Pjesa e njëzet
Pjesë nga libri: ‘ALIZOT EMIRI – Njeriu, librári e gázet fisnike’
DY FJALË SI HYRJE
Memorie.al / Kur ne, fëmijët e Alizotit, tregonim në ambiente të gëzueshme shoqërore “historitë” e Zotes (Alizotit), na ka qëlluar të na pyesin shpeshherë: – “A i keni shkruar? Jo! Sa keq, do të humbasin…! Kush duhet ta bëjë”? Dhe jemi ndjerë gjithnjë e me shumë fajtorë. Në qoftë se duhej bërë, ne duhej ta bënim. Po a mund t’i shkruanim ne?! “Jo çdo njeri, që di shkrim e këndim, mund të shkruajë libra”, – thoshte Zotia, sa herë kalonte nëpër duar libra të dobët. Kur po bisedonim me njëri – tjetrin, ne fëmijët e Zotes, për këtë “detyrim”- për Librin, natyrshëm e ndjenim veten përballë paaftësisë për ta kryer. Nuk ishte punë për ne! Me “metrin” e Zotes, ne ishim të paaftë ta shkruanim këtë libër.
ME PUSHIME NË KAMPIN E PUNËTORËVE
Kishim shkuar për pushime në plazhin e Durrësit si familje. Familja Emiri. Mund të ketë qenë viti ‘72. Ibrahimi, djali i madh, kishte siguruar një apartament në një “Vilë” nga kontingjenti i Përmetit, ku punonte si përgjegjës i Zyrës së Projektimit, ndërsa unë kisha siguruar një fletë kampi nga ndërmarrja N.N.I.Ballsh, ku punoja si inxhinier. Fletën e kampit ia dhamë Zotes, që të ishte në kushtet më komode, ndërsa ne u mblodhëm në “apartamentin”, që përfaqësonte thjesht një dhomë e një sallon, ku hanim dhe flinim të gjithë, si dhe një banjë. Ndiheshim të privilegjuar! Kishim vilë!!
Plazhin e bënim bashkërisht si familje. Në orarin e drekës shoqëronim Zoten deri tek hoteli i punëtorëve, ku ai do të drekonte e do të pushonte. Të njëjtën gjë bënim dhe në darkë. Në fushën familjare prindërit tanë i kishin të korrat të mbara! Kaluam një pesëmbëdhjetëditësh të paharrueshëm së bashku.
Me shokët e dhomës
Me fletën e kampit në dore, Zotia po mbante radhë për t’u regjistruar në hotelin e punëtorëve. Para se të mbrinte tek sporteli, dëgjoi t’i thërrisnin në emër. Ktheu kokën dhe pa dy miq të tij, gjirokastritë, pedagogun e talentuar në gjimnazin “Asim Zeneli” dhe inxhinierin kimist, që punonte në sektorin e kërkimit shkencor të pasurimit të fosforiteve.
– “Po ti çdo këtu”? – pyetën të habitur miqtë
– “Po regjistrohem”, – u tha Zotia, që iu hap syri kur i pa.
– “Ç’ne ti në kampin e punëtorëve”?!
– “Hë për hë, edhe ne, dembelët do pushojmë tek kampi i pushimit të punëtorëve, sa të bëhet dhe kampi jonë” – u tha me qesëndi Zotia.
– “Me kë je në dhomë, o Zote”?
– “Nuk e di, kush të më bjerë” – u përgjigj me indiferentizëm Zotia, sikur të mos kishte asnjë rëndësi për të.
– “E ke seriozisht, apo tallesh?! Jo, s’ka mundësi”!
– “Po, po, seriozisht e kam. Dua dhe vetë të rri me njerëz të pa njohur. Më të mirë se ju do jenë domosdo”, – filloi t’i ngacmojë Alizoti.
– “Dil nga radha shpejt, se do hymë bashkë në një dhomë. Na ke ardhur si me porosi”, – dhe nxorën Zoten nga radha, e ia morën fletën e kampit.
Zotia u hoq më shumë “i shqetësuar” se i gëzuar, që rastësia e bashkoi me kësi miqsh dhe i kundërshtoi.
