Nga Viktor Martini
Memorie.al / Viktor Martini ka lindur në Shkodër në vitin 1940. Mbas arrestimit të të atit, oficer i Mbretit Zog, nga regjimi komunist, fillon përndjekja politike edhe ndaj familjes Martini. Viktori dhe vëllezërit e tij që në moshë të re provuan burgjet e diktaturës komuniste dhe arrestimet e herëpashershme të anëtarëve të familjes, duke u akuzuar për tentativë arratisje dhe për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Viktori ka dhënë një kontribut në lëvizjet antikomuniste dhe demokratike në Shkodër, si tentativa e heqjes së bustit të diktatorit Stalin në 13 e 14 janarin e vitit 1990. Ai është gjithashtu edhe një nga themeluesit dhe drejtuesi i së parës degë të Shoqatës së ish – të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë të Shqipërisë në Shkodër dhe i gazetës “Pishtari”. Zhgënjimi që pësoi ishte aq i madh sa që detyrohet të marrë strehim politik në SHBA-ës. Është autor i librit “Dëshmoj”, pjesë nga i cili kemi përzgjedhur për të botuar në këtë shkrim.
TMERRI I 13 JANARIT 1990
Nga ora 7 e darkës lashë qendrën e pjacës dhe u nisa për në shtëpi. Te shkolla “Jordan Misja” takova Dedë Kasnecin, i cili ishte personi që me gjithë shpirt dha kushtrimin për demonstratat. E kisha takuar disa ditë më parë dhe kishim biseduar rreth demonstratës. Deda më kishte shfaqur mendimin e hapjes nëpërmjet një fjalimi.
Shpresonim te Dom Simon Jubani…! Isha konsultuar gjithashtu me një shokun tim për t’i bërë thirrje gjithë Shkodrës, si dhe për mënyrën sesi do të udhëhiqnim ata shkodranë që nuk kursenin asgjë për lirinë në hedhjen poshtë të simbolit të diktaturës, bustit të Stalinit…! Deda kishte vënë re se na ndiqnin kur 2-3 ditë përpara e kisha shoqëruar me motor për në shtëpi.
– Dedë, – i thashë unë, – nëse na arrestojnë, ke për të thënë se kam qenë për të pirë një gotë verë te Viktori, se e bën të mirë. Ti je i njohur si merakli i verërave. Mos beso asgjë në adresën time pa u ballafaquar…!
Deda kishte shkuar në të gjitha lagjet e Shkodrës, në Serreq, Gjuhadol e të tjera. Më shumë ishte një elektrizim spontan, sesa një organizim. Dukej se në atë moment të gjithë i thërriste zëri i ndërgjegjes për të rrëzuar bustin e Stalinit. Kur e takova Dedën te shkolla “Jordan Misja”, ishte pak i shqetësuar se e ndiqnin gjithkund…!
– Ishalla më mblidhen nja njëzet djelmosha të vendosur me vdekë e me ndihmën e Zotit, bustin e Stalinit do e bëjmë copë-copë, – më tha.
– Dedë, për besën e Zotit nuk të lë vetëm në qofsha gjallë deri atëherë. E në qoftë se nuk vjen kush tjetër, fjalimin po e hapi vetë, – i thashë unë…!
Si në shumë shtëpi të tjera shkodrane, tema kryesore e asaj darke ishte e nesërmja. Kjo ishte dita e shumëpritur. Kishte ardhur koha që të hiqnim litarin nga fyti ynë dhe i gjithë popullit shqiptar e, të thonim fjalën tonë kundër diktaturës e diktatorëve.
Zilja e derës na ndërpreu muhabetin. Dola te porta e dallova një person të njohur, që punonte në Degën e Brendshme të Shkodrës.
– Viktor Martinin desha.
– Unë jam, – u përgjigja.
– Kemi një pyetje për të bërë.
U afrova te dera. Në krah të tij qëndronte edhe një civil i shkurtër, i panjohur, me një xhaketë treçerekëshe. Në errësirë, tiparet nuk dalloheshin.
– Do të vish me ne deri në Degë. Kemi disa pyetje për të të bërë.
– Po vesh xhaketën, – u thashë.
– Jo, – tha i panjohuri, – ti nuk duhet të kthehesh mbrapa.
