Nga Sofika Prifti Cara
Pjesa e dytë
Të falësh…!
– Fisi i vjetër Kavajas – CARA
Memorie.al publikon disa pjesë nga libri ‘Të falësh’, me autore znj. Sofika Prifti (Cara), botim i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Tiranë, në të cilin autorja ka përshkruar me hollësi dhe kompetencë profesionale, historinë e një prej fiseve më të njohura, jo vetëm në qytetin e Kavajës, por edhe më gjerë, fisit Cara, nga i cili dolën jo vetëm atdhetarë e patriot të shquar që dhanë kontributin e tyre në dobi të çështjes kombëtare dhe lirinë e Shqipërisë, por edhe intelektualë të njohur, të diplomuar në Perëndim, të cilët më pas u kthyen në atdhe, duke dhënë kontributin e tyre në disa fusha të shkencës dhe jetës. Por edhe pse pinjollët e fisit Cara, ata ia kushtuan jetën e tyre çështjes kombëtare, pas ardhjes së komunistëve në pushtet në fundin e vit 1944, ata do të përndiqeshin, burgoseshin dhe internoheshin, e lufta e egër e klasave, do t’i ndiqte ata deri në vitin 1990, kur dhe nisi shembja e regjimit komunist.
ET’HEM CARA
Kryekomandanti gjerman, duke parë se ai njeri ishte tepër i vendosur e guximtar, i ndershëm e korrekt, e kuptoi se kishte të bënte me një burrë me karakter të fortë, u largua i nevrikosur, pa ia arritur qëllimit të tij. Në dhjetor 1944, kur në Shqipëri nuk kishte më ushtri të huaja dhe pushtetin e morën në duar komunistët, Doktor Et’hem Cara, siç mund të pritej, arrestohet nga forcat partizane në Tiranë, në shtëpinë e tij, në rrugën “Hoxha Tahsim”. Në Gjyqin Special të vitit 1945, ai u dënua si ish Ministër i Financave, që kishte qenë për tre muaj, me akuzën e “bashkëpunimit me okupatorët”, akuzë që ai nuk e pranoi asnjëherë. Pyetjes së prokurorit; “Pse nuk u largove nga Shqipëria”? Doktor Et’hemi, iu përgjigj me dinjitet: “Nuk e kam ndier asnjëherë veten time fajtor, në vendin tim! Më mirë pranoj të ma ngulë thikën vëllai im, se sa të shëtis nëpër botë”! Ai u dënua me 18 vjet burg nga ai regjim.
Karakteri i tij edhe në burg nuk ndryshoi, Dr. Et’hemi, mbeti gjithmonë i respektuar, i nderuar nga miqtë e dashamirësit e tij. Edhe në burg instancat e larta shtetërore komuniste, kërkonin prej tij ndihmë dhe mendime, se si t’i kryenin veprimet financiare bankare monetare, me çeqet e valutat dhe llogaritë e tjera. Pasi bëri 18 vite burg, ai u lirua dhe prapë përndiqej vazhdimisht nga regjimi komunist, jetonte në mjerim, duke ia marrë dhe shtëpinë e tij në Tiranë. Atëhere Et’hemi u detyrua të kthehej në qytetin e tij të lindjes, në Kavajë. Doktor Et’hem Cara, vdiq më 31 korrik 1973, në lagjen “Sallbeg” në Kavajë, në moshën 68- vjeçare, nga një sëmundje e papritur. Ky njeri me zemër të madhe, do të mbetet i paharruar në kujtesën e mbarë popullit të Kavajës, për veprën e tij, sa humane aq dhe fisnike, duke shpëtuar jetën e 350 burrave.
