Nga Maksim Rakipaj
Pjesa e njëzetë e tre
Memorie.al/ Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976, i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015), ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.
Familjet tona
Në ka ditë që është e veçantë për të dënuarit, kjo është dita e takimit me njerëzit që vijnë për t’i takuar në burg. Sipas rregullores, takimet lejohen një herë në 15 ditë, por janë shumë të rralla ato familje, që i kanë mundësitë për këtë. Shumicës i vijnë shumë rrallë, u dërgojnë vetëm ndonjë pako me ushqime dhe duhan. Këta janë ata që i kanë familjet nëpër internime ose, kanë edhe njerëz të tjerë nëpër burgje, vëllanë, babanë, gruan, djalin. Dhe nuk janë pak prej këtyre.
Ka prej tyre që nga ajo pak që fitojnë në minierë, ndihmojnë familjet, ose vëllanë, babanë, në burgun e Burrelit, a gjetkë. Edhe të dashurat i kujtojnë të burgosurit, ashtu si munden. Një shokut tim, ish-e dashura, i dërgoi një llullë pasi qe martuar; dhe ai nuk pinte cigare më pas kësaj, përdorte vetëm llullën.
Zydit, i dërgon pako herë pas here, e dashura e tij, Jola. Nuk e lejojnë Jolën të takohet me të; komandanti i kampit, ka urdhër të posaçëm prej Drejtorit të Burgjeve, Kasëm Kaçit. Vjen disa herë e mira Jolë deri në Spaç dhe kthehet pa mundur të takojë të dashurin e saj. Më në fund arrin të marrë një leje të posaçme dhe mundën të takohen 5 minuta. Vetëm 5 minuta që lumturuan mikun tonë, e jo vetëm atë dhe Jolën. Të gjithë ne, miqtë e tij, e kemi festë këtë ditë.
Është festa e dashurisë që arrin të çajë telat me gjemba të Spaçit dhe zemrën katran të kriminelit Kasëm Kaçi. Islam Spahiu, që është dhe mik i vjetër me Zydin duket më i emocionuar se ky. Edhe Visarit i vijnë të vëllezërit me radhë, e dinë që më shumë se për të ngrënë ai do libra. Dhe i sjellin edhe libra që të ushqehet dhe të përgatisë librat e tij që do ta bëjnë të njohur edhe jashtë Shqipërisë kur të lirohet nga burgjet. “Ti, Visar, do të marrësh çmimin Nobël në letërsi”, i thashë atëherë në Spaç. Dhe ende jam i bindur për këtë.
Ahmet Kolgjini e ka familjen në internim, ka kohë pa i parë, por ata i dërgojnë vazhdimisht pako dhe letra. Letrën e parë të së bijës Ahmeti e ruan në portofol, bashkë me fotot e fëmijëve. Hiqmet Myzyri ka vetëm nënën në Tiranë, që është edhe e sëmurë. I dërgon pako të birit të vetëm dhe e takon kur Hiqmeti shkon në spital në Tiranë për t’u operuar për të disatën herë nga hemorroidet. Muharrem Lilës i shkruan mbesa, që është bashkë me familjen në internim në fshatin Kullë, pranë Manzës. Mark Shkrelit nuk i ndahet e motra, vjen rregullisht nga Shkodra në kampin e Ballshit.
Edhe basit Luk Kaçaj i vjen motra në Ballsh, prej Shkodre. Këndon gjithë kohën Luka atë ditë; me zë të ulët, kuptohet, por xhamat e mencës dridhen gjithsesi. Gëzim Çelës i dërgon pako nëna plakë nga Manza. Nikoll Dakës i vjen djali prej Shkodre. Vijnë në takime, sjellin pako me postë, dërgojnë letra nga e gjithë Shqipëria. Sjellin dashuri. Jo vetëm për të afërmit e tyre, sjellin dashuri për të gjithë të dënuarit. Dhe mallëngjehen të dënuarit. Llogaritin sa u kushton gjithçka, rruga, ushqimet…të gjitha dhe pyesin: si u del hesapi?! Si ia bëjnë?! Kanë vuajtur familjet tona. Kanë duruar vuajtjet e tyre dhe tonat. Kanë duruar edhe urinë, për të kursyer diçka dhe për të na ndihmuar ne.
