Nga Skifter Këlliçi
Memorie.al / Ishte mëngjesi i 20 majit të vitit të 1994, kur hyra në zyrën e Skënder Buçpapajt, atëherë Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar. Dhe jo pa qëllim. I kujtova se, më 28 maj, mbusheshin 15 vjet nga dita e pushkatimit të Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos, edhe sot, dy prej gazetarëve më të mirë të Radio – Tiranës, që nga koha e krijimit të saj, si dhe të Xhelal Koprenckës, një të burgosuri tjetër politik, që ishte pushkatuar së bashku me ta. Shtova se, pas rënies së diktaturës, ishte rasti që ky përvjetor ,të përkujtohej me një ceremoni të veçantë.
Njeri i kulturuar, poet dhe publicist i njohur, ai me falënderoi shumë dhe së bashku, të nesërmen hartuam edhe planin për organizimin e një mbledhjeje solemne, në bashkëpunim me Komitetin e të Përndjekurve Politikë. Dhe kështu u bë.
Ndërkohë, unë së bashku me Piro Naçen, gazetar dhe radiokronist i njohur në Radio-Tirana në vitet ‘50-’60-të, që të dy ne, shokë të ngushtë të Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos, përgatitëm një kumtesë, që më pas u bë bazë e këtij shkrimi, kushtuar atyre.
Qe një mbledhje prekëse, kushtuar këtyre gazetarëve martirë, si dhe shokut të tyre, Xhelal Koprenckës, të cilëve, për qëndrimin e tyre të pamposhtur, mbajtur gjatë 15 vjetëve që kishin kaluar nga viti 1963 deri në ditën e pushkatimit, nëpër burgje dhe kampe përqendrimi, në atë ceremoni, nga Presidenti i Republikës, iu dha dekorata, “Martirë të Demokracisë”.
Veç kësaj, si Radio-Tirana, ashtu edhe RTSh-ja, përgatitën emisione të posaçme, kushtuar atyre. Me këtë rast edhe unë botova gjithashtu një artikull të gjatë në gazetën “Rilindja Demokratike”.
Cilët ishin Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho?
“I nderuar Kolegj gjykues,
Xixëllonjës netëve të bukura të verës i duket sikur ndriçon gjithësinë me dritëzën e saj: në të vërtetë nuk ndrit dot as edhe një fije bari. E njëjta gjë ndodhi dhe me aktakuzën e këtij procesi gjyqësor. Ajo u venit…! Xhirimi si në film i tërë skenave hetimore, solli këtu përpara jush dy dosje të mëdha, të fryra e të potershme, që, po t’i redaktosh, u mbetet vetëm ajo për të cilën u dënuam bashkë me Vangjelin…”!
Sikur të mos e dija që këto reshta, janë shkëputur nga njeri prej proceseve gjyqësore më tragjike dhe më tronditëse që janë zhvilluar ndonjëherë gjatë regjimit të tmerrshëm komunist në vendin tonë (17 maj 1979), do të gjykoja që, ndonjë një shkrimtar i talentuar, ka arritur të vërë në gojën e njërit prej personazheve të tij të burgosur, fjalë kaq prekëse.
Por, në fakt, nuk është aspak kështu. Në këtë rast, si edhe në raste të tjera që do t’u paraqes lexuesve të këtij cikli, nuk ka punuar kurrsesi fantazia e ndonjë shkrimtari, për t’ia pasur zili. Ato radhë, i ka shkruar në një nga qelitë e Burgut të Ri të Tiranës, i burgosuri politik, Fadil Kokomani, së bashku me shokun e tij, Vangjel Lezho, pasi të dy e dinin se, veç pushkatimit, nuk i priste asgjë tjetër.
Të habit gjakftohtësia, guximi dhe trimëria e këtyre dy të burgosurve, që, edhe në ato çaste aq të rënda, jo vetëm shkruan mbi 20 faqe, që përfaqësonin fjalën e tyre të mbrojtjes, para trupit gjykues, por edhe i shkruan me frymëzim, talent, me një gjuhë fshikulluese e demaskuese, që i bëri anëtarët e trupit gjykues, sipas dëshmive të pranishmëve në sallën e gjyqit, të mbeteshin të ngrirë e, të mos guxonin ta ndërprisnin ligjëratën e tyre të madhërishme.
