Nga ANI JAUPAJ
Memorie.al / Haxhire Merlika apo, Angela Muka, motra e një prej figurave më të përfolura të historisë shqiptare, tregon versionin e saj të fakteve mbi qeverisjen e Mustafa Krujës, kërkesën e Jakomonit, kushtet e tij për flamurin pa Liktorin fashist, dorëheqja, largimi nga Shqipëria, deri në vendosjen përfundimtare në Amerikë, ku edhe ndërroi jetë. E motra ishte njeriu i vetëm i familjes, që u kujdes për të…! Si vijoi jeta e shqiptares së martuar në Vatikan, me një tjetër të arratisur nga Shqipëria…?! Rrugica e vjetër në hyrje të qytetit të Krujës, kishte mbetur e ngjashme me atë të dikurshmen, sipas tregimeve të të vjetërve. Ajo rrugicë, ishte ndarësja e tre katër shtëpive të fisit Merlika, që vitet e fundit natyrisht ishin rimëkëmbur me dorën e rikonstruksionit. Bija e njërës prej atyre shtëpive, Haxhire Merlika, (njihet me emrin Angela Muka, emrin e pagëzimit dhe mbiemrin e të shoqit)], as që mund ta parafytyronte transformimin që kishte pësuar oborri i saj, rrugicat e kalldrëmta, apo dhoma e të atit.
Kishte kërkuar të rrinte pikërisht në dhomën e këtij të fundit, kur kishte marrë vendimin që pas plot 70 vitesh, të kthehej për të parën here, nga Amerika. Nuk kishte gjetur ato imazhe që kujtesa i kishte lejuar ende t’i kishte, ama e dinte se po qëndronte po në atë dhomë, ku baba ishte ndarë nga jeta. Haxhire Merlika, është motra, e vetmja pjesëtare e familjes që i ka qëndruar pranë, deri në frymëmarrjen e fundit, të vëllait, Mustafa Mërlika Kruja. Ose Lalës, siç është mësuar përherë t’i thërras ajo dhe e gjithë familja.
Kryeministri që qeverisi Shqipërinë (një nga nënshkruesit e shpalljes së Pavarësisë, pjesë aktive në qeverinë e parë kombëtare, përfaqësues i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris), gjatë kohës së pushtimit italian dha shpirt në Amerikë, me amanetin e fundit, që e motra të mos largohej më prej andej, por të vijonte punët që ai la në mes, në dobi të vendit. Dhe ajo ashtu bëri. Shkoi deri pranë kufirit të jetës së saj në mërgim. Arriti të ruaj gjuhën e vjetër shqipe, padyshim me ndërhyrje të herëpashershme të anglishtes e, me shprehi të shpeshta të saj. E veshur në të bardha, me stemën e flamurit amerikan, që e mbante përherë në anën e zemrës, zonja e moshuar që nuk preferonte t’i tregojë vjeçët e saktë edhe pse llogaritë e viteve e ‘tradhtojnë’ vendimin e saj, tani mendon se të gjitha porositë i ka kryer.
Ka mbajtur amanetin e vëllait, duke jetuar oqeane larg shtëpisë, deri pak muaj më parë. Nuk është se e kishte vendosur prej kohësh që një ditë të kthehej, as që e kishte menduar. Ama kur e vendosi, vendimi ish përfundimtar. Nuk do të kthehet më mbrapsht.
Kanë kaluar 70 vite, janë jashtëzakonisht shumë, është një jetë. Pse vendosët të ktheheni pikërisht tani?
Derisa ishte gjallë im shoq, pak vite më parë, nuk e çonim ndër mend kthimin. Nuk donte e unë, nuk mund të vija e vetme.
Pse nuk donte?
