistim në Stamboll, kryeministrin e tij Koço Kottën, që nuk i përgjigjet prej tre ditësh. Është 7 qershori i vitit 1940, kur vjen koha e sulmit ndaj Francës, nga ana e Italisë dhe Gjermanisë. Konsulli ushtarak francez, ka kohë që ka kërkuar bashkëpunim në Stamboll dhe do të bisedojë me përfaqësuesit shqiptarë. Duket se francezët, nuk e përballojnë dot luftën. Ndërkohë që kanë filluar bisedimet e fshehta, për një armëpushim mes Francës dhe Gjermanisë.
Kjo e fundit, ka filluar bombardimet me një furi të madhe në Londër dhe gjithë vendet britanike. Dhe, në të vërtetë, aeroplanët gjermanë, bëjnë mjaft dëme në Londër. “Por anglezët, aspak nuk tuten, e janë të sigurt në fitoren e tyre”, thotë adjutanti. Bashkë me ta, në Afrikë ka filluar lufta dhe me disa Armata Franceze. Ata luftojnë bashkë në Siri, Algjeri, Marok, Senegal. Ushtria italiane, është përforcuar kundër Greqisë në Shqipëri, në këtë vijë: Belshi, Voskopojë, Vaskop, Selenicë, Borovë, Vithkuq, Këlcyrë, Delvinë, Përmet, si edhe një Brigadë milicësh, nën komandën e Hazis Çamit në Delvinë. Luftrat tregojnë shpirtrat e popujve.
Situata në Paris bëhet gjithmonë më e pasigurt dhe Mbreti mendon shpërnguljen e tij të re. Ai mban lidhje të vazhdueshme me qeverinë e tij, ndërsa i thotë asaj se, kërkon kryeministrin Kotte në Paris, për të diskutuar për të ardhmen. Ndërkohë, që situata për Francën është tragjike. Ajo është duke u tmerruar para pushtimit të vendit të saj nga Gjermania. Dhe, vërtetë, në 12 qershor, Italia i shpalli luftë Francës dhe Anglisë.
Ndërsa, Shqipëria e vogël, i shpall luftë për herë të dytë Italisë. Mbreti shqiptar, duke parë situatën kaotike të Francës, mendon të shkojë në Britaninë e Madhe dhe vendoset atje përfundimisht në datën 22 qershor. Në Evropë, situata është e rëndë. Franca, jashtë parashikimit, lëshon territor, ndërsa Anglia, është duke u bombarduar në të gjitha mënyrat nga fashistët. Gjithsesi, Anglia bën rezistencë dhe është shembulli i vetëm i përpjekjeve të vërteta, kundër fashizmit. Në frontin italo-grek, në territorin shqiptar, trupat fashiste janë gati për të sulmuar.
Stamboll, 7 qershor 1940
Madhëria e Tij, Mbreti Zog, i dërgoi një telegram kolonel Husein Selmanit, ku i thotë: “Kam marrë telegramin, që më dërguat me anën e Legatës. Vazhdoni, por siç keni vazhduar. Instruksionet do t’ju vijnë me letër, me anën e një personi të posaçëm. Situata këtu, është shumë e shqetësuar dhe prej Kryeministrit Kotta, nuk kam marrë lajme, as telegram dhe as letër, që tash tri ditë. E kam kërkuar në telefon, po nuk e kam gjetur. Duket se ka ndërruar adresën. Lipset që sa më pare, të niset për Francë.
Në, është se ja dini adresën e re, telegrafisht më lajmëroni që të hyjë në kontakt me të, sepse koha nuk prêt. Lipset, sa më parë, që të vijë këtu, ose të kthehet në Stamboll. Siç shihet, tani janë dukur shenjat e Italisë dhe Mediterana (Mesdheu), nuk është aq kollaj, për të kaluar me vapor. Kjo sepse, vaporët grekë nuk udhëtojnë më për Francë, pa prekur në Itali. Kështu që vetëm për Egjypt, Algjeri e Francë, udhëtohet. Kryeministri Kotta, e ka shumë zor kalimin për Francë dhe Qeveria Greke, akoma nuk ka mbaruar bisedimet. Por, sidoqoftë udhëtimi është i vështirë”.