Ç’kishte ndodhur, përse po zhvillohej ky proces gjyqësor, përse Fadil Kokomani e Vangjel Lezho, dy nga gazetarët më të talentuar të Radio-Tiranës, deri në vitin 1963, kur u arrestuan e dënuan me nga 25 vjet burg, po ri-dënoheshin këtë radhë me pushkatim, pasi kishin bërë rreth 16 vjet burgim të rëndë, në kampet e përqendrimit. Bashkë me ta edhe Xhelal Koprencka, një tjetër i burgosur politik.
Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, ishin dy shokë që u lidhën me një miqësi shumë të ngushtë, gjatë viteve të studimit për gazetari në shkollat e larta të Bashkimit Sovjetik.
Fadili kishte lindur në Durrës në vitin 1933, në një familje me tradita atdhedashëse. Vangjeli kishte lindur një vit më parë në Fier, në një familje të varfër. Fadili, kishte mbaruar shkollën e mesme në qytetin e lindjes dhe ishte dërguar të studionte për gazetari në Leningrad. Dy vjet më pas, me të mbaruar shkollën Pedagogjike në Elbasan, në Leningrad, do shkonte për të njëjtat studime edhe Vangjeli. Njohja midis tyre, e cila vazhdon e thellohet edhe më shumë, edhe pse Vangjeli, për arsye shëndetësore, detyrohet të vazhdojë për gazetari studimet në Moskë.
Kjo miqësi, bëhet edhe më e fortë në Tiranë. Fadili, me të mbaruar studimet, emërohet më 1957-ën, gazetar në Radio Tirana. Dy vjet më pas, po në Radio, nis të punojë edhe Vangjeli.
I kam njohur që të dy nga afër. Në një konkurs letrar në Universitetin e Tiranës më 1958-ën, fitova një çmim me një tregim, dhe Fadili, që përgatiste “Emisionin e Rinisë”, më ftoi në një intervistë. Ishte koha kur, sapo kisha nisur të bëja prova për folës në Radio. Dhe ishte Fadili, së bashku me folësen e mirënjohur, Vera Zheji, që më nxitën e më dhanë zemër, që të punoja me ngulm në mikrofon.
Disi i shkurtër, por me trup të ngjeshur, fytyrë të lëmuar, gjithnjë të qeshur, ku binte në pah hunda e drejtë e sytë e kafenjtë, Fadili ishte po aq gazmor dhe i çiltër, sidomos në biseda, ku menjëherë të bënte për vete, veçanërisht me kulturën e gjerë në fushën e letërsisë dhe të muzikës. Dhe tërë këtë kulturë, ai e derdhte në emisionet radiofonike, disa prej të cilave, kam pasur rast t’i lexoj si folës në mikrofon. Ato duhet thënë se, qenë të një niveli shumë të lartë artistik, krahas emisioneve të përgatitura nga Piro Naçe, Ymer Minxhozi, Liri Çeli, Maqo Afezolli, Kadri Zotria, e gazetarë të tjerë të Radio Tiranës.
Edhe Vangjeli, me të nisur punën më 1959-ën, në redaksinë e kulturës, së bashku me Fadilin, dëshmoi se kishte talent. Ai vinte i gjatë, i hajthëm, por i zhdërvjellët, me fytyrë ezmere, pakëz eshtake, ku përshkënditnin sytë e zinj dhe plot gjallëri.
Të dy ishin nga të parët gazetarë në Radio Tirana, që kishin diplomën e gazetarit, dukuri e rrallë deri atëherë në këtë institucion. Të dy, ishin po të parët që kërkuan rrugë të reja për ngritjen e nivelit artistik të emisioneve në radio, ku kishte ende dobësi.