Varrimi i tij ka qenë madhështor, njerëzit e pranishëm aty nuk ishin vetëm të Kavajës, por nga e gjithë Shqipëria. Kishin ardhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit, një njeriu shumë të zgjuar dhe human. Vetëm fjalimi i rastit mungonte. Vetëkuptohet, pse nuk u fol aty për Et’hemin, ai kishte qenë ministër në një qeveri antikomuniste! Megjithatë ky lloj varrimi tronditi thellë regjimin e asaj kohe, sepse edhe vetë anëtarët e kësaj partie, pra komunistë, ishin të pranishëm aty. Mirëpo, veç mbledhjeve, paralajmërimeve, atëhere kishte dhe kërcënime e përjashtime nga partia! Menjëherë ia nisnin të “kakarisnin” gazetat; “Zëri i Popullit” dhe “Adriatiku”, që botohej në Durrës, me sulme e kritika, për “dobësinë dhe zbutjen e luftës së klasave në Kavajë”, etj.
Ndryshimi i timonit të politikës shqiptare pas vitit 1991, vuri në vend drejtësinë për padrejtësitë që ishin bërë gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Me propozimin e shoqatës “Bajram Xhani” dhe me miratim të këshillit bashkiak të qytetit, Dr. Et’hem Cara, u nderua me titullin “QYTETAR NDERI” i Kavajës, (pas vdekjes.) Presidenti i atëhershëm i Shqipërisë, Dr. Prof. Sali Berisha, e nderoi atë me motivacionin; “Për veprimtari ndaj Kombit”. Tashti edhe Dr. Et’hem Cara, renditet bashkë me shumë figura të tjera të shquara, në altarin e shenjtë të Kavajës sonë e, të gjithë Shqipërisë, për kontributin e vyer në shërbim të progresit e të demokracisë.
DERVISH HAMDI CARA
Dervishi lindi në qytetin e Kavajës, në lagjen “Zguraj”, nga një familje e mesme qytetare patriotike – atdhetare. I ati i tij, Hamdiu, ka marrë pjesë në luftën e Shkodrës, në Plavë-Guci, në vitet 1910-1914, bashkë me shumë burra të tjerë të fisit, si; Isa Cara, Muharrem Cara, Shaqir Cara, Hamdi Cara, Myslim Cara, Rexhep Cara, Avdurraman Cara, Islam Cara, etj., dhe me shumë burra të tjerë nga qyteti i Kavajës. e rrethinat e saj.
Dihet që gjatë luftës atje kanë mbetur të vrarë Isa Cara, Selim Cara, bashkë me 120 luftëtarë të tjerë, dëshmorë. Hamdiu, edhe ishte patriot e atdhetar i flaktë, ishte kundërshtar i Mbretit Zog. Ai ka marrë pjesë në kryengritjen e Peqinit, së bashku me patriotin Hajdar Shehu, nga fshati Gërmanj i Kavajës. Ata janë kapur e arrestuar nga forcat mercenare të Mbretit Zog dhe më pas janë internuar në një ishull të Italisë, me Mustafa Carën, Hajdar Shehun dhe shokë të tjerë, për dy vjet. Dimë që më vonë Hamdiu, ka qenë për ca kohë kryeplaku i lagjes “Zguraj” dhe, nga sjellja e mirë, nga ndershmëria në kryerjen e detyrës, banorët e lagjes e të gjithë qytetit, e donin dhe e respektonin. Kur u plak, duke qenë njeri me kulturë e horizont, por edhe me bagazh të kënaqshëm në fushën e fesë, u bë hoxhë dhe vendin e tij si kryeplak, e zuri i vëllai i tij, Islam Cara. Dervishi, i biri i Hamdiut, shkollën fillore e mbaroi në Kavajë, me nota të shkëlqyera në mësime. Ai dallohej për sjellje, urtësi, mençuri, ishte gojëmbël me të gjithë dhe shumë i dashur e i afruar në komunikim.
Prindërit, me të ardhurat e tyre modeste, e dërguan atë të vazhdonte shkollën “Normale” në qytetin e Elbasanit. Dervishi e mbaroi shkollën “Normale”, me rezultate të larta. Ai u dallua edhe për sjellje e disiplinë shembullore. Pasi mbaroi shkollën, punoi si mësues në Kavajë. Ai qe një mësues shumë i përgatitur, shumë i dashur me nxënësit, që, jo vetëm u jepte atyre njohuri të thella shkencore, por edhe ndikonte në formimin e tyre atdhetar. Dervish Cara është nga të parët pionierë të futbollit, me ekipin “Besa” të Kavajës, bashkë me Adem Karapicin, Irfan Beratin, Ymer Carën, Adil Alushin, Sali Dukën e, të tjerë, e kanë formuar këtë skuadër në vitet 1925 dhe kanë luajtur futboll, deri në prag të Luftës së Dytë Botërore. Me pushtimin e Shqipërisë nga forcat ushtarake italiane, Dervishin e caktuan kryetar të Zyrës së Fashios (federal,) pa pagesë, në Kavajë, por dihej nga të gjithë në qytet, që ai nuk e donte fashizmin.
