Nga Sokrat Shyti
Pjesa e pesëdhjete dy
Memorie.al / Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio-difuzion (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
– “Të ka humbur besimi ndaj meje, qe po më jep këtë paralajmërim qortues”?!..pyeti i fyer komisari, me të njëjtin vështrim.
– “Përkundrazi, pikërisht pse ju vlerësoj dhe ju respektoj përdor këtë gjuhë të afruar me ju, shoku kapiten i parë”, – …shtoi me buzëqeshje nëntogeri.
– “Aman mos ma përmend gradën, se më hipin kacabunjtë në kokë! – iu shkreh komisari me ton të ashpër. Kam dy vjet që e kam mbushur stazhin e gradimit major, dhe komisioni nuk e marr vesh pse s’kujtohet të ma japi! Sipas meje, sigurisht pengesë e qëllimshme, enkas për të më treguar se natyra ime e shërbimit, nuk përputhet fare me gradën e oficerit madhor. Ky qëndrim më bezdis më shumë se çdo gjë tjetër. Thuajse e kam kërkuar unë të merrem me shpendë, kafshë, barinj e bujq”!…
– “Ndoshta shefat tanë lart në ministri, shohin tek ne vetëm aftësi të veçanta për sektorin jetik të prapavijës, dhe na e besuan këtë detyrë…”- vijoi më tej komandant Sula.
– “Ndoshta, edhe mundet, – pranoi komisari. – Por harrove të më tregosh thesarin…”!?
– “Ke shumë të drejte, shoku komisar, – tha nëntogeri duke kthyer vështrimin drejt meje, që ndodhesha dy hapa larg tyre, dhe dëgjoja me vëmendje bashkëbisedimet e tyre mos përmendej emri im. Dhe kur komandant Sula më bëri shenjë të qasesha, më pështjelluan shqetësime të ethshme, pasi qëndrimi i komisarit në këtë çast mjaft të rëndësishëm, do të përcaktonte ecurinë e mëtejshme të këtyre dy viteve, pavarësisht nga zotimi i nëntogerit, i cili premtoi të ma lehtësojë në maksimum shërbimin.
Por e ardhmja do të marrë përmasat e një sigurie bindëse, vetëm nëse komisari jep miratimin e tij të plotë të ushtrojë drejtimin e veprimtarisë kulturore të repartit, (duke patur parasysh që detyra e shkruesit, nuk i besohet një të deklasuari).
Pikërisht në këtë çast, jehoi një ulërimë e llahtarshme, që më drithëroi, sikur vinte nga thellësitë e prehistorisë, sa m’u krijua përshtypja se rreth këtyre kodrave me mjegull, vërtitej hija e Polifemit në trajtën e një kapteri, me pamje po kaq të frikshme! Nga befasia më ngriu gjaku e, më zuri lemza! Dhe ktheva kokën andej nga erdhi ulërima: m’u rrëqeth shtati kur pashë atë qenie me sy të zgurdulluar, flokëkuq e hundë të madhe, të përthyer si sqep skifteri, veshur me uniform ushtari, tamam siç e përshkroi figurativisht shoferi i kamionit, një gjallesë që nuk ka lindur nga barku i një nëne, por është specie krejt e veçantë e Detit të Kuq!
– “Mos u huto! – m’u drejtua mua komisari, për ta shkëputur vëmendjen prej andej. – Në fillim edhe neve na bënte përshtypje zgurdha e Nazifit, e cila dëgjohet deri në Komandën tonë të Divizionit, në Burrel, ndonëse jemi shtatë kilometra larg”!
– “Mos duhet të rreshtohem bashkë me të tjerët”?… pyeta komandant Sulën, për të mos e vënë në pozitë të vështirë para eprorit.
– “Zëre sikur nuk e ke dëgjuar fare” – më pëshpëriti nëntogeri.
– “Duhet ta dish, sado fuqishëm të gjëmojë zgurdha e kapter Nazifit, edhe pse kjo ia kalon njëqind klithmave e ulërimave, prapëseprapë para forcës kolosale të partisë, ajo thërrmohet si top prej rëre”! – deklaroi me mburrje komisari, duke më vështruar me krenarinë e Shvejkut. Më bëhet qejfi që dëgjoi një përcaktim kaq të figurshëm letrar, shoku komisar”!
– “Nuk e prisnit”?!…- shtoi komisari me shikim ngadhënjimtari.
– “Përkundrazi, shprehja juaj, si figurë e gjetur dhe e goditur letrare, përcakton saktësisht përballjen e formës me përmbajtjen, nxjerr në pah triumfin e përmbajtjes”- i thash unë, i bindur që kjo përgjigje do ta ngazëllejë.
– “Qenke qerrata i madh”! – tha komisari duke rrotulluar kapelën rreth perimetrit të kokës, pa e shkëputur vështrimin nga sytë e mi.
