Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të tre arsimtarëve nga fshati Bicaj i rrethit të Kukësit, Avdi, Shefqet dhe Xhevat Gjana, të afërm me njëri tjetrin, të cilët në fillimin e viteve ’60-të, kur shërbenin si mësues në fshatrat e thellë të asaj zone, filluan të flisnin për gjendjen tejet të vështirë ekonomike dhe prapambetjen e tejskajshme, në të cilën ndodhesh ajo krahinë malore, ku ata ishin emëruar pas studimeve, duke pësuar një zhgënjim të madh, që në hapat e parë të jetës së tyre. Dëshmia e rrallë e Xhevat Gjanës për bisedat politike me të afërmit e tij: Avdi, Shefqet dhe Bajram Gjana, si dhe me Shemsi Domin e Muharrem Selmanin, të cilët pas shumë diskutimeve, vendosën që të ndërmerrnin veprime konkrete, kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke planifikuar tre variante: ku i pari ishte për një sulm të shpejtë ndaj Radio-Kukësit, nga ku më pas do bëhej thirrje popullit për një kryengritje të armatosur, për përmbysjen e pushtetit popullor, i dytë për të organizuar çetat vullnetare për një revoltë gjatë periudhës së zboreve, në të gjithë rrethin, duke sulmuar me armë institucionet dhe zyrat shtetërore, dhe i treti, për një atentat të mundshëm ndaj Enver Hoxhës, i cili do të destabilizonte situatën duke shkaktuar turbullira. Zgjerimi i grupit me mjekun radiolog të spitalit të Kukësit, Raif Elezi dhe poetin Hafi Nela, që shërbente si mësues në fshatin Topojan, të cilët u treguan të gatshëm për fillimin e veprimeve konkrete, por bisedat e tyre u zbuluan nga Sigurimi i Shtetit dhe ata u arrestuan në vitin 1970, e dolën në gjyq në qytetin e Kukësit, duke u dënuar me burgime të rënda, për akte terroriste.
Zoti Xhevat, kishte menduar vërtet Shefqeti, që të qëllonte mbi Enver Hoxhën, gjatë vizitës së tij në Kamëz dhe Bathore?
Nuk mund të them se mendimi për ti bërë atentat Enverit, i kishte lindur spontanisht Shefqetit. Për atë ide në parim, ne kishim biseduar me të që kur ishim studentë në Shkodër, ku mes të tjerash Shefqeti më kishte thënë: “Duhet eliminuar fizikisht me ndonjë atentat, Enver Hoxha”.
Po ju si i’u përgjigjët Shefqetit?
Unë i’a përforcova atij idenë duke i theksuar, se: “po të kemi mundësi edhe të gjithë Komitetin Qendror ta minojmë dhe ta hedhim në erë”. Edhe nëpër diskutime të tjera, Shefqeti më kishte deklaruar se Enveri duhej vrarë, pasi ai kishte shitur Kosovën. Por rastësia e solli që Shefqetit t’i jepej mundësia për të vepruar rreth asaj që kishim biseduar, kohë më parë, para se ai të shkonte ushtar.
Përveç teje, atë ngjarje, i’a tregoi ndokujt tjetër Shefqeti?
Ai i’a tregoi këtë ngjarje dhe djalit të dajës së tij, Islam Spahiut, i cili e qortoi duke i thënë se përse nuk ja kishte treguar më përpara këtë gjë!
Çfarë biseduat tjetër me Shefqetin, kur ai kishte ardhur me leje në shtëpi?
Gjëja e parë që ne biseduam, ishte arratisja për në Jugosllavi, pasi ato ditë, Sigurimi i Shtetit kishte arrestuar radiologun e spitalit të Kukësit, Raif Elezin, me të cilin kishim biseduar edhe për sulmin e armatosur mbi Radio – Kukësin. Arrestimi i tij na tronditi e na frikësoi shumë, prandaj ne bëmë plan për t’u arratisur, por Avdi Gjana nuk pranoi që të vinte me ne. Pas Raifit, u arrestua një tjetër mjek i Kukësit, i quajtur Muharrem Selmani, i cili kishte thënë se emancipimi i gruas nuk ishte gjë tjetër veçse ‘emancopëtim’. Pas tij, u arrestua dhe kushëriri im i pare, Bajram Gjana, i cili i kishte provuar edhe më parë burgjet politike. Bajrami, akuzohej se kishte lidhje me të arratisurin Tahir Hajdari, për të cilin thuhej se vinte si diversant në Shqipëri.
Ju kur u arrestuat?
