Nga Maksim Rakipaj
Pjesa e shtatë
Memorie.al / Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976, i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015), ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.
Dashnor Mamaqi në burg
Dikush me një pallto të rrjepur bojë kafe, nuk po m’i shqiste sytë…! U bëra kureshtar, sepse më ngjante fytyrë e njohur, me kujdes, pyeta dikë që kisha afër: “Kush është ai tipi atje”?!
– “Dashnor Mamaqi, pse nuk e njeh”?!
– “Kaq sa është dobësuar, nuk do ta njihja kurrë, vetëm hunda i paska mbetur…”!
Dashnori m’u afrua me shumë etiketë dhe me atë zërin e butë melodioz (vetëm përmetarët e kanë atë lloj zëri), m’u drejtua: – “Më falni, por fytyra juaj më kujton një mikun tim, kur kishte pak a shumë moshën tuaj… po i bie shkurt: E keni gjë Xhafer Rakipajn”?! – “Është im atë, zoti Dashnor”.
– “Ah, më njohe…?! Nuk e di a të ka thënë, por Xhaferin e kam dashur shumë, e gjeta në shtëpi, në Mokricë më ’43-in, Xhakua (miqtë e tim eti, kështu e thërrisnin shkurt) ishte ballist atëherë, kështu ishte Përmeti ato vite, shkonte Ali bej Këlcyra, – i merrte me ballin, shkoja unë, i merrja partizanë, vetëm të lëftonin armikun donin djemuria…pastaj, kur u plagos Shpresa ime, në operacionin e dimrit, e unë s’dinja gjë…! Xhakua e ka mbajtur me orë të tëra në kurriz, nuk e harroj kurrë…kujtoja një ditë me Shpresën: a mban mend Shpresë, i thashë, kur na erdhi në shtëpi Komandanti ynë, i dashuri, i madhi Enver…”?!
…Nuk u përmbajta dot, ia hoqa krahun që më kish futur në krahun tim dhe i thashë, duke i ndarë fjalët me rrokje: – “Kjo është e fundit herë që rrimë bashkë… me gjithë këto që ke hequr: Shpresa me fëmijët në internim, ti në burg, dhe ende e do kriminelin Enver Hoxha?! Apo ke frikë prej meje dhe kështu më fyen më rëndë akoma?! Kur do të të vinë mentë ty more…kur të kesh përpara vetes skuadrën e pushkatimit, si shokët e tu?! Apo edhe atëherë, do ulërish rroftë ai kriminel”?!
– “Prit more djalë, ule zërin, më me avash, se ty vetëm 10 vjet të japin, po mua më pret plumbi! Pa kam edhe hallin e familjes, fëmijëve…”! Hapi sytë rreth e rrotull, u sigurua që nuk dëgjonte njeri dhe tha gati duke pëshpëritur: “Sikur ta njohësh atë qen ashtu si e njoh unë, duhet ta kesh vërtet frikë! Po ti nuk e ke idenë se ç’kriminel është ai”!
– “Mirë mo Dashnor, por nuk ka njeri tjetër që mendon si ti, në Byro p.sh., pse nuk e heqin qafe…”?!
– “Sepse nuk ua mban të bëhen bashkë, se vigjëllon e i përgjon të gjithë, është i tmerruar, si gjithë diktatorët dhe i tmerruari të vret kot së koti… dhe ky nuk ka të ngopur me gjak. Kështu. Rrofsh që më bëre të them ç’mendoj, prej kaq e kaq vitesh…! Ikim se filloi apeli…”!
Vite më pas, mora vesh se i shkreti Dashnor, vdiq në burgun e Shën-Kollit, në Lezhë, pa arritur të përqafonte i lirë të dashurit e tij…! Por nuk qe vetëm ai që pati këtë fat.
V. F. L. P. dhe Poshtë komunizmi
Viti 1978. Kampi politik i Ballshit, (ndejta pak muaj aty, para se të më çonin me “ngritje” në Spaç… për të më “ngritur” përsëri në Qaf-Bar).