Po mënyra se si Spiro kishte ikur nga Shqipëria, duke vjedhur një varkë bashkë me tre studentë të tij, për t’u arratisur, nuk e bënte të kishte as shije, e as kujtime të mira. Për më tepër, i kishin pushkatuar edhe një vëlla, vetëm 15 vjeç. Nuk e kishte të thjeshtë ri-përballjen me vendin e tij, e as që e konceptonte, sikur edhe unë, se deri në ç’pikë, gjërat mund të kishin ndryshuar. Ishin aq shumë vite që kishim jetuar larg, duke u marrë vesh me copa letre, me të afërmit tanë.
Pse ishte arratisur Spiro?
Spiro ishte i biri i Koço Mukës, ministër i Brendshëm, anëtar i ‘Ballit Kombëtar’ e mik i hershëm i vëllait. Drejtimi politik, besoj që jua jep arsyen.
Kanë kaluar 7 vite qëkur bashkëshorti juaj është larguar nga jeta, mund të kishit ardhur më parë…?!
E dini, të lësh një jetë të tërë, të njohur e miq, mënyra krejt të tjera jetese, nuk është e thjeshtë. Për më tepër që tërthorazi mendimet e tim shoqi, ndikonin edhe te unë.
Po pastaj, ç’ju ndryshoi mendje?
Telefonatat e shpeshta të të afërmve të mi këtu, sëmundja e pleqërisë që më është afruar, e sidomos vizita e vëllait tjetër tim, Hasanit, të vetmit që gjeta (përveç nipërve) nga familja jonë e dikurshme.
As që mundem ta parafytyroj një ritakim me vëllain pas 65 vitesh…?!
Nuk keni se si. Kanë qenë momente mjaft të ngarkuara emocionalisht. Kisha porositur që Hasani të shoqërohej deri në aeroportin e fundit nga shërbimi me karrocë dhe, kur e kam parë, sigurisht pa e njohur, vetëm se ishte i thinjur e i moshuar, i jam hedhur në qafë, duke e pyetur “Ti je Hasani, ti je vëllai im”?! Nuk jemi ndarë për disa minuta, duke qarë aq sa udhëtarët që kalonin në aeroport, ndaleshin e na fotografonin. Hasani insistoi pastaj që unë të kthehesha, derisa më bindi.
Keni pasur miq shqiptarë në Amerikë, që e keni ruajtur gjuhën?
Jo, asnjë shqiptar nuk kam pasur për 60 vjet, përveç tim shoqi. Kur ai u sëmur e më kërkoi ujë në spital, dola përjashta e pyeta punëtoren që lante dyshemenë, se ku mund të gjeja. Ajo vuri dorën në buzë, për të më bërë të ditur se nuk dinte anglisht. E pyeta se nga je dhe më thotë vetëm; “Albania”. E ngre dhe e përqafoj atë grua që më parë kishte punuar mësuese në vendin e saj dhe prej atëherë, u bëmë mikesha. Pas takimit me të e, me familjen e saj, kam folur më shpesh shqip.
Ta nisim historinë nga e para, prej atëherë kur nuk dinit gjuhë tjetër përveç shqipes, kur ishit një nxënëse shkolle në Shqipëri, bijë e një familjeje me emër e, me një vëlla që qeveriste vendin…! E kujtoni kohën kur Mustafa Kruja është bërë kryeministër?
Domosdo më kujtohet, sepse kemi folur edhe më pas me Lalën për këtë. Ishte viti 1941, siç mund ta dini, kur një natë, në orën 21:00 erdhi një telegram në emër të tij. Vinte prej Jakomonit, përfaqësuesit të Viktor Emanuelit. Shkruhej se donte të fliste me Mustafa Krujën. Lala shkon në atë takim, ku pyetja e parë që i ishte bërë, kish qenë: “A don ta shpëtosh Shqipërinë”? E nëse përgjigjej pozitivisht, duhet të merrte në dorë drejtimin e saj.
Mjaftoi vetëm kaq?
Jo, ju kërkoi tri ditë kohë, që të mendohej dhe tri kushte (kondita siç thotë Angela), pa plotësimin e të cilave do të refuzonte.
Cilat ishin?