Më vinë në takimin e radhës gjyshja, nëna dhe Dashi, im vëlla. Takimi në Spaç është vetëm 5 minuta, në këmbë te porta e madhe e kampit. Një polic rri në këmbë dhe përgjon bisedën. Zgërdhihet kur gjyshja ime e shkretë përpiqet mes hekurave të portës të puthë faqet e mia të thara dhe të nxira nga piriti. Dy policë të tjerë po çarvalitin çantat me ushqime që më kanë sjellë.
“Të ka sjellë aneja edhe 30 kokrra vezë të freskëta, të keqen, se të bëjnë mirë”, më thotë gjyshja tek sheh që policët kanë vezët në duar. Policët lirojnë një tas plastike nga ç’kishte brenda dhe hedhin në të një vezë që e thyejnë. Pastaj, një vezë tjetër. “E ç’kini që i thyeni, që thefshi kokat thefshi, i kam sjellë të m’i hajë djali…që nga Korça i kam sjellë…! Avash de, ç’bëni, të tëra do t’i thyeni? Jalla, kurrë hair mos bëfshi, hë, kokat thefshi, ishalla”!
Policëve, u bën përshtypje dialekti korçar i gjyshes dhe gajasen. “Qeshni, qeshni, po ama ta dini, me shpirt po ju mallkoj dhe mbani mend, do ju zenë hakat tona. Mallkimi i nënës është më i rëndi, ta dini…”!
Kryekëshilltari juridik i diktatorit, në burg
Nga fillimi i vitit 1983, në kampin-minierë të Qaf Barit, sjellin një të dënuar, krejt të veçantë nga të tjerët. Është kryekëshilltari juridik i diktatorit Hoxha, ose shefi i Zyrës Juridike të sekretarit të Parë të PPSh-së, Vait L. Është i natyrshëm interesimi që ngjall ardhja e tij në burg, jo vetëm për postin që mbante, por edhe sepse, ka njohur nga afër diktatorin dhe bandën e tij. Shumë prej nesh, tentojnë t’i afrohen dhe të zenë miqësi me Vaitin, por të gjitha përpjekjet u venë dëm. Vaiti u qëndron larg të gjithëve, sillet me të gjithë me një lloj mirësjelljeje, që asgjëson që në lindje, çdo përpjekje për miqësi të ngushta ose, për të shuar të paktën ndonjë kërshëri psh.: si është me shëndet e, me mendje vampiri!?.
I vetmi që mund ta bëjë këtë, është Aladin Kapo, si nip i ish- numrit dy (Hysni Kapos). Aladini, nuk ka asnjë lloj marëdhënie me familiarët e vet, sa për Hysni Kapon, nuk ka patur kurrë simpati, sado që e kishte xhaxha. Patëm biseduar bashkë kur punonim në det edhe për Hysniun. Kur i thashë njëherë, se; në rast vdekje të Enver Hoxhës, Hysniu, mbetej të ishte i pari zëvendës i mundshëm i tij, Aladini e përjashtoi kategorikisht një mundësi të tillë. Me sa dinte Aladini, marëdhëniet Enver – Hysni, kanë qenë gjithnjë më se normale, madje të përzemërta. Aladini tregonte që, kur kish vajtur një herë për të takuar xhaxha Hysniun, kish hyrë në sallonin e pritjes, oficeri i shërbimit të rojes dhe i kish thënë:
– “Shoku Hysni, më falni për shqetësimin, por shoku Mehmet (Shehu) kërkon sa më shpejt, të takohet me ju në shtëpinë e tij”.
Hysniu, sado që atë ditë nuk ndjehej mirë me shëndet, pat brofur vrik në këmbë, si djalë i ri: – “Faleminderit, i thoni shokut Mehmet, se po nisem menjëhere për tek ai”!
“Vura re, apo më mirë e ndjeva, që Hysniu e kishte frikë Mehmetin…?! Kam qëlluar aty edhe kur e ka lajmëruar vetë Enver Hoxha, për takim dhe ai nuk e ka prishur terezinë, është ngritur vetëm pasi pat mbaruar kafen dhe nuk e linte kurrë bisedën përgjysmë, si ndodhi kur e thirri Mehmeti atë pasdite”, më pat treguar dikur Aladini.