Aty më kapën menjëherë prej krahësh dhe më çuan në fundin e rrugës, ku priste mikrobuzi i Policisë. Hymë brenda dhe u nisëm për nga Dega. Zbritëm në oborrin me pisha që e njihja aq sa dhe oborrin e shtëpisë sime. Kur u ngjitëm në katin e dytë, i panjohuri trokiti në derë dhe hymë brenda. Në krye të tavolinës qëndronte kryetari, Naim Lezha.
– Në emër të popullit je i arrestuar, – tha befas i panjohuri dhe shpejt nxori nga xhepi hekurat e duke i shtrënguar më shikonte sikur donte të më përpinte të gjallë. Fytyra e tij përngjiste me një bishë të uritur…!
– Kam bindjen se do të jetë ndonjë keqkuptim e nuk keni arsye të më mbani këtu – i thashë.
– Ta tregojmë ne arsyen…!
Me një shkelm më goditi me sa fuqi kishte këmbën e majtë. Nga brezi nxori një shkop gome dhe para se të fillonte “fizkulturën” më tha:
– Do të tregosh se çfarë do të bëni nesër ose, qumështin e nënës do të të nxjerr.
– Nuk po ju kuptoj se për çfarë e keni fjalën! – i thashë, duke u munduar të mbrohem.
Nuk kisha mbaruar ende fjalën kur shkopi i gomës u përplas mbi kurrizin tim, që mbrohej vetëm nga një bluzë e hollë. Pastaj më ulën në një karrige me duar mbrapa. Filloi kështu rrahja pa pikë mëshire. Shkopi ngrihej e shkapetej pa pushim mbi shpatullat e gjoksin tim…!
– Hë, do të tregosh apo jo?
– Çfarë të tregoj?
Pas rreth ndonjë ore torture, trupi im kishte marrë ngjyrë mavi. Një tjetër i panjohur hyri brenda, u afrua dhe mbasi më çoi fanellën e kanotierën dallova ngjyrën mavi të trupit.
– Paske vendosur të vdesësh si hero ëëë? – qeshi me ironi dhe pastaj shtoi, – Vazhdo, vazhdo… – dhe doli përsëri nga dera.
Me të doli edhe nënkryetari. Tani bisha edhe gjahu ishin vetëm. Përsëri shkopi i gomës filloi detyrën e vet. I panjohuri më detyroi të ngrihesha në këmbë duke më goditur pa mëshirë mbi vithe. Trupi filloi të më dridhej, por sa vinte dhe nuk i ndjeja më dhimbjet si në fillim.
I lutesha Zotit të më jepte fuqi dhe ndjeja krenari që po e përballoja torturën. Oficerët e Degës filluan të vinin me radhë për të bërë sehir, si të ishin spektatorët e Neronit, kur ky torturonte romakët kristianë. Në një moment kur katili më goditi me shkelma në protezën prej druri, iu drejtova:
– Kjo këmbë ku godet nuk ndjen dhimbje, është prej druri. Sillu nga tjetra, se Zoti ia ka dhënë fuqinë të përballojë dy racione…!
– Si? – pyeti ai i çuditur.- Këmbë prej druri?- dhe shikoi shokët përreth. Pothuaj të gjithë ulën kokat.
– Pse e merr veten në qafë, të gjithë shokët kanë treguar, veç ti jo – u dëgjua një zë.
– Unë s’di gjë fare se për çfarë shokësh e keni fjalën dhe për ç’arsye po më torturoni kështu.
– Mos e merr veten në qafë. Trego më mirë – ndërhyri një oficer shkodran, sampist.
– Çfarë t’ju tregoj? Ju do ta kuptoni se jam krejt i pafajshëm dhe do të më lironi. Do t’ju vijë turp një ditë të më shikoni në sy.
– Po mirë, pse e ke hipur Dedë Kasnecin në motor? Çfarë keni biseduar? Ku keni shkuar dhe çfarë keni përgatitur për nesër?
– E kam takuar në pjacë. Pothuaj pijshëm dhe m’u lut ta qerasja me verë shtëpie. Nuk m’u nda e kështu e mora në shtëpi. Piu pothuajse një shishe me verë dhe iku i dehur. Çfarë mund të bisedoja me një të dehur? Më thoni, ju lutem, mos ka thyer gjë, mos ka vra njeri?
