Nga Esat Myftari
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Esat Myftarit me origjinë nga Peja, i cili që në bankat e shkollës së mesme, kur ishte anëtar i një grupi djemsh të rinj që kundërshtonin politikën e Beogradit zyrtar, ndaj politikës diskriminuese që ushtrohej ndaj popullsisë shqiptare që jetonte në trojet e veta, filloi punë si gazetar te “Rilindja” e Prishtinës, nga ku u propozua për korrespodent i Agjensisë TANJUG, por e refuzoi atë dhe në vitin 1963, u detyrua të arratisej dhe të vinte në Shqipëri, me synimin për të kërkuar ndihmë dhe përkrahje nga shteti amë, për organizatën klandestine të “Djemve të Pejës”. Peripecitë e shumta në shtetin amë dhe ndjekjet e vazhdueshme të Sigurimit të Shtetit, që gjatë kohës së studimeve në Tiranë dhe periudhës kur shërbente si arsimtar, në qytezën e Shëngjinit e fshatrat e Bregut të Matës, ku dhe u arrestua në vitin 1975, pasi kishte kërkuar zyrtarisht riatdhesimin në vendlindjen e tij Kosovë, duke e dënuar me dhjetë vite burg me akuzën për “agjitacion e propagandë”, të cilat i vuajti në kampin e Spaçit. E gjithë historia e dhimbshme e gazetarit, publicistit, studiuesit, përkthyesit, deputetit dhe diplomatit, Esat Myftari, është e përshkruar me një mjeshtëri nga ana letrare në librin e tij, “Vdekja jote, jeta ime” një roman autobiografik, që sapo ka dalë nga shtypi nga Shtëpia Botuese “Lena Graphic Desing” e Prishtinës, do publikohen disa pjesë në Memorie.al
Historia e panjohur e gazetarit, publicistit e shkrimtarit Esat Myftari
Esat Myftari lindi më 16 qershor të vitit 1940, në qytetin Pejës në Kosovë, prej nga është dhe origjina e hershme e familjes së tij. Mësimet e para të shkollës fillore, 7-vjeçare dhe gjimnazin, i kreu në vendlindjen e tij, duke i përfunduar ato në vitin 1959. Po në vitin 1959, Esati, djaloshi i ri, 19 vjeçar, filloi studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit. I dashuruar pas historisë dhe letërsisë, fillon të shkruaj që në moshë të re kur ishte në bankat e shkollës 7-vjeçare dhe në periudhën e fakultetit, bëhet anëtar i Klubit Letrar “Përpjekja” me seli në Qytetin e Studentit të “Beogradit të Ri”, ku afirmohet shpejt dhe here mbas here, shkruan poezi e vështrime kritike letrare, por për shkak të përmbajtjes së tyre, nuk i dërgon për botim.
Në vitin 1961, mbasi kaloi me sukses konkursin përkatës, Esati filloi punë si gazetar në të përditshmen e krahinës së Kosovës, “Rilindja”, ku caktohet të mbulonte kronikën e qytetit të Prishtinës dhe Sindikatat e Kosovës. Po atë vit, i ofrohet një bursë kualifikimi, pranë Agjencisë Jugosllave “TANJUG”, me perspektivën për t’u bërë korrespondent jashtë Jugosllavisë së asaj kohe. Por gëzimi i tij për atë bursë kualifikimi që ishte destinuar për ta dërguar atë në botën e jashtme, u shua shpejt, pasi specializimi që i ofrohej kishte si kusht anëtarësimin e tij në Lidhjen Komuniste të Serbisë, gjë të cilën Esati 20 vjeçar, e refuzoi në mënyrë kategorike.
Ndërkohë në vitin 1963, merr pjesë në një grup djemsh të rinj që nuk pajtoheshin dhe ishin kundër politikës që ndiqte Beogradi zyrtar ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe kudo ku ata ndodheshin në trojet e tyre nën Jugosllavi, dhe në emër të “Grupit klandestin të Pejës”, si përfaqësues i tyre, kalon kufirin ilegalisht dhe vjen në Shqipëri. Qëllimi Esatit si përfaqësues i “Grupit ilegal të djemve të Pejës”, ishte për të vendosur kontakte me shtetin shqiptar dhe për të kërkuar mbështetje e ndihma të ndryshme, për mirëfunksionimin e atij grupi djemsh të rinj, që synonte t’i bënte rezistencë politikës diskriminuese të Beogradit zyrtar ndaj popullsisë shqiptare në Jugosllavi.