…Por jemi në vitin ’83 dhe M. Shehu ka nja dy vjet që “ka vrarë veten” dhe numri dy i padiskutueshëm në Shqipëri është bërë Ramiz Alia. Aladini duket mjaft i interesuar, për të njohur Vaitin, këshilltarin juridik të “Vampirit”. Më kërkon kafe dhe takëmet e kafes: – “Make, (vetëm Aladini më thërret kështu, unë e thërras “buçko”), pranoi ai miku, të pijë një kafe me mua. Të shoh, nëse mund të mësoj ndonjë gjë të re, prej tij.
Ndërkaq unë, derisa të vijë Aladini, me lajme të reja, përpiqem të përkthej nga anglishtja, ndonjë prej poezive që ka sjellë Sherif Merdani nga burgu i Burrelit. Mbas mëse dy orësh, vjen Aladini i qeshur: “Gjithato gjëra të reja, mësova nga Vaiti. E para, Enveri ka disa vjet që e kanë lënë pothuaj fare trutë, është fare i pjerdhur, si thonë. Frenat që atëherë, i ka në dorë vetëm Nexhmija; asnjërit nuk ia mban, t’ia bëjë fjalën dysh asaj. Ajo flet e firmos, në emër të Enverit. Po Ramizi, thua ti?! A, më foli edhe për Ramiz Alinë ky, Vaiti. Ramizi, ia paska ngopur Vaitit”!
Ja ç’i kish treguar Vaiti Aladinit:
– |Disa vite me radhë në krye të Zyrës Juridike të Enver Hoxhës, nuk kam patur kurrë, asnjë mosmarrëveshje me juristët e tjerë që punojnë në atë zyrë, nën urdhrat e tij. Por kish ndryshuar gjendja, kur prej 6 muajsh, filloi punë në këtë zyrë, një jurist tjetër, krejt i paaftë dhe shumë arrogant, gati të kapet me grushta edhe për vërejtjen më të vogël. Herën e fundit, me zor e ndanë sherrin e tij, me një koleg zyre”.
Duke komentuar këtë ngjarje, Vaiti kish bërë këtë koment: “E kush do të jetë ai qen bir qeni, ai gomar, që ma solli këtë idiot”. Ai që e pat sjellë atë “idiot” në zyrën e Vait Lamës, kishte qenë vetë Ramiz Alia…! Dy muaj më pas, në nëntor të ’81-it, mbahej kongresi 8 i PPSh-së. Vaitin e arrestuan në sallën e kongresit. Delegatëve të kongresit, u thanë se ai po përgatiste një atentat, kundër udhëheqësit të lavdishëm…! “Nuk e keni idenë, sa i poshtër është Ramizi. Më e keqja është, se ka edhe përkrahjen e Nexhmijes dhe do të jetë ai, numri një, sapo të vdesë Enveri”!
…Nga fundi i bisedës, afrohet dhe një shoku ynë, që ka qenë në Burrel.
– “Kam njohur në Burrel, thotë, njërin që ka qenë korrier i Shtabit të Përgjithshëm, gjatë Luftës. Më ka treguar një gjë shumë tronditëse, për masakrën e Tivarit. Kur shkoi në Shtabin e Përgjithshëm dhe kishte thënë i alarmuar: Jugosllavët po i vrasin të gjithë djemtë kosovarë, që u dorëzoi atyre Ramiz Alia!”, …Shefqet Peçi, ia kishte plasur të qeshurës, Enveri i kishte shkelur Shefqetit këmbën, poshtë tavolinës dhe kishte thënë me qetësi: – “Duhet të jetë lajm i rremë, prandaj edhe qeshi shoku Shefqet… mos ki merak, mund të shkosh. Me këtë problem, merret direkt vetë komisari i Korpusit, shoku Ramiz. Ke për ta parë që e zgjidh ai këtë punë…”!
E zgjidhi, ashtu si dinte Ramizi, i la shkijet t’i vrasin mijëra djem të rinj kosovarë, në Tivar. Por më parë se të arrinin në Tivar, ku vranë ata që mbetën gjallë deri aty, me qindra ishin kufomat e kosovarëve, që mbetën brenda kufijve tanë.
– “I thashë Vaitit, të më thotë se si duhet t’ia shkruaj një letër Enverit, për t’u liruar nga burgu”, – më thotë Aladini, kur mbetemi vetëm. – “Absolutisht jo”, më tha Vaiti. “Këto lloj letrash, përfundojnë në kosh. Në do të lirohesh nga burgu, duhet t’i shkruash vetëm Nexhmijes. Ajo i hap e i lexon vetë letrat që i drejtohen asaj. Do ta shkruash atë letër, si të të them unë, më lerë disa ditë të mendohem. Të them unë kur ta shkruajmë, mos ki merak. Dhe të jesh i sigurt, se ajo letër do të bëjë punë. Ia njoh trutë Nexhmijes, e di se çfarë i pëlqen t’i shkruajnë, si t’i shkruajnë, sa t’i shkruajnë. Po dha urdhër ajo për një gjë, ka marrë fund. Bëhen copash të gjithë, për t’ia çuar fjalën në vend dhe nuk e le asnjë punë përgjysmë. Nuk di ç’e lidh me Ramizin…”?!
Dy javë pas kësaj bisede, Aladini më thotë se e postoi letrën për Nexhmije Hoxhën. S’kalojnë dy muaj, ka qenë qershor ’83, Aladinin e thërrasin në Tiranë, për një takim me zv/Prokurorin e Përgjithshëm. Qysh të nesërmen, ai e thirri në takim. Serioz, mjaft i preokupuar Prokurori. Mbi tryezë, janë pirg dosjet tona hetimore. Duket që ka punuar gjithë natën me to, disa janë ende gjysmë të hapura.
– “Eh, more djalë, sa thellë, sa larg keni shkuar me armiqësinë tuaj”! – fillon bisedën prokurori, duke treguar pirgun e dosjeve. Por Aladini, që para se të nisej për në Tiranë, ka bërë disa seanca stërvitore me Vaitin, nuk e prish gjakun. Hidhet në sulm, sipas porosisë së Vait L.:
– “Shoku Prokuror, unë e kam të qartë, që sa herë ju të lexoni ato dosje, aq herë duhet të më dënoni. Por kini parasysh, se ato dosje, janë përpiluar nga ustallarë, që e kanë marrë parasysh, se dikur këto dosje, do të shqyrtohen nga dikush tjetër. E bëjmë një provë bashkë? Dil te dritarja, zgjidh cilindo që po kalon aty poshtë për punët e veta, arrestoje dhe ma jep mua t’i bëj hetuesinë. Më thuaj përse do ta dënosh dhe brenda muajit, ke për ta parë atë në gjyq, të penduar, me faj të pranuar, madje ka gjetur edhe dëshmitarë, kundër vetes. Dakord jam me ju, ky është një maskarallëk. Por të jeni i sigurt, se ky është maskarallëku që hetuesia ka bërë me mua dhe me shokët e mi. Ne armiq?! Aspak! Sa të jem gjallë, do të them që ne hymë në burg, sepse dikujt iu mbush mendja, që ne jemi armiq! Unë, nuk kam asgjë për të shtuar. Nuk kemi qenë engjëj, vërtet, por jo ama të më dënonin 15 vjet burg”!
Në dhjetor 1983, Aladinit iu fal pjesa e mbetur e dënimit dhe u lirua nga kampi i Qaf-Barit. Kur u përqafuam, para se të dilte më tha i përlotur: “Do të bëj çmos vëllaçko, që edhe ti të dalësh sa më parë, që këtej. Që nesër, do të vete në shtëpinë tënde, quaje që ke dalë edhe ti nga burgu, me mua. Ruaj veten! Mirupafshim jashtë burgut”!
Prag lirimi
Nga më pak se 20 vetë, në dhjetor ’82, brenda vitit, jemi bërë mbi 400 të burgosur, në Qaf-Bar. Jam i kënaqur që u lirua Aladini, kam besim se do ta mbajë fjalën, që më dha atë ditë, gjithnjë e ka mbajtur. Aladini fillon punë, në fonderinë e Uzinës “Traktori”, por pa mbushur muajin, e lajmërojnë që ishte pushuar. Shefi i kuadrit të uzinës, ngre supet, kur Aladini kërkon të dijë arsyen e pushimit nga puna: “Ku di unë, më thanë të të pushoj dhe të pushova…me letrat që ke ti, çudi si të lenë të banosh në Tiranë…ku të pyesësh, pse…?! Di unë?! Gjeji ku i ke miqtë, farefisin, hajt njatjeta”!
Fisi i Kapove, që ishte shumë i shtrirë, në të gjitha hallkat e pushtetit, pat vendosur të vinte dorë mbi “djalin plëngprishës”. Një prej tyre Th., që punonte bashkë me Nexhmije Hoxhën, e thërret në takim. E pret shumë ngrohtë: “I di, i di të tëra Aladin, mos u mërzit, që të pushuan nga puna, më mirë do të rregullohesh, çke ti, nuk do të të lemë më pas dore. Por na del një problem i vogël me ty. Jeni dënuar në grup: Maksi, ti, Rolandi dhe Edmondi. Maksi është ende në burg, ty t’u fal dënimi i mbetur, Rolandi me Edmondin, u falën me amnistinë e ’82-it.
Që ti të fillosh një punë, që të përshtatet, nuk është e lehtë. Sipas ligjeve, dosja jote, është ende e hapur, deri sa ky Maksi të jetë në burg dhe nuk ka shef kuadri, që ia mban menderja, të të mbajë ty në punë, aq më pak si nëpunës. Kemi nevojë, pra, që ky Maksi, të lirohet nga burgu. Kështu mbyllet dosja; ti do të jesh i lire, kurse ne do të kemi mundësi, të të sistemojmë pa shumë siklete”!
– “Po shumë bukur, lirojeni Maksin”, – thotë Aladini që s’po u besonte veshëve.
– “Eeee, mirë e ke ti, po si?! Ti ke mundësi, të lidhesh me Maksin? ‘Po’? Punë e zgjidhur pra, thuaju njerëzve të tij, që Maksi duhet t’i bëjë një lutje me shkrim, Prokurorit të Përgjithshëm, ose Gjykatës së Lartë, ku të thotë, se e ka kuptuar fajin që ka bërë, etj.,etj., dhe të kërkojë faljen e pjesës së mbetur të dënimit. Mund të thotë p.sh.; që të gjithë nga grupi im, u liruan, përse unë, duhet të vazhdoj dënimin?! Njerëzit tanë që punojnë në këto institucione, janë të porositur, që sapo kjo letër t’u vijë në dorë, të fillojnë urgjentisht procedurat ligjore, për lirimin e tij. Ata e dinë që bëhet fjalë për ty. Si the?! Po nuk pranoi Maksi ta shkruajë atë lutje?! Pse, ka mundësi kjo gjë!?! Mirë, s’ka gjë, le ta bëjë ndonjë nga familja e tij pra, u pa puna. Ik tani, bëj ç’të thashë dhe suksese. Mirupafshim”.
Më vinë të mitë në takim, më përpara se sa i prisja. Gjithmonë i sjell edhe këtu, si në Spaç, i paharruari Hiqmet Mullaj, me kamionin “Gaz”. Kundërshtoj ta shkruaj atë letër. Më patën shkruar, para se të vinin në takim, që duhej ta kisha gati: “Jo, nuk u kërkoj asnjë falje këtyre. Po të duan, të më lirojnë, shumë bukur, le të më lirojnë. Me dorën time, nuk do të kenë kurrë të shkruar një letër, ku unë t’u kërkoj falje”!
Atë letër, e dërguan në adresat që u tha Aladini. E shkruan ashtu si ua diktoi ai dhe dërguesi, ishte gjyshja ime. Kështu dhe kjo punë u krye. Në këshillin e lagjes sime, erdhi një letër nga Gjykata e Lartë, ku kërkohej opinioni i lagjes për mua dhe për familjen. Sotiraq Dimo, kryetari i Këshillit Popullor, i tha tim eti: “U ktheva përgjigje, Xhafer. Shkrova fjalët më të mira. Them se shpejt, do ta kesh Maksin në shtëpi…! Nja dy maskarenj në Këshill, nuk ishin dakord, ti i di cilët janë, po mos çaj kokë. Dhe mos e bëj fjalë me njeri, për ç’të thashë”! A thua po kthen për mbarë fati im?!/Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016