E para; ishte që të largoheshin trupat italianë. Pastaj e dyta; kërkoi që të bëhej pastrimi i flamurit shqiptar, pra të hiqeshin shenjat e Liktorit dhe ato të Savojës. Kushti i tretë; ishte që, nëse merrte qeverinë, do të drejtonte vetë edhe Ministrinë e Brendshme. Që të plotësoheshin pretendimet e tij, duhej marrë firma e Duçes, të cilën Jakomoni, e siguroi. Kështu Lala, nisi menjëherë punën.
Me çfarë punësh nisi, ju ka folur për këtë?
E nisi menjëherë me mbledhjen e patriotëve të vet, të cilëve u kërkoi të shkonin në Itali, për të liruar Kosovën. Dha urdhër që të përgatiteshin të shkonin atje. Ashtu u bë, Lala hyri në Parlament me një fjalim, ku përshkruante vuajtjet e tmerrshme që Serbia i bënte Kosovës. Sërish me firmën e Duçes, punë të cilën tashmë, ia lanë Mustafait, meqë ishte ai që e kishte nisur.
Nuk rrezikonte kështu tepër, për të marrë damkën “fashist”?
Nuk donte të dinte për këtë. Madje, edhe e paralajmëruan se komunistët, nuk do ta vononin këtë vulë. Siç ndodhi në fakt. Lala tha se mund të më flisnin si të donin, fashist e dreq, mjafton të fitonim Kosovën. Është kjo arsyeja, pse në mbledhjet e komunistëve, Kosova nuk është përmendur, e është po kjo arsye, lirimi i Kosovës pra, pse sot e gjithnjë, na kanë quajtur fashistë.
Ç’reagime u dëgjuan me caktimin e Mustafa Krujës, kryeministër?
Pavarësisht se ia kërkuan, nuk ishte fort e thjeshtë, sepse secili, kishte versionet e veta pse ta kundërshtonte. Njëri prej tyre, ishte paraardhësi i tij, Shefqet Vërlaci, i cili pati thënë se; nuk lejonte të bëhej kryeministër djali i dikujt, që i pati shërbyer kafen, në Sarajet e Esat Pashës.
Qeverisja e Mustafa Krujës, zgjati për një kohë të shkurtër, 1 vit e pak muaj. Cila ishte arsyeja, e dorëheqjes së tij?
Mustafa Kruja dha dorëheqjen, sepse njeriu i tij në Vlorë, Qazim Koculi, i cili ishte dërguar atje (sipas njerëzve të afërt të kryeministrit Kruja, por indirekt edhe sipas dokumenteve të Luogotenecës), me detyrën për të organizuar një rezistencë kundër italianëve. Koculi kishte qenë organizuesi i Luftës së Vlorës më 1920-n dhe ruante një autoritet të madh në gjithë popullin e këtij qyteti. Vrasja e tij në të pabesë, u krye prej disa mercenarëve dibranë, që bashkëpunonin me italianë dhe jo prej komunistëve. Kruja, duke mos mundur të ndëshkojë fajtorët e vërtetë, dha dorëheqjen dhe i kthehet jetës private, duke u marrë tashmë me punën e tij tjetër, fjalorin e vet të shqipes. Në tetor të po atij viti, komunistët i bëjnë atentat e mandej, siç dihet nga historia, ngjarjet marrin teposhtën…!
Dhe… Mustafa Kruja arratiset në Vjenë?
Ikja e tij në Vjenë në ’1944, u interpretua si arratisje, por në fakt, e vërteta është krejt tjetër. Lala u largua, sepse i biri i tij, Besimi, vuante prej një sëmundjeje të rëndë e, meqenëse ndodhej për studime në Vjenë, i ati shkoi ta vizitonte. Vuajtjet e të birit nuk zgjatën, sepse u largua nga jeta shpejt. Ndërkaq, kishte nisur lufta dhe rikthimi i u bë i pamundur.