Unë jam arrestuar në datën 19 prill të vitit 1969, gjatë kohës që kryeja zborin ushtarak në Gjegjan të Kukësit.
Cila ishte akuza që ju bënë kur u arrestuan?
Akuza që m’u komunikua ishte: “Veprimtari armiqësore kundra pushtetit popullor”.
E ndjenit që do të arrestoheshit?
Pa diskutim që unë e prisja arrestimin, pasi siç thashë më lart, para meje ishin arrestuar disa nga shokët tanë, me të cilët kishim biseduar dhe folur shumë kundër pushtetit komunist në Shqipëri, dhe kështu Sigurimi i Shtetit mjafton të bënte lidhjen se kush ishin personat që shoqëroheshin me ata që kishin arrestuar, nuk ishte e vështirë që të vinte gishtin mbi mua. Po kështu një nga arsyet e tjera që unë e prisja arrestimin, ishte dhe survejimi që na bënte Sigurimi në çdo hap që hidhnim. Për këtë arsye, siç ju thashë dhe pak më lart, ne mendonim që të arratiseshim, por këtë gjë nuk e realizuam dot sepse nuk donte Avdi Gjana.
Sa kohë ju mbajtën në hetuesi, kush ishte hetuesi juaj dhe për çfarë ju pyesnin?
Mua më mbajtën në hetuesinë e Degës së Brendshme të Kukësit për afro 13 muaj dhe hetuesi im ishte Hulusi Proda. Përveç shumë pyetjeve që më bënin në hetuesi, ishte dhe ajo e sulmit të armatosur mbi Radio- Kukësin. Kjo gjë vinte pasi atë akuzë e kishte pranuar edhe Raif Elezi, nga torturat që i kishin bërë.
Çfarë ju pyesnin për Radio- Kukësin dhe a e pranuat ju atë akuzë?
Fillimisht hetuesi im më pyeste se cili ishte plani i detajuar që ne kishim bërë për të marrë Radio – Kukësin dhe cilët ishin njerëzit që kishim menduar të aktivizonim gjatë atij aksioni. Unë nuk e pranova atë akuzë, duke u thënë se kishim hequr dorë prej atij plani. Por më pas ata filluan të na pyesnin për të gjitha ato që ne kishim biseduar me njëri tjetrin. Me një fjalë, gjithçka që kishim biseduar ne kundër pushtetit komunist të Enver Hoxhës, na doli aty në hetuesi dhe ne nuk kishim si të mos i pranonim.
Për çfarë tjetër ju akuzuan?
E vetmja gjë që ne nuk e kishim bërë dhe na akuzonin kot, ishte lidhja me agjenturat e huaja dhe marrja e detyrave prej tyre. Po kështu akuzë e trilluar që nuk qëndronte ishte dhe ajo që na thuhej se gjoja ne ishim të lidhur dhe takoheshim me diversantin Tahir Vata, për të cilin qarkullonin fjalë se hynte dhe dilte në Shqipëri sa herë të donte.
Pas jush kush u arrestua?
Pas meje u arrestua dhe dy kushërinjtë e mi: Avdi dhe Shefqet Gjana, si dhe u thirr në hetuesi, Islam Spahiu.
I pranuat ju akuzat që u bëheshin dhe a u ballafaqonin me njeri-tjetrin gjatë hetuesisë?
Pas shumë seancash hetimore, ne i pranuam të gjitha akuzat që na bëheshin, “për përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri”. Ndërsa ballafaqimet na i bënin shumë të shpeshta dhe kur na pyesnin për akte që kishim menduar të bënim, na pyesnin edhe për atentatin që kishim menduar ndaj Enver Hoxhës.
Shefqeti e pranoi gjatë hetuesisë se kishte dashur që të qëllonte mbi Enver Hoxhën?
Shefqeti e pranonte akuzën që i bëhej lidhur me atentatin ndaj Enver Hoxhës, por ai thoshte se atë gjë e kishte pasur vetëm si mendim, por armën nuk e kishte ngritur kurrë që të qëllonte ndaj tij. Këtë gjë ai e pranonte edhe gjatë ballafaqimeve që na bëheshin. Ndërsa unë nuk e pranoja atë gjë, duke u thënë hetuesve, se po të kishte pasur mendim për të qëlluar mbi Enverin, Shefqeti do të kishte qëlluar, kur i’u dha mundësia në tarracat e Bathores në Kodër – Kamëz. Hetuesi im nxehej nga ato fjalë dhe thoshte: “Hej bela e madhe, kësaj i thonë, i zoti e shet, tellalli se jep”?! Por edhe pse Shefqeti e pranonte se kishte menduar për të qëlluar mbi Enver Hoxhën, u bë një ngatërresë e madhe dhe hetuesit ranë në hall, duke mos ditur se në çfarë neni ta fusnin atë ngjarje, në terror, apo ndonjë nen tjetër. Po kështu dhe për ne nuk dinin se ku të na fusnin, në grupazh e bashkëpunëtor me Shefqetin, apo në moskallëzim krimi?!