Ai ishte atdhetar dhe këtë e dëshmoi, kur i erdhi rasti, e ndihmoi shumë Lëvizjen Nacional-çlirimtare, duke e furnizuar me ushqime, veshmbathje, armatime dhe informata të ndryshme, që i merrte nga Zyrat e Fashios. Dervish Cara, si aktivist, patriot, atdhetar e përkrahës i Luftës Nacional-Çlirimtare, ka marrë pjesë edhe në Konferencën e Pezës, më 16 shtator 1942. Me mbarimin e Luftës, ai menjëherë u emërua drejtor i shkollës “24 Maj” në Kavajë, (aty ku sot ndodhet lokali i bukur “HAVERIKU”.) Në vitin 1948, regjimi komunist, krejt papritur, e internoi atë, kuptohet, për motive politike, në fshatin Erindë e Hundëkuqe të Gjirokastrës. Në këto fshatra ai punoi me pasion, me vullnet e kujdes, për shkollimin e fëmijëve.
Me sjelljen e tij korrekte dhe me fjalën e ëmbël, ai shumë shpejt fitoi besimin e nxënësve, të burrave, të fshatarëve dhe të pushtetit lokal në ato zona. Me niciativën e tij, u hap e para shkollë shqipe në majë të malit, shumë larg nga qyteti i Gjirokastrës. Megjithëse Dervishi jetonte aty në kushte të mjerueshme, i vetëm, në një ndërtesë të prishur, pa dyer e pa penxhere, asnjëherë nuk u ankua e nuk u përkul. Regjimi komunist nuk i krijoi asnjë mundësi të mirë, duke e lënë të jetonte vetëm, në atë banesë të papërshtatshme. Por ai ishte njeri me karakter të fortë, i zgjuar, fisnik, gojëmbël e i dashur me banorët vendas. Çdo ditë e natë ai takohej me burrat e fshatrave Erindë e Hundëkuqe, të cilët bisedonin me të lirshëm, interesoheshin për gjendjen e tij dhe përpiqeshin ta ndihmonin me aq sa kishin mundësi. Ai u jepte atyre këshilla mjaft të vlefshme e ata e dëgjonin me vëmendje, si ta kishin njeri të afërt. Në një prej atyre ditëve, befas ai u sëmur rëndë dhe u paralizua; por burrat e dy fshatrave iu gjendën pranë, u kujdesën dhe e çuan Dervishin në spitalin e Gjirokastrës, për ta kuruar.
Për sjelljen e tij të mirë, për respektin e thellë që gëzonte ndër banorët e fshatrave, pushteti lokal, dashur, padashur, e transferoi atë mësues në Gjirokastër. Edhe në këtë qytet ai punoi me ndershmëri, me pasion dhe me nivel të lartë profesional, për dy vjet. I nxitur nga nevojat ekonomike, por edhe nga njerëz dashamirës, Dervishi i bëri një kërkesë Ministrisë së Arsimit, për ta transferuar në qytetin e tij të lindjes, në Kavajë, kërkesë e cila, për çudi, u miratua. Ai u bë një figurë tepër e nderuar në qytet, si mësues shembullor, si njeri tepër i sjellshëm, me kulturë të gjerë, por dhe me ndjenja të theksuara patriotike.