E megjithatë, edhe ky variant nuk tingëllon krejt i besueshëm, përderisa Merlika, ishte në fakt i kërcënuar në Shqipëri, arratisja do ishte shpëtimi i vetëm…?!
Po, por në kohën që ai u largua, kishte aq pushtet këtu, sa për të marrë të gjithë familjen me vete. Nuk kishte pse të ikte, pa e kthyer më kokën, për fëmijët e tjerë që kishte lënë në Shqipëri, të shoqen e, gjithë të afërmit që kishte. Të paktën trungun e familjes, do ta kishte marrë, sepse mundej. Por, në fakt kur iku, nuk e parashikoi moskthimin. Iku dhe nuk i pa më kurrë.
Ç’ndodhi me ju mandej? Duket se familja, ka qenë e gjitha e shpërndarë?
Po, unë isha në Tirol, vend që atëherë ishte nën kufijtë e Austrisë. Lala më kishte mundësuar studimet atje, për gjuhë të huaja, gjermanisht dhe frëngjisht. Ndërkaq, ai kishte mbetur në Vjenë, bashkë me Bashkimin, djalin tjetër shkencëtar, që i ishte bashkuar të atit, pas fatkeqësisë së të vëllait. Pjesa tjetër e familjes, ishte në Shqipëri, në pritje të masave që do merreshin.
Si ishte gjendja e tij? I kishte vdekur një djalë, rrugët me Shqipërinë ishin mbyllur…!
Dëshpërimi ishte i dukshëm, për secilin nga motivet. Por, të paktën u bëmë të tre, sepse unë sapo mbarova studimet. Problemi ishte i Bashkimit, që kishte lënë përgjysmë studimet në Bolonja e që Lala, ngulmonte që të rikthehej. Nusja e xhaxhait, Asllan Merlikës, italiane, e ndihmoi Bashkimin të vazhdonte studimet, duke e mbrojtur nga ndonjë e papritur. Ajo ndihej aq shqiptare, sa pati si amanet të fundit, që varrimi t’i bëhej në Shqipëri.
Po ju të dy?
Edhe Lala qëndroi po aty, në Bolonja, për të ishte vend i sigurt. Unë shkova në Romë, ku nisa një tjetër shkollë për modë. Prej kësaj kohe, u desh të kalonin ende disa vite që të takoheshim sërish.
Kur?
Ishte viti 1949, kur Lala vjen në Romë e, më njofton se duhet të ikte në Egjipt, sepse kishte marrë një letër prej Mbretit Zog. Më këshilloi që, me të përfunduar studimet, të shkoja atje. Kështu, ndoqa kurse private, në mënyrë që të shkurtoja kohën e dhënies së provimeve dhe arrita të përfitoj më shumë se një vit kohë, nga ajo e parashikuara.
Ç’shkruhej në letrën e Zogut?
Shkruante se i kishin kërkuar tri herë që të lëshonte fronin, mbas lufte. Se Mustafa Kruja, i duhej Shqipërisë, më shumë se kurrë, e se Shqipërinë kërkonin ta përçanin.
Kjo nuk është dëgjuar më parë, sepse Zogu me Merlikën, deri atëherë ishin njohur për konflikte…!
Kjo është edhe ajo çka thanë emigrantët e asaj kohe, se si bashkëpunoi Mustafai me Zogun. Në fakt, Lala u konsultua me miqtë e tij, Gjon Markagjonin e Ernest Koliqin, dhe u nis për Egjipt. Sipas asaj që më ka treguar, i pati përgatitur Mbretit një deklaratë, të cilën duhet ta paraqiste në Ambasadën Shqiptare, se ai ishte Mbreti i të gjithë shqiptarëve. Por, vetëm kaq nuk mjaftonte. Duhet të formonin një qeveri të lire, jashtë Shqipërisë dhe ashtu bënë, i vetëm nuk do mundej. Mustafai mendoi që të çonte një përfaqësues në Romë, punë për të cilën zgjodhi Koço Mukën, si patriot, njeri serioz e autoritar në të njëjtën kohë, nën sekretar i ‘Ballit Kombëtar’. Shkoi, u mblodhën gjithë partitë, ndër të cilat ‘Balli’ e ‘Legaliteti’, dhe formuan Shqipërinë e Lirë. Në këtë mënyrë, ata që deshën copëtimin e Shqipërisë nga serbët dhe grekët, nuk do mundeshin.