– “Juve ju faleminderit shumë, por unë do futem prapë në radhë. Do regjistrohem në një dhomë çfarëdo, sepse unë çohem natën dhe s’dua t’ju bezdis ju, ndërsa gjithë ditën rrimë bashkë, kënaqemi”.
E ndërsa Zotia po u kërkonte fletën e kampit, ata u futën në radhë e bënë regjistrimin. Dolën me çelësat e dhomës në dorë dhe u ngjitën të sistemonin gjërat. Zotia me valixhen e drurit preferoi krevatin afër derës, meqenëse do çohej natën.
– “Do dalim të psonisim ndonjë gjë”, – u tha Zotia, – se s’i merrnim dot të gjitha gjërat me vete nga shtëpia. –“Ç’të marrësh më përpara. Një valixhe e shkretë është. Apo s’peshon më shumë valixhja e drunjtë se plaçkat”!
Dolën gjithë qejf nga kampi i pushimit dhe shkuan tek dyqanet e plazhit “Apollonia”. Dy shokët nuk kishin gjë për të blerë. Zotia u afrua tek një kioskë me veshje e kinkaleri plazhi dhe pyeti shitësen me zë, që ta dëgjonin dhe dy shoqëruesit:
– “Shoqe, të lutem, keni oturak për të rritur”?
– “Jo, nuk mbajmë ne nga ato”.
– “Po ku mund të gjej, ju lutem”?
Zotia, “i mërzitur” e i heshtur, mori rrugën për tek blloku i dyqaneve karshi. E shoqëruan nga mbrapa të dy shokët e dhomës, gjithashtu të heshtur e të habitur nga “artikulli”, që kërkonte të psoniste Zotia. U fut në dyqan, u futën menjëherë pas tij dhe shokët. Zotia e pyeti shitësin me zë të ulët:
– “A mbani oturaqe për të rritur, ju lutem”?
– “Jo mor shok, nuk mbajmë”.
– “Po ku mund të gjej një copë, a mund të më ndihmoni”?
– “Veç po pate ndonjë mik në spital, nuk di ça me t’than vëllai jot” – ju përgjigj shitësi, që i erdhi keq për hallexhiun.
Zotia doli nga dyqani duke turfulluar. Po fliste me vete:
– “Ç’qe kjo që bëra unë këtë radhë, si e hëngra këtë koqe ulliri”?!
– “More Zote, po ç’e do oturakun që ditën e parë?! Interesohemi gjatë kësaj kohe dhe të na i sjellin nga Durrësi, para se të ikim në Gjirokastër”.
– “S’e dua për Gjinokastër, e dua për këtu. Në Gjinokastër i kam takëmet në rregull unë. Po si u gënjeva që s’e mora, bëmë dhe fjalë në shtëpi. Ç’e do këtë, më thanë, se të është ciflosur një çikë te buza, është turp na shokët e dhomës. Merr një të ri në Durrës, që ta kesh për nga hera, për të dalë, kur vete mik … Po tani”?!
– “Po ç’e do oturakun këtu”? – e pyetën të shqetësuar shokët e dhomës.
– “Po unë prandaj s’doja që të rrija me ju në dhomë. Unë jam i moshuar e mosha të nxjerr avaze. Unë kryej nevoja natën. Që të mos gremisem, se më merren mëntë, e që të mos thyej ndonjë këmbë a dorë, s’vete fare në nevojtore. Ndënë krevat mbaj oturakun, të pastër llams. Ngrihem, mbaroj punë dhe e mbuloj oturakun me mukafa (karton) të prerë bukur, me formë. Nuk vjen erë fare”.
Dy gjirokastritët u tmerruan kur morën vesh se çdo bënte shoku i dhomës gjatë natës. Nuk u qetësuan që Zotia pat marrë dhe masa të rrepta, për të mos dalë ajo era e keqe.
– “Or, është ai Zotia që njohim ne apo jo?! Në librari s’ta jep kurrë këtë përshtypje ky. Pse s’thua që duhen dezinfektuar gjithë librat, që blejmë tek Alizoti”! – po jepnin e merrnin me veten e me njeri tjetrin ata.