Dervishi u martua pastaj me Xheladeten, që edhe ajo ishte mësuese. Për fat të keq, ata nuk patën fëmijë. Dervishi kishte një motër të martuar tek fisi i Haverikëve. Burri i motrës, Mynyre, vdiq i ri, nga një sëmundje e rëndë, duke lënë pas tre fëmijë të vegjël: Dilën, Lirin dhe Fehmiun. Atëhere Dervishi, menjëherë e mori motrën bashkë me fëmijët e saj, në shtëpinë e tij dhe jetuan bashkë përgjithnjë. Dervish Cara, ka qenë jo vetëm një mësues i talentuar, por edhe i pasionuar pas sportit, i cili nuk e pengonte në aktivitetin e tij arsimor, por e argëtonte. Për disa vite ai qe në formacionin e ekipit të “Besës”, qe një futbollist i shquar dhe i pëlqyeshëm ndër banorët e qytetit. Për këtë kontribut të tij në sport ai është dekoruar edhe nga Federata e Futbollit Shqiptar. Më vonë ai aktivizoi dhe nipin e tij, Fehmiun, të merrej me sport, në volejboll, dhe në atë kohë ekipi i volejbollit të Kavajës, fitoi një ndeshje me një ekip sovjetik.
Dervishi punoi gjatë në arsim, me nder e me faqe të bardhë. Doli në pension dhe jetoi në Kavajë, mes nderimeve e respektit të thellë nga të gjithë banorët e qytetit e të fshatrave, derisa sa ndërroi jetë. Vdekja e tij ishte një humbje e madhe për familjen, fisin dhe shoqërinë, sepse humbën njeriun e dashur, inteligjent e gojëmbël. Me ardhjen e viteve të demokracisë, ish-Presidenti i Republikës, Dr. Prof. Sali Berisha, e ka dekoruar atë me Urdhrin “Mësues i Popullit dhe Atdhetar”. Ai u përcuall në banesën e fundit nga shumë njerëz, me shumë nderime dhe respekt të thellë.
VAID CARA (1928-1984)
Jo vetëm me martesën time me një djemtë e fisit Cara, por edhe përpara meje, familja ime kishte pasur lidhje miqësie me njerëz të fisit Cara. Është e rëndësishme t’i pohojmë gjërat mirë dhe të përpiqemi të zgjedhim në jetë më të mirët, jo nga bukuria apo nga xhepat e mbushur, por nga cilësitë morale që kanë ata. Fjalët janë si një dritare ku sheh dhe të shikojnë, se si je në të vërtetë. Jeta më ka mësuar që gjithmonë duhet të mendojmë e të sigurohemi për njeriun me të cilin do të miqësohemi apo, do të lidhemi për të krijuar familje.
Në kësi rastesh këta njerëz të mirë, shumë kohë më përpara lidhnin besën ose pinin gjak me njëri-tjetrin dhe quheshin kështu “byrazerë”. Babai im, për shembull, në kohën kur merrej me tregti, ishte bërë byrazer gjaku me Don Carën, furrxhi, kurse vëllai im, Leonidha, ishte bërë byrazer gjaku, me Vaid Carën, këta të dy ishin sportistë. Të dy kanë luajtur futboll: Vaidi me “Besën” e Kavajës, kurse im vëlla, Leonidha, portier me “Spartakun” e Fierit, (sot quhet “Apollonia”). Një ditë vëllai im i sëmurë më tha: “Hajde, se do të shkosh në Kavajë, atje unë kam bërë një byrazer gjaku, quhet Vaid Cara, është fis i Bardhit tënd! Mundohu ta gjesh, sepse sëmundja e ka bërë të mos lëvizë”!
Mirëpo ardhja ime në Kavajë ishte me vonesë, sepse Vaidi kishte vdekur, sikurse dhe vëllai im, vdiq më pas. U interesova dhe gjeta djalin e tij, Durim Carën, dhe, pasi i tregova se kush isha, i tregova se përse kisha ardhur, se dëshiroja të çoja në vend amanetin e vëllait tim. Tradita familjare e Carave, është trashëguar dhe në brezat e rinj. Durimi më priti me mirësjellje, me atë buzëqeshjen e veçantë, me shumë respekt, i kishte ngjarë të atit. Ai më dëgjoi dhe më tha: “Eja, hyr brenda, të takohesh me njerëzit e shtëpisë! Të dy jemi Cara”! Durimi është një djalë i qeshur dhe i edukuar.