Një nga zbavitjet tona ishte edhe leximi i gazetave të ditës. Miku im durrsak, Jani Pano, ishte i abonuar te gazeta “Adriatiku”, organ i PPSh-së për Durrësin. Pasi e mbaronte së lexuari, unë ia kërkoja gjithmonë, për ta lexuar me nge…nga malli për Durrësin, për njerëzit. Atë ditë, ndoshta shkurt – mars, më bëri përshtypje një artikull, për ‘Heroin e Popullit’, Hajdar Dushi. Me pak fjalë, shkruhej për aktivitetin e tij si guerrilas në Durrës, gjatë okupacionit italian.
Në një nga ato aksione, ndodhi që e arrestuan pushtuesit italianë në flagrancë, duke shkruar në muret e qytetit parullat e kohës V.F.-L.P., e ku ta di unë. Hajdar Dushi, i armatosur me pistoletë dhe granata, i rezistoi arrestimit, duke qëlluar me armë. Përfundimisht, të plagosur, e arrestuan dhe pasi e mjekuan, e dërguan në gjyq. Gjyqi fashist e dënoi për rezistencë me armë dhe për propagandë subversive, 6 muaj burg (gjashtë muaj!). Mbas lirimit, heroi doli partizan dhe u vra në luftë. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!
Me lejen e Janit, gazetën e vura ke stenda e gazetave të kampit, ku e lexoi edhe një i burgosur nga Korça. Atë, kur e arrestuan, nuk e kapën duke shkruar parulla antikomuniste nëpër muret e Korçës… sepse, kurrë nuk e kishte bërë një gjë të tillë. U dënua, se kishte shkruar parulla kundër regjimit, pa i shkruar ato. Nga dënim me pushkatim, ia lanë “vetëm” 25 vjet burg!
Para ca muajsh, dikush nga miqtë e mi, më tha se ende nuk e ka marrë këstin e parë të dëmshpërblimit…! (shkruar gjatë muajit tetor, 2012)
“Dava 30 a 300 tajaresh…”!
Prej një viti e ca, ndodhet në kampin e Ballshit një tip i veçantë nga fshatrat e Pezës. Fytyrë rrumbullak, qesh gjithë kohën, i lumtur… dhe më kujton atë thënien e Sokratit të famshëm…! Një grup të burgosurish e ka rrethuar dhe po bisedon me Seitin. – “Sa të kanë dënuar, o Seit”? – “Tre vjet, tre vjet vallahi. Për nji llaf goje”! – dhe qeshte Seiti. – “Të paskan dhënë pak, o Seit. Këta për nji llaf goje, të japin 10 vjet, or mik. Po ai llafi jot, paska qenë i vogël, pa shumë zarar…”?!
– “Nji, ja u thot Seiti juve, gjykoni vet masanej. Sikur medemek, paskam thon un: ‘30 tajare duhet t’na sulmojn e, ne morim fun’! Ahahaha, jo zotni gjykats, un kom thon 300 tajare. Jom pa shkoll, por dersa ti thu 30, zotnia jote e din mo mir. Ahahaha, e lejm 30, si t’doni ju. Nuk prishmi un me qeverrin, për dava tajaresh, të taljonit.
Nji kshu e hongër Seiti jot, vallahi, kotnasikot. Jo 30, po 300 tajare. Futet robi n’burg, për kaqi gjo?! Bab Lymit, i ka ardh shum inot, kur e ka mor vesh se mu m’rrasën mren. Mu m’ka dash fort, për zotin. Edhe më don prap, nuk më len Lymi mren mu…! Jom mrapa Lymit qysh i vogël, pa hy taljoni halà. I ka thon robve t’mi: fleni rahat ju, ka thon, e di un kte muhabet…”!