Në vitin 1974, një pjesë e anëtarëve të këtij grupi arrestohen nga autoritetet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme jugosllave, duke u akuzuar si pjesëmarrës në manifestimet e vitit 1964, kohë kur u shpalosën flamujt kombëtar shqiptar nëpër qytetet kryesore të Kosovës dhe kur u ndërmorën masa të rrepta policore e gjyqësore ndaj tyre. Motoja kryesore e kësaj lëvizjeje masive që ishte dhe e para e këtij lloji në Kosovën e mbas luftës, ishte bashkimi i trojeve shqiptare me shtetin e tyne “amë”, Shqipërinë.
Ndërkohë Esati që ndodhej në Shqipëri, ashtu si edhe disa nga bashkatdhetarët e tij emigrantë kosovarë në Shqipëri, fitoi një të drejtë studimi dhe në vitin 1965, fillon studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, në degën “Bio-Kimi”. Mbas vitit të tretë të studimeve, i zhgënjyer nga politika zyrtare e regjimit komunist të Enver Hoxhës si dhe trajtimin që u bëhej emigrantëve kosovarë në Shqipëri, të cilët me ardhjen e tyre në në atdheun amë, dukej se “nga shiu kishin rëndë në breshër”, i ndërpret studimet dhe kërkon riatdhesimin!
Natyrisht kjo gjë nuk i’u aprovua nga Tirana zyrtare dhe në vitin 1969, Esati fillon punën si arsimtar në shkollën 8-vjeçare të qytezës së Shëngjinit, në rrethin e Lezhës, ku punon deri në vitin 1974, nga ku e transferojnë në fshatin Tale të Bregut të Matës, ku ai gjithashtu punoi me përkushtim. Ashtu si gjatë gjithë periudhës që ishte me punë dhe banim në rrethin e Lezhës, Esati survejohej rregullisht me të gjitha mënyrat nga organet e Sigurimit të Shtetit, edhe në atë shkollë ku thuhej se atë e kishin dërguar me qëllim, pasi i frikësoheshin një arratisje të mundshme të tij për në Jugosllavi nga Shëngjini, ai arrestohet dhe dënohet me 10 vite heqje lirie, i akuzuar për “agjitacion e propagandë ndaj pushtetit popullor”!
Pasi kryen dënimin e plotë duke vuajtur atë në kampin e Spaçit etj., (duke mos përfituar asnjë ditë ulje dënimi), Esati lirohet prej burgut politik në vitin 1985 e kthehet në rrethin e Lezhës ku kishte punuar dhe jetuar para dënimit dhe në vitin 1986, fillon punë si punëtor në Fabrikën e Letrës në Lezhë. Po atë vit krijon familje dhe më pas i lindin dy djemtë.
Në vitin 1990, në fillimet e pluralizmit, Esati merr pjesë aktive në lëvizjet popullore për përmbysjen e diktaturës komuniste në Shqipëri dhe që me krijimin e degës së Partisë Demokratike për rrethin e Lezhës, në fillimin e vitit 1991, për të kaluarën e tij dhe kontributin e madh në fillimin e atyre protestave popullore, ai zgjidhet sekretar i asaj dege.
Po kështu si rezultat i atij kontributi, në zgjedhjet e para pluraliste të 22 marsit të vitit 1991, Esati zgjidhet deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin Popullor, duke përfaqësuar aty zgjedhësit e Bregut të Matës, ku kishte punuar si arsimtar deri ditën e arrestimit në vitin 1975.
Një vit më vonë, në vjeshtën e 1992-it, emërohet në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Diasporës, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë që kryesohej prej ministrit, Alfred Serreqi. Në atë detyrë, Esati punoi me përkushtim deri në vitin 2000, kur u emërua në funksionin e diplomatit pranë Ambasadës Shqiptare në Riad, ku ai qëndroi deri sa doli në pension.