– “Zote, mos e çaj kokën fare. Natën na ke ne, – i ndërhynë ata në mënyrë imponuese. – Në çfarëdo kohe që të duash, ne do të të çojmë nga krahu në banjo, korridoret janë me drita, harroje oturakun. Ti s’do që të na bezdisësh, por ne na takon të të shërbejmë ty”.
E mbyllën këtë muhabet. Pas darkës, dolën shëtitje në bregdet dhe pastaj shkuan për të fjetur në dhomë. U shtrinë secili në krevatin e vet.
– “Ta lëmë një dritë ndezur, që të shoh kur të ngrihem natën”? – i pyeti Zotia.
– “Mos fli me merak të thamë, sapo të lëvizësh ti, ne na ke në këmbë, ndezim dritën dhe vazhdojmë”, – e qetësuan Zoten miqtë e tij, që e treguan vërtet veten si të tillë. Mbyllën dritën, natën e mirë, natën e mirë.
Në mëngjes, kur kish zbardhur mirë, u zgjua Zotia dhe u ngrit ndenjur në krevat. Sa dëgjuan zhurmë brofën të dy shokët e gatishmërisë së shërbimit.
– “Ç’keni mo, ç’ju gjeti kështu, që u hodhët si të tromaksur”?- i pyeti Zotia që ishte ngopur me gjumë.
– “Do shkojmë në banjo”? – e pyetën të merakosur shokët, që fjetën me një sy hapur
– “Pse, në ushtri jemi këtu? Në banjo do vemi kur të kemi punë për të, e jo kur të jepet komanda”.
– “Ore Zote, po ti natën nuk u ngrite fare për të vajtur në banjo, ke gërhitur tërë natën, pushoje vetëm kur rrotulloheshe. Ti ne na le dezhurn, rrahëm dynjanë për oturak për by…. tënde. Si ta shpjegojmë këtë”?!
– “S’keni ç’i shpjegoni fare, është e shpjeguar vetë. Oturaku ishte për natën e parë. Për netët në vazhdim do merrni detyra të tjera, që t‘ja u mbaj trurin të freskët, se ju, inteligjenca, një çikë po t’ju lësh në rehati, e humbitni toruan”.
– “Të thashë që mos na bën ndonjë nga ato të tijat Zotia”?- po qeshnin që pa gdhirë, duke kujtuar dyshimet, që i kishin shfaqur njeri tjetrit shokët e dhomës.
– “The mo the, po qe shaka me zarar ajo, se, po të qe i vërtetë halli i Zotes, sot do vinte Komunalja të pastronte dhomën tonë, do kërkohej autori. Të siguroj unë, që një nga ne të dy do ngarkohej me faj. Apo u kursye në të ngrënë ky. Dukej sikur po hante për inatin tonë. E fshiu pjatën. E shikoja gjithë inat. Po ky, thosha me vete, edhe e di se çfarë halli e ka zënë, edhe nuk rezervohet fare. Te paktën në darkë të mos hante. S’e mendoja se mund të arrija ta urreja ndonjëherë Zoten”!
– “Të shkuara, të harruara, – u tha Zotia -, po shyqyr, e patët të lehtë këtë radhë, pa temperaturë, e hodhët shpejt sëmundjen…”, – dhe po qeshnin e po ngacmoheshin se çdo t’u vinte më mbrapa.
A e njeh shokun…?
Dilnim në plazh bashkërisht, si familje. Niseshim në rresht nga vila për në plazh, zgjidhnim një vend, ngulnim çadrën dhe shtriheshim në rërë, si të gjithë. Një ditë drejt nesh po vinte një burrë. Ishte me veshje normale, me pantallona e këmishë e jo me rroba banje. Ecte, ndalonte, kthente kokën gjithandej, shikonte, hidhte disa hapa, ndalonte përsëri. U afrua tek këmbët tona, gati për të na shkelur.
– “Po kërkoni njeri”? – e pyeti Zotia, si për ta përmendur.
– “Po”, – tha i panjohuri, pa i hequr syzet e diellit.
– “E njeh atë që kërkon”? – vazhdoi të pyesë Zotia.
– “Posi nuk e njoh, e kam shok të ngushtë. Më vjen keq”! – reagoi përnjëherë burri me pantallona, i cili mendoi se kishte lënë përshtypjen, që kish dalë të bënte sehir njerëzit e zhveshur në plazh.
– “More, a e njeh nga by…, të pyes unë”? – e sqaroi Alizoti.
– “S’po të kuptoj”! – tha i panjohuri, që hoqi syzet e diellit dhe uli kokën në drejtim të Zotes, për ta parë e për të komunikuar më direkt me personin, që i foli në mënyrë të çuditshme.
– “Po ti e sheh vetë, – vazhdoi Zotia -, këtu ka vetëm by…, ndaj të thom, po qe se e njeh nga by…, kërkoje, po s’e njeh nga by…, lodhesh kot, po humbet kohën e po piqesh i veshur në diell”!
Hallexhiu ia dha gazit me te madhe, apo s’kishte dhe një zë për t’i dhënë alarmin ushtrisë. U zgjuan ata që dremisnin në rërën e nxehtë, po e fshinin rërën, që u qe ngjitur nga djersa në ballë e në faqe dhe, po shihnin si të trembur.
– “Ke shumë të drejtë, kam mbi një orë që po kërkoj shokun, por është e kotë. S’po e përcaktoja dot shkakun se përse nuk po arrij ta gjej. Nuk po i vija dot emrin. Në fillim u ofendova, se m’u duk provokuese pyetja Juaj. Por jo! Ke pas të drejtë”!
– “Jo të gjitha të këqijat vinë na koka, – i tha Zotia mikut të ri, ja që mund të të bëhet sebep edhe by…, prandaj, këndej e tutje, njihi më mirë shokët, se ja si vjen terezia, sos që s’mbaron punë, po turpërohesh për hiç gjë”!
Shëtitja në plazh
Kishim dalë për shëtitje në mbrëmje, buzë detit. Kishte lëvizje të madhe pushuesish. Ishte e pamundur të kalonim grup gjithë familja. Duhej të ndaheshim të paktën në dy pjesë. Dhe Zotia, duke përfituar nga rasti, i thotë Fetes, nënës tonë:
– “Ik përpara se kujtojnë se je gruaja time”, – duke bërë aludimin se nuk i përshtatej atij.
– “Uu, më marsh të keqen e m’u bëfsh kurban, m’u bëfsh, – ja ktheu duke qeshur Fetia -, të më thuash mua ti, që të mbusha shtëpinë me këta trima”! (e kishte fjalën për ne!)
Zotia vazhdonte të qeshte me reagimin e Fetes. Ndoshta dhe nga që Fetia na konsideronte ne trima, “trimat e nënës”. S’e morëm vesh mirë. Nuk na i mbajti ta pyesnim. I takonte Ibrahimit, djalit të madh, të sqarohej. Po të qe trim, do ta kish pyetur!
NË KAMPIN E PIONIERËVE
Në vitin 1955, kur Ibrahimi mbaroi klasën e katërt, shkolla e kishte caktuar ta çonte në kampin e pionierëve në Libohovë, si nxënës të dalluar. Ibrahimi u gëzua shumë, se nuk ishte larguar kurrë nga Gjirokastra. Bashkë me shokun e tij, Sejdo Tartalen, i sistemuan bashkë në një valixhe druri gjërat, që do të merrnin me vete dhe prisnin me padurim ditën që do të niseshin. Kishte dalë për ta përcjelle e gjithë familja, sikur kushedi ku do shkonte! Ja ku qe Libohova!
Hipja në makinë e pionierëve bëhej sipas listës emërore, që e lexonte udhëheqësi i pionierëve. Sa dëgjoi leximin e emrit të tij, Ibrahimi, që mezi tërhiqte valixhen e drurit, u bë gati të ngjitej në makinë, kur një burrë e ndaloi, duke i thënë: “Zbrit! Ti nuk do shkosh në kamp, se e ke babanë privat”! Ibrahimit i ra pika! Zotia u mundua ta sqaronte se Ibrahimi ishte caktuar nga shkolla si nxënës i shkëlqyer në mësime, por ishte e kotë. Burri i Bashkimeve Profesionale, ai që i qe dukur Ibrahimit burri më i shëmtuar në botë, nuk hante pyka. Ibrahimi zbriti, hapi valixhen e përbashkët të drurit, hoqi prej saj gjërat e tij, dhe ia la valixhen Sejdos, i cili nuk pengohej për të shkuar në kamp.
Mbas tre vjetësh, pas shumë përpjekjesh, Zotia më në fund arriti të sigurojë një fletë kampi, për në kampin e pushimit të pionierëve në Durrës, me emrin e Ibrahimit, si nxënës i shkëlqyer në mësime. Ibrahimi kishte mbaruar klasën e shtatë. Në këtë kohë Zotia kishte mbyllur aktivitetin privat dhe kish filluar punë, si librashitës, në Ndërmarrjen Shtetërore të Librit. Për pasojë tani, fëmijët e tij lejoheshin të merrnin pjesë në aktivitete shoqërore, njëlloj me të gjithë pionierët. Ishte një eveniment i jashtëzakonshëm, të shkonte një nxënës nga Gjirokastra për pushime në Durrës.
Qe hera e parë që e largonin djalin nga shtëpia. U morën masa për t’i krijuar “pajën” e nevojshme. Nuk ishte e lehtë. Nuk kishte rroba banje në treg. Ato duhej t’i sajonin vetë. Kjo në Gjirokastër nuk ishte njëlloj si në Durrës. Nuk kishin fare eksperiencë për rroba plazhi, nuk dinin format për t’i prerë e qepur …! Po të shikoni fotografitë, që bëri Ibrahimi në plazh, në Durrës, dhe nuk ju pëlqejnë, të mos u shkojë mendja, se nuk është i bukur! Të jeni të sigurtë se e shëmtojnë rrobat e banjës.
Më së fundi e bënë gati dhe dolën ta përcillnin tek “Sheshi i Çerçizit” me atë valixhen e vogël prej druri. Pionierët shkonin po i fusnin në autobus një nga një, duke ua thirrur emrat me listë nga udhëheqësi i pionierëve, Tomor Kotoni. Mbasi iu lexua emri, Ibrahimi hipi në shkallën e parë të autobusit. E ndihmuan për të ngritur valixhen dhe Zotia s’po e lëshonte nga dora. Udhëheqësi ndërpreu leximin e emrave të tjerë dhe u drejtua nga Alizoti.
– “Pse s’e lëshon, mo Zote, apo u bëre pishman”?
– “Jo, mo Tomor, s’u bëra pishman, po kam për ti një ‘aman’”!
– “Ma thuaj”! – i tha Tomori, që kish muhabet me Zoten.
– “Do ma keç kujdes djalin”!
– “Po domosdo, mo Zote, sikur je vetë, pa merak fare”, – u angazhua Udhëheqësi.
– “Prit një herë të të sqaroj”, – e ndërpreu Zotia.
– “Urdhëro”!
– “Djalit i kemi lidhur një gjalmë të kuqe, te siri i këmbës, dëgjon”?
– “Po?! Për çfarë’ i duhet gjalma”?!
– “Gjalma do jetë sinori i ujit të detit. Domethënë, po kaloi niveli i detit mbi gjalmë, djali është në rrezik të mbytet”.
– “Po, jo mo Zote, se do ta pjekësh djalin në diell, me atë sinor që ke caktuar”.
– “Dëgjo këtu ti, Tomor, edhe në shtëpi kur e lajmë në legen me ujë, nuk e lëmë t’i futë të di këmbët njëherësh, jo, në asnjë mënyrë. Do fusë një, pa një”. Qeshi Tomori dhe të gjithë prindërit qe e dëgjuan, se ç’masa parandaluese kishte menduar Alizoti! / Memorie.al