Ai është një nga “Pishtarët e Demokracisë”, një prej atyre djemve më trima kavajas, që në fillim të viteve ’90-të vranë frikën në Kavajë e në të gjithë vendin. Ishin shumë nga fisi i Carave, që u aktivizuan e morën pjesë në lëvizjet antikomuniste të kësaj kohe! Vaid Cara lindi në Kavajë më 1928, në një familje me tradita patriotike e sportive. Qysh në moshë të vogël, ai ishte i pasionuar pas futbollit dhe me shokët e tij moshatarë të lagjes, luanin çdo ditë me topa lecke, sepse topa futbolli në atë kohë nuk gjeje kollaj. Dhe luante aq bukur futboll, sa në moshën 16-vjeçare, u aktivizua me skuadrën e “Besës” së Kavajës dhe me këtë ekip ai vazhdoi për 14 vjet rresht.
Vaidi ishte lojtar i zoti, elegant, shumë teknik, një mesfushor shumë i mirë. Më pas, kur e lanë fuqitë, Vaidi u bë trajner i ekipit të të rinjve, duke i mësuar ata grupe-grupe, me durim e këmbëngulje, me vite të tëra. Ai u dha atyre gjithë njohuritë dhe përvojën e tij, si futbollist i talentuar që ishte. Nga puna e mirë dhe e palodhur e tij si trajner, të rinjtë e “Besës” së Kavajës, janë shpallur kampionë disa herë, kanë marrë edhe kupa apo Fletë-Nderi. Vaid Cara dëshironte që sportin e futbollit në Kavajë, ta çonte më lart dhe qyteti i tij të ishte gjithmonë në vende nderi.
Në atë kohë, kur luante ai me shokë futboll, akoma nuk kishte stadium dhe fusha e vjetër e futbollit, ishte në kushte të mjerueshme, pa shkallë, pa kanalizime, bëhej gjithë baltë e pellgje uji, e parrethuar, etj. E megjithatë ajo ishte e mbushur plot me sportdashës, jo vetëm me burra, nga qyteti e nga fshatrat përreth, por edhe me vajza e gra, të cilat atëhere vinin të mbuluara me perçe, që ishin tifozë të skuadrës së tyre, “Besa”. Vaid Cara vdiq në vitin 1984, në moshë të re. Me vdekjen e këtij veterani të futbollit kavajas, e atij shqiptar, të rinjtë e Kavajës dhe i gjithë populli sportdashës i atij qyteti, humbën një trajner të mrekullueshëm, të shkëlqyer, të zotin, që dëshironte gjithçka të mirë për qytetin e tij.
Vaid Cara u përcuall për në varreza me shumë respekt dhe nderime të mëdha. Pjesëmarrja në përcjelljen e Vaidit në banesën e fundit, ishte nga shumë qytete të Shqipërisë. Ishin të gjithë shokët e Klubeve Sportive të vendit që kishin luajtur bashkë dhe e kishin dashur e respektuar aq shumë. U deshën shumë vite, që puna e vepra e tij si sportist dhe trajner i shkëlqyer, të vlerësohej. Më 23 mars të vitit 2013, ish-futbollisti i paharruar, mjeshtri i sportit, Vaid Cara, u dekorua nga Bashkia e Kavajës, me titullin e lartë “Qytetar Nderi” (pas vdekjes,) dhe nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) me titullin “Mjeshtër Sporti”, si futbollist dhe trajner i spikatur, për vlera të mëdha që solli në futbollin kavajas e në atë shqiptar.
INDRIT CARA (1971-1999)
Në vazhdim të traditave të të parëve është edhe më i riu i Carave – Indrit Cara. Indriti, i biri i Lulëzimit dhe i Xhemailes, lindi në Kavajë më 11 korrik 1971 në lagjen “Sharrë”, nga një familje e thjeshtë punëtore, por e ndershme dhe me tradita patriotike. Shkollën 8-vjeçare ai e mbaroi në Kavajë me nota të shkëlqyera. Ishte nxënës i dalluar për sjellje, disiplinë, urtësi, i edukuar dhe gojëmbël me të gjithë. Indriti ishte me grupin e valleve popullore në shkollë, që drejtohej nga valltari- mjeshtër dhe koreografi i njohur kavajas, Remzi Gjeçi. Ai dinte t’i binte shumë mirë kitarës. Si i ri me talent, Indriti u aktivizua për pak kohë edhe në futboll, me ekipin e të rinjve të “Besës” së Kavajës. Qysh në moshë të vogël, atë e tërhiqte historia e, në veçanti, historia e fisit të madh të Carave.