Kishte dhe një arsye: Ata vinin nga një vend si Bashkimi Sovjetik, ku niveli i radios ishte i lartë, sidomos pas Kongresit të XX-të, ku u dënua kulti i individit i Stalinit dhe letërsia, artet e gazetaria patën një hop shumë të madh cilësor. Këtë e vëreja edhe unë, që, ende student i vitit të fundit në Universitetit të Tiranës, për Gjuhë-Letërsi, kisha nisur të lexoja me vëmendje shtypin sovjetik.
Mbi të gjitha në fushën e letërsisë dhe arteve dhe veçanërisht kinematografisë, pas kongresit në fjalë, kishte nisur një luftë e ashpër kundër dogmatizmit, që i çuan ato në nivele të larta botërore (kujtoni vetëm novelën “Fati i njeriut” të Shollohovit, që u ekranizua dhe u shfaq me sukses në shumë vende të botës, madje edhe në SHBA-ës, si dhe filmat e tjerë “Shtegtojnë krillat”, “Baladë për ushtarin”, “I dyzetenjëti”, “Qiell i pastër”, etj., që u vlerësuan me çmime në festivale të njohura ndërkombëtare).
Të ndikuar nga këto dukuri të përjetuara gjatë viteve të studimit, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, sollën kështu shumë të reja në emisionet e tyre, të cilat nuk jemi në gjendje t’i gjykojmë, sepse, duke qenë materiale radiofonike, ato nuk janë ruajtur. Por dihet se Fadili, kultivoi me mjeshtri të rrallë, përshkrimin, reportazhin e mbi të gjitha “novelat muzikore”, kushtuar figurave më të mëdha të muzikës botërore, që pëlqeheshin së tepërmi nga dëgjuesit tanë.
Midis tyre, më kujtohet edhe një emision shumë interesant që, ai së bashku me gazetarin tjetër, Kadri Zotria, përgatiti për tenorin e madh italian, Tito Skipa. Më 1959-ën, me rastin e festave të nëntorit, ai vizitoi vendin tonë dhe, midis të tjerash, u shpreh në mikrofonin e Fadilit se, krenohej që kishte origjinë shqiptare, duke u nisur edhe nga mbiemri i tij, Skipa (pra, skip-shqiptar).
Edhe Vangjeli, ndiqte rrugën e Fadilit, sidomos në emisionet për fëmijë. Është e rëndësishme të theksoj se, që të dy gjetën mbështetjen dhe përkrahjen e drejtorit të atëhershëm të Radio Tiranës, Petro Kita dhe zëvendësit të tij, Ymer Minxhozi, të cilët i çmonin për nivelin artistik dhe pjekurinë profesionale.
Por, në janar të vitit 1961, drejtor i Radio Tiranës u emërua Thanas Nano, ish-drejtori i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, e më pas zv/drejtor i Drejtorisë së Propagandës në Komitetin Qendror të PPSh-së, njeri i vrazhdë, i ftohtë, pedant dhe konservator. Ishte periudha kur pas mbledhjes së Moskës të 81 Partive, në nëntor të vitit 1960, Enver Hoxha, për të ruajtur fronin “perandorak”, u shkëput nga Bashkimi Sovjetik.
Pas një periudhe, liberalizmi që u shfaq edhe në letërsinë, artet tona, madje edhe në gazetari, pra, edhe në programet e Radio Tiranës, dalëngadalë nisi një censurë ndaj çdo risie që në radio, u frenua me shumë zell nga Thanas Nano.
Megjithatë, në këtë periudhë, Fadil Kokomani shkroi përshkrimin “Shungullon lugu i Malësisë”, që la mbresë te dëgjuesit, u transmetua dhe u ritransmetua dhe madje u çmua edhe në një konkurs të radiove të vendeve të Lindjes.
Ishte përsëri Fadili në këtë periudhë, që nisi rubrikën: “Universiteti Popullor i Radios”, me emisione të larmëta nga fusha të ndryshme të shkencës, kulturës, artit, që u bë nga programet më të pëlqyeshme të Radio Tiranës, rubrikë që transmetohej çdo të martë e të enjte, në orën 20.30-21.00.