Që nga ajo periudhë kohe, Esati i kushtohet pasionit të tij, shkrimeve, studimeve dhe përkthimeve dhe që nga viti 2011, ai fillon të botojë disa libra, të cilët janë mirëpritur nga kritika dhe lexuesit, edhe për shkak të tematikës së tyre, si dhe variantit të gegërishtes që ai ka shkruar ato, gjë e cila ndeshet shumë rrallë në botimet shqiptare, të shtetit amë!
Libri i parë i botuar nga Esat Myftari është “Emrush Myftari”(monografi), dhe pasi tij vijnë: “Kosova dhe Enver Hoxha” (studim), “Profili politik i Esat Mekulit” (monografi)
Si dhe “Vdekja jote, jeta ime”, i cili është një roman autobiografik, ku ai ka përshkruar me një mjeshtëri dhe në mënyrë kronologjike pjesën më të madhe të jetës së tij, që nga familja dhe jeta në Kosovë si gjimnazist, arratisja në Shqipëri, peripecitë e shumta nga survejimet e përndjekja e Sigurimit të Shtetit, arrestimi, hetuesia, gjyqi dhe dërgimi në burgun e Spaçit.
Të gjitha ngjarjet dhe çdo gjë që përshkruhen në librin “Vdekja jote, jeta ime”, janë reale dhe personazhet aty paraqiten me emra dhe mbiemrat e tyre konkretë, ndërsa vetëm ata persona që ndikuan për keq në jetën e tij, (kryesisht, ata të organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të asaj kohe, si punëtorë operativë, hetues, policë, titullarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme e të Degës së Punëve të Brendshme të Tropojës, Lezhës, dëshmitarët në gjyqin e tij, etj.), autori u ka ndryshuar vetëm emrat, duke i dhënë ata me mbiemrat e tyre të vërtetë.
Pjesë nga libri “Jeta jote, vdekja ime” e autorit Esat Myftari
VENDIMI
Mbas dorëheqjes së Ridvanit nga “Rilindja”, u krijue nji gjendje e re për grupin e Pejës. Të pestët ato dit ndodheshin në tre qytete: Sarajevë, Beograd e Pejë. Përgjithësisht lajmi qe pritë me dëshpërim, sepse mendohej se depërtimi i tij në rrethe te nalta gazetareske dhe dalja jashtë vendit si i akredituem ndonkund – askush nuk mund ta dinte paraprakisht se në cilin shtet – do të sillte nji momentum të ri. Por, si mysliman që ishte, kishte gjasa ta hidhnin diku në Lindjen e Mesme ose Turqi. Në bisedën telefonike që pati me ata të Sarajevës, mori nji përgjigje ma të ftohtë nga sa priste dhe e këshilluen që brenda mundësive të nisej për atje, meqë ata ishin të zanë me temat e diplomave. Atëherë Ridvani, sikur erdh në vete dhe e kuptoi se kishte nisë me veprue me nji farë ngutije e padurimi të palejueshëm. Fundja, ata ishin në gjendje pritjeje dhe nga Shqipnija s’po lëvizte asnjë gjethe. Po sikur të ishin të padëshiruem prej tyne për nji a ma shum arsye?
Edhe gjendja në shtëpi nuk ishte fort e qetë. Ata kishin kujdes të mos e pyesnin se ç’po ndodhte me të, por, megjithatë, ai po e ndjente mbi shpinë barrën e vështrimeve të tyne plot brengë. Deri në korrik e prisnin dy-tre muaj të gjatë përpëlitjesh nëpër hamendje të tilla. Si kundërhelm i vetëm i mbetej leximi dhe thellimi në frëngjishten e tij. Por interesit për lëndët e profesionit i kishte vu drynin. Ridvani qe betue se nuk do të harxhonte ma asnji orë kohe në ato tekste hipokrite e aq të papërputhshme me realtetin. Vetë absolventi i shkëlqyshëm i jurisprudencës, D. Kasapolli, kur po ktheheshin para nji viti e pak në Pejë, i kishte thanë te spitali, afër stacionit të trenit:
– I shikon këta bojaxhi që po lyejnë fasadat? E pra, ne juristët mburracak, kur të dalim në profesion, s’do të jemi tjetër veçse bojaxhinj të sistemit që kemi. Deshe s’deshe, ose dorëzoje mandatën.