Kur shkonte herë pas here në Muzeun Historik të qytetit të tij të lindjes, ai shikonte me shumë interes e simpati fotografitë e patriotëve, të ekspozuara nëpër stenda. Ndalej gjatë e shikonte fotografinë e gjyshit të tij, patriotit të nderuar, Mustafa Cara. Dhe, duke parë atë fotografi, ai provonte në vetvete një krenari të veçantë për paraardhësin e gjakut të tij. Indriti i mbante shënim fjalët e shpjeguesit (ciceronit) të muzeut dhe në darkë, me shumë takt, e pyeste të atin, Lulin. Atëhere Luli u tregonte djemve të tij, Indritit dhe Dorianit, për burrat e fisit Cara, për kontributet e tyre në shërbim të qytetit e të gjithë kombit tonë.
Indriti kishte pasur dëshirë të bëhej mjek, por kjo dëshirë nuk iu plotësua kurrë, për shkak të rrethanave të jetës. Atij iu dha mundësia të vijonte studimet në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”, në Tiranë, të cilën e mbaroi me sukses, pastaj, po aty, vijoi edhe studimet në “Akademinë Ushtarake”, me rezultate shumë të larta dhe me një disiplinë shembullore. Ai, me vullnet e këmbëngulje të madhe, arriti të mësonte mirë gjuhën serbo-kroate. Kur nisën lëvizjet studentore në Tiranë në dhjetorin e vitit 1990, në Shkollën Ushtarake ku mësonte, ai ishte në vitin e dytë të shkollës së lartë për oficer. Në këto lëvizje antikomuniste, do të përfshihej edhe Kavaja jonë, e cila do të luante një rol përcaktues në gjithë vendin.
Indriti ishte ndër të parët në lëvizjen demokratike që përfshiu studentët në dhjetor 1990, e cila tronditi nga themelet regjimin e kalbur komunist. Shteti neokomunist, për të zgjatur sundimin e vet gjakatar, krahas përdorimit të forcave të rendit e të ushtrisë, filloi t’iu ngarkote detyra edhe studentëve të shkollës së lartë në Akademinë Ushtarake. Indriti shikonte e ndiqte çdo situatë me shumë vëmendje. Ai nuk i hodhi poshtë porositë e prindërve dhe bëri gjithçka që të mos përballej me lëvizjet e popullit e të studentëve. Rasti për ta provokuar atë dhe shokët e tij nuk vonoi: studentët ushtarakë morën detyrën për të shpërndarë lëvizjen e madhe të studentëve në “Qytetin Studenti”.
Në këtë mision të vështirë e delikat, në njërën nga makinat ushtarake ishte dhe Indriti, me shokun e tij të ngushtë si vëlla, Luan Hotin, nga Durrësi. Autokolona e studentëve ushtarakë u nis drejt “Rrugës së Kavajës”, pa u treguar atyre se ku do të shkonin. Mirëpo, kur po i hipnin lart nëpër makina, rastësisht ata e dëgjuan se ku po i çonin. Indriti, pa u ndier, u muarr vesh me shokun e tij durrsak se si do të vepronin, në se do të urdhëroheshin për t’i drejtuar armët kundër popullit e vëllezërve të tyre studentë. Kur arritën tek “Rruga 21 Dhjetori”, të gjithë studentët ushtarakë mësuan se po i çonin për të shtypur atë lëvizje.