– Ka përvojë, – tha njëri prej tyre, – janë Martin, e kanë kokën shkëmb.
Këto fjalë sikur e ndërsyen sampistin në drejtim të paaftësisë dhe filloi të më godiste pa mëshirë. Pastaj futi duart mbi supet e mi afër qafës dhe me thonj filloi të më shkulte mishin. Unë shtrëngoja muskujt për mbrojtje. Kishim përqendruar shikimin te njëri-tjetri si dy armiq për vdekje. Shtrëngonte dhëmbët e thoshte:
– Kristian! – sikur të ishe Neroni vetë.
…Më kërcënuan se do të më çonin në morsën e hekurt. Vetë Çapajev Taçi, hyri si i tërbuar dhe duke më vënë revolen në kokë më tha:
– Do t’ju pushkatojmë, nuk e lëshojmë pushtetin në dorë të armiqve, – dhe duke dalë nga dera shtoi, – Kërbaç!
Sampisti më goditi me shkop mbas koke. M’u morën mendtë, shikimi më humbi, por nuk rashë. Si nëpër mjegull dëgjoja thirrjet e sampistit
– Fol, fol!
– Nuk shoh, – u përgjigja instinktivisht.
Më kapën prej krahësh e më ulën në karrige. Vendosa të rri si në kllapi për të pushuar pak e nëpërmjet qerpikëve paksa të hapur mundohesha të shikoja se çfarë ndodhte në dhomë. Naim Lezha u çua nga tavolina duke marrë një gjilpërë dhe fillojë të më shpojë trupin për të parë se mos shtiresha. Nuk e pata të vështirë ta përballoj se trupi nuk ndjente më dhimbje, ishte ënjtur pa masë.
Pasi më hodhën një kovë ujë në fytyrë, fillova të marr veten, por shpejt fillova të qes të vjellët. Më sollën një kovë, më zgjidhën duart e nuk më trazuan më. Dridhesha i tëri. Drita kishte filluar të dilte. Pavlin Merdja, mendoi se ishte më i mençur se të tjerët dhe hyri për të bërë provën e tij.
– Në mos gabohem, – tha ai, – ju jeni prej Hotit si origjinë, po ashtu edhe unë. Po të jap besën e Hotit, më trego të vërtetën dhe unë të liroj e shko në shtëpi.
– Me të vërtetë më lironi po të them të vërtetën? A ma jep besën?
– Po, – tha ai dhe menjëherë më shtriu dorën.
I zgjata dorën edhe unë. Të gjithë shikonin njëri-tjetrin të çuditur se si ky ia arriti qëllimit.
– Pasha besën, – i thashë, – unë as di gjë, as kam dëgjuar gjë. Jeni duke më rënë në qafë kot.
Kur dëgjoi këto fjalë ma lëshoi dorën dhe menjëherë filloi të shajë me fjalorin e një rrugaçi. Të tjerët kthyen kokat mënjanë e qeshën me provën e të zgjuarit Paulin!
Pastaj filluan të tallen me mua si mund të lozin fëmijët e paedukatë me një të çmendur në rrugë. Në dysheme kishte njolla gjaku. Nga këmba vura re se rridhte gjak.
– Ku je bërë kështu, je rrëzuar me motor?
– Po, me motor.
– E sheh, është i zgjuar, e di si duhet të përgjigjet.
Nga ora dhjetë paradite kishim mbetur në dhomë vetëm unë e nënkryetari, i cili, herë pas here, shikonte orën. Rrija me veshët përpjetë se mos dëgjoja zërat e demonstruesve dhe në të njëjtën kohë mendoja se çfarë do të kishin menduar në shtëpi për moskthimin tim. Sigurisht do të jenë të shqetësuar. A thua do t’i kenë njoftuar këta të mallkuar? Aty rreth orës dymbëdhjetë, u dëgjua një e buçitur dhe zhurma makinash që dëgjoheshin herë pas here.