– Po atëherë i bje mos me e ngacmue monopolin e serb!
– Jo, e thashë në kuptimin figurativ. Sigurisht që na duhen juristat kosovarë dhe do kemi, bile me shumicë.
– Mundet.
– Un e di historikun e gjyqeve në Kosovë: asht nji prej faqeve ma të zeza të shtetit serb, në të dy sistemet. Monopoli i tyne në drejtësi e mjekësi na kanë thithë gjakun me pambuk dhe e keqja ishte se, nga ana e jashtme, dukej sikur ishin e janë plotësisht legjitimë.
Ridvani qe habitë me këto vërejtje të tija, mbasi deri më atëherë e kishte marrë si shumë mospërfillës për këto çështje. Prandaj kjo bisedë rasti sikur po i jepte të drejtë qëndrimit të vet përfundimtar, dhe po bindej se pothuej të gjithë vuanin nga pakënaqësi të ngjashme.
Kah mesi i korrikut u mblodhën në Pejë. Venduen që takimin ta mbanin në shtëpinë e A. Bajrit meqë ajo kishte mjaft dhoma. Ndodhej në rrugën M. Tito, në qendër të qytetit. Prej katit të dytë të saj, oborri dhe rruga shiheshin si në pëllëmbë të dorës. Jo se kishin frikën e ndonjë përgjimi a ndjekjeje – ata po takoheshin si ma parë, kur ideja për organizim kishte qenë e largët, madje me respekt jo aq të madh. Por tash që kishin lanë mbas vetes nji lloj polemike të lehtë por të mbulueme mbi mënyrën e veprimit të ma tejmë, secilin po e shoqëronte hija e vërtetë ose e përfytyrueshme e përgjimit. Ndër ta, ma i trazuemi ishte Ridvani, sepse ai, gjatë këtyne muajve të gjatë të përsiatjeve, ia kishte dalë të mirë përcaktonte zgjedhjet e veta: në qoftë se do të merrej vendimi me e ba provën e tretë të lidhjes me shtetin shqiptar, atëherë me siguri do ta nisnin atë, mbasi vërtetë dallohej për gojëtari, për forcë argumentuese dhe, veç kësaj, ishte ma në brendësi të detajeve. Në të kundërtën, ai kishte ndër mend me e marrë rrugën e Perëndimit për t’u ba shkrimtar. I ishte mbushë mendja – këtë bindje ia kishin ushqye në mënyrë të veçantë në Prishtinë – se kishte dhunti për shkrime letrare dhe se po të ishte këmbëngulës do të kishte me doemos sukses. Veç kësaj, kudo po thuhej se lindorët e vendeve komuniste, kur hidheshin në Perëndim, e gjenin vetën në parapëlqimet e tyne profesionale, dhe se liria e atjeshme e shprehjes ishte nxitësja ma e mrekullueshme e talenteve të fjetuna artistike. Nga ana tjetër, mbas njohjeve të gjalla në Beograd e Prishtinë me autorët e Kosovës – shumica absolute e edukueme mbas luftës – i qe mbush mendja se aty nuk mund të bëhej letërsi e vërtetë e dinjitoze. Sepse konflikti shqiptaro-serb qe dënue të mbetej temë-tabu. I çliruem prej kësaj pengese të pakapërcyeshme, ai do të qe në gjendje me i sigurue vendit të vet nji za të lirë. Ky ishte mëtimi i ri i madh i Ridvanit që po e ushqente mbrenda vetës dhe që nji ditë mendonte ta kthente në trilogji. Natyrisht, për këtë nuk i foli asnji shoku të vet sepse do t’u dukej ëndërrimtar.