Shumica prej tyre e shprehu hapur mos aprovimin e pakënaqësinë, sepse të gjithëve u kishte ardhë në majë të hundës ai regjim, me atë politikë aventuriere që zbatonte. Në zemrat e gjithë studentëve vlonte zemërimi e urrejtja, e grumbulluar prej shumë vitesh. Duhej vetëm një shkëndijë për t’i dhënë flakën këtij zemërimi, kësaj urrejtjeje. Atëhere Indriti u çua e bërtiti i pari me zë të fortë: “Liri-Demokraci”! “Nuk pranojmë të shkojmë për të vrarë vëllezërit tanë”! “Poshtë diktatura”! “Poshtë regjimi komunist”! “Rrofshin studentët, shokët tanë”! Menjëherë këto thirrje e parulla u përsëritën në dhjetëra e qindra të tjerë dhe shpërtheu si vullkan zjarri i urrejtjes antikomuniste në të gjithë autokolonën ushtarake.
Makinat u ndalën menjëherë, rreth tyre u grumbulluan të gjithë ushtarakët e lartë me përgjegjësi, që u ndodhën aty afër. Situata ishte bërë tepër alarmante! Befas menjëherë u dha urdhër të kthehen mbrapsht autokolonat me studentët ushtarakë dhe ashtu u bë. Sapo arritën në shkollë, me një frymë, mbërritën aty Ministri i Mbrojtjes, Kiço Mustaqi dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të asaj kohe, Aleks Andoni. Komanda e shkollës u mblodh urgjentisht, analizoi situatën e rrezikshme që ishte krijuar dhe pastaj nxori vendimin për përjashtim nga shkolla të studentëve Indrit Cara, Luan Hoti dhe disa shokëve të tjerë, me motivacionin; “Për thyerje të disiplinës ushtarake dhe moszbatim të urdhrit të Ministrisë së Brendshme”.
Ky urdhër u komunikua menjëherë para studentëve që ishin rreshtuar aty. Por Indriti nuk u dëshpërua fare, as u tremb; ai ndihej i lehtësuar, që kishte çuar në vend porositë e vazhdueshme të dy prindërve të tij të dashur, Xhemailes e Lulëzimit, të cilët e patën këshilluar atë që të mos pranonte kurrë të bënte veprime kundër popullit të tij. Dhe ai atë këshillë e kishte mbajtur si vath në vesh. Ai e dinte, gjithashtu, që sistemit komunist po i vinte fundi, e dinte që kishin filluar demonstratat anti-komuniste në Kavajë, që e kishin tronditur tmerrësisht shtetin e diktaturës enveriste. Dhe kështu ai erdhi në Kavajë, tek prindët e tij. Një tjetër shkollë e re filloi për Indritin në qytetin e lindjes, mes moshatarëve të tij, ajo e luftës për të përmbysur diktaturën, për fitoren e demokracisë në gjithë vendin.
Indriti eci kështu në gjurmët e të parëve të tij, të Mustafa Carës e të tjerëve, duke pasur përkrah edhe plot njerëz të tjerë të fisit të tij të Carave, si Gentian Carën, etj. Njerëzit e fisit Cara, po dëshmonin qartë edhe një herë para historisë se ishin luftëtarë të paepur të lirisë e të demokracisë së vendit të tyre dhe për këto ideale, ishin gati të flijonin edhe jetën e tyre. Një natë ai u takua, bashkë me shokët e tij, tek stacioni i trenave, të qytetit, në kohën kur dy trena shkëmbeheshin në stacionin e Kavajës: njëri që shkonte për në Tiranë dhe tjetri për në Elbasan. Pa iu trembur qerpiku fare, të rinjtë flisnin aty dhe shprehnin urrejtjen e zemërimin për regjimin e urryer komunist, për terrorin e egër që ai kishte shpërthyer për të frenuar valën e urrejtjes popullore.
Foli aty edhe Indrit Cara, foli dhe Daut Elmazi kundër komunizmit dhe me zërin e tij të lartë, iu drejtua edhe njerëzve që ishin pasagjerë në të dy trenat, që të solidarizohen e të bashkohen me Kavajën demokratike. U krijua një situatë shumë prekëse. Të gjithë udhëtarët nëpër vagonët e shumtë dolën nëpër dritare dhe u thirrën me entuziazëm: “Ju lumtë, çuna! Rroftë Kavaja! Liri-Demokraci”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016