Pikërisht, në kuadrin e kësaj rubrike, ai filloi ciklin “Dukuri të letërsisë botërore të shekullit XX” dhe vazhdoi të shkruante, veç novelave muzikore edhe emisione të tjera në këtë fushë, sepse muzika, ishte pasion i tij. Fadili kishte ndjekur një kurs për kanto në Konservatorin e Leningradit dhe vazhdoi edhe një kurs tjetër në Tiranë, me sopranon e njohur, Marie Kraja, e cila dëshmonte se, ai mund të bëhej tenor i mirë.
Si Fadili, ashtu edhe Vangjeli, ishin të dhënë shumë pas letërsisë artistike. Lexonin vazhdimisht rreth 20-30 faqe në ditë. Fadili, përveç rusishtes që e zotëronte në mënyrë të përkryer, mësoi edhe italishten.
Të dy bashkëpunonin edhe me organe të tjera të shtypit. Penës së tyre, u përkasin për shembull disa krijime gazetareske, midis të cilave, reportazhi: “Në kilometrin 10”, botuar në revistën “Nëntori”, nr. 10, 1961.
Për të kuptuar se ç’prirje realiste përshkonte krijimtarinë e tyre, mjafton të citojmë fragmentin e fundit të këtij përshkrimi:
“Do të kalojnë vite, kur nga shtëpitë e reja do të hiqen skelat e ndërtimit dhe në bërrylin e rrugës, do të largohet kamioni i fundit me mbeturinat e lëndëve të ndërtimit. E, megjithatë, fasadat do të jenë ende të njoma, dritaret e panumërta me sy të gëzuar e të lumtur, do të mbushen plot dritë. Ja, pra, e tillë është tabloja e jetës sonë. Ajo nuk është as simbol, as alegori, as analogji. Ajo duhet kuptuar ashtu siç është…”!
Fraza e fundit, për mendimin tim, me domethënie të qartë, siç duket, u ka shpëtuar redaktorëve. Fadili e Vangjeli, me sa duket, nuk i kishin shkruar rastësisht ato fjalë. Kjo ishte kredoja e tyre. Dhe, po të jetonin, në veprat e tyre do të dinin të zbërthenin më thellë këtë kredo me talentin e tyre, që nuk u mungonte, por që vdekja mizore dhe e parakohshme, nuk ua la ta shprehnin më gjatë.
Fadil Kokomani ndërkohë, botoi edhe shkrime në organe të tjera të shtypit. Jo shumë, sepse puna intensive në Radio, e pengonte. Por, ndër shkrimet e tij, po përmend artikujt “Madam Baterflai dhe artistët tanë”, (“Zëri i Rinisë”, 19 prill 1961), “Ludvig Van Beethoven”, (“Zëri i Rinisë”, 5 korrik 1961), “Në rrugë”, (“Zëri i Rinisë”, 21 tetor 1961), “Këngëtarët e malësisë”, (“Zëri i Popullit”, 26 qershor 1960), tregimin “Kënga na bashkoi”, “Zëri i Rinisë”, 4 mars 1961 dhe krijime të tjera në revistën “Ylli”.
Ndonëse shkroi pak tregime, Fadili tregoi se i kishte të tëra mundësitë të bëhej shkrimtar serioz, sepse, veç të tjerash, kishte gjuhë të rrjedhshme, dialog të shkathët dhe të natyrshëm, forcë përshkruese, që e dëshmon edhe ky fragment nga tregimi “Malësorja e vogël”, (“Zëri i Rinisë”, 31 maj 1961), të cilin po citoj më poshtë:
“Bulëzat e fundit të vjeshtës ndërkohë u shkrinë, u tretën njëherësh nga rrezja e parë e diellit mëngjesor, m’i lëbyri sytë ende të mugëtuar. Shfletoja veprën e Migjenit dhe herë pas here, për t’u këndellur, hidhja vështrimin në thellësi të bjeshkës, ku, mes gurësh të stërmëdhenj, që zbardhonin, shfaqej një si njollë e zezë- shpella e trimave…! Qetësia përreth, pyjet e gjelbëruara ku kishte bredhur poeti, i kredhur në botën e tingujve vrungullues, të tingujve të natyrës magjepsëse, freskia flladitës, sikur më hovëzonin…”!