Sapo mora raportet e fundit me lajme të reja, dërgova toger Faik Elmazin, tek atasheu ushtarak francez, kujton adjutanti. “Ishte tepër i nevojshëm një bisedim, mbi gjendjen e rikrijuar në Shqipëri, ku koloneli francez, është tepër i tronditur. Por, nga ana tjetër, i kishte thënë të urdhërojë kolonel Selmani. Shkuam bashkë me kapiten Avni Derallën. Dhe, ai na priti mire, por ishte shumë i mërzitur. Fjala e parë që më tha, ishte se:’Akoma nuk kam marrë përgjigjen e telegramit që dërgova. Kjo jep të kuptojë se nuk janë në Paris. Sepse, lufta shkon shumë keq për Francën dhe flitet se kaluan ose luftohet në Sedane’ e i shkuan lotët si një fëmijë'”.
“Unë, – thotë kolonel Selmani, i thashë – Jo, miku im. Franca nuk okupohet aq kollaj se, Gjermania e Franca, e njohin mirë njeri-tjetrin. Kjo mos t’ju mërzisë dhe mos harroni që pranë Francës, janë edhe Anglo-Sanksonet”. Kjo ishte një kurajo, thotë ai – dhe me këto fjalë, ne dolëm e shkuam, por ishim shumë të mërzitur.
Stamboll, 12 qershor 1940
“Lufta anglo-franceze dhe italiane: Sot më 12 qershor 1940, Italia Fashiste, i shpalli luftë Francës dhe Britanisë së Madhe dhe menjëherë mësyni Korsikën, e kufirin francez. Në këtë kohë, Franca lëkundi nga sulmet e rënda gjermane. Ku e gjeti këtë kohë fashizmi?! Franca e ndjen veten shumë febel (të brishtë) para armëve të rënda gjermane. Arsyeja është, se ndjehet vetëm, pasi Hollanda e Belgjika, u okupuan shpejt gjithashtu. Edhe Britania e Madhe, akoma nuk është ne gjendje që të derdhë një armatë të madhe në Francë dhe sot i gjithë ky rrebesh, do të mbetet në kurrizin e Francës. ‘Zoti t’i ndihmojë kundër këtyre diktatorëve”.
Tamam në këtë ditë, atasheu ushtarak francez, i telefonon kolonel Husein Selmanit dhe i thotë se: a mundeni të vini pak për të biseduar. Kolonel Selmani, iu përgjigj pozitivisht. Dhe, menjëherë shkoi. Francezi po e priste në këmbë dhe ishte “aq i tronditur, sa nuk dinte se çfarë të thoshte”, kujton adjutanti. Ai u përgjigj se: “Miku im, lufta shkon shumë keq. Trupat gjermane, marshojnë nëpër tokat franceze e, përsa u përket fortifikimeve, ato mbeten krejtësisht jashtë përdorimit. Armata gjermane, kaloi nëpër Belgjikë dhe pastaj kaluan edhe Sedanin. Ata janë shumë më superior nga Franca. Këtë radhë Franca, është me të vërtetë shumë në rrezik”.
Këshilli Ministror Shqiptar, u mblodh në Legatën Mbretërore Shqiptare në “Kunt Palace” të Stambollit dhe vendosi përsëritjen e deklarimit të luftës, kundër Italisë fashiste. Ajo ja bëri të ditur situatën, Legatës Mbretërore shqiptare në Paris. Një kopje të shpalljes së luftës, Italisë Fashiste, për së dyti here, ja paraqiti edhe Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, si dhe ambasadorëve të Francës dhe të Britanisë së Madhe, në Ankara. Gjithashtu, edhe Qeverisë Turke e Greke, Jugosllave, Egjiptiane e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Megjithëqë, Shqipëria ishte në luftë me Italinë Fashiste, por prapë ajo, e përsëriti kërkesën “meqë tani me Aleatët, nuk kishin ku të zënë shkak”, thotë adjutanti.
