Nga Dalip Greca
Pjesa e dytë
Memorie.al / Rrëfehet për herë të parë nga SHBA-ës, një nga parashutistët e dërguar me mision sekret në Shqipëri nga CIA, për rrëzimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Për operacionin e CIA-s dhe ‘Mi-6’, kundër Shqipërisë, dëshmon nga Cleveland i Ohio-s, SHBA-ës, Zef Luka, një nga të paktët parashutistët e hedhur nga agjencitë e inteligjencës anglo-amerikane, për të rrëzuar komunistët dhe që jetoi 13 muaj nëpër malet e Shqipërisë së Veriut, duke u shpëtuar reparteve të Forcave të Ndjekjes, që të ndihmuara nga rusët dhe Kim Philbi, kapën dhe vranë pjesën më të madhe të parashutistëve. Zef Luka, antikomunisti shkodran që mbijetoi dhe nuk ra në kurthin që ngriti Sigurimi i Shtetit Shqiptar, në bashkëpunim me kundër zbulimin rus; (kurth që ushqehej prej Kim Philbit, agjentit të dyfishtë anglez, i cili vepronte në Washington; më vonë kaloi në Kremlin, u shpall “Hero i Bashkimit Sovjetik”). Zef Luka, ish-parashutisti jeton në Cleveland të Ohio-s, nuk i harron për asnjë çast bashkëluftëtarët me të cilët e lidhën ditët e vështira të luftës antikomuniste. Ai ka një ditar model, që pasqyron me detaje aktivitetin e atyre, që ai vetë i quan “Njëqind shqipe që erdhën me prue lirinë”. Mesazhet e Zefit, për të shkruar për ata që lanë jetën në këtë luftë, kanë qenë të shpeshta, por në mënyrë të veçantë, ai ka kërkuar të shkruhet për “profesorin”, Alush Lleshanakun.
Zoti Luka, si hytë në kontakt me bazat tuaja pas zbarkimit në Shqipëri, si i siguruat ushqimet?
“Fillimisht vendosëm që të shkonim në Fan të Mirditës. Na printe Gjon Gjinaj, i cili ishte nga ai katund. Pritëm derisa u err. Gjoni më kërkoi mua, që ta shoqëroja. Të tjerët qëndruan. Ne iu afruam të parës shtëpi, në krye të katundit. Mbaj mend se ishte shtëpia e Gjon Kukës. Iu afruam dritares, e cila ishte e mbyllur. Gjoni vë veshin dhe kthehet nga unë, e më pëshpëriti: Këtu është dikush i huaj, prandaj eja largohemi pak. S’kaloi shumë dhe del një grua jashtë. Gjoni i afrohet dhe e pyet: – A e ke burrin në shtëpi? – Jo, është në punë, tek sharrat, – përgjigjet ajo.
Pastaj kthehet nga Gjoni dhe i thotë: – Ne kemi ndie se ke dalë në Greqi. – Po, – i thotë Gjoni, por mbramë kemi ra një grup prej 30 vetash. Na nxirr bukë! – Shkoni e pritni tek muri i shtëpisë së re, se po ju sjell vëllanë e burrit. Do të prisni sa të shkojë kryetari i lokalitetit, që është brenda në shtëpi. Pas një gjysëm ore, mbërrin vëllai i Gjon Kukës, i cili dridhej prej frike. Kontaktet me Gjon Kukën, i morëm pas tri ditësh, kur ai u kthye nga Sharrat. Gjon Gjinaj e porositi prerë: Vetëm dy shtëpi duhet ta dinë për ne, ju dhe shtëpia e Zef Vocit. Ju do t’na ushqeni, gjatë këtij dimri”.
Ju u kthyet sërish në Itali, pas zbarkimit apo qëndruat gjatë në male?