– “Më lejoni, shoku komisar, të vazhdoj me paraqitjen e thesarit”! – ndërhyri nëntogeri, meqë iu duk çasti më i përshtatshëm.
– “Natyrisht, sigurisht”, – ia ktheu ky me buzëqeshjen e Shvejkut. – Komisarët e Ushtrisë Popullore, kanë si detyrë kryesore të zbulojnë dhe administrojnë thesaret njerëzore…”- shtoi ai me mburrje.
– “Duke e ditur qe ju nuk e besoni fatin, pasi komunistët si ateist vlerësojnë vetëm idealet e partisë, po e quaj si rastësi të suksesshme, ardhjen e një gazetari në repartin tonë, për të kryer shërbimin ushtarak, i cili ka punuar në Radio Tirana dhe ka përvojë të pasur”.
– “Natyrisht, sigurisht! – theksoi mjaft i kënaqur komisari. – Mendjet e ndritura i përkasin para së gjithash komisarit, drejtuesit të ideologjisë. Apo jo, komandant Sula”?
– “Prandaj dhe erdha drejt tek ju, para se të bëhet shpërndarja e rekrutëve të rinj”, – shtoi me zgjuarsi nëntogeri.
– “Ja ku po ta them në këtë çast: pavarësisht që ushtari gazetar s’është i organizuar si anëtar apo kandidat partie, caktohet me urdhrin tim, si ndihmës i komisarit! Dhe ky urdhër ka formë të prerë. Për ta bërë fakt të kryer. thirri Nazifit në sekonde të paraqitet këtu, t’i them dy fjalë”! – iu drejtua nëntogerit me ton komandimi.
Komandant Sula vuri duart si hinkë para gojës, dhe pa lëvizur nga vendi, përcolli me zë të lartë urdhrin e komisarit. Zgurdha çjerrëse e kapterit u ndërpre, sikur u pre me sëpatë, dhe mjedisi rreth e qark filloi të marrë frymë lirshëm. Brenda pak sekondash, kapteri kokëkuq e sykuq, u paraqit me hap të shtrirë ushtarak para komisarit, duke raportuar sipas rregullores:
– “Po u jap rekrutëve të porsaardhur instruksionet kryesore të rregullores së brendshme gjatë periudhës së karantinës”! – tha ai me zërin e tij çjerrës.
– “Sa herë ta kam përsëritur: raportimet nuk i dua me tone të larta, sikur po i drejtoje një tufe me njerëz, pasi veshët i kam top dhe dëgjoj fare mirë! – i tërhoqi vërejtjen komisari. – Nejse. Tani të thirra për një çështje shumë të rëndësishme. Vëreje mirë fytyrën e këtij ushtari pranë meje. Ky do jetë ndihmësi im! Fiksoje mirë në mendje: ky përjashtohet nga të gjitha stërvitjet e tua! E more vesh”?
– “Si urdhëron, shoku komisar”! – thërriti kapteri me nderim e qëndrim gatitu.
– |Nuk ka fare nevojë që urdhrin tim t’ia thuash përgjegjësit të sektorit. Ketë e bëjmë vetë, mes njëri tjetrit. Përndryshe do ta quaj thyerje të disiplinës ushtarake, dhe do marr masa të rrepta! – theksoi komisari. – Tani mund te largohesh”.
– “Si urdhëron! – bërtiti kapteri me qëndrim të ngrirë, duke nderuar, dhe me një prapaktheu të menjëhershme, shkoi me hap të shtrirë aty ku kishte rreshtuar rekrutët.
– “Ky tip nuk di të flasë me zë të ulët”, – tha komisari. Këtu e ka kryer shërbimin ushtarak? – e pyeta unë.
– “Jo, ka qenë në repart këmbësorie”- u përgjigj komandant Sula. – “Atje ku shërbente të gjithë habiteshin me zellin e jashtëzakonshëm, si i përmbushte detyrat e ngarkuara. Asnjëherë nuk ankohej: u lodha! Apo të thoshte: ja sa të pushoj pak e, po nisem. Në sekondë vraponte të arrinte sa më parë, edhe kur ngarkohej me pesëdhjetë kilogram pajisje mbi kurriz”!
– “Kur paska qenë kaq i gatshëm e i përpikte, pse nuk e dërguan kapter karriere në një repart këmbësorie, por e caktuan këtu”? – pyeta nëntogerin.
– “Këtë askush nuk e di – tha komandant Sula me vështrim të mprehtë, duke dashur t’i vinte pritë kureshtjes time të mëtejshme. – Atëherë, shoku komisar, si do veprojmë me ushtarin e ri, që do punojë me ju, si ndihmës”? – iu drejtua kapitenit të parë, që ishte kredhur në mendime.