Bëri bujë arrestimi juaj?
Pas arrestimit tonë, Sigurimi i Shtetit në bashkëpunim edhe me organizatën e Frontit, shkonin fshat më fshat, duke bërë propagandë të madhe për zbulimin e kapjen tonë dhe duke na demaskuar për veprimtarinë tonë. Në mes të tjerash ata u thonin popullit se: ‘ne kishim pasur në plan edhe një goditje ndaj udhëheqësit kryesorë të Partisë’.
Vetëm në hetuesinë e Kukësit i’u mbajtën për procesin hetimor?
Në Kukës ne na mbajtën pak më shumë se një vit, pastaj na nisën të gjithëve për në hetuesinë e Tiranës, në “Repartin 313”. Nga Kukësi për në Tiranë, na çuan vetëm kur doli problemi i atentatit të Shefqetit ndaj Enver Hoxhës.
Cilët ishin hetuesit që u caktuan për grupin tuaj?
Në Tiranë ne na caktuan një grup special hetuesish, me kryetar Koço Josifin. Në përbërje të këtij grupi hetuesish ishin dhe Dhimitër Shkodrani, Florian Kolaneci, Fejzi Aloçi, Pelivan Luçi, Iljaz Haxhiu, e ndonjë tjetër që nuk më kujtohet.
Si u sollën hetuesit me ju gjatë proçesit hetimor?
Me ne janë sjellë në mënyrën më barbare, duke na torturuar sa nuk di si t’ua përshkruaj. Për ta kuptuar më mirë se çfarë na kanë bërë, po u them se në përfundim të hetimeve, Muharrem Selmani, Bajram Gjana, Avdiu dhe Raif Elezi, ishin në gjendje depresioni të thellë.
Në hetuesinë e bërë në Tiranë, patët ballafaqim dhe konflikte me njëri tjetrin?
Edhe në Tiranë na bënin ballafaqime, por i vetmi konflikt që na ndodhi ishte ai me Avdi Gjanën, i cili nga torturat, fillimisht e pranoi takimin me diversantët, por më pas e hodhi poshtë atë.
Ndonjë nga krerët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, mori takim me ju gjatë hetuesisë?
Posi, gjatë hetuesisë mua personalisht erdhi për të më takuar zv/Ministri i Brendshëm, Feçorr Shehu, zv/ Prokurori i Përgjithshëm, Dhori Panariti dhe Ferhat Matohiti, një nga shefat e Hetuesisë.
Çfarë ju kërkuan?
Feçorr Shehu më tha se për arrestimin e grupit tonë, fillimisht kishin nguruar shumë, pasi disa prej nesh ishin me biografi të mirë dhe familje dëshmorësh. Pas kësaj, ai më kërkoi që të tregoja të gjithë aktivitetin që kishim pasur dhe më ofroi bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit. Pasi unë nuk pranova në mënyrë kategorike që të bashkëpunoja me Sigurimin, duke i nxjerrë lloj lloj justifikimesh, ai më kërkoi që unë të pranoja se isha takuar me diversantin Tahir Hajdari, por as atë gjë nuk i’a pranova pasi nuk ishte e vërtetë.
Kur mbaroi procesi hetimor ndaj jush dhe për çfarë ju akuzuan?
Hetuesia jonë mbaroi në muajin mars të vitit 1970 dhe ne i pranuam të gjitha akuzat që na ishin bërë, si: “agjitacion e propagandë”, “veprimtari armiqësore për përmbysjen me dhunë të pushtetit popullor”, “planin për të sulmuar Radio-Kukësin”, “planin për atentatin ndaj Enver Hoxhës”, “lëvizjet e brendshme sipas metodave të Liu Shao Çisë”, etj.
E pranuat planin për atentatin ndaj Enver Hoxhës?