Ka qenë Lala dhe miqësia e tij me Koço Mukën, arsyeja pse ju e lidhët jetën me djalin e tij?
Fillesat po, por ende asgjë nuk kishte ndodhur deri atëherë. U desh të kalonin edhe shumë vite të tjera, përpara se të martohesha me Spiron. Po le t’i kthehemi më vonë, kësaj çështjeje.
Sepse doja t’ju pyesja, nëse në gjithë këto vite e në gjithë këto lëvizje, nëse kishit marrë ndonjëherë lajm nga Shqipëria. Ç’bëhej këtej me të afërmit tuaj?
Po gjithmonë. Merrja lajme përmes letër-këmbimit me gruan e Petritit, djalit tjetër të Lalës. Elena ishte italiane dhe unë i shkruaja, sikur isha shoqe e saj në Itali. Me emër tjetër natyrisht.
Komunikimi ishte i koduar gjithsesi?
Shkëmbenim vetëm informacione, se si ishin familjarët andej, unë i thosha se ishte mirë, por Mustafain nuk e zura kurrë në gojë, në asnjë letër, të të gjitha viteve.
Si mësonit se jeta e tij, ishte e kërcënuar andej?
Elena kishte të ëmën në Bari, komunikimi i saj me të, ishte pa dyshim më i zgjeruar, se ç’mund të ishte ai me një shoqe. Ajo merrte informacione, që Mustafain vazhdimisht e kërkonin dhe na i transmetonte.
Për sa kohë jetuat në Egjipt?
Për pesë vjet.
Si ishte jetesa atje? Me çfarë merreshit?
Unë kujdesesha për Lalën. Prej fillimit të jetesës në Egjipt e, derisa vdiq, nuk i jam ndarë për asnjë ditë, e për asnjë natë. Kujdesesha që ai të hante mirë, në mënyrë që të ishte sa më i qetë, në studimet dhe punimet e tij, të paktën nga kjo anë, të ishte i lehtësuar.
Studime gjuhësore, të cilat botoheshin në emrin Shpend Bardhi?
Po, ishte pjesa tjetër e karrierës së tij si studiues i shqipes, historian e publicist. Sapo mbaronte së shkruari, i thosha se mund t’i rishikonim bashkë, në këtë mënyrë, duket se e inkurajoja. Pikërisht gjatë këtyre ndihmesave, më kanë shkrepur edhe mendimet e para, se mund të nisja edhe unë të shkruaja. E këta libra që kam botuar sot, e kanë zanafillën pikërisht në ato vite.
U larguat me dëshirën tuaj nga Egjipti?
Jo, u larguam nga Egjipti për shkak të revolucionit, bashkë me Zogun. Shkuam në Cote d’Azur, në Francë, ku Zogu kishte një shtëpi e, na dha një dhomë me qira.
Si shkuat drejt Amerikës?
Lala më pati thënë se e ndiente veten të plakur e, se nuk donte të më linte të vetme në Francë. Kështu, i bëri kërkesë Amerikës, për azil politik. Shkuam në zyrën e tyre si refugjatë të thjeshtë dhe punonjësi na pyeti, se me çfarë ishim marrë më parë. Lala i tha se për t’i dhënë përgjigje, duhet t’i shkruante një libër. Batutë me të cilin punonjësi qeshi dhe i tha; dakord, eja pas disa ditësh, të më japësh atë që do të shkruash. Kështu ndodhi. Hodhi në letër të gjitha ç’i kishin ndodhur dhe i nisi. Telefonata për të na thirrur sërish në zyrë, ishte e menjëhershme. Prej Cote d’Azur shkuam në Nisë, ku na kërkuan, nëse mund të na jepnin nënshtetësinë amerikane.