Stamboll, 15 qershor 1940
Kolonel Selmani dhe Ministri Asaf Xhaxhuli, së bashku shkuan në “Dyzem-Biro” (Shërbimi i Sigurimit) turk në Beyogllu në Istanbul, ku i priti shefi i zyrës, kolonel Emin Akyn. Ata, me një miqësi të përzemërt, menjëherë e pyetën mbi situatën franceze, se si shkonte. Dhe, ky u përgjigj, kujton adjutanti:
“Franca është në rrezik, sepse nuk kishte qenë aspak e përgatitur, duke u bazuar në fortifikimet e saj të rëndësishme. Kjo nuk u përdor, sepse armatat gjermane, kaluan Sedanin dhe fortifikimet franceze, ngelën jashtë përdorimit”. Pastaj, koloneli Emin Akyn, shtoi se: “Armata Gjermane, kurrkund nuk kanë me atë pengesë të vitit 1915. Pothuaj se marshojnë me pak kundërshtime. Franca tani, ndodhet në rënie e sipër, të paktën lajmet që kemi deri tani, janë këto. Vetëm në është ndonjë mrekulli dhe të tërhiqet në Afrikë. Por, edhe Britania e Madhe, akoma nuk ka një armatë të përgatitur. Kjo është në front me Francën dhe po tërhiqet nën mbrojtjen franceze”.
Ne ju lutem që t’i bënte një pyetje me telegram ambasadës turke në Paris, mbi gjendjen e Mbretit Zog I-rë, sepse Ambasada e Turqisë, ishte e lirë dhe po ashtu edhe në dijeni mbi Mbretin, vazhdon adjutanti. “Në të njëjtën kohë, ne, në Legatën tonë në Paris, i kishim bërë dy telegrame, po asnjë përgjigje nuk kishim marrë. A nuk ndodheshin aty apo i ndalonte censura franceze?! Koloneli Emin Akyni, menjëherë i bëri një telegram shifër, atasheut ushtarak turk në Paris, duke e pyetur, mbi gjendjen e Mbretit Zog I-rë. Këto ishin fjalët e fundit dhe pas kësaj ne e falenderuan. Dolëm kështu dhe i lamë porosi, me na lajmëru në legatën tonë”.
Stamboll, 15 qershor 1940
Sa u kthyem në Legatë, vazhdon adjutant – aty gjetëm një telegram, prej Milto Noçkës, ku na lajmëronte se, Mbreti Zog, me gjithë Familje e Suitë, ndodhej në Boudou. Dukej se do të nisej për Angli. Fare mirë, ky telegram disi na qetësoi.
Sipas fletoreve, Franca pothuaj se ka mbaruar, tashmë po sa doli një fletore e posaçme, që thoshë se: “Parisi u lirua”. Shihet se Qeveria Franceze, ka ndërhyrë për armëpushim pranë Gjermanisë. Franca, lufton në Dunkerke dhe vende të tjera, vetëm për t’u dhënë kohë zbarkimit të ushtrisë Britanike, për të kaluar La Manshin për Angli. Por, armata gjermane, po i bombardon rëndë, me aeroplanë e, duke i dëmtuar në masë të gjerë. Vazhdonin shpresat për një rezistencë, po nuk qe e mundur, – vazhdon adjutanti.
Flitet se Qeveria Franceze, me një pjesë të madhe të ushtrisë, do të tërhiqet në Afrikë, Algjeri, Marok dhe luftën do ta vazhdojë deri në fund. Por, aviacioni, shumë superior gjerman, nuk i dha atë mundësi për t’u tërhequr. Një pjesë e madhe e ushtrisë franceze, u dorëzua dhe është shënuar një panik i madh, në të gjithë Francën.
Gjendja përshkruhet kështu: Franca ka mbaruar, Britanikët përpiqen të shpëtojnë forcat e tyre, që ndodhen nën zjarrin gjerman, në brigjet e La Manshit, Djepe Kale; Italia okupoi Korsikën dhe Nisën e po marshon për Tulone.
Një lajm tjetër se Franca po dorëzohet, është se, Gjermanisë me disa kushte për këtë marrëveshje, i ka shkuar Mareshalli Peten. Ai ka ikur prej Spanje në Francë dhe ka filluar bisedimet me gjermanët.