– “Ti e di, komandant, që kur e nxjerr llafin nga goja, nuk e kthej mbrapsht. Prandaj kujdesu të kryhen të gjitha procedurat e domosdoshme. Dhe pasi të jetë veshur me uniformë të re ushtarake, shoqëroje tek zyra ime. Besoj u morëm vesh”?
– “Nuk paraqitet nevoja të bisedohet me kolonelin”? – e pyeti nëntogeri.
– “Po ta përsëris prapë: kur e nxjerr llafin nga goja, nuk e kthej kurrë mbrapsht! – theksoi me ton të nxehur komisari. – Që ma gjete thesarin, të falënderoj! Por për ta administruar thesarin, s’kam nevojë për këshilla”!…- shtoi ai duke u larguar drejt ngrehinës së zyrave.
– “Nga përgjigja e fundit, duket sikur i mbeti qejfi nga ndërhyrjet e e mia- i thash nëntogerit. – Mos ndoshta e teprova me disa pyetje për kapterin”?
– “Edhe ai vetë nuk e di. Askush nga ne te repartit, as sot e kësaj dite, nuk e ka idenë kush e caktoi kapterin të kryejë shërbimin këtu, në fermën tonë ushtarake bujqësore, dhe nuk e dërguan për stërvitje trajnimi në këmbësori. Sipas pohimit të një oficeri madhor, në prapavijën e divizionit, thuhet se kapterin e tmerrshëm e kane sjell enkas, për t’ia nxirë jetën drejtorit, që këtij të mos i qesh kurrë buza. Po ta them paraprakisht:
Koloneli ka ardhur këtu nga ministria, me ulje në detyrë, si formë dënimi, pas një fërkimi që pati me njërin nga zëvendësministrat e Mbrojtjes. Ky vend pune nuk i përket rangut të shkollimit të tij, duke patur parasysh se ka kryer studimet në një nga akademitë ushtarake të Moskës. Ja një rastësi, që do të ndihmoje shumë – shtoi komandant Sula, me vështrim premtues: – Sepse Engjëlli me tha se, dhe ju keni studiuar në Moskë. E vërtete? – çfarë më propozoni”? – e pyeta me interesim.
– “Kur të shkoni në zyrën e tij, pasi, sipas mendimit tim, ai pa tjetër do t’ju thërresë t’ju shohë e bisedojë, ju këshilloj që pas paraqitjes ushtarakisht dhe përshëndetjes të shkëmbeni diçka në gjuhën ruse. Ngacmimin do ta jap pikërisht komisari, kur ta vëri në dijeni, se ka ndërmend të marrë në stafin e tij gazetarin e Radios. Koloneli patjetër do interesohet për kartelën tuaj, dhe pasi ta lexojë, do t’ju kërkojë”.
Dhe kështu ndodhi: Komisari pa e zgjatur më tej, sapo shkoi në ngrehinën e drejtorisë trokiti në zyrën e kolonelit, kërkoi leje të futej, dhe menjëherë i shprehu kërkesën e tij.
– “Nga i vole kaq shpejt këto të dhëna”? – e pyeti me kureshtje koloneli.
– “M’i dha të gatshme komandant Sula, që i mori nga sekretari i Degës Ushtarake të Lushnjes”. – u përgjigj ai.
– “Së pari i thuaj shef Zisos, t’ia mbyllë zgurdhën atij pendë kuqit, se na lozi nga mendja! Le të merret me rekrutët e rinj brenda fjetores. Ndërkaq gazetari të paraqitet këtu. Mund të shkoni”! – e urdhëroi komisarin e dëshpëruar, i cili priste një miratim të shpejtë të kërkesës së tij, duke patur parasysh që drejtori përgjithësisht, tregohej gati shpërfillës ndaj prurjeve të reja të rekrutëve të rinj, dhe pothuaj nuk merrej fare me shpërndarjen e tyre në tre sektorët.
(Por ky rast, kolonelit iu duk krejt i ndryshëm nga të tjerët, ndaj pas largimit të komisarit, filloi leximin e kartelës time, për të krahasuar sa përputhen të dhënat e shkruara në kartelë, me pohimet gojore të komisarit mediokër dhe komandant Sulës).
Unë kisha besim të plote dhe shpresoja që Engjëlli të ketë pasqyruar me zgjuarsi në kartele pjesën me të rëndësishme të vlerave të mia, nëse me të vërtetë ka ditur diçka rreth fshehjes së kolonelit nga zëvendësministri i Mbrojtjes, edhe pse bënte pjesë tek oficerët madhorë që kanë mbaruar studimet ushtarake me përfundime të shkëlqyera: duke e syrgjynosur në NBU, sa për të marrë një rrogë, mund ta quaje këtë zhvendosje si internim ushtarak!