“Në male na gjeti nata e Vitit të Ri 1950. Mbaj mend se atë natë, ishim në Majë të Runës. Gjithë natën binte dëborë e shtruar. Në fakt, kjo natë e shënuar në të gjithë botën, nata e Vitit të Ri, na kishte gjetë me një sopat dhe ca ushqime të pakta. Ndue Frisku e Bardhok Gjeta, çanin dru për ta mbajt zjarrin ndezë, gjithë natën…”!
E vranë apo e helmuan Alush Lleshanakun?
Biseda me Zef Lukën, synon që t’i përgjigjet titullit të shkrimit: E vranë apo e helmuan Alush Lleshanakun? Por për të shkuar tek përgjigjja, ia vlen që të ndjekim veprimtarinë e këtij grupimi parashutistësh, i cili qe ndër më jetëgjatët nga ata që vepruan nëpër male. Ndërkohë që biseda me z. Luka, sqaron se grupet që vepruan në veri, nën hundën e Sigurimit ishin jo të paktë. Ai përmend grupin e Shkodrës e të Mirditës, atë të Kurbinit, grupin e Elbasanit, etj. Këto grupe nuk bënë thjesht një zbarkim apo një aksion dhe aq. Jo, ata qëndruan një kohë të gjatë nëpër male dhe vunë në lëvizje dhe bazat e tyre.
Morën rrugën e kthimit, kur tradhtia kishte dalë sheshit dhe ata panë veten të prerë në besë, nga bashkëpunimi anglo-rus (Filbi). Ky ishte ndoshta nga të paktët grupe, ku nuk u infiltrua agjentura ruse dhe Sigurimi e pati të vështirë, që t’i fuste në kurth. Sidoqoftë, përpjekja me Sigurimin, ishte e pashmangshme dhe e pabarabartë njëkohësisht. Z. Luka, nuk e lustron realitetin e hidhur. Ai ishte i ashpër, si dimri i egër në malet e mbuluara me dëborë. Shpeshherë, grupet u gjakosën me Forcat e Ndjekjes, por gjithsesi, z. Luka mendon se sakrifica e tyre, nuk mund të quhet pa vlerë dhe e dështuar, siç ka shkruar ndonjë gazetë e Tiranës.
“Edhe pse një pjesë e grupeve, ishin të tradhtuar në kauzën e luftës për përmbysjen e diktaturës, ne prapë i treguam botës, se komunizmi nuk i duhej Shqipërisë, prandaj u përgjakëm me të”, – thotë z. Luka, në bisedën telefonike që zhvillova më të. Po si shkoi jeta e tyre në male? Kur u ri takua dhe si u nda me Alush Lleshanakun, kur e mësoi vdekjen e idhullit të tij? A ishte vrasje në përleshje, apo ishte besë prerje a helmim? Këtyre pyetjeve, përpiqet t’u japë përgjigje, intervista e mëposhtme.
E pyes Zefin: Si arritët që të kalonit dimrin e ashpër të vitit 1950? Po ushqimet, ku dhe si i siguronit?
“Dimrin e kaluam ndër male, duke u furnizuar tek simpatizantët dhe mbështetësit e luftës sonë, të shenjtë. Mbaj mend, se një herë pashë nga larg, që po vinte Gjon Kuka, me një të arratisur në male, për çështje gjaku, Pjetër Gjeta quhej. Ata na kishin sjellë një cjap dhe një gjysmë thesi me bukë. Kjo ishte një festë e vërtetë. Kështu kalonin ditët e vështira, të atij dimri. Çdo ditë lidheshim me Romën, në ora 9 të mëngjesit, pa i treguar vendin se ku gjendeshim ekzaktësisht. Si kaluam dimrin te Maja e Runës, zbritëm poshtë. Bora ishte deri në brez, ende s’kishte filluar të shkrinte.
