Nga Viktor Mark Daragjati
Memorie.al / Deri me 10 shtator 2012, përveç ndonjë dëshmie që vetë Kolë Biba, u kishte tregue rrethit të vet, nuk ekzistonte ndonjë dokument zyrtar, që vërtetonte veprimtarinë që, si Ministër i Mbrendshëm i asaj kohë, ai kishte ba në dobi të Jahudijve. Shqipnia komuniste enveriste, e ka urrejtë gjithmonë të vërtetën dhe ka mbyllë si gojën, ashtu edhe arkivat e Shtetit, tue i hapë rrugë vetëm propagandës së saj rrënimçare. Qeveritë post komuniste, vazhdojnë me dekorue gjak-basit vëllavrasës. Në të vërtetë, nji ballist, Faik Quku, autori i librit “Qëndresa Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botnore” (1941 – 1944), kishte vërtetue shkurtimisht, ndihmën që Kolë Biba i kishte dhanë Izraelitëve.
Kështu ka shkrue Faik Quku:
“Në verën e vitit 1943, Leon Thuri, shkoi në zyrën e Kol Bibë Mirakaj, ministër i Punëve të Mbendshme, dhe i ofroj nji shumë Napolonash, për përkrahjen që u bante Jahudive, por këto pare, ai nuk i pranoi dhe e përcolli me nji sjellje bujare…”! Si mbas tregimit të Kolë Bibës, Z. Thuri, veç e falnderoj dhe la mbrapa, qëllimisht, nji çantë në dysheme, para katedrës, pa përmendë pare. Mbasi e përcolli tek dera, tue u këthye në zyrë,
Kolë Biba e pau çantën plot me napolona ari dhe thirri Z. Thurin, për me ua kthye.
Versioni i autorit Faik Quku, përveç detajit që shkrova, përputhet me dëshminë e Kolë Bibës. Kjo histori, ka nji prolog në të cilin, kur Kolë Biba, ishte në mërgim në Romë, Jahudijtë që e kishin njoftë në Tiranë, i ofruen prap ndihmë. Ndoshta, ishin të dijtun se Kolë Biba, kishte jetue tri vjet, me ndihmën bamirëse të nji kuvendi Françeskan. Prap Kolë Biba, refuzoi ndihmën, për të cilën në të vërtetë kishte nevojë, tue thanë se shpërblimi ma i madh për të, ishte privilegji që kishte pasë me krye detyrën e tij.
Hebrejt në Romë, ja dhuruene dy shkopinj me topa qelibari, si shenjë kujtimi të mirënjohjes së tyne të paharrueshme. Nji shkop ishte i zi, e tjetri bojë kafe. Kush e ka pa Kolë Bibën, tue hecë me nji shkop, duhet ta dijë se ishte po i njajti, që ja kishin dhurue në Romë Hebrejt. Nuk ka pasë kurrë tjetër dhe me të ka hecë deri në fund të jetës së tij.
Shumë shqiptarë, janë dallue për ndihmën që ua kanë dhanë Jahudijve në Shqipni, katolikë e myslimanë, pa dallim feje, e për ketë arsye Shqipnia njihet si e Drejtë ndër Kombet prej Yad Vashem-it. Kjo meritë, na nderon para botës por mbesin të pamohueme, disa akuza propagandistike komuniste, që duhet të zhvleftësohen njëherë e përgjithmonë.
Veprimtaria e Kolë Bibës, nuk kufizohet te aktet humanitare personale, në dobi disa individëve. Si Ministër i Punëve të Mbrendshme, Kolë Biba, veproi zyrtarisht, me vendosmëni dhe urgjencë, për me përkrah në shkallë shtetnore, gjithë hebrejt që gjendeshin si refugjatë në Shqipni, që në atë kohë, përfshinte edhe tokat Shqipërisë Etnike.