Para së gjithash, drejtorit i bëri përshtypje; pse ngrihej ushtar nga Dega Ushtarake e Lushnjes, dhe jo e Tiranës! Sipas logjikës së fakteve të pasqyruara në kartele, ligjërisht këtij rekruti, i takon të kryejë stërvitjen gjashtëmujore për të marrë titullin oficer rezervist, dhe jo ushtar!
“Atëhere me siguri duhet të ketë një mister, të pa pasqyruar në kartelë…, – mërmëriti me vete i menduar koloneli. – Një minut…shtoi pas pak. – Së pari më takon të zbuloj, çfarë lidhje familjare ka me aktorin e njohur të Teatrit Popullor…”?! Pikërisht në këtë çast trokita zemërdredhur në derën e drejtorit dhe prita mjaft i shqetësuar përgjigjen “hyr”!
(Duke përjashtuar rastin tmerrësisht të llahtarshme të kolonelit kriminel, tek kati i tretë i Hetuesisë, në Tiranë, që më përsheshi hundët me grushtin e tij si putër ariu, dhe desh më theu nofullat, ditën kur më njoftoi kumtin e arratisjen në Greqi të vëllait të mesëm, kjo e tanishmja, ishte hera e parë që do bisedoja paqësisht me një oficer madhor të këtij rangu, i cili shihej vëngër nga lart, dhe e kishin sjellë këtu për riedukim, më keq se sa ta dërgonin si kryetar kooperative bujqësore në një fshat!).
– “Mos u sforco të paraqitesh si ushtarak para meje, pasi të dy jemi me petka civile. Këtë vërejtje duhet ta kesh parasysh, sidomos gjatë bashkëbisedimit. Prandaj ulu në karrige, çlirohu nga ngërçi i vartësisë, dhe më thuaj çfarë lidhje fisnore ke me aktorin Ilia Shyti”? – më pyeti ai me vështrim hetues.
– “Jam vëllai i tij i vogël”, – iu përgjigja unë, duke pritur mjaft i shqetësuar vazhdimin.
– “Tani po kthjellohem…”- tha koloneli. – Ti je vëllai fatkeq, që mbajti mbi kurriz të gjitha kusuret, pas arratisjes së piktorit, i cili punonte në Drejtorinë e Kufirit të ministrisë së Brendshme! E kam njohur shkurtabiqin, kur punoja në ministri. Tani e kam të qartë pse je në listën e rekrutëve të Lushnjes, që kryejnë shërbimin e detyruar ushtarak në NBU këtu, në Kongrazhd të Burrelit.
Edhe familjen tuaj, e njoh dhe e vlerësoj. Do mundohem brenda mundësive, t’i shmang sa më shumë vështirësitë e këtij reparti ushtarak. Nga ana juaj kërkoj, të tregohesh mjaft i kujdesshëm dhe i matur, pasi në çdo hap që do hedhësh, do kesh ngacmime e përgjime. Komisari shfaqi para pak minutave kërkesën, të merresh me aktivitete kulturore.
Unë nuk i ktheva përgjigje, pa patur një ide të saktë rreth teje. Mendoj se vendi i propozuar nga komisari, të përshtatet, sepse ke liri e hapësira veprimi, mund të shëtisësh nëpër pika të ndryshme, gjen kohë edhe për të medituar. Ma do mendja që profesioni i gazetarit dhe ndëshkimet e hequra pas arratisjes së vëllait, pa tjetër të kanë mësuar të ruhesh nga krahë-marrjet. Duhet te kesh parasysh që këtu, në repart, je më i kufizuar dhe i kushtëzuar se atje, ku të dërguan me dënim. Sidomos duhet të bësh kujdes nga shefi i Sigurimit. Me asnjë mos u hap! As me komandant Sulën, edhe pse ky u tregua ndaj teje dashamirës e, i gatshëm për të ndihmuar.
Shkurt: mos i beso as këmishës tënde! Sa herë do të kërkojnë mendime për jetën tonë revolucionare, ti do shfaqesh vetëm optimizëm. Sepse shpesh do dëgjosh pyetje provokuese: pse në repartin tonë, ushtarët nuk pajisen me karabina të vërteta luftarake, dhe stërvitjen e bëjnë me pushkë druri? Ti, gjithnjë do përgjigjesh: Këto i di komanda, partia. Ne jemi repart ushtarak, që mbajmë në njërën dorë kazmën e, në tjetrën pushkën.
Pyetje provokuese do dëgjosh edhe për kushtet e fjetjes, ushqimit, sidomos rreth sjelljes së ashpër të kapterit, i cili nuk lë sharje pa përdorur. Ti do përgjigjesh me zgjuarsi: kalitja në vështirësi na e pakëson dhe na e lehtëson gjendjen reale të luftës, duke patur parasysh që stërvitemi në kushtet e rrethimit të egër imperialist – revizionist”. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016