Ne ecnim nëpër ujë, që të mos linim gjurmë pas. Rruga që përshkonim, ishte e rrethuar nga fshatra që ishin të lidhur me Sigurimin dhe komunistët. Gjetëm strehë dhe shtruam sofrën për të ngrënë, tek stani i Mark Palucës. Në shtëpinë e tij, do të qëndronim dy javë, për të zbritur më pas në Fushë të Lajës. Një pjesë të shokëve, Kol Çunin, Pashko Letën e Nikollë Markun, i lamë në Koravë. Pjesa tjetër, Gjon Gjinaj, Pjetër Gjoci, Bardhok Gjeta, Pjetër Gjeta, Mirash Marku, Ndue Frisku dhe unë, Zefa Luka, morëm rrugën për Fushën e Lajës, ku do të bëhej një zbarkim i pritshëm”.
Gjatë gjithë asaj kohe që ju bridhnit me qefin në krye, sa e besueshme ishte, se i gjenit dyert e çelura për ushqime?
Sigurisht. Mbaj mend se ndërsa ecnim drejt Fushës së Lajës, bashkë me Gjon Gjinin, trokasim në një derë. Shtëpinë na e hapi një grua e re. Nuk e kishte burrin, ia kishin vrarë komunistët. Ajo na nxori menjëherë bukë, por ne i thamë se, nuk mund të hanim bukën e fëmijëve të saj. Por ajo ishte sojnike grua, na e dha me zor dhe na tha: Merreni ju, se fëmijët hanë edhe nesër! Përherë kishte dyer që çeleshin për ne. Pak më tej, arritëm në fshatin Shkozë. Qëndruam tek shtëpia e Nikollë Pjetër Shkozës, aty na dhanë mire, për të ngrënë”.
Ndërkohë, kishte shenja se ndokush nga pjesëtarët e grupit, bashkëpunonte me Sigurimin, ose jepte shenja “dorëzimi”?
“Gjithmonë unë kam folur haptas dhe nuk e kam mfsheh të vërtetën; e kam shkruar edhe në ditar. Po t’kallxoj një rast. Nikoll Marku, kishte tentuar të largohej para se të mbërrinim në Koravë, por e kapi Pashko Letaj e Bardhok Gjeta. Ne dëgjuam në atë rast Nikollën, që bërtiti fort: ‘Në dorën tënde Gjon Gjinaj’! Ndërkohë, që kur kishim arritë në Fushën e Lajës, aty nga ora 5 e pasdites, na mbërrin lajmi prej Kol Çunit, i cili na kërkonte që të linim Fushën e Lajës, për arsye se Nikoll Marku, kishte arritë me u arratisë. Lamë Fushën e Lajës dhe ndryshuam vendin e stacionit të radios, për çdo të papritur”.
Cili grup pritej që të zbarkonte në Fushë të Lajës?
“Me thanë të drejtën, nuk e dija se cili grup pritej. Na ishte mbajt sekret. Jo vetëm mua, por dhe të tjerëve. Ka mundësi ta dinte vetëm Kol Çuni, ndoshta dhe Gjon Gjinaj. Më vonë e mora vesh, se kishte qenë fjala për Alush Lleshanakun”.
A zbarkoi grupi i Alushit?
“Ç’është e vërteta, nuk u arrit që të lajmërohej Roma, për ndryshimin që kishim bërë dhe braktisjen e Fushës së Lajës. Kishim vetëm një lidhje me Romën dhe ndryshimi ishte bërë pasdite. Nga ora 8 e darkës, ne pamë aeroplanët që u ulën në Fushën e Lajës. Të nesërmen Roma na pyeti, se si u bë zbritja, por ne nuk dinim gjë”.
Po ç’kishte ndodhur?
“Si mësuam më vonë, Çup Caf Paluca me Zef Vocin, e shokë të tjerë, kishin ndezë zjarre dhe aeroplani kishte lëshuar pushkë, municione, ushqime, e uiski. Mësuam se kishte ra edhe grupi i Alush Lleshanakut, i cili përbëhej edhe nga; Halil Hoxha, Rexhep Kasa, Abedin Çengo, Zenel Çela dhe Nuri Plaka. Kur e takova pas gjashtë muajsh Alushin, ai ma tregoi vetë ngjarjen: Kur ramë në Lajë, dëgjuam pushkë, – tha ai. Alushi i kishte thënë Rexhep Kasës: ‘Shko shih, se mos është Zefi aty, duke na pritë’. Por s’ishte ashtu. Rexhepi kishte parë Forcat e Ndjekjes, që ishin në pritje të tyre dhe kishin marrë rrugën e ikjes…”!