Fadili, gjatë punës në Radio Tirana, provoi jo pa sukses të shkruante edhe drama. Në vitin 1962, në emisionin “Teatri në mikrofon”, u transmetua një dramë e tij, kushtuar atdhetarit të shquar Mihal Grameno. Për fat të keq, as ajo, dhe as ndonjë krijim tjetër i tij dhe Vangjelit, pas arrestimit të tyre, nuk u ruajtën në fonotekën e Radio Tiranës.
Të dy shokët e ngushtë, jetonin në kushte të vështira. Fadili në një dhomë të ftohtë në Radio dhe Vangjeli, në një hotel të mjerë në qendër të Tiranës, së bashku me gruan, një moskovite e këndshme, e quajtur Ina, që kishte lindur një fëmijë dhe, siç i kam parë vetë, ndjeheshin tepër ngushtë në atë mjedis. Për më tepër, e shoqja ishte studente dhe i duhej edhe të të mbante fëmijën, edhe të studionte. Sidoqoftë, të dy ishin optimistë, ashtu si edhe Fadili, i cili në verë të vitit 1960, priste të shkonte për vizitë në Bashkimin Sovjetik.
Të dy shokët kishin një konceptim shumë realist, jo vetëm për letërsinë, por edhe për jetën. Këtë e kuptova kur në gusht të vitit 1959, pas mbarimit të studimeve në Universitetin e Tiranës, u emërova gazetar në Radio. Tashmë isha koleg me Fadilin dhe më pas edhe me Vangjelin. Dëshira ime, ishte të bëhesha gazetar si ata, sidomos si Fadili. Dhe kështu ndodhi. Nisa të ndjek krijimtarinë e tij dhe të përfitoj nga ajo. Siç do të shohim në pjesën e dytë, edhe njohja u bë më e madhe, më e çiltër.
Si u afrova edhe më shumë me Fadilin…!
Nuk harroj shkurtin e vitit 1960, kur mua dhe Fadilin, na caktuan të bënim të ashtuquajturën punë fizike në kodrat e Tiranës, aty ku ngrihet Sanatoriumi. Ishte muaji i dytë që kishte nisur të zbatohej kjo metodë kineze, e cila do të shërbente, gjoja për të shkundur e çmpirë administratën, pasi duhej që, edhe ajo, të dinte në praktikë, se çfarë ishte puna në prodhim.
Gjatë janarit të atij viti, punën fizike e kishte kryer as më shumë e as më pak edhe vetë kryeministri, Mehmet Shehu, për të cilin poeti dhe gazetari i njohur, Dritëro Agolli, kishte botuar edhe një reportazh në “Zërin e Popullit”.
Dhe ja, një mëngjes ishim ulur diku në një bregore pranë godinës së Sanatoriumit të Tiranës, që ishte në mbarim e sipër, e po hanim ato që kishim marrë me vete. Shtrëngoja në dorë një kothere buke të zezë, të qullët, të cilën nga nxitimi, nuk kisha mundur ta thekja.
– Ama ç’bukë! – shpërtheu Fadili pa pritur.
– Dhe kur, pas kaq vjetësh që shkruajmë e gënjejmë se po ndërtojmë socializmin! Të them të drejtën, u befasova. Ishte hera e parë gjatë atyre tre vjetëve, që njihesha me Fadilin e nuk kisha dëgjuar kurrë, që ai të shprehej në këtë mënyrë, ndaj ia ktheva:
– Ç’të bësh, kalojmë po ato vështirësi që ka kaluar Bashkimi Sovjetik në vitet ’30-të. Të kujtohet se si shkruan Majakovski, në një poemë për atë punëtorin që ngjesh bukën në pëllëmbët e duarve, që t’i heqë lagështirën?
– Të bukur krahasim që po më bën! A e kupton se jemi në vitin 1960?!
Nisi kështu të më fliste më me mllef, për jetën e rëndë që po kalonim, duke fajësuar drejtpërdrejt Enver Hoxhën dhe ata që e rrethonin. U vura në pozitë të vështirë. Fadili rridhte nga një familje komuniste. Veç kësaj, një vëlla e kishte oficer madhor. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016