“Me datën 16 qershor 1940, kujton adjutant – në orën 10 të mëngjesit, na vjen kolonel Emin Akyni, shef i zyrës sekrete turke, me telegramin në dorë, që ka marrë nga atasheu ushtarak turk në Paris. Duke qeshur na thotë: “Mbreti Zog, me gjithë familjen e suitën, janë nisur për në Angli. Por, sa të mbërrijnë, do ju telegrafojnë dhe është fare mirë”.
E falenderuam përzemërsisht për gjestin miqësor e fisnik të tij. E ndaluam për një pije të vogël. Pas kësaj, erdhën dhe ministrat e Qeverisë dhe e prezantuam me të gjithë. Pasi ju lexuam telegramin, Kryetari Parlamentit, Hiqmet Delvina, u ngrit dhe me një mënyrë krejt vëllazërore, falënderoi Qeverinë Turke me Kryetarin e Republikës në krye, burrin e madh e heroin turk Ismet Inonue: Që na del sot përkrah para botës mbarë, etj.,… dhe falenderoi kolonelin mik Emin Akynin.
Pasi shkoi kolonel Emin Akyni, filluam të bisedojmë mbi Francën. Kjo ishte edhe për ne shqiptarët, një fatkeqësi e madhe. Fatkeqësia ishte, se Franca na kishte njohur dhe sa patëm hyrë në veprime me të. E tani na mbetej që të shihnim Britaninë e Madhe, se akoma Amerika ndihej pa zë. Patjetër, ajo do të hynte në luftë kundër Gjermanisë, po hë për hë, mbetej vetëm Anglia.
“Në bisedimet që u filluan në Këshillin Ministror, mbi situatën tone, duhet thënë se, me një anë që Italia hyri në luftë me Francën dhe Britaninë e Madhe, na gëzoi; por rënia e Francës, na demoralizoi, se për ne, hë për hë, ishte një humbje e madhe. Gjithsesi, – thotë adjutanti- akoma kemi një shpresë se, francezët që ndodhen jashtë Francës ,si në Siri, Algjeri, Marok dhe Senegal e Indi-Kinë, nuk kanë për ta njohur armëpushimin me Gjermaninë. Ata do të vazhdojnë luftën, së bashku me Britaninë e Madhe. Dhe, natyrisht edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpejt do të jenë në luftë, kundër Gjermanisë. Kështu që, luftën qind për qind, anglo-saksonet e kanë të fituar”.
Më 22 qershor 1940, në orën 10 të mëngjesit, na telefonoi kolonel Emin Akyni, ku na thotë se; Mbreti Zog, bashkë me familjen dhe Suitën, mbërriti fare mirë në Londër. Ai ishte instaluar në Hotel “Ritze” në London. Më telegrafoi për këtë punë, atasheu ushtarak turk në Londër. Ku e falenderuam dhe e ftuam që të vijë në Legatë, meqë do të jepej një kokteji, për këtë lajm gazmor.
Ministri, i akredituar pranë Republikës Turke, Asaf Xhaxhuli, menjëherë në Legatën Mbretërore Shqiptare, vuri Flamurin Kombëtar dhe ju telefonoi gjithë ministrave e, kolonisë shqiptare në Stamboll. Duke derdhur lajmin se; Madhëria e Tij, Mbreti Zog, arriti fare mirë në Britaninë e Madhe, Londër. Ky gëzim, do të festohej në Legatën Mbretërore.
Menjëherë erdhën të gjithë ministrat dhe po ashtu, edhe Mehmet Konica e gjithë të tjerët. Po ashtu, u grumbullua kolonia, burra e gra, brenda e jashtë Legatës. Ku u zhvillua një ceremoni aq madhështore, sa nuk përshkruhet. Kjo, duke hedhur valle e tjera dhe ku morën pjesë edhe të gjithë miqtë turq.
Ministri Asaf Xhaxhuli, në emrin e kolonisë shqiptare, i parashtroi një telegram urimesh Madhërisë Tij, Mbretit Zog i I-rë, duke i vënë në dukje se, e gjithë kolonia, është e mbledhur në Legatën Mbretërore, duke festuar për shëndetin e lumturinë e Madhërisë Suaj. Kryetari i Parlamentit, Hiqmet Delvina, në emrin e Qeverisë, i parashtroi një telegram me urime. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016