Kështu nisi jeta juaj e re, por që për Merlikën, nuk zgjati shumë…?!
Po, u nisëm drejt Amerikës, ku Bashkimi kishte vajtur më parë. Aty më kujtohet se, sapo kam zbritur, jam ndalur, jam ulur në gjunjë e, kam thënë me vete; “Amerikë erdha këtu, të premtoj që do të bëhem një qytetare jotja, e mirë”.
Si nisi jeta juaj e re?
Unë nisa të punoja si mësuese e gjuhës frënge dhe asaj gjermane, ndërsa Lala, vijonte me studimet e tij. Bashkë me jetën e re, më kërkoi t’i premtoja, se nuk kisha për t’u kthyer më në Shqipëri. Se do të vazhdoja prej Amerike, t’u shkruaja presidentëve e deputetëve, për të mirën e Shqipërisë e Kosovës. Dhe kështu ndodhi. Ja tek i shihni korrespondencat e mia, me presidentë të ndryshëm të Amerikës, deri në të fundit.
Ndër presidentë e personalitete amerikane, shoh edhe një dërguar kryeministrit të Shqipërisë…?!
Po, ia kam dërguar, por ende nuk kam marrë përgjigje.
Çfarë i keni kërkuar?
I kërkoj që në Tiranë, njëra prej rrugëve të marrë emrin e Mustafa Merlikës.
Shoh gjithashtu, çka tërheq vëmendje edhe më, letër-këmbime e fotografi, me Nënë Terezën, madje qenkan më të shpeshta, se të tjerat…?!
Kemi qenë mikesha shumë të mira. Takoheshim shpesh me njëra-tjetrën, derisa Mama u vendos në Indi.
Si ka nisur miqësia juaj?
E kam njohur Mamën, kështu i flisnim të gjithë, qëkur studioja në Romë. Ajo kërkonte që t’i tregoja gjithçka që shkruaja, apo që bëja. Më inkurajonte gjithnjë, e jo vetëm mua, të bëja gjithmonë diçka të mirë. Kur shkrova librin e parë, për veshjet e fëmijëve, ajo u entuziazmua aq shumë, duke më thënë; “Angela, tani që bëre këtë libër, për pjesën e jashtme të tyre, duhet të bësh edhe një tjetër, që të shërbejë në zhvillimin e mendjes. Ka qenë pikërisht kjo shtysë, që më ka bërë të punoj, për librin tim të fundit. Atë kohë i pata thënë; “Mama, jam e lodhur, nuk mundem tani”, por më pas, me inkurajimin edhe të tim shoqi, arrita ta çoj në vend, kërkesën e saj.
Kur ka qenë hera e fundit që jeni takuar?
Hera e fundit ka qenë në Pensilvani, ku punonim bashkë me Pirron, ai ishte farmacist, bënte formulat e barnave. Mama më pati thënë se, herën tjetër, takimi i radhës pra, do të ishte në shtëpinë time, ku do më vizitonte. Mbaj mend që më këtë takim të fundit, ka qenë shumë e shqetësuar për nënën e vet.
Pse?
Sepse Nënë Tereza, i kishte kërkuar regjimit komunist, që ta lejonin nënën e saj, të shkonte të kurohej në Amerikë, pasi atë kohë familja e saj, jetonte në Shkodër. Përgjigjja e tyre kishte qenë negative dhe më kujtohet që u përlota, nga mërzia e saj. Më kërkoi të qetësohesha sepse, pavarësisht kësaj, do ta çonin në Paris.
Të kthehemi te Mustafa Kruja…! Vitet e tij në Amerikë, ishin të pakta. Si vdiq? Ç’ndodhi me të, sepse pleqërisë, ende nuk i kishte ardhur koha…?!