Dëgjohej zhurmë nëpër korridore. Në orën një e gjysmë më dorëzuan në hetuesi dhe më përplasën në qeli. E kisha më të lehtë të rrija në këmbë se sa të shtrihesha në dysheme, nga dhimbjet e trupit. Nga ora dhjetë e darkës më çuan në dhomën e hetuesit. Trupi kishte marrë të dridhura. Dhëmbët kërcisnin ca nga dhimbjet e ca nga të ftohtit e janarit. Hetuesi më tha të ulesha në karrige. Pastaj mori disa letra, ndezi zjarrin në stufe dhe filloi zanatin e vet.
– Me kë jeni takuar ditët e fundit?
Unë numërova njerëz që nuk kishin të bënin me këtë çështje. Ai më pyeti për Ded Kasnecin dhe unë i dhashë po atë përgjigje që u kisha dhënë edhe të tjerëve. Nuk më mbajti shumë dhe më çuan përsëri në qeli. Natën tjetër përveç hetuesit ishte edhe krye hetuesi Gjergj, i cili filloi të bëjë një luftë psikologjike e të tallej me fenë e Krishtin.
– Si e mendon ti se ka qenë Krishti? – më pyeti.
Më erdhi turp të fshihja mendimin tim, por nuk ishte momenti për të predikuar në mes të këtyre ateistëve se do të tërboheshin keq dhe iu përgjigja tërthor.
– Disa, – thashë unë si naiv, – e besojnë si kozmonaut që ka ardhur nga planetët e tjera, disa e besojnë si njeri të mençur e disa e besojnë si Zotin vetë.
– Po ti si e mendon?
– Unë e besoj si Zot, se jam kristian me bindje.
– Po si mendoni ju kristianët, cilat janë bindjet tuaja?
– Mendojmë si Krishti, urrejmë dhunën, përbuzjen dhe kemi mëshirë për ata që na torturojnë…!
Nuk kisha mbaruar akoma, kur fytyra ime u mbush me pështymë e veshët me të shara. Kurrë në jetën time nuk kam qenë më i dërrmuar fizikisht e njëkohësisht kurrë nuk kam qenë më krenar. Më përcollën në qeli dhe nuk më trazuan më. Strukesha nën batanije e mundohesha të ngrohesha me frymën time.
Pas pesë ditësh më nxorën nga qelia dhe më futën në një ambulancë. Duart m’i shtrënguan tmerrësisht. Pas pak sollën Ndoc Liqejzën, Gjovalin Rolben, Pjerin Velin, Paulin Shtjefnin, Gjovalin Zefin. Dy policë hynë me ne në makinë. Pas tre orësh ishim në spitalin nr.2, në Tiranë. Na hoqën rrobat dhe veshëm ato të spitalit. Kur unë po hiqja xhupin e kanotierën tërë gjak, të gjithë lëshuan një “u-u-u, të paskan mbyt”. U afrova te Pjerin Veli dhe e pyeta:
– A u bë demonstrata, apo dështoi?
– Asht ba, – tha, – kanë marrë pjesë pothuaj tanë Shkodra, por ti rri i qetë e kujdesu për plagët e tua.
-Ti m’i shërove këto plagë, – i thashë.
Pasi bëmë banjë, na çuan nëpër dhoma. Ndocin e Pjerinin i çuan bashkë. Mua më lanë me të tjerët në një dhomë katërshe. Dhoma kishte shtretër e çarçafë të larë. Tani, – mendova me vete, të bëhet si të bëhet, të paktën jam me njerëz. Një oficer erdhi dhe na tha se nuk ishim në arrest e, nëse kishim lekë mund të blinim cigare dhe ushqim. Qëlloi që unë pata ca lekë dhe bleva cigare e ushqime për të gjithë. Dita kaloi menjëherë. Në darkë, pasi hëngrëm, ramë të flemë. Fjeta menjëherë pa menduar se çfarë do të ngjiste…! Shtatëmbëdhjetë ditë pothuaj të njëjta, kaluan shumë shpejt.
Një ditë dëgjuam hapa e zëra të xhindosur në korridor. Nëpër dhoma na sollën rrobat tona dhe na thanë të bëheshim gati shumë shpejt, po për ku nuk na thanë gjë. Të gjithë ishin civilë, djem të rinj e të fuqishëm. Kaluam nëpër korridoret e ngushta të spitalit e dolëm në oborr. Dera e hekurt u hap e pas dere ishte një ambulancë në të cilën u futëm të gjithë ne. Duart nuk na i lidhën me hekura dhe na dhanë gjithçka kishim pasur kur na arrestuan.