Edhe ajo akuzë u pranua nga ana jonë, por po vetë hetuesia e hodhi poshtë, duke na thënë se nuk ishte nevoja për t’a përmendur në gjyq. Siç e kemi mësuar më vonë, pas viteve ’90-të, kur Kadri Hazbiu kishte raportuar në mbledhjen e Byrosë Politike, duke thënë se: ‘ka njerëz që mendojnë të vrasin udhëheqësin kryesor të Partisë’, Enveri e kishte kundërshtuar duke thënë se ajo gjë nuk qëndronte, pasi atë e donte populli dhe ajo gjë mund të qëndronte, vetëm nëse ndonjë nga grupi ishte i lidhur me agjenturat e huaja. (Këtë gjë e ka shkruar edhe ish-kryehetuesi i asaj kohe, Qemal Lame, në librin “Drejtësia Popullore”). Ato ditë Enveri kishte bërë një vizitë në rrethin e Shkodrës, ku kishte folur edhe për një politikë zbutëse me Jugosllavinë dhe nisur nga ky fakt, akuzat që na bëheshin për lidhje me agjenturat jugosllave, automatikisht binin poshtë. Kështu ra edhe akuza për atentatin ndaj Enver Hoxhës, por në repartin e Kodër-Kamëz ku kishte qenë Shefqeti ushtar, u shkarkuan dhe u transferuan gjashtë a shtatë oficerë, midis të cilëve edhe shefi i Shtabit, Bajram Deda.
Kur dhe ku u bë gjyqi ndaj jush dhe kush e drejtonte atë proces gjyqësor?
Gjyqi ndaj nesh u bë në datat 6-7 dhe 8 mars të vitit 1971 në sallën e kinemasë së qytetit të Kukësit dhe me dyer të hapura e me qendër zëri e altoparlantë, që të dëgjonte i gjithë qyteti. Por para se t’u tregoju për gjyqin, desha të shtoj se, gjatë udhëtimit nga hetuesia e Tiranës, për në Kukësin e vjetër, ne na kanë marrë nën masa shumë të forta sigurie, me automjete ushtarake dhe ushtarë të Gardës së Republikës, të cilët ishin të armatosur me mitraloz të lehte dhe të rëndë. Po kështu, nga Tirana për në Kukës, na shoqëronte edhe i gjithë grupi i hetuesve tanë. Ndërsa kryetar i gjyqit ishte Shefqet Muçi (në fillimin e viteve ’90-të u bë Ministër Drejtësie), ndërsa prokuror ishte Avdi Gashi.
Sa të pandehur ishit në atë gjyq dhe a i pranuat akuzat?
Në ishim tetë vetë: unë, Shefqet Gjana, Avdi Gjana, Bajram Gjana, Raif Elezi, Muharrem Sulejmani, Shemsi Domi dhe Has Visha. Me përjashtim të Has Vishës që ishte bujk, të gjithë ne të tjerët ishim intelektualë me shkolla të larta. Ditën e tretë të gjyqit na bënë një demaskim publik, ku folën përfaqësues nga të gjitha organizatat e masave (Fronti Demokratik, Bashkimet Profesionale, Organizata Bashkimit të Rinisë së Punës Shqipërisë, Organizata e Gruas, Organizata e Veteranëve, etj. E gjitha ajo bëhej me qëllim për të terrorizuar popullin dhe në përfundim të procesit gjyqësor, edhe pse ne i pranuam të gjitha akuzat, në fjalën e fundit nuk kërkuam mëshirë, por drejtësi.
Sa ju dënuan?
Unë u dënova me 8 vjet heqje lirie, me 8 vjet dhe Shefqeti, Bajrami 13 vjet, Avdiu 9, Raifi 13 vjet, Muharremi 3 vjet, Shemsiu 6 dhe Has Visha 8 vjet. Raif Elezi u konsideruar si kryetar i grupit, i cili për shumë vite do të njihej si “Grupi i Kukësit”. Pas dhënies së dënimit, asnjë nga ne nuk tentoi të bënte apelim dhe i vuajtëm të gjitha vitet e dënimit në Spaç dhe Burrel, pa përfituar asnjë ditë ulje nga amnistitë. Në mbyllje të kësaj interviste, desha të shtoj se një muaj pas dënimit tonë, Enver Hoxha bëri një vizitë në rrethin e Kukësit, ku midis të tjerash u shpreh: “Mos i lini djemtë tuaj të gabojnë”!
Shefqet Gjana: Pse nuk qëllova mbi Enverin
Lidhur me ngjarjen e vizitës së Enver Hoxhës në zonën e Kodër Kamëz dhe Bathores në vitin 1967, për të cilën ushtari Shefqet Gjana u akuzua se do ti kryente atentat, dhe për këtë arsye ai bëri 8 vjet burg politik, sot në moshën 64 vjeçare ai dëshmon ekskluzivisht për gazetën.