Jo, nuk ishte për shkak të pleqërisë. Vdekja e tij, erdhi si pasojë e një infeksioni, pas operacionit që bëri në tëmth. Tri ditë pas operacionit, vdiq në spital. Në çastet e fundit, më ka marrë dorën dhe nuk ka mundur të thotë asgjë më shumë, përveç një psherëtime.
Kush ishte tjetër pranë jush, që të mund të ndanit dhimbjen?
Ishin në fakt më shumë se ç’e patëm menduar. Familjarë ne nuk kishim, por u gjendëm të befasuar, kur pamë në gazetat e vendit të nesërmen, se kishte vdekur ish-kryeministri i Shqipërisë. Madje, kur mjekët e panë këtë lajm, kërkuan t’i bënin Lalës autopsinë.
Cilat ishin reagimet, që nuk kishit menduar?
Kur vdiq Lala, ne morëm një telefonatë prej FBI-së, prej të cilëve u gjendëm fare të habitur, kur na thanë se kemi qenë gjithë kohën këtu, për t’iu ruajtur. Ne as e dinim, as e kishim menduar këtë gjë. Erdhën më pas, për të na ngushëlluar, duke na siguruar, se do të na qëndrojnë pranë.
Njoftuat në Shqipëri?
Menjëherë më pas bëra telegram, ku njoftoja për vdekjen e tij. E gjithë familja ishte e internuar në Lushnjë, lajmin ia çoi atje gruaja e dytë e Mustafait, bashkë me Hasanin, tim vëlla, të cilët nuk ishin internuar, por ishin dënuar, të punonin në punët më të rënda që mund të ishin.
Deri në vdekjen e Lalës, nuk e zutë në gojë Spiron, kështu martesa, duhet të jetë bërë pas vdekjes së tij…?!
Po, më mbrapa është bërë. Veçse një fjalë, sa për të më bërë mua të ditur, që ai ishte dakord për njeriun që më propozonte, ma pati thënë qysh në Egjipt. Ai shkonte çdo të mërkurë e të diel te Mbreti, të dielën shkoja dhe unë. Atje mblidheshin të gjithë, princeshat, miq të Shqipërisë, etj. Një të mërkurë, pasi u kthye prej andej, ndërsa mbylla derën pas ardhjes së tij, se mos Enver Hoxha dërgonte ndonjë vagabond, më pyet; “A do mund të martoheshe me Spiron”?
Përgjigjja?
Nuk i ktheva asnjë përgjigje. U gjenda e befasuar nga ajo pyetje, të cilën as e kisha çuar ndonjëherë ndërmend. Ajo pyetje nuk mori përgjigje dhe as nuk u zu më në gojë. Unë e dija fare mirë, se çfarë u shkruante ai shokëve të tij në korrespondenca; “nuk mund ta imagjinoj jetën pa të”. Ashtu sikur unë, nuk imagjinoja të largohesha prej tij.
A nuk tingëllon kjo, pak egoiste?
Jo, sepse reagimi më i sertë, ishte imi. Unë kisha përgjegjësinë e gjithë Merlikajve, për t’u kujdesur për Lalën, atë që për të gjithë kishte qenë idhull. E, nëse ai do kishte jetuar më gjatë, unë nuk do ta kisha lidhur jetën, as më pas, me Spiron. Ashtu siç gjithmonë, ai u kujdes për mbarëvajtjen time, siç i pati premtuar nënës.
Çfarë i kishte premtuar nënës?
Unë me fëmijët e Mustafait, kemi thuajse një moshë. Kur kam lindur unë, ai kishte 4 djem, thuajse i gjithë fisi, ynë po lindte vetëm djem. I pati kërkuar nënës atëherë, nëse mund të isha e tija. “A do ma falësh mua këtë gocë”? – i pati thënë. “Po kjo jotja është, jona, e të gjithëve”, i pati thënë nëna. Dhe në takimin e fundit, që ata kanë pasur, amaneti që i ka lënë nëna, ishte të kujdesej për mua. Pra, ishte ai që më dha edukimin, më dha shkollën, e që vdiq në duart e mia.