Sa të kurdisej pak dhe nuk ndalej më Seiti: – “Ej, mos ju dukem si tarallak un gja?! Prit, po ju kallxoj baba, se kom gjet njonin iqin her mo budall se mu…! Pata nji çun t’ri, ke biruca ku isha vet, po uf e buf bojte…! Çër halli ke mër çun, mu m’kon rras mren, për axhitacjon pa progrom, ene s’po çaj kaptin, boll mo, je dhe çun i ri, maje veten…”!
– “Eh mër bab Seiti”, ky mu, mu m’akuzojn, kom lidhje me Cian.
– “Batall i modh fort, i ke hyp Cijes, a jo, i thash un”!
– “Hik mër Seit, se ti s’mushke fare”, m’thot ky mu.
– “Keni pa ksi karajfili”? Plasi gazi…
– “Ke bo naj lutje m’u liru, Seito”?
– “Jooo, çëre lutje mër jahu. Pse ta merr menja, i lutet Bab Lymi kujt?! Aj shko atje ku duhet, ene jep urdhën: ‘Ma qitni içik prej burgu, at Seitin, se osht robi tem! Nuk ka fryk njeri ai, po ja tha truni nji gjo, e bon vallahi. Nji keni për ta pa, kur nesër – pasnesër, çëfësht, përjashta Seiti jot”.
Dhe vërtet, nga tre vjet që e dënuan, nuk bëri as një vit e gjysmë Seiti. Para se te lirohej, dikush e ngacmoi: – “Thuj të drejtën, sa tajare duhen simas teje, Seito”? – “Aq vjet sa m’dënun mu duhen. Desha me ia thon ene gjykatsit at ditje, po nuk ma majti suma…”!
Baba Mehmeti, që i pat bërë karshillëk Mustafa Qemal Ataturkut
Në kampin e Ballshit, midis të tjerëve kam njohur persona shumë të veçantë. Do të mundohem t’i sjell për ju, jo sipas rëndësisë së tyre, as sipas kronologjisë, por ashtu si të më vinë…! Një prej tyre, ishte një Baba Dervish. Baba Mehmeti, i Teqesë së Frashërit, i arrestuar në vitin 1968 dhe i dënuar me sa më kujtohet, 15 vjet. Kur e njoha më 1978-ën, ishte rreth 85 vjeç, por shumë i mbajtur.
Në kamp kishte shumë që e thërrisnin me titullin bektashi “Baba”, por ai, i sikletosur u përgjigjej – “E ç’Baba ziu, Baba pa mjekër…”?! Vetëm mua më lejonte ta thërrisja me titullin “Baba”, ishim prezantuar qysh në fillim dhe u habita që i njihte shumë mirë të parët e mi, që nga gjyshi im, Sabriu dhe xhaxhallarët, me historitë e tyre. Kishte zë melodioz dhe ruante të folurën përmetare, të kohës së Naim Frashërit. Sikur këndonte Baba Mehmeti, kur fliste.
– “Baba, mirmëngjes”! – “Mirmëngjes evlat”! – dhe i qeshnin sytë. – “Do vish të të jap kafen e takimit? Më erdhën të mitë dje…”? – “Çapë përpara, sa të mbaroj një punë, dy minuta dhe ardhçë…”! …Ishte i muhabetit Babaj… – “Ku ke studiuar baba”? – “Stamboll, evlat, Stamboll. Kam takuar edhe Mustafa Qemalin atje”.
– “Vërtet, si”?! – “Ta rrëfej unë evlat. Djalë i ri unë ato kohë, edhe pak dhe mbaroja studimet dhe një pasdite behari, më ’25-ën, shkonj në një çaj-hane në Stamboll, për një çaj dhe thashë, mos shoh edhe shoqërinë, se atje piqeshim me njëri-jatrin, në çaj-hane. Kur do ti? Nja 20 asqerë me pushkë, të futen brenda duke thirrur: Më këmbë, shpejt! Më këmbë! Nderoni të madhin Kemal Ataturk’! Unë s’lojta nga vendi që thua ti…kur ke parë ti… Mustafa Qemali drejt e te tavolina ku jeshë unë. U ngrita në këmbë, s’kisha ç’bënja…’!
– ‘Qysh të quajnë? – mua ky…’! – ‘Mehmet, i them unë…’! – ‘Nga je’? – “Shqiptar, i them…’! Kur ma ktheu shqip edhe ai…! Foli nja 10 minuta në këmbë me mua, vetëm shqip…! – ‘Të njoha sa hyra që je shqiptar, më tha. Pse s’u ngrite më këmbë, kur të thanë ushtarët’?! – ‘U ngrita, efendi, – ia ktheva – Ama jo nga frikë e tyre, por nga nderimi që kam për ju…’! Qeshi me të madhe Mustafa Qemali, me këto llafe të miat…”!
Ishte vërtet burrë trim Baba Mehmeti. Kur u sulën t’i shkatërronin teqenë e tij në vitin 1967, atë vit kur u prishën të gjitha institucionet fetare tek ne, Babai mori pushkën dhe qëlloi në ajër, duke thirrur si Ali Pashë Tepelena në Janinë: – “Prapsuni! Prapsuni, jezitër”! U afrua një sekretar partie, hiç Babaj, s’lejonte njeri të afrohej. Vetëm kryetarin e Degës Brendshme lejoi të hynte në teqe, kishin qenë bashkë partizanë, në luftë. Babaj kishte qenë partizan, kishte marrë dhe gradën major…!
– “Pse lëftuam?! Pa më thuaj?! Që të shtrohet Jeziti këmbëkryq në vatanin tonë? S’i patëm llafet kështu, më dyzetetrenë…”?! E thirrën më pas në Degën e Punëve të Brendshme në Përmet: “Sa për sqarim, ka qejf kryetari, të pijë një kafe me ty Baba”, – i tha polici. E piu atë kafen me kryetarin dhe nuk e lanë më të dilte prej aty Baba Mehmetin. E dënuan si armik të “pushtetit popullor”, 15 vite burg.
Nikollë Daka, më tregon për Arshi Pipën dhe…
Në kampin e Ballshit, dëgjova për herë të parë të flitej për Arshi Pipën, për librat e shkruar prej tij në SH.B.A., për vitet e burgut të kaluara në Shqipëri, si dhanë shpirt intelektualët shqiptarë, nën çizmet e policëve te qershia, në burgun e Burrelit. në vitet ’47-‘48…!
…Mendoja që Nikollë Daka, duhet ta ketë njohur patjetër. E gjej Nikollën dhe e pyes: – “E ke njohur Arshi Pipën, profesor? Ke qenë në burg me të”?! – “Po, kam qenë në burgun tim të parë, me Arshiun, por e kam patur mik, para se të hyja në burg. Ishte intelektual i klasit të naltë ai, me titull ‘Doktor ne Filozofi’, njihte gjuhë të huaja, ishte poet, nuk ishte si i thojn nji fjale; ‘lang groshe’.
Nga fundi i vitit ’56, nuk kisha shumë që isha lirue nga burgu i parë, shkova në Durrës, për nji punë temen. Edhe Arshiu kje lirue prej burgut dhe ishte vendosë me banim në Durrës. Pat fillue punë, si profesor letërsie, në nji shkollë të Durrcit. Me punën dukej i knaqun, por mjaft i trembun: ‘Më përgjojn, Nikoll’, më tha,- ‘Ma kontrollojnë çdo hap, çdo fjalë që qes prej gojët’!
E këshillova me u arratisë jasht shtetit. I dhashë adresën e nji mikut tem ne Shkodër, që e njifte kufinin dhe pat ndihmue edhe të tjerë, miq të mijtë. Bani si i thashë Arshiu dhe, kjoft lëvdue Zoti, kaloi matanë, shnosh e mirë. Dij që ndodhet në Amerikë. Kaq. Mue më shtin mren për herë të dytë, mbas ndonji vjeti… me vazhdue jetën nëpër burgje dhe ja ku jena bashkë…!
Ehhh, moshën tande kam pasë burgun e parë o Maks…! Due me të kallxue nji histori, ma të hershme se kjo. Vetëm Arshi Pipës ia pata thanë atëherë. Ishte, me sa po kujtoj, mesi i vitit katërdhetekatër. Unë jepja mësim në gjimnazin e Tiranës. Ta kam thane, që kam pas nxanës edhe Ramiz Alinë aty?
Ishte djalë mjaft inteligjent. Gjynaf, u lidh me serbët dhe komunistët…por po të thoja që jam profesor në gjimnaz dhe asht maj, apo qershor ’44. Koha e regjencës, a e din? Vendi qeverisej nga katër regjentë; Patër Anton Harapi, Lef Nosi e, dy të tjerë. Një daja em, Pashk ia thojshin emnin, ishte major me trupat qeveritare.
Një ditë, më lajmërojnë se daja asht keq, ndodhet në spital dhe po doka me m’ takue. Shkoj fill e në spital, dves për te, nji infermier më shoqnon t’u dera e dhomës, ku ishte i shtruem daja jem. Te dera ishte nji roje i armatosun. Më tha me pritë. Mirë, thaç, po pres. U çil dera dhe duel nji kolonel gjerman, me bluzë të bardhë mjeku. Roja i foli për mue.
Ma ban me shenjë dhe më çon t’u studio e vet. Koloneli ishte mjek psikiatër i ushtrisë. ‘Daja jot, – më tha, – asht nën ndikimin e një shoku të fortë nervor. Flet jerm, fjalë pa kuptim. Kur bahet mirë, veç kjan dhe mallkon Patër Anton Harapin. Ka nji javë në kyt gjendje. Sot duket ma i qetë dhe kërkoi me të pa ty. Takoje dhe, mundësisht, mos e lodh, mos i thuej gja, që mundet me e irritue. Shko’.
Hyna t’u dhoma ku ishte daja. Ishte shtrimë në shtrat dhe sytë ia pat njitë tavanit. Më pa, u çue dhe më kapi në qafë…! – ‘Ah, mor Nikoll’, më tha, ‘nuk e kam të gjatë, po luej menç, nuk kisham për ta besue kurrë, se…’! – ‘Ah! Po ti qetsohu, mor dajë’ – i thaçë, – ‘mos ban kshtu, nuk ka gja, që nuk rregullohet…! Të kam sjellë dy paketa cigare. Ndiz nji cigare, qetsohu. Nuk bajn burrat kshtu…’!
E ndezi cigaren pa folë, pastaj nji tjetër…! – ‘Nigjo Nikoll, vetëm ty po ta them. Pata marrë nji informatë të sigurtë, ku nodheshin kta krent e komunistave dhe shkiet që po i komandokan ata. Alarm batalionit. Por më duhesh me lyp leje në qeveri, ma para. Shkoj atje me lyp lejen. Më pret vet At Anton Harapi. Kshu, kshu, i them. – ‘Mirë, më thot, – por sod nuk ke për të ba asnji veprim. Nesër po. More vesht Pashk’? – ‘Siurdhnon, nesër, i them. Të nesërmen, kur shkova me i kapë në lak, nuk gjeta kamb komunisti dhe shkjau aty. Fill te Anton Harapi.
Ma beson se, çka më tha…?! – ‘Janë vllaznit tanë, – tha, – Pashk, nuk duhet me derdh gjakun e njani tjetrit…! Gjermanët janë në kalim, shpejt do jemi të lirë, Shqypninë e kena të tanë, jo vetëm na, por edhe komunistët… mbas lufte duhet me e rindërtue venin, e jo m’u vra e me marr hak, mes vedi. Shko Pashk, kjoft lëvdue Jezu Krishti dhe zoti kjoft me ty. Me mend në krye Pashk, kuptove’?!
Nuk mbaj mend se çka iu përgjigja, veç kur e pashë vedin të lidhun dhe në spital, si të çmendun. Kta kujtojn se kam lujt menç…! A e din se me bahet, sikur e shof Patër Anton Harapin, me konop në qafë, të varun prej komunistëve…”?!/Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016