Ishte qershori i vitit 1967, dhe unë po kryeja shërbimin ushtarak në repartin e regjimentit kundërajror në Kodër Kamëz. Oficeri i togës së drejtimit Halit Gjeci (i cili në vitet 1992-1997 do të bëhej Komandant i Gardës së Republikës) më dërgoi si përgjegjës ndërrimi në pikën e hapjes që ishte mbi Institutin Bujqësor. Unë aty u shkëmbeva, me një ushtar që ishte sëmurë dhe u ngjita në vendroje në vend të tij. Pak minuta pasi mora shërbimin, më erdhi një ushtar që më tregoi se po vinte Enver Hoxha për të parë tarracat që ishin mbjellë aty në Bathore. Vendi ku do të vinte ai, nuk ishte më tepër se 50 metra nga aty që po qëndroja unë. Në atë moment mendova që të realizoja atë që kisha ëndërruar prej kohësh. Mendova të qëlloja mbi Enverin dhe më pas të qëlloja mbi veten. Ndërkohë që ora shënonte 11.00 të drekës dhe po vinin njerëzit e parë që paraprinin autokolonën e Enver Hoxhës, mua më kishin kapur emocione të forta. Në atë moment unë bëra gati automatikun “Kallashnikov” të cilit, i hoqa siguresën dhe i vura një fishek në gojë gati për të qëlluar. Edhe pse nuk ishte më tepër se 50 metra larg, Enverin munda ta dalloj vetëm nga kapelja e tij e republikës pasi, atë e kishte rrethuar turma e njerëzve që e shoqëronte. Por njerëzit e shumtë që e shoqëronin atë, ma bënë thuajse të pamundur që të qëlloja mbi të, edhe pse kisha një fushëpamje të qartë. Pas pak minutash Enveri dhe grupi i madh i njerëzve që e shoqëronin, sa vinte e largoheshin nga drejtimi i tarracave. Kështu u mbyll dhe ky episod i cili, kishte qenë një mision i pamundur për mua. Pak ditë pas asaj vizite në prani të 20 efektivëve ushtarë dhe të komandantit të grupit oficerit Halit Gjeci për të cilin theksoj se ishte tejet liberal, unë në nerva e sipër deklarova se Enver Hoxha, ishte shumë më i keq se Hitleri sepse ai, po vriste popullin e tij. Në këtë moment një shoku im ushtar Sitki Spahiu mu afrua dhe më mbylli gojën. Por për hir të së vërtetës ai diskutim u mbyll aty dhe asnjë nga ata të pranishmit që ndodheshin rreth meje, nuk më denoncuan. Në vijim unë mora leje dhe shkova tek shtëpia e kushëririt tim Xhevat Gjanës të cilin, e kishin pushuar nga puna si arsimtar që ishte. Në diskutim e sipër ne kujtuam momentin e vrasjes së senatorit Robert Kennedy në SHBA, dhe papritur Xhevati më tha “po si nuk doli njeri që ta vriste këtë Enver Hoxhën”?! Në këtë moment unë, i tregova për ngjarjen e vizitës së tij në Kodër Kamëz dhe dëshirën që kisha për ti kryer atij, një atentat. Pasi mbarova fjalën ai më deklaroi “po ta kishe bërë këtë gjë ti, do të hyje në histori ndërsa ne të tjerëve, do na kishin ç’farosur me fis e me farë”. Për sa kohë që unë isha ushtar, ky episod nuk u bë publik kurrë, por vite më pas kur po punoja si arsimtar në Bushtricë, u arrestuan një grup i konsiderueshëm prej 7 vetash të cilët, u akuzuan se do të kryenin një kryengritje të armatosur, dhe se do të sulmonin me armë, ndërtesën e Radio Kukësit. Në këtë grup ishte arrestuar dhe djali i xhaxhait tim, Xhevati i cili gjatë torturave ishte detyruar që ti tregonte oficerëve të Sigurimit të Shtetit, historinë e episodit të vizitës së Enver Hoxhës në Kamëz dhe Bathore. Pas kësaj dëshmie, u arrestova dhe unë dhe i gjithë grupi jonë, u transferua nga Dega e Brendshme e Kukësit, për në Drejtorinë e Brendshme të Tiranës. Gjatë torturave mua më dëmtuan shumë pjesë të fytyrës dhe trupit, por unë pranova vetëm idenë që kisha pasur për ti bërë atentat Enver Hoxhës, por armën nuk e kisha ngritur, ndaj tij. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016