Ç’ndodhi me ju pasi e latë Fushën e Lajës?
“Grupi u përgatit përsëri, me shku në Lajë. Gjendja ishte e rrezikshme, ishim të rraskapitur. Kola, caktoi grupin që do të shkonte: Mark Palucën si udhëheqës, mua, Bardhok Gjetën e Pjetër Gjetën. Mbaj mend se Ndue Frisku, më tha: ‘Zef, po shkoj në vendin tënd, se ti nuk e njeh vendin, unë kam qenë çoban ndër ato anë dhe e njoh vendin’. Përgjegjës grupi’ u caktua Bardhok Gjeta. Pashë se Kola dhe Gjoni’ diçka pëshpëritën në vesh. E mora vesh më vonë, Kola donte që të shkoja unë. Sipas meje, i takonte Gjon Gjinajt me shku i pari, më pas më vinte radha mua. Nejse, ishim tek stani i Mark Palucës, kur u ndamë në dy grupet: ata për në Fushë të Lajës, ndërsa ne drejt Kërrabës”.
Çfarë ndodhi me grupin që shkoi në Fushë të Lajës?
“Ka qenë 29 mars 1950. Pat ardhë Mark Paluca e na ka sjellë lajmin, se kishin gjetë parashutat me ushqime, pushkë dhe tesha që pat hedh aeroplani. Filluam me pi, e me hëngër, mandej qitëm dhe pushkë. Krismat ishin ndjerë në katund dhe patrullat e Mbrojtjes, janë nisë drejt Fushës së Lajës, duke menduar se ndonjë grup prej Jugosllavisë, kishte desantuar aty. Ata u ndeshën ballë për ballë, me Bardhok Gjetën, i cili ka pyet: ‘Kush jeni ju’? – Sigurimi, – i janë përgjegjës ata. Bardhoku i ka sha me nanë, e ka zbraz pushkë. I janë përgjigj dhe ata. Në përpjekje, mbetën të vrarë nga të dy palët. Prej Sigurimit: Mark Prenga, që e thërrisnin “Pepi”, nëntoger i Sigurimit dhe Zenel Çoba, prej Qerretit të Sipërm. Ndërsa nga grupi ynë, u vranë; Bardhok Gjeta, Ndue Frisku, Pjetër Gjeta e Zef Voci”.
Çfarë bënë forcat e ndjekjes me trupat e të vrarëve nga pala juaj?
Atyre u hoqën xhaketat e lëkurës, sahatët, paret, (jo më pak se 10 napolona secili). Pasi i morën të vdekurit, filluan t’i keqtrajtojnë, t’i djegin me cigare në fytyrë, u kanë nxjerrë dhe sytë përjashta me shishe, i lidhën për këmbësh dhe i tërhoqën zvarrë, deri tek Sharra e Gojanit. Ma vonë i morën dhe i rregulluan si mundën, i veshën me teshat që patën, siç duket erdhi urdhri, se do inspektoheshin prej Tiranës trupat e tyre, ndoshta dhe do t’i fotografonin”.
Po grupit të Alushit, si i shkoi filli, desantoi ai, a u takua me grupin tuaj?
“Grupi i Alushit desantoi, por ai duhej të priste 24 orë në Lajë, mirëpo ai nuk priti. Nga ngjarjet që ndodhën, ata morën rrugën drejt Elbasanit”.
Kur u takuat sërish me Alushin?