Kur u ulën rreth tavolinës, në shtëpi nuk po ndihej asgja. Njerëzit e shtëpisë A. Bajri i kishte nis me marifet te kusherijtë e tyne. Po ashtu ishte vendue që asnjeni të mos mbante shënime meqë gjanat diheshin deri në imti, plus do të ishin ma të sigurt për çdo rast të pakandshëm. Ridvani kishte mbi pesë muej që nuk i kishte takue dhe u ndje i përmalluem. Përveç R. Shalës, të tjerët ishin të juridikut dhe ndoshta kjo ishte arsyeja pse ata qenë afrue fillimisht. Në krye të tavolinës e vunë Sh. Deçanin, jo vetëm pse ishte ma i moshuemi, por edhe sepse jo vetëm ndër ta, por edhe në mbarë qytetin e mbanin për nji person fisnik e mendje hapun. Bombardimi vërtetë ia kishte paralizue dorën, por pjesët tjera të trupit, shtati dhe ftyra, kishin kompensue gjithçka. Ai ishte nder djemtë ma të pashëm të qytetit, madje Ridvani e quante nji engjëll shëtitës.
Me ta marrë fjalën, tue nënkuptue nji letër me theks qortimi të Ridvanit, ai shpjegoi për herë të parë dy provat e para dështake.
– E para ishte me motrën e Dacit, – tha ai. – Ajo qe autorizue të dorëzonte në Tiranë emnat e ne të pestëve, me të cilët mund të bahej lidhja, këtu, në Pejë ose në klubin e studentëve “Përpjekja”, me seli në Beograd. Pritëm sa pritëm, por s’doli gja. Prova e dytë ishte Seiti, meqë ai për vete kishte vendue të arratisej familjarisht, prandaj thamë ta shfrytëzonim këtë rast. Besimi te ai ishte i plotë. Ai ishte mbajtë i fortë në Goli Otok e rridhte prej nji familje të njohun për mirë, por nuk ishte i vumë në dijeni për grupin tonë. Edhe prej tij nuk na erdh asnji lajm. Në këtë gjendje, sikurse po e shihni, ne kemi mbetë pezull. Por ndryshe prej nesh, Ridvani parashtron edhe alternativën e Perëndimit. Pra, le t’i diskutojmë rrugët që na mbetën. Unë për vete po shtoj edhe nji të tretë: tërheqjen në jetët tona private deri në nji kohë të dytë, ma të përshtatshme për këto punë. Sepse, pa ndonji lidhje me shtetin shqiptar, asht e kotë t’i hyjmë kësaj loje.
- Daci, fjalëpak e si i ndrojtur, bani nji plotësim.
– Unë me motrën e kishim ba me fjalë që, nëse në rreshtin e katërmbëdhjetë të letrës që do të më dërgonte, do të figuronte shprehja “guri peshon rëndë në vend të vetë” do të thoshte se organet shqiptare nuk e kanë përfillë kërkesën tonë. Dhe kështu ndodhi në të vërtetë: mbasi më shkruente për kangët e mrekullueshme të Edit Piaf, kishte gjetë mënyrën për të ndër futë këtë shprehje. Ridvan, – tha tue u kthye me ftyrë kah ai, – kjo asht arsyeja pse të thirrëm në Sarajevë. Trembeshim me të vu në dijeni me letër ose me telefon.
– E kuptoj – tha shkurt Ridvani.
– Atëherë, pra, na mbetet me diskutue për atë që tha Shefqeti: si do t’ja bajmë tash e mbas? – ndërhyni A. Bajri.
- Shala pati nji lëvizje pakënaqësie në karrige.
– Tërheqje – në asnji mënyrë! Fundja, në botë nuk ka vetëm Tiranë – tha ai me nji shkulm të dukshëm refuzimi.
– Unë mendoj që paraprakisht të sqaroj gjendjen e zgjanimit tonë me dy persona të rëndësishëm, me të cilët më keni ngarkue t’i çojë deri në fund bisedimet përfundimtare.
– Në rregull – iu përgjegj Shefqeti.