Me 31 gusht 1943, i vetëdijshëm se ramia e Italisë së 25 korrikut, kishte lanë Shtetin Shqiptar, të dobët e të ndamë politikisht e pra, jo në gjendje me ballafaque divizionet gjermane, që ishin tue hy në Shqipni, Kolë Biba, si mbas dokumentit regjistruem si No. Protokoli 9/110 i Ministrisë së Punëve të Mbrendshme – Zyra Politike, dha këtë urdhën:
Prefekturave Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë – Tiranë Lutemi qi të gjithë Hebrenjve nënshtetas Shqiptar që kërkojnë pasaporta për Itali, t’u lëshohen pa u sjellë asnjë pengim për vehte dhe për familjet e tyne.
Të porositen Kuesturat qi të shkapërcejnë çdo formalitet, mbasi çështja ka rëndësi të veçantë politike. Për vistim nga Delegacioni Italian t’interesuemit kujdesen vetë.
Ministri
K. B. Mirakaj d.v.
Kolë Biba ishte në dijeni se në të njëjtën kohë forcat Aleate kishin depërtue qëndresën gjermane në Siçili dhe ishin tue marrë nën kontrollin e tyne Italinë Jugore, ishte qëllimi i Tij që Hebrejt të shkojshin në Bari për me gjetë shpëtim. Ky urdhën nuk shënoi nji ndryshim në politikën e qeverisë ndaj Hebrejve. Përkundrazi, ai kishte për qëllim, me u dhanë nji urgjencë ma të madhe procedurave, me të cilat u pajiseshin refugjatët Hebrej, që kishin nevojë për pasaporta Shqiptare.
Duhet të dihet se të gjitha qeveritë autonome Shqiptare, gjatë luftës së Dytë Botnore, kanë ndihmue Hebrejt që kërkojshin azil në Shqipni. Veprimi i Kolë Bibës, ishte në vazhdim dhe përforcim i nji politike, të bazueme në solidaritetin humanitar dhe kishte për qëllim, me kapërcye pengesat procedurale e burokratike në kohën reale, me shpejtësi telegrafike.
Të nderuemit ish-deputeti (congressman) Joe Dio Guardi dhe i ndjeri, ish-Senatori Tom Lantos, tue u bazue në dokumentime të kufizueme që ju kishte dhanë në 1990 Ramiz Alia (kur ishte President i Shqipnisë), nuk kishin mujt me mohue imazhin e shtremnuem, në të cilin u shtiheshin komunistët si shpëtimtarë të Hebrejve prej persekutimit fashist. Këtë padrejtësi, që shkel dinjitetin e antikomunistëve, mundet me e kuptu z. DioGuardi sot.
Sidoqoftë, me gjithë se për arsyna të pasakta, këta qeveritarë amerikanë fituen kredi për Shqipninë, si i vetmi shtet ku të gjithë Hebrejt, kanë gjetë shpëtim. Tue kenë se Arkivat Kombëtare Shqiptare, nuk janë akoma të hapuna, u desht me pritë deri me 10 shtator 2012, për me i gjetë informatat zyrtare, që na lejojnë me asgjesue propagandën mashtruese komuniste. Drejtoresha e Përgjithshme e atëhershme, Zj. Nevila Nika, e bani të mujtun nji kërkesë të shkurtë, me anë të së cilës u gjetën disa dokumenta zyrtarë, që përkrahin plotësisht veprimtarinë e Kolë Bibës.
Dokumentat, përveçse zbardhin rolin pozitiv, i vetdrejtuem dhe i fuqishëm të Kolë Bibës, na bajnë të njohun edhe emnat e disa Administratorëve, që morën pjesë në ata veprime të nevojshme.
Për hir të transparencës historike e, për me korrigjue imazhin e padrejtë që prap sot shumëkush e beson, edhe mbas kaq dekadash diktaturë përdhunuese, meqë nuk dijnë ta hjekin prej mendjes, e kemi ba ketë veprim.