“Kaluan shumë ngjarje të vështira për ne. Në Kërrabë, vjen çeta e Kurbinit, e cila duhet thënë, se ishte tmerri i Sigurimit. Vetë ata të Ndjekjes, ia kishin frikën atyre trimave, si: Pashko Suma, Ndue Lala me të vëllanë, Ndue Gjergji, Mark Mëlyshi. Çeta na kërkoi, që të shkonim bashkë në Kurbin, ku do të vinte furnizimi për çetën. Të udhëhequr nga ata, shkuam dhe u vendosëm në Perlat, ku qëndruam gati një muaj. Pas një muaji, u nisëm drejt Kurbinit, ku do të bënim takimin me çetën e Kurbinit. Takimi do të bëhej, te stani i Plakave të Jakut.
Në një shpat me dëllinja, lamë shokët e radios. Pashko Suma qëndroi, majti veshë dhe më thotë: ‘Zef, te stani më duket’ se është dikush i huej’. Pas një dëllinje’ gjejmë Luk Prezefin e çetës së Kurbinit, ishte krejt i përgjakur. E morëm me vete’ pasi u mjekua nga Pashko Leta, që ishte dhe infermier. I zoti i stanit, na tregon se si ra në pritë çeta e Kurbinit, e si Ndue Lala, ka pushtue. Në mbrëmje, mbërritëm në Munellë, shpirtvrarë e të lodhun”.
Ndërkohë ju i mbanit lidhjet me Romën dhe a u furnizonin ata pas aq kohësh?
“Po, lidhjet ishin të rregullta. Edhe furnizimet. Pas humbjes së Kurbinit, ne na erdhën furnizimet me aeroplan, i cili zbarkoi aty nga ora 9 e mbrëmjes. Furnizimet ranë në Domgjon. Në fakt, gjetëm vetëm njërën nga ngarkesat, atë me rroba, një tjetër, ku ishin dhe të hollat, pare ari, nuk u gjet. Mbaj mend se atë natë, mora një xhaketë kafe, me katër xhepa të mëdhenj, me penj ishte shkru emri im, Zef. Më vonë ia fala Pashko Sumës, me të u vra i gjori, pas dy muajsh, kur pat ra në përpjekje grupi kosovar, në Perlat, Mirditë, së bashku me kapiten Riza Osmanin”.
Cili ishte takimi i fundit me Alush Lleshanakun?
“Në shtator 1950, po përcillnim drejt kufirit me Jugosllavinë, Tahir Hoxhën, që ishte në grupin kosovar. Isha caktuar unë, Pal Mirakaj e Ded Pjetra. Më pas, bashkë me Pal Mirakën e Dod Pjetrin, ndodhemi në malin e Dardhës. Prej këtej shkojmë në Qafë-Mali, që të marrim Gjon Gjinajn dhe Alush Lleshanakun, për t’i furnizuar me radio. Pali u ndal në një bazë të njohur, ku e priste një takim, ndërsa unë, i përcjellë prej një fëmije të asaj shtëpie, shkova drejt Alushit dhe Gjon Gjinajt, Pjetër Gjocit, Ndue Mëlyshit e Zef Kryeziut. Ata kishin ardhë prej Jugosllavie, por vendosën që asaj nate, të riktheheshin. U takova me ta. Para se të zbardhte drita, vjen Pal Mirakaj e Ded Pjetra dhe së bashku, u nisëm drejt Pukës.
Kaluam Kroin e Shkjaut, tek Bjeshka e Prroni i Kijave, morëm drejt stacionit të radios, që ishte në Berishë, vendit i thoshin Kotec. Pasi kaluam postën e Iballës, para nesh u shtrinë ca ara me misër. Alushi mbushi çantën, me misra të njomë. Mbaj mend se ai ishte veshë me një palë brakesha të zeza, e me një fanellë të trashë leshi, këtë e përdorte, kur qëndronim për të pushuar. Me vete kishte bomba dore, ‘Mashinën’ e parashutistëve dhe ‘Beretën’. Në Kotec, qëndruam një javë. E lamë këtë bazë, ngaqë një ditë na panë dy njerëz, që kaluan aty; njeri ishte oficer pyjesh. Shkuam në Balaj. Po prisnim që të errej dhe të kalonim urën, që ishte afër komandës së vendit, të Iballës.
Vendi ishte i vështirë, përreth kishte moçale kënetore. Grupi që do të kalonte, përbëhej prej Alush Lleshanakut, Gjon Gjinajt, Pjetër Gjocit, Ndue Lush Mirakajt, Gjon Lush Mirakajt, Pashko Demit, Pal Mirakajt, Kol Çunit, Pashko Letajt, Mirash Markut, Ded Pjetrës, dhe prej meje, Zef Lukës. Pas shumë vështirësish kaluam, në fillim priva unë me Gjon Gjinajn, edhe pse nuk ishim vendas. Kur arritëm tek bjeshka në Mëzij, Mark Zogu, sjell radion që e kishim rezervë, të ruajtur në një kosh të mbuluar me dushk. Kjo ishte për Alush Lleshanakun. Ndërkohë, vjen Vat Staka, që na solli një kosh me rrush. Ai qëndroi tri ditë me ne.
Kur bën të kthehet në katund, e takon një grua që po shkonte me mbush ujë, e cila e paralajmëroi: ‘Mos shko në shtëpi se po të pret Sigurimi. Të ka gjetë edhe revolen me fishekë’. Atë revole ia kisha falë unë Vatës. Pas kësaj, ai nuk mund të shkonte më në katund, qëndroi me ne. Atë kohë, më thërret Alush Lleshanaku mënjanë dhe më thotë: ‘Zef, shokët janë mërzitë dhe kanë mendjen me dalë në Jugosllavi. Ti eja tek unë në Elbasan’. Mbaj mend se i jam përgjigj: ‘Derisa të jesh ti në Shqipëri, unë kam me ndejtë’! Dhe i qëndrova asaj bese që i dhashë. Alushi kishte vendosë me vdekë, e mos me dalë nga Shqipëria. U dhamë radiot Alushit, Gjonit dhe Pjetrit dhe u ndamë me ta…”!
Kur e keni ndier veten më të pikëlluar gjatë viteve që qëndruat në male?
“Kanë qenë shumë të tillë, por tepër i pikëlluar, jam ndjerë kur më vranë shokun tim të ngushtë, Mark Hajdarin. Ishte trim. Familjen e kishte me komunistët, vetë ishte kundër. Shpesh bashkë me të, shkojshim nëpër katund, flinim afër ndonjë shtegu apo rruge, natën këndonte, në kupë të qiellit”.
Është thënë se në grupet antikomuniste kishte dorë dhe UDB-ja. Ishte i lidhur grupi juaj me shërbimet jugosllave?
“Unë nuk iu dorëzova jugosllavëve, as në çastet më të vështira, as në kurthe e shtrëngesa. Edhe grupi, nuk kishte lidhje me Beogradin. Ne i merrnim urdhrat nga Roma. Po të tregoj dhe një ndodhi, që m’ka ndodhë. H. Sh., dukej se e kishte pikë të dobët UDB-në. Pasi e marr vesh, që ai shpërndan literaturë të UDB-së, e thërras një ditë dhe i them: Po ç’ka bën ti mor, me letrat e Koçi Xoxes, që me na pas vra, a kapë partia, ne kishin me na ngjit në fytyrë fotografitë e Koçi Xoxes, të atij që ka vra vëllaun tënd, e tanë Klerin Katolik? – ‘Si? – tha, – më ka vra vëllanë’? – Po, pse a, nuk e di? – i përgjigjem.
Po ecnim bregut të Drinit, kur H. Sh., hapi çantën dhe i hodhi fletushkat, në ujin e lumit…! Por pas pak, ai doli prap në Jugosllavi. E mësova se ai bënte pjesë në Komitetin e Apostol Tenefit. Pas 4 vjetësh në Jugosllavi, doli në Perëndim. U mor dhe në intervistë. Nejse, ç’e zgjasim, e kuptuam se ai ishte agjent i Sigurimit të Shqipërisë”. Memorie.al
Marrë nga Gazeta Dielli
Vijon numrin e ardhshëm