Civilët hipën me ne në makinë. Të gjithë ne ishim të shqetësuar se ku po na çonin. Pasi kaluam nëpër qendër, makina mori rrugën e Elbasanit. Civilët rrinin të qetë, më shumë kishin dëshirë të pyesnin e të dëgjonin. Dikush nga ne edhe përgjigjej, por unë kisha dëshirë të dëgjoja. Mendja veç për keq më shkonte. Për ku e për sa gjatë do të shkonte kjo punë?
Makina u ndal para spitalit psikiatrik të Elbasanit. Na futën brenda pavijonit në dhomën e mjekut. Porsa hymë brenda në fytyrat e civilëve që na kishin shoqëruar, filloi të dallohej qartë çoroditja. Një infermier me bluzë të bardhë mbante në dorë një shiringë të mbushur. Tre sambistë më kapën prej këmbësh e krahësh e më përplasën në vendin ku vizitoheshin të sëmurët, me gjoks poshtë. Njëri urdhëroi infermierin:
– Shpejt bëji gjilpërën!
Infermieri zbatoi urdhrin. Krijova bindjen se kjo gjilpërë ishte vdekjeprurëse. Mu duk e qartë se po na vrisnin pa gjyq dhe do të na groposnin pa shenjë.
O Zot më jep fuqi që nga frika mos lëshoj kushtrimin se do të kënaqen këta qelbësira,- thoja me vete. Pastaj po prapë me vete thashë atë uratën që duhet thënë para vdekjes, “punën e pendimit”. Gjuha filloi të më trashej e nuk isha në gjendje të komandoja më gjymtyrët. Më kapën prej krahësh dhe më përplasën mbi një krevat në qoshe të një dhome të madhe. Kisha etje, thërrisja me sa fuqi kisha të më sillnin ujë, por askush nuk përgjigjej.
* * *
…Kaloi shkurti e po i afroheshim fundit të marsit. Drejtori i spitalit, nëpërmjet doktor Bashkimit, na kishte lajmëruar se në fund të marsit do të na lironin prej këtij izolimi. Fjala ishte për një urdhër të Ministrisë së Brendshme. Institucioni i psikiatrisë edhe kësaj here, si në shumë raste të tjera, ishte i varur nga Ministria e Brendshme.
Ndërkohë kisha lajmëruar Lizën të më sillte rrobat. Në datën 30 mars, Liza e nipi i saj, erdhën nga Tirana me shpresë se do të ktheheshim të gjithë bashkë. Por jo. Kur Liza e Mondi ishin paraqitur te Dr. Bashkimi, shefi i pavijonit u kishte thënë se urdhri qe anuluar direkt nga ministri i Brendshëm. O Zot! Tmerri dhe lotët e Lizës tronditën spitalin dhe tërë ambientin përreth. Tashmë i kishim humbur shpresat se do të më linin të dilja i gjallë nga ky vend, ku jetonin krijesat e fatkeqësisë…!
* * *
Në mëngjes të datës 1 prill, rreth orës nëntë paradite, doktor Bashkimi na thirri në dhomën e tij dhe na tha se ishim të lirë e mund të iknim në shtëpitë tona. U gëzova pa masë…! Pasi u veshëm me rrobat tona, morëm rrugën për në qendër. Shkova në postë dhe lajmërova të më prisnin në darkë te treni.
…Te treni në Shkodër më priti Mondi, nipi i Lizës. Megjithëse në diferencë moshe me Mondin, ngjarjet e jetës e sidomos ato të janarit të ’90-të na kishin lidhur e bërë shokë. Të gjithë njerëzit e shtëpisë u gëzuan pa masë nga kthimi im i papritur. Lerit ende nuk i ishin shëruar plagët e torturave të natës së 13 janarit, në të cilat kishte marrë pjesë vet ministri i Brendshëm…!
Por qyteti kishte marrë pamje të trishtuar, njerëzit mblidheshin herët në shtëpi. Jashtë nëpër rrugët e Shkodrës kishte rënë një heshtje si në shkretëtirë. Vetëm këpucët ushtarake dëgjoheshin natën nëpër trotuare e rrugica…! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016