Për me zbardhë të vërtetën, nuk duhet të kufizohemi, me nderimin e figurës së të ndjerit Kolë Biba, por me nji pamje ma të gjanë dhe ma patriotike, duhet të nderojmë gjithë Kombin Shqiptar, pa dallime dhe po ashtu Kombin Izraelit.
Hebrejtë që kërkuen dhe gjetën strehim bujar në Shqipni, nuk ishin tue shpëtue vetëm jetën fizike të tyne, por edhe traditat fetare dhe zakonet kulturore mija vjeçare, që i dallojnë prej kombeve tjera. Kontributi i Kolë Bibës posaçërisht, i qeverive paraardhëse, dhe i mbarë Popullit Shqiptar, vihen në dukje këtu edhe për me zbardhë historinë tonë të vuejtun. Fati dhe bujaria e Popullit Shqiptar, e ka ba të mujtun që, rreziku i asgjesimit të racës Izraelite, të ndalet në mënyrë të mprehtë, në Tokat e Shqiptarëve.
Në vitin 1943, Kolë Bib Mirakaj, tue përdorë autoritetin që kishte si Ministër i Mbrendshëm, në të gjitha Tokat Shqiptare, tue përfshi Kosovën, pjesën e Malit të Zi, të Maqedonisë dhe Çamërinë, mori masat e nevojshme në mënyrë plotësisht të pamvarun, pa i marrë leje askujt. Tue u kthye tek shpëtimi i Z. Leon Thurit, Kolë Biba ka dëshmue se ai, ishte i arrestuem prej komandës ushtarake Italiane, si përkrahës i nji atentati komunist që kishte zbërthye në Tiranë.
Si mbas dokumenteve të gjetuna në Arkivin e Ministrisë së Mbrendëshme para disa viteve, shihet se komunistët, kishin nxjerrë pare prej Hebrejve, me kërcënime. Ushtarakët italianë, kujtojshin gabimisht se Leon Thuri, kishte financue komunistët si simpatizues. Rrjedhimisht z. Thuri, ishte dënue me pushkatim. Kur u alarmue për ngjarjen, pa u kujdesë për sigurinë e vet, Kolë Biba, kritikoi në mënyrë të vendosun autoritetet italiane, tue u thanë se, për shkak nxitimit, ishin tue e ba nji gabim të pandërgjegjshëm.
Përfundimisht Leon Thuri, u lirue nën përgjegjësinë personale të Kolë Bibës. Korrespondenca që vijoi mbas urdhëresës së 31 gushtit, na len me kuptue se, edhe Hebrejt pa nënshtetësi Shqiptare, kanë pasë mundësi, pa pengesa, me nxjerrë pasaporta. Ma gjansisht dokumentimet e Arkivit Kombëtar na tregojnë se ekzistonte nji veprimtari e përditshme në dobi të Jahudijve. Kush ishte i smurë randë, u lejonte me shkue në Tiranë. Ata që kishin të njohun, u lejojshin me u bashkue me ta.
Kush kishte ndoj zanat të kërkuem, u lejonte me u transferue në vende ku gjejshin punë. Hebrejtë që e kërkojshin, kishin mundësi me u transferue prej zonave të çlirueme etnike në vende mbrenda kufijve të 1939-ës. Para disa ditëve Presidenti Nishani ka kërkue edhe njiherë hapjen e Arkivave. Nji kërkesë ma e gjanë e Arkivave mund të diftojnë emnat e Hebrejve që përfituene prej ndihmës Shqiptare, që përfituen pasaportat dhe emnat e administratorëve që u shërbyen në këtë veprimtari humanitare.
Veprimtaria e Kolë Bibës në momentin historik në të cilin u zhvillue, ka mujtë me shpëtue nji numër deri në 2000 Hebrej që, si mbas raporteve të ndryshme, gjindeshin në Shqipni në kohën e Luftës së Dytë Botnore. Memorie.al