Pas vdekjes së Lalës, si u rivendosën lidhjet me Spiron, sepse nuk ka qenë në Amerikë, apo jo?
Spiro nisi të më shkruajë letra. Në letrën e fundit, më pyeti: “A nuk bashkohemi, për të vazhduar miqësinë e dy familjeve tona”? Kështu nisi lidhja jonë. Vetëm se isha në një situate, shumë të zorshme.
Pse?
Po sepse, për Amerikën, ato që kishin bashkëpunuar me ‘Ballin Kombëtar’, partinë e Spiros, cilësoheshin si bashkëpunëtorë me fashistët dhe hyrja e tyre në Amerikë, nuk lejohej. Spiro jetonte në Romë.
Cila rezultoi zgjidhja?
Ishte një nga nxënëset e mia, që më erdhi në ndihmë. Përgjithësisht, unë isha natyrë shumë energjike dhe orët e mësimit, i bëja shumë ritmike. Pas shfaqjes së këtij problemi, humori nuk ishte më ai i mëparshmi dhe një ditë, studentja më pyet se; ç’kisha. I tregova situatën time dhe më tha se; kishte një deputet të njohur, i cili mund të më ndihmonte. Bisedoi aq shpejt me të, saqë në orën 12 të natës, kur po kthehesha në shtëpi nga leksionet e vona, e gjej që më priste te dera. “Eja, tha, se na pret deputeti”.
Kaq e thjeshtë ishte?
Përgjigjja i takonte atij. Por së pari e falënderova pse më priti. I thashë se unë kisha pasur gjithashtu një vëlla, që ishte marrë me politikë, por ai nuk kishte bërë të tilla gjëra. Më pyeti nëse e doja atë djalë e, i thashë; po, sepse Lala e pati pëlqyer. Më la një muaj kohë, përpara se të më kthente përgjigjen. Kohën ekzaktësisht, pas së cilës më erdhi telegram; “Qeveria e Amerikës në Washington, thotë: Shko martohu”.
Fluturuat për në Romë?
Natyrisht, ç’mund të prisja tjetër? Madje edhe Spiro kishte qenë aq i paduruar, saqë e kishte thirrur priftin, mik i Lalës dhe i Koços, në aeroport, ku më prisnin. Në fakt, martesa nuk u bë aty, por të nesërmen menjëherë, prifti na tha se martesa do të bëhej në Vatikan. Kështu ndodhi, u martova e u ktheva në Amerikë, ku më arriti edhe Spiroja një muaj më vonë.
Vazhdonin letërkëmbimet me Shqipërinë, tani që Lala nuk ishte më, nuk kishte nevojë as për komunikim të koduar?
Komunikimi me Shqipërinë nuk ka ndalur asnjëherë. Gjithnjë u kam nisur paqeta (pako me ndihma), aq sa kam pasur mundësi, i kam ndihmuar.
Pas ’90-s, me kë patët mundësi të lidheshit nga familja e Mustafait?
Fëmijët e Mustafait, pas internimit patën emigruar në Itali. Kam shkuar i kam takuar atje. Tani, asnjë nuk jeton më, përveç Fatosit.
Domosdo, janë aq vite sa jo kushdo mund t’i ketë jetë…!
Po, dhe kam vuajtur për këtë. Duket në fakt, sikur ata që janë këtu, vuajnë më shumë, por ju siguroj, që kemi qarë më shumë ne, andej.
Ishit përgatitur për ndryshimet, që ju prisnin në Shqipëri?
Pa dyshim, më kishin folur. Por kërkova që, pavarësisht ndryshimeve, të mund të jetoja pjesën tjetër të jetës, në dhomën ku kishte vdekur babai. Nipi e përgatiti dhomën dhe ja ku jam rehatuar. Memorie.al