– Puna asht mjaft e thjeshtë, – nisi A. Bajri, – unë detyrën mendoj se e kam krye. Sa i përket Musa Haxhisë: ai ishte i drejtpërdrejtë dhe shumë i afrueshëm. Tha se pranonte me kënaqësi në parim, por kërkonte arsyetime shtesë. Ndoshta sepse ruante kujtime të pakëndshme të kohës dyvjeçare kur qe përjashtue prej të gjitha shkollave të mesme të Jugosllavisë dhe shokët e tij trembeshin me e vizitue në shtëpi. Kurse me atë tjetrin, filozofin, – dhe këtu ai preku në gaz, – nuk u shtyva ma tej sepse po më rrinte qëllimisht shum ftohtë, sikur unë po i flisja për nji temë fantazie. Shkurt ai asht marros mbas nji farë Mirjane, asaj përzieje ruso-serbe të Kragujevcit, me të cilën qe njohë qysh ditët e para të studimit. Kur desha me e ftoh prej saj, ma ktheu: “vëlla të paça, kot e ke, çdo qelizë e ime tranohet mbas saj. Nuk mundëm me heqë dorë prej saj. Përfundimisht, nuk due me u marrë me politikë, me intereson të bahem dentist i zoti!” Gjatë gjithë kohës që bisedojsha me të i lëvizte sytë sa andej këndej, si për të fshehë ndonji pasqyrim të brendshëm.
Shefqeti shtoi:
– Kurse mue më ka lé nji mendim pothuaj i ngjashëm për Musan, por për shkaqe tjera: ai asht talenti ynë ma i madh shkencor, studiuesi shqiptar ma i zellshëm e inteligjent që njoh. Po shkëlqen gjithandej. Pse t’ja ngarkojmë ket gjyle nëpër kambë kur ai mund të bahet nji personalitet në mjekësi?! Pra, ta lamë në pasionin e përkushtimin e vet.
Të gjithë u panë ndër sy me miratim. Dhe u vendue të mos ngacmohej ma, edhe pse qe tregue i gatshëm t’u bashkohej.
– Ridvan, – thirri papritmas A. Daci, – po deshe na folë pak si u ba puna që u largove aq shpejt prej “Rilindjes”?A ke ndonji spjegim shtesë nga ajo që dimë?
– Jo, – tha Ridvani, – sepse motivim me shkrim a me gojë nuk kam pasë. Thjesht më dogjën me heshtje e sabotim të butë. E keqja asht se paraprakisht nuk e dija që anëtarësimi në parti ishte nji detyrim i pashprehun, çka unë e përjetova si nji kurth.
– Mendoj se veprove drejtë, – e mbështeti R. Shala. – Edhe mue ideja e kamuflimit m’u duk e parealizueshme. Tanjugu nuk ka lé dje!
– Epo mirë. Po deshet le të kalojmë në pikën kryesore për të cilën jemi mbledhë. Mendoni se duhet ba provën e tretë për lidhje me Tiranën zyrtare? – pyeti Sh Deçani.
– Unë kam rezervat e mia, – nxitoi të përgjigjej A. Bajri, – sidomos tue pasë parasysh gjendjen e rrethimit të ri të Shqipnisë. Mendoni se ata kanë kohë për Kosovën?
- Shala ia ktheu po me nervozizmin e mëparshëm.
– Po ne s’po kërkojmë luftë qysh sot. Ne po kërkojmë lidhje, bashkërenditje dhe ekspertizë. Kaq.
– Nejse, unë dhashë mendimin tim.
– Mirë, jam kureshtar me dijtë çka mendon ti, Ridvan, – foli Sh. Deçani dhe qeshi.
– Unë jam pro. Kam përshtypjen se nuk ka pasë sqarime të plota e bindëse prej atyne që na janë referue neve. Fundja, as njeni as tjetri nuk ishin pjesëtarë të grupit dhe nuk i kanë ditë disa gjana.
– Unë e kisha fjalën në parim e për gjendjen ndërkombëtare, jo për cilësinë e brendshme – tha A. Bajri.
– Unë jam me Ridvanin, informacionet e të dy personave do të kenë qenë të pamjaftueshme, ndryshe refuzimi i tyne më duket i pakuptueshëm. Ata duhet të na jenë mirënjohësim që po tregojmë kaq besim ndaj tyne, aq ma parë që i dimë gabimet e tyne historike ndaj Kosovës – foli R. Shala.
– Ç’asht e vërteta, edhe unë po shoh se ka nji farë hendeku midis kërkesave tona kombëtare dhe orientimit të tyne ideologjik, – vërejti Sh. Deçani.
– Po ta shohësh statistikisht, – vazhdoi Ridvani, – në artikujt që ndigjoj prej Radio-Tiranës ka nji venitje të anës ideologjike dhe fuqizim të interesit për Kosovën. Jo më kot u reabilituen disa figura historike kosovare dhe po i këpusin fijet e sllavizmit në Shqipni. Kjo duket kjartë!
– Unë për vete isha i zanë me provimet e diplomimit, prandaj pak e kam ndjekë Radio-Tiranën. Por kam nji frikë: mos kjo dozë e shtueme për Kosovën asht pjesë e taktikës së tyne të re? Si thotë Fromi: në këto raste, nacionalizmi zgjidhet vetëm si mjet i domosdoshëm mbijetese dhe i përkohshëm. E, në këtë pikë, komunistët janë me mjaft përvojë!
– Po sikur t’na e punojnë? – ia plasi A. Bajri me nji za të dridhun. – Kjo heshtja e tyne nuk më pëlqen aspak. Të paktën të thonë jo dhe ne qetësohemi. Por jo kështu: hiq e mos këput! Më falni, por po droj se ka nji dinaki përbrenda!
– Të mos e teprojmë, – tha A. Daci, nervoz e i çuditun– po të jetë kështu, atëherë unë duhej të isha prej kohe në pranga. Jam unë që ja dhashë porosinë motrës.
Ishte hera e parë që ata po flisnin kaq hapun e gjatë me njeni tjetrin. Ridvani po e shihte se përvoja, ndamja, mosha, leximet, jetesa në qendrat e mëdha ishin mijtë që kishin fillue me i brejtë disa pikëpamje që deri dje i kishin të përbashkëta e si të hekurosuna. E pa që secili po shkonte drejt formimit të tij individual, ku ditë për ditë zbehen afinitetet e djeshme ose vdesin përgjithmonë. Por Ridvani kishte edhe nji frikë tjetër: tash që ishin në “prak të daljes në jetë”, kur vizatohen horizonte të reja me ambicje, familje e shijim hedonist të jetës – të gjithë ishin me mundësi shpërpjesëtuese. Ata i takonin brezit të katërt që po nxirrte të diplomuem të naltë shqiptarë, me vende të gatshme pune që i prisnin, gja që përbënte nji rrezik për ndonji pendesë a thyemje të fshehtë. Ket ndryshim po e ndjente edhe mbrenda vetës, por në nji drejtim tjetër. Kohëve të fundit ai shpesh kishte takue turistë të huej me qëllim që të përmirësonte frëngjishten e tij të folur. Peja isht qytet transit për të gjithë evropianët që dëshironin me shkue nga jugu në bregdetin malazez. Kishte midis tyne sidomos shumë gjermanë e francezë. Madje kishte mbërri me sigurue prej nji qifti belg edhe adresën e tyne që, në rast largimi, t’u drejtohesh për ndihmë. Ishin banorë të Anversit me famë për bizhuteri. Por, nga ana tjetër, Ridvani ishte edhe djalë i fjalës së dhanë, prandaj donte të shlyente detyrimin e vet ndaj grupit.
Në fund, ndoshta edhe për të mbyllë ndonji shteg, Sh. Deçani e hodhi në votim nëse duhej dërgue personi i tretë ose jo. Un ndanë 3:2 në të mirë të provës së tretë. Ndamje që posa qe pasqyrue edhe në diskutimet e tyne. Por në përcaktimin e personit që duhej dërgue qenë të nji zani. Kështu, Ridvani, i cili kishte nisë të ushqente veten me nji plan të ri ndoshta fantazmagorik, do t’i duhej të hiqte dorë e qysh prej këtij çasti t’i shtrohej lëvizjes brenda vijave vendore.
- Shala, si njeriu ma pasionant i këtij grupi, u ngarku të përgatiste arratinë e Ridvanit.
Kështu mori fund kjo mbledhje à la Fadajev në